DITA MBAS ZGJEDHJEVE: ËNDRRA E VETME DHE PESËMBËDHJETË ANKTHET E PARISË SË TIRANËS

Një përrallë popullore kallzon për një hoxhë të mencur që e kuptonte se cka mendonin njerëzit dhe që i gjente gjerat që ata fshihnin ose që i kishin humbur. Kaq i doli nami i madh këtij hoxhës sa shkoi në kryeqytetin e Perandorisë osmane. Sulltani e thirri e  tha të gjente se cka kishte fshehur në kutinë e duhanit. Hoxha u mendua e u mendua, dhe kur e kuptoj se po i delte mashtrimi, psheretiu me zë, “eci sa eci, e ketu mbet karkaleci!” “Aferim,” i tha Sulltani, “se karkalec ishte!”  E shperbleu me para dhe e nisi ne vendin e vet ku u trajtua si burre i zoti per gjithë jetën. Ajo qe e shpëtoi Hoxhën ishte mbiemri që e kishte Karkaleci.  Sulltani kishte fshehur në kutinë e duhanit një karkalec. Rastësia e shpëtoi Hoxhën.

Tashti, paria e Tiranës është si ky Hoxhë Karkaleci. Në dukje, ajo e gjen të fshehtën e njerëzve dhe i mashtron dhe i rren gjithë kohën duke folur per liri demokraci, pasurim, integrim e me radhw. Në dukje, njerëzit besojnë se paria është e pashmangshme, e fuqishme dhe e pathyeshme dhe qe i gjen te gjithe zgjidhjet. Ata e kanë frikë për vdekje e tmerrohen prej saj. Sepse këta të bëjnë atë që thuhet se e bëjnë. Të vrasin. Të zhdukin. Të cojnë në mjerim. Të trafikojnë familjarisht. Të bëjnë të pish helmin. Të nxjerrin namin e zi për shtatë breza. Të vënë në kurriz ca banditë që kanë dalë direkt nga porta e Ferrit. Të shkatërrojnë me gjithcka dhe të bëjnë të bësh jo vetëvrasje por hara-kiri. Këta të bëjnë që të mos e varësh veten por te behesh mumje ne deren e shtepise tende.

Mirëpo problemi është se kjo është vetëm paraqitja sepse duket sikur ka kaq presion të papërballueshëm nga ana e parisë si dhe mungesë reagimi total nga ana e popullit. Por gjërat janë më të komplikuara se duken. Paria e jonë janë katundarë safi. Dhe ne të tjerët jemi katundarë safi gjithashtu. Dhe si katundarë të vërtetë, të gjithë ne ndryshe mendojmë, ndryshe flasim, e ndryshe veprojmë. Origjina e ëndrrës dhe pesëmbëdhjetë makthet e parisë së Tiranës janë të lidhura pikërisht me këtë mendësi. Pasiguritë e saj janë ë shumta por pasiguria e saj zë fill pikërisht tek paftësia e leximit të saktë të mendjes së popullit tonë katundar e fisnik nga ana e parisë. Se ne ndryshe mendojmë, ndryshe flasim e ndryshe veprojmë dhe tjerakund e kemi qëllimin. Ne jemi si uji. Dhe uji ka një problem, ai shkon aty ku gjen hapësira e të cara.

Paria e Tiranës ka ngritur një digë gjigande me mashtrime, krime, vjedhje, manipulime, poshtërsi, ndyrësi, zvetënim, e degjenerim. Paria e Tiranës ka një ëndërr të thjeshtë, shkurt ajo nuk don që në fund të zbulohet mashtrimi i saj se ka bërë poshtërsinë më të madhe të mundshme, se na ka drejtuar në rrugën më të gabuar të mundshme, se na ka kriminalizuar, vjedhur, grabitur, degjeneruar, trafikuar, shitur e blerë, skllavëruar, droguar,  etj. Paria ka frikë se po u ca dikund diga, të gjithë ngrehinën e krimit e merr uji i zemërimit popullor me vete. po doli qe demokracia, liria, kapitalizmi pasurimi, integrimi etj jane mashtrime, cka ndodh?

Deri në këtë pikë, paria beson se e ka hedhur lumin sepse nuk ka ndodhur ende gjë. Në fund të fundit, nga pjestarët e vërtetë të parisë janë vrarë vetëm një grusht njerëzish. Hetuesit e të dënuarit rrinë bashkë e bëjnë biznese bashkë. Pronarët e ish-pronarët janë të lidhur me interesa e martesa. Të gjtihë familjet e komunistëve kanë dalë edhe balliste. Ne i kemi marrë të gjithë kërmat e plehrat politike të historise, i kemi larë e pastruar në faqet e gazetave e në biografitë e pafund, dhe i kemi vënë në piedestale dhe këta pjestarët e parisë së Tiranës presin që t’iu vijë radha edhe këtyre. Sepse kemi filluar t’iu vëmë emra bulevardesh të gjithë drogashitësve, hajnave të pulave e trafikantëve. Kurrkujt nuk i bëhet llogaria për maskarallëqet që thonë e që shkruajnë pa nderprerë e pa I vrarë ndërgjegja. Askujt nga këta nuk i është trafikuar djali apo vajza, motra, nëna apo gruaja, por edhe në ka ndodhur, nuk e kanë ditur, ose bëjnë sikur nuk e dinë, sepse kur bën sikur nuk e din, nuk ka ndodhur. Këta vjedhin me të dy duart e askush nuk kundërshton bile hajni më i madh brohoritet. Këta i kanë nxjerrë paratë jashtë vendit e askush nuk padit e nuk ankohet. Këta llapin marrëzira e askush nuk kundërshton. Paria mendon se ia ka hedhur. Diga e mashttimit është nëmendjen e njerëzve dhe njerëzit nuk e shohin. Kjo është si puna e atyre që besonin se dielli rrotullohet rreth tokës edhe kur doli teoria se toka rrotullohet rreth diellit. Për sa kohë këta besojnë në fjalët e parisë, paria ia ka hedhur.

Mirëpo, cfarë ndodh në se njerëzit nuk besojnë më tek paria? duke e ditur se si mendojnë katundarët, ajo ka shumë ankthe, dhe unë po përmend vetëm pesëmbëdhjetë prej tyre. Problemi i parisë është sepse ajo nuk e din nëse shqiptarët i besojnë prej së vërteti apo po luajnë lojëra edhe me të. Sepse në katundin tim, kemi një lojë që quhet dushk për gogla. Problemi i parisë është se po e morën vesh shqiptarët se e kanë një shans për kryer punën që kanë ndërmend, ata nuk do të besojnë parinë e Tiranës dhe në vend të karkalecit do të vënë një gjarpër. Dhe mandej do t’ia marrin parisë nderin, fytyrën, fëmijet, pasuritë dhe jetën. Sepse si ka thëne Ekrem Bej Vlora, tre gjëra nuk i ka kush të sigurta ndër shqiptarët, nderin, gruan e pasurinë. Problemi i parisë është se tashmë ajo nuk e ka të sigurtë as fëmijët e jetën. Sepse ata që deri dje ishin popull e katundarët që shkuan në shkollën e djallit nuk kanë pse presin populin katundar që të nënshtrohet e të rrijë si dele nën sundimin e tyre. Sepse malli vjedhur iu përket të gjithëve dhe kur të vijë puna i përket më të fortit dhe me i forti ndër shqiptarët është zemërimi popullor e shpërthimi popullor si ai që ndodhi në vitin 1913. Ky është 100 vjetori i atij shpërthimi. Ku i dihet se cka ndodh në këtë 100 vjetor? Sepse e ka një arsye pse paria festoi 100 vjetorin e shpalljes së një shteti gjysmak dhe nuk po festoon 100 vjetorin e shpërthimit të marrëzisë kombëtare. Paria e din se nuk ka asnjë mundësi që të përmbajë shpërthimin popullor që po erdhi, edhe po erdhi në formën e qelbit, ta ndalojë e ta përmbajë.

PAria e di se oqeani është gjithnjë më i qetë para se të fillojë stuhia. Dhe populli trazohet zakonisht para zgjedhjeve. Prandaj, paria e Tiranës po iu afrohet  këtyre zgjedhjeve me një ndjenjë pasigurie të theksuar. Natyrisht që në takime, mitingje, e në fushatat respektive, pasiguria e parisë as nuk shihet e as nuk ndjehet. Prijatarët janë të gjithë delirantë dhe e shohin veten si fitimtarë, e paraqesin veten si fitimtarë, dhe militantët e tyre kanë nisur që të sillen si mbështetës të fitimtarëve. Mirëpo poshtë kores së vetësigurisë dhe arrogancës së parisë ka një numër faktorësh që e bëjnë lojën krejtësisht të paparashikueshme dhe të pakontrollueshme. Paria e Tiranës ka vetëm një ëndërr. E megjithatë, paria ka një numër të theksuar ankthesh që e shqetësojnë së tepërmi. Në këtë seri shkrimesh do të merrem me ëndrrën dhe me pesëmbëdhjetë ankthet e parisë së Tiranës.

1. Ëndrra e Parisë së Tiranës

Paria shpreson që mbas një përplasjeje të furishme e të pandërprerë në shtyp, në të cilën do të përtypen e përmenden kurvëritë, poshtërsitë, hajnitë, dashnoret e dashnorët e familjeve, krimet e dorës së dytë, vjedhjet e tenderat, hidrocentralet e klanet e krimit, lidhjet e dyshimta, Tan Lepri e Rrahmoni, 10 e 20 përqindshat, në fund do të ketë një përshkallëzim përtej fakteve që i din e gjithë Tirana e bile edhe Diaspora shqiptare e Timbuktusë. Analistët, komentatorët, opinionistët, mentarët e të gjithë ata që presin një kockë do të hidhen në sulm për të degjeneruar e zvetënuar njerëzit e palës kundërshtare sepse ose do të jesh me ne ose kundër nesh. Fushata do të fillojë t’i ngjajë Big Brother, edhe pse këta nuk do t’i shohim të flejnë bashkë.  Ai që do ti vjedhë votat më të shumta do të ngrejë duart simbas parimit “Qe Baba duart…” Më në fund, votuesit e luajtur mendsh dhe të bombarduar me dizinformacion do të shkojnë të zgjedhin të keqen më të vogël.

Mirëpo paria i ka marrë masat që votuesit të mos votojnë, të themi, AKZ apo FRD. Si do ti votojnë ata kur votën e tyre e hedhin komisionerët e partive kryesore? Bamir Topi ndoshta e merr votën e vet, sepse shumica e ish-berishistëve që nuk kanë ku shkojnë e që nuk do të jenë më në lista ndoshta e mbështesin, ndoshta e ku i dihet edhe me pak ndihmë nga dikush i interesuar i bën vend vetes në Kuvend. Por AKZ nuk ka shans sepse nuk e mbron njeri, votat e saja vijnë shumica nga anti-berishistët dhe gjithsesi PBDNJ ka tre vende të sigurta në parlament dhe gjashtë grekë në listat e partive të tjera dhe PS ka qënë gjithnjë partia e grekëve.  Pse duhet t’ia mbrojë kush votat AKZ-së? Pala e pakënaqur do të bëjë nja dy mitingje të egra, takimet e KQZ do të jepen live, dhe të gjithë shqiptarët do të rrinë pa punë duke parë televizor në kafene, duke pirë kafe dhe duke pritur që t’iu bjerë njëri nga tre IPhone për ‘ndonjë gjë të vogël’ që pak a shumë përkthehet si punë e pistë diku tjetër.

Por, në fund, mbasi njerëzit të jenë të lodhur në maksimum, mbasi të përmenden 1997 e 1998, e mbasi të thuhet se kështu janë të gjithë, në skenë do të ndërhyjnë të huajt dhe do të caktojnë fitimtarin. Në këtë rast, kryetari i partisë humbëse do të shkojë tek njerëzit e vet e do t’u thotë se nuk e mbajmë dot BE-në me bukë, nuk kemi para, të kuptojmë situatat dhe ta mbyllim këtë punë. Shteti iu fal paratë partive të vogla, kutitë janë e mbesin transparente në KQZ, paria thotë se sherri ishte për fushatë, dhe me një qeveri me bazë të gjerë mbyllet loja e zgjidhet halli. Të gjtihë të inkriminuarit kanë marrë viza e kanë blerë restaurant jashtë shtetit, e kështu mund të fillojë vjedhja nga fillimi. Askush nuk humbet, shqiptarët e hanë sapunin për djathë dhe deri në zgjedhjet e tjera merren përnatë me Blendi Fevziun, Cim Pekën, Arian Canis, Ilva Taren, Ruzhdijen dhe Big Brother dhe i fusin një “hajt ma, s’kena cka me ba…” dhe kthehen tek jetesa e tek poshtërsitë e vogla të përditshme. Kjo është ëndrra e parisë së Tiranës. Me pesëmbëdhjetë ankthet e parisë do të merren në shkrimet që vijojnë.

KATUNDARIZIMI: PROBLEMI I MENDESISE KATUNDARE SI SEMUNDJA E POLITIKES BASHKEKOHORE SHQIPTARE

(Nga PERRALLAT E TRANZICIONIT SHQIPTAR, 2012:394-420)

Në këtë shkrim do të përqëndrohem në analizimin e mendësisë katundare dhe në rolin që luan kjo mendësi në shoqërinë shqiptare. Në fushën e studimeve shoqërore, ka një traditë të dallueshme që i vendos kulturën dhe mendësitë popullore, mentalité populaires, në qendër të analizës së proceseve historike shoqërore. Në rastin shqiptar nuk ka analiza të thelluara të mendësive popullore, sidomos të evolucionit të mendësisë popullore gjatë tranzicionit. Mendësia popullore është analizuar gjerë e në thellësi gjatë kohës së sistemit enverist si, për shembull, kur sjelljet tipike katundare paraqiteshin si të gabuara apo të prapambetura. Por, përplasja midis mendësisë popullore dhe mendësisë që kërkonte të promovonte e të nguliste në shoqëri sistemi enverist, është subjekt që kërkon shumë vëmendje dhe një analizë më të thellë, se sa janë mundësitë këtu.

Në këtë shkrim, qëllimi është që të vihet në dukje natyra specifike e mendësisë sunduese popullore ndër shqiptarët gjatë tranzicionit. Paria flet për ideologji universaliste, si socializëm apo liberalizëm. Unë mendoj se mendësia sunduese është mendësia katundare. Argumenti im është se mendësia katundare është është problemi kryesor me të cilin përballemi. Problemi dhe pengesa kryesore në rrugën e transformimit dhe të modernizimit të vërtetë të shoqërisë është procesi i katundarizimit të gjithanshëm të shoqërisë. Mendësia katundare është në themel të sjelljes së popullit dhe të parisë sunduese. Mendësia katundare është tipari kryesor i kulturës tonë kombëtare dhe politike gjatë tranzicionit.

Megjithatë edhe pse ata janë katundarë apo sillen si katundarë, vetë paria dhe prijatarët e saj vijnë nga shtigje dhe përvoja të tjera. Në rastin e parisë sunduese, që vjen në masë të madhe nga njerëz të shkolluar dhe me përvojë pune shtetërore për një kohë të gjatë, mendësia katundare është vetëm një instrument kontrolli, për të ruajtur pushtetin e tyre mbi shqiptarët. Prandaj edhe duhet bërë dallimi midis katundarëve, që e shohin botën në një mënyrë të caktuar dhe parisë, që e ka përdorur dhe e përdor këtë mendësi pa besuar në të. Megjithatë, një pjesë e saj ka arritur deri në atë pikë sa e ka internalizuar këtë mendësi dhe janë kthyer në origjinë. Por, nuk ka dyshim se përdorimi dhe kultivimi i mendësisë katundare ka qenë një zgjidhje e qëllimtë e parisë, me synime të qarta të ruajtjes së pushtetit dhe të interesave të shtresës së parisë. Pavarësisht urbanizimit formal, d.m.th. të lëvizjes së masave të gjera nga katundet në qytete, në tri valët historike të viteve 1930-1942, 1950-70 dhe 1990-2000, mendësia e masës dërmuese të shqiptarëve ka qenë dhe ka mbetur një tipike mendësi katundare.

Argumenti këtu mund të përmblidhet në pak fjali. Në vitin 1990, paria dhe intelektualët e kanë pasur shansin historik që të ndaheshin me këtë mendësi dhe të drejtonin shqiptarët në rrugën e duhur. Ata qëllimisht zgjodhën rrugën më të keqe, vendosën të ndjekin mendësinë katundare. Në vend që të udhëhiqnin popullin, ata ndoqën vetëm interesat e tyre të ngushta. Zgjidhja e tyre i ka sjellur shqiptarët në këtë gjendje kritike. Rruga që zgjodhën i bënë përgjegjës të padiskutueshëm të këtij krimi historik, sepse ata e zgjodhën këtë rrugë me vetëdije të plotë dhe pa brejtjen më të vogël të ndërgjegjes.

Ibn Khalduni, katundaria dhe teoria e qarkullimit të parive

Në Prolegomenonin e tij të famshëm, Al Mukaddima, mendimtari i shquar arab i shekullit të 14-të, Ibn Khaldun paraqet një teori ciklike të konfliktit shoqëror të bazuar në përplasjen midis qytetërimit e barbarizmit. Në thelb, teoria e tij thotë se barbarët (në rastin e tij, beduinët që vijnë nga shkretina) pushtojnë zonat e qytetarizuara, që tashmë janë të sofistikuara, por që janë të zhytura në degjenerim.

Barbarët e rinj, që edhe këta vijnë nga shkretina, i pushtojnë qytetet, të frymëzuar nga një fe e re, apo nga interpretimi i ri i fesë, që ata kërkojnë që të ripërtërihet. Barbarët e radhës (në kontekstin e Ibn Khaldun, beduinët, katundarët e shkretinës) fitojnë, sepse ata kanë kurajo, guxim dhe vlera. Mbi të gjitha, ata fitojnë sepse, për të jetuar në shkretinë, ata kanë zhvilluar organizim e strukturë të mbështetur në lidhje të fuqishme tribale e të gjakut. Kur e përdorin fenë si ideologji mobilizuese, ata ia arrijnë që të krijojnë kohezionin e nevojshëm e masën kritike, për të marrë kontrollin e shtetit. Barbarët bëhen pakica e re e organizuar dhe kompakte që hyn si thika në gjalpë në një shoqëri në dekadencë morale dhe politike. Barbarët i rivitalizojnë këto qendra. Ata e rindërtojnë shtetin dhe e bëjnë efektiv. Mirëpo, për tre-katër breza edhe ata vetë degjenerohen e bëhen të pazotët për të mbajtur pushtetin. Duke u mbështetur tek e njëjta fe, barbarët e rinj organizohen në katundet e tributë e tyre dhe marrin kontrollin e shtetit. Kjo teori njihet si teoria e qarkullimit të parive.

Një aplikim sipërfaqësor i teorisë së Ibn Khaldun në rastin shqiptar do të paraqitej kështu. Çdo tre-katër breza, një masë katundarësh, të etur për prona e për pasuri, turma malësorësh heroikë, të lidhur në strukturë tribale apo me një ideologji të caktuar, të drejtuar nga një grup individësh që kërkojnë pushtet, merr me forcë kontrollin e shtetit. Kur fitojnë, këta zhvendosin parinë e vjetër dhe e vënë shtetin në shërbim të këtij grupi. Katundarët e thjeshtë nxjerrin kunjat e vjetër në nivelin e katundit me bashkëkatundarët e tyre respektivë e, natyrisht, grabisin, vrasin e vjedhin çka iu del përpara, në emër të barazisë e të ligjit të më të fortit. Por, dalëngadalë, paria e asaj mase njerëzish sofistikohet dhe fillon që ta përdorojë shtetin për qëllimet e veta. Për më tepër, ajo vepron kështu duke ndjekur logjikën e forcimit të shtetit. Në rastin tonë, një shembull i mirë është Ahmet Zogu, aristokrati katundar nga Burgajeti i Matit. Një rast tjetër është Enver Hoxha, nipi i kryekatundarit të Gjirokastrës (siç përcaktohet në një dokument të vitit 1916), apo Mehmet Shehu, i biri i sheikut të Çorrushit. Gjatë tranzicionit, kryekatundarët më të njohur janë Sali Berisha nga Viçidoli, Gramoz Ruçi nga Salaria, Fatos Nano nga Lunxhëria dhe Ilir Meta nga Skrapari.

Brezi i parë i shtresës sunduese e mban pushtetin me forcë. Ata i kthejnë katundarët në vendin e tyre, i mbajnë me rrogë, iu japin pasurinë e humbësve, apo bëjnë një reformë agrare. Kur kanë mundësi, ndërtojnë shtetin efektiv. Brezi i dytë i parisë bëhet politik dhe sundon me dinakëri e me zgjuarësi. Ky brez e mban pushtetin duke përdorur monopolin e dijes e rrjetin e lidhjeve, që e bëjnë të pazëvendësueshëm e legjitim, në sajë të fitimit të pushtetit nga ana e brezit të parë. Brezi i tretë bëhet artistik. Këta i harrojnë origjinat e veta katundare e sinqerisht besojnë se janë kryeqytetas të vërtetë. Në vijim, brezi i katërt, vjen i degjeneruar e i zvetënuar. Ky brez është kozmopolit në vlera, i prirur për qejfe dhe i pazoti të sundojë. Në këtë pikë, simbas teorisë së Ibn Khaldun, pritet vërshimi i një masë tjetër malokësh e katundarësh, që i zhvendos edhe këta pjestarë të parisë. Kështu, cikli i qarkullimit të parive fillon prej fillimit. Ai duhet të rinisë me tribu të reja e me një ideologji të re. Gjithnjë, në dukje, por vetëm në dukje ama, shteti është në shërbim të interesit të katundarëve të rradhës. Në fakt, fitimtarja e vërtetë është gjithmonë paria sunduese e grupit të katundarëve, të mobilizuar në bazë të interesave të veshura me ideologjinë e kohës. Problemi shqiptar është se katundarizimi ka shkuar në drejtim të kundërt. Tashmë edhe paria sillet simbas mendësisë katundare, duke mos lejuar as formësimin e daljen e alternativave, por edhe duke e zvetënuar shoqërinë deri në atë pikë sa gjendja duket tërësisht e pashpresë.

Ibn Khalduni dhe rasti shqiptar

Në rastin shqiptar, përvojat tona tregojnë se kjo teori e qarkullimit të parive nuk është e aplikueshme apo e vërtetueshme për disa arsye. Nga një anë, gjatë një shekulli që e kemi pasur shtetin tonë të pavarur, ne i kemi ndrruar paritë sunduese shumë shpesh. Nga ana tjetër, paritë janë zëvendësuar përmes një lufte formale ideologjike të pamëshirshme. Projektet që janë ndjekur kanë qënë modernizuese, por kanë rrjedhur nga tradita krejtësisht të kundërta ideologjike dhe kanë qenë të mbështetura në konceptime krejtësisht të ndryshme të realitetit. Në dy raste (1944 dhe 1990) paritë nuk janë marrë thjesht me kontrollin e shtetit, por me ndryshimin rrënjësor të shoqërisë. Në vitin 1912 e deri më 1939 në krye të shtetit ishin bejlerët e vërtetë, mehmurët me shkollë, dhe figurat e bashkësive fetare. Në vitin 1944 në krye erdhën katundarët dhe pinjollët e shtresave të mesme me gjysëm shkolle në Perëndim. Në vitin 1990 në krye mbeti paria sunduese, tashmë shumë e sofistikuar në përvoja dhe e zgjeruar me intelektualët dhe profesoratin universitar. Asnjëri grup nuk ka ndenjur në kontroll të shtetit më shumë se dy breza. Tradita jonë, në kohë kaq të shkurtër, njeh zëvendësimin, zgjerimin, transformimin, por edhe eliminimin e parive nga fitimtarët e radhës. Grupi i ri fitimtar, jo vetëm që e ka spostuar parinë sunduese të deriatëhershme nga rolet kryesore, por edhe shpesh i ka mënjanuar apo zhdukur fizikisht. Kështu ndodhi në vitin 1944 me ata elementë të parisë sunduese të deriatëhershme, që nuk u larguan. Metoda e preferuar e eliminimit të parisë gjatë tranzicionit ka qenë kooptimi ose mërgimi i detyruar.

Struktura e veçantë e organizimit tonë shoqëror ka çuar në formësimin e disa paradokseve unike shqiptare. Përfundimi kryesor që duhet vënë në pah është se, në vend që në vend të ndërtimit të shtetit, qoftë edhe në shërbim të vet, paria sunduese e rradhës është treguar po aq, në mos më shumë e katundarizuar se vetë katundarët që e sollën dhe që e mbajnë në pushtet. Ky është paradoksi i vërtetë i politikës shqiptare. Ndërtimi i shtetit dhe i strukturave nuk bëhet për të ndërtuar një shtet, që do të ishte në shërbim të të gjithëve. Ndërtimi i shtetit dhe i strukturave bëhet për të ruajtur kontrollin e klanit të caktuar katundar, ose të aleancës së disa klaneve katundare, mbi ngastrën e pushtetit. Politika që luhej në krye të shtetit ishte një ripërsëritje e sjelljes së katundarëve në katund. Kjo ndodh për shkak se shoqëria shqiptare e mbi të gjitha, paria sunduese, ka mbetur pre e mendësisë katundare që nuk i lejon shqiptarët që të bëjnë shtetin që duhet. Mungesa e shtetarëve të mirëfilltë, mungesa e një etike dhe morali publik, të rrënjosur në një ideologji që iu shërben të gjithëve, sundimi i një mendësie arriviste dhe materialiste katundareske, janë karakteristika të parive shqiptare. Prandaj edhe teoria ciklike e Ibn Khaldun nuk është e aplikueshme në rastin shqiptar.

Katundi si forma më e përhapur e organizimit të shoqërisë shqiptare

Katundi ka qënë forma më e përhapur e organizimit të shoqërisë shqiptare dhe ka mbetur si i tillë edhe sot. Ka një dallim thelbësor midis fshatit dhe katundit. Ky dallim nuk zhvillohet sa duhet në literature, por ia vlen që ta diskutojmë këtu. Thënë përmbledhtas, fshati është një numër familjesh, që merren me blegtori apo me bujqësi dhe që janë në varësi ekonomike dhe politike prej parisë sunduese të kohës. Niveli i solidaritetit dhe i vetëdijes si shtresë është i pranishëm, por jo përcaktues deri në atë pikë sa fshati të transformohet në një entitet të mbyllur në vetvete. Katundi është një bashkësi e organizuar dhe kompakte, me struktura të forta shoqërore, me vlera, me hierarki dhe me një mendësi të dallueshme edhe nga katundi tjetër. Në mesjetë katundet tona kanë qenë edhe shtegtare, por me kohë, nën trysninë e shtetit, ka pasur një stabilizim të vendbanimeve dhe të familjeve në katundet e caktuara. Ruajtja e lëvizjeve në bazë të katundit mbështetej në ciklet bujqësore dhe blegtorale por kjo nuk e cënonte thelbin e vetë katundit. Edhe sundimi i familjeve të bejlerëve ishte shumë sipërfaqësor, sepse katundi kishte gjithnjë pronën e vogël apo të madhe të familjes dhe jeta e ritmi i jetës në bashkësinë katundare ishte autonom prej shtetit osman dhe vetë parisë.

Por, katundi shqiptar nuk ka qenë i izoluar. Në parantezë, nëse ka ndonjë gjë që mund të thuhet lidhur me shqiptarët si komb është se, historikisht, në grup ose veç e veç, kudo që ata kanë jetuar, në katund apo në kryeqytetet e perandorive, shumë prej tyre e kanë provuar veten si njerëz të lirë, të aftë, të zgjuar, e krijues. Mbi të gjitha, shqiptarët janë të sprovuar si njerëz që kanë ditur të krijojnë shtete e të mësojnë edhe të tjerët se si të bëjnë shtete e perandori. Ky është një kontribut historik që sado poshtë që të bien shqiptarët si komb edhe po të shkojnë më keq se sa janë tash, askush nuk mundet që t’ua heqë.

Mirëpo, ikja e këtyre figurave të shquara politike e kulturore nga katundi respektiv, nuk e ka ndrruar ritmin e jetës në katund. Nga ana tjetër, autonomia e katundit ka qenë e theksuar, por katundi shqiptar nuk ka qenë asnjëherë i shkëputur nga shteti. Lidhja e kandarëve shqiptarë me shtetin ka qenë jetike. Punësimi i katundarëve nga shteti, si bashibozukë, jeniçerë, apo dervenxhinj ishte një formë mërgimi nga katundi. Jeta e vërtetë zhvillohej në katund. Katundi ishte, në një farë mënyre, qendra e universit të tyre,madje edhe e atyre shqiptarëve që punonin për shtetin osman dhe të gjithë synonin që të ktheheshin atje, të gjallë a të vdekur. Kështu, Sinan Pasha kërkoi të varrosej në Kaninë, Mehmet Pashë Qyprilliu ngriti xhaminë e Roshnikut, Koxha Sinan Pasha ngriti xhaminë e Prizrenit, Mustafa Koçibej kërkoj të varrosej në Mborje e me radhë.

Prandaj, duhet theksuar se nga të gjithë figurat që iu bëjnë nder shqiptarëve në historinë e tyre, shumica e kanë rrënjën në një nga katundet e panumërta të trojeve shqiptare. Ashtu ishin kohët, katundi shqiptar, i madh apo i vogël, ishte djepi që lindi figura madhore të historisë e të mendimit politik, shoqëror, dhe kulturor të shteteve, ku ishin të përfshirë edhe shqiptarët. Kështu, Mustafa Koçibej, Volteri i Lindjes, ishte nga Mborja, Frang Bardhi ishte nga Nënshati, Pjetër Bogdani nga Hasi i Thatë, Shemsedin Samiu ishte nga Frashëri, Arkitekt Sinani ishte nga Bicaj i Kukësit, Gjergj Fishta nga Fishta, Binak Alia nga Krasniqja, Sefë Kosharja nga Kosharja, Petro Nini Luarasi nga Luarasi, pa numëruar këtu figurat politike, si Skënderbeu nga Kastrioti, Iljaz Mirahori nga Panariti, Ajaz pasha nga Himara, Qyprilijtë nga Roshniku i Beratit, Ismail Pashë Velabishti nga Velabishti, Bushatllinjtë nga Kosmaçi, Zef Ndok Illia nga Jubani, Anastas Kullurioti nga Salamina, Mustafa Pashë Bajraktari, që ishte po nga Mborja e Korçës, Mehmet Ali Pasha ishte nga një katund afër Mesarës, Ahmet Zogu nga Burgajeti, Bajram Curri nga Malësia e Gjakovës, Fan Noli nga Ibrik Tepe, Isa Boletini nga Boletini, Lleshi i Zi prej Oroshit e me rradhë. Mund të thuhet pa frikë se nuk ka një katund të banuar me shqiptarë, që nuk e ka një figurë të njohur që ka lënë gjurmë në histori. Historia e shqiptarëve është historia e katundarëve fisnikë, me largpamësi, mençuri, me aftësi të rralla drejtuese, me dinjitet, e me zotësi shtetformuese. Ky lloj shqiptari i është imponuar botës. E jo vetëm në politikë. Mirëpo, problemi është se këta që bënë shtete për të tjerët, ishin vetëm katundarë ndër shqiptarë. Historia e shqiptarëve është historia e katundit të tyre.

Mund të thuhet pa frikë se katundari shqiptar ka kenë figurë me interes e historisë shqiptare edhe në fushën kulturore, qoftë kur ka kenë jeniçer, si Hasan Zyko Kamberi nga Leskoviku apo Nezimi i Frakullës, klerik si Mulla Hysen Dobraçi nga Dobraçi, enciklopedist si Shemsedin Samiu nga Frashëri, apo poet politik si Dritëro Agolli prej Menkulasit.Në historinë e shtetit shqiptar, natyrisht që ka edhe shumë katundarë, që kanë bërë dëm sa s’thuhet. Këtu mund të përmenden, bie fjala, Haxhi Qamili nga Sharra, Lalë Krosi prej Klosit, Mehmet Shehu nga Çorrushi, Hysni Kapo nga Tragjasi, Gramoz Pashko nga Vodica, Pjetër Arbnori prej Shirokës e shumë e shumë katundarë e stërnipa katundarësh të tjerë, që kanë lënë emër shumë të diskutueshëm në jetën politike shqiptare.

Duhet thënë se ne të gjithë shqiptarët i njohin dhe i dinë origjinat katundare, pavarësisht se kur janë shkëputur prej katundit. Kur nuk e pranojnë hapur, origjinën e tyre katundare e tregojnë mbiemrat e llagapet, sidomos ato që u ndrruan gjatë kohës së Enver Hoxhës e që askush nuk don t’i përmendë më. Kur nuk e tregojnë mbiemrat, origjinën e tregojnë njerëzit që japin intervistat për familjet e “shquara” dhe “fisnike”. Në këto intervista, shihet se si këta individë nuk munden të shkojnë as tre-katër breza më larg ,pa ndeshë stërgjyshër që kanë qenë katundarë. Shembulli më i mirë i ilustrimit të origjinave tona katundare ishte mbledhja e familjeve “fisnike e aristokrate”, që u bë në Tiranë disa vite më parë. Shumica dërmuese e pjesëmarrësve ishin trashëgimtarët e reshperëve, esnafëve e të bakallëve të dikurshëm.

Më e keqja është se edhe qytetet tona, deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, ishin katunde të zgjeruara. Familjet jetonin si në katund. Dyert më të njohura qytetare rrisnin edhe fiq, rrush, hudhra, spinak e kastraveca në bahçen e shtëpisë. Mirëpo, për shkak të nevojave ideologjike të sistemeve që kaluam, dallimi midis katundit dhe qytetit është i theksuar më shumë se sa duhet në literaturë. Ky dallim është i bartur deri në ekstrem edhe në mendësinë e njerëzve, që shohin një mur të pakalueshëm midis qytetarëve dhe katundarëve. Ky mur ndoshta ekziston në Francë apo në Itali, por ndër ne ka qenë një rrugë dykalimshe. Për këtë arsye, d.m.th., që edhe kur iknin nga katundi, nuk shkëputej katundi prej tyre, mendësia katundare ka qenë mbisunduese ndër shqiptarët. Origjinat e njohura të shumicës shqiptare janë në katunde. Prandaj edhe nuk duhet të habitemi aspak që në krye të politikës shqiptare, ishin e janë kryesisht njerëz, familjet e të cilëve kanë jetuar në lagjet e katundet paksa jashtë qyteteve, disa të tjerë që blenë pasuritë e zotnive të tyre të deridjeshëm, apo disa të tjerë që u pasuruan në mënyra të dyshimta dhe me spekulime të hapura. Në krye të politikës shqiptare kanë dalë gjithnjë katundarët e stërnipat e katundarëve, në veçanti ata që e morën pronën me pushkë në dorë, qoftë si jeniçerë, si bashibozukë, si xhandarë, si partizanë, apo si antikomunistë. Historia shqiptare është e mbushur me katundarë, që duan të jenë të famshëm e të mëdhenj në katundin e në klanin e vet.

Edhe sot realiteti shqiptar, jo vetëm në shtetin shqiptar, është se partitë kryesore e shteti drejtohen nga katundarë, sado të fisëm në katundin e tyre, por katundarë gjithsesi. Asnjëri prej atyre që na drejton nuk i kalon dy breza në zona qytetase: Gramoz Ruçi e Valentina Leskaj vijnë nga Salaria e Tepelenës, Sali Berisha vjen nga Viçidoli i Tropojës, Ilir Meta vjen nga Skrapari, Fatos Nano nga Lunxhëria, apo Skënder Gjinushi nga Kurveleshi, pa llogaritur të tjerët, që nuk duan të tregojnë se çfarë janë. Ka shumë që ende nuk e dinë se a janë shqiptarë, çobanë, palikaris, konjarë apo jeniçerë të adaptuar. Megjithatë, të gjithë e dinë se janë katundarë, por refuzojnë që ta pranojnë këtë. Duhet pranuar se kur vjen puna me e bërë biografinë e vet, dhe për këtë i kemi biografitë që kanë lënë në Arkivin e PPSH-së, kur kanë qenë anëtarë partie, tre breza e poshtë, të gjithë liderët tanë dalin ose katundarë safi ose të ardhur nga shtresa të varfëra qytetare, që bartin mendësinë katundare. Por problemi është tjetërkund. Problemi është se përtej lustrës së qytetërimit provincial, sjellja e të gjithëve është e sunduar prej mendësisë katundare.

Si shembull ilustrimi do të përmendja përplasjen lidhur me legjitimitetin e grupeve të ndryshme në Tiranë. Deri në vitin 1920, Tirana, në rastin më të mirë, ka qenë një katund i zgjeruar. Në vitin 1945 e mbas, Tirana u popullua me të ardhurit nga Toskëria. Në vitin 1990 u popullua me të ardhurit nga Gegnia. Përkundër vulgarizimit në shtypin e përditshëm, por edhe përkundër thashethemnajës së Tiranës, problemi nuk shtrohet se erdhën katundarët e na zunë tokat apo se na morën shtetin. Në një farë mënyre, është qesharake që të dëgjosh katundarët e malokët që erdhën nga Toskëria në Tiranë e ranë në qytete të tjera në vitin 1945, që të ankohen me sinqeritet të pastër për katundarët e malokët që nga Gegnia ranë në Tiranë e në rrethe të tjera mbas vitit 1991. Shteti shqiptar është i të gjithë katundarëve e malokëve shqiptarë dhe askush nuk ka më shumë të drejta se të tjerët. Askush nuk ka të drejtë që ta ndjejë veten superior ndaj të tjerëve. Para shtetit e para ligjit duhet të jenë të gjithë të barabartë, si katundarët e rinj ashtu edhe të vjetrit.

Natyrisht që jetesa në qytete për disa breza i ka ndryshuar dhe i ka qytetëruar deri në një farë mase shumë prej këtyre katundarëve. Në radhë të parë, duhet theksuar ndryshimi i pësuar prej vetë parisë, si dhe prej intelektualëve dhe profesoratit universitar. Mirëpo, problemi është se edhe pse këta i kanë ikur katundit, nuk ka ikë katundi prej tyre. Gjatë kohës së sistemit të mëparshëm, mendësia katundare ka qenë e mbuluar me një zhguall të ngurtë të ideologjisë enveriste, një moral dhe sjellje që formalisht këta e praktikonin me fanatizmin e nevojshëm në sferën publike. Por, përtej lustrës së jashtme, problemi kryesor me parinë është se e ka pranuar dhe e pranon logjikën e mendësisë katundare si legjitime.

Ka pasur edhe një rrugë tjetër perverse, përmes shkollimit e stërvitjes profesionale, që e ka përforcuar këtë mendësi katundare. Sistemi i mëparshëm ka punuar me intensitet, që t’i thyejë si individë dhe t’i vejë në përdorim të shtresës sunduese. Individualizmi dhe arrivizmi i tyre është në ekstrem. Kjo sjellje individualiste, e acaruar edhe nga jeta e gjatë dhe e vështirë në konvikte e zbore, me një riskë buke të zezë, me shtatë lekë marmalatë fiku apo molle, e me çaj pa sheqer, si dhe përvojat çnderuese e çnjerëzuese në mjerimin e sistemit të kaluar, që synonin me i kthyer në vegla të pashpirt të sistemit, kanë përcaktuar e përcaktojnë sjelljen e tyre edhe në politikën e sotme.

Prandaj edhe problemi themelor i politikës së sotme shqiptare është sundimi i pakundërshtuar i mendësisë katundare. Kjo mendësi është evidente qysh nga fshatrat më të humbur të majave të thepisura të Toskërisë e të Gegnisë, deri në zemër të institucioneve shtetërore. Shteti shqiptar është i drejtuar prej katundarëve, që nuk kanë një pikë ndjenje kombëtare e njerëzore. Këta janë individë që e urrejnë popullin e vet. Mirëpo, nëse populli e pranon mendësinë katundare si legjitime dhe të natyrshme, në rastin e parisë, ajo e ka bërë zgjedhjen e tillë, që të përdorë mendësinë katundare për të ruajtur sundimin e vet. Si duhet kuptuar ky paradoks?

Paradoksi i sundimit të mendësisë katundare në politikën shqiptare

Duke e qëmtuar me vëmendje origjinën e këtij paradoksi, duhet theksuar se, historikisht, katundi ka qënë e mbetet strukturë shumë e fuqishme e sunduese në shoqëritë e në politikën shqiptare. Qytetet e vërteta si qendra politike, kulturore e rrezatimi vlerash e mendësie shtetare kanë qënë të pakta, e këtu mund të përmenden Shkodra, Peja, Gjakova, Prizreni, Shkupi, Berati, dhe Janina. Po ashtu, perandoritë, me të cilat shqiptarët kanë qënë të lidhur, i kanë pasur qendrat vendimmarrëse larg prej trojeve shqiptare. Si pasojë, qytetet shqiptare ku ka qënë përqëndruar fuqia politike e shqiptarëve kanë qënë më shumë qendra tranziti dhe udhëkryqe politike ku familjet sunduese nuk kanë zgjatur më shumë se tre-katër breza.

Shumica e këtyre familjeve me pushtet kanë qënë të lidhura më shumë me qendrën e perandorisë se sa me katundet rreth e rrotull, edhe pse këta i sundonin në emër të asaj perandorie. Bile, edhe kur ato familje, të lidhura si me qendrën e perandorisë, ashtu edhe me shoqërinë e katundarëve e malokëve të krahinës, pra edhe kur kanë pasur rrënjë e mbështetje në shoqërinë e kohës, kane ndenjur në katunde. E në fakt, në Toskëri, katunde si Frashëri apo Libohova kanë pasur më shumë pushtet, kultivim mendësie shtetare e influencë se sa qytetet vetë. Si ilustrim, bie fjala, mund të përmendet Gjirokastra, një qytet që ka qënë i mbushur me duaxhijt e derës së Asllanpashallinjve, aq sa për 50 vjet u sundua me dorë të hekurt prej një gjeorgjiani të adaptuar në atë familje, si Javer Hurshit. Për më tepër, qytetet e tilla kanë qënë shpesh qendra të sunduara e të populluara nga të huajt. Shpesh qytetet e asaj kohe nuk kanë qënë gjë tjetër pos katunde të shtrira e më të populluara se katundet e tjera si Tirana apo Kavaja, ku një pjesë e mirë e të ardhurave të familjes vinte nga bahçja e shtëpisë.

Po ashtu, prej krijimit të shtetit të pavarur e deri tani, paritë e vjetra, veçanërisht ato familje që ishin shumë të lidhura me perandorinë osmane, sepse edhe origjinën e kishin nga kapikulutë, ishin pa rrënjë të thella në popull. Kështu, duke qënë një pakicë e papërfillshme numerikisht, paritë me influencë shtetare, edhe kur ishin nga familje qytetare apo me pasuri të madhe, qofshin nga shtresat tregtare e reshpere muslimane, bektashiane, katolike apo ortodokse, ishin e u bënë edhe më të katundarizuar se ndjekësit e tyre. Pavarësisht pasurive, e pavarësisht formimit sipërfaqësor kulturor, edhe kur e luajtën rolin kryesor në politikën shqiptare, pinjollët e këtyre familjeve e luajtën si katundarë të sofistikuar. Për më keq, me ndejë në majë të pirgut të politikës shumë të turbullt të shekujve të fundit, ata nuk lanë gjë pa bërë. Sot, shumë prej pinjollëve të tyre duhet që të mos harrojnë se shumë prej tyre, edhe kur rrjedhin direkt nga shërbëtorët e shumëkujt, u shkartisën me katundarët fitimtarë të rradhës. Kështu, në një rrugë apo në një tjetër, atapërfunduan duke u kthye indirekt në origjinat e tyne katundare.

Po ashtu, duhet mbajtur në mend se cikli i zëvendësimit të parive ka kenë i tillë, që gjatë ekzistencës së shtetit shqiptar, asnjë pari sunduese nuk ka zgjatur më shumë se dy breza. Për ta përsëritur argumentin, edhe kur kanë sunduar më shumë se dy breza, paritë sunduese kanë rënë pre e katundit dhe kanë sunduar si në katund, me një fjalë, lufta politike e parisë së radhës është zhvilluar për të kontrolluar katundarët e vet besnikë, e jo për t’i transformuar në shtetas e në qytetarë të lidhur pazgjidhshmërisht e parësisht me shtetin. Përjashtim bën, deri-diku, periudha e fillimit të sistemit të partisë-shtet, por, me dështimin e vet të hershëm ekonomik e politik, edhe ai sistem përfundoi në një luftë të mundimshme nga klanet sunduese për të kontrolluar katundarët. Nga ana e tyre, paria sunduese dhe strukturat shtetërore, u sollën si katundarë të vërtetë.

Me të gjithë përjashtimet, me shumë shmangie të përkohshme nga norma, mendësia katundare ka kenë sunduese edhe në krye të partisë-shtet. Udhëheqja kryesore përbëhej, në masë të konsiderueshme, nga katundarë safi. Mjafton të shihet përbërja e Komitetit Qëndror apo e qeverisë. Edhe kur nuk ishin katundarë, influencat mbas këtyre individëve, klanet që i mbështesnin ishin thelbësisht katundare në mendësi. Kjo mendësi u përforcua edhe më shumë, qoftë përmes martesave e familjeve, përmes rrethit shoqëror, strukturave politike-shoqërore apo edhe të vetë traditës sunduese politike. Instrumenti përmes të cilit është arritur mobilizimi e sundimi i masave katundare ka qenë manipulimi i paskrupullt i mendësisë katundare, si dhe ushqimi i kësaj mendësie përmes të gjitha mjeteve e mënyrave të mundshme, derisa është bërë mendësia sunduese ndër shqiptarët. Prandaj, sëmundja e katundarizimit mbetet sëmundja kryesore e politikës së sotme shqiptare. Shkaku kryesor i lëngatës ku jemi, është paria e Tiranës dhe instrumenti i saj i preferuar është mendësia katundare e shoqërisë shqiptare. Paria lufton që të kontrollojë shoqërinë, duke e mbajtur peng të mendësisë katundare. Si pasojë e kësaj përpjekjeje intensive nga ana e parisë për të kontrolluar shtetin e shoqërinë, vetë shoqëria shqiptare ka rënë viktimë e mendësisë së vet. Edhe më keq se aq, paria e ka përvetësuar këtë mendësi dhe, përditë e më shumë, po manifeston sjellje të pastra dhe të të qarta të rrënjosura në mendësinë katundare. Aq thellë kanë shkuar efektet e kësaj politike afatgjatë të parisë sa, sot po ecet simbas parimit katundar se e keqja nuk ka fund. Dhe, në fakt, nuk po merret vesh se ku është fundi i së keqes.

Përkufizimi i katundarit dhe i mendësisë katundare

Eshtë e rëndësishme që të theksohet dallimi midis katundarit dhe shtetasit. Paritë dhe shtresat e qytetarizuara lidhen me shtetin. Shteti bëhet shtylla kryesore e identitetit të tyre. Besnikëria e tyre i shkon së pari shtetit dhe institucioneve. Shteti ndihmon në krijimin dhe në konsolidimin e një kulture politike, në të cilën shtetasi qytetar, jo qytetasi, d.m.th. jo ai që thjesht jeton në qytet, merr pjesë aktive në jetën politike, të bashkësisë dhe kulturore të shoqërisë.

Katundari është ai person shoqëror, i cili merret me prodhimin e vogël bujqësor e blegtoral, me ndihmën e pjesëtarëve të familjes, me siguruar mbijetesën e vet e me përmbushur detyrimet që ka karshi parisë që kontrollon pushtetin politik e ekonomik. Pra, katundari është njeriu i lidhur me tokën e me pronën. Kjo lidhje përcakton edhe ndarjen e punës, format e pronësisë, rolet e funksionet e pjestarëve të familjes, nivelin e lartë të solidaritetit, strukturën e katundit, marrëdhëniet midis katundarëve, por edhe midis katundarëve e pasunarëve, si dhe të katundarëve, shtetit e parisë sunduese. Lidhja e katundarit me shtetin është komplekse. Ajo që Richard Pipes thotë për muzhikun rus, është e aplikueshme në të gjitha kontekstet e katundarëve, “dinakëria dhe përdorimi i forcës garantojnë mbijetesën: katundari përdor dinakërinë, kur është i pafuqishëm dhe dinakërinë me forcën kur është i fuqishëm”. Mendësia katundare buron, së pari, nga kushtet specifike në të cilat katundarët janë të detyruar që të jetojnë e funksionojnë. Morali buron nga interesat. Interesat e katundarëve janë të përjetshme dhe të njëllojta, sepse janë të lidhura me ciklin e prodhimit dhe me nevojën e pashmangshme për të garantuar mbijetesën. Izolimi relativ i shtyn katundarët që të mbështeten në traditën, në zakonin, në sjelljen e sprovuar, që është e moralshme në bashkësinë ku ata jetojnë dhe, mbi të gjitha, në lidhjet familjare e në njohjet personale. Autoriteti më i lartë është pater familias. Shteti, ligji, paria, kultura politike, sistemet e ndryshme të shpërndarjes së pasurisë e të organizimit politik, bile edhe vetë qyteti, nëse nuk është një katund i madh (shtëpi me bahçe ku prodhohet gjithçka që ka nevojë familja) janë elemente të papranueshme për katundarin, sepse janë të papajtueshme me vlerat e me mendësinë e tij. Nderimi dhe dinjiteti kërkohen në bashkësi e jo nga shteti. Po ashtu, nuk ka rëndësi se nga vijnë të ardhurat, apo paratë, ajo që ka rëndësi është se sa ruhet fytyra në katund. Shteti është shfrytëzuesi i përjetshëm, dhe të gjithë katundarët;të cilët,me mendësinë praktike, e shohin shtetin si armikun kryesor të interesave të tyre. Niveli i solidaritetit midis katundarëve është shumë i ndjeshëm. Kjo ndodh, jo aq për shkak të vetëdijes klasore, por se të gjithë e perceptojnë sjelljen morale dhe amorale në mënyrë thuajse identike. Mendësia katundare është kaq shumë influente në kulturën tonë, që është e mbushur me shprehje të tipit “larg vatrës sime,” “qeveria e kap lepurin me qerre”, “gjithkush për veten e vet,” apo “furra e ha nga një.”

Armiku dhe miku përcaktohen në bazë të kësaj mendësie. Forca është kriteri kryesor, dhe forcat janë numrat e klanit. Statusi, nderi dhe dinjiteti fitohen e humben në katund. Thashethemet janë gazeta. Babai është filozofi. Gjykata është pleqnia, e drejta dhe kanuni. Pronësia është e shenjtë. Kultura është ajo e trashëguara, jo e shkruara apo e kultivuara. Dija fitohet rreth oxhakut. Mendësia e grupit mbrrihet përmes diskutimeve pa fund netëve të gjata të dimrit e të ditëve të shiut. Bota e katundarit është bashkësia e tij, sepse aty është mbijetesa. Taksat janë shfrytëzim, sepse katundari mendon se atë që e ka prodhuar vetë duhet ta konsumojë po vetë. Sistemi ekonomik i përkthyer në prodhim dhe kërkesë, është cikli i prodhimit vjetor dhe nevojat e bërthamës familjare.

Mirëpo në një pikë katundarët janë forca më pozitive e një shoqërie. Kuptimi i kombit, si farë, është thelbësisht i ndryshëm midis katundarëve dhe parisë. Duke qenë se katundarët kërkojnë dinjitet e nder e respekt, duke qenë se ata nuk mund të jetojnë jashtë një bashkësie të caktuar, duke qenë se besojnë kaq fort në lidhjen e gjakut, qoftë edhe fiktive, katundarët janë forca e vërtetë e ndryshimit dhe e ripërtëritjes së një shoqërie. Prandaj katundarët janë nacionalistët e vërtetë, sepse për ata, gjaku dhe lidhja e gjakut janë më të rëndësishmet që munden me qenë, dhe kombi transformohet në bashkësinë, në të cilën ata përfshihen natyrshëm. Nëse ka një grup intelektualësh që punon me ndershmëri për këtë arritjen e këtij objektivi politik, atëherë katundarët do të jenë forca e papërballueshme që do ta transformojë shoqërinë në rrugë pozitive. Kjo anë e mendësisë katundare ku nderi, dinjiteti, dhe respekti merren vetëm përmes bashkësisë mban shoqëri të tëra bashkë dhe parinë e tyre nën kontroll të ideologjisë sunduese. Nuk ka nevojë që të shkohet më larg se sa tek gjermanët apo edhe bullgarët.

Por që të kthehem në pikën e diskutimit të elementëve negative të mendësisë, d.m.th., në anën materiale të saj, bota e vërtetë e katundarit është katundi. Prandaj, armiku i tij nuk është shteti që është larg apo paria. Prej katundit, këto janë të paluftueshme. Armiku është katundari tjetër që nuk pajtohet me të për interesa materiale. Me qenë katundar është një mënyre jetese, është edhe një mendësi e dikujt që nuk ikën dot prej botës së vet të vogël. Katundarët janë shumë racionalë, edhe pse njerëzve iu duket se nuk janë. Ata gjithmonë mendojnë, më së pari, për pronën e për veten e tyre. E kur të vihet kjo parësi në qendër të analizës, shihet se shteti e paria, që i kërkojnë e që i marrin produktet e punës së tyre, janë armiq për vdekje. Mirëpo, për shkak se katundari është i lidhur me tokën e me bagëtinë, praktikisht ai është i ngujuar në pronën e vet, ai është peng i pronës së vet. Atij i duhet me dhënë e me marrë me shtetin e me parinë nga pozita të nënshtruara.

Prandaj, edhe kur shteti sillet në mënyrën më të ndyrë të mundshme, katundari nuk merret me shtetin, por ai merret me katundarin tjeter. Kështu, kur ndodhi tufëzimi, katundarët nuk u turrën me mbrojtë njëri-tjetrin, por, literalisht, me dëmtuar njëri-tjetrin. Kur ndodhi grabitja e madhe e tokave dhe e pronave, katundarët tanë nuk u turrën me mbrojtë shtetin e pronën e të gjithëve, por secili prej tyre e lypi atë ngastrën e vet pesë dynymshe dhe, në midis të asaj ngastre, ai ndërtoi kështjellën e familjes. Kjo ngrehinë ishte një shtëpi me shtatë flamure, me model zviceran apo gjerman, me rrugën deri tek dera si dhe me banjon e shtruar me mermer. Mirëpo, mendësia katundare shihet qartë kur vërehet se rruga publike përgjatë këtyre pallateve në midis të tokës së bukës është e mbushur me male plehrash e me gjithfarë rreziqesh për jetën për vetë katundarët. Por katundarët nuk shohin më larg se sa prona e vet. Për ta nuk ekziston hapësira publike.

Lidhja me pronën vetjake, nyja e kërthizës së mendësisë katundare, është edhe pika kyçe në të cilën duhet të përqëndrohemi, për të kuptuar më mirë natyrën e këtij problemi. Katundari, që mendon veç për pronën e vet, e pranon si të natyrshme sjelljen e parisë së Tiranës, që veç vjedh e grabit. Të gjithë mendojnë se kjo sjellje është në rregull. Pavarësisht se argumentet që paraqiten nga paria janë të mbështetura në justifikime e koncepte ideologjike si, bie fjala, “tregu i lire”, “krijimi i borgjezisë”, “vendosja e kapitalizmit” etj., në thelb të gjithë palët bien dakord se parimi “bjeri i forti të ligut”, një parim aq katundar sa s’bëhet më, është sjellje normale. Forcimi e shtimi i pronës është në zemër të mendësisë katundare. Pasanikët nuk munden me qenë gabim. Ndryshe si do të viheshin paratë që kanë? Edhe kur duhet me dënuar dikënd, ai dënohet kur nuk respekton normat e vendosura në katund, d.m.th., kur kapet me presh në duar. Po u kape, mbarove, e humbe dinjitetin. Dhe dinjiteti është gjithçka, bile për katundarin është shumë më i rëndësishëm se vetë prona. Prona e dinjiteti janë dy gjëra për të cilat katundari nuk të fal. Para së gjithash, dinjiteti është i lidhur me poshtërimin në të shkuarën, thjesht sepse askush nuk e di se çka e pret në të ardhmen, anipse gjithkush mendon për të ardhmen.

Prandaj, partitë tona politike dhe e gjithë paria e Tiranës, munden t’i mobilizojnë lehtësisht katundarët, duke i mbajtur peng për të shkuarën e tyre. Lehtësia e mobilizimit katundar ndodh sepse të gjithë palëve, politikanët tanë, ua kujtojnë kohën kur kanë qenë ose sundues apo shtresë e mirë e në gjendje, ose të përndjekur nga sunduesit e rradhës. Ky është kali ideologjik që duan të kalërojnë që të dy segmentet e parisë, çka vihet qartë në dukje sa herë që kanë përplasje e zgjedhje. Së bashku me lejimin e vjedhjes e të korrupsionit, gërricja e plagës së poshtërimit dhe ngacmimi në dinjitetin e njerëzve është çelësi i suksesit të parisë. Prandaj edhe mekanizmi kryesor për të përhapur opinionet që i interesojnë parisë janë thashethemet. Njerëzit besojnë atë që iu thuhet.

Mendësia katundare, është parakapitaliste dhe në strukturën e shoqërisë shqiptare ishte mbisunduese dhe e gjithkundgjindshme edhe në sistemin enverist, edhe më parë, në të gjitha sistemet e tjera. Në të gjithë kohët, paria kishte në mendësinë e saj, si objektiv parësor, ndërtimin e strukturave institucionale që janë armiqësore ndaj katundit. Edhe kur paria ishte e angazhuar në ndërtimin e shtetit, të socializmit apo edhe ndërtimin e kapitalizmit, ajo kurrë nuk arriti të bënte atë që duhej, sepse edhe vetë ishte e rritur me mendësinë katundare dhe funksiononte në bazë të vlerave të mendësisë katundare. Shumë vetë brenda strukturave të parisë vinin nga katunde që kishin qenë të lidhur në kërthizë me shtetin osman. Këto katunde kishin një strukturë ushtarake e kuptim të politikës në nivelin e shtetit, siç ishin, bie fjala, katundet e jeniçerëve, të transformuar në bektashinj, në Toskëri. Prapë se prapë mendësia katundare ishte sunduese, si në sjelljen personale, ashtu edhe në organizimin familjar, të klanit dhe të fshatit edhe në Toskëri edhe në Gegni.

Frika e dyfishtë e humbjes së pronës e të dinjitetit i mban katundarët të lidhur me parinë. Për sa kohë që paria i lë vjedhin e grabisin, me ndërtuar pa leje, mos me paguar taksat, mos me krye detyrimet qytetare e shtetërore; sa kohë që i lë me i zgjidhë të gjithë hallet e problemet e tyre në mënyrë private e në nivelin e katundit, punët janë mirë. Katundarët nuk ia lënë fajin parisë. Faji i piramidave ishte faji i atyre që vunë paret “dhe e hëngrën” se “vetë e patën fajin”. Ata që përfituan prej interesave, “ishin të zotët, bravo iu qoftë”, apo “hallall ta baftë Zoti, mor lal”. Sa për qeveritarët, “fajin e patën vetë” ata njerëzit që vuajnë nën sundimin e tyre. Katundarët gjithmonë e gjejnë një mënyrë me u armiqësuar me njëri-tjetrin, por kurrë nuk armiqësohen me ata që sundojnë e që nuk lënë gjë pa bërë në kurriz të tyre. Njeriu e di se po sillet si katundar bash atëherë kur e di se paria po ta punon të zezën, e prapë nuk b’zan, por e mbështet. Gjithkush e di se po sillet si katundar kur dikush nga paria flet për integrimin evropian, për rritjen më të lartë ekonomike në botë, për popullin e lumtur, i fut njerëzit në grevë urie, shan “çeçenët” e “malokët”, kalon ligjin për homoseksualët, flet si Enver Hoxha, e bën të bardhën të zezë, dhe individit si qytetar nuk i bën fare përshtypje. Edhe kur e di se po mashtrohesh haptazi, e prapë se prapë shkon në miting apo futesh në grevë urie për të mbështetur interesin e pjestarit të parisë, individi shërben si shprehja më e mirë e mendësisë katundare.

Ilustrimi ma i qartë i sundimit të mendësisë katundare është dukja e gatishmërisë për dhënien e jetës për parinë. Edhe kur dihet e kur shihet qartë se kjo pari mendon veç për veten e vet, se ajo e përbuz popullin e katundarët e vet, prapë se prapë, me qindra-mijëra njerëz dalin me flamuj të kuq apo blu, në mitingun e rradhës. Përshtypja është se të gjithë janë militantë. Por, kur i analizon fotografitë e mitingjeve, të dalin rreth pesë milionë pjesëmarrës. Kjo do të thotë se, tamam simbas mendësisë katundare, shumë njerëz shkojnë në të gjitha mitingjet që bëhen, me flamurë, e me karta anëtarësimi në xhepa, duke zgjedhur të keqen më të vogël e duke mos e prishur me kënd. Gjithkush po mendon për veten e vet.

Dy shembuj që ilustrojnë paradoksin e lidhjes së parisë me popullin

Këtu ia vlen që të jepen dy shembuj nga sjellja e shoqërisë shqiptare, për të ilustruar sundimin e mendësisë katundare. Së pari, ka një arsye pse lezhjanët dalin në protestë disa herë kundër nje sjelljeje, të papranueshme për ata, të një banori të qytetit të tyre. Punët kanë shkuar keq, deri në atë pikë sa qytetarët e kërcënojnë me jetë familjen e këtij individi. Bindja, se dalja e një banori të Lezhës me orientime të ndryshme seksuale, është fyerje për të gjithëëLezhën, është pak problematike. Zgjedhja personale e atij njeriu nuk ka pse t’i fyejë lezhjanët. Gjithkush i bën zgjedhjet e veta. Paradoksi fillon kur, në të njëjtën kohë, po këta lezhjanë mbështesin fuqimisht kryetarin e një partie si Sali Berisha, që kërkon në parlament legalizimin e martesave të individëve të tillë. Ajo që është edhe më e çuditshme, asnjë nga këta protestues lezhjanë nuk e mori mundimin që të bënte një protestë në Lezhë, apo në Tiranë, për të mbrojtur nderin e shtetit e të kombit shqiptar nga ligji për lirinë e homoseksualëve.

Një shembull tjetër është dalja e qindra mijëra njerëzve në bulevard në mbështetje të politikës së kryetarit të një partie, qoftë ky Edi Rama apo Sali Berisha. Dalja e këtyre njerëzve në miting, në emër të një numri kërkesash, që në thelb janë tërësisht irracionale nga këndvështrimi i qytetarit e i katundarit normal, por që janë krejtësisht të kuptueshme kur mbahet parasysh interesi i ngushtë i kryekatundarit të rradhës, është paradoksale.

Pse është paradoksale? Para zgjedhjeve, këta dy udhëheqës të parisë së Tiranës dhe të deleguarit e tyre, Kastriot Islami e Ilir Rusmajli, ranë dakord që të ndërtonin një sistem zgjedhor, që do të eleminonte partitë e vogla politike. Këta kishin rënë dakord të bënin një qeveri teknike me mirëkuptim dhe, kështu, duke e konsoliduar një herë e mirë sistemin oligarkik, ata do të përqëndronin pushtetin në duart e tyre. Mirëpo, disa i kishin bërë llogaritë gabim. Sapo iu dha mundësia, Sali Berisha i iku pazarit dhe u soll sipas vlerave e mendësisë që e karakterizojnë atë vetë por edhe të gjithë parinë.

Tash, vala e protestave do të vazhdojë me intensitet nga të dy palët. Sharjet e ofendimet, që kanë botuar e që botojnë në mediat nën kontrollin e tyre respektiv, nuk kanë njohur e nuk do të njohin kufinj. Në këtë përplasjen e rradhës, interesat e tyre janë jetike. Njëri do të rrijë në pushtet e tjetri do të marrë pushtetin. Të dy nuk rrinë dot në një karrike. Atëherë, ai që nuk e zë karriken, duhet t’ia bëjë jetën tjetrit sa më të vështirë që të jetë e mundur. Sjellje tipike e mendësisë katundare. Prandaj edhe politikanët i drejtohen rrugës. Aftësia e tyre, për të mbledhur në bulevard me qindra mijëra njerëz, i mahnit vëzhguesit e huaj. Këta nuk dinë se si ta shpjegojnë këtë paradoks shqiptar. Por, natyrisht, kjo lloj sjelljeje bëhet lehtësisht e kuptueshme, kur mbahet parasysh mendësia katundare. Katundarët po luftojnë për interesat e parisë.

Megjithatë, kur e krahason me problematikën shqiptare, nuk ka se si të mos të të bëjë përshtypje një sjellje e tillë. Të bën përshtypje mungesa e përplotë e kurajos qytetare për të protestuar për mungesën e kushteve elementare të jetesës shoqërore. Të bën përshtypje, kur ndeshesh me rastet e abuzimit flagrant të katundarizmit me shtetin dhe me institucionet në teë gjithë nivelet. Të bën përshtypje, mungesa e kurajos qytetare për të kundërshtuar korrupsionin, banditizmin, mashtrimin, zvetënimin e parisë e me rradhë. Prapë, çelësi i shpjegimit është mendësia katundare. Shteti dhe kombi janë në një gjendje të mjerueshme. Mirëpo, në të njëjtën kohë, askush nuk e can kokën se në shtetin shqiptar vidhet me të dy duart, se bëhen ndërtime pa leje, se uji i pijshëm vjen me tepricat e gjirizit e të tjera dukuri, që të bëjnë shumë përshtypje. Të gjithë mendojnë vetëm për veten e tyre.

Pse paria e Tiranës është fajtore për gjendjen?

Për shkak të trysnisë së politikës, të acaruar deri në ekstrem, për shkak të luftës midis klaneve dhe palëve të parisë, si dhe të nevojave të organizimit brenda klaneve, vetë paria enveriste u dorëzua dhe gradualisht adaptoi mendësinë klanore katundare. Kjo u vërejt menjëherë gjatë e mbas vendosjes së sistemit parti-shtet në vitin 1944 dhe shpërtheu me përplasjen e klaneve Hoxha dhe Shehu në vitet 1970. Pra, përplasja klanore u acarua në pika kritike, por mendësia katundare ishte e pranishme dhe sistematikisht e evidentueshme në sjelljen e parisë sunduese gjatë gjithë kohës së sundimit të sistemit enverist. Gjatë gjithë kësaj kohe, aleancat, që mund të kishin nisur nga mendësi e përvoja komunitare, përfunduan duke u bërë klanore. Të gjithë lidhjet e palëve të parisë u çimentuan dhe u kultivuan në bazë të kësaj mendësie. Edhe goditjet u dhanë në bazë të kësaj mendësie ,duke e sulmuar klanin respektiv me rrënjë e me degë. Klanet e ndryshme, që dolën si humbës nga përplasjet, e ruajtën mendësinë e klanit. Klanet që fituan i shtërnguan rradhët edhe më shumë. Shteti shqiptar ishte i modeluar sipas modelit sovjetik, por mendësia e shtetarëve ishte tipike e katundarëve jeniçerë osmanë. Mirëpo, si paria, ashtu edhe inteligjencia ishin të detyruar që të silleshin simbas një sistemi vlerash morale, që ishte krejtësisht i papajtueshëm me mendësinë katundare. Të gjithë ishin të shkolluar dhe kishin aq mend sa të bënin zgjidhjen që duhej. Por zgjidhja që ata bënë ishte që të punonin për veten e tyre dhe kundër popullit të vet.

Gjendja nuk ishte e lehtë por ata duhej të udhëhiqnin, sepse vetë e morën përsipër atë detyrë. Fundi i atij sistemi hibrid enveristo-katundar, na gjeti pa një shoqëri me mendësi të kultivuar qytetare dhe me vlera demokratike, por me katundarë që jetonin me bukë misri me ujë e sheqer, si dhe me masat e gjera të shtresave urbane të proletarizuara, apo me katundarë të transplantuar në qytete. Të gjithë mendonin si katundarë, ose silleshin hapur si katundarë. Megjithatë, në kapërcyell të ndrrimit të sistemeve, paria dhe “intelektualët e shquar” e kishin një kapital të madh politik, që mund ta përdornin për të futur proceset në rrugën e duhur. Zgjidhja që ata duhej të bënin duhej të ishte që të përdornin ndjenjat kombëtare, dëshirën për të jetuar me nder e me dinjitet të katundarit shqiptar, për të ndërtuar një shtet-komb modern.

Në shtetin shqiptar nuk pati revolucion të mirëfilltë. Paria kërkonte ndryshimin, intelektualët ishin krejtësisht të paralizuar dhe në shërbim të parisë. Forca më progresive e shoqërisë ishin studentët. Mirëpo, kur vjen puna tek revolucionet, nuk ka rëndësi se kush është faktori qendror në ngjarjen kryesore. Faktori më me rëndësi është se sa janë të aftë intelektualët që të mobilizojnë shtresat e ndryshme dhe, në veçanti, katundarët. Faktori kryesor në çdo revolucion është katundaria dhe fshatarësia. Aleanca arriviste midis parisë, shtresave urbane të proletarizuara, por me mendësi të theksuar katundare, intelektualëve dhe katundarëve tanë në vitin 1991 ishte aleanca më e rrezikshme dhe vdekjeprurëse që mund të bëhej për demokracinë. Emëruesi i përbashkët ishte interesi personal dhe i ngushtë, tipik për mendësinë katundare. Shumica kishin një dyshim të thellë ndaj shtetit. Shumica kishin një ide të shtrembër për kapitalizmin e për të ardhmen. Shumica e shihnin sistemin demokratik si një një sistem që duhej manipuluar. Ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që këta të dilnin nga mendësia katundare, që e shihte gjithçka të lidhur me klanin, me familjen, dhe interesat e ngushta të tyre. Por po të ruhej shteti, edhe katundarët do të përmbaheshin dhe nuk do të kishin shkuar gjërat në atë pikë.

Tranzicioni filloi me shembjen e shtetit. Kolapsi ekonomik i qëllimtë dhe i inkurajuar prej vetë parisë, i acaroi këto marrëdhënie dhe nxori në plan të parë rëndësinë e klanit dhe të lidhjeve politike për parinë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, tranzicioni krijoi mundësi të jashtëzakonshme për katundarët. Duke mos e pranuar sistemin e vendosur si legjitim, katundarët tanë përdorën të gjithë hapësirat e mundshme për të ndjekur objektivat e tyre të mbijetesës. Shembja e shtetit dhe heqja dorë nga ana e parisë e të qeverisurit të vendit, çuan në grabitje në masë të pronës dhe të pasurisë private dhe të përbashkët. Mirëpo ky nuk ishte atomizim, thërmim i shoqërisë. Katundarët nuk grabitën tokat e njeri-tjetrit në katundin e vet. Atje tokat u ndanë sipas normave katundare dhe gjithkush mori tokën e vet. Ajo që ndodhi ishte një zhvendosje masive, në bazë katundi dhe klani në zonat e në hapësirat e mundshme. Në këtë mënyrë, katundi nuk ishte më një strukturë e izoluar që kontrollohej nga shteti. Nën zhguallin e një urbanizimi fiktiv, katundi u bë njësia bazë e shtetit. Shteti u bë një katund gjigand. Katundi më i madh në botë, me disa shtresa e mbishtresa katundarësh është Tirana.

Parësia e politikës mbi ekonominë përcaktoi edhe natyrën e konfliktit midis palëve të parisë. Zgjidhja që ata bënë për të ndërtuar një system, ku që është gjithkund endemik, anipse i përmbajtur deri në një nivel ose në një tjetër, e detyroi parinë sunduese që të hiqte dorë nga projekti i vet i transformimit të shoqërisë në një shoqëri kapitaliste. Për të ruajtur interesat e veta dhe vendin e vet, si forcë përcaktuese e rrjedhave dhe e proceseve, paria u detyrua që t’i përshtatej mendësisë së shtresave të gjera shoqërore që, deri atëherë, ishin të mbajtura në shtërngesë nga shteti. Këto shtresa, që deri në atë pikë silleshin në forma të jashtëligjshme, por të toleruara nga sistemi dhe nga vetë paria, shpërthyen me fuqi në skenën politike. Në vend që të gjenin vullnetin politik e t’i kontrollonin këto shtresa, të gjithë palët e parisë, zgjodhën rrugën më të lehtë. Paria sunduese, si shtresë, filloi të adaptonte mendësinë kriminale dhe, pa mëdyshje, u kriminalizua. Në vend që të silleshin si burra shteti, prijatarët e parisë filluan të silleshin si rrugaçë. Lufta midis klaneve u ashpërsua deri në atë pikë sa fuqia e klaneve matej me fuqinë e mitingjeve dhe të rrugës. Kapja e shtetit u bë objektivi kryesor politik. Synimi ishte që shteti duhej të vihej në shërbim të një klani të caktuar. Niveli i materializmit, mungesa e vlerave njerëzore e ideologjike, zhveshja nga ndjenja e shërbimit publik, turrja mbas interesit të ngushtë, kriminalizimi i shoqërisë e të gjitha patologjitë e tjera janë në nivele ekstreme. Katundarët kanë dalë në krye të shtetit dhe shteti është kthyer në një katund gjigand. Si rezultat i sundimit të kësaj mendësie, shoqëria shqiptare është thellësisht e kriminalizuar, pa besim në parinë apo në institucionet shtetërore, dhe pa shpresë përmirësimi nga brenda shtetit. Tash kemi një sistem oligarkik, të maskuar me një veshje demokratike, ku si populli ashtu edhe paria sundohen nga mendësia katundare, ku mendohet për mbijetesën e ditës, për përfitimin individual, për interesat e klanit të ngushtë, dhe ku shteti është kapur e kapet nga klane të caktuara që e shfrytëzojnë për nevojat e tyre të ditës.

Mendësia katundare është sunduese në të gjithë shtresat. Për parinë, problemi themelor i kësaj mendësie është se katundarët nuk kërkojnë vendosjen e kapitalizmit. Katundarët janë forca kryesore kundër vendosjes së sistemit kapitalist. Katundarët nuk kërkojnë vendosjen e demokracisë; ata kërkojnë mbrojtjen e interesave të tyre përmes kultivimit të strukturave familjare, por edhe të marrëdhënieve shoqërore-ekonomike tipike për katundet, si pazaret, shitblerja, tregtimi i favoreve, kultivimi i traditës. E vetmja mënyrë që i bën katundarët ta pranojnë shtetin dhe demokracinë është përmes figurave influente, që duhet të jenë të pranuara nga bashkësia si pjesë e saj, d.m.th. kleriku, mjeku popullor, plaku i urtë, mësuesi e me rradhë. Tashmë të gjithë këta janë të sofistikuar, me shkollë të lartë dhe me një pozitë me peshë në sistem. Këta mbedhin votat dhe kontrollojnë makinën oligarkike në sistemin lokal. Shumë prej tyre nuk janë më thjesht hallka të sistemit, ata janë në kontroll të sistemit.

Përvojat e frikshme të shqiptarëve në mërgim, në fund të shoqërive modern, si në Gjermani e Itali, e të një shoqërie ende të pashkëputur nga mendësia e vet katundare, si në Greqi, e lehtësuan shumë këtë proces të dyanshëm të forcimit të mendësisë katundare në nivel të shoqërisë dhe të parisë. Përvojat e hidhura të shqiptarëve në mërgim kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme dhe kanë qënë një katalist shumë i fuqishëm për kthimin e mendësisë katundare dhe të klanit si strukturë bazë e shoqërisë. Trajtimi shumë negativ që patën në vendet e huaja e forcoi edhe më shumë mosbesimin e tyre ndaj shtetit dhe ndaj strukturave politike, si dhe ndaj demokracisë. Mbështetja në strukturat e familjes dhe të klanit u bënë nevojë jetike. Mbijetesa u garantua edhe përmes krimit dhe familja ishte bërthama e veprimtarisë. Prandaj, edhe kriminalizimi i parisë u mundësua nga mërgimtarët, si dhe nga përvojat e tyre të hidhura.

Lufta e analistëve dhe e komentatorëve, që shkruajnë pa lidhje e pa një kuptim të qartë të gjendjes, ka qenë, të shpallte popullin shqiptar fajtor, ose me ia lanë fajin sistemit të kaluar, Turqisë, imperializmit, kapitalizmit, grekëve, serbëve, etj. E megjithatë, fajtore kryesore mbetet paria. Paria është ajo që duhet të ketë vizionin e duhur për ndërtimin e marrëdhënieve shoqërore. Paria është ajo shtresë që ofron zgjidhjen e problemeve, sepse paria e ka dijen e përgatitjen e nevojshme të zgjidhë problemet. Një pari bëhet elitë sepse identifikohet, para së gjithash, me shtetin dhe, me punën e me përkushtimin e vet, e vë një popull në rrugë të mbarë. Arsyeja pse paria është në gjendje që të bëjë atë që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës, përveç Afganistanit, Somalisë, Haitit e Kongos, është manipulimi i mendësisë katundare dhe mbajtja e popullit në një gjendje jermi ideologjik. E njëjta gjë nuk mund të ndodhë kurrë në Gjermani apo në Suedi.

Pra, për shkak të sundimit të përplotë të parisë që shfrytëzon mendësinë katundare, e të vlerave që burojnë prej saj, jemi në krizë. Njëri ndër elementët më të spikatur të krizës politike shqiptare ka qenë mungesa e nje ideologjie të mirëfilltë, të paraqitur sistematikisht e në mënyrë kohezive. Një ideologji e tillë do të lejonte një masë militantësh të një partie politike që të gjykonin proceset dhe ngjarjet e shkuara politike. Një ideologji e tillë do të lejonte njerëzit që të gjykonin sjelljen e politikanëve e të ofronin gjykime koherente e konsistente, në vlerat e asaj ideologjie për gjendjen në të tashmen. Mbi të gjitha, një ideologji e tillë do të ofronte një vizion të qartë se ku do të mbrrihet në të ardhmen.

Prandaj, në shtetin shqiptar, nuk gjen mbështetje të gjerë një ideologji e mirëfilltë socialiste, liberale apo nacionaliste, që do të ofronte një projekt për përmirësimin e gjendjes, edhe pse kjo është zgjidhja e vetme e daljes nga kjo gjendje e thellë krize ku janë shqiptarët. Në vend të një ideologjie të tillë, si bie fjala, socializmi, liberalizmi, apo nacionalizmi, paria e të gjitha ngjyrave dhe e të gjitha partive, ofron një përzierje paradoksale (e që politikisht nuk ka fare kuptim) parullash e slloganesh. Shpeshere, këto sllogane janë krejtësisht kontraditore. Ato përjashtojnë njëra-tjetrën. Mbi të gjitha, që të gjitha janë të pambrritshme e të parealizueshme në nivele praktike. Si pasojë e kësaj mungese sistemesh të qarta vlerash e ideologjie kohezive, sjellja e parisë duket krejt e çoroditur dhe pa kurrfarë racionaliteti. Mirëpo, paria nuk merret aq shumë me të huajt aq sa merret me katundarët militantë të partisë respektive.

Prandaj, politika në shtetin shqiptar është një politikë e paradokseve, sepse struktura e mobilizimit të masave të gjera të popullit nga paria e Tiranës është ekskluzivisht e mbështetur në strukturën e katundit. Kauzat që ndiqen janë nga më të paimagjinueshmet, ose thjesht problem që ngrihen, sepse zgjidhja e tyre është në shërbim total të liderëve partiakë. Parullat që hidhen janë krejt pa kuptim e pa kurrfarë baze në realitet. Nga ana tjetër, rërrtërrtërret e shtypit të Tiranës janë hamullitje të pakuptimta. Pastruesit e plehrave në Përëndim shiten si komentatorë të ditur. Komentatorët e njohur të Tiranës, që s’ja kanë idenë sistemeve të tjera, duan të flasin anglisht e të duken kompetentë, kur shkrimet e tyre janë krejt pa bosht e qesharake. Përpjekja për të shpjeguar këtë mori fenomenesh që e bëjnë politikën e Tiranës unike në natyrën e mendësisë së saj katundareske, nuk do të ishte e plotë pa lidhjen e qartë të parisë së Tiranës me popullin. Nyja që i bashkon është mendësia katundare.

Përfundim

Në përfundim duhet theksuar se ajo që e bën këtë gjendje të mundshme është kultivimi i pandërprerë i mendësisë katundare nga ana e parisë së Tiranës dhe përdorimi i paskrupullt i kësaj mendësie. Procesin e kultivimit të mendësisë katundare e ka lehtësuar konvergimi i tre faktorëve të shtjelluar në këtë shkrim. Së pari, përbërja katundare e parisë së Tiranës. Së dyti, është niveli i lartë i katundarizimit të shoqërisë shqiptare. Së treti, kthimi në mendësinë e origjinave katundare i shtresave të banuesve në qytete, që tashmë në masë të madhe janë nga shtresat urbane të proletarizuara gjatë sistemit të mëparshëm. Si pasojë, në një farë mënyre, e gjithë shoqëria shqiptare ka rënë pre e mendësisë katundare. Dallimi është se paria vepron në këtë drejtim në mënyrë të vetëdijshme. Arsyeja është se kjo mendësi i shërben asaj për arritjen e objektivave të shumëfishta dhe afatgjata, që paria i ka caktuar vetes. Për një masë të madhe të fshatarëve e të katundarëve bashkëkohorë, kjo lloj sjelljeje është normale. Për ata, kjo sjellje është e vetmja që i lejon të funksionojnë dhe që e bën realitetin të lexueshëm e të kuptueshëm. Nga ana e tyre, edhe qytetarët e disa brezave janë dorëzuar dhe duket se tashmë mendojnë vetëm e vetëm se si të mbijetojnë në këtë botë dhe kanë adaptuar sjelljen dhe mendësinë katundare. Në këtë mënyrë, katundarizimi i politikës është bërë i përplotë. Gjithkujt që e sheh nga jashtë sjelljen e çmeritur të politikës e të parisë, gjendja në shtetin shqiptar i duket pa pikë kuptimi. Pa e kuptuar qartë, e pa e konfrontuar mirë, e si duhet këtë sëmundje të politikës bashkëkohore shqiptare, nuk mund të ketë as diagnostifikim, por as edhe zgjidhje ashtu si duhet të problemeve. Natyrisht, kjo është edhe arsyeja pse teoria e Ibn Khaldunit nuk është e aplikueshme dhe as e verifikueshme në rastin shqiptar.

ZGJEDHJET DHE NDËRKOMBËTARËT: TRE ZGJIDHJET DHE LOJA ME KARRIKE E PARISE

Vëmendja e jashtëzakonshme që po iu kushtohet këtyre zgjedhjeve nga të huajt është shumë shqetësuese për ata që e duan demokracinë, të drejtën dhe vullnetin e popullit. Të huajt janë tejet të shqetësuar dhe kjo duket nga niveli i personaliteteve që po merren me zgjedhjet. Ardhja e një personaliteti me peshë nga SHBA, si Guvernatori Dean, i cili ka qene edhe kandidat per president e kryetar i Partisë Demokratike në SHBA tre muaj e ca para zgjedhjeve nuk është fare shenjë e mirë. Dhe hutimi i tij mbas takimeve me prijatarët e parisë që e shohin veten fitimtarë është një shenjë shumë e keqe. Po ashtu deklaratat e personaliteteve europiane, që nga e përherëshmja Doris Pack tek Komisioneri Stefan Fyle dhe raportuesi Kukan janë shenja të qarta se jo vetëm SHBA por edhe europianët nuk janë fort të sigurtë me lojën dhe me lojtarët në Tiranë.

E përbashkëta është se të gjithë këta ndërmjetës të huaj po e shohin me shumë pasiguri sjelljen e prijatarëve të parisë së Tiranës. Njëri thotë se të gjithë i kanë thënë se do të fitojnë. Tjetri vjen dhe nuk pranon as të takojë njeri por takon pjestarë të shoqërisë civile dhe të biznesit dhe shkon direkt në Rinas. Në një shtet normal për këtë punë duhej të kishte rënë qeveria. Tjetri nuk vjen fare dhe deklaron që politikanët e Tiranës duhet të merren vesh sepse kanë të përbashkët kauzën e integrimit europian, kur dihet që askush nuk beson më në kauzën e integrimit europian dhe parisë nuk i intereson fare.

Mirëpo, problem është se zgjedhjet në Tiranë janë si ajo loja me karrike. Kur të pushojë muzika, njëri nga lojtarët nuk do të ketë vend që të ulet dhe prandaj duhet që të dalë nga loja. Në rastin tonë,  interesat jetike të lojtarëve më kryesorë politikë janë të tilla që asnjëri nuk mundet të humbë sepse ashtu del nga loja dhe humbja është fillimi i kalvarit të pasigurisë që në xhunglën shqiptare përkthehet në shumë mënyra. Në një vend ku gjithcka është paraja, mund të përfundosh si Fatos Nano, dhe të fillosh të paguash edhe për djathë të fërguar. Edhe pse midis fatit të Nanos, Charles Taylor dhe të Gadafit, këta pjestarë të parisë do të zgjidhnin atë të Nanos, e vërteta është se asnjëri nuk është i sigurtë se nuk do të përfundojë në burg si Sanader apo edhe më keq. Në shtetin shqiptar, cka sjell ora, nuk e sjell moti, dhe këta që kanë bere të 99-tat gjatë motit i druhen asaj orës kur mund të japin llogari.

Mirëpo, në këtë pikë, loja është në duart e të huajve. Ka tre mënyra për të huajt që të zgjidhin nyjen e ngatërruar të zgjedhjeve. Njëra është që të vënë veton si bënë me Fatos Nanon në vitin 2005 e ta nisin atë që nuk gjen karrike në mërgim të praruar. Tjetra është që të mbyllin sytë e të pranojnë vjedhjen e orkestruar të zgjedhjeve e të votave nga dy palët e parisë dhe të shpresojnë se sherri nuk do të derdhet në rrugë dhe që bandat nuk do të lajnë hesapet me kë t’iu dalë përpara. Më së fundi, zgjidhja është që t’i bëjnë të gjithë bashkë në një qeveri, dmth, t’iu japin nga një karrike të gjithëve dhe ta mbyllin lojën në paqe për katër vjet të tjera. Mirëpo në Tiranë ka aq shumë mtues e fitues të deklaruar, sa qeveria duhet bërë me 200 ministra. Edhe më keq, shteti nuk ka më para.  Shkurt, të tre këto rrugë janë ose të pamundshme, ose të padëshërueshme ose tërësisht diskredituese. Interesat e parisë nuk janë të përputhëshme dhe të pajtueshme. Sherri është i pashmangshëm.

Së pari, nuk do të ketë largim të Sali Berishës. Ku do të mbytet Sali Berisha? Sali Berisha nuk ka ku shkon. Saliu ka ende frikën e asaj kohe kur iu kundërvue botës dhe të gjithë e lanë në baltë e ngeli me 12 vetë në Presidencë. Aq më tepër që tani është në lojë edhe e ardhmja e familjes së tij. I biri është një lojtar i dobët dhe i kapur, me probleme familjare dhe i pazoti me përballue intrigat e komplikuara të Tiranës. E bija është shumë e zgjuar por ka probleme personaliteti dhe që nga viti 1997 ka qënë dhe është në shënjestër.  Dhëndri i tij është i pabesueshëm dhe peshë e lehtë, edhe pse beson se është i zoti, pa qënë aq i zoti.

Logjika e Saliut është që ai mbijeton vetëm me një opozitë bllokuese e shumë të fortë që ai vetë duhet të drejtojë sa të ketë frymë. Prandaj Saliu nuk do të ndalet para asgjëje për të promovuar ato 25 vetët e familjes dhe këta rrotat e makinës që herë janë lart e herë poshtë, por që gjithnjë kanë shtyrë përpara makinën e Saliut e të gjithkujt që i ka përdorur, tipat si Arben Imamin, Eduard Selamin, etj.

Po ashtu, Saliu është mjeshtër i mbajtjes së njerëzve peng.  Saliu është edhe mjeshtër i lojës me hijet në mur, një lojë që të huajt e kanë shumë frikë sepse shkon lehtë në luftë civile. Por, edhe pse e din se nuk e mban dot qeverinë kështu si janë punët, Saliu nuk ka ku shkon. Zgjidhja e vetme që ka është intensifikimi i përplasjes midis shqiptarëve. Përplasja, herët a vonë, do të cojë jo vetem në mbijetesën e Saliut por edhe në luftë civile, obstrukcionizem, e rebelim kundër shtetit. Edi Rama nuk ka ku shkon. Ai mund të rrijë në Kuvend si deputet, por po nuk fitoi si kryeminister, është jashtë loje dhe shumë i pasigurtë për të ardhmen. Ilir Meta është në krye të një partie të punësuarish. Për të shteti është jetik gjithashtu sepse të gjithë anëtarët e partisë ecin me etiketën e cmimit të varur nga mënga.

Së dyti, për ti mbajtur palët e parisë nën kontroll, të huajt duhet të pranojnë marrëveshjen e qartë midis dy palëve kryesore të parisë dhe njëherësh, edhe diskreditimin e demokracisë e të përfaqësuesve të huaj që e mbështesin atë zgjidhje. Ata duhet që të legjitimojnë, në emër të stabilitetit vjedhjen e hapur të votës dhe diskreditimin e sistemit demokratik, d.m.th., të pranojnë pazarin midis dy palëve kryesore. Kjo do të thotë që formalisht do të ketë koalicione, por partitë e reja e të vogla, që nuk kanë përfaqësues në komisionet zgjedhore janë të destinuara që të mbesin nën mëshirën e dy partive të mëdha.

Komisionerët do të mbushin kutitë, vjedhja do të jetë ashiqare, e hapur fare, dhe në fund arbitri do të jetë Ilir Meta që këtë herë do ti mbrojë votat e veta dhe do të jetë ai që do të vendosë nga shkon balanca e fuqisë. Mirëpo, nuk ka shenja se edhe po pranuan prijatarët e këtyre partive që të bëjnë pazar për nje vend në Kuvendin Popullor, do të pranojë baza e partisë. Ne jemi një vend oriental në të cilin mendësia katundare kërkon që ‘burri që është burrë’ të dalë në fushë të mejdanit e të marrë hakun e vet. Dhe haku është vota e vjedhur. Edhe kjo rrugë con më përplasje e në rrëmuje që pashmangshmërisht do të cojë në luftë civile, në përplasje e rebelim.

Së treti, të huajt  kanë mundësinë që të mbledhin të gjithë palët e parisë, të gjejnë një formulë që e ndan tortën e qeverisjes me përqindje dhe ta mbyllin sherrin. Në këtë mënyrë do të ketë stabilitet. Formulat që do të përdoren janë të lehta për t’u gjetur: të shmangim efektet e krizës (botërore, rajonale, ekonomike), të bëjmë një qevri të shpëtimit kombëtar, të mbrrijmë objektivat e integrimit, të zhvillimit, etj. Mirëpo kjo zgjidhje, që është edhe më e mundshmja është edhe më e rrezikshmja. Të nesërmen që të bëhet një qeveri e tillë, maska e parisë bie. Shqiptarët do ta kuptojnë që më në fund, ujku e shkundi kembën e lyer me miell dhe u tregua ai që ishte. Një qeveri e gjerë do të thotë që paria e Tiranës nuk e ka pasur asnjëherë seriozisht. Në të njëjtën kohë, një zgjidhje e tillë do të tregojë se të gjithë kanë qënë kundër popullit. Atëherë do të jetë vetëm cështje kohe që edhe populli të kthehet kundër tyre.

Në përfundim, duhet thënë se nuk ka gjasa që njëra palë e parisë të fitojë zgjedhjet e vetme. Saliu e ndjen dobësinë e Edi Ramës që ka aq shumë armiq të fuqishëm në partinë e tij. Edi Rama e din se Sali Berisha i mban bashkë rrotat e PD-së me karrotat e pushtetit, sepse si leku, edhe këta i shiten prurësit më të parë.  Vetëm Ilir Meta është më i sigurtë se të gjithë. Votat i ka blerë me lekë e me vende pune, dhe i garanton me vende pune. Të huajt duhet ta kuptojnë se këta individë nuk kanë asnjë skrupull por kanë vetëm interesa, qartësisht kriminale dhe mafioze. Dhe, për fat të keq, e ardhmja e shqiptarëve do të vendoset nga interesat e momentit të atyre ditëve, që gjithsesi do të jenë të informuara nga këto interesa jetike të prijatarëve. Loja do të jetë e karrikeve dhe e muzikës, por sa të ndalet muzika, të huajt duhet të shtojnë një karrike të re që asnjëri nga pjestarët e parisë të mos humbë, ose të pranojnë që njëri do të ulet në prehrin e dikujt, gjë që në Tiranë ndodh shumë herë e pa pasoja për karriken e radhës. Por mënyra se si do të zgjidhet ky problem do të tregojë shumëcka për të ardhmen e demokracisë në shtetin shqiptar.

ZGJEDHJET DHE VOTUESIT: PËRSIATJE MBI KONCEPTIN E QYTETARIT – III

Njëri ndër debatet e munguara në shtetin shqiptar është ai lidhur me qytetarinë. Kush është qytetar dhe si duhet të sillet ai? Cilat janë të drejtat dhe detyrat e tij? Cila është lidhja e qytetarit me shtetin? Cila është lidhja që ka qytetari me sistemet ekonomike, politike, shoqërore e kulturore? Cila është lidhja që ka qytetari me familjen? Më në fund, por jo e fundit? Cila është lidhja që ka qytetari me kombin? Të gjithë këto pyetje nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato janë vetëm këndvështrime të ndryshme të të njëjtit problem.

Problemi i konceptimit të qytetarit është një nga problemet më kryesore me të cilat përballen shqiptarët. E megjithatë, edhe në këto zgjedhje, ky është një nga problemet që anashkalohen e nuk trajtohen si duhet. Në ‘rrahjen’ formale publike të prijatarëve oligarkë të parisë së Tiranës mungon substanca dhe një ndër temat më kryesore duhej të ishte debati mbi qytetarinë. Por oligarkët e Tiranës e kanë mendjen tek ruajtja  e pasurisë së tyre, jo tek ruajtja dhe kultivimi i vlerave të vërteta që iu shërbejnë shqiptarëve.

NË këtë pikë është e qartë se shteti shqiptar sundohet nga një grusht familjesh kriminale e klanesh të fuqizuara ekonomikisht e politikisht që i kanë ndërtuar marrëdhëniet shoqërore në mënyrën që iu shërben atyre më së miri. Parisë së Tiranës dhe klaneve sunduese mafioze iu duhet një shoqëri e cila është e fragmentarizuar, pa vetëdije kombëtare, pa kuptimin e duhur të shtetit, dhe materialiste në ekstrem. E vetmja mënyrë që ata, një grusht klanesh, të mund të sundonin e të sundojnë shoqërinë shqiptare është që të arrijnë këto objektiva. Si edhe e kam argumentuar tjerakund, rrënjët e këtij projekti janë në mendësinë marksiste të parisë që është edukuar me bindjen e patundur se kapitalizmi dhe marrëdhëniet ekonomike janë qëndrore e thelbësore në cdo shoqëri. Për të arritur këto katër objektiva, paria oligarkike e Tiranës duhej të shkërmoqte shoqërinë shqiptare dhe ta riorganizonte ashtu si i interesonte asaj. Gjatë këtyre 23 viteve, paria e Tiranës ia ka arritur ta bëjë këtë gjë.

Si ia arriti? Fragmentarizimi i shoqërisë u arrit përmes emigrimit masiv e getoizimit të zonave urbane që u bënë katunde gjigande në apartamente e toka të zëna me dhunë. Vetëdija kombëtare u zëvendësua nga mendësia e njeriut individualist, homo economicus materialist e të zvetënuar që e bazon gjithcka në paranë dhe në anën më të keqe të mendësisë katundare. Shteti u transformua në armikun kryesor të shqiptarit dhe në instrumentin kryesor të sundimit të parisë. Në këtë proces, duke e veshur politikën e ndjekur me argumente ideologjike, dhe duke e vënë individin në qëndër të botës, paria e Tiranës ia arriti të fragmentarizonte shoqërinë, të ndryshonte konceptin e qytetarit dhe të shkëpuste lidhjen e tij jetike me shtetin.  Rezultati ka qënë kapitalizmi katundar shqiptar, shkretëtira morale e njerëzve njëdimensionalë qëe e shohin gjithcka përmes vlerës së lekut, kriza e thellë e vlerave kulturore dhe e shoqërisë së zvetënuar e të kriminalizuar, dhe paralizimi i shtetit që ka hyrë në qorrsokakun e pritshëm të kollapsit. Ngrehina që ka ngritur do të shembet sepse nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë, mirëpo paria e Tiranës i ka marrë masat që të ruajë pinjollët e vet. Kur të shembet ngrehina në krizën e pritshme, do të zërë poshtë shqiptarët e jo parinë.

Hapi i parë i daljes nga kriza është një rikonceptim i rolit të qytetarit në shoqërinë shqiptare dhe një rishikim i projektit të tranzicionit. Projekti ka dëshuar. Paria ka dështuar. Shoqëria shqiptare duhet të fillojë një debat të zgjeruar se sit ë ndryshojmë, sepse kështu nuk vazhdohet.

Mendimi im është se ky rikonceptim duhet të mbështetet në një numër parimesh që janë mbështetëse të njëra-tjetrës dhe që zbatohen natyrshëm në rastet e shoqërive të tjera moderne. Së pari, në qëndër të identitetit të qytetarit e përcaktues është shteti. Së dyti, lidhja e qytetarit me shtetit bëhet e natyrshme përmes përkatësisë në një grup që është kombi. Së treti, përmes lidhjes me shtetin, shoqëria kombëtare fiton elementët e qytetarisë dhe, nga ana e tyre, individët fitojnë të drejtat që meritojnë por edhe marrin edhe detyrat e përgjegjësitë qytetare të domosdoshme. Së katërti, vlerat morale që karakterizojnë një shoqëri të tillë janë ato që i shërbejnë shtet-kombit që është struktura qëndrore legjitime e identitetit. Së pesti, cdo sjellje që është e dëmshme për shtet-kombin është e dënueshme nga ligji dhe nga qytetarët. Së gjashti, demokracia nuk është sundimi i turmave, por një metodë për të zgjedhur njerëzit që duhet të drejtojnë shtetin. Nuk ka asnjë shoqëri normale që nuk është e ndërtuar mbi këto parime.

Mirëpo, paria e Tiranës e ndjen thellë trandjen e sistemit oligarkik, të kafazit ku i ka ndrye shqiptarët si gjarpërinjtë në një laborator. Prandaj edhe në këto zgjedhje, si prijatarët ashtu edhe instrumentet e tyre të shumtë janë duke luftuar për të ruajtur sistemin sepse e kanë shumë frikë daljen e gjarpërinjve të uritur nga kafazi. Mirëpo kush vendos me i kthye njerëzit në gjarpërinj, sepse mendon që i përdor duke i rënë fyellit me argëtue botën, duhet me e pasë shumë frikë ditën kur gjarpërinjtë janë të uritun, kanë dalë nga kafazi e në rastin tonë, e nw kwtw ilustrimin e perdorun ketu, kanë rrëshqitë e janë duke fjetë në të njëjtin shtrat më parinë që s’din cka me ba me pjellat e pamëshirshme të eksperimentit të saj.

ZGJEDHJET DHE VOTUESIT: E DREJTA E VOTËS – II

A ka të drejtë gjthkush që të votojë? Në shtetin shqiptar kanë të drejtë votë të gjithë të rriturit mbi moshën 18 vjec.  Sic thotë edhe një vendim I Gjykatës Kushtetuese, “Kushtetuta e Republikes se Shqiperise, ne nenin 45 te saj, parashikon te drejten e çdo individi mbi 18 vjeç te zgjedhe e te zgjidhet. Perjashtim bejne personat te cileve u eshte hequr kjo e drejte me vendim gjyqesor te formes se prere per paaftesi mendore. Gjithashtu, paragrafi 3 i ketij neni parashikon se te denuarit qe jane duke vuajtur denimin me heqje te lirise kane vetem te drejten per te zgjedhur.”[1]

Por, argumenti qe vijon,e  qe thote se “Ky parashikim kushtetues eshte brenda standardeve demokratike dhe bashkekohore” nuk qëndron dhe duhet të rishikohet. Në shumë drejtime ne jemi një rast i vecantë edhe në botë. Arsyeja është se një nga parimet e zbatuara gjatë tranzicionit ka qënë e drejta e votës për të gjithë shtetasit dhe tek ne është abuzuar në mënyrë ekstreme me këtë të drejtë. Ky qëndrim i Gjykatës Kushtetuese ka mbështetje institutionale dhe është i bazuar mbi justifikime historike e ideologjike.  Mirëpo, e drejta e votës nuk është e drejtë, por edhe privilegj, edhe përgjegjësi qytetare dhe prandaj duhet rishikuar. Kështu veprojnë shumë vende të botës, përfshirë edhe SHBA. Numri i frikshëm i njerëzve me precendetë penalë në shtetin shqiptar e jashtë vendit, që e gëzojnë këtë të drejtë e bën urgjente dhe imperative rishikimin e të drejtës së votës.

Një vëshrim I shkurtër në të shkuarën do të ishte i dobishëm për t’I vënë proceset në kontekst. Nuk është rastësi që një nga trashëgimnitë e sistemit që lamë pas ishte edhe e drejta e njohur e votës për gjithkënd. Nuk kishte rëndësi a kishe vjedhur, vrarë, rrahur, apo në ishe pedofil, kulak, armik, i burgosur, etj. Në se nuk ishe në ndonjërën nga strukturat e ‘riedukimit’ apo në se e drejta e votës nuk të ishte hequr me ligj, duhej që të votoje. Mirëpo, në sistemin e mëparshëm, votimi nuk ishte e drejtë, ishte edhe detyrë qytetare. Po të mos ishe i dënuar, konsideroheshe i ‘riedukuar’ dhe me lirinë të ktheheshin edhe të drejtat qytetare, ndër to, edhe e drejta e votimit. Në terma ligjore, sistemi ishte krejt modern. Nëse të hiqeshin të drejtat qytetare, të hiqej edhe e drejta e votimit.

Mirëpo, motivi i sistemit në mbledhjen e votave në mbështetje të vet ishte i mbrapshtë. Sistemi kërkonte legjitimitet dhe prandaj të gjithë duhej të votonin dhe duhej të votonin ashtu si iu kërkohej. Kështu zgjedhjet mbaronin me 100% të votave të hedhura për kandidatët e Frontit Demokratik. Legjitimiteti i sistemit garantohej me ‘vullnetin e popullit.’ Vota ishte e rëndësishme por ishte e dhunuar dhe e marrë me terror. Prandaj edhe sistemi i ‘demokracisë popullore’ ishte thelbësisht i padrejtë, dhunues dhe pa legjitimitet dhe u shemb me goditjen më të parë. Forma dhe parimet e votimit ishin krejt moderne. Zbatimi ishte krejt terrorist. Ishte një rast që një njeri që e merrte votën e vte seriozisht u fsheh në kanal deri në ora 6:00 mbadite vetëm sepse nuk donte që sistemi ta merrte votën e tij, me vullnetin e tij të lirë.  Kur ky qytetar e mori votën kaq seriozisht dhe rrezikoi lirinë e jetën, pse nuk duhet që diskutojmë për këtë cështje tani kur jemi në një system demokratik dhe kur vota është më me peshë se kurrë?

Po ashtu,  e drejta e votës iu dha gjithkujt për motive ideologjike mbas vitit 1991. Gjithkush konsiderohej si qytetar me të drejta të barabarta, Mund të mos zgjidheshe, por të drejtën e votës e kishe dhe e ushtroje. Ideja ishte se ideologjia liberaliste kishte triumfuar, edhe pse nuk dihej se cfare ishte liberalizmi. Ne shtetin shqiptar, liberalizmi ngaterrohej me superstrukturen e kapitalizmit, ashtu sic kuptohej nga inteligjencia e jone ne atë pikë. Kushtetuta e vitit 1998, e rishikuar më vonë, u bë nga të huajt që e trajtuan shtetin shqiptar si kavie eksperimentale per ideologjitë e tyre.

Përgjithësisht, me ndrrimin e sistemit, nuk u bë asnjëfarë diskriminimi dhe gjithkush e fitoi të drejtën e votës. Kështu nga viti 1992 e mbas ka votuar gjithkush përfshirë këtu edhe hajnat e xhepave, rrugacët, banditët, vrasësit, kriminelët, trafikantët e me radhë. Kjo ka vazhduar deri në ditët e sotme. Bile ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005 që iu njeh te drejtën e votës të gjithë të burgosurve për krimet e ndryshme. Një ndjenjë faji kolektiv për të shkuarën i paralizoi institucionet e shtetit, dhe zyrtarët që hoqën dorë nga zbatimi i ligjit filluan të respektonin edhe hajnat e kriminelët, njerëzit e jetës së nëndheshme që hynë e u bënë shumë aktivë në jetën politike. Kjo u pa në vitin 1997 kur banda me nga 10 vetë vendosnin kush do bëhej deputet në qytete me 100,000 vetë.

Shembujt shkojnë nga kryetari i Kuvendit që kishte bërë 28 vjet burg dhe kishte qënë ‘spiun birucash,’ tek një numër i konsiderueshëm të përjashtuarisht nga partia për vjedhje, shpërdorim posti apo kurvërim. Më kujtohet një ish-oficer sigurimi, i përjashtuar për kurvërim e shpërdorim detyre që dikur punonte me mua dhe në vitin 1993 mora vesh se ishte bërë kolonel dhe ishte rehabilituar deri ne ate pike sa që po luante nje rol te madh ne sherbimet e fshehta. Hajnat, pushtët dhe kodoshët mbushën sistemin. Te borgosurit ordinere, qe nuk ia kishin idene struktures, pervecse si strukture dhune, u veshen oficere. Shumica donin te beheshin kapitene te pare e jo majore, sepse kapiteni kishte kater yje e majori vetem nje yll ne spaleta, kaq injorantë ishin. Dhe e drejta e votës ishte emëruesi i përbashkët që qëndronte në themelet e shoqërisë së re.

Mirëpo, e drejta e gjithkujt për të votuar ka ngelur si një dregzë dhe është kthyer në parimin kryesor të funksionimit të sistemit në shtetin shqiptar duke mos lejuar funksionimin si duhet të shtetit. Gjithkush që është në një moshë të caktuar ka të drejtën të votojë. Problemi është se përmes të drejtës së votës, anipse jo vetëm përmes saj, sistemi është i kapur nga figurat e krimit. Njerëz të arrestuar, të dënuar, të kërkuar, të inkriminuar, trafikantë, drogaxhinj, kodoshë, hajna, cuba, pedofilë, nekrofilë, zoofilë, me dosje pa dosje e kishin të drejtën e votës dhe e përdoruan të drejtën e votës. Në burgjet tona aktualisht ka rreth 15,000 vetë. Sa vetë kanë bërë burgje? Unë nuk i kam numrat, por mendoj se zakonisht numri duhet të jetë 5-6 fish më i lartë. Kjo përkthehet kështu: të burgosurit në burgjet e tanishme kanë aq vota sa të zgjedhin dy deputetë, një me siguri të lartë si në Peqin, ku gjindet Burgu i Sigurisë së lartë, dhe padyshim të infleuncojnë zgjedhjen e deputetit në Zejmen. Në burgjet e huaja janë rreth 20,000 shqiptarë të tjerë që i kanë emrat në lista dhe dhjetramijëra të tjerë që kanë kaluar në sistemet e drejtësisë së vendeve të caktuara. Vetëm tre ditë më parë, Greqia dhe BE nisi një listë me 75,000 shqiptarë që janë të padëshërueshëm. Kur llogariten edhe të kthyerit nga shtetet e tjera, që kanë bërë burgje, që janë kapur në akte kriminale, që kanë dosje e precedente penalë, që nga ushtrimi i prostitucionit, tek shitja e drogës, vrasjet e therjet, që kërkohen nga policitë e shteteve të ndryshme të botës, na del se një përqindje shumë e madhe e llumit të shoqërisë vendos se kush qeveris në shtetin shqiptar. Një fshat si Lazarati e zgjedh një deputet. Një bandë me 10 vetë në Lushnjë i zgjidhte e i kontrollonte të gjithë deputetët. Një bandë në Durrës kontrollonte listat. Të burgosurit në Peqin zgjedhin një deputet. Në Zejmen influencojnë zgjedhjet. E kështu me radhë.

Shteti duhet të vendosë dënime shumë të rënda për njerëzit që janë me precedentë penalë dhe që  synojnë të ndikojnë një formë a në një tjetër mbi procesin zgjedhor. Por hapi i parë është heqja e drejtës së votimit dregzave të shoqërisë, mbajtja e tyre larg nga partitë politike e procesi zgjedhor, dhe izolimi i tyre nga proceset vendimmarrëse. Demokracia nuk është sundim i turmës. Demokracia është një mënyrë e zgjedhjes së njerëzve që duhet të drejtojnë anijen e shtetit për një periudhë të caktuar duke zbatuar vullnetin e qytetarëve që e kuptojnë përgjegjësinë qytetare që kanë, dhe që sillen si qytetarë të përgjegjshëm.

Koha ka ardhur për të rishikuar të drejtën e votimit. Njerëzit me precedentë penalë nuk duhet të kenë të drejtën e votës. Le të riedukohen, por jo të zgjedhin drejtuesit e shtetit në cfarëdo niveli. Humbja e të drejtave qytetare për ata që kanë bërë krime është një cmim që shoqëria duhet ta paguajë e ta institucionalizojë. E drejta e votës është shumë e rëndësishme. Mirëpo si thika që ka dy presa edhe e drejta e votës është problematike. Arma që qytetarët kanë për vrarë të keqen është vota. Vota është arma e së keqes për të vrarë shtetin. dhe shteti e ka për detyrë ta konsiderojë njohjen e së drejtës së votës si detyrë, përgjegjësi qytetare e si privilegj shumë të rëndësishëm.

(Në dy shkrimet e tjera do të flas për të drejtën për të votuar si detyrë, përgjegjësi e privilegj shoqëror si dhe për rolin e shtetit në edukimin e qytetarëve)

ZGJEDHJET DHE VOTUESIT: RINIA, E DREJTA E VOTËS DHE PËRGJEGJËSIA QYTETARE – I

Fushata elektorale në shtetin shqiptar është në zhvillim të plotë. Dhe një ndër problemet kryesore që u ngritën këto ditë është problemi i së drejtës së votimit për qytetarët.  Si zakonisht, kryeministri Sali Berisha hodhi një shashkë mediatike, d.m.th., tezën se e drejta e votës duhet të ulet nga mosha 18 vjec në moshën 16 vjec. Mirëpo, edhe pse u përkrah me zhurmë nga Ilir Meta, që e përdori këtë rast për t’u treguar një pjestar besnik i koalicionit, sepse kjo lloj mbështetjeje nuk i kushtonte asgjë, kjo inisiativë nuk ka shanse të shkojë kund. Nga ana e vet, opozita e kundërshtoi me vendosmërinë e pritshme. U bë një takim midis dy kryetarëve të grupit parlamentar. Shefi i dikurshëm Gramoz Ruci, e shihte ish-informatorin Astrit Patozi, që ka ecur përpara në jetë duke u bërë zëvendës kryetar i një instrumenti politik dhe kryetar i grupit të mbushur me kolegë, me një nënqeshje të kuptueshme. Por dihej që pa filluar të pinin shishet e ujit që i prodhon një biznes grek se nuk do të binin dakord. Kështu që u pa se kjo inisiativë nuk do të shkojë kund.

Megjithatë, kjo temë vazhdon të tërheqë vëmendjen e shtypit dhe të mediave në përgjithësi. A duhet të votojnë 16 vjecarët? Kjo është një temë që politikanët do të vazhdojnë ta diskutojnë. Ka vende ku edhe 16 vjecaret votojne. Në shumicën e këtyre vendeve, mosha e votës është zakonisht mosha kur lejohet martesa, punësimi, pirja e alkolit, dhe kur fëmijët konsiderohën të pjekur e të përgjegjshëm për të marrë vendime si të rritur.

Në shtetin shqiptar këto kritere janë të gjtha problematike. Sepse kur vjen kriteri i punësimit, të rinjtë tanë janë masivisht të papunë. Instat deklaron në rubrikën “a e dini se” që 44.3 e të rinjve deri në moshën 16 vjec janë të punësuar por kjo shifer është shumë e dyshimtë. Megjithatë, shumë nga të rinjtë shqiptarë i përmbushin tre kriteret e tjera. Mirepo, problemi yne kryesor nuk eshte votimi, dhe e drejta e votes, por sjellja dhe morali i rinise. rinia e jone eshte ne gjenjde kritike dhe askush nuk po i kushton vemendjen e duhur.

Shumë te rinj i fillojnë hallet e qejfet e martesës në forma të tjera shumë herët. Edhe pse ligji i denon me shtate vjet burg ata qe kryejne marredhenie seksuale me femije deri ne moshen 18 vjec, ja si e përshkruan një artikull gazete gjendjen në gjimnazet e Tiranës , “Një pjesë e tyre kryejnë marrëdhënie seksuale që në vitin e parë. Në maturë seksi nuk është tabu thuajse për të gjithë.Adoleshentët nuk e kanë problem të tregojnë përvojat. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në 6 vitet e fundit sensibilizimi për përdorimin e metodave kontraceptive është rritur ndjeshëm. Megjithatë, mbetet i lartë numri i gjimnazistëve që bëjnë seks të pambrojtur. Ka rezultuar se mbi 75% e gjimnazistëve që kryejnë marrëdhënie seksuale përdorin prezervativë. Në studimin e vitit 2005 shifrat ishin rreth 61%.”[1] Në lidhje me përqindjet e gjimnazistëve që bëjnë seks,  vlerësohet se 80-90% e të rinjve deri në vitin e tretë janë të lidhur, kanë të dashur, dhe kanë pasur më shumë se një përvojë.”

Droga, alkoli dhe cigaret iu shiten të gjithë fëmijëve që mund të hedhin tre hapa pa u rrezuar, dhe të gjithë janë eksperte në lëtë lëmi. Jo vetëm që lokalet shesin alkool, por në banjat e pubeve kanë vënë edhe kuti ku mund të marrësh prezervativë. Disa nga lokalet e Tiranës kanë edhe dhoma të posacme ku bëhet seks e natyrisht që të rinjtë filmohen, por kush pyet? Ja një përshkrim I marrë nga një artikull në shtypin shqiptar që nuk ngjalli asnjë diskutim në shtyp, “Sipas tyre në disa pub-e, kanë krijuar ambiente të veçanta, një dhomë apo një kthinë që të rinjtë mund ta përdorin për të bërë seks. “Mjafton të kesh muhabet me menaxherin dhe e zgjidh direkt”, thotë një djalë në vit të tretë. “Po të dish ta kërkosh pak me stil, në shumë pub-e e gjen një cep për këtë punë”, tregon duke qeshur një tjetër. Përgjatë bisedave të rinjtë qeshin me habinë tonë dhe njëherësh habiten që ne nuk ditkemi akoma për këto vende. Për ta është normale dhe s’ka asgjë të keqe.” ku eshte shteti? ku jane politikanet?

Një nga dukuritë e frikshme është edhe konsumi masiv i drogës. Në Tiranë ka rreth 60,000 konsumatorë të njohur e kushedi se sa konsumatorë të panjohur. Ja si bëhet shpërndarja e drogës në Tiranë sipas një përshkrimi troditës të bërë nga Arjola Tafaj ne blogun e saj: “Droga shpërndahet nga vetë ata që e konsumojnë. Mbahet në qese të vogla, mbështjellë me letra apo në paketa bosh cigaresh, bashkë me fletët të cilat i përdorin për ta dredhur. Një cigare hashash e gjen nëpër shkolla edhe me 1 mijë lekë të vjetra, ndërsa një “treshkë” (siç e quajnë “mallistët” me gjuhën e tyre, cigaren që del si kaush nga bashkimi i tri fletëve dhe që më pas mbushen me duhan të përzier me hashash, sipas dëshirës), kushton nga 2 deri në 5 mijë lekë, sipas cilësisë dhe miqësisë. Po kaq të përhapura dhe të preferuara kanë nisur të bëhen kokrrat e extasy-t (ekstazi) të cilat, pas pirjes së tyre nga goja, të krijojnë një efekt të përngjashëm me të qënurit i dehur apo droguar, që mund të zgjasë për disa orë, në varësi të dozës, llojit të saj dhe organizmit të konsumuesit. Ato kushtojnë 8 mijë lekë secila, shitësit i mbajnë brenda disa tubetash dhe një tub i gjatë ka rreth 8-10 kokrra ekstazi. Kemi të dhëna që ekstazi po përhapet me shpejtësi, thuajse në të gjitha gjimnazet dhe ambientet e tjera të të rinjve, në Tiranë.”[2]

Në lidhje me përgjegjësinë, shpesh fëmijët tanë, që në një moshë të njomë mbajnë me bukë prindërit e tyre, sipas INSTAT, por shumica jane janë të ndrydhur por duan normalitetin e një jetë sa me normale. Ikja nga zvetënimi e zdërhallja qe i rrethon po bëhet e dukshme në shumë rrethe të shoqërisë. E megjithatë, kultura që kanë këta të rinj është kultura e rrugës. Një shembull shumë ilustrues është edhe marrëdhënia e tyre me shtetin e me mendësinë e rrugës. Ja si flitet për gjimnazistët dhe votuesit e ardhshëm, “thika dhe armë të sajuara të ftohta, gjen me shumicë. Madje, disa nga ata që i mbajnë, janë kthyer dhe në mjeshtra të thikave… “Bëjnë numra cirku me to në klasë”,- ishte njëra nga dëshmitë… Më e përhapura është një tip thike, e quajtur “Flutur” (quhet kështu sepse ka dy bishta dhe një teh në mes të mprehtë). Në gjimnazet “Asim Vokshi”, “Besnik Sykja” e “Petro Nini Luarasi”, ka armë të tilla me shumicë brenda shkollës. Nuk mungojnë dëshmitë e reklamimit të thikave edhe në sy të mësuesve. Teksa interesohemi për vendin ku adoleshentët gjejnë thikat, ata tregojnë se ka plot, duke nisur që nga Tregu Çam, ashtu dhe në Tregun e Madh nga Spitali. Çmimet variojnë për këto thika, nga 5-30 mijë lekë të vjetra.”

Megjithatë vota është për të zgjedhur qeveritarët e mendësia e të rinjve ne lidhje me voten e tyre e se si do ta perdorina ata kete privilegj shihet në lidhjen që ata kanë me shtetin qe tek ata vjen permes mesuesit e policit. per mesuesin fola me lart, por ja si i trajtojnë ata policët dhe shtetin: “Policët e Rendit që rrinë pranë dyerve të shkollave të mesme, sipas nxënësve që kemi pyetur, tashmë e kanë marrë “etiketën”: Janë “dordolecë”…. “Të paktën rojet bëjnë ndonjë punë kur nuk lejojnë të huajt, të hyjnë brenda në korridore, por policët rrinë kot më kot…!”, – është njëra nga dëshmitë.

Por, në këto kushte rrëmuje ideologjike, e kaq afër zgjedhjeve, kjo perpjekje per t’iu dhene te rinjve te drejten e votes është një lëvizje e zgjuar e prijatarëve. Zhurma që e rrethon dhe që e mban gjallë këtë debat është një përpjekje e djallëzuar për të shmangur vëmendjen nga interesat e vërteta politike, dhe nga problematika e ngjeshur me të cilën po përballet shoqëria dhe shteti shqiptar në këtë pikë tjetër kritike. Gama e problemeve ekonomike shoqërore është marramendëse, thellësia e krizës po bëhet e dukshme përditë dhe diskutimi për të drejtën e votës për 16 vjecarët është në fund të listës. jo vteem aq por eshte shume i rrezikshem. a mund ti jepet nje arme e mbushur ne dore nje femije? vota vret me shume se plumbi.

Nga ana tjetër, ky debat duhet zgjeruar e zhvilluar si duhet. Kjo është një temë me interes të jashtëzakonshëm për shoqërinë e strukturat zgjedhore e demokratike. Arsyeja është se kjo temë duhet të shërbejë si fillim debati për natyrën e demokracisë në shtetin shqiptar. Me dështimin e përplotë të sistemit demokratik, të partive politike, me vjedhjen masive të votës, e me fenomenin e shitjes së votës për një gjel deti apo për një thes mielli, nuk është më vetëm problemi i 16-vjecarëve që mund të votojnë apo jo. Problemi kryesor, me të cilin po përballemi të gjithë është pikërisht një problem që nuk trajtohet, e drejta e votes, që nuk është vteëm e drejtë por edhe detyrim. Që nuk është vteëm detyrim por edhe përgjegjësi. Kush duhet të ketë të drejtën dhe përgjegjësinë e votës dhe si duhet ta përdorë atë votë? Cili është konceptimi i qytetarit në shoqërinë shqiptare? Si duhet të sillet votuesi? Si duhet të jepet e drejta e votës? Këto nuk janë tema që debatohen dhe që duhen debatuar. e mbi te gjitha, duhet debatuar sjellja dhe morali i rinise sone te sotme.

Nuk duhet të biem në vorbullën e lojës së parisë së Tiranës që kërkon vetëm vetëm të rekrutojë të rinjtë në marrëzinë e ligësinë e lojës së saj. Paria e Tiranës i ka fituar edhe këto zgjedhje anipse do të fillojnë sherrin për kockat pa mbaruar zgjedhjet. Por ne duhet të merremi me sistemin dhe me themelet e atij sistemi sepse jeta nuk mbaron me këto zgjedhje dhe se demokracia nuk po funksionon. Dhe e drejta e votes në përgjthësi është një temë që ne duhet ta diskutojmë me qetësi dhe pa militantizmin e anshmërinë e zakonshme në media.  Në se rinia është në këtë gjendje, për carë mund të votojnë këta të rinjë? Cilin nga politikanët do të zgjedhin këta? Si do ta përdorin votën? Nga ky këndvështrim e me këto përvoja, e ardhmja e jonë, e rinisë tonë dhe e demokracisë shqiptare duket e pashpresë. Prandaj Edi Rama u bë shumë i suksesshëm me rininë kur tha se kur ishte 16 vjec kalonte nga një orë në bunker. Te turpshmit e brezit të vjetër si Sali Berisha dhe Gramoz Ruci nuk flasin. Kjo vlen edhe për modestet si Arben Imami, Edmond Haxhinasto dhe Eduard Selami. I vetmi politikan që ka qënë model rinie, por që e prishi pak sepse i dhanë shumë vodka e uiski vendi në burg, ishte Fatos Nano.

Por tashmë janë afruar zgjedhjet, kjo është rinia e jonë, dhe problemi nuk është e drejta e votës, por morali dhe sjellja e rinisë. Në jemi në krizë të thellë sepse ka dalë djalli nga shishja dhe një zot e di a mund të bëhen njerëz te pergjegjshem e qytetarë këta të rinj që po rriten kështu, në ‘parajsën’ e Tiranës ku këndohet “Mamica” dhe kënga më e preferuar është një qarje tallavaje “të ka lali shpirt, të ka lali xhan” e pasuar nga kënga e papërseritshme e Anëtares së Këshillit Kombëtartë PD-së, Ciljeta, “O sa i kam gungat e mira.” ky eshte debati i vertete: cfare rinie po rrisim, cfare brezash do te vijne, dhe a do te shpetojme apo do te perfundojme ne humneren e veseve e te hordhekut moral.

(PS. Në katër shkrimet e ardhshme do të merrem me problemin e të drejtës për të votuar, përgjegjësinë qytetare, shpërdorimin e votës, dhe rolin e shtetit në përgatitjen e qytetarëve)

INTERVISTË ME GAZETAREN DORIANA METOLLARI, DREJTORE E HERMES NEWS, 03/22/2013

Si do ta komentoni përgatitjen që forcat politike po bëjnë për fushatën elektorale?

Shinasi Rama: Përgatitja që po bëjnë është shumë intensive, mirëpo mungon substanca e duhur. Prijatarët nuk ofrojnë zgjidhje. Nuk kanë asgjë me thanë përvecse që me marrjen e pushtetit, mbështetësit e tyre do të mund të marrin një vend pune. Koalicionet, marrëveshjet, programet, e gjithcka bazohet në këto premtime. Së shpejti do të shohim megamitingjet e turmat histerike, do të dëgjojmë këngëtarët si Ciljeta të ndezin masat, do të përjetojmë edhe përplasjet e sherret personale, por nuk do të ketë substancë e  adresim të duhur të problemeve.

Kohët e fundit është folur për të drejtën e votës, që mund t’iu jepet edhe 16 vjeçareve… Dua ta shikoj këtë në dy plane: e para ju mendoni se ne Shqiperi ka ardhur ky moment ?

Shinasi Rama: Këto janë shashka mediatike, por edhe shprehje të djallëzisë politike. Politikanët po mendojnë që të përdorin cdo gjë për t’i joshur e për t’i përdorur edhe të rinjtë. Kulturalisht, po votuan njëherë për ta, do të vazhdojnë të votojnë. Ata që fitojnë do të shpërblehen disi e do të mbesin peng për jetë. Kështu nuk do të ketë zgjidhje jashtë kontrollit të hekurt të parisë.

… e dyta, nga ana teknike është gati Shqipëria që këtë të drejtë ta inserojë në këto zgjedhje.

Shinasi Rama: Këta e bëjnë lehtë përfshirjen e 16 vjecareve sepse nuk i kanë mbaruar listat; ne gjendjen ku jemi më lehtë e kanë të përfshijnë 16 vjecaret që jetojnë aty se sa emigrantët që, edhe pse mund të jenë të regjistruar, nuk dihet ku janë.

D.m.th. 16 vjecarët (minorenet) kanë pergatitjen e duhur, për të qënë të përfshirë politikisht ?


Shinasi Rama: Jo, 16 vjecarët, e bile edhe 18 vjecarët nuk e kanë pergatitjen e duhur. Për të pasur të drejtën e votës duhet të kalosh një provim qytetar që duhet të administrohet nga shteti. Në se njerëzit nuk e dinë se përse votojnë, atëherë vota e tyre do të jetë një votë e hedhur në shërbim të së keqes. Njerëzit me dënime e precedente penale duhet të jenë të përjashtuar, ashtu si edhe të sëmurët, të paaftët etj. Shkurt, nuk duhet ta ketë gjithkush të drejtën e votës. Dhe 16 vjecaret natyrisht nuk e kanë dijen e përgatitjen e duhur. Sidomos në një popull ku fliten marrina, ku politikanët janë mashtrues të nivelit më të ulët shoqëror, shteti duhet të krijojë mekanizma për të edukuar qytetarin. Ata që kalojnë provimin, duhet të votojnë. Pse duhet të ketë provim për makinën e jo për votimin?

A mendoni se perfshirja e te 16-vjecareve ne politike, duhet te filloje me informacionin ne bazen mesimore, apo edukative ?


Shinasi Rama: pikërisht, por shkolla është për tokë dhe mësuesit nuk dinë cfarë flasin.

Pse ne Shqiperi, askush nuk mendon te nderrmare hapa konkret per t’i siguruar te drejte vote emigranteve, cfare do te ishte nje zgjidhje shume e mire per nivelin e demokracise ne vend.


Shinasi Rama: Emigrantët nuk përdoren kollaj, prendaj askush nuk i don atje. Do të ishte një zgjidhje e mirë sepse emigrantët kanë përvojë, dije e njohuri se si funksionojnë shoqëritë normale. Paria e Tiranës nuk i don sepse asaj i duhet një shoqëri kriminale.

A mendoni se ne Shqiperi (ashtu si ne shume vende te tjera europiane) levizjet qytetare mund te kene me shume sukses sesa partite politike. A ka levizje popullore te mirefillta ne shqiperi ? A ka baze te mire per te tilla ?

Shinasi Rama: Ka lëvizje të tilla, por ka një mosbesim të thellë kulturor dhe të trashëguar. Së shpejti do të kalohet edhe kjo gjendje.

Si e parashikoni kete fushate politike, flas cilat mendoni se do te jene te rejat qe do te sjelle ?


Shinasi Rama: Asgjë të re nuk do të ketë. Ndoshta e lë mjekrën Sali Berisha. Nuk priten të reja të tjera. Këta nuk dalin nga lëkura e tyre.

A mendoni se zhvillimi i mediave online, po krijon rritjen e hapesires se lirise ne fjalen e lire ne Shqiperi ?

Shinasi Rama: Po. Mendoj se mediumet shoqërore në web po bëhen të dobishme dhe po krijojnë mundesi të medha komunikimi e organizimi. Kjo do te jete edhe me e vyeshme ne te ardhmen.


A eshte rritur perfshirja e qytetareve ne vendimmarrje keto vite ?

Shinasi Rama: Përkundrazi. E gjithë loja bëhet që shqiptarët të mos mund të luajnë ndonje rol. Qëllimi i parisë së Tiranës është që t’i paralizojë qytetarët. Ndryshe ajo nuk mund të bejë atë që don, d.m.th., të ruajë sundimin oligarkik, dhe kontrollin e saj mbi ekonominë, shoqërinë dhe vlerat.

E GJITHË SHQIPËRIA SI LAZARATI: ZGJEDHJET DHE BUJQËSIA INDUSTRIALE DIGJITALE E BIMËVE MEDICINALE

Nja pesë ditë më parë, në Gjirokastër shkoj Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Me ze të plotë dhe fuqishëm, gjenerali deklaroi se nxjerrja e Lazaratit nga harta e zezë e prodhimit dhe importimit të drogës, është një ndër objektivat  kryesore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Gjenerali e kishte hallin tek Lazarati. Aty tha se asnjë kilogram hashash nuk duhet të dalë jashtë kufirit të vendit tonë. I kemi fotografuar fushat dhe nuk ka gjë tha gjenerali. Mirëpo hashishi është në kubik, dhe policia i ka bërë fotot natën thonë gojët e liga. Aq më shumë që Kryeministri e përmendi Lazaratin si bastion të PD-së. Lazarati është një fshat që ka një kaluar patriotike të lavdërueshme. Por edhe më shumë se aq. Lazarati është fshati që ka arritur të bëjë atë që nuk ka arritur asnjë katund apo qytet në shtetin shqiptar. Lazarati është një fshat shumë i zhvilluar, me ekonomi model, i njohur si qëndër e prodhimit dhe e përpunimit të bimëve medicinale e me marredhenie shoqerore shume te mira. Por edhe pse nuk përflitet fare në media, Lazarati është në qëndër të vëmendjes së shqiptarëve, të politikës dhe të parisë së Tiranës.

Një Eldorado Moderne Shqiptare

Njëra nga qëndrat më të rëndësishme industriale dhe të bujqësisë bashkëkohore shqiptare, Lazarati ka buqjësi të zhvilluar si dhe teknologji moderne dhe të avancuar. Komuna e Lazaratit gjendet në Malin e Gjerë, pjesë e krahinës famëmadhe të Lunxhërisë, rreth 3 kilometra larg qytetit të mbushur me të papunë të Gjirokastrës. Lazarati ka një sipërfaqe prej 41 mijë hektarë, ka rreth 700 familje me rreth 6500-7000 banorë. Prodhimi i Përgjithshëm lazaratas saktësisht nuk dihet, por dihet se shteti shqiptar dhe shtetet fqinje si Italia e sidomos Greqia, kapin afërsisht një miliard euro vlerë në vit mall që nuk zhdoganohet nga Lazaratasit që e konsiderojnë doganën një mjet vjedhje e pasurimi nga ana e shtetarëve. Kjo vjen vetëm nga hashish, sepse heroina e përpunuar nuk numërohet. Si e dimë këtë? Po ja, në gjsymën e parë të vitit 2012, policia ka kapur drogë Lazarati (me famë botërore, e preferuar nga Hollandezët e të tjerët) me peshën 5,000 kilogram ose pesë ton të destinuar për Itali e Greqi. Një ton hashish kushton 93 milionë euro. Pesë ton bëjnë 465 milionë euro vlerë shitjeje në rrugë. Po në një vit? Ja të themi se po kaq kapen edhe në gjysmën e dytë të vitit, edhe pse atëherë bëhet rritja e përpunimi. Pra, nuk është ekzagjerim të thuhet se vlera e hashishit të Lazaratit që kapet nga policia i kalon 930 milionë eurot në vit. Shto këtu edhe heroinën, sepse policia kapi edhe 50 kilogram heroinë me vlerë shitjeje në rrugë 3-4 milionë euro e shumë ngarkesa të tjera e të tjera e dalim tek një milliard dollar mall ‘humbje’ të sekuestruar nga shteti.

Pra, edhe sikur humbjet të jenë edhe 50%, Prodhimi i Përgjithshëm Lazaratas i kalon dy miliard eurot në vit. Kështu që përafërsisht, cdo lazaratas kontribuon me rreth 200,000 euro në ekonominë shqiptare. Në terma formal, Lazarati, edhe pse nuk është i regjistruar kund, dhe pjesë e ekonomisë informale, kontribuon afërsisht 5% të të gjithë prodhimit kombëtar të deklaruar shqiptar. Mirëpo, duke e ditur se sa e korruptuar është policia shqiptare, druhem se përqindja është ku e ku më e lartë. Nga përvoja personale e di që policët shqiptarë të kërkojnë para për një kundravajtje, dhe nuk besoj se druhen shumë që të kërkojnë para për ngarkesa të mëdha. Duke e ditur se ka për të gjithë, duhet vlerësuar me keqardhje se sasia e drogës që kalon duhet të jetë nja 10 herë më shumë se ajo që kapet. Por kjo është një hipotezë që e hedhin dashakeqësit. Vetëm Lozarati e di të vërtetën. Por, po supozojmë se humbja është diku tek 50%.

Në shumë drejtime, prodhimi bujqësor në Lazarat është i nivelit të dëshëruar nga kryeministri. Lazarati është shumë i modernizuar dhe përpunimi i produkteve bujqësore është i digjitalizuar. Në Lazarat ka 23 laboratore të përpunimit të bimëve medicinale.  Nerëzit jetojnë me standartet më të larta të mundshme, kanë shtëpi e vila që nuk i gjen as në zonat e pushimit të miliarderëve të botës. Vilat e Lazaratit janë blu nga bulerat e ujit dhe janë kështjella të vërteta, me mure, tela, dhe me dyert e rënda. Pasuria e familjeve në Lazarat është përrallore.

Por Lazarati është model i liberalizmit. Në Lazarat nuk ka nevojë për shtetin sepse nuk ka krim. Në Lazarat nuk ka polici. Në Lazarat nuk vjedh njeri. Të gjithë i kanë dyert hapur dhe kush bën krim gjykohet “fshatce” sepse janë të gjithë të lidhur me martesa, krushqi, shoqëri e interesa ekonomike. Në Lazarat nuk ka uri. Në Lazarat nuk ka piramida financiare apo universitete private. Lazarati ka edhe një besim të thellë fetar në vlerat demokratike sepse shenjti i Lazaratit është Qytetari i Nderit, Azem Hajdari të cilit i këndojnë një këngë dhe që ka një shesh me emrin e tij dhe një memorial, që dikush u mundua ta hedhë në erë por që u rivendos me dinjitetin e duhur. Azem Hajdari ka shkuar në Lazarat si në shtëpinë e tij dhe dashuria e Lazaratasve për të është e dukshme. Të gjithë lazaratasit punojnë bashkë, ndajnë detyrat dhe të ardhurat me drejtësi dhe kontribuojnë në mbarëvajtjen e ekonomisë së katundit më të madh e më të pasur të shtetit shqiptar e të botës. Sic tha edhe kryetari i Komunës, Lazarati ka ndërtuar rrugët më të mira, dhe ka bërë investime të dukshme sepse ka ujësjellës, energji, rrugë të shtruara e siguri absolute. Por ka edhe një standard jetese të lakmueshëm. Për shembull kur shkon tek Sheshi “Azem Hajdari” të merren mendtë nga market e makinave. Lazaratasit nuk emogrojnë. Përkundrazi atje shkojnë emigrantë nga e gjithë Shqipëria që për 2000 lekë të reja, nisen nga Sheshi “omonia” në Gjirokastër dhe punojnë gjithë ditën në fushën e hashishit, një bimë që në Hollandë, një vend i Bashkimit Europian, konsiderohet medicinale.

Lazarati vizitohet rregullisht nga politikanët e niveleve të caktuara sic ishte fjala vizita e Lulzim Bashës, asokohe Ministër i Brendshëm, që nga Lazarati deklaroi me 24 Maj 2010, se kishte shkuar atje së bashku me deputetin e zonës, Genc Ruli, për të dërguar një mesazh të fortë Europës, sepse tani e tutje edhe Europa do të dëgjojë vetëm gjëra të mira nga Lazarati. Lazarati është modern, i digjitalizuar, i kompletuar, dhe që kontribuon shumë në ekonominë kombëtare. Prandaj edhe Kryeminsitri Sali Berisha e përmendi në programin e tij ekonomik si një sukses për vendin.

Influenca e Lazaratit është e thellë edhe në kulturë, sepse Lazarati ka hyrë edhe në mitologjinë popullore. Për shembull kur flitet për dikë që përsërit fjalët e politikanëve thuhet, “Nga Lazarati e merr mallin që tymos ky njeri apo nga ndonjë vend tjetër?” Mirëpo e vërteta është se Lazarati ia ka dhënë fjalën Partisë Demokratike dhe personalisht kryetarit të saj, Dr. Prof. Sali Berisha, që nuk do të rrisë më hashish por vetëm sherbelë e caj mali deri në zgjedhjet e vitit 2013. Atëherë, hashishi që është në kubik bëhet gati për tu mbjellë dhe Lazarati nuk e shkel fjalën. Po fitoi PD, policia nuk shkel në Lazarat. Po fitoi PS, Lazarati merr armët dhe pushton të gjithë komisariatet e policisë.

Problemi i Vogël i Lazaratit

Edhe pse Lazarati ka 23 laboratore e punishte të përpunimit të bimëve medicimale, Lazarati ka vetëm një problem të vogël. Në Lazarat kultovihen hapur bimë aromatike e mjekësore si qepa, hudhra, e spinaqi, caji i malit e sherbela, por më së shumti hashish.  Problemi i vogël i Lazaratit është se të gjithë zogjtë e minjtë janë të droguar nga hashishi. Në Lazarat nuk ka shumë gjarpërinj e nëpërka sepse mbasi hëngren minjtë e dehur me hashish, gjarpërinjtë ngordhën në vrimat e tyre. Ndoshta me Lazaratin në mendje, në dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri Sali Berisha foli shumë për bimët bimët aromatike e mjekësore. Sali Berisha theksoi rëndësinë e kultivimit e të përpunimit të këtyre bimëve për zonat malore, sepse në zonat si Kukësi, 46 % e popullsisë jetojnë me ndihma nga shteti. Ku është dallimi midis Kukësit e Lazaratit? Nuk ka dallime përvecse në pasurinë që kanë. Kukësi është i prapambetur, dhe Lazarati është me bujqësi digjitale. Mirëpo, duke qënë se rritja e bimëve aromatike si hashishi nuk është problem i madh, shqiptarët e tjerë nuk janë budallenj dhe nuk duan të mbesin të varfër. Pse të rrisin caj mali, kur mudn të rrisin hashish të cilësisë së lartë? Disa nuk e dinin se c’ishte hashishi dhe mbollën kërp, po tashti e dinë të gjithë. Në dhjetë vjet kanë hyrë të paktën 20 fjalë të reja për të përshkruar hashishin dhe marijuanën. Edhe pse Sali Berisha premtoi se qeveria do t’i mbeshtesë me “laboratorët më modernë që ju duhen për të gjitha llojet e certifikatave, për vërtetimin e cilësisë së tyre”, prapë nuk tingëlloi bindës sepse ai po flite për luledelet, cajin e malit dhe sherbelën. Modeli i vetëadministrimit demokratik të Lazaratit është një shembull shumë tundues për shqiptarët e tjerë. Ky është modeli i zhvillimit nga poshtë. Të vijë një herë laboratori, dhe pastaj shohim e bëjmë.

Jo vetëm kaq. Familjet e shquara e me traditë Lazaratase punojnë e kontribuojnë në shumë fusha, që nga industria ushqimore tek transporti dhe kontrollojnë interesa të mëdha në fusha të caktuara. Lazarati ka një traditë kulturore shumë të shënuar, një grup poetësh cilësorë dhe një grup polifonik që është nga më të mirët në shtetin shqiptar. Natyrisht kënga më e famshme është ajo për Azem Hajdarin që e gjeni ketu: http://ëëë.youtube.com/ëatch?v=kYYSvKf9ëJE .

Influenca e Lazaratit

E vërteta është shembulli i Lazaratit po ndiqet me shpejtësi nga të gjithë katundet që kanë të njëjtën klimë dhe mundësi. Mirëpo, thelbi i suksesit është të kesh mbështetjen e shtetit. Dhe në rastin tonë, katunde të tëra që e kanë kuptuar se si luhet loja, nuk e kanë pasur shtetin në qendër të vëmendjes për e kanë vënë në qëndër të vëmendjes. Në se shteti nuk i mbështet në rritjen e legalizimin e drogës, që duhej ta kishte bërë me kohë, se Tirana qelbet nga drogat, se nuk ke lokal, pub e mejhane publike ku nuk vjen era e drogës, shteti duhet bërë që të mbyllë sytë. Dhe shteti, që në fund të fundit funksionon sepse ka ca njerëz që punojnë si zyrtarë, bëhet i verbër kur tunden shukat me para. Zyrtarët duan të cojnë fëmijët në shkolla jashtë shtetit, duan të shkojnë me pushime, duan të kenë dashnore, të blejnë makina e shtëpi, dhe të mbajnë vjehrrrën në azlin e pleqve. Pse me rrogën e shtetit do ta bëjnë këtë? Zyrtarët duan të kenë jetën e lazaratasve. Dhe zgjidhja që ne kemi gjetur është që të bëjmë atë që nuk e ka bërë kush tjetër. Cdo katund ka përfaqësuesin e vet në shtet që mbron interesat e katndit. Bile, kemi bërë një gjë që nuk e bën njeri. I kemi marrë kultivuesit e drogës dhe trafikantët, dhe … iu kemi lënë në dorë shtetin. se ky shtet është shteti i popullit dhe kush më mirë e njeh popullin se ata që dalin nga shtresat që kanë provuar burgjet e vendit e të huaja? Kush më mirë e kap hajdutin se ai që është mjeshtër me vjedhë vetë? Kush e gjen vrasësin me lehtë se krimineli? Askush. Kush më mirë e njeh kodoshin se vetë kodoshi? Askush. Prandaj kjo zgjidhje që kemi gjetur ne është ideale. Lisi cahet me pyken e vet dhe në krye të shtetit kemi vënë përfaqësuesit e bandave e trusteve të krimit.  Mirëpo ajo që nuk parashikuam si duhet ishte se këta nuk kanë bërë kthesë por po punojnë bashkë me shokët e rrugës, të semaforit, të burgut, e të krimit.

Politikanët Për Lazaratin

Në se ne kemi para syve modelin e sukseshëm të bujqësisë digjitale industriale shqiptare Lazaratin, duhet të mos harrojmë edhe kontributin e politikës dhe të politikanëve. Heshtja e politikanëve nuk është e justifkueshme. Asnjëri prej tyre nuk e përmend Lazaratin. Por ne duhet të vlerësojmë këtë qëndër zhvillimi, sepse sukseset meritojnë vëmendje dhe fenomeni i Lazaratit meriton më shumë vëmendje në këto zgjedhje. Lazarati është modeli i suksesit, dhe për shumë shqiptarë Lazarati është modeli i së ardhmes që po imitohet me shpejtësi. Lazarati është ndoshta  vetmi fshat që ka arritur të rrisë rendimentin 300%. Para ca vitesh morën një farë që mbillet në klimën e Malit të Gjerë dhe tashti nuk rritet më kacube por bëhet pemë dhe në vend të një kilogram, pema jep tre kilogram. MEgjithatë Lazarati ka një shenjt të vetin, një politikan të shquar, Qytetarin e Nderit, Azem Hajdarin. Hajdari ka qënë një ndër ata që ia hapën rrugën e zhvillimit dhe të modernizimit këtij fshati duke e bërë pjesë të ekonomisë botërore dhe Lazarati nuk ia harron kontributet. E sa për politikanët e tjerë, ata nuk flasin nga modestia.  Tashti që jemi ekonomia me rritjen e dytë në botë, mbas Brazilit e para Kinës, është turp me iu tregue gjermanëve e francezëve sukseset tona në rritjen 300 përqind të rendimentit të pemës së hashishit. Lëre më po iu treguam Gjermanëve që punojnë nga 10 orën në ditë e që mezi i paguajnë faturat, një fshat si Lazarati ku vendasit nuk punojnë shumë. Atëherë nuk kemi fytyrë të lypim ndihma e borxhe. Vetëm për këtë arsye nuk e përmendin, jo për tjetër. Sali Berisha nuk shkon dot ne Lazarat dhe ne Tropoje. Por i ka te dy zonat ne zemer.

Paria e Tiranës po e rrethon Lazaratin me heshtje. Gjatë tetë viteve të shkuara, Sali Berisha nuk e preku fare Lazaratin, nuk e përmendi Lazaratin, nuk iu afrua Lazaratit. Më e shumta që bëri Drejtori i Përgjithshëm i policisë ishte të deklaronte javën e kaluar se tashmë i kishin bërë fotografimet e zonës, nga larg e me kujdesin e duhur. Për këtë politikan, parulla duhet të ‘E gjithë Shqipëria si Lazarati!.” Nga ana e vet, Edi Rama nuk duhet të shkojë në Maqellarë, por në Lazarat dhe atje të parashtrojë programin e tij për rilindjen. Sepse edhe Lazarati e don Rilindjen dhe PS-së duhet një Rilindje për Lazaratin. E sa për Ilir Metën, që e ndrroi kauzën e integrimit për të punësimit, Lazarati duhej të ishte modeli i zhvbillimit edhe per Skraparin e Mokren, Goren e Gramshin. Një fshat mban me bukë një qytet e jo vetëm lagjen “Zinxhiria”. Se ato autobuzët që sjellin mëditëset nga Gjirokastra për 20 mijë lekë në ditë për të punuar në Lazarat janë kontribuesit e vërtetë të integrimit tonë në Europë. Lazarati është modeli i katundit të suksesshëm modern shqiptar që ka pushtuar qytetin dhe modeli i Rilindjes po të sillemi të gjithë si lazaratasit.

Një Krahasim Mitesh

Më në fund, duhet bërë një krahasim. Mirëbërësi më i madh në Kolumbi ka qënë Pablo Escobar Gaviria. Në një vend, Los Chaunces, janë 500 shtëpitë që ai ndërtoi për të varfërit. Në atë zonë edhe sot ai njihet si “el benefactor”, mirëbërësi. Këta njerëz i janë besnikë atij edhe shumë vjet mbas vdekjes së tij.  Miti i tij është i paprekshëm dhe njerëzit i falen edhe sot sepse ai iu dha strehë, një kafshatë bukë, dhe mundësinë për të rritur fëmijët. Por këta janë të uriturit e të varfërit, ata që nuk e ngopin kurrë barkun sado që të hanë, sepse uria e tyre s’ka fund e nuk ngopet mendja. Këta janë vëllezërit e motrat e mushkave të drogës, e vrasësve, e rritësve të drogës, e përpunuesve, e ushtarëve të krimit. Këta ishin fëmijë dhe që në atë kohë në mendjen e tyre ai ishte heroi dhe modeli. Shteti i Kolumbisë e vrau Pablo Escobar por nuk e fshiu nga mendja e këtyre fëmijëve modelin e suksesit, të pasurimit, të arritjes. Sepse mund të djegësh fusha të tëra me coca, por a e djeg dot coca në mendjen e njerëzve? Prandaj edhe lufta e shtetit të Kolumbias është një luftë që nuk është e mbyllur e që nuk mund të fitohet. Në rastin tonë, si shqiptare, ne nuk kemi një Pablo Escobar që ta mitizojmë.

Por Lazarati e ka Pablo Escobar Gavirian që e bëri këtë të mundshme. Lazarati e ka shenjtin e vet, Azem Hajdarin. Ky është Qytetari i Nderit i katundit më të pasur në botë. Ky është heroi i Lazaratit, i cili nga memoriali i tij, po të kishte sy e mend e të mund të rrotullonte kokën do të shihte me krenari përparimin dhe begatinë që ai ndihmoi t’ua sillte lazaratasve. Por edhe pse ai nuk i sheh dot lazaratasit, lazaratasit e shohin atë përditë, në Sheshin ‘Azem Hajdari.”  Lazarati eshte modeli i jone i se ardhmes, modeli i jone i zhvillimit te nje bujqesie industriale, digjitale, nje fushe ku mund te besh 100000 ne vit duke mbledhur gjethet e dushkut, te sherbeles, cajin e malit dhe lule delet. e natyrisht duke mbjellur pemet e hashishit qe e kane rendimentin 300 perqind.

MBI DËSHTIMIN E TRANZICIONIT DHE PËRGJEGJËSINË HISTORIKE TË PARISË: NJË VËSHTRIM I SHPEJTË

 

Në fund të vitit 1990-të, shteti shqiptar hyri në procesin e një metamorfoze të gjithanshme. Shembja e sistemit socialist në BRSS dhe në Evropën Qendrore e Lindore e bëri të pamundur edhe vazhdimin e sistemit enverist në shtetin shqiptar. Ndryshimi i sistemit enverist dukej se ishte i pashmangshëm edhe sepse presioni i jashtëm për të ndryshuar sistemin politik e ekonomik ishte tejet i fortë e i papërballueshëm. Nga një anë, kriza e thellë kishte krijuar pakënaqësi të madhe, jo vetëm tek shtresat e përndjekura në dy-tre breza, por edhe në masën e madhe të shtresave qytetase, tashmë thellësisht të proletarizuara në nivelin e gjendjes ekonomike, por edhe në nivelin e vlerave morale.

Nga ana tjetër, sistemi i sundimit të parisë sunduese ishte shumë efektiv dhe mbështetja e legjitimiteti që sistemi i partisë-shtet gëzonte në masa të gjera të popullit, veçanërisht në fshatra e në zonat malore, kryesisht në Jug, ishin ende tepër të fuqishme. Shkalla e indoktrinimit ideologjik ishte në një nivel të jashtëzakonshëm, deri në atë pikë sa qytetarët duhej të besonin se jetonin në vendin më të lumtur në botë dhe kishte shumë syresh që e besonin këtë dogmë. Më e rëndësishmja është se qytetarët e thjeshtë nuk ia kishin fare idenë se si mund të funksiononin sistemet e tjera shoqërore dhe se si do të gjallonin ata vetë në ato sisteme. Shumë individë kishin arsye që të druheshin se ndrrimi i sistemeve nuk do të ishte në të mirën e tyre. Po ashtu, strukturat e shtetit, që nga Sigurimi i Shtetit, ushtria, policia, partia, burokracia shtetërore e deri tek organizatat e masave, ishin plotësisht funksionale dhe efektive.

Megjithatë, në fillimet e tranzicionit kishte shumë shpresë që ndryshimi i sistemeve do të përmirësonte edhe gjendjen e atyre shtresave që ishin të lidhura ngushtë me sistemin e që ishin burimi formal i legjitimitetit të tij, si dhe i fuqisë së tij reale. Në veçanti, në atë kapërcyell kthese historike, shtresa e inteligjencies kryeqytetase, por edhe ajo e disa qyteteve të tjera të mëdha, si Korça, Shkodra, Vlora, Durrësi dhe Elbasani ishin një grupim shoqëror me influencë të gjerë. Ky grupim gëzonte besim, si në popull, ashtu edhe tek paria sunduese. Duke qenë se populli nuk kishte fare dijeni se ku po shkohej me ndrrimin e sistemit, e duke qënë se paria sunduese kishte interesa të veta të ngushta, që do t’i mbronte me çdo kusht e me çdo mjet edhe përkundër interesit kombëtar, inteligjencia ishte shtresa shoqërore, e cila do të mbante barrën e ndryshimit si shtresë udhëheqëse dhe që, natyrshëm, do të merrte përgjegjësitë historike për rrugën që do të ndiqej më pas.

Paria sunduese, me qendër në Bllokun e Tiranës ishte e ndërtuar si një sistem klanesh, që vareshin nga figurat me peshë në atë sistem. Ky grup i ngushtë vendim-marrës nuk hoqi dorë deri në çastet e fundit nga besnikëria e pamëdyshur e sistemit enverist dhe bindja e mbajtjes së pushtetit me forcë apo me hile e dredhi. Kështu u përjashtua mundësia e transformimit gradual. Mirëpo kishte edhe një shpresë të fundit. Duke qenë se në krye të të gjithë formacioneve politike edhe të atyre që u formuan mbas Dhjetorit 1990, dolën përfaqësues të spikatur të inteligjencias së kryeqytetit, d.m.th., “intelektualët e shquar, shpresa ishte se ndryshimi do të mund të shkonte në një kahje tjetër, që do të ishte më pozitive, se sa po të kishte përmbysje radikale të parisë.

Këta individë, “intelektualët tanë të shquar”, siç filloi t’i quante edhe Ramiz Alia, ishin të lidhur me njëmijë fije e pazgjidhshmërisht, me sistemin e atëhershëm e me parinë sunduese. Nga një anë, ata ishin të përdorur nga paria, por edhe të përndjekur, sepse sistemi i shihte gjithnjë me dyshim. Shumica ishin edhe me hije, sepse ishin të vetëdijshëm për përpjekjen e sistemit për t’i deformuar me metodën kineze, por edhe të frikësuar prej poshtërsive të panumërta që kishin kryer për të arritur aty ku ishin e për të mbijetuar. Por, nga ana tjetër, ata ishin edhe më afër popullit; shumica jetonin si populli, kishin edhe mbështetjen e shumë teknokratëve, që iu ishin bashkëngjitur dhe gëzonin legjitimitet të mjaftueshëm për të marrë përsipër rolin udhëheqës. Kështu pra, kishte mjaft shpresë se alternativat që do të zgjidheshin nga “intelektualët e shquar” do të ishin në shërbim të një të ardhmeje, që do të ishte e menduar mirë, më e baraspeshuar dhe në të mirën e të gjithëve.

Edhe në periudhën kritike të përplasjeve e të paralizës institucionale, që zgjati deri në zgjedhjet e 22 Marsit 1992, ishte e mundur që të zgjidheshin alternativa mbarëshqiptare, që do të krijonin mundësitë për ndërtimin e një shoqërie bashkëkohore, në të mirë të të gjithë shqiptarëve. Mirëpo, nuk ndodhi kështu. Paria e deridjeshme ka përgjegjësitë e saj të padiskutueshme, por përgjegjësia kryesore i mbeti inteligjencies së kryeqytetit dhe prijatarëve të saj, “intelektualëve të shquar,” atyre që morën përsipër barrën e ndryshimit të sistemit.

Inteligjencia, si shtresë e dallueshme shoqërore në sistemin parti-shtet, nuk u paraqit në nivelin e duhur. Zgjidhjet e saj ishin thellësisht të gabuara. Inteligjencia e kryeqytetit, profesorati universitar, por edhe intelektualët si shtresë shoqërore, e tradhëtuan popullin me një shpirtngushtësi e mendjengushtësi të frikshme. Ata u sprovuan të ishin krejtësisht të paaftë të ngrihen në nivelin e duhur. Këta “intelektualë të shquar’’ e braktisën misionin e tyre historik të shpëtimit të kombit. Ata u turrën që të bëheshin si paria e deriatëhershme sunduese. Me kohë u pa se ata nuk synonin shpëtimin e popullit por synonin ta zëvendësonin parinë sunduese me klanet e tyre.

Pse e them këtë? Ka shumë argumente por më kryesorja, është zgjidhja e gabuar ideologjike. Zgjidhja që duhej të bëhej në atë pikë kthese historike, duhej të ishte, pikë së pari, ideologjike. Cila ideologji do të udhëhiqte rrugën e ndryshimit? Mbi çfarë baze ideologjike, do të bëhej ndryshim? Cilat do të ishin përparësitë? Si duhej të përdoreshin burimet njerëzore dhe materiale? Si duhej të ndërtoheshin strukturat që duhej të mbronin interesat e shqiptarëve. Paria dhe intelektualët zgjodhën vendosjen e një sistemi ekonomik që do të ishte jashtë kontrollit të shtetit. Pika e fillimit do të ishte nga zero, d.m.th. do të hidhej mënjanë gjithçka që ekzistonte. Parulla e ditës ishte se Gramoz Pashko kishte marrë çekun e bardhë. Teoria më e përhapur ishte shock therapy.

Mirëpo, zgjidhja që bëri paria dhe inteligjencia ishte e qëllimshme, e vetëdijshme, dhe në të njëjtën kohë, shumë e gabuar. Zgjidhja u bë duke e konsideruar gjendjen, si dhe rrugë-zgjidhjen, nga këndvështrimi i interesit të saj të ngushtë. Ajo nuk u bë duke u nisur nga interesi kombëtar.

Më së pari duhen konsideruar alternativat ideologjike që kishim. Alternativa dhe rruga në të cilën duhej që të ecte shoqëria shqiptare do të ishte e përcaktuar, detyrimisht e kushtimisht, nga njëra prej tri ideologjive sunduese të kohës sonë, d.m.th., nga marksizmi, liberalizmi dhe nacionalizmi. Për shkak të përvojës me sistemin totalitar parti-shtet e thellësisht despotik enverist, prej edhe nga vinim, marksizmi, në çdo variant, edhe në atë variantin e zbutur social-demokratik europiano-perëndimor, dukej se, në atë pikë kthese historike, ishte i papranueshëm për shumicën e shqiptarëve. Për shkak të përbërjes komplekse shoqërore e të vlerave sunduese, si dhe të mangësisë së rrënjëve të qëndrueshme të çdo sistemi fetar ndër shqiptarët, çdo ideologji e mbështetur në qytetërimet e veçanta ishte, po ashtu, e papranueshme dhe, në fakt, shumë e rrezikshme.

Pika e vetme ku mund të fillohej ishte se shqiptarët mbahen bashkë me vetëdijen se janë një grup etnik. Shqiptarët janë i vetmi komb në Ballkan që mbahet me vetëdijen e lidhjes së gjakut e të gjuhës e jo të fesë e të elementëve të tjera të identitetit. Vetëdija e lidhjes së gjakut i zbut të gjitha pasojat e dasive të tjera. Vetëm ajo vetëdije i shmang përplasjet e grupimeve që mbështeten në ideologjitë fetare e përkatësitë në qytetërimet e ndryshme.

Në realitet, ndërtimi i së ardhmes duhej që të mbështetej e të formulohej në bazë të njërës nga dy ideologjitë e tjera, dm.th., çdo projekt transformativ duhej ndërtuar, duke u mbështetur ose në nacionalizmin, ose në liberalizmin. Gjithsesi, sistemi shoqëror që do të ndërtohej, duhej të ishte i mbështetur parimisht në shtetin demokratik kombëtar e në tregun e lirë. Por, me një identitet të fortë shoqëror, teprimet e pritshme dhe dhimbja e padiskutueshme shoqërore që do të shkaktonte ndrrimi i sistemeve, do të balancoheshin e do të korrigjoheshin brenda një kohe të arsyeshme. Ecuria e mëpastajme e tranzicionit do të përcaktohej nga balancimi i vazhdueshëm midis këtyre dy strukturave jo harmonike ndërmjet tyre të organizimit shoqëror – tregut dhe demokracisë – pikërisht sepse bashkësia ligjore-politike, shtrati ku do të vendoseshin këto struktura modernizuese e transformuese, do të ishte relativisht më e fortë, dhe në gjendje me përballue krizat e mundshme e të pritshme që do të vinin nga zigzaget e ekonomisë. Identiteti kombëtar do të ndihmonte shumë në ruajtjen e fabrikës shoqërore e në shmangjen e efekteve tejet negative të këtyre krizave. Duke qenë një shoqëri e orientuar nga një identitet i qartë kombëtar, ekstremet, që janë kaq të pranishme në shoqëritë me zhvillim të njëanshëm, ose të përkushtëzuara nga besnikëria e ngurtë ndaj një ideologjie politike, do të shmangeshin. Me shmangjen pragmatike e metodike të ekstremeve ideologjike, shoqëria e re do të mbrrinte, vazhdimisht e periodikisht, në një ekuilibër të ri të qëndrueshëm, që do të ishte në shërbim të qytetarëve e të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Për fat të mirë, në një numër regjistrimesh, është ruajtur kjo pikëpamje e imja, qysh atëherë shumë koherente, në lidhje me rrugën që duhej të ndiqej në atë pikë.

Mirëpo, përgjegjësia ishte e dikujt tjetër. Zgjidhja e vërtetë kërkonte shumë përgatitje, largpamësi, vëmendje profesionale, vetëdije ideologjike e përkushtim qytetar. Mbi të gjitha, kjo kërkonte marrjen e përgjegjësive historike nga ana e parisë dhe e inteligjencias së kryeqytetit. Në veçanti, brenda kësaj shtrese, kjo kërkonte marrjen e përgjegjësive prej grupit të dallueshëm të “intelektualëve të shquar,” të profesoratit universitar, e të profesionistëve teknokratë. Këta grupime kishin mbështetjen e jashtëzakonshme të masave të gjëra popullore dhe gëzonin respekt të madh.

Këtu më duhet që ta sqaroj pak më shumë nevojën e vendosjes së balancës midis parimeve bazë të ndërtimit të shoqërisë e të zgjidhjeve afatshkurtra e pragmatike që duhej të bëheshin, që nga ajo pikë e në vazhdimësi, në të ardhmen. Nga një anë, për të qënë i suksesshëm, sistemi që do të vendosej duhej të ishte i ndërtuar mbi një ideologji të qartë kombëtare. Kësisoj, duhej që strukturat ekonomike e politike që do të ngriheshin të ishin konsistente në lidhje me parimet ideologjike në bazë të të cilave do të ndërtohej shoqëria e së ardhmes. Nga ana tjetër, me që shoqëria s’mund të ishte thjesht e njëanshme, sistemi që do të ndërtohej duhej që të përmbushte shumë kritere të tjera, të lidhura me organizimin kompleks të shoqërisë e me vlerat e saj të veçanta. Prandaj, në atë pikë historike, përtej domosdoshmërisë së ndjenjës kombëtare e të shërbimit publik, nga ana e parisë dhe e intelektualëve tanë, duhej edhe një dozë e madhe pragmatizmi e idiosinkracie politike. Përvoja ka treguar se çdo sistem që ndërtohet vetëm e vetëm në bazë të një parimi, dhe që e vë të gjithë shoqërinë në shërbim të strukturës së ndërtuar mbi atë parim, sidomos kur parimi është i ndjekur e i zbatuar në mënyrë ekstreme e dogmatike, është i destinuar të dështojë, qoftë ky nacionalizmi ekstremist i Koresë së Veriut, oligarkia e nji familjeje si në Arabinë Saudite, teokracia në Iran e kështu me rradhë.

E keqja është se, si mbas vitit 1944, ashtu edhe mbas vitit 1990, paria sunduese e Tiranës zgjodhi rrugën më të lehtë për atë vetë; atë të ruajtjes së sundimit të saj e jo rrugën e shërbimit të interesit kombëtar. Rruga e ruajtjes së pushtetit përcaktohej përmes vendosjes së një sistemi të ngrirë, eksperimental dhe ekstremist ideologjik të njëanshëm, të zbatuar në mënyrë dogmatike. Ky sistem, një model ekonomik i ndërtuar mbi parimin laissez faire, laissez passé, ishte plotësisht i përshtatshëm për parinë. Ajo kishte dijet, profesionalizmin, lidhjet e aftësitë për t’u pasuruar shpejt e në mënyrë marramendëse. Por, ky model ishte qartësisht në kundërshtim me interesat e të gjithë shqiptarëve, si individë e si komb, edhe pse njerëzit e thjeshtë nuk e kuptonin gjendjen kështu. Përfundimi qe i trishtë: në shtetin shqiptar u ndërtua “kapitalizmi” me karakteristika tipike katundare, një rast i veçantë në historinë bashkëkohore të ndërrimeve të sistemeve shoqërore.

Nga ana e vet, paria kishte ndërmend të ndërtonte një sistem tjetër, jo sistemin e kapitalizmit katundar. Duhet të kujtojmë se në vitin 1944, u kopjuan një herë jugosllavët e, më pas, sovjetikët. Në vitin 1991 e mbas, paria sunduese nuk e modeloi sistemin politiko-ekonomik sipas përvojave të njohura evropiano-perëndimore. Paria sunduese, që doli në krye të shtetit, tashmë ishte një përzierje e rrezikshme e profesoratit, teknokratëve dhe elementëve të parisë sunduese. “Intelektualët e shquar” dhe paria sunduese ishin ata që i dhanë drejtimin ndryshimit, duke zgjedhur rrugën më të keqe të mundshme për shqiptarët.

Paria përqafoi variantin ekstremist të ndërtimit të një kapitalizmi kleptokratik, sundimin prej hajnave që vjedhin shtetin që, deri atëherë, praktikisht, ishte pronari i vetëm, e kështu ata bëhen borgjezia e re. Ky ishte një model që ata e kishin njohur vetëm nëpër librat që kishin lexuar në shkolla e që ata e kishin parë vetëm në sipërfaqe, përmes lenteve ideologjike enveriste e, disa prej tyre, përmes eksperiencave që kishin pasur në vizitat e tyre në Perëndim.

Në formën e tij ideale, mbas shkatërrimit të shtetit, kapitalizmi që do të ndërtohej në shtetin shqiptar, simbas konceptimit të parisë, kushtimisht duhej që të ishte një kapitalizëm ekstremist, që “do të ndante shapin nga sheqeri” e do të ndërtonte një shoqëri klasore. Ideja e kapitalizmit shqiptar duhej të ishte e modeluar simbas modeleve të analizave të kapitalizmit të shekullit të 19-të, të interpretimeve të propagandës enveriste, të interesave vetjake të parisë, të sugjerimeve eksperimentale të këshilltarëve gjysmakë dhe të mendësisë katundare të shumicës dërmuese të popullsisë. Dikush do të bëhej borgjezia e dikush do të bëhej proletariati. Fajin do ta mbante logjika e sistemit të ri që do të vendosej, jo vetë paria, që kështu i lante duart me popullin. Simbas logjikës së parisë, në se dikush nuk arrin që të bëhet borgjezia, atëherë faji është i tiji dhe jo i sistemit. Sistemi, sipas parisë, po i krijonte mundësinë e pasurimit gjithkujt. Por, shtresa që i kishte të gjithë avantazhet ishte vetë paria.

Mirëpo, ky variant i kapitalizmit ekstrem, që do të ndërtohej në shtetin shqiptar, do të ishte një xhungël shoqërore dhe jodemokratike. Marrëdhëniet shoqërore do të ishin të bazuara në paranë, në interesin material, në përfitimin e paskrupullt, si dhe në kundërvlera e në sjelljen amorale. Si një masë njerëzish që nuk ndajnë asgjë të përbashkët ndërmjet tyre, përveç interesit vetjak material, kjo nuk mund të quhet shoqëri. Nuk ka shoqëri njerëzore të bazuar vetëm në interesa. Individët ndjekin objektivat e tyre në mënyrë racionale por shoqëritë nuk mund të ekzistojnë nëse nuk ka një sistem vlerash që qëndron jashtë kontrollit të një individi dhe që buron nga një identitet i përbashkët. Shoqëritë janë të bazuara, para së gjithash e pa mëdyshje, në vlera morale, në besim të ndërsjelltë e në identitet të fortë. Prandaj edhe përkufizohen si shoqëri. Kjo strukturë e re shoqërore që do të ndërtohej, nuk mund të ishte një shoqëri normale tregu të institucionalizuar, e bazuar në parësinë e marrëdhënieve ekonomike, por edhe e lidhur simbiotikisht me një shtet të konsoliduar, efektiv dhe me vlera të spikatura shoqërore. Kjo nuk ishte e nuk është një shoqëri kombëtare që mbështetet në një kapital të jashtëzakonshëm shoqëror që e mban shoqërinë të lidhur bashkë edhe në periudha krize të gjithfarllojshme. Kjo nuk ishte e nuk është një shoqëri moderne demokratike, me vlera, me identitet e që synon përmbushjen e ruajtjen e dinjitetit njerëzor. Kjo do të ishte një xhungël kapitaliste.

Duhet theksuar se zgjidhja që duhej bërë, në fund të vitit 1990, por edhe mbas asaj pike kthese historike, nuk ishte e lehtë sepse kishte presione të fuqishme nga të gjitha anët. Por, gjithsesi, zgjidhja ishte në një masë të madhe, në duart e parisë sunduese e të inteligjencës. Zgjidhja ishte, posaçërisht në duart e “intelektualëve të shquar,” dhe e profesoratit universitar. Këtyre individëve, iu dha hapësirë në shtypin partiak, apo u konsideruan si lojtarë të mundshëm. Ndër ta ishin, bie fjala, Ismail Kadare, Sali Berisha, Fatos Nano, Ylli Popa, Gramoz Pashko, Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Rexhep Mejdani, Kastriot Islami, Neritan Ceka, Genc Ruli, Lufter Xhuveli e mjaft të tjerë. Disa nga këta “intelektualë të shquar,” të promovuar edhe nga paria, dolën në krye të formacioneve politike që u formuan në atë kapërcyell historik.

Nga ana e vet, populli shqiptar ishte tejet i papërgatitur, intelektualisht, shpirtërisht, por edhe moralisht, për të bërë zgjidhjen e duhur. Deformimi mendor dhe shpirtëror i popullit shqiptar gjatë sistemit enverist kishte arritur nivele të frikshme. Në atë pikë kritike, shumica e shoqërisë shihte ëndrra me sy hapur dhe besonte në mundësinë e ndërtimit të një shoqërie të sheqerosur, d.m.th., të një shoqërie që reflektonte limonatat që shihte përnatë në televizionin italian. Urrejtja për shtetin shtypës, urrejtja për çfarëdo projekti modernizues (në shumë sfera të jetës, sistemi enverist ishte një sistem teknokratik, modernizues e shkencor), si dhe idealizimi absurd i të shkuarës familjare e historike ishin sentimente të ndjeshme në masa të gjera të popullsisë.

Mbi të gjitha, duhet theksuar se niveli i varfërisë materiale e morale, ishin të skajshme e lehtësisht mund të thuhet, në nivele tronditëse. Pa frikë mund të thuhet edhe se masat e gjëra shoqërore, veçanërisht fshatarët që tashmë jetonin në ferma, katundarët, por edhe shtresat e proletarizuara qytetase, nuk ia kishin idenë, as shoqërisë së re që duhej të ndërtohej, as mënyrës se si do të funksionohej në atë shoqëri. Masat e gjëra të popullit nuk e dinin se si do të shkohej në atë rrugë. Pakkush nga këto shtresa dhe nga paria dytësore e asaj kohe, e dinte se çfarë e ardhmeje do t’i priste shqiptarët. Masat e njerëzve donin thjesht që të ndryshonin sistemin ekzistues me shpresë se e ardhmja do të ishte më e mirë. Por, edhe në rastin më të mirë, e ardhmja që imagjinonin shumica dukej si përshkrimet e jetës së idealizuar të stërgjyshërve të tyre.

Shpresa, apo më mirë bindja kolektive, ishte se, tashti që do të ndryshohej sistemi, bota e huaj do të bëhej njerka që do të kujdesej përjetë për shqiptarët, sepse këta “përmbysën” komunizmin. Këta njerëz, nga ana e tyre, dukej se nuk e mendonin asnjëherë se të nesërmen e përmbysjes së sistemit, ata duhej të shkonin në punë e se jeta e përditshme do të vazhdonte, pak a shumë, në hulli të njohura për ta. Karrocieri nuk mund të bëhej bankier brenda natës e kooperativisti nuk bëhej dot fermer.

Njëri nga mësimet që nxirret nga revolucionet e ndryshme është se ritmi i jetës njerëzore e struktura shoqërore nuk ndrron në sinkroni me ndrrimin e sistemit politik. Në fakt, revolucionet përfundojnë duke i ndërtuar strukturat shoqërore, për një kohë, në mbështetje të interesave të shtresave të gjëra që mbështesin parinë e re sunduese në projektin e saj. Ashtu si kishin ecur proceset në sistemin e përçudnuar të partisë-shtet, njerëzit, thjesht, nuk donin të punonin as për shtetin e as për kënd tjetër. Mirëpo, realiteti ishte krejt ndryshe nga ëndrrat e tyre. Ishte detyra e parisë që punonte me të gjithë mjetet për t’ua bërë të qartë njerëzve këtë gjë.

Ashtu siç thotë Karl Polanyi në Transformimin e Madh, koha kishte ardhë që lavjerrësi të shkonte nga ana tjetër. Në rastet e tjera të tranzicionit, në Europën Qëndrore e Lindore, lavjerrësi po shkonte nga shteti tek tregu, por shteti po ruhej. Në shumë vende ish-socialiste, shtetet dhe strukturat qeverisëse ofronin parimin bazë të ndërtimit të shoqërisë që ishte, me pak variacione, nacionalizmi. Shoqëritë e vendeve evropiano-lindore e kishin ruajtur në formë rudimentale ose e zhvilluan shpejt mekanizmin mbrojtës ndaj tregut ekstrem. Paritë e tyre sunduese, në rastet e çekëve, sllovakëve, polakëve, hungarezëve e deri tek rumunët e bullgarët, e ruajtën dhe e kultivuan atë mekanizëm shoqëror, identitetin kombëtar, duke mos e lënë tregun që të formësonte shoqërinë e kombin e tyre. Në këtë mënyrë ata ruajtën, së pari, shtetin e tyre. Siç argumentonte edhe Polanyi, shteti është struktura që e bën të mundur kapitalizmin, tregun, por dhe vetë iluzionin e tregut të lirë. Në rastin shqiptar, lavjerrësi po shkonte nga një absurd ideologjik në një absurd tjetër ideologjik, nga enverizmi despotik tek kapitalizmi mançesterian i shekullit të 19-të. Në këtë rast, absurdi ideologjik do të ishte “ndërtimi i kapitalizmit”, por me karakteristika të theksuara katundare shqiptare.

Përfundimisht, zgjidhja iu la në duar parisë sunduese dhe shtresës së inteligjencies të maskuar nga “intelektualët e shquar”, të lidhur pazgjidhshmërisht me parinë e që ishte pjesë e saj. Pse ndodhi kështu? Në një farë mënyre, kjo ndodhi për shkak të padijes së gjerë popullore, të kontrollit të rreptë dhe efektiv mbi proceset nga paria e nga strukturat e saj, si dhe të nevojës imperative të ndërkombëtarëve për stabilitet rajonal. Arsyeja kryesore është e lidhur me aftësinë e eksponentëve të parisë, për të drejtuar kahun e diskursit politik dhe procesin e vendimmarrjes, ashtu siç donin ata vetë. Deri dje, ata kishin qenë të vetmit që kishin dije për botën e huaj. Kështu ata ishin bërë të domosdoshëm edhe për sistemin e ri. Pa pikë dyshimi, ata e shfrytëzuan këtë monopol që kishin deri në maksimumin e mundshëm. Jo vetëm që eksponentët e parisë së deridjeshme ishin në politikë duke mbrojtur interesat e tyre; ata ishin edhe në kontroll të strukturave politike e të informimit. Mundësia e tyre për të ndikuar ishte, paradoksalisht, shumë më e ndjeshme se kishte qenë deri në atë pikë, kur ata, dhe sistemi që kishin kontrolluar deri atëherë, ishin tejet të diskredituar si shtresë. Tashmë, si individë, ata mundën të rikrijonin vetveten e reputacionin e tyre.

Edhe mbas zgjedhjeve të 22 Marsit 1992, u pa se njerëzit ishin të gatshëm që të ndiqnin në një strukturë binare, të dy palët, parinë sunduese dhe inteligjencian, që tashmë ishte duke u bërë pjesë integrale e saj, por që po shihte mundësinë e zëvendësimit të parisë sunduese. Me abdikimin e pushtetit nga ana e parisë sunduese, dhe me përqëndrimn e brezit të dytë të parisë në ekonomi, inteligjencia e deridjeshme e kryeqytetit, tashmë ishte në metamorfozë. Nga një shtresë e ndrojtur dhe e ndrydhur, ajo po bëhej pari e mirëfilltë politike duke spostuar pjesë të parisë së mëparshme. Ajo ishte e veshur me pushtet politik, kishte legjitimitet e mbështetje të gjerë, dhe gradualisht filloi të fitonte terren edhe në kontrollin e ekonomisë. Deri në atë pikë, inteligjencia kishte qenë në shërbim të pakushte të parisë së Tiranës.

Tashti, inteligjencia ishte kthyer e po luante si sparring partner serioz politik po i parisë sunduese që, nga ana e vet, mundohej ta mbante peng me një mijë fije të ndryshme. Por, duke e parë fuqinë e ndikimin që kishte e që mund ta shumëfishonte me një populizëm ordiner, profesorati universitar dhe inteligjencia e kryeqytetit, po fillonin, pak me ngathtësi, që t’i kundërviheshin parisë, së cilës i kishin shërbyer deri atëherë edhe me frikë, edhe me besnikëri. Tashmë, inteligjencia, që në një farë mënyre kishte qënë pjesë e parisë dytësore, politikisht e shtypur dhe e kontrolluar në mënyrë të shumëfishtë, e ndjente qartë fuqinë e ndikimin e saj në rritje dhe po aspironte që të bëhej pjesë integrale e parisë, në mos që ta zëvendësonte atë.

Mirëpo, edhe duke vepruar kështu, ajo po bënte lojën e vetë parisë sunduese e të gardës së saj pretoriane. Arsyeja është e thjeshtë. Duke i lënë mënjanë përplasjet e sipërfaqëshme, sherrin mediatik, burgosjet sa për sy e faqe e sharjet gazetareske, paria e deridjeshme, “intelektualët e shquar” dhe inteligjencia, në përgjithësi, pajtoheshin në pashmangshmërinë e vendosjes së një sistemi kapitalist ekstrem, me kushtin e vetëm që të ishte në shërbim të tyre.

Të gjithë palët pajtoheshin në vlerat ideologjike, në synimet e objektivat që i kishin vënë vetes, si dhe në metodat që do të ndiqnin për të arritur objektivin e transformimit të tyre nga pari sunduese enveriste, dhe nga inteligjencia enveriste, në pari dhe borgjezi e re sunduese në shtetin shqiptar. Mirëpo, në majë të piramidës nuk ka vend për shumë njerëz. Beteja e klaneve të parisë ishte se kush do të dilte më i fuqishëm brenda shtresës së parisë sunduese që po ristrukturohej e po riformësohej me shpejtësi. Ashtu si ndodhte në Anglinë e shekullit të 19-të, segmentet e parisë, të organizuar në partitë politike hidhnin baltën e pamasë mbi njëri-tjetrin. Megjithatë, të dyja palët kishin rënë dakord, ose haptazi, ose me mirëkuptim të heshtur, që, më së pari, të zhysnin në baltë popullin shqiptar.

Nga ana e vet, paria sunduese e shihte metamorfozën e përgjithshme që po ndodhte si një përmbysje të sistemit enverist dhe si një fitore të kundërshtarëve të deridjeshëm ideologjikë, të cilëve shpejtoi që t’iu bashkëngjitej me një arrivizëm shembullor. E ardhmja, në sytë e të gjithë pjestarëve më të rëndësishëm të saj, do të ishte ndërtimi i pashmangshëm i kapitalizmit. Meqë duhej ndërtuar kapitalizmi, atëherë, paria enveriste ia vuri vetes objektivin e luajtjes së rolit qëndror në këtë proces. Mirëpo, kapitalizmi që kishte ndërmend të ndërtonte paria nuk ishte një kapitalizëm i mbajtur nën fre nga strukturat shtetërore, nga strukturat shoqërore dhe nga një sistem i qëndrueshëm kulturor. Paria ndjehej shumë e shtypur nën sistemin enverist, pikërisht nga këto shtërngesa, që formalisht nuk e lejonin që të sillej ashtu si donte. Prandaj, ky sistem ekonomik që do të ndërtohej nuk duhej të ishte i rrethakuar nga vlera të qëndrueshme morale, fetare, tradicionale apo nga një identitet i fortë. Në shumë vende të tjera, kishin qënë pikërisht këto aspekte të shoqërisë që e kishin lejuar kapitalizmin të lulëzonte por, gjithnjë, duke qënë nën një kontroll të rreptë të strukturave të shtetit.

Kapitalizmi që ata kishin ndër mend të ndërtonin, siç edhe e përmenda më parë, ishte pak a shumë kapitalizmi ekstrem i përshkruar nga Engelsi në studimin Gjendja e Klasës Punëtore në Angli. Për të ndërtuar atë strukturë të përçudnuar ekonomike në shtetin shqiptar, paria e Tiranës e zgjidhi zinxhirin e kontrollimit të tregut nga sistemi mbikqyrës i shtetit e nga vlerat e vërteta shoqërore. Jo vetëm aq, ajo e çliroi vetveten, më mirë me thanë e zhveshi vetveten, nga mburoja e parzmores së vlerave shoqërore që e kishte mbajtur të lidhur e nën shtërngesë deri atëherë, anipse nën një sistem të përçudnuar, si sistemi enverist. Vlerat që paria dhe inteligjencia i kishin paraqitur publikisht deri atëherë, dhe që ishin një nga burimet kryesore të mirëbesimit të shoqërisë tek kjo shtresë, kishin maskuar shpirtrat e tyre të zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore, meskinë e të untuar deri në ekstrem. Ata që e kishin zhvilluar e përsosur çdo teknikë për minimin e efektivitetit të shtetit, u zbuluan jo si skile, një term makiavelian që përdorej shpesh në rrethet burokratike e partiake të asaj kohe, por si hiena.

Pengesa më e madhe në përmbushjen e planeve të tyre ishte shteti, d.m.th., shteti ligjor, i cili të imponon një sjellje të caktuar dhe funksionon në një mënyrë të tillë që e depersonalizon autoritetin. Njeriu më të cilin jep e merr në zyrë, nuk është më kushëriri që të kryen punë, por zyrtari, shërbëtori i shtetit që zbaton ligjin me drejtësi. Paria kërkonte jo që të manipulonte ligjin duke mbetur brenda ligjit, çka do t’i kualifikonte si skile, por që ta hiqte krejt qafe.

Arsyeja është se çdo lloj shtërngese e tillë, morale apo ligjore, nuk do ta lejonte parinë e vjetër e të re që të përmbushnin planet e tyre identike. Po për këtë arsye, paria e ka kundërshtuar sistematikisht, dhe vazhdon ta kundërshtojë edhe sot e kësaj dite ndërtimin e çdo strukture shtetërore autonome, që nuk i shërben ekskluzivisht asaj. Paria nuk pranon vendosjen e një shteti ligjor. Ajo e ka pranuar dhe nuk pranon ndërtimin e institucioneve që nuk janë të vëna pa kushte në shërbim të saj.

Kështu, përkundër deklarimeve të tyre për demokraci, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të slloganeve të tjera, që përdoren pa kursim në propagandën e saj, paria, dhe inteligjencia e vënë në shërbim të programit të parisë, me vetëdije të plotë, u turrën për të ndërtuar sistemin që iu shërbente atyre. Vetëm e vetëm pse idetë e tjera nuk iu shkonin sipas interesave, ata i konsideruan të gjithë këto sisteme shoqërore, politike, morale e kulturore, e që ishin faktikisht jetike për shqiptarët, si dytësore e të parëndësishme. Mbasi ua shitën shqiptarëve shock therapy si çlirim ekonomik dhe konceptin e lirisë, si shkatërrim të shtetit, ata u turrën për “të ndërtuar kapitalizmin”. Natyrisht, qëllimi i tyre ishte që vetë të bëheshin borgjezia e shtresa sunduese në këtë sistem të ri. Fundi i procesit kalimtar të metamorfozës së tranzicionit do të ishte ndërtimi i një sistemi kapitalist në të cilin paria do të kontrollonte gjithçka dhe në të cilin të gjithë shqiptarët do të shisnin krahun e punës dhe do të shndrroheshin në proletariatin modern. Paria e Tiranës, tashmë e transformuar dhe e zgjeruar, do t’i bashkohej borgjezisë. Ky do të ishte fundi i të gjitha proceseve modernizuese si dhe fundi i historisë ndër shqiptarët. Sipas propagandës së parisë, fundi i modernizimit dhe i historisë ishte se shqiptarët, “populli më i vjetër i Evropës,” po ktheheshin në gjirin e qytetërimit mëmë. Ky ishte një argument që theksonte vlera dhe identitet. Në të njëjtën kohë, për parinë enveriste, fundi i rrugëtimit të saj do të integrimi i saj në borgjezinë ndërkombëtare, mundësisht në borgjezinë e lartë.

Duhet theksuar se paria, dhe në veçanti, eksponentët kryesorë të saj, e kishin një ide shumë të qartë se cilat ishin rrugët që duheshin ndjekur. Ata kishin qenë në Perëndim, e kishin parë botën e huaj, kishin jetuar me vite atje, kishin studiuar edhe modelet perëndimore, e kishin kritikuar apo analizuar si kapitalizmin ashtu edhe liberalizmin dhe ia njihnin shumë mirë të gjitha anët sistemit që do të ndërtohej në shtetin shqiptar. Aq më tepër, që shumë nga ekspertët e sistemit të mëparshëm, kishin bërë studime, disa edhe shumë të detajuara, lidhur me shoqëritë e tjera në tranzicion. Prandaj, përpjekjet e tyre të mëvonshme e sistematike, për t’i paraqitur zgjidhjet e bëra si të kushtëzuara nga të huajt, nga gjendja e vendit, nga padija e popullit e të tjera argumente të tilla, janë thjesht justifikime të papranueshme propagandistike.

Zgjidhja që ata bënë, e për të cilën do të mbajnë përgjegjësi historike, ishte ndërtimi i kapitalizmit katundar shqiptar ku parimi i vetëm i aplikueshëm do të ishte “o Mete, për vete.” Një shoqëri që ndërtohet në bazë të një parimi të tillë, është e destinuar që të dështojë, pa arritur që të bëhet funksionale, sepse nuk mund të bëhet asnjëherë funksionale. Një mendësi e tillë nuk do të lejonte ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, të një shteti funksional, të një kulture politike e të një sistemi të konsoliduar vlerash, të gjitha këto elemente që mbajnë bashkë shoqëritë e tjera. Mirëpo, një “shoqëri” materialiste dhe e zhveshur nga këto vlera jetike, i shërbente për bukuri arritjes së objektivave të tyre.

Shkurt, vendosja e një sistemi materialist që funksionon simbas parimit homo hominis lupus est, d.m.th., një sistem ku “njeriu për njeriun është ujk”, në të cilin do të merrej e jepej në bazë të interesave e të fuqisë, ishte një zgjidhje e qëllimtë nga ana e parisë së Tiranës. Kjo ishte një zgjidhje në shërbim të interesave të saj të ngushta. Kjo zgjidhje nuk ishte në shërbim të interesave të të gjithë shqiptarëve, të cilëve, edhe pse nuk e dinin se sa jetike ishin për ta, i duheshin të gjithë ato struktura e vlera që përmenda më lart. Duke vepruar ashtu, paria dhe inteligjencia shkaktuan një dëm të jashtëzakonshëm por, njëkohësisht, ata edhe morën mbi vete një përgjegjësi historike të pajustifikueshme.

Ndërtimi i sistemit kapitalist, simbas modelit të imagjinuar marksist, u bë objektivi i gjithanshëm i tranzicionit në shtetin shqiptar. Çdo reformë ishte e lidhur apo në funksion të arritjes së këtij objektivi. Një pjestar i rrethit më të ngushtë të parisë, dhe “intelektual i shquar,” Gramoz Pashko, nxori teorinë e “çekut të bardhë”, që do vinte nga Amerika. Të tjerë, si Ylli Bufi, i nxorën njerëzit në rrugë me thirrjet se kemi bukë edhe për tre javë. Të tjerë, si Azem Hajdari dhe Sali Berisha iu premtuan minatorëve nga dy-tre makina dhe minatorët i besuan. Paketa e premtimeve të parealizueshme dhe përpjekjet e stërholluara për të terrorizuar mendjen e njerëzve krijuan një gjendje anormale, të papërsëritur kund tjetër në Evropën Lindore e Qendrore. Fabrikat dhe uzinat u mbyllën. Tokat nuk u punuan më. Pemët u prenë në rrënjë. Makineritë e shtrenjta u shitën për skrap. Minierat u mbyllën. Objektet e pafund, e gjithë pasuria kombëtare, u nxorën në ankand për një copë bukë, apo u shpërndanë me letra me vlerë. Ato objekte e industri që mbetën funksionale iu dhanë koncesion të huajve, si dhe mbështetësve e militantëve respektivë. Ky ishte edhe niveli “zero.”

Pa bazën e duhur industriale dhe ekonominë bujqësore, shoqëria që do të ndërtohej në shtetin shqiptar do të ishte shoqëria e rrugës, e ndërtuar mbi parimet e materializmit ekstrem, d.m.th., ‘shoqëria’ e hajnave, banditëve, matrapazëve, drogaxhinjve dhe trafikantëve. Kjo do të ishte një shoqëri ku njeriu për njeriun do të ishte ujk, ku nuk do të kishte nder, identitet, vlera e dinjitet, përveç parave e vendit që paraja të jep në një shoqëri të tillë. Eksperimente të gjithfarllojshme në të gjitha fushat, disa të mbështetura në agjendën e në vlerat ideologjike të të huajve, që s’dihej prej nga vinin e ku shkonin, u vunë në jetë me rezultate shkatërrimtare. Projektet politike dhe reformat, disa të ushqyera nga interesat e ngushta të eksponentëve të spikatur të parisë sunduese e të “intelektualëve të shquar”, si Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia, Sofokli Lazri, Sali Berisha, Fatos Nano, Xhelil Gjoni, Gramoz Pashko, Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Aleksandër Meksi, Neritan Ceka, Gramoz Ruçi, Anastas Angjeli, Servet Pëllumbi e me radhë, çuan në deformime të jashtëzakonshme e me shumë pasoja për shoqërinë shqiptare edhe në të ardhmen.

Përpjekjen e tyre për të ndërtuar kapitalizmin mançesterian, që përfundoi si kapitalizëm katundar, paria e Tiranës e përcaktoi si “tranzicion”. Si çdo proces kalimtar edhe ky duhej ta kishte një fund. Duke qenë se shumë prej objektivave të tyre ekonomikë e politikë janë arritur, duke qenë se strukturat ekonomike duket se po funksionojnë, duke qenë se superstruktura është relativisht e legjitimuar, si dhe, mbi të gjitha, duke qenë se shoqëria është e lidhur me një mijë fije interesash, kredish, detyrimesh, edhe individuale, bindja e parisë është se tranzicioni ka përfunduar. Tashmë, nuk është për t’u habitur që pjestarët e parisë këmbëngulin se tranzicioni është mbyllur përfundimisht.

Ky sistem ka dështuar por askush nuk po e merr përgjegjësinë për ndërtimin e këtij sistemi që thuhet se është i konsoliduar, edhe pse çmimi që është paguar e që po paguhet nga shqiptarët është i paimagjinueshëm. Është e vërtetë se sistemi që duhej të ndërtohej simbas mendësisë e aspiratave të parisë është ndërtuar si ngrehinë. Nuk ka dyshim se ky sistem është i përbindshëm dhe se, në planin afatgjatë, nuk iu shërben fare interesave të shqiptarëve. Ky është një sistem katundaresk, i bazuar në mashtrimin e paskrupullt, fragmentarizimin, fanatizmin, injorancën, shkatërrimin e familjes, zvetënimin, kriminalitetin, degjenerimin, zhveshjen nga vlerat morale e njerëzore, legjitimimin e hajnisë, korrupsionit të pashembullt dhe shpërdorimit të besimit të qytetarëve. Si çdo shoqëri e ndërtuar mbi parime ekstremiste, edhe kjo është e dënuar të shembet nën peshën e zullumeve e teprimeve të veta.

Koha ka ardhur që lavjerrësi të kthehet në kahjen e normalitetit e të njerëzisë edhe për shqiptarët. Ndoshta para ligjit nuk ka fajtorë, damnum absque injuria, por përpara ndërgjegjes kombëtare e historisë së një populli, nuk mund të kalohen gjërat kaq lehtë. Dënimi të paktën duhet të jetë dënim moral.

Nga ana e saj, paria e Tiranës ia ka arritur që të ndërtojë sistemin ekonomik oligarkik e monopolist, që ajo ka ëndërruar e që e ka dëshëruar. Mirëpo, siç shihet, nga evidenca e përditshme, ky sistem është një përçudnim i çdo shoqërie normale njerëzore. E prandaj, pavarësisht se sa pasuri kanë vënë eksponentët e parisë së transformuar, shembja e këtij sistemi është vetëm çështje kohe. Herët, ose pak më vonë, shoqëria do të kërkojë mekanizmat për t’iu kundërvënë zbrastësisë morale, zvetënimit, varfërimit, dhe mungesës së vlerave. Ata që shkatërruan gjithçka për të fituar vetë e për të përvetësuar gjithçka për vete, nuk kanë e nuk do të kenë kurrë siguri për të ardhmen e tyre. Ata, dhe të gjithë shqiptarët, po shohin përditë se në shtetin shqiptar nuk ka as shoqëri me vlera, as demokraci të mirëfilltë, as shoqëri civile, as ekonomi tregu që zhvillon, as moral, as dinjitet, as stabilitet, e as siguri. Kjo gjendje nuk është normale apo e dëshërueshme për një popull.

Tranzicioni u sprovua të ishte një seri tragjedish njerëzore e mbarëshoqërore, të papërjetuara në ndonjë shoqëri tjetër, që ka sprovuar të kalojë një metamorfozë të ngjashme. Territ duhet me i thanë terr edhe pse dikujt nata i duket dita e vërtetë, sepse veç atëherë nuk mundet me i fshehë pandershmëritë e veta. Çmimi që është paguar e që po paguhet nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht se a janë ata të vetëdijshëm apo jo, nuk mund të matet në vlerë materiale. Sistemi që paria e inteligjencia, tashmë e lidhur në kërthizë me të, luftuan që të ndërtonin është ndërtuar. Por, ky sistem ka qenë i destinuar që në lindje të jetë i dështuar. Alternativa e parisë ka dështuar për t’i dhanë shqiptarëve jetën e të ardhmen që ata meritojnë. Në mënyrë sistematike, shoqëria shqiptare po rrëshqet në drejtimin e një shoqërie të kriminalizuar si Haiti. Kështu si janë ndërtuar strukturat politike, ekonomike e shoqërore, si dhe sistemet e vlerave e ato kulturore, ka shumë pak shpresë për të ardhmen.

Koha ka ardhur për një fillim të ri. Çdo ditë e më tepër kjo bëhet e qartë si drita e diellit. Nevoja për ndryshim është e pashmangshme. Ndryshimi duhet mbështetur në vlerat e vërteta të një populli si shqiptarët, dhe në një projekt të ri modernizues, të balancuar dhe të mbështetur në themelet e forta të elementëve të mëposhtëm. Së pari, në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb. Së dyti, në një sistem politik demokratik. Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj. Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar. Së pesti, në një politikë të jashtme të bazuar në interesin kombëtar. Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes, në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore. Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vlerave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë. Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive. Së nënti, në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, e mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve. Më në fund, por jo më e fundit, ndërtimi i strukturave funksionale të një sistemi partiak politik i cili të avancojë e të mbrojë interesat e bashkësisë me mjete legjitime demokratike.

Çdo përpjekje për ndryshim, qoftë në formën e një programi politik, qoftë në formën e një pakete ndryshimesh ligjore, që nuk mban parasysh këto parime themelore, është e destinuar që të dështojë. Këto elemente janë pjesë e pandashme e çdo projekti për shërimin e përmirësimin e gjendjes. Por, ata që marrin përsipër këtë detyrë, duhet të jenë të përgatitur që të përplasen me një pari që do të përdorë çdo mjet në dispozicionin e saj, edhe në format ekstreme të dhunës e të terrorizmit shtetëror e mafioz, për të ruajtur pushtetin politik, dhe kontrollin mbi ekonominë e mendësinë e popullit që sot e sundon.

(Nga Libri PERRALLAT E TRANZICIONIT SHQIPTAR, 2012)

ZGJEDHJET DHE E KEQJA MË E VOGËL

Dilema kryesore me të cilën përballemi në këto zgjedhje shtrohet kështu. Nga këndvështrimi im, të gjithë palët e parisë së Tiranës janë plehra politike. Të gjithë janë banditë, kriminelë, vrasës, të korruptuar, zhvatës, të degjeneruar, antishqiptarë, antikombëtarë, rrënues të shtetit dhe shkatërrimtarë të ardhmërisë sonë. Të gjithë pa përjashtim. Nuk ka rëndësi a është Trusti i Gështenjave të Tropojës, Orta e Jenicerëve të Skraparit, apo Mafia e Konviktorëve të mbledhur në PS. Të gjithë këta janë pjesë e parisë së Tiranës, uzurpatorë të shtetit, cuba, hajna, që kanë mbledhur një bandë që figurativisht mund të quhet banda e Sali Bajraktarit, banda e Gramoz Lamashit, dhe banda e Ilir Kusarit. Ka edhe disa banda më të vogla por edhe këto banda janë paria e Tiranës. Problemi është se sistemi politik që kanë ndërtuar këta bashkë i ka lejuar që të sillen në këtë mënyrë pa u ndëshkuar dhe duke u paraqitur si të domosdoshëm e të paevitueshëm.

Mirëpo, ka disa vëzhgime që duhen bërë e që nuk duhen nënvlerësuar. Së pari këto janë banda. Si të tilla nuk e kanë vendin në politikë. Prandaj duhet të shkërmoqen e të zhduken nga skena politike e nga jeta shoqërore. Së dyti, sistemi që kanë ndërtuar duhet të shembet. Duhet një fillim i ri. Ky ndryshim fillon duke thënë të vërtetën. Së treti, nuk duhet ti zgjedhim këta si të keqen më të vogël. E keqja më e vogël të mbyt më ngadalë. Së katërti, duhet një forcë e re politike që të punojë për shqiptarët për të mirën e për ardhmërinë e tyre.

Pse partitë e parisë së Tiranës janë banda?

Po ja, të fillojmë e të bëjmë një listë. Këta kanë vjedhur shtetin. Kanë shitur shtetin. Kanë kanë shitur pasurinë kombëtare. E kanë shkatërruar vendin. Kanë mbjellur injorancën. Kanë dëbuar shqiptarët në mërgim. Na kanë vjedhur dinjitetin e nderin. Kanë trafikuar gra, vajza, fëmijë, burra, armë, droga, plehra, ajrin e ambjentin. Na kanë futur në borxh deri në fyt. Na kanë falimentuar. Kanë vjedhur miliarda. Na kanë betonuar tokën e bukës. Na kanë vënë këto bombat e pallateve që i shpërthen një tërmet e na zënë brenda. Na japin të pimë ujin e pijshëm me gjirizin. Ka kanë degjeneruar. Kanë shkatërruar ekonominë. Na kanë bombarduar si në Gërvdec. Lista është e gjatë, shumë e gjatë e dihet nga gjithkush. Vetëm bandat e llojit më të keq sillen kështu. Gjithkund tjëtër i zhdukin bandat e tilla. Pse duhet që ne shqiptarët ti zgjedhim sërish?

Problemi është tek sistemi jo tek njerëzit

Së dyti, problem nuk janë thjesht njerëzit por sistemi. Të gjithë janë dakord me atë që thashë më lart. Kjo do të thotë që të gjithë e dinë që këta janë hajna. Të gjithë e dinë që këta janë kapur në video, me zë, pa zë, me sekserë me ndërmjetës, me dashnore, në shërbim të të huajve, me llogari në banka në Qipro (a i bën dot publike SHIU, SHISH, Gjergj Lezhja, Visho Lika e të tjerët telefonatat që u bënë këto ditë)  dhe spiunët e të gjithë markave e me radhë. Por të gjithë ndalen këtu dhe mandej fillojnë lojën e gishtave. Jo ai e bëri, jo ky dhe mbas një rrahjeje e përleshje ku dalin dashnorët e vajzës, orgjitë, pisllëqet e djalit, koburet, sekserët, dokumentet, fotot, regjistrimet e të tjera…. njerëzit lodhen, vjen skandali i radhës, cudia zgjat tre ditë, faji bëhet qyrk e nuk e vesh njeri. Problemi është tek sistemi. Kur merresh me njerëzit njerëzit ndrrohen. Sjellja e atyre që janë në lojë është e njëjtë. Ndrrimi i sistemit ndrron sjelljen e njerëzve.

Ajo që them unë është se problemi kryesor është sistemi që kanë ndërtuar. Me këtë sistem, do të vijë puna që këta do ju hanë të gjallë, me gjithë lecka e me gjithë pasurinë që e keni fshehur atje tek muri, e me gjithë pasurinë që e keni bërë mure, sepse këta dinë se si të nxjerrin dhjamë nga pleshti. Këta, ju kanë lënë të majmeni një cikë me mjerimin tuaj e me sakrifica që të fërgoheni më mirë sepse kur të vijë dimri i mjerimit, fëmijët e tyre duhet të hanë. Kë do të hanë? Ju do ju hanë.  Këta i trajtojnë shqiptarët si Fermën e Derrave. Përse rriten derrat? Që të hahen. Këtë duan të bëjnë këta. Kështu na shohin këta. Kjo është e vërteta lakuriq anipse e thënë figurativisht. Kjo është e vërteta e dhimbshme. Në dac mbyllni sytë, në dac mbajini hapur, kjo është e vërteta e nuk bëhet tjetër.

Parulla e ditës: Të zgjedhim të keqen më të vogël

            Mirëpo, ky qëndrim i thënë kështu shqeto, popullorce, iu bjen ndesh të gjithëve atyre që punojnë për këto banda. Komentatorët, opinionistët, analistët, shërbëtorët, veglat e tyre mediatike dhe të thashethemnajës, përpunuesit e opinionit, profesorët, ata që hanë e që presin të hanë prej tyre nuk pajtohen me këtë qëndrim. Lufta e tyre kundër këtij përshkrimi të realitetit bëhet në katër plane të ndryshme. Mirëpo objektivi i tyre është i njëjtë. Të gjithë duan të ruajnë e të mbrojnë sistemin e krimit të parisë së Tiranës.

Së pari, ata janë të bindur se zallamahia e shtypit, kakofonia e zërave, dhe tamtami i legenëve zhrumues mediatikë në television e në radio e bën një pikëpamje e një këndvështrim të tillë të duket surreal, irreal, e jonormal për shqiptarët. Kur njerëzit shohin tre orë në ditë rresht në secilin kanal maskarenjtë që shesin dëngla e marrëzira mediatike, ngulen para Big Brother e shohin se si babai e lavdëron të bijën që ka dalë jashtë normales, nuk mund të pranojnë se ka një pikëpamje tjetër si kjo. Kur dëgjon Cim Peken, Henri Cilin, Blendi Fevziun, dreqin e të birin, nuk ke se si të mendosh ndryshe. Kur lexon të Bekuarin Apostolik, Fahr-el-din Balliun, Andrea Stefanin, Mustafa Nanon, Arian Canis, Edmond Tupen, Edison Ypin, dhe sheh Kazanin e Plehrave që është televizioni e këta të tjerët, kjo pikëpamja që shtroj unë është e papranueshme.

Problemi është se të gjithë këta duan të bindin njerëzit se kështu sillet e gjithë bota. Si shembull marrin grekët e italianët. Por harrojnë se grekët dhe italianët kanë shtete të forta dhe njerëz që punojnë për vendin e tyre. Ata kanë identitete dhe kombe të konsoliduara, jo vetëm parti hajnash. Grekët mund të kenë një pari që vjedh por e nxorrën listën e hajnave dhe po i fusin në burg, dhe doli një parti që mudn të mos jetë demokratike e as e pranueshme, por që iu jep strukturë ndjenjave të mospajtimit e të revoltës. Në Itali mund të jetë Berlusconi por doli edhe Lëvizja me Pesë Yje e Beppe Grillo që e paralizoi gjendjen.

Argumenti i tyre kryesor është që të zgjedhim të keqen më të vogël. Argumenti kryesor është se Edi Rama nuk është aq i keq sa Sali Berisha, se PS nuk është si PD, se din të qeverisë e më radhë. Mirëpo, nuk zgjidhet e keqja më e vogël. Kanceri të zë si pive pesë cigare si pive tre paketa në ditë. Doktori nuk të pyet sa cigare pi, por a pi duhan. Dhe si iu përgjigja dikujt që më bëri të njëjtën pyetje zgjidhja nuk eshte qe te mbeshtetet e keqja me e vogel. Zgjidhja është që të ndrrohet sistemi.

 Ja ta sqaroj kështu. Një kancer të vret për një javë. Kanceri tjetër të lë të jetosh dy javë. Mirëpo në javën që ke shtesë jete, do të bjerë tërmet, do të të digjet shtëpia, do të të vdesë nëna dhe do t’i shohësh fëmijët në rrugë të madhe. Në rastin tonë, kjo është e keqja më e vogël. Problemi, pra, nuk është me Edin, Salën, Ilirin këtë apo atë individ. Problemi është me sistemin në të cilin këta funksionojnë dhe që e kanë ndërtuar që t’ju shërbejë atyre. E keqja më e vogël don me thanë që me vdekë një javë më vonë. Por vonimi i efektit nuk është zgjidhja. Zgjidhja që na duhet është shmangja e shkakut që krijon atë efekt. Problemi eshte tek sistemi.

Zgjidhja?

Ashtu si doktori të thotë me një fjalë, “lerë duhanin” zgjidhja e jonë është “të ndrrojmë sistemin.” Të mbështesim e të zgjedhim njerëz që nuk duan të shërbejnë si vegla e si derra për tu majmur e për t’u therur nesër. Shteti dhe sistemet politike, ekonomike, kulturore e shoqërore duhet të vihen në shërbim të qytetarëve. Po të shkoj ndërmend me pyetë se kush janë këta njerëz, shih njëherë veten tende e bëji pyetjen vetes, “a due me kenë njeri apo derr që të më hanë këta?” se po mendove që ua hedh e ke gabim, këta janë mjeshtra, i ka stërvitur uria e konvikteve, dhe mjerimi i një rinie të shkatërrueme dhe derrin ngado që të sillet në thark, këta dinë si ta kapin e ta rrjepin edhe të gjallë. Në mos pac mëshirë për veten, mendo për fëmijët tuaj, për gruan e për motrën. E në mos mundsh të mendosh për kënd tjetër, mendo për varret e prindërve që të kanë bërë kokën e që së shpejti do të mbulohen me plehrat e Italisë e që do ti shkulin të huajt e s’do të lësh as nam as nisham mbi këtë dhe. Në mos mundsh të mendosh as për këto, unë të kërkoj ndjesë që ta kam hangër kohën kot. Ata që do të hanë, nuk do ta thonë as lutjen që thuhet kur bëhet kurbani, sepse nuk thuhet lutja për derrat.