Home » ANALIZA » ZGJEDHJET DHE E KEQJA MË E VOGËL

ZGJEDHJET DHE E KEQJA MË E VOGËL

Dilema kryesore me të cilën përballemi në këto zgjedhje shtrohet kështu. Nga këndvështrimi im, të gjithë palët e parisë së Tiranës janë plehra politike. Të gjithë janë banditë, kriminelë, vrasës, të korruptuar, zhvatës, të degjeneruar, antishqiptarë, antikombëtarë, rrënues të shtetit dhe shkatërrimtarë të ardhmërisë sonë. Të gjithë pa përjashtim. Nuk ka rëndësi a është Trusti i Gështenjave të Tropojës, Orta e Jenicerëve të Skraparit, apo Mafia e Konviktorëve të mbledhur në PS. Të gjithë këta janë pjesë e parisë së Tiranës, uzurpatorë të shtetit, cuba, hajna, që kanë mbledhur një bandë që figurativisht mund të quhet banda e Sali Bajraktarit, banda e Gramoz Lamashit, dhe banda e Ilir Kusarit. Ka edhe disa banda më të vogla por edhe këto banda janë paria e Tiranës. Problemi është se sistemi politik që kanë ndërtuar këta bashkë i ka lejuar që të sillen në këtë mënyrë pa u ndëshkuar dhe duke u paraqitur si të domosdoshëm e të paevitueshëm.

Mirëpo, ka disa vëzhgime që duhen bërë e që nuk duhen nënvlerësuar. Së pari këto janë banda. Si të tilla nuk e kanë vendin në politikë. Prandaj duhet të shkërmoqen e të zhduken nga skena politike e nga jeta shoqërore. Së dyti, sistemi që kanë ndërtuar duhet të shembet. Duhet një fillim i ri. Ky ndryshim fillon duke thënë të vërtetën. Së treti, nuk duhet ti zgjedhim këta si të keqen më të vogël. E keqja më e vogël të mbyt më ngadalë. Së katërti, duhet një forcë e re politike që të punojë për shqiptarët për të mirën e për ardhmërinë e tyre.

Pse partitë e parisë së Tiranës janë banda?

Po ja, të fillojmë e të bëjmë një listë. Këta kanë vjedhur shtetin. Kanë shitur shtetin. Kanë kanë shitur pasurinë kombëtare. E kanë shkatërruar vendin. Kanë mbjellur injorancën. Kanë dëbuar shqiptarët në mërgim. Na kanë vjedhur dinjitetin e nderin. Kanë trafikuar gra, vajza, fëmijë, burra, armë, droga, plehra, ajrin e ambjentin. Na kanë futur në borxh deri në fyt. Na kanë falimentuar. Kanë vjedhur miliarda. Na kanë betonuar tokën e bukës. Na kanë vënë këto bombat e pallateve që i shpërthen një tërmet e na zënë brenda. Na japin të pimë ujin e pijshëm me gjirizin. Ka kanë degjeneruar. Kanë shkatërruar ekonominë. Na kanë bombarduar si në Gërvdec. Lista është e gjatë, shumë e gjatë e dihet nga gjithkush. Vetëm bandat e llojit më të keq sillen kështu. Gjithkund tjëtër i zhdukin bandat e tilla. Pse duhet që ne shqiptarët ti zgjedhim sërish?

Problemi është tek sistemi jo tek njerëzit

Së dyti, problem nuk janë thjesht njerëzit por sistemi. Të gjithë janë dakord me atë që thashë më lart. Kjo do të thotë që të gjithë e dinë që këta janë hajna. Të gjithë e dinë që këta janë kapur në video, me zë, pa zë, me sekserë me ndërmjetës, me dashnore, në shërbim të të huajve, me llogari në banka në Qipro (a i bën dot publike SHIU, SHISH, Gjergj Lezhja, Visho Lika e të tjerët telefonatat që u bënë këto ditë)  dhe spiunët e të gjithë markave e me radhë. Por të gjithë ndalen këtu dhe mandej fillojnë lojën e gishtave. Jo ai e bëri, jo ky dhe mbas një rrahjeje e përleshje ku dalin dashnorët e vajzës, orgjitë, pisllëqet e djalit, koburet, sekserët, dokumentet, fotot, regjistrimet e të tjera…. njerëzit lodhen, vjen skandali i radhës, cudia zgjat tre ditë, faji bëhet qyrk e nuk e vesh njeri. Problemi është tek sistemi. Kur merresh me njerëzit njerëzit ndrrohen. Sjellja e atyre që janë në lojë është e njëjtë. Ndrrimi i sistemit ndrron sjelljen e njerëzve.

Ajo që them unë është se problemi kryesor është sistemi që kanë ndërtuar. Me këtë sistem, do të vijë puna që këta do ju hanë të gjallë, me gjithë lecka e me gjithë pasurinë që e keni fshehur atje tek muri, e me gjithë pasurinë që e keni bërë mure, sepse këta dinë se si të nxjerrin dhjamë nga pleshti. Këta, ju kanë lënë të majmeni një cikë me mjerimin tuaj e me sakrifica që të fërgoheni më mirë sepse kur të vijë dimri i mjerimit, fëmijët e tyre duhet të hanë. Kë do të hanë? Ju do ju hanë.  Këta i trajtojnë shqiptarët si Fermën e Derrave. Përse rriten derrat? Që të hahen. Këtë duan të bëjnë këta. Kështu na shohin këta. Kjo është e vërteta lakuriq anipse e thënë figurativisht. Kjo është e vërteta e dhimbshme. Në dac mbyllni sytë, në dac mbajini hapur, kjo është e vërteta e nuk bëhet tjetër.

Parulla e ditës: Të zgjedhim të keqen më të vogël

            Mirëpo, ky qëndrim i thënë kështu shqeto, popullorce, iu bjen ndesh të gjithëve atyre që punojnë për këto banda. Komentatorët, opinionistët, analistët, shërbëtorët, veglat e tyre mediatike dhe të thashethemnajës, përpunuesit e opinionit, profesorët, ata që hanë e që presin të hanë prej tyre nuk pajtohen me këtë qëndrim. Lufta e tyre kundër këtij përshkrimi të realitetit bëhet në katër plane të ndryshme. Mirëpo objektivi i tyre është i njëjtë. Të gjithë duan të ruajnë e të mbrojnë sistemin e krimit të parisë së Tiranës.

Së pari, ata janë të bindur se zallamahia e shtypit, kakofonia e zërave, dhe tamtami i legenëve zhrumues mediatikë në television e në radio e bën një pikëpamje e një këndvështrim të tillë të duket surreal, irreal, e jonormal për shqiptarët. Kur njerëzit shohin tre orë në ditë rresht në secilin kanal maskarenjtë që shesin dëngla e marrëzira mediatike, ngulen para Big Brother e shohin se si babai e lavdëron të bijën që ka dalë jashtë normales, nuk mund të pranojnë se ka një pikëpamje tjetër si kjo. Kur dëgjon Cim Peken, Henri Cilin, Blendi Fevziun, dreqin e të birin, nuk ke se si të mendosh ndryshe. Kur lexon të Bekuarin Apostolik, Fahr-el-din Balliun, Andrea Stefanin, Mustafa Nanon, Arian Canis, Edmond Tupen, Edison Ypin, dhe sheh Kazanin e Plehrave që është televizioni e këta të tjerët, kjo pikëpamja që shtroj unë është e papranueshme.

Problemi është se të gjithë këta duan të bindin njerëzit se kështu sillet e gjithë bota. Si shembull marrin grekët e italianët. Por harrojnë se grekët dhe italianët kanë shtete të forta dhe njerëz që punojnë për vendin e tyre. Ata kanë identitete dhe kombe të konsoliduara, jo vetëm parti hajnash. Grekët mund të kenë një pari që vjedh por e nxorrën listën e hajnave dhe po i fusin në burg, dhe doli një parti që mudn të mos jetë demokratike e as e pranueshme, por që iu jep strukturë ndjenjave të mospajtimit e të revoltës. Në Itali mund të jetë Berlusconi por doli edhe Lëvizja me Pesë Yje e Beppe Grillo që e paralizoi gjendjen.

Argumenti i tyre kryesor është që të zgjedhim të keqen më të vogël. Argumenti kryesor është se Edi Rama nuk është aq i keq sa Sali Berisha, se PS nuk është si PD, se din të qeverisë e më radhë. Mirëpo, nuk zgjidhet e keqja më e vogël. Kanceri të zë si pive pesë cigare si pive tre paketa në ditë. Doktori nuk të pyet sa cigare pi, por a pi duhan. Dhe si iu përgjigja dikujt që më bëri të njëjtën pyetje zgjidhja nuk eshte qe te mbeshtetet e keqja me e vogel. Zgjidhja është që të ndrrohet sistemi.

 Ja ta sqaroj kështu. Një kancer të vret për një javë. Kanceri tjetër të lë të jetosh dy javë. Mirëpo në javën që ke shtesë jete, do të bjerë tërmet, do të të digjet shtëpia, do të të vdesë nëna dhe do t’i shohësh fëmijët në rrugë të madhe. Në rastin tonë, kjo është e keqja më e vogël. Problemi, pra, nuk është me Edin, Salën, Ilirin këtë apo atë individ. Problemi është me sistemin në të cilin këta funksionojnë dhe që e kanë ndërtuar që t’ju shërbejë atyre. E keqja më e vogël don me thanë që me vdekë një javë më vonë. Por vonimi i efektit nuk është zgjidhja. Zgjidhja që na duhet është shmangja e shkakut që krijon atë efekt. Problemi eshte tek sistemi.

Zgjidhja?

Ashtu si doktori të thotë me një fjalë, “lerë duhanin” zgjidhja e jonë është “të ndrrojmë sistemin.” Të mbështesim e të zgjedhim njerëz që nuk duan të shërbejnë si vegla e si derra për tu majmur e për t’u therur nesër. Shteti dhe sistemet politike, ekonomike, kulturore e shoqërore duhet të vihen në shërbim të qytetarëve. Po të shkoj ndërmend me pyetë se kush janë këta njerëz, shih njëherë veten tende e bëji pyetjen vetes, “a due me kenë njeri apo derr që të më hanë këta?” se po mendove që ua hedh e ke gabim, këta janë mjeshtra, i ka stërvitur uria e konvikteve, dhe mjerimi i një rinie të shkatërrueme dhe derrin ngado që të sillet në thark, këta dinë si ta kapin e ta rrjepin edhe të gjallë. Në mos pac mëshirë për veten, mendo për fëmijët tuaj, për gruan e për motrën. E në mos mundsh të mendosh për kënd tjetër, mendo për varret e prindërve që të kanë bërë kokën e që së shpejti do të mbulohen me plehrat e Italisë e që do ti shkulin të huajt e s’do të lësh as nam as nisham mbi këtë dhe. Në mos mundsh të mendosh as për këto, unë të kërkoj ndjesë që ta kam hangër kohën kot. Ata që do të hanë, nuk do ta thonë as lutjen që thuhet kur bëhet kurbani, sepse nuk thuhet lutja për derrat.

10 thoughts on “ZGJEDHJET DHE E KEQJA MË E VOGËL

  1. Z. Shinasi keni harruar nje nenkategori te vecante llumkomentatoresh sic i quani ju( Paskal Milo, Pellumb Xhufi) te cilet vetshiten si historiane dhe kane filluar nje revansh ne emer te “shkences”(historike) ne mbrojtje te atij sistemi kunder te cilit luftuat ju. Kjo kategori eshte per mua me e demshme sepse perdor autoritetin qe i jep titulli shkencor duke thyer etiken e kerkimit shkencor per te mbrojtur nje kauze qe nuk duhet te mbrohet perpara nje publiku qe nuk ka ngritjen e duhur te kuptoje te metat e arsyetimit te tyre.Megjithate,une besoj qe ky fenomen e gjen shpjegimin ne argumentin tuaj ne artikullin e mesiperm. Revanshi prokomunist dhe nostalgjia per diktaturen nuk do te kishin vend nese Shqiperia do te kishte ndjekur rrugen e vendeve komuniste te Europes Lindore qe tani jane anetare dhe drejtuese te BE-se. Dhe me qesharakja eshte se kjo nenkategori ka pasur pozite te larta ne poliken e jashtme ne keto 20 vjet…..

  2. Mbase nuk duhet te vazhdojme rrugen e rilindasve,qe ju dhimbsej Shqiperia vetem kur largoheshin per t vazhdu karrieren ne Turqi…..

  3. Te lumte Shenasi, konvergoj 100% me gjithçka qe thua, hapja e ketij blogu shpresoj te krijoj nje levizje ku te bashkohemi dhe te luftojme per te ndryshuar kete sistem. Asnjeher seshte von per ndryshim.

    • Ajo qe i bashkon njerezit eshte ideologjia dhe vlerat. ne kete pike njerezit dhe shqiptaret jane te haperdare. te shohim se sa mund te ndihmoje ky blog. flmn.

  4. Profesor,te komentova edhe tek faqja juaj e facebook,per kete artikull,dhe nga deshira e forte qe kam per te shpallur non grata keta politikan te Shqiperise,te bera thirrje qe te kthehesh ne shqiperi qe te prodhosh nje”BETON” monolit,ku te thyejne koken te gjithe.Keni shume idhtare te veprimeve e aksioneve konkrete

    Vendimi juaj per te mos postuar materiale atje ne FB,me duket dhe me bren krimbi i dyshimit nga fakti qe une te thoja,ne se do merresh vetem me analiza,nuk ben asgje me teper se cpo bej une.Kjo fraze eshte thene nga une ne konteksin e deshires qe ju thosha me lart.Per cdo keqkuptim ju kerkoi ndjese profesor.

  5. Nuk kame ç’fare komenti te bej ! Tani jemi fix ne rruge te zotit ! Bekuar qofsh ti dhe ata qe sot e tutje ,do jene dakorte me zgjidhjen qe afrone ti ! Une kete e quaj demokraci !

    • Eshte nji analize e sakte dhe e kuptueshme nga kushdo7e ka nder mend te ndryshoje ate vend, Por a ka te tille? pra jo vetem te ndryshohet sistemi por te ndryshohet dhe mentaliteti dhe predispozicioni. Pergezimet e mia Shenasi.

      • Ka shume njerez qe duan te ndryshojne gjendjen, vteen dhe te ardhmen e vendit. me keta duhet punuar. gur gur behet mur, mur mur behet kalaja, kala kala behet edhe Shqiptaria.

    • Mbase nuk duhet te vazhdojme rrugen e rilindasve,qe ju dhimbsej Shqiperia vetem kur largoheshin per t vazhdu karrieren ne Turqi…..

Comments are closed.