MBI DËSHTIMIN E TRANZICIONIT DHE PËRGJEGJËSINË HISTORIKE TË PARISË: NJË VËSHTRIM I SHPEJTË

 

Në fund të vitit 1990-të, shteti shqiptar hyri në procesin e një metamorfoze të gjithanshme. Shembja e sistemit socialist në BRSS dhe në Evropën Qendrore e Lindore e bëri të pamundur edhe vazhdimin e sistemit enverist në shtetin shqiptar. Ndryshimi i sistemit enverist dukej se ishte i pashmangshëm edhe sepse presioni i jashtëm për të ndryshuar sistemin politik e ekonomik ishte tejet i fortë e i papërballueshëm. Nga një anë, kriza e thellë kishte krijuar pakënaqësi të madhe, jo vetëm tek shtresat e përndjekura në dy-tre breza, por edhe në masën e madhe të shtresave qytetase, tashmë thellësisht të proletarizuara në nivelin e gjendjes ekonomike, por edhe në nivelin e vlerave morale.

Nga ana tjetër, sistemi i sundimit të parisë sunduese ishte shumë efektiv dhe mbështetja e legjitimiteti që sistemi i partisë-shtet gëzonte në masa të gjera të popullit, veçanërisht në fshatra e në zonat malore, kryesisht në Jug, ishin ende tepër të fuqishme. Shkalla e indoktrinimit ideologjik ishte në një nivel të jashtëzakonshëm, deri në atë pikë sa qytetarët duhej të besonin se jetonin në vendin më të lumtur në botë dhe kishte shumë syresh që e besonin këtë dogmë. Më e rëndësishmja është se qytetarët e thjeshtë nuk ia kishin fare idenë se si mund të funksiononin sistemet e tjera shoqërore dhe se si do të gjallonin ata vetë në ato sisteme. Shumë individë kishin arsye që të druheshin se ndrrimi i sistemeve nuk do të ishte në të mirën e tyre. Po ashtu, strukturat e shtetit, që nga Sigurimi i Shtetit, ushtria, policia, partia, burokracia shtetërore e deri tek organizatat e masave, ishin plotësisht funksionale dhe efektive.

Megjithatë, në fillimet e tranzicionit kishte shumë shpresë që ndryshimi i sistemeve do të përmirësonte edhe gjendjen e atyre shtresave që ishin të lidhura ngushtë me sistemin e që ishin burimi formal i legjitimitetit të tij, si dhe i fuqisë së tij reale. Në veçanti, në atë kapërcyell kthese historike, shtresa e inteligjencies kryeqytetase, por edhe ajo e disa qyteteve të tjera të mëdha, si Korça, Shkodra, Vlora, Durrësi dhe Elbasani ishin një grupim shoqëror me influencë të gjerë. Ky grupim gëzonte besim, si në popull, ashtu edhe tek paria sunduese. Duke qenë se populli nuk kishte fare dijeni se ku po shkohej me ndrrimin e sistemit, e duke qënë se paria sunduese kishte interesa të veta të ngushta, që do t’i mbronte me çdo kusht e me çdo mjet edhe përkundër interesit kombëtar, inteligjencia ishte shtresa shoqërore, e cila do të mbante barrën e ndryshimit si shtresë udhëheqëse dhe që, natyrshëm, do të merrte përgjegjësitë historike për rrugën që do të ndiqej më pas.

Paria sunduese, me qendër në Bllokun e Tiranës ishte e ndërtuar si një sistem klanesh, që vareshin nga figurat me peshë në atë sistem. Ky grup i ngushtë vendim-marrës nuk hoqi dorë deri në çastet e fundit nga besnikëria e pamëdyshur e sistemit enverist dhe bindja e mbajtjes së pushtetit me forcë apo me hile e dredhi. Kështu u përjashtua mundësia e transformimit gradual. Mirëpo kishte edhe një shpresë të fundit. Duke qenë se në krye të të gjithë formacioneve politike edhe të atyre që u formuan mbas Dhjetorit 1990, dolën përfaqësues të spikatur të inteligjencias së kryeqytetit, d.m.th., “intelektualët e shquar, shpresa ishte se ndryshimi do të mund të shkonte në një kahje tjetër, që do të ishte më pozitive, se sa po të kishte përmbysje radikale të parisë.

Këta individë, “intelektualët tanë të shquar”, siç filloi t’i quante edhe Ramiz Alia, ishin të lidhur me njëmijë fije e pazgjidhshmërisht, me sistemin e atëhershëm e me parinë sunduese. Nga një anë, ata ishin të përdorur nga paria, por edhe të përndjekur, sepse sistemi i shihte gjithnjë me dyshim. Shumica ishin edhe me hije, sepse ishin të vetëdijshëm për përpjekjen e sistemit për t’i deformuar me metodën kineze, por edhe të frikësuar prej poshtërsive të panumërta që kishin kryer për të arritur aty ku ishin e për të mbijetuar. Por, nga ana tjetër, ata ishin edhe më afër popullit; shumica jetonin si populli, kishin edhe mbështetjen e shumë teknokratëve, që iu ishin bashkëngjitur dhe gëzonin legjitimitet të mjaftueshëm për të marrë përsipër rolin udhëheqës. Kështu pra, kishte mjaft shpresë se alternativat që do të zgjidheshin nga “intelektualët e shquar” do të ishin në shërbim të një të ardhmeje, që do të ishte e menduar mirë, më e baraspeshuar dhe në të mirën e të gjithëve.

Edhe në periudhën kritike të përplasjeve e të paralizës institucionale, që zgjati deri në zgjedhjet e 22 Marsit 1992, ishte e mundur që të zgjidheshin alternativa mbarëshqiptare, që do të krijonin mundësitë për ndërtimin e një shoqërie bashkëkohore, në të mirë të të gjithë shqiptarëve. Mirëpo, nuk ndodhi kështu. Paria e deridjeshme ka përgjegjësitë e saj të padiskutueshme, por përgjegjësia kryesore i mbeti inteligjencies së kryeqytetit dhe prijatarëve të saj, “intelektualëve të shquar,” atyre që morën përsipër barrën e ndryshimit të sistemit.

Inteligjencia, si shtresë e dallueshme shoqërore në sistemin parti-shtet, nuk u paraqit në nivelin e duhur. Zgjidhjet e saj ishin thellësisht të gabuara. Inteligjencia e kryeqytetit, profesorati universitar, por edhe intelektualët si shtresë shoqërore, e tradhëtuan popullin me një shpirtngushtësi e mendjengushtësi të frikshme. Ata u sprovuan të ishin krejtësisht të paaftë të ngrihen në nivelin e duhur. Këta “intelektualë të shquar’’ e braktisën misionin e tyre historik të shpëtimit të kombit. Ata u turrën që të bëheshin si paria e deriatëhershme sunduese. Me kohë u pa se ata nuk synonin shpëtimin e popullit por synonin ta zëvendësonin parinë sunduese me klanet e tyre.

Pse e them këtë? Ka shumë argumente por më kryesorja, është zgjidhja e gabuar ideologjike. Zgjidhja që duhej të bëhej në atë pikë kthese historike, duhej të ishte, pikë së pari, ideologjike. Cila ideologji do të udhëhiqte rrugën e ndryshimit? Mbi çfarë baze ideologjike, do të bëhej ndryshim? Cilat do të ishin përparësitë? Si duhej të përdoreshin burimet njerëzore dhe materiale? Si duhej të ndërtoheshin strukturat që duhej të mbronin interesat e shqiptarëve. Paria dhe intelektualët zgjodhën vendosjen e një sistemi ekonomik që do të ishte jashtë kontrollit të shtetit. Pika e fillimit do të ishte nga zero, d.m.th. do të hidhej mënjanë gjithçka që ekzistonte. Parulla e ditës ishte se Gramoz Pashko kishte marrë çekun e bardhë. Teoria më e përhapur ishte shock therapy.

Mirëpo, zgjidhja që bëri paria dhe inteligjencia ishte e qëllimshme, e vetëdijshme, dhe në të njëjtën kohë, shumë e gabuar. Zgjidhja u bë duke e konsideruar gjendjen, si dhe rrugë-zgjidhjen, nga këndvështrimi i interesit të saj të ngushtë. Ajo nuk u bë duke u nisur nga interesi kombëtar.

Më së pari duhen konsideruar alternativat ideologjike që kishim. Alternativa dhe rruga në të cilën duhej që të ecte shoqëria shqiptare do të ishte e përcaktuar, detyrimisht e kushtimisht, nga njëra prej tri ideologjive sunduese të kohës sonë, d.m.th., nga marksizmi, liberalizmi dhe nacionalizmi. Për shkak të përvojës me sistemin totalitar parti-shtet e thellësisht despotik enverist, prej edhe nga vinim, marksizmi, në çdo variant, edhe në atë variantin e zbutur social-demokratik europiano-perëndimor, dukej se, në atë pikë kthese historike, ishte i papranueshëm për shumicën e shqiptarëve. Për shkak të përbërjes komplekse shoqërore e të vlerave sunduese, si dhe të mangësisë së rrënjëve të qëndrueshme të çdo sistemi fetar ndër shqiptarët, çdo ideologji e mbështetur në qytetërimet e veçanta ishte, po ashtu, e papranueshme dhe, në fakt, shumë e rrezikshme.

Pika e vetme ku mund të fillohej ishte se shqiptarët mbahen bashkë me vetëdijen se janë një grup etnik. Shqiptarët janë i vetmi komb në Ballkan që mbahet me vetëdijen e lidhjes së gjakut e të gjuhës e jo të fesë e të elementëve të tjera të identitetit. Vetëdija e lidhjes së gjakut i zbut të gjitha pasojat e dasive të tjera. Vetëm ajo vetëdije i shmang përplasjet e grupimeve që mbështeten në ideologjitë fetare e përkatësitë në qytetërimet e ndryshme.

Në realitet, ndërtimi i së ardhmes duhej që të mbështetej e të formulohej në bazë të njërës nga dy ideologjitë e tjera, dm.th., çdo projekt transformativ duhej ndërtuar, duke u mbështetur ose në nacionalizmin, ose në liberalizmin. Gjithsesi, sistemi shoqëror që do të ndërtohej, duhej të ishte i mbështetur parimisht në shtetin demokratik kombëtar e në tregun e lirë. Por, me një identitet të fortë shoqëror, teprimet e pritshme dhe dhimbja e padiskutueshme shoqërore që do të shkaktonte ndrrimi i sistemeve, do të balancoheshin e do të korrigjoheshin brenda një kohe të arsyeshme. Ecuria e mëpastajme e tranzicionit do të përcaktohej nga balancimi i vazhdueshëm midis këtyre dy strukturave jo harmonike ndërmjet tyre të organizimit shoqëror – tregut dhe demokracisë – pikërisht sepse bashkësia ligjore-politike, shtrati ku do të vendoseshin këto struktura modernizuese e transformuese, do të ishte relativisht më e fortë, dhe në gjendje me përballue krizat e mundshme e të pritshme që do të vinin nga zigzaget e ekonomisë. Identiteti kombëtar do të ndihmonte shumë në ruajtjen e fabrikës shoqërore e në shmangjen e efekteve tejet negative të këtyre krizave. Duke qenë një shoqëri e orientuar nga një identitet i qartë kombëtar, ekstremet, që janë kaq të pranishme në shoqëritë me zhvillim të njëanshëm, ose të përkushtëzuara nga besnikëria e ngurtë ndaj një ideologjie politike, do të shmangeshin. Me shmangjen pragmatike e metodike të ekstremeve ideologjike, shoqëria e re do të mbrrinte, vazhdimisht e periodikisht, në një ekuilibër të ri të qëndrueshëm, që do të ishte në shërbim të qytetarëve e të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Për fat të mirë, në një numër regjistrimesh, është ruajtur kjo pikëpamje e imja, qysh atëherë shumë koherente, në lidhje me rrugën që duhej të ndiqej në atë pikë.

Mirëpo, përgjegjësia ishte e dikujt tjetër. Zgjidhja e vërtetë kërkonte shumë përgatitje, largpamësi, vëmendje profesionale, vetëdije ideologjike e përkushtim qytetar. Mbi të gjitha, kjo kërkonte marrjen e përgjegjësive historike nga ana e parisë dhe e inteligjencias së kryeqytetit. Në veçanti, brenda kësaj shtrese, kjo kërkonte marrjen e përgjegjësive prej grupit të dallueshëm të “intelektualëve të shquar,” të profesoratit universitar, e të profesionistëve teknokratë. Këta grupime kishin mbështetjen e jashtëzakonshme të masave të gjëra popullore dhe gëzonin respekt të madh.

Këtu më duhet që ta sqaroj pak më shumë nevojën e vendosjes së balancës midis parimeve bazë të ndërtimit të shoqërisë e të zgjidhjeve afatshkurtra e pragmatike që duhej të bëheshin, që nga ajo pikë e në vazhdimësi, në të ardhmen. Nga një anë, për të qënë i suksesshëm, sistemi që do të vendosej duhej të ishte i ndërtuar mbi një ideologji të qartë kombëtare. Kësisoj, duhej që strukturat ekonomike e politike që do të ngriheshin të ishin konsistente në lidhje me parimet ideologjike në bazë të të cilave do të ndërtohej shoqëria e së ardhmes. Nga ana tjetër, me që shoqëria s’mund të ishte thjesht e njëanshme, sistemi që do të ndërtohej duhej që të përmbushte shumë kritere të tjera, të lidhura me organizimin kompleks të shoqërisë e me vlerat e saj të veçanta. Prandaj, në atë pikë historike, përtej domosdoshmërisë së ndjenjës kombëtare e të shërbimit publik, nga ana e parisë dhe e intelektualëve tanë, duhej edhe një dozë e madhe pragmatizmi e idiosinkracie politike. Përvoja ka treguar se çdo sistem që ndërtohet vetëm e vetëm në bazë të një parimi, dhe që e vë të gjithë shoqërinë në shërbim të strukturës së ndërtuar mbi atë parim, sidomos kur parimi është i ndjekur e i zbatuar në mënyrë ekstreme e dogmatike, është i destinuar të dështojë, qoftë ky nacionalizmi ekstremist i Koresë së Veriut, oligarkia e nji familjeje si në Arabinë Saudite, teokracia në Iran e kështu me rradhë.

E keqja është se, si mbas vitit 1944, ashtu edhe mbas vitit 1990, paria sunduese e Tiranës zgjodhi rrugën më të lehtë për atë vetë; atë të ruajtjes së sundimit të saj e jo rrugën e shërbimit të interesit kombëtar. Rruga e ruajtjes së pushtetit përcaktohej përmes vendosjes së një sistemi të ngrirë, eksperimental dhe ekstremist ideologjik të njëanshëm, të zbatuar në mënyrë dogmatike. Ky sistem, një model ekonomik i ndërtuar mbi parimin laissez faire, laissez passé, ishte plotësisht i përshtatshëm për parinë. Ajo kishte dijet, profesionalizmin, lidhjet e aftësitë për t’u pasuruar shpejt e në mënyrë marramendëse. Por, ky model ishte qartësisht në kundërshtim me interesat e të gjithë shqiptarëve, si individë e si komb, edhe pse njerëzit e thjeshtë nuk e kuptonin gjendjen kështu. Përfundimi qe i trishtë: në shtetin shqiptar u ndërtua “kapitalizmi” me karakteristika tipike katundare, një rast i veçantë në historinë bashkëkohore të ndërrimeve të sistemeve shoqërore.

Nga ana e vet, paria kishte ndërmend të ndërtonte një sistem tjetër, jo sistemin e kapitalizmit katundar. Duhet të kujtojmë se në vitin 1944, u kopjuan një herë jugosllavët e, më pas, sovjetikët. Në vitin 1991 e mbas, paria sunduese nuk e modeloi sistemin politiko-ekonomik sipas përvojave të njohura evropiano-perëndimore. Paria sunduese, që doli në krye të shtetit, tashmë ishte një përzierje e rrezikshme e profesoratit, teknokratëve dhe elementëve të parisë sunduese. “Intelektualët e shquar” dhe paria sunduese ishin ata që i dhanë drejtimin ndryshimit, duke zgjedhur rrugën më të keqe të mundshme për shqiptarët.

Paria përqafoi variantin ekstremist të ndërtimit të një kapitalizmi kleptokratik, sundimin prej hajnave që vjedhin shtetin që, deri atëherë, praktikisht, ishte pronari i vetëm, e kështu ata bëhen borgjezia e re. Ky ishte një model që ata e kishin njohur vetëm nëpër librat që kishin lexuar në shkolla e që ata e kishin parë vetëm në sipërfaqe, përmes lenteve ideologjike enveriste e, disa prej tyre, përmes eksperiencave që kishin pasur në vizitat e tyre në Perëndim.

Në formën e tij ideale, mbas shkatërrimit të shtetit, kapitalizmi që do të ndërtohej në shtetin shqiptar, simbas konceptimit të parisë, kushtimisht duhej që të ishte një kapitalizëm ekstremist, që “do të ndante shapin nga sheqeri” e do të ndërtonte një shoqëri klasore. Ideja e kapitalizmit shqiptar duhej të ishte e modeluar simbas modeleve të analizave të kapitalizmit të shekullit të 19-të, të interpretimeve të propagandës enveriste, të interesave vetjake të parisë, të sugjerimeve eksperimentale të këshilltarëve gjysmakë dhe të mendësisë katundare të shumicës dërmuese të popullsisë. Dikush do të bëhej borgjezia e dikush do të bëhej proletariati. Fajin do ta mbante logjika e sistemit të ri që do të vendosej, jo vetë paria, që kështu i lante duart me popullin. Simbas logjikës së parisë, në se dikush nuk arrin që të bëhet borgjezia, atëherë faji është i tiji dhe jo i sistemit. Sistemi, sipas parisë, po i krijonte mundësinë e pasurimit gjithkujt. Por, shtresa që i kishte të gjithë avantazhet ishte vetë paria.

Mirëpo, ky variant i kapitalizmit ekstrem, që do të ndërtohej në shtetin shqiptar, do të ishte një xhungël shoqërore dhe jodemokratike. Marrëdhëniet shoqërore do të ishin të bazuara në paranë, në interesin material, në përfitimin e paskrupullt, si dhe në kundërvlera e në sjelljen amorale. Si një masë njerëzish që nuk ndajnë asgjë të përbashkët ndërmjet tyre, përveç interesit vetjak material, kjo nuk mund të quhet shoqëri. Nuk ka shoqëri njerëzore të bazuar vetëm në interesa. Individët ndjekin objektivat e tyre në mënyrë racionale por shoqëritë nuk mund të ekzistojnë nëse nuk ka një sistem vlerash që qëndron jashtë kontrollit të një individi dhe që buron nga një identitet i përbashkët. Shoqëritë janë të bazuara, para së gjithash e pa mëdyshje, në vlera morale, në besim të ndërsjelltë e në identitet të fortë. Prandaj edhe përkufizohen si shoqëri. Kjo strukturë e re shoqërore që do të ndërtohej, nuk mund të ishte një shoqëri normale tregu të institucionalizuar, e bazuar në parësinë e marrëdhënieve ekonomike, por edhe e lidhur simbiotikisht me një shtet të konsoliduar, efektiv dhe me vlera të spikatura shoqërore. Kjo nuk ishte e nuk është një shoqëri kombëtare që mbështetet në një kapital të jashtëzakonshëm shoqëror që e mban shoqërinë të lidhur bashkë edhe në periudha krize të gjithfarllojshme. Kjo nuk ishte e nuk është një shoqëri moderne demokratike, me vlera, me identitet e që synon përmbushjen e ruajtjen e dinjitetit njerëzor. Kjo do të ishte një xhungël kapitaliste.

Duhet theksuar se zgjidhja që duhej bërë, në fund të vitit 1990, por edhe mbas asaj pike kthese historike, nuk ishte e lehtë sepse kishte presione të fuqishme nga të gjitha anët. Por, gjithsesi, zgjidhja ishte në një masë të madhe, në duart e parisë sunduese e të inteligjencës. Zgjidhja ishte, posaçërisht në duart e “intelektualëve të shquar,” dhe e profesoratit universitar. Këtyre individëve, iu dha hapësirë në shtypin partiak, apo u konsideruan si lojtarë të mundshëm. Ndër ta ishin, bie fjala, Ismail Kadare, Sali Berisha, Fatos Nano, Ylli Popa, Gramoz Pashko, Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Rexhep Mejdani, Kastriot Islami, Neritan Ceka, Genc Ruli, Lufter Xhuveli e mjaft të tjerë. Disa nga këta “intelektualë të shquar,” të promovuar edhe nga paria, dolën në krye të formacioneve politike që u formuan në atë kapërcyell historik.

Nga ana e vet, populli shqiptar ishte tejet i papërgatitur, intelektualisht, shpirtërisht, por edhe moralisht, për të bërë zgjidhjen e duhur. Deformimi mendor dhe shpirtëror i popullit shqiptar gjatë sistemit enverist kishte arritur nivele të frikshme. Në atë pikë kritike, shumica e shoqërisë shihte ëndrra me sy hapur dhe besonte në mundësinë e ndërtimit të një shoqërie të sheqerosur, d.m.th., të një shoqërie që reflektonte limonatat që shihte përnatë në televizionin italian. Urrejtja për shtetin shtypës, urrejtja për çfarëdo projekti modernizues (në shumë sfera të jetës, sistemi enverist ishte një sistem teknokratik, modernizues e shkencor), si dhe idealizimi absurd i të shkuarës familjare e historike ishin sentimente të ndjeshme në masa të gjera të popullsisë.

Mbi të gjitha, duhet theksuar se niveli i varfërisë materiale e morale, ishin të skajshme e lehtësisht mund të thuhet, në nivele tronditëse. Pa frikë mund të thuhet edhe se masat e gjëra shoqërore, veçanërisht fshatarët që tashmë jetonin në ferma, katundarët, por edhe shtresat e proletarizuara qytetase, nuk ia kishin idenë, as shoqërisë së re që duhej të ndërtohej, as mënyrës se si do të funksionohej në atë shoqëri. Masat e gjëra të popullit nuk e dinin se si do të shkohej në atë rrugë. Pakkush nga këto shtresa dhe nga paria dytësore e asaj kohe, e dinte se çfarë e ardhmeje do t’i priste shqiptarët. Masat e njerëzve donin thjesht që të ndryshonin sistemin ekzistues me shpresë se e ardhmja do të ishte më e mirë. Por, edhe në rastin më të mirë, e ardhmja që imagjinonin shumica dukej si përshkrimet e jetës së idealizuar të stërgjyshërve të tyre.

Shpresa, apo më mirë bindja kolektive, ishte se, tashti që do të ndryshohej sistemi, bota e huaj do të bëhej njerka që do të kujdesej përjetë për shqiptarët, sepse këta “përmbysën” komunizmin. Këta njerëz, nga ana e tyre, dukej se nuk e mendonin asnjëherë se të nesërmen e përmbysjes së sistemit, ata duhej të shkonin në punë e se jeta e përditshme do të vazhdonte, pak a shumë, në hulli të njohura për ta. Karrocieri nuk mund të bëhej bankier brenda natës e kooperativisti nuk bëhej dot fermer.

Njëri nga mësimet që nxirret nga revolucionet e ndryshme është se ritmi i jetës njerëzore e struktura shoqërore nuk ndrron në sinkroni me ndrrimin e sistemit politik. Në fakt, revolucionet përfundojnë duke i ndërtuar strukturat shoqërore, për një kohë, në mbështetje të interesave të shtresave të gjëra që mbështesin parinë e re sunduese në projektin e saj. Ashtu si kishin ecur proceset në sistemin e përçudnuar të partisë-shtet, njerëzit, thjesht, nuk donin të punonin as për shtetin e as për kënd tjetër. Mirëpo, realiteti ishte krejt ndryshe nga ëndrrat e tyre. Ishte detyra e parisë që punonte me të gjithë mjetet për t’ua bërë të qartë njerëzve këtë gjë.

Ashtu siç thotë Karl Polanyi në Transformimin e Madh, koha kishte ardhë që lavjerrësi të shkonte nga ana tjetër. Në rastet e tjera të tranzicionit, në Europën Qëndrore e Lindore, lavjerrësi po shkonte nga shteti tek tregu, por shteti po ruhej. Në shumë vende ish-socialiste, shtetet dhe strukturat qeverisëse ofronin parimin bazë të ndërtimit të shoqërisë që ishte, me pak variacione, nacionalizmi. Shoqëritë e vendeve evropiano-lindore e kishin ruajtur në formë rudimentale ose e zhvilluan shpejt mekanizmin mbrojtës ndaj tregut ekstrem. Paritë e tyre sunduese, në rastet e çekëve, sllovakëve, polakëve, hungarezëve e deri tek rumunët e bullgarët, e ruajtën dhe e kultivuan atë mekanizëm shoqëror, identitetin kombëtar, duke mos e lënë tregun që të formësonte shoqërinë e kombin e tyre. Në këtë mënyrë ata ruajtën, së pari, shtetin e tyre. Siç argumentonte edhe Polanyi, shteti është struktura që e bën të mundur kapitalizmin, tregun, por dhe vetë iluzionin e tregut të lirë. Në rastin shqiptar, lavjerrësi po shkonte nga një absurd ideologjik në një absurd tjetër ideologjik, nga enverizmi despotik tek kapitalizmi mançesterian i shekullit të 19-të. Në këtë rast, absurdi ideologjik do të ishte “ndërtimi i kapitalizmit”, por me karakteristika të theksuara katundare shqiptare.

Përfundimisht, zgjidhja iu la në duar parisë sunduese dhe shtresës së inteligjencies të maskuar nga “intelektualët e shquar”, të lidhur pazgjidhshmërisht me parinë e që ishte pjesë e saj. Pse ndodhi kështu? Në një farë mënyre, kjo ndodhi për shkak të padijes së gjerë popullore, të kontrollit të rreptë dhe efektiv mbi proceset nga paria e nga strukturat e saj, si dhe të nevojës imperative të ndërkombëtarëve për stabilitet rajonal. Arsyeja kryesore është e lidhur me aftësinë e eksponentëve të parisë, për të drejtuar kahun e diskursit politik dhe procesin e vendimmarrjes, ashtu siç donin ata vetë. Deri dje, ata kishin qenë të vetmit që kishin dije për botën e huaj. Kështu ata ishin bërë të domosdoshëm edhe për sistemin e ri. Pa pikë dyshimi, ata e shfrytëzuan këtë monopol që kishin deri në maksimumin e mundshëm. Jo vetëm që eksponentët e parisë së deridjeshme ishin në politikë duke mbrojtur interesat e tyre; ata ishin edhe në kontroll të strukturave politike e të informimit. Mundësia e tyre për të ndikuar ishte, paradoksalisht, shumë më e ndjeshme se kishte qenë deri në atë pikë, kur ata, dhe sistemi që kishin kontrolluar deri atëherë, ishin tejet të diskredituar si shtresë. Tashmë, si individë, ata mundën të rikrijonin vetveten e reputacionin e tyre.

Edhe mbas zgjedhjeve të 22 Marsit 1992, u pa se njerëzit ishin të gatshëm që të ndiqnin në një strukturë binare, të dy palët, parinë sunduese dhe inteligjencian, që tashmë ishte duke u bërë pjesë integrale e saj, por që po shihte mundësinë e zëvendësimit të parisë sunduese. Me abdikimin e pushtetit nga ana e parisë sunduese, dhe me përqëndrimn e brezit të dytë të parisë në ekonomi, inteligjencia e deridjeshme e kryeqytetit, tashmë ishte në metamorfozë. Nga një shtresë e ndrojtur dhe e ndrydhur, ajo po bëhej pari e mirëfilltë politike duke spostuar pjesë të parisë së mëparshme. Ajo ishte e veshur me pushtet politik, kishte legjitimitet e mbështetje të gjerë, dhe gradualisht filloi të fitonte terren edhe në kontrollin e ekonomisë. Deri në atë pikë, inteligjencia kishte qenë në shërbim të pakushte të parisë së Tiranës.

Tashti, inteligjencia ishte kthyer e po luante si sparring partner serioz politik po i parisë sunduese që, nga ana e vet, mundohej ta mbante peng me një mijë fije të ndryshme. Por, duke e parë fuqinë e ndikimin që kishte e që mund ta shumëfishonte me një populizëm ordiner, profesorati universitar dhe inteligjencia e kryeqytetit, po fillonin, pak me ngathtësi, që t’i kundërviheshin parisë, së cilës i kishin shërbyer deri atëherë edhe me frikë, edhe me besnikëri. Tashmë, inteligjencia, që në një farë mënyre kishte qënë pjesë e parisë dytësore, politikisht e shtypur dhe e kontrolluar në mënyrë të shumëfishtë, e ndjente qartë fuqinë e ndikimin e saj në rritje dhe po aspironte që të bëhej pjesë integrale e parisë, në mos që ta zëvendësonte atë.

Mirëpo, edhe duke vepruar kështu, ajo po bënte lojën e vetë parisë sunduese e të gardës së saj pretoriane. Arsyeja është e thjeshtë. Duke i lënë mënjanë përplasjet e sipërfaqëshme, sherrin mediatik, burgosjet sa për sy e faqe e sharjet gazetareske, paria e deridjeshme, “intelektualët e shquar” dhe inteligjencia, në përgjithësi, pajtoheshin në pashmangshmërinë e vendosjes së një sistemi kapitalist ekstrem, me kushtin e vetëm që të ishte në shërbim të tyre.

Të gjithë palët pajtoheshin në vlerat ideologjike, në synimet e objektivat që i kishin vënë vetes, si dhe në metodat që do të ndiqnin për të arritur objektivin e transformimit të tyre nga pari sunduese enveriste, dhe nga inteligjencia enveriste, në pari dhe borgjezi e re sunduese në shtetin shqiptar. Mirëpo, në majë të piramidës nuk ka vend për shumë njerëz. Beteja e klaneve të parisë ishte se kush do të dilte më i fuqishëm brenda shtresës së parisë sunduese që po ristrukturohej e po riformësohej me shpejtësi. Ashtu si ndodhte në Anglinë e shekullit të 19-të, segmentet e parisë, të organizuar në partitë politike hidhnin baltën e pamasë mbi njëri-tjetrin. Megjithatë, të dyja palët kishin rënë dakord, ose haptazi, ose me mirëkuptim të heshtur, që, më së pari, të zhysnin në baltë popullin shqiptar.

Nga ana e vet, paria sunduese e shihte metamorfozën e përgjithshme që po ndodhte si një përmbysje të sistemit enverist dhe si një fitore të kundërshtarëve të deridjeshëm ideologjikë, të cilëve shpejtoi që t’iu bashkëngjitej me një arrivizëm shembullor. E ardhmja, në sytë e të gjithë pjestarëve më të rëndësishëm të saj, do të ishte ndërtimi i pashmangshëm i kapitalizmit. Meqë duhej ndërtuar kapitalizmi, atëherë, paria enveriste ia vuri vetes objektivin e luajtjes së rolit qëndror në këtë proces. Mirëpo, kapitalizmi që kishte ndërmend të ndërtonte paria nuk ishte një kapitalizëm i mbajtur nën fre nga strukturat shtetërore, nga strukturat shoqërore dhe nga një sistem i qëndrueshëm kulturor. Paria ndjehej shumë e shtypur nën sistemin enverist, pikërisht nga këto shtërngesa, që formalisht nuk e lejonin që të sillej ashtu si donte. Prandaj, ky sistem ekonomik që do të ndërtohej nuk duhej të ishte i rrethakuar nga vlera të qëndrueshme morale, fetare, tradicionale apo nga një identitet i fortë. Në shumë vende të tjera, kishin qënë pikërisht këto aspekte të shoqërisë që e kishin lejuar kapitalizmin të lulëzonte por, gjithnjë, duke qënë nën një kontroll të rreptë të strukturave të shtetit.

Kapitalizmi që ata kishin ndër mend të ndërtonin, siç edhe e përmenda më parë, ishte pak a shumë kapitalizmi ekstrem i përshkruar nga Engelsi në studimin Gjendja e Klasës Punëtore në Angli. Për të ndërtuar atë strukturë të përçudnuar ekonomike në shtetin shqiptar, paria e Tiranës e zgjidhi zinxhirin e kontrollimit të tregut nga sistemi mbikqyrës i shtetit e nga vlerat e vërteta shoqërore. Jo vetëm aq, ajo e çliroi vetveten, më mirë me thanë e zhveshi vetveten, nga mburoja e parzmores së vlerave shoqërore që e kishte mbajtur të lidhur e nën shtërngesë deri atëherë, anipse nën një sistem të përçudnuar, si sistemi enverist. Vlerat që paria dhe inteligjencia i kishin paraqitur publikisht deri atëherë, dhe që ishin një nga burimet kryesore të mirëbesimit të shoqërisë tek kjo shtresë, kishin maskuar shpirtrat e tyre të zhveshur nga çdo ndjenjë njerëzore, meskinë e të untuar deri në ekstrem. Ata që e kishin zhvilluar e përsosur çdo teknikë për minimin e efektivitetit të shtetit, u zbuluan jo si skile, një term makiavelian që përdorej shpesh në rrethet burokratike e partiake të asaj kohe, por si hiena.

Pengesa më e madhe në përmbushjen e planeve të tyre ishte shteti, d.m.th., shteti ligjor, i cili të imponon një sjellje të caktuar dhe funksionon në një mënyrë të tillë që e depersonalizon autoritetin. Njeriu më të cilin jep e merr në zyrë, nuk është më kushëriri që të kryen punë, por zyrtari, shërbëtori i shtetit që zbaton ligjin me drejtësi. Paria kërkonte jo që të manipulonte ligjin duke mbetur brenda ligjit, çka do t’i kualifikonte si skile, por që ta hiqte krejt qafe.

Arsyeja është se çdo lloj shtërngese e tillë, morale apo ligjore, nuk do ta lejonte parinë e vjetër e të re që të përmbushnin planet e tyre identike. Po për këtë arsye, paria e ka kundërshtuar sistematikisht, dhe vazhdon ta kundërshtojë edhe sot e kësaj dite ndërtimin e çdo strukture shtetërore autonome, që nuk i shërben ekskluzivisht asaj. Paria nuk pranon vendosjen e një shteti ligjor. Ajo e ka pranuar dhe nuk pranon ndërtimin e institucioneve që nuk janë të vëna pa kushte në shërbim të saj.

Kështu, përkundër deklarimeve të tyre për demokraci, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të slloganeve të tjera, që përdoren pa kursim në propagandën e saj, paria, dhe inteligjencia e vënë në shërbim të programit të parisë, me vetëdije të plotë, u turrën për të ndërtuar sistemin që iu shërbente atyre. Vetëm e vetëm pse idetë e tjera nuk iu shkonin sipas interesave, ata i konsideruan të gjithë këto sisteme shoqërore, politike, morale e kulturore, e që ishin faktikisht jetike për shqiptarët, si dytësore e të parëndësishme. Mbasi ua shitën shqiptarëve shock therapy si çlirim ekonomik dhe konceptin e lirisë, si shkatërrim të shtetit, ata u turrën për “të ndërtuar kapitalizmin”. Natyrisht, qëllimi i tyre ishte që vetë të bëheshin borgjezia e shtresa sunduese në këtë sistem të ri. Fundi i procesit kalimtar të metamorfozës së tranzicionit do të ishte ndërtimi i një sistemi kapitalist në të cilin paria do të kontrollonte gjithçka dhe në të cilin të gjithë shqiptarët do të shisnin krahun e punës dhe do të shndrroheshin në proletariatin modern. Paria e Tiranës, tashmë e transformuar dhe e zgjeruar, do t’i bashkohej borgjezisë. Ky do të ishte fundi i të gjitha proceseve modernizuese si dhe fundi i historisë ndër shqiptarët. Sipas propagandës së parisë, fundi i modernizimit dhe i historisë ishte se shqiptarët, “populli më i vjetër i Evropës,” po ktheheshin në gjirin e qytetërimit mëmë. Ky ishte një argument që theksonte vlera dhe identitet. Në të njëjtën kohë, për parinë enveriste, fundi i rrugëtimit të saj do të integrimi i saj në borgjezinë ndërkombëtare, mundësisht në borgjezinë e lartë.

Duhet theksuar se paria, dhe në veçanti, eksponentët kryesorë të saj, e kishin një ide shumë të qartë se cilat ishin rrugët që duheshin ndjekur. Ata kishin qenë në Perëndim, e kishin parë botën e huaj, kishin jetuar me vite atje, kishin studiuar edhe modelet perëndimore, e kishin kritikuar apo analizuar si kapitalizmin ashtu edhe liberalizmin dhe ia njihnin shumë mirë të gjitha anët sistemit që do të ndërtohej në shtetin shqiptar. Aq më tepër, që shumë nga ekspertët e sistemit të mëparshëm, kishin bërë studime, disa edhe shumë të detajuara, lidhur me shoqëritë e tjera në tranzicion. Prandaj, përpjekjet e tyre të mëvonshme e sistematike, për t’i paraqitur zgjidhjet e bëra si të kushtëzuara nga të huajt, nga gjendja e vendit, nga padija e popullit e të tjera argumente të tilla, janë thjesht justifikime të papranueshme propagandistike.

Zgjidhja që ata bënë, e për të cilën do të mbajnë përgjegjësi historike, ishte ndërtimi i kapitalizmit katundar shqiptar ku parimi i vetëm i aplikueshëm do të ishte “o Mete, për vete.” Një shoqëri që ndërtohet në bazë të një parimi të tillë, është e destinuar që të dështojë, pa arritur që të bëhet funksionale, sepse nuk mund të bëhet asnjëherë funksionale. Një mendësi e tillë nuk do të lejonte ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, të një shteti funksional, të një kulture politike e të një sistemi të konsoliduar vlerash, të gjitha këto elemente që mbajnë bashkë shoqëritë e tjera. Mirëpo, një “shoqëri” materialiste dhe e zhveshur nga këto vlera jetike, i shërbente për bukuri arritjes së objektivave të tyre.

Shkurt, vendosja e një sistemi materialist që funksionon simbas parimit homo hominis lupus est, d.m.th., një sistem ku “njeriu për njeriun është ujk”, në të cilin do të merrej e jepej në bazë të interesave e të fuqisë, ishte një zgjidhje e qëllimtë nga ana e parisë së Tiranës. Kjo ishte një zgjidhje në shërbim të interesave të saj të ngushta. Kjo zgjidhje nuk ishte në shërbim të interesave të të gjithë shqiptarëve, të cilëve, edhe pse nuk e dinin se sa jetike ishin për ta, i duheshin të gjithë ato struktura e vlera që përmenda më lart. Duke vepruar ashtu, paria dhe inteligjencia shkaktuan një dëm të jashtëzakonshëm por, njëkohësisht, ata edhe morën mbi vete një përgjegjësi historike të pajustifikueshme.

Ndërtimi i sistemit kapitalist, simbas modelit të imagjinuar marksist, u bë objektivi i gjithanshëm i tranzicionit në shtetin shqiptar. Çdo reformë ishte e lidhur apo në funksion të arritjes së këtij objektivi. Një pjestar i rrethit më të ngushtë të parisë, dhe “intelektual i shquar,” Gramoz Pashko, nxori teorinë e “çekut të bardhë”, që do vinte nga Amerika. Të tjerë, si Ylli Bufi, i nxorën njerëzit në rrugë me thirrjet se kemi bukë edhe për tre javë. Të tjerë, si Azem Hajdari dhe Sali Berisha iu premtuan minatorëve nga dy-tre makina dhe minatorët i besuan. Paketa e premtimeve të parealizueshme dhe përpjekjet e stërholluara për të terrorizuar mendjen e njerëzve krijuan një gjendje anormale, të papërsëritur kund tjetër në Evropën Lindore e Qendrore. Fabrikat dhe uzinat u mbyllën. Tokat nuk u punuan më. Pemët u prenë në rrënjë. Makineritë e shtrenjta u shitën për skrap. Minierat u mbyllën. Objektet e pafund, e gjithë pasuria kombëtare, u nxorën në ankand për një copë bukë, apo u shpërndanë me letra me vlerë. Ato objekte e industri që mbetën funksionale iu dhanë koncesion të huajve, si dhe mbështetësve e militantëve respektivë. Ky ishte edhe niveli “zero.”

Pa bazën e duhur industriale dhe ekonominë bujqësore, shoqëria që do të ndërtohej në shtetin shqiptar do të ishte shoqëria e rrugës, e ndërtuar mbi parimet e materializmit ekstrem, d.m.th., ‘shoqëria’ e hajnave, banditëve, matrapazëve, drogaxhinjve dhe trafikantëve. Kjo do të ishte një shoqëri ku njeriu për njeriun do të ishte ujk, ku nuk do të kishte nder, identitet, vlera e dinjitet, përveç parave e vendit që paraja të jep në një shoqëri të tillë. Eksperimente të gjithfarllojshme në të gjitha fushat, disa të mbështetura në agjendën e në vlerat ideologjike të të huajve, që s’dihej prej nga vinin e ku shkonin, u vunë në jetë me rezultate shkatërrimtare. Projektet politike dhe reformat, disa të ushqyera nga interesat e ngushta të eksponentëve të spikatur të parisë sunduese e të “intelektualëve të shquar”, si Nexhmije Hoxha, Ramiz Alia, Sofokli Lazri, Sali Berisha, Fatos Nano, Xhelil Gjoni, Gramoz Pashko, Skënder Gjinushi, Sabri Godo, Aleksandër Meksi, Neritan Ceka, Gramoz Ruçi, Anastas Angjeli, Servet Pëllumbi e me radhë, çuan në deformime të jashtëzakonshme e me shumë pasoja për shoqërinë shqiptare edhe në të ardhmen.

Përpjekjen e tyre për të ndërtuar kapitalizmin mançesterian, që përfundoi si kapitalizëm katundar, paria e Tiranës e përcaktoi si “tranzicion”. Si çdo proces kalimtar edhe ky duhej ta kishte një fund. Duke qenë se shumë prej objektivave të tyre ekonomikë e politikë janë arritur, duke qenë se strukturat ekonomike duket se po funksionojnë, duke qenë se superstruktura është relativisht e legjitimuar, si dhe, mbi të gjitha, duke qenë se shoqëria është e lidhur me një mijë fije interesash, kredish, detyrimesh, edhe individuale, bindja e parisë është se tranzicioni ka përfunduar. Tashmë, nuk është për t’u habitur që pjestarët e parisë këmbëngulin se tranzicioni është mbyllur përfundimisht.

Ky sistem ka dështuar por askush nuk po e merr përgjegjësinë për ndërtimin e këtij sistemi që thuhet se është i konsoliduar, edhe pse çmimi që është paguar e që po paguhet nga shqiptarët është i paimagjinueshëm. Është e vërtetë se sistemi që duhej të ndërtohej simbas mendësisë e aspiratave të parisë është ndërtuar si ngrehinë. Nuk ka dyshim se ky sistem është i përbindshëm dhe se, në planin afatgjatë, nuk iu shërben fare interesave të shqiptarëve. Ky është një sistem katundaresk, i bazuar në mashtrimin e paskrupullt, fragmentarizimin, fanatizmin, injorancën, shkatërrimin e familjes, zvetënimin, kriminalitetin, degjenerimin, zhveshjen nga vlerat morale e njerëzore, legjitimimin e hajnisë, korrupsionit të pashembullt dhe shpërdorimit të besimit të qytetarëve. Si çdo shoqëri e ndërtuar mbi parime ekstremiste, edhe kjo është e dënuar të shembet nën peshën e zullumeve e teprimeve të veta.

Koha ka ardhur që lavjerrësi të kthehet në kahjen e normalitetit e të njerëzisë edhe për shqiptarët. Ndoshta para ligjit nuk ka fajtorë, damnum absque injuria, por përpara ndërgjegjes kombëtare e historisë së një populli, nuk mund të kalohen gjërat kaq lehtë. Dënimi të paktën duhet të jetë dënim moral.

Nga ana e saj, paria e Tiranës ia ka arritur që të ndërtojë sistemin ekonomik oligarkik e monopolist, që ajo ka ëndërruar e që e ka dëshëruar. Mirëpo, siç shihet, nga evidenca e përditshme, ky sistem është një përçudnim i çdo shoqërie normale njerëzore. E prandaj, pavarësisht se sa pasuri kanë vënë eksponentët e parisë së transformuar, shembja e këtij sistemi është vetëm çështje kohe. Herët, ose pak më vonë, shoqëria do të kërkojë mekanizmat për t’iu kundërvënë zbrastësisë morale, zvetënimit, varfërimit, dhe mungesës së vlerave. Ata që shkatërruan gjithçka për të fituar vetë e për të përvetësuar gjithçka për vete, nuk kanë e nuk do të kenë kurrë siguri për të ardhmen e tyre. Ata, dhe të gjithë shqiptarët, po shohin përditë se në shtetin shqiptar nuk ka as shoqëri me vlera, as demokraci të mirëfilltë, as shoqëri civile, as ekonomi tregu që zhvillon, as moral, as dinjitet, as stabilitet, e as siguri. Kjo gjendje nuk është normale apo e dëshërueshme për një popull.

Tranzicioni u sprovua të ishte një seri tragjedish njerëzore e mbarëshoqërore, të papërjetuara në ndonjë shoqëri tjetër, që ka sprovuar të kalojë një metamorfozë të ngjashme. Territ duhet me i thanë terr edhe pse dikujt nata i duket dita e vërtetë, sepse veç atëherë nuk mundet me i fshehë pandershmëritë e veta. Çmimi që është paguar e që po paguhet nga të gjithë shqiptarët, pavarësisht se a janë ata të vetëdijshëm apo jo, nuk mund të matet në vlerë materiale. Sistemi që paria e inteligjencia, tashmë e lidhur në kërthizë me të, luftuan që të ndërtonin është ndërtuar. Por, ky sistem ka qenë i destinuar që në lindje të jetë i dështuar. Alternativa e parisë ka dështuar për t’i dhanë shqiptarëve jetën e të ardhmen që ata meritojnë. Në mënyrë sistematike, shoqëria shqiptare po rrëshqet në drejtimin e një shoqërie të kriminalizuar si Haiti. Kështu si janë ndërtuar strukturat politike, ekonomike e shoqërore, si dhe sistemet e vlerave e ato kulturore, ka shumë pak shpresë për të ardhmen.

Koha ka ardhur për një fillim të ri. Çdo ditë e më tepër kjo bëhet e qartë si drita e diellit. Nevoja për ndryshim është e pashmangshme. Ndryshimi duhet mbështetur në vlerat e vërteta të një populli si shqiptarët, dhe në një projekt të ri modernizues, të balancuar dhe të mbështetur në themelet e forta të elementëve të mëposhtëm. Së pari, në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb. Së dyti, në një sistem politik demokratik. Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj. Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar. Së pesti, në një politikë të jashtme të bazuar në interesin kombëtar. Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes, në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore. Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vlerave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë. Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive. Së nënti, në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, e mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve. Më në fund, por jo më e fundit, ndërtimi i strukturave funksionale të një sistemi partiak politik i cili të avancojë e të mbrojë interesat e bashkësisë me mjete legjitime demokratike.

Çdo përpjekje për ndryshim, qoftë në formën e një programi politik, qoftë në formën e një pakete ndryshimesh ligjore, që nuk mban parasysh këto parime themelore, është e destinuar që të dështojë. Këto elemente janë pjesë e pandashme e çdo projekti për shërimin e përmirësimin e gjendjes. Por, ata që marrin përsipër këtë detyrë, duhet të jenë të përgatitur që të përplasen me një pari që do të përdorë çdo mjet në dispozicionin e saj, edhe në format ekstreme të dhunës e të terrorizmit shtetëror e mafioz, për të ruajtur pushtetin politik, dhe kontrollin mbi ekonominë e mendësinë e popullit që sot e sundon.

(Nga Libri PERRALLAT E TRANZICIONIT SHQIPTAR, 2012)