Home » ANALIZA » ZGJEDHJET DHE NDËRKOMBËTARËT: TRE ZGJIDHJET DHE LOJA ME KARRIKE E PARISE

ZGJEDHJET DHE NDËRKOMBËTARËT: TRE ZGJIDHJET DHE LOJA ME KARRIKE E PARISE

Vëmendja e jashtëzakonshme që po iu kushtohet këtyre zgjedhjeve nga të huajt është shumë shqetësuese për ata që e duan demokracinë, të drejtën dhe vullnetin e popullit. Të huajt janë tejet të shqetësuar dhe kjo duket nga niveli i personaliteteve që po merren me zgjedhjet. Ardhja e një personaliteti me peshë nga SHBA, si Guvernatori Dean, i cili ka qene edhe kandidat per president e kryetar i Partisë Demokratike në SHBA tre muaj e ca para zgjedhjeve nuk është fare shenjë e mirë. Dhe hutimi i tij mbas takimeve me prijatarët e parisë që e shohin veten fitimtarë është një shenjë shumë e keqe. Po ashtu deklaratat e personaliteteve europiane, që nga e përherëshmja Doris Pack tek Komisioneri Stefan Fyle dhe raportuesi Kukan janë shenja të qarta se jo vetëm SHBA por edhe europianët nuk janë fort të sigurtë me lojën dhe me lojtarët në Tiranë.

E përbashkëta është se të gjithë këta ndërmjetës të huaj po e shohin me shumë pasiguri sjelljen e prijatarëve të parisë së Tiranës. Njëri thotë se të gjithë i kanë thënë se do të fitojnë. Tjetri vjen dhe nuk pranon as të takojë njeri por takon pjestarë të shoqërisë civile dhe të biznesit dhe shkon direkt në Rinas. Në një shtet normal për këtë punë duhej të kishte rënë qeveria. Tjetri nuk vjen fare dhe deklaron që politikanët e Tiranës duhet të merren vesh sepse kanë të përbashkët kauzën e integrimit europian, kur dihet që askush nuk beson më në kauzën e integrimit europian dhe parisë nuk i intereson fare.

Mirëpo, problem është se zgjedhjet në Tiranë janë si ajo loja me karrike. Kur të pushojë muzika, njëri nga lojtarët nuk do të ketë vend që të ulet dhe prandaj duhet që të dalë nga loja. Në rastin tonë,  interesat jetike të lojtarëve më kryesorë politikë janë të tilla që asnjëri nuk mundet të humbë sepse ashtu del nga loja dhe humbja është fillimi i kalvarit të pasigurisë që në xhunglën shqiptare përkthehet në shumë mënyra. Në një vend ku gjithcka është paraja, mund të përfundosh si Fatos Nano, dhe të fillosh të paguash edhe për djathë të fërguar. Edhe pse midis fatit të Nanos, Charles Taylor dhe të Gadafit, këta pjestarë të parisë do të zgjidhnin atë të Nanos, e vërteta është se asnjëri nuk është i sigurtë se nuk do të përfundojë në burg si Sanader apo edhe më keq. Në shtetin shqiptar, cka sjell ora, nuk e sjell moti, dhe këta që kanë bere të 99-tat gjatë motit i druhen asaj orës kur mund të japin llogari.

Mirëpo, në këtë pikë, loja është në duart e të huajve. Ka tre mënyra për të huajt që të zgjidhin nyjen e ngatërruar të zgjedhjeve. Njëra është që të vënë veton si bënë me Fatos Nanon në vitin 2005 e ta nisin atë që nuk gjen karrike në mërgim të praruar. Tjetra është që të mbyllin sytë e të pranojnë vjedhjen e orkestruar të zgjedhjeve e të votave nga dy palët e parisë dhe të shpresojnë se sherri nuk do të derdhet në rrugë dhe që bandat nuk do të lajnë hesapet me kë t’iu dalë përpara. Më së fundi, zgjidhja është që t’i bëjnë të gjithë bashkë në një qeveri, dmth, t’iu japin nga një karrike të gjithëve dhe ta mbyllin lojën në paqe për katër vjet të tjera. Mirëpo në Tiranë ka aq shumë mtues e fitues të deklaruar, sa qeveria duhet bërë me 200 ministra. Edhe më keq, shteti nuk ka më para.  Shkurt, të tre këto rrugë janë ose të pamundshme, ose të padëshërueshme ose tërësisht diskredituese. Interesat e parisë nuk janë të përputhëshme dhe të pajtueshme. Sherri është i pashmangshëm.

Së pari, nuk do të ketë largim të Sali Berishës. Ku do të mbytet Sali Berisha? Sali Berisha nuk ka ku shkon. Saliu ka ende frikën e asaj kohe kur iu kundërvue botës dhe të gjithë e lanë në baltë e ngeli me 12 vetë në Presidencë. Aq më tepër që tani është në lojë edhe e ardhmja e familjes së tij. I biri është një lojtar i dobët dhe i kapur, me probleme familjare dhe i pazoti me përballue intrigat e komplikuara të Tiranës. E bija është shumë e zgjuar por ka probleme personaliteti dhe që nga viti 1997 ka qënë dhe është në shënjestër.  Dhëndri i tij është i pabesueshëm dhe peshë e lehtë, edhe pse beson se është i zoti, pa qënë aq i zoti.

Logjika e Saliut është që ai mbijeton vetëm me një opozitë bllokuese e shumë të fortë që ai vetë duhet të drejtojë sa të ketë frymë. Prandaj Saliu nuk do të ndalet para asgjëje për të promovuar ato 25 vetët e familjes dhe këta rrotat e makinës që herë janë lart e herë poshtë, por që gjithnjë kanë shtyrë përpara makinën e Saliut e të gjithkujt që i ka përdorur, tipat si Arben Imamin, Eduard Selamin, etj.

Po ashtu, Saliu është mjeshtër i mbajtjes së njerëzve peng.  Saliu është edhe mjeshtër i lojës me hijet në mur, një lojë që të huajt e kanë shumë frikë sepse shkon lehtë në luftë civile. Por, edhe pse e din se nuk e mban dot qeverinë kështu si janë punët, Saliu nuk ka ku shkon. Zgjidhja e vetme që ka është intensifikimi i përplasjes midis shqiptarëve. Përplasja, herët a vonë, do të cojë jo vetem në mbijetesën e Saliut por edhe në luftë civile, obstrukcionizem, e rebelim kundër shtetit. Edi Rama nuk ka ku shkon. Ai mund të rrijë në Kuvend si deputet, por po nuk fitoi si kryeminister, është jashtë loje dhe shumë i pasigurtë për të ardhmen. Ilir Meta është në krye të një partie të punësuarish. Për të shteti është jetik gjithashtu sepse të gjithë anëtarët e partisë ecin me etiketën e cmimit të varur nga mënga.

Së dyti, për ti mbajtur palët e parisë nën kontroll, të huajt duhet të pranojnë marrëveshjen e qartë midis dy palëve kryesore të parisë dhe njëherësh, edhe diskreditimin e demokracisë e të përfaqësuesve të huaj që e mbështesin atë zgjidhje. Ata duhet që të legjitimojnë, në emër të stabilitetit vjedhjen e hapur të votës dhe diskreditimin e sistemit demokratik, d.m.th., të pranojnë pazarin midis dy palëve kryesore. Kjo do të thotë që formalisht do të ketë koalicione, por partitë e reja e të vogla, që nuk kanë përfaqësues në komisionet zgjedhore janë të destinuara që të mbesin nën mëshirën e dy partive të mëdha.

Komisionerët do të mbushin kutitë, vjedhja do të jetë ashiqare, e hapur fare, dhe në fund arbitri do të jetë Ilir Meta që këtë herë do ti mbrojë votat e veta dhe do të jetë ai që do të vendosë nga shkon balanca e fuqisë. Mirëpo, nuk ka shenja se edhe po pranuan prijatarët e këtyre partive që të bëjnë pazar për nje vend në Kuvendin Popullor, do të pranojë baza e partisë. Ne jemi një vend oriental në të cilin mendësia katundare kërkon që ‘burri që është burrë’ të dalë në fushë të mejdanit e të marrë hakun e vet. Dhe haku është vota e vjedhur. Edhe kjo rrugë con më përplasje e në rrëmuje që pashmangshmërisht do të cojë në luftë civile, në përplasje e rebelim.

Së treti, të huajt  kanë mundësinë që të mbledhin të gjithë palët e parisë, të gjejnë një formulë që e ndan tortën e qeverisjes me përqindje dhe ta mbyllin sherrin. Në këtë mënyrë do të ketë stabilitet. Formulat që do të përdoren janë të lehta për t’u gjetur: të shmangim efektet e krizës (botërore, rajonale, ekonomike), të bëjmë një qevri të shpëtimit kombëtar, të mbrrijmë objektivat e integrimit, të zhvillimit, etj. Mirëpo kjo zgjidhje, që është edhe më e mundshmja është edhe më e rrezikshmja. Të nesërmen që të bëhet një qeveri e tillë, maska e parisë bie. Shqiptarët do ta kuptojnë që më në fund, ujku e shkundi kembën e lyer me miell dhe u tregua ai që ishte. Një qeveri e gjerë do të thotë që paria e Tiranës nuk e ka pasur asnjëherë seriozisht. Në të njëjtën kohë, një zgjidhje e tillë do të tregojë se të gjithë kanë qënë kundër popullit. Atëherë do të jetë vetëm cështje kohe që edhe populli të kthehet kundër tyre.

Në përfundim, duhet thënë se nuk ka gjasa që njëra palë e parisë të fitojë zgjedhjet e vetme. Saliu e ndjen dobësinë e Edi Ramës që ka aq shumë armiq të fuqishëm në partinë e tij. Edi Rama e din se Sali Berisha i mban bashkë rrotat e PD-së me karrotat e pushtetit, sepse si leku, edhe këta i shiten prurësit më të parë.  Vetëm Ilir Meta është më i sigurtë se të gjithë. Votat i ka blerë me lekë e me vende pune, dhe i garanton me vende pune. Të huajt duhet ta kuptojnë se këta individë nuk kanë asnjë skrupull por kanë vetëm interesa, qartësisht kriminale dhe mafioze. Dhe, për fat të keq, e ardhmja e shqiptarëve do të vendoset nga interesat e momentit të atyre ditëve, që gjithsesi do të jenë të informuara nga këto interesa jetike të prijatarëve. Loja do të jetë e karrikeve dhe e muzikës, por sa të ndalet muzika, të huajt duhet të shtojnë një karrike të re që asnjëri nga pjestarët e parisë të mos humbë, ose të pranojnë që njëri do të ulet në prehrin e dikujt, gjë që në Tiranë ndodh shumë herë e pa pasoja për karriken e radhës. Por mënyra se si do të zgjidhet ky problem do të tregojë shumëcka për të ardhmen e demokracisë në shtetin shqiptar.