Home » ANALIZA » ZGJEDHJET DHE VOTUESIT: PËRSIATJE MBI KONCEPTIN E QYTETARIT – III

ZGJEDHJET DHE VOTUESIT: PËRSIATJE MBI KONCEPTIN E QYTETARIT – III

Njëri ndër debatet e munguara në shtetin shqiptar është ai lidhur me qytetarinë. Kush është qytetar dhe si duhet të sillet ai? Cilat janë të drejtat dhe detyrat e tij? Cila është lidhja e qytetarit me shtetin? Cila është lidhja që ka qytetari me sistemet ekonomike, politike, shoqërore e kulturore? Cila është lidhja që ka qytetari me familjen? Më në fund, por jo e fundit? Cila është lidhja që ka qytetari me kombin? Të gjithë këto pyetje nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra. Ato janë vetëm këndvështrime të ndryshme të të njëjtit problem.

Problemi i konceptimit të qytetarit është një nga problemet më kryesore me të cilat përballen shqiptarët. E megjithatë, edhe në këto zgjedhje, ky është një nga problemet që anashkalohen e nuk trajtohen si duhet. Në ‘rrahjen’ formale publike të prijatarëve oligarkë të parisë së Tiranës mungon substanca dhe një ndër temat më kryesore duhej të ishte debati mbi qytetarinë. Por oligarkët e Tiranës e kanë mendjen tek ruajtja  e pasurisë së tyre, jo tek ruajtja dhe kultivimi i vlerave të vërteta që iu shërbejnë shqiptarëve.

NË këtë pikë është e qartë se shteti shqiptar sundohet nga një grusht familjesh kriminale e klanesh të fuqizuara ekonomikisht e politikisht që i kanë ndërtuar marrëdhëniet shoqërore në mënyrën që iu shërben atyre më së miri. Parisë së Tiranës dhe klaneve sunduese mafioze iu duhet një shoqëri e cila është e fragmentarizuar, pa vetëdije kombëtare, pa kuptimin e duhur të shtetit, dhe materialiste në ekstrem. E vetmja mënyrë që ata, një grusht klanesh, të mund të sundonin e të sundojnë shoqërinë shqiptare është që të arrijnë këto objektiva. Si edhe e kam argumentuar tjerakund, rrënjët e këtij projekti janë në mendësinë marksiste të parisë që është edukuar me bindjen e patundur se kapitalizmi dhe marrëdhëniet ekonomike janë qëndrore e thelbësore në cdo shoqëri. Për të arritur këto katër objektiva, paria oligarkike e Tiranës duhej të shkërmoqte shoqërinë shqiptare dhe ta riorganizonte ashtu si i interesonte asaj. Gjatë këtyre 23 viteve, paria e Tiranës ia ka arritur ta bëjë këtë gjë.

Si ia arriti? Fragmentarizimi i shoqërisë u arrit përmes emigrimit masiv e getoizimit të zonave urbane që u bënë katunde gjigande në apartamente e toka të zëna me dhunë. Vetëdija kombëtare u zëvendësua nga mendësia e njeriut individualist, homo economicus materialist e të zvetënuar që e bazon gjithcka në paranë dhe në anën më të keqe të mendësisë katundare. Shteti u transformua në armikun kryesor të shqiptarit dhe në instrumentin kryesor të sundimit të parisë. Në këtë proces, duke e veshur politikën e ndjekur me argumente ideologjike, dhe duke e vënë individin në qëndër të botës, paria e Tiranës ia arriti të fragmentarizonte shoqërinë, të ndryshonte konceptin e qytetarit dhe të shkëpuste lidhjen e tij jetike me shtetin.  Rezultati ka qënë kapitalizmi katundar shqiptar, shkretëtira morale e njerëzve njëdimensionalë qëe e shohin gjithcka përmes vlerës së lekut, kriza e thellë e vlerave kulturore dhe e shoqërisë së zvetënuar e të kriminalizuar, dhe paralizimi i shtetit që ka hyrë në qorrsokakun e pritshëm të kollapsit. Ngrehina që ka ngritur do të shembet sepse nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë, mirëpo paria e Tiranës i ka marrë masat që të ruajë pinjollët e vet. Kur të shembet ngrehina në krizën e pritshme, do të zërë poshtë shqiptarët e jo parinë.

Hapi i parë i daljes nga kriza është një rikonceptim i rolit të qytetarit në shoqërinë shqiptare dhe një rishikim i projektit të tranzicionit. Projekti ka dëshuar. Paria ka dështuar. Shoqëria shqiptare duhet të fillojë një debat të zgjeruar se sit ë ndryshojmë, sepse kështu nuk vazhdohet.

Mendimi im është se ky rikonceptim duhet të mbështetet në një numër parimesh që janë mbështetëse të njëra-tjetrës dhe që zbatohen natyrshëm në rastet e shoqërive të tjera moderne. Së pari, në qëndër të identitetit të qytetarit e përcaktues është shteti. Së dyti, lidhja e qytetarit me shtetit bëhet e natyrshme përmes përkatësisë në një grup që është kombi. Së treti, përmes lidhjes me shtetin, shoqëria kombëtare fiton elementët e qytetarisë dhe, nga ana e tyre, individët fitojnë të drejtat që meritojnë por edhe marrin edhe detyrat e përgjegjësitë qytetare të domosdoshme. Së katërti, vlerat morale që karakterizojnë një shoqëri të tillë janë ato që i shërbejnë shtet-kombit që është struktura qëndrore legjitime e identitetit. Së pesti, cdo sjellje që është e dëmshme për shtet-kombin është e dënueshme nga ligji dhe nga qytetarët. Së gjashti, demokracia nuk është sundimi i turmave, por një metodë për të zgjedhur njerëzit që duhet të drejtojnë shtetin. Nuk ka asnjë shoqëri normale që nuk është e ndërtuar mbi këto parime.

Mirëpo, paria e Tiranës e ndjen thellë trandjen e sistemit oligarkik, të kafazit ku i ka ndrye shqiptarët si gjarpërinjtë në një laborator. Prandaj edhe në këto zgjedhje, si prijatarët ashtu edhe instrumentet e tyre të shumtë janë duke luftuar për të ruajtur sistemin sepse e kanë shumë frikë daljen e gjarpërinjve të uritur nga kafazi. Mirëpo kush vendos me i kthye njerëzit në gjarpërinj, sepse mendon që i përdor duke i rënë fyellit me argëtue botën, duhet me e pasë shumë frikë ditën kur gjarpërinjtë janë të uritun, kanë dalë nga kafazi e në rastin tonë, e nw kwtw ilustrimin e perdorun ketu, kanë rrëshqitë e janë duke fjetë në të njëjtin shtrat më parinë që s’din cka me ba me pjellat e pamëshirshme të eksperimentit të saj.

5 thoughts on “ZGJEDHJET DHE VOTUESIT: PËRSIATJE MBI KONCEPTIN E QYTETARIT – III

  1. Eda shoqeria nuk mbetet statike, ecen gjithnje ne nje drejtim te caktuar, riperterihet dhe rimerr veset e te kaluares apo zhvillon virtyte te reja. Ajo qe duhet te ishte ne diskutim nuk eshte a duhet ndryshuar por cilat jane menyrat me te mira per te dale nga bataku. Nuk mund te humbasim shpresen se pa shprese nuk ka njerezim.

  2. E lexova me shume kenaqesi opinionin tuaj te shprehur ne kete ese, por a nuk mendoni se nje zgjidhje me e mire e ketij problemi do te ishte formesimi i asaj qe une e quaj si commonwealth (apo res publica) ne vetedijen dhe praktiken jetesore te popullit shqiptar? Me kete kuptoj qe do te ishte me mire te mos i presim te gjitha zgjidhjet nga shteti, duke i dhene keshtu fund etatizmit gjithesundues qe kemi trasheguar nga regjimi i kaluar komunist, dhe ne vend te ketij koncepti te ngreme ne teori e praktike commonwealth-in tone, i cili perbehet prej qytetaresh te vetedijshem per te drejtat dhe lirite e tyre te pacenueshme si sovrani qe jane, edhe qe jane mbrojtes fanatike te tyre. Duke qene te tille athere ne hyjme ne kontrate me shtetin duke ia deleguar atij nje pjese te te drejtave e lirive tona te dhena nga Zoti e per pasoje te pacenueshme, me qellim qe shteti te na i mbroje e kultivoje ato. Ne kete menyre shteti kthehet ne sherbetorin tone si dhe te commonwealth-it tone. Dhe detyra jone mbetet qe te krijojme mekanizmat e duhur per ta mbajtur shtetin nen kontroll dhe vezhgim, nder keto mekanizma mund te permendim checks & balances edhe nje shoqeri civile te forte e plot me watchdogs qe e mbajne nen vezhgim shtetin. Ne kete kuader nevojitet nje ndergjegjesim i popullit nga inteligjenca apo nga kushdo qe ka vullnetin per te luajtur rolin e rilindasve, sepse qytetare te tille nuk prodhohen brenda nje dite…

    • Z. Tahiri, ndjese per vonesen ne perjgigje sepse isha me pushime. ka nje dalim thelbesor midis commonwealth dhe kombit. ne jemi komb. ideja e commonwealth (bashkesi shoqerore) eshte e ndryshme. commonwelath eshte shoqeri. kombi eshte familje e zgjeruar. mirepo forma me e persosur dhe me e larte e kombit dhe e shtetit eshte shtet-kombi, e njejta strukture. pa komb, pra nuk ka shtet, e pa shtet nuk ka komb. sistemet qe kemi pasur ne te kaluaren nuk kane qene shtete ne sherbim te kombit, dhe nuk duhet te ndalemi ne marrjen e vendimeve qe duhen pikerisht sepse shteti qe u krijua ishte terrorist apo antikombetar. Sepse cdo deshtim eshte nje mundesi per nje fillim te ri. shteti mbahet nen vezhgim nga qytetaret e vet. prizmi, kendveshtrimi eshte ai i interesit kombetar qe duhet te jete edhe interesi shteteror. qytetaret e nje shtet-kombi jane mbikqyresit e kontrolluesit me te mire te zyrtareve te shtetit. E vertete qe qytetare te tille nuk prodhohen brenda nje dite, dhe me nje dallendyshe nuk vjen pranvera, por si themi ne ne Shkoder, te gjithe dallendyshet e tjera vijne mbas te pares.

  3. Profesor me duket se mendimin ‘MBI KONCEPTIN E QYTETARIT – III’ e keni lene pergjysem. Kush duhet ta bente riformezimin e nje shoqerie te re shqiptare, te njeriut te saj qe duhet te kete mend ne koke para se te shkoje te votoje. Nje shoqeri qe ekzistonte pas 1990, nuk iu degjua zeri per krimet qe kishte bere sistemi i komunizmit, shoqeria e majte qe ende enderronte Enverin nuk donte te kujtonte te kaluaren e saj te pergjakshme kriminale, shoqeria e djathte rrinte te degjonte neper mitingje perdorjen e gjakut te saj derdhur neper birucat e burgjeve vetem per nje vote me shume te dikujt tjeter. e tani kjo shoqeri, tashme e shkermoqur, e cila votoi te djathten si perfaqesuese te saj, rri e sheh se si digjen perfaqesuesit e saj shesheve e parqeve per me shume liri. Keshtu ishte e ndare dhe vazhdon te jete e ndare shoqeria, ashtu sic ishte edhe ne 1990. Tani edhe shembja apo jo e piramide kur diskutohet ne mesin e shoqerise, kur debatohet, duken qarte shenjat e se majtes dhe te se djathes, pa nje permiresim te dukshem qe nga 1990 (pervec faktit se ka dale raca e re, e shoqerise se lekut). Mund te kete qene ne ndonje moment dhe fraksion i shkurter kohe qe ky debat te behej dhe te ndryshonte kjo shoqeri (pikerisht gjate kohes se qeverisjes teknike ne 1991), por kur nuk u be atehere, s’besoj se do te behet me. Kjo shoqeri ka per te ecur keshtu.

    • e dashur Eda, po, koncepti i qytetarit eshte lene i pazhvilluar si duhet por do te zhvillohet me shume ne shkrimet e tjera. shoqerite ndryshojne dhe pikerisht kur duket se nuk ka me shprese, atehere vjen ndryshimi.

Comments are closed.