Home » ANALIZA » DITA MBAS ZGJEDHJEVE: ËNDRRA E VETME DHE PESËMBËDHJETË ANKTHET E PARISË SË TIRANËS

DITA MBAS ZGJEDHJEVE: ËNDRRA E VETME DHE PESËMBËDHJETË ANKTHET E PARISË SË TIRANËS

Një përrallë popullore kallzon për një hoxhë të mencur që e kuptonte se cka mendonin njerëzit dhe që i gjente gjerat që ata fshihnin ose që i kishin humbur. Kaq i doli nami i madh këtij hoxhës sa shkoi në kryeqytetin e Perandorisë osmane. Sulltani e thirri e  tha të gjente se cka kishte fshehur në kutinë e duhanit. Hoxha u mendua e u mendua, dhe kur e kuptoj se po i delte mashtrimi, psheretiu me zë, “eci sa eci, e ketu mbet karkaleci!” “Aferim,” i tha Sulltani, “se karkalec ishte!”  E shperbleu me para dhe e nisi ne vendin e vet ku u trajtua si burre i zoti per gjithë jetën. Ajo qe e shpëtoi Hoxhën ishte mbiemri që e kishte Karkaleci.  Sulltani kishte fshehur në kutinë e duhanit një karkalec. Rastësia e shpëtoi Hoxhën.

Tashti, paria e Tiranës është si ky Hoxhë Karkaleci. Në dukje, ajo e gjen të fshehtën e njerëzve dhe i mashtron dhe i rren gjithë kohën duke folur per liri demokraci, pasurim, integrim e me radhw. Në dukje, njerëzit besojnë se paria është e pashmangshme, e fuqishme dhe e pathyeshme dhe qe i gjen te gjithe zgjidhjet. Ata e kanë frikë për vdekje e tmerrohen prej saj. Sepse këta të bëjnë atë që thuhet se e bëjnë. Të vrasin. Të zhdukin. Të cojnë në mjerim. Të trafikojnë familjarisht. Të bëjnë të pish helmin. Të nxjerrin namin e zi për shtatë breza. Të vënë në kurriz ca banditë që kanë dalë direkt nga porta e Ferrit. Të shkatërrojnë me gjithcka dhe të bëjnë të bësh jo vetëvrasje por hara-kiri. Këta të bëjnë që të mos e varësh veten por te behesh mumje ne deren e shtepise tende.

Mirëpo problemi është se kjo është vetëm paraqitja sepse duket sikur ka kaq presion të papërballueshëm nga ana e parisë si dhe mungesë reagimi total nga ana e popullit. Por gjërat janë më të komplikuara se duken. Paria e jonë janë katundarë safi. Dhe ne të tjerët jemi katundarë safi gjithashtu. Dhe si katundarë të vërtetë, të gjithë ne ndryshe mendojmë, ndryshe flasim, e ndryshe veprojmë. Origjina e ëndrrës dhe pesëmbëdhjetë makthet e parisë së Tiranës janë të lidhura pikërisht me këtë mendësi. Pasiguritë e saj janë ë shumta por pasiguria e saj zë fill pikërisht tek paftësia e leximit të saktë të mendjes së popullit tonë katundar e fisnik nga ana e parisë. Se ne ndryshe mendojmë, ndryshe flasim e ndryshe veprojmë dhe tjerakund e kemi qëllimin. Ne jemi si uji. Dhe uji ka një problem, ai shkon aty ku gjen hapësira e të cara.

Paria e Tiranës ka ngritur një digë gjigande me mashtrime, krime, vjedhje, manipulime, poshtërsi, ndyrësi, zvetënim, e degjenerim. Paria e Tiranës ka një ëndërr të thjeshtë, shkurt ajo nuk don që në fund të zbulohet mashtrimi i saj se ka bërë poshtërsinë më të madhe të mundshme, se na ka drejtuar në rrugën më të gabuar të mundshme, se na ka kriminalizuar, vjedhur, grabitur, degjeneruar, trafikuar, shitur e blerë, skllavëruar, droguar,  etj. Paria ka frikë se po u ca dikund diga, të gjithë ngrehinën e krimit e merr uji i zemërimit popullor me vete. po doli qe demokracia, liria, kapitalizmi pasurimi, integrimi etj jane mashtrime, cka ndodh?

Deri në këtë pikë, paria beson se e ka hedhur lumin sepse nuk ka ndodhur ende gjë. Në fund të fundit, nga pjestarët e vërtetë të parisë janë vrarë vetëm një grusht njerëzish. Hetuesit e të dënuarit rrinë bashkë e bëjnë biznese bashkë. Pronarët e ish-pronarët janë të lidhur me interesa e martesa. Të gjtihë familjet e komunistëve kanë dalë edhe balliste. Ne i kemi marrë të gjithë kërmat e plehrat politike të historise, i kemi larë e pastruar në faqet e gazetave e në biografitë e pafund, dhe i kemi vënë në piedestale dhe këta pjestarët e parisë së Tiranës presin që t’iu vijë radha edhe këtyre. Sepse kemi filluar t’iu vëmë emra bulevardesh të gjithë drogashitësve, hajnave të pulave e trafikantëve. Kurrkujt nuk i bëhet llogaria për maskarallëqet që thonë e që shkruajnë pa nderprerë e pa I vrarë ndërgjegja. Askujt nga këta nuk i është trafikuar djali apo vajza, motra, nëna apo gruaja, por edhe në ka ndodhur, nuk e kanë ditur, ose bëjnë sikur nuk e dinë, sepse kur bën sikur nuk e din, nuk ka ndodhur. Këta vjedhin me të dy duart e askush nuk kundërshton bile hajni më i madh brohoritet. Këta i kanë nxjerrë paratë jashtë vendit e askush nuk padit e nuk ankohet. Këta llapin marrëzira e askush nuk kundërshton. Paria mendon se ia ka hedhur. Diga e mashttimit është nëmendjen e njerëzve dhe njerëzit nuk e shohin. Kjo është si puna e atyre që besonin se dielli rrotullohet rreth tokës edhe kur doli teoria se toka rrotullohet rreth diellit. Për sa kohë këta besojnë në fjalët e parisë, paria ia ka hedhur.

Mirëpo, cfarë ndodh në se njerëzit nuk besojnë më tek paria? duke e ditur se si mendojnë katundarët, ajo ka shumë ankthe, dhe unë po përmend vetëm pesëmbëdhjetë prej tyre. Problemi i parisë është sepse ajo nuk e din nëse shqiptarët i besojnë prej së vërteti apo po luajnë lojëra edhe me të. Sepse në katundin tim, kemi një lojë që quhet dushk për gogla. Problemi i parisë është se po e morën vesh shqiptarët se e kanë një shans për kryer punën që kanë ndërmend, ata nuk do të besojnë parinë e Tiranës dhe në vend të karkalecit do të vënë një gjarpër. Dhe mandej do t’ia marrin parisë nderin, fytyrën, fëmijet, pasuritë dhe jetën. Sepse si ka thëne Ekrem Bej Vlora, tre gjëra nuk i ka kush të sigurta ndër shqiptarët, nderin, gruan e pasurinë. Problemi i parisë është se tashmë ajo nuk e ka të sigurtë as fëmijët e jetën. Sepse ata që deri dje ishin popull e katundarët që shkuan në shkollën e djallit nuk kanë pse presin populin katundar që të nënshtrohet e të rrijë si dele nën sundimin e tyre. Sepse malli vjedhur iu përket të gjithëve dhe kur të vijë puna i përket më të fortit dhe me i forti ndër shqiptarët është zemërimi popullor e shpërthimi popullor si ai që ndodhi në vitin 1913. Ky është 100 vjetori i atij shpërthimi. Ku i dihet se cka ndodh në këtë 100 vjetor? Sepse e ka një arsye pse paria festoi 100 vjetorin e shpalljes së një shteti gjysmak dhe nuk po festoon 100 vjetorin e shpërthimit të marrëzisë kombëtare. Paria e din se nuk ka asnjë mundësi që të përmbajë shpërthimin popullor që po erdhi, edhe po erdhi në formën e qelbit, ta ndalojë e ta përmbajë.

PAria e di se oqeani është gjithnjë më i qetë para se të fillojë stuhia. Dhe populli trazohet zakonisht para zgjedhjeve. Prandaj, paria e Tiranës po iu afrohet  këtyre zgjedhjeve me një ndjenjë pasigurie të theksuar. Natyrisht që në takime, mitingje, e në fushatat respektive, pasiguria e parisë as nuk shihet e as nuk ndjehet. Prijatarët janë të gjithë delirantë dhe e shohin veten si fitimtarë, e paraqesin veten si fitimtarë, dhe militantët e tyre kanë nisur që të sillen si mbështetës të fitimtarëve. Mirëpo poshtë kores së vetësigurisë dhe arrogancës së parisë ka një numër faktorësh që e bëjnë lojën krejtësisht të paparashikueshme dhe të pakontrollueshme. Paria e Tiranës ka vetëm një ëndërr. E megjithatë, paria ka një numër të theksuar ankthesh që e shqetësojnë së tepërmi. Në këtë seri shkrimesh do të merrem me ëndrrën dhe me pesëmbëdhjetë ankthet e parisë së Tiranës.

1. Ëndrra e Parisë së Tiranës

Paria shpreson që mbas një përplasjeje të furishme e të pandërprerë në shtyp, në të cilën do të përtypen e përmenden kurvëritë, poshtërsitë, hajnitë, dashnoret e dashnorët e familjeve, krimet e dorës së dytë, vjedhjet e tenderat, hidrocentralet e klanet e krimit, lidhjet e dyshimta, Tan Lepri e Rrahmoni, 10 e 20 përqindshat, në fund do të ketë një përshkallëzim përtej fakteve që i din e gjithë Tirana e bile edhe Diaspora shqiptare e Timbuktusë. Analistët, komentatorët, opinionistët, mentarët e të gjithë ata që presin një kockë do të hidhen në sulm për të degjeneruar e zvetënuar njerëzit e palës kundërshtare sepse ose do të jesh me ne ose kundër nesh. Fushata do të fillojë t’i ngjajë Big Brother, edhe pse këta nuk do t’i shohim të flejnë bashkë.  Ai që do ti vjedhë votat më të shumta do të ngrejë duart simbas parimit “Qe Baba duart…” Më në fund, votuesit e luajtur mendsh dhe të bombarduar me dizinformacion do të shkojnë të zgjedhin të keqen më të vogël.

Mirëpo paria i ka marrë masat që votuesit të mos votojnë, të themi, AKZ apo FRD. Si do ti votojnë ata kur votën e tyre e hedhin komisionerët e partive kryesore? Bamir Topi ndoshta e merr votën e vet, sepse shumica e ish-berishistëve që nuk kanë ku shkojnë e që nuk do të jenë më në lista ndoshta e mbështesin, ndoshta e ku i dihet edhe me pak ndihmë nga dikush i interesuar i bën vend vetes në Kuvend. Por AKZ nuk ka shans sepse nuk e mbron njeri, votat e saja vijnë shumica nga anti-berishistët dhe gjithsesi PBDNJ ka tre vende të sigurta në parlament dhe gjashtë grekë në listat e partive të tjera dhe PS ka qënë gjithnjë partia e grekëve.  Pse duhet t’ia mbrojë kush votat AKZ-së? Pala e pakënaqur do të bëjë nja dy mitingje të egra, takimet e KQZ do të jepen live, dhe të gjithë shqiptarët do të rrinë pa punë duke parë televizor në kafene, duke pirë kafe dhe duke pritur që t’iu bjerë njëri nga tre IPhone për ‘ndonjë gjë të vogël’ që pak a shumë përkthehet si punë e pistë diku tjetër.

Por, në fund, mbasi njerëzit të jenë të lodhur në maksimum, mbasi të përmenden 1997 e 1998, e mbasi të thuhet se kështu janë të gjithë, në skenë do të ndërhyjnë të huajt dhe do të caktojnë fitimtarin. Në këtë rast, kryetari i partisë humbëse do të shkojë tek njerëzit e vet e do t’u thotë se nuk e mbajmë dot BE-në me bukë, nuk kemi para, të kuptojmë situatat dhe ta mbyllim këtë punë. Shteti iu fal paratë partive të vogla, kutitë janë e mbesin transparente në KQZ, paria thotë se sherri ishte për fushatë, dhe me një qeveri me bazë të gjerë mbyllet loja e zgjidhet halli. Të gjtihë të inkriminuarit kanë marrë viza e kanë blerë restaurant jashtë shtetit, e kështu mund të fillojë vjedhja nga fillimi. Askush nuk humbet, shqiptarët e hanë sapunin për djathë dhe deri në zgjedhjet e tjera merren përnatë me Blendi Fevziun, Cim Pekën, Arian Canis, Ilva Taren, Ruzhdijen dhe Big Brother dhe i fusin një “hajt ma, s’kena cka me ba…” dhe kthehen tek jetesa e tek poshtërsitë e vogla të përditshme. Kjo është ëndrra e parisë së Tiranës. Me pesëmbëdhjetë ankthet e parisë do të merren në shkrimet që vijojnë.

2 thoughts on “DITA MBAS ZGJEDHJEVE: ËNDRRA E VETME DHE PESËMBËDHJETË ANKTHET E PARISË SË TIRANËS

  1. Pershendetje Profesor e urime per blogun!

    Nqs shohim historine tone, ne fazen e pare populli i ka pare gjithnje me dyshim ndryshimet e sistemeve, nuk ka pasur asnjehere nje shumice te qarte/absolute te bindur per ndryshimin e te gatshme per mbrojtjen e sistemit te ri. Vete qeveria e I.Qemalit u rivalizua pa asnje problem nga ajo e E. Pashes ne Shqiperine e Mesme, me vone kemi edhe rebelimin reaksionar te Haxhi Qamilit.

    Kemi revolucionin e Nolit, ku perseri populli nuk ishte i gatshem per mbrojtjen e ndryshimit.

    Regjimi komunist pergjate viteve te para u dha fshatareve toke e priti gati 15 vjet derisa t’ua rimerrte, lejoi tregtine me pakice etj, pra nuk kreu revolucion te plote qe ne fillim, por lejoi per shume vjet menyren e vjeter te jeteses per nja 95% te popullsise.

    Regjimi komunist nuk ra menjehere si ne Europen Lindore, madje ne mars 1991 shumicen e fitoi PS-ja. As kriza e bukes nuk mjaftoi qe shqiptaret t’i thoshin jo menyres ‘se vjeter’ te jeteses dhe elites se vjeter. Ne lokalet e 1992, fitoi prape PS-ja.

    Ndryshimet rrenjesore te sistemit nuk kane qene te mirepritura as me pare, reagimi ndaj Tanzimatit ( reforma ne kuader te kalimit nga feudalizmi ne kapitalizem) ka zgjatur me dhjetera vjet.

    Perballe kesaj historie marredheniesh te veshtira te popullit me ndryshimin, cilat jane argumentet ne mbeshtetje te hipotezes se ndryshimit rrenjesor ? Cfare ka ndryshuar tek shqiptaret ne keto 20 vjet, qe lejon te behet e mundur qe populli te pranoje e mbeshtese nje ndryshim te ketille ?

    Ne rastet e mesiperme (perveç kalimit ne komunizem) parite e vjetra duke kaluar ne anen tjeter jane bere udheheqese te ndryshimit, qofte per idealizem e qofte per pragmatizem.

    A mos valle per t’u mundesuar ndryshimi duhet qe nje pjese e parise se vjeter (te Tiranes), qofte per idealizem e qofte per pragmatizem, te vihet se s’ben ne krye te vullnetit per ndryshim ?

    • i dashur Hyllin,

      Me vjen shume mire qe e shoh komentin tend dhe qe e ke lexuar blogun. Nuk eshte problemi tek njerezit dhe individet e vecante. ajo qe po ndodh me ne eshte pjese e nje procesi te gjate historik e transformativ qe shpeshhere ka kaluar ne ekstreme te ndryshme, te kunderta e shume shpejt. Kete e kam shpejguar ne librin tim, besoj. Megjithate ne lidhje me parine, pa dyshim nje pjese e saj do te jete pjese e ndryshimit. Mirepo roli i saj duhet te jete i kushtezuar nga nje ideologji e qarte, nga vlera te ndryshme prej atyre qe e formesojne shoqerine tone sot, dhe me shterngesa ligjore e kulturore te tilla qe e bejne parine te kontrollueshme e ne sherbim te interesave te shtet-kombit. Pra, nuk ka rendesi se sa jane e kush jane pjestaret e saj qe jane pjese e projektit te ri, rendesi ka, sic e kam thene diku, qe ata te funksionojne brenda ketij projekti. Pra, tullat perdoren per te bere burgje, tullat perdoren per te bere shtepi, tullat perdoren edhe per te vrare njerez. varet se si perdoren njerezit ne kontekstin e perparesive te shoqerive, dhe ne sherbim te interesave e te vlerave te saj.

Comments are closed.