ILIR META: PARLAMENTI I LESHIT U KTHYE NË KUVENDIN E VESHIT

Lëvizja Socialiste për Integrim po zhvillon një aktivitet elektoral në pallatin e sportit Vlorë, me qindra mbështetës dhe aktivistë të kësaj partie.

Nga Vlora, kreu i LSI-së Ilir Meta tha se pas 24 qershorit askush nuk do mund ta anashkalojë më këtë qytet ku lindi shteti shqiptar.

“Vlora na ka bërë të ndjehemi krenarë edhe nëntorin që kaloi. Pavarësisht se u bënë përpjekje për ta anashkaluar në 100 vjetorin e Pavarësisë vendin ku u krijua shteti dhe patriotin, burrin që ngrit flamurin Ismail Qemali. Ata që u përpoqën të anashkalojnë Vlorën dhe Ismail Qemalin bënë gabim se guxuan të maten me histrinë. Por më 24 qershor ata nuk do mund të bëjnë më histroi dhe Vlora e Qemali do mbeten të shtrenjta e të dashura për të gjithë”, tha Meta.

Për Metën, qytetarët e Vlorës meritojnë dhe duan që Shqipëria të zhvillohet ekonomikisht e të integrohet në BE, por sic tha ai vendi është sot në udhëkryq dhe integrimi mbahet peng nga politika konfliktuale.

“Kur thua Vlorë të vjen në mend shteti dhe institucionet e tij. Sot pas 100 vitesh ne jemi vend anëtar i NATO-s, vendi ka bërë jo pak në rrugën e mundimshme drejt BE, vendi është zhvilluar falë sakrificave të qytetarëve shqiptarë, me rëndësi për të është edhe liberalizimi i vizave, ndërsa integrimi i papërmubushur dhe i parealizuar, sot e lë vendin në udhëkryq se politika e mbrapsht dhe konfliktuale e mban Shqipërinë larg BE. Ndaj jemi sot këtu për të dhënë mesazhin se Vlora dëshiron të ecë më shpejt në rrugën e integrimit. Kush premton 250 mijë vende pune, kur nuk hapi dot 50 mijë në 8 vite i them se Vlora nuk ngopet me lugën e zbrazët, se Vlora kërkon ndryshim, Shqipëria kërkon një model të ri ekonomik, një ekonomi që eksporton e konkurron. Ndaj jemi sot këtu për të thënë se Vlora nuk mund të pajtohet me arrogancën dhe vetëkënaqësinë për ekonominë. Nuk mund të vazhdohet të qeveriset me lëvdata, kur borxhet ndaj kompanive të punëve publike po shkojnë në 300 milionë euro të papaguara, duke rritur kreditë e këqija, nuk mund të vazhdohet me efuroi për ekonominë kur borxhi për mosrimbursimin e TVSH po arrin në 200 milionë euro”, tha ai.

Sipas Metës, “Shqipëria ka nevojë për një alternativë që kujdeset për njerëzit, një projekt dhe plan konkret për ekonominë dhe punësimin, për bujqësinë e fermerët. LSI është e vendosur për grantet dhe subvencionet për të rritur prodhimin bujqësor, në do rrisim investimet në sektorin turistik, ne duan Shqipëri dhe Vlorë me turizëm të zhvilluar”, tha ai më tej.

Meta tha se LSI është për një Shqipëri që krijon lehtësira fiskale për biznesit me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës dhe që konkurron në rajon. Meta theksoi se vendi ka nevojë për një shet ligjor që respekton Kushtetutën dhe jo një ‘ambulancë’ që vjen sa herë vendi ka nevojë’ .

“Ne duam një Shqipëri që respekton shtetin ligjor dhe Kushtetutën pasi janë baza për të ecur më shpejt drejt rrugës së integrimit Evropian. Politikanët ikin dhe vijnë ndaj është detyra jonë për të vendosur standarde. Ne kemi nevojë për shtet strateg dhe jo për ambulancë që vjen sa herë kemi nevojë” theksoi Meta.

Kreu i LSI shprehu vendosmërinë për të qëndruar larg politikës konfliktuale, që mban peng mirëqenien e shqiptarëve dhe integrimin në BE, teksa tha e vendi ka nevojë për pjekuri politike pasi Shqipëria është i vetmi vend në NATO që zhvillon zgjedhje që në fund kontestohen.

Madje kryetari i LSI mbrojti edhe aleatin e ri, Edi Rama, duke komentuar vendimin e parlamentit për të ngritur një komision hetimor për ngjarjen e Vjenës. Meta tha se ky është shndërruar nga parlament leshi, në parlament veshi.

“Ne duam një Shqipëri pa politikanë përçarës, të cilët e kthyen para një jave parlamentin në parlamentin e ‘leshit’ dhe sot e kthyen ne parlamentin e ‘veshit’. Ne na duhet një parlament që merret me shqetësimet kryesore të vendit dhe reformat që e integrojnë më shpejt në BE, larg akuzave dhe denigrimeve. Ne duam një Shqipëri me klasë politike që ka pjekurinë dhe vetëpërmbajtjen që di të bëjë zgjedhje të lira, pasi jemi i vetmi vend në NATO që nuk kemi zhvilluar ende zgjedhje të cilat nuk janë kontestuar”, theksoi Meta.

LEDJAN PRIFTI: SHEMBJA E IDHUJVE DHE DIALEKTIKA E NGJALAVE

Shqiptarët i kanë dy ”borxhe” Ilir Metës; i pari, falë aleancës me Salën ne 2009-n shpëtuan prej dialektikës falso komunistë-antikomunistë dhe i dyti, falë paktit të ngjalave shpëtuan prej maskës së Ramës, Rilindja tashmë është vetëm një gjethe fiku. Ilir Meta brenda një 4 vjeçari arriti të çjerrë me shumë lehtësi maskën antikomuniste të Berishës dhe maskën edramiste të ndryshimit . Meta, si babai i mendësisë politike të ngjalave, ka ‘meritën’ qe mendësinë e pazarit, e cila gëlonte në gjithë prapaskenat e jetës publike, ta shpallte si mendësi politike hegjemone ose si kategori sunduese e të të menduarit politik.

Berishës nuk ia kish mbajtur deri në 2009-n ta bënte një shpallje të tillë, Ramës nuk ia mbajti deri në 1 prill. Deri në 1 prill, kishim të vepruarit politik me bazë tek pazaret e trafiqet, prej 1 prillit të menduarit politik iu nënshtrua të vepruarit, teoria iu nënshtrua praktikës, nuk mund të vazhdonte më tej kjo skizmë mes tyre, më në fund u puqën falë Metës, edhepse së prapthi. Tani që praktika politike e pazarit ka edhe mbrojtjen e teorisë politike, topi iu kalua mendësisë së asaj pakice votuesish, deri dje refraktare ndaj pazareve. Eshtë kjo mendësi që duhet të ndryshojë në mënyrë që regresi e degjenerimi i të menduarit politik të shpallet i plotësuar.

Pra, topi është në fushën tonë, duhet të zgjedhim si ta luajmë lojën. Kemi 3 mundësi:

1- Të votojmë për Berishën e Rametën, kështu ta shpallim, njëherë e përgjithmonë, regresin e degjenerimin politik si e ardhmja jonë

2- Do zgjedhim të votojmë FRD-në e AK-në që pavarësisht prapaskenave, nuk na kërkojnë publikisht të pranojmë politikën e ngjalave

3- Do të hedhim votën e bardhë, në dreq të shkojnë të gjithë, asnjëri s’është i denjë për t’i dhënë besimin tonë as për provë

Secili do të zgjedhë  në bazë të arsyetimit që do bëjë, kjo është në njëfarë mënyre edhe liria e pakicës refraktare ndaj pazareve, kjo pakicë ka ende lirinë e të menduarit racional, gjendet tek logosi, i ka shembur idhujt dhe të menduarit mitik e nuk pranon të kalojë tek të ngjalëmenduarit dhe dialektika e ngjalave, sikundër ka bërë shumica e shqiptarëve.

Të menduarit mitik (mythos) ka kushtëzuar për një kohë të gjatë zgjedhjet e shqiptarëve gjatë tranzicionit. Ai prodhoi idhuj, Sala si idhulli i të djathtëve antikomunistë dhe Rama si idhulli i të majtëve progresistë e antiberishistë ( përveç idhujtarisë si trashëgimtar i komunizmit). Ky lloj i menduari politik u vu në krizë nga vetë veprimtaritë politike të dy ‘dinozaurëve hyjnore’, Sala nuk bëri asgjë për të përsekutuarit e për ish-pronarët e vërtetë, por i dogji dhe i vodhi,  ndërsa Ramës i dolën në shesh prirjet autokratike dhe për pazare.

Kriza e idhujtarisë falë pakteve me Metën u shndërrua shpejt në shembje të idhujve; prej 4 vjetësh Sala nuk është më idhulli i antikomunizmit, përveç idhujtarisë si profesion i mirëpaguar apo produkt i vjedhjeve e përfitimeve gjatë qeverisjes së tij, ndërsa Rama prej 1 Prillit nuk ështe më idhulli i politikës së re dhe ndryshimit, përveç idhujtarisë si profesion i mirëpaguar apo produkt i përfitimeve të pritshme në rast të fitores së tij.

Mirëpo ndryshe nga vijueshmëria normale historike e kalimit nga ”mythos” tek ”logos”, e cila ka bërë të mundur lindjen e mendimit racional në Greqinë e lashtë dhe vetë lindjen e shkencës moderne në Perëndim (shkëeputja nga ‘mythos’ i Kishës), tek ne shembja e idhujve nuk po sjell triumfin e logosit, pra të të menduarit logjik. Kjo do të sillte shembjen e sistemit dhe bipolarizmit atavik e majtë-e djathtë.

Berisha e Rameta bashkë me lukuninë mediatike, e cila formëson opinionin publik, meqë nuk mund të lejonin shembjen e sistemit, ku të gjithë hanë bukë e vjedhin sa munden, duhet të gjenin një zgjidhje, një alternativë tjetër ndaj zbritjes triumfale në politikë të logosit të frikshëm. Zgjidhja e gjetur ishte ngjala, të ngjalëmenduarit si kategori e re që zëvendëson mythos-in. Tashmë të gjithë janë nën presion të vazhdueshëm, thonë mirë që na u hapën sytë, se as Berisha e as Rama nuk jane ndryshe, të dy në pazar me Metën për karriget e tyre, por tani si do t’ia bëjmë që këta kanë kapur jo vetëm shtetin, por edhe gjithë ekonomine private, si do hamë bukë ( jo si metaforë, por në kuptimin e parë).

Të ngjalëmenduarit u thonë lukunia mediatike, e ka gjetur zgjidhjen Meta e janë dakort publikisht edhe Berisha edhe Rama. Do të gjesh një punë që të hash bukë, shko voto e gjej vota të tjera për ta, përndryshe mbathja në emigracion e mos hap telashe. Do bësh pazar me votën teënde, me dinjitetin tënd, që ata të vjedhin taksat që ti paguan, hidrocentralet që kanë mbetur ende pa shitur dhe nëpërmjet borxhit publik edhe të ardhmen e familjes tënde.

Sipas tyre, të ngjalëmenduarit është proçes i pashmangshëm, është domosdoshmëria e historisë që e kërkon, pas shembjes së idhujve nuk na vika dialektika politike e sunduar nga logjika, por dialektika politike e ngjalave, një formë e pastër shantazhi për shqiptarët, ku o je me Salën o je me Edin, o do hash bukë duke brohoritur Berishën o do hash bukë duke brohoritur Rametën. Logjika në dialektikën e ngjalave nuk varet nga logosi, pavarësisht se logjikë vjen prej fjalës logos, por varet nga stomaku, i logjikshëm është ai që e mbush barkun me ngjala.

Me këtë shpërfytyrim të logjikës do t’i bëjmë hesapet mirë në të ardhmen. Shqiptarët herët a vonë do ta kuptojnë, se nuk ka asnjë të ardhme pa racionalitet, realiteti është në thelb i varur nga racionalja, prandaj nuk ka pasur të ardhme për asnjë popull, i cili përherë i ka thënë derrit daje. Prandaj edhe e tashmja jonë është kaq absurde, sepse në të shkuarën të parët tanë i kanë thënë më shumë se ç’duhet  derrit dajë, aq sa s’po dihet më kush është derri e kush është daja, prandaj edhe komunizmin që kishte vdekur me kohë ne e mbanim në këmbë e s’donim ta varrosnim.

VALBONA KARANXHA: IMPLIKIMI I EDI RAMËS NË PROPAGANDËN SOCIALISTE NËPERMJET MASMEDIAS

 

Tetë vjet mbas farsës së PD dhe propagandës së saj, PS po ndjek, siç parashikohet të njëjtën rrugë për të realizuar axhendën e vet propagandistike ashtu siç është e përcaktuar  më përpara. Mbështetur në artikuj, pamflete, diskurse, gazeta apo në networket sociale, roli  që loz dhe që do vazhdoj të lozin kanalet propagandistike të PS është  mjaft amatoresk në natyrë.  Por kjo është më se e mjaftueshme për të pasur një impakt në popullatë. Duke ju referuar realitetit imediat, me një seri ngjarjesh njëra më  mbreslënëse se tjetra, duket se mbas marrëvëshjes se 1 prillit  rolet e parisë janë përcaktuar, dhe farsa propagandistike eshtë kthyer në një argëtim të bukur, një shfaqje gjeniale që paria po e interpreton me talent dhe me përkushtim.

Pavarësisht se  përmbajtja e shfaqjes është dokrra me qumësht, e lagu s’e lagu, nuk do shumë mënd për të arritur në konkluzionin që Edi Rama, nuk është aq i sprovuar sa oponenti i tij Berisha, “Mastermind-i” mbas skandaleve ndërkombëtare, diplomatike apo partiake. Pra edhe kjo shfaqje është, pa e vulgarizuar,  me t’qeshme e me t’ngjeshme. Por mediat diletante vrapojnë mbas kush e kush ta transmetoj e para dhe se si do ta ndryshojnë atë që ndodhi për interesin e xhepit.

Funksioni i mediave në Shqipëri është po aq i ulët sa dhe misioni i tyre. Imagjino, një shpend grabitqar i cili grabit një rodent, sorrat mblidhen  krakarijne, gumëzhijnë dhe fusin hundët atje ku s’duhet. Çështja  komplikohet, tjetërsohet dhe interpretohet sipas  nevojës. Keshtu që në fund të ditës kemi një episod tjetër për tjetër nga ai që ka ndodhur. Shpendi hëngri rodentin apo rodenti kafshoi shpendin. Kush e merr vesh?! Për ta lidhur me ngjarjet e fundit, çështja nuk thjeshtëzohet në faktin “I shkuli apo s’i shkuli veshin Edi Rama Egin Cekes”, “U shkri apo s’u shkri AKZ”,  çështja qëndron në serinë e veprimeve që vijojne pas këtij apo çdo lloj incidenti në qëndër të së cilës ndodhet Edi Rama dhe interpretimet e masmedias socialiste.

Masmediat socialiste janë përpjekur të lustrojne, zbusin dhe romanti-ci-zojnë imazhin e Ramës mbas çdo incidenti politk. Por, eksperienca e pakontestueshme tregon se çdo hap që hedh Edi Rama është po aq i pasigurt sa femija që sapo mëson të ec vet dhe nuk ja ka idenë se ku do përplaset dhe se çfare do theyj. Kjo është e pritshme për një lider që nuk pranon të iluminizohet, të piqet, të ndryshoje, të përmirësohet të mësoj nga lider të kalibrit botëror, nga figura të cilët kanë frymëzuar masa.  Rama i ngjan një fëmije kapriçoz i cili lëshon një temper-tantrum (shpërthim emocional) kur mami nuk i blen çokollatë.

Duhet pasur parasysh fakti që Rama nuk ka qënë ndonjëherë qeveritar, por thjesht një bashkiak i cili u përkushtua qytetit të tij. Gjë shumë positive  kjo dhe i jap kreditet që meriton. Por kur analizohet tranzicioni i Ramës nga posti i bashkiakut, në atë të kryetarit të partisë si dhe garuesit kryesor për post qeveritar, vërehet se Rama nuk i kalon aspak me sukses pengesat. Në gjuhe të thjeshtë, Rama bie gjithmonë në kurth, humbet në labirinthet e djallëzisë së politikës dhe shkakton një rrëmujë të madhe e cila rezulton në krakaritje mediash dypalshe, njëra që e fundos akoma më shumë dhe tjetra që i del përkrah. Çfarë mësimi nxjerr Rama nga këto ngjarje? Absolutisht asnjë sepse “mesimi nga gabimet” nuk është në axhendën politike të Ramës.

Propaganda e Ramës në këto momente, historike per të, dhe për mbarë popullin, është një nga faktorët që do t’a fundos ëndërrën e tij për t’u bërë një kryeministër i sukseshëm. Në fakt, po ta mendosh Rama i cili i shiti shpirtin djallit për kolltukun, mbase me vërtet diçka do të bëj, them unë. Por e pasura deshire dhe e bëra janë larg njëra tjetrës. E ashtuquajtura “elita” e majtë e Ramës, po bën çështë e mundur të manipuloj elektoratin me anë të masmedias sipas interest të tij. Interesi imediat i Ramës është ardhja në pushtet dhe media socialiste po punon në maksimum të arrij sukses. Dhe kjo luftë e pandershme tregon ego për pushtet dhe aspak dëshire për të përmirsuar apo ndryshuar gjëndjen.

Sukseset e vogla dhe djallëzitë e PS mbas traktatit të 1 prillit

E para, propagnda e PS është po aq virtuale sa edhe reale, por në fund të fundit virtualja arrin public më të madh se bota reale e cila kërkon kohë, njerëz, mundim dhe burime të tjera. Nuk duhet mohuar fakti që jo të gjithë kandidatët e PS po bejnë fushat të poshtër.  Mbase njëri tek tuk mund të jetë i përkushtuar por kjo nuk është norma. Këta persona quhen “outliers” dhe nuk kanë impakt fare ne të përgjithshmen e propagandës socialistë e cila nuk është asnjë gje tjetër përveçse një fushatë vulgare e drejtuar me mungesë të theksuar profesionalizmi.

E dyta  është një nga të preferuarat e propagandës socialiste. Në Shqipëri një pjesë e mirë “identifikon” rregjimin e Berishës me konceptin e kapitalizmit (po e le demokracine menjane ketu). Kjo bëhet me qëllime te caktuara nga makina e propagandës socialiste. Përgjithsisht, principet e kapitalizmit jane: liri individuale, respektim i të te drejtave të njeriut, pushtet i bazuar ne zbatimin e ligjeve v.s.  pushtetit të një  njeriu; ekonomia e tregut të lirë dhe ndarja e shtetit nga ekonomia. Rregjimi i Berishes nuk hynë farë në këto korniza. Në fakt rregjimi i Berishës eshte totalitar; ka kontroll absolut mbi pikat kyce te ekonomisë, nuk mbeshtetet në ligjishmëri por në anarkizem.

Socialistët i njohin shumë mirë sistemet sepse në rradhët të tyre ka mjaft të shkolluar si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Do të ishte lajthitje të mendosh që propaganda socialiste nuk arrin të diferencoj një pushtet anakist nga kapitalizmi i pastër. Por ky sqarim nuk i intereson Ramës dhe zhurmuesve të vet sepse është mënyrë e sigurt të rekrutoj elektorat i cili nuk është i qartë në ndryshimin e sistemeve politike dhe avantazhet që ka njëri mbi tjetërin. Pra, “qetësia” e viteve të sistemit monist është ajo që  duhet në këto momente. Ky spekullim është demagogji e pastër PS-iste per të sjell te vetquajturit majtist, socialist apo komunist të cilët lidhën aleanca me Ramen përpara zgjedhjeve.

E treta, një nga anët më negative të medias është roli i saj në konflikte. Po të vihet re me kujdes, konfliket janë ushqimi kryesor i medias si socialiste ashtu dhe pd-iste. Duke u ushqyer në këto konflikte media jo vetëm që nuk propozon kurrë asnje zgjidhje paqesore të konfliktit por për më tepër i fryn më shumë zjarrit duke implikuar masat e popullit në to. Nga ana tjetër media socialiste dhe të ashtuquajtur analistë shkon aq larg sa nuk e kan problem të spekullojne, ndryshojnë ngjarjen dhe ta përdorin për nevojat e tyre duke ç’orientuar dhe larguar popullin nga e vërteta. Duke marrë shkak nga ngjarjet e fundit dhe sjelljet e tij në Vienë, ose qëndrimi ndaj  AKZ dhe shkrirjen e saj si parti, Edi Rama tashme është kthyer në një “prodigy” të politikës Berishiane. Ndërsa media socialiste po i shtron tapetin e kuq dhe sheshon terrenin që Rama të mos pengohet më.

Në përgjithsi një nga karakteristikat e medias së papërgjeshme janë orvatjet per t’i hedhur benzinë zjarrit. Kjo bëhet për disa arsye. Në një shoqëri konsumatorësh dhe korporatash mediat mbijetojnë nga lajmet sensacionale dhe nga “public rating”. Pa dyshim kush ka numrin e ndjekësve dhe lexuesve më të medhenj, janë dhë shitësit më të mëdhenj te produkteve apo sherbimeve (products and services). Mediat në një shoqëri të kontrolluar nga korporata mund të bejnë politikën e korporatës x ose y për të shitur prodhimet e veta në kurriz të një korporate tjetër. Këto gjëra janë normale për shoqërinë e tregut, paçka se të pandershme.  Nga ana tjetër, në Shqipëri ku mediat janë rudimente ose zgjatime të partive përkatëse, ato ushqehen nga këto strukura dhe si të tilla janë zedhënëset e para të aktivitetit dhe mbarvajtjes se organizatës politike. Në këtë kontekst, media socialiste është e prirur t’i ushqej konfliktet e ndryshme dhe të propagandoj për partine e vet duke shitur programin e saj.

Së fundi, ajo që është e rendesishme është fakti që media influencon “sjelljen” e popullatës. Ky është fakt i pamohueshëm. Por influencimi pozitiv dhe negativ varet nga propaganda që ben kjo media në baze të instruksioneve partiake. Mediat socialiste si ashtu dhe pd-iste kanë prototipe të njëtja si p.sh degjenerimi vizual publik i dy figurave politike, shtremberimi i realitetit, interpretimi i fakteve sipas nevojës, mashtrimi dhe  manipulimi i masave. Të gjitha këto bëjnë ate që quhet “Media e Padrejte”. Për popullin që mos të bie në grackën e mediave është qëndrimi  objektiv dhe parja e realitetit me sy kritik. Pa u militantizuar, populli është në gjëndje t’i bej analizën artikujve, reportazheve dhe te bej dallimin midis, farses, demagogjisë dhe realitetit. Paçka se masmediat e nënvleftësojnë aftësitë e popullit, nuk mund të ulin mençurinë dhe urtësinë e tij.

MURAT ALIAJ: DITA E VESHIT DHE E LESHIT

Eshte i njohur fakti se para katastrofave më të mëdha që ka përjetuar njeriu, të paraprijnë disa çaste humori, si për ta bërë tragjedinë sa më të pranueshme. Duan të thonë se para përmbytjes së Titanikut, pati një skenë masive çmendurore e cilas po të ishte vlerësuar në kohën e duhur, mund të shmangej hataja. Një bast i madh ishte hedhë për të shtenë në dorë një virgjëreshë e cila kishte vendosur t’ja dorëzonte trupin e saj zotit, ashtu siç e kishte marrë prej tij. Mirëpo luajti një shumë kaq e madhe, sa të gjorës ju desh ta harronte betimin. Por ai betim kishte marrë shenjtërinë e zotit dhe në momentin kur plasi cipa, vigani Titanik, humbi drejtpeshimin, u përplas dhe… dihet vazhdimi.

Në këtë drejtim politika jonë nuk është se ;po bën ndonjë zbulim. Ne të gjithë tashmë e dimë mirë se ndodhemi buzë greminës, sado të përpiqen karagjozët tanë të na kthejnë humorin. Asnjëherë nuk ka patur kaq shumë humor ndjellakeqës vendi ynë. Humori paralajmëron. Kush nuk ja vë veshin, në qafë paste veten.

Problemi eshtë tepër i thjeshtë: një vënd që qeverriset prej 8 vjetësh nga karagjozë, nuk ka si të mos i ngrijë buzëqeshja në fytyrë. Duke qënë se këtë dhuratë të hidhur e kemi nga ajo forcë politike që sërish kërkon pushtet, pra nga LSI, nuk ka pse të çuditemi nga gjith ç’na pret më pas. Ajo që do ndodhë ndryshe nga herët e tjera, është fakti se këtë radhë nuk do kemi të drejtë të bëjmë shkaktar të fatkeqësive tona Berishën, as Ramën e Metën, por veten tonë që  që e vlerësuam kaq pak duke e lënë në duart e këtyre horrave.

Kjo është drama për të cilën nuk flet askush ose mërmërin si të ket frikë nga vetja, ndërkohë që maskarada e shkuljes së veshit, është në kulmin e amplifikimit, aq sa me urdhër të kryekaragjozit kryeminister u mblodh kuvendi dhe mori vendimin për ta përjetësuar në kalendarin humoristik të tij, duke krijuar një grup hetimor i cili do jetë thjesht shkruesi i çka do diktojë ustai.

Që ka ndodhur diçka humoristike, kjo s’vihet në dyshim. Ajo që vihet në dyshim është tjetër gjë. Vlerësimi suprem që ju bë kësaj skene, ndërkohë që parlamenti ynë ka edhe shumë momente të tjera që do ja kishte zili edhe Servantesi. Por jo. Kjo është e rëndësisë së veçantë, sepse është e regjizuar dhe ekspozuar nga një njeri që me ngulm po kërkon ta lërë emrin në histori. Këmbëngulje të marrësh, sepse edhe pa këto komedira, ai e ka siguruar këtë vënd ndjellakeq.

E kishim fjalën tek ndodhija. Dy karagjozë të rëndomtë politik u mbërthyen me njeri tjetrin dhe shkulën veshët. Që veshët e tyre nuk janë pasuri kombëtare, por përkundrazi marrëzi kombëtare, kjo s’ka dyshim. Por duke qënë se ata janë veshët e ca gomerëve të mëdhenj, u dashka ndalur dhe kombi të harrohjë listat e mëdha të borxheve, të harrojë dilemat që po e hedhin në vetvrasje nga dita në ditë, e të merret me ca veshë gomerësh.

Për mua nuk ka asnjë rëndësi kush pati a nuk pati të drejtë. E rëndësishme është që ata janë të dy përfaqësuesit e atyre që e lënë pushtetin dhe atyre që përgatiten ta marrin, e që fatkeqësisht nuk ndryshojnë shumë prej njeri tjetrit. Këta të dytët, pa e marrë akoma votën, kanë filluar ndarjet e kolltuqeve. Kjo është një shenjë kobzezë që na paralajmëron se edhe pas përmbhysjes së obskurantistit Berishë, pak gjera pritet që të ndryshojnë në vendin tonë fatkeq. Provat paralajmëruese, janë të shumta.

Po t’i vësh re me fare pak kujdes mund të diktosh ferrën se ku fle lepuri. Menjëherë pas skërmitjes së dhëmbeve të Berishës, socialistët tanë ju vërsulën Aleancës Kuq e Zi e cila nuk pranoi koalicion me një forcë të tillë të korruptuar. U tha e ç’nuk u tha për deri edhe të dhëna për korrupsion për çdo kandidat për deputet, për marrveshje të fshehta mes Spahiut dhe Berishës e plot e plot të tjera. Dikush që e sodit këtë marrëzi të madhe nga larg, siç jemi ne emigrantët, veç hutimit, bëjnë edhe një pyetje serjoze: I ka mbetur apo jo këtij vendi ndonjë njeri vizionar? Lind kjo pyetje pasi të gjithë i sherbejnë me ngulm kaosit. Socialistët mburren se kanë rrëmbyer tre apo katerqind mercenarë të frontit kundërshtar. Demokratët po të njejtën gjë. AK me që ishte në skaj, nuk ishte përzier shumë në këtë lodër, por si një grup i egër talebanësh, e tërhoqi vëmëndjen me denoncimin që i bëri ftesës për bashkëpunim me socialistët. Dhe menjëherë mercenarët kalemxhinj mbushën shtypin me 17 krerë të AK që në shenjë proteste, qënkan larguar partia e tyre. Që do ketë të tillë fenomene, as vihet në dyshim, ashtu siç ka patur edhe më parë, problemi është tek entusiazmi socialist i cili e amplifikon frikshëm këtë fenomen, si të mos jetë edhe vet ai pjesë përbërëse, për të mos thënë pjellore e këtij fenomeni. Kaq shpejt e harruan rastin e Islamit në derën e të cilit vazhdojnë të lehin si fakirë? Sigurisht që nuk jam me pozicionin skandaloz që zgjodhi Islami, por më ngjan makabër entusiazmi dhe vrulli socialist kundër AK. Akoma nuk e kanë kuptuar dhe s’duan ta kuptojnë se PS është thjesht një parti politike e cila mori revansh në periudha kohe të caktuara dhe e çgënjeu rëndë votuesin e vet? Nuk duan ta pranojnë faktin se janë vetëm një shifer, siç janë edhe 75 parti të tjera politike në vënd. Vrulli socialist është kaq agresiv dhe kobndjellës, sa duhet të ndalur qysh tani, që të mos çgënjehemi sërish nesër. Nuk jam dakort me faktin se për çdo gjë  gabojnë politikanët. Ata mund të gabojnë vetëm një herë. Për herët e tjera, gabon votuesi që ju jep prapë mundësinë të cicërojnë kaq ashpër ndër kohë që akoma nuk e kanë siguruar votën tonë.

PS është lodhur shumë nga periudha 8 vjeçare e lehjes në opozitë. Mbase duhej të lodhej edhe më tepër, pasi ajo i ka borxhe votuesit të majtë dhe jo votuesi, asaj. Ajo ka përgjegjësinë që s’bëri politikë brenda vetes, aherë kur votat e majta sollën në pushtet qeverrinë më rrënuese të vendit. Të plasnin kokën me Ilir Metën dhe Kastriot Islamin, të gjenin fjalën, siç e gjetën edhe tani që nuk kishte më rendësinë e dikurshëme, për të mos thënë, që tani ajo është vetëm një akt i shemtuar i komedisë që po luhet mbi kurriz të popullit. Jam i sigurt se janë vetëm probleme të rëndomta hunde edhe ato që e vërvitën Islamin në kampin e Berishës. Kjo është përgjegjësia që ndjenë politikanët tanë të majtë ndaj votës së popullit. Kjo duhet paguar patjetër në duam të mos na përsëritet. Dhe duhet ta paguajnë politikanët që e krijuan e jo populli që i besoi.

Si të jenë harruar të gjitha këto ngjarje të afërta, tani socialistët kanë filluar të kërcëllisin dhëmbët ndaj votuesit të tyre dhe akoma më tepër ndaj partive që s’e miratojnë pozicionin e tyre politik. Mirë bëjnë, se tregojnë hapur ç’mund të pres populli ndaj tyre. Po të ndodhë që t’ju shkojë kjo taktikë politike, hallall ta kenë. E po kështu, hallall ta ketë edhe populli që mezi hoqi nga kurrizi një samar, për të vënë një tjetër!

U zgjata pak si tepër me problemet e opozitës, e cila nuk e konsideron më veten të tillë, por pjesë të pushtetit, për faktin se më tmerron përsëritja e të njejtave gabime qeverrisëse. Këto janë paralajmërime ogurzeza për ndryshimet politike që priten në vendin tonë. Duke qënë që padashur u bëmë pjesë e kësaj loje për 20 e ca vjet, është koha ta shikojmë më me përgjegjësi problemin i cili qëllimisht është koklavitur kaq shumë, sa ju lë mundësinë manovruesve për të grabitur pushtete të pamerituara. Kjo nuk është më përgjegjësi e politikanëve. Ata ç’kishin për të bërë, e bënë në mënyrën më të shemtuar me hartimin e një kodi zgjedhor që përfaqëson psikologjinë e grabitjes.

Në pikën e hartimit të kodit zgjedhor, PS nuk është pa përgjegjësi, edhe pse autorja është PD të cilën s’mund ta ngarkojmë me përgjegjësi. Ajo donte pushtetin dhe këtë pushtet ja siguronin këto manovrime. Mirëpo të njejtën logjikë patën edhe socialistët të cilët nuk e volën dot produktin që kishin menduar sepse Çeçua kishte biçak dhe Mulërit e Fulërit do e çonin favorin në stanin e Berishës e jo të Nanos e Ramës. Ndaj dyshimi merr përmasa dhe veprimi fiton më tepër përgjegjësi tek fakti se cila forcë politike duhet sjellë në pushtet. Vendi është i vogël, i kërcënuar e varfëruar sa njerëzve s’ju shkon mëndja për revolucione dhe protesta të cilat në të tilla raste janë tërësisht të përligjura.

Njerëzit kanë zgjedhur rrugën më të lehtë e më paburrërore. Më mirë të vetvriten duke u hedhur nga kati i pestë a i gjashtë, se sa të gjakosen nga plumbat e shtetit, në sheshet e protestuesve.

Kjo psikologji që e ka shpjegimin tek varfëria dhe presioni i ushtruar mbi këtë popull të lodhur diktaturash. Këtu gjithashtu shpaloset e keqja më e madhe e besimit tek e nesërmja e ndryshimit. Ka kaq shumë çështje të hapura që duhen rigjykuar, sa, është papërgjegjësi e madhe e forcës që kërkon pushtetin, të deklarojë se do i gjykojë krerët e AK për korrupsion parazgjedhor. Këtë punë nuk e pengon askush për ta bërë, por gjerat kanë radhë. Para se të gjykohet AK, duhet të gjykohet Berisha për vrasje, korrupsion dhe tjetërsim territoresh të vëndit. Duhet të gjykohet Argita për korrupsion të paster me vulat shtetërore, Shkëlzeni e Fatnmir Mehdiu, për Gërdecin. Harasani socialist dhe shumë harasanër të tjerë që vodhën ç’gjetën përpara dhe nxituan t’i sigurojnë në bankat e Amerikës Latine. Gjykata e nesërme, ka kaq shumë tema të hapura për rigjykim, sa është tërësisht karagjozllëk zelli për gjykimin e krerëve të AK për korrupsion. Kjo shpreh qartë shinat në të cilat do zvarritet qeverria e nesërme nga e cila e vetmja e mirë që mund të pritet, është largimi i një horri gjakatar nga pushteti, por asgjë tjetër më e mirë.

Janë kaq të lexueshme veprimet politike të pozitës dhe opozitës së sotme, sa vetëm një i verbër s’mund t’i shikojë. Kjo ëshjtë arsye e mbledhjes urgjente të kuvendit shqiptar për të ndëshkuar autorët e veshit, ndër kohë që në prag të zgjedhjeve, Evropa dhe departamenti Amerikan i Shtetit, po këmbëngul për zbatimin e normave demokratike, kompletimin e KQZ së pavarur. Sa qesharak është termi “pavarsi” në gojën e politikanëve tanë!

Si votues mund të jemi të qetë dhe të sigurt me angazhimin e kryemafiozit tonë se do zbatojë zgjedhjet më të mira në vënd. Ai e ka serjozisht këtë angazhim dhe ne ndaj nuk e besojmë. Kur një skuzofren këmbënmgul për zbatimin e një ideje, mos e vur në dyshim faktin se ai nënkupton të kundërtën. Janë të qarta shenjat se sa të mira do jenë votimet e sivjetshme. Ato fillojnë me arrogancën shtetërore në shpërbërjen e KQZ, me qarkullimin e listave zgjedhore të mbushura me mijra shpirtëra të vdekur. Me plane te hartuara qeverritarë për shpërngjuljen e qyteteve të tëra veriore, për të rivotuar në Tiranë e qytete të tjera të vendit. Me mobilizimin e banditëve të Ministrisë së Brendëshme, për të dhunuar me çdo kusht votën e shqiptarit. Kjo është pavarsia që gëzojmë nën sistemin mafioz të Berishës. Fatkeqësisht e vetmja armë për t’i shpëtuar kësaj të keqe është PS e cila përditë e më tepër na çgënjen.

Si të mos mjaftojnë gjithë këto mysybete, tani na del edhe Xhozi me kthetra sqifteri e na kujton leshtë! Me shumë të drejtë stari ynë parlamentar, Xhozefina ka filluar të këndojë këngën e leshit, e cila është sa e paskrupullt aq edhe e pamoralshëme. Por a folëm kund për moral, deri tani? Ku ta gjejmë atë të shkretë moral. Folëm vetëm për ca karagjozllëqe që po bëjnë ata të eturit për pushtet, pas raskapitjes së gjatë 8 vjeçare në opozitë. Tej kësaj ka edhe një problem tjetër jo pa rëndësi. Leshi ka ustallarët e vet që nuk lejojnë të flitet kaq pa përgjegjësi për të. Ndaj Arben Duka këmbëngul për të mësuar se për ç’lloj leshi e ka llafin Xhozefina, pasi ky i uruar trup, është i mbushur gjithë lesh.

Ky është humori i dhimbur që do na dalë nga hundët nesër, kur edhe po të heqim nga skena një pushtet banditor, do shohim pikëllueshëm një tjetër, po aq të poshtër. Me këtë, kurrsesi nuk dua të them se s’do zbatuar rrotacioni, por jam i sigurt se me këtë normë demokratike nuk është dakort Berisha dhe klani i tij mafioz që ka mobilizuar skalionet e prapësisë.

 

GRID RROJI: KRIZA SI STRUMBULLARI I ZGJEDHJEVE

Njëra nga çështjet më pak të diskutuara dhe të debatuara megjithëse jemi në kulm të fushatës elektorale është kriza ekonomike e cila ka kapluar Shqipërinë dhe e cila pritet të thellohet edhe më mbas zgjedhjeve. Ndërsa qeveria pret shirita andej këndej dhe bën propagandë pa ndonjë analizë të qartë askush nuk dëshiron as t’a pranojë se duhen diskutuar parametrat dhe zgjidhjet e krizës. Duket e çuditshme, por edhe opozita nuk i mëshon shumë krizës përtej disa slloganeve sipërfaqësore por është përqëndruar tek marrja e pushtetit.

Pra, paria e Tiranës nuk dëshiron që kriza të diskutohet, mirëpo të gjitha lëvizjet e ndërmarra nga ajo tregojnë se kriza është strumbullari i këtyre zgjedhjeve. Paria ka frikë se po të diskutohet publikisht për krizën e thellë ekonomike shqiptarët do t’a shohin se kështjella e tyre oligarkike është prej rëre dhe do të zgjedhin t’i kundërvihen parisë.

Arsyeja që askush nuk guxon të flasë për krizën është pamundësia reale e palëve për t’ju përgjigjur problemeve ekonomike të vendit por edhe frika nga reagimi popullor. Sistemi politik është oligarki e pastër dhe politika nuk u përgjigjet qytetarëve por klaneve kriminale nga të cilat është e kapur. Në sytë e parisë, roli i popullit është të votojë si dele sepse zgjedhje tjetër nuk ka, anipse duke bërë këtë po firmos vendimin e ekzekutimit të vet. “Nuk u kemi borxh asgjë këtyre pisave”, është një shprehje shumë e përhapur në ambjentet e luksit kitsch ku I pëlqen të argëtohet parisë së Tiranës. Mirëpo situata ekonomike është tejet e rënduar dhe populli pret që paria të japë rrugëzgjidhje.

Raportet e fundit të Bankës së Shqipërisë-së pasqyrojnë një situatë ekonomike në rënie, një situatë financiare në limitet e zgripit dhe një deficit buxhetor që i tejkalon të gjitha parametrat e pranueshëm. Sipas BSH-së megjithëse rritja ekonomike ka qenë  2.7 përqind,“aktiviteti ekonomik mbetet nën nivelin potencial dhe burimet e rritjes nuk paraqiten të qëndrueshme”1. Po ashtu “të gjithë faktorët përcaktues të inflacionit kanë kontribuar në ruajtjen e tij në nivele të ulëta” sepse “shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve prodhuese është shoqëruar me një kërkesë të ulët për punë nga bizneset, duke mos ushtruar presion për rritje të pagave dhe të kostove të punës”2. Ndërkohë një pjesë e konsiderueshme e rritjes duket se vjen nga rritja eksponenciale e bizneseve të bixhozit, të cilat janë të vetmet që realisht përfitojnë nga kriza. Mediat raportojnë se numri i linjave të bixhozit ka shkuar mbi tremijë në një vend ku ka zyrtarisht 2.9 milionë banorë!

Me pak fjalë, kërkesa për punësim është shumë e ulët, dhe numri i madh i pretendetëve për punë ul pagat dhe kostot e prodhimit, e megjithatë rritja ekonomike është minimale. Thënë thjesht, është rritur papunësia, është ulur prodhimi dhe efektiviteti i biznesit por edhe janë rritur kostot shoqërore që vijnë nga biznese të dyshimta si bixhozi të cilat rregullohen rreptë në gjithë botën.

Rreziku i defiçitit të lartë buxhetor është vënë në dukje edhe nga organizmat ndërkombëtarë si BB dhe FMN të cilat paralajmërojnë skenare të ngjashëm me falimentimin e shteteve europianë si Greqia dhe Portugalia.Shifrat e tyre të rritjes ekonomike janë edhe më të ulëta se sa ato që jep BSH-ja ndërsa po t’i referohemi faqes së CIA-s rritja ka qenë nën 1 përqind. Për krahasim, rritja ekonomike e tigrave aziatikë të cilët janë shndërruar në model të zhvillimit kapitalist neoliberal është mesatarisht mbi 7 përqind dhe në kulmin e vet Kina dhe Koreja e Jugut kanë patur rritje mbi 10 %.  Nuk duhet harruar se Shqipëria nuk ka as një strukturë shtetërore të konsoliduar, as industri të mirëfilltë, dhe as mundësinë për t’ju drejtuar BE-së siç bënë vendet anëtare të saj për të shpëtuar vendin nga katastrofa financiare. Sicc shprehej ish anëtari i Kryesisë së PD-së profesori i ekonomisë Omer Stringa “ekonomia shqiptare mbahet nga emigrantët dhe trafiqet”3.

Mirëpo, në këtë gjendje Sali Berisha flet ende për Shqipëri të zhvilluar, punësim masiv, dhe investime publike sikur të kish gjetur çelësin e Shllafarisë*. Me gjuhë tipike katundare ai flet per ngecje halash, futje ngjalash e sllogane të tjera të këtij lloji për të lëshuar sinjalin se është ende në majë të kalit. Halli është t’i mbajë militantët me ushqim shpirtëror deri në zgjedhje sepse po e kuptuan ata se ai e ka lëshuar pushtetin në tryezë rezultati mund të jetë Vaterloo për PD-në. Hallet e popullit nuk janë pjesë e agjendës integruese të Sali Berishës.

Më anë tjetër, Edi Rama kufizohet tek denoncimi i situatës, sepse siç dihet “fajin e ka Saliu”, por nuk ofron asnjë zgjidhje konkrete. Me gjuhë tipike propagandistike dhe pa asnjë substancë Rama kërkon të marrë pushtetin njëherë se pastaj “ka burime shteti”. Hallet e Edi Ramës janë të mbysë dhe kontrollojë zërat kundër në parti si për shembull Arta Daden,Erjon Braçen,Pandeli Majkon për të mos përmendur pretendentin për fron Ben Blushi. Ndaj atij i duhet të garantojë e konsolidojë fitoren që i ka lëshuar në tryezë Saliu dhe të parandalojë  forcimin e pozitave të Ilir Metës brenda të majtës. Ky i fundit është komod, sepse sido që të bjerë fyelli ai i ka hallet e zgjidhura. Pra, edhe opozita nuk shqetësohet se si do t’a përballojë krizën, mjaft që të vijë në pushtet.  Hallet e popullit nuk janë pjesë e agjendës integruese të Rametës.

Po t’i shtojmë kësaj edhe pasigurinë politike që përshkon Greqinë e  Italinë dhe kthimin e një numri të madh emigrantësh situata është vërtet dramatike. Kjo lloj situate do të kërkonte një angazhim të të gjitha energjive intelektuale për tejkalimin e krizës.

Në cilindo shtet normal interesi publik do të dikonte një bashkëbisedim me popullin për të gjetur zgjidhjet më të përshtashme por edhe për të shpjeguar se asgjë nuk zgjidhet me shkop magjik dhe se të gjithë duhet të përballojmë situata të vështira. Siç thotë shprehja popullore amerikane,“do të bëhet më keq përpara se të bëhet më mirë” po rrugën e mundimshme do t’a bëjmë të gjithë bashkë.

Mirëpo, parisë nuk i intereson kriza sepse ata i kanë zgjidhur hallet e veta. Disa janë siguruar duke kontribuar që 1.3 miliard euro të dalin jashtë vendit vetëm në 2012-ën. Të tjerë kanë investuar në apartamente luksoze në ccdo cep të botës. Të tjerë ende kanë besim se do t’a ruajnë pasurinë me anë të klaneve kriminale ku bëjnë pjesë. Pra halli i parisë është të ndajë pushtetin jo të zgjidhë problemet. Paria e Tiranës po vepron si kurdoherë në interes të vetvetes dhe në dëm të shqiptarëve.

Ndaj dhe pakti i ngjalave të 1 Prillit ishte një mjet garantues në sytë e parisë për sundimin e saj oligarkik në mënyrë që populli të mos ketë zgjidhje të tjera dhe rrugët të mbyllen. Satelitët e vegjël u kooptuan me kockën e zakonshme, partitë e reja u kornizuan ose si “vegla” të kundërshtarit ose si “të pafuqishme”, ndërsa vullneti i popullit u mjegullua me propagandë të pandalshme.

Por siç e kam shprehur edhe më parë këtë herë besoj se paria i ka bërë llogaritë pa hanxhinë. Megjithëse është kujdesur të mbyllë të gjitha shtigjet kriza e rënduar ekonomike e nxjerr projektin e parisë zbuluar. Projekti integrues fut ujë gjithandej dhe paria e di që uji kur hyn në themele me kohë rrëzon edhe rrokaqiellin më të lartë. Propaganda nuk jep bereqet. Me daljen në dritë të mungesës së zgjidhjeve nga paria, me rikthimin e emigrantëve, me rënien drastike të remitancave, shqiptarët do të ndërgjegjësohen se ccmimi që do të paguajnë është jo vetëm i lartë por edhe i papërballueshëm. Dhe kur të zgjohet ndërgjegja popullore parisë nuk i mbetet veccse përplasja me popullin e vet. Historikisht kjo është një betejë e humbur për parinë. Ndaj edhe ajo ja ka frikën përplasjes e po mundohet t’a mjegullojë vështrimin dhe kontrollojë situatën me çdo mjet.

 

*Shllafari-një ishull imagjinar I një utopie të mirnëjohur të viteve tetëdhjetë.

1) Banka e Shqipërisë, Raporti i Tremujorit të Katërt për vitin 2012, fq.8.

2) Ibid.

3) http://lajme.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/1047361075/titulli/Stringa-Ekonomia-shqiptare-mbahet-vetem-me-pu

MBI ROLIN QËNDROR TE SHTETIT: BOTËKUPTIMI REALIST DHE POLITIKA SHQIPTARE

Botëkuptimi, apo ideologjia, luan një rol qëndror në formësimin dhe sjelljen e individit. Por roli qëndror i botëkuptimeve në jetën shoqërore, në formësimet e grupeve, kulturën, besimet dhe vlerat e tyre, dhe natyrisht edhe në politikë, është aksiomatik. Vetëdija shoqërore, qëllimet e synimet që ka një grup i caktuar, veprimi politik dhe si dhe strukturat politike e shoqërore që ndërtohen janë të mbështetura në botëkuptimin e një grupi të caktuar. Të gjithë botëkuptimet, në një mënyrë ose në një tjetër, të drejtojnë drejt një jete më të mirë prandaj pritshmëritë janë të njëjta edhe pse rrugët mund të jenë të ndryshme. Kështu shoqëritë ngrihen mbi botëkuptime të tilla si dhe bien e shuhen e zhduken kur mospajtueshmëritë midis botëkuptimit dhe realitetit bëhen të papërballueshme e të pashpjegueshme.

Në kulturë e në besimet fetare është normale që botëkuptimi do të mbështetet në të pashpjegueshmen. Prandaj kur flasim për familjet, katundet, bashkësitë e trevat, flasim edhe për bestytni e perralla, legjenda e perendi si pjesë e botëkuptimit të tyre.

Mirëpo, në politikë, botëkuptimet nuk mund të jenë të bazuar në utopi, bestytni apo në përralla. Botëkuptimet e tilla rezistojnë për një kohë dhe në fund shkërmoqen dhe e humbin vlerën e tyre sepse parimet dhe logjika e sjelljes politike dhe shoqërore janë të papajtueshme me parimet fetare apo kulturore që fare mire mund të vazhdojnë të ekzistojnë si besime e vlera ne nivel te familjes, të bashkesisë e të trevës.

Por, shoqëria, si një shkallë më e lartë e organizmit shoqëror, është ndryshe sepse është në thelb një marrëdhënie politike. Botëkuptimi, për të qënë mirëfilli i dobishëm dhe i vyeshëm për një shoqëri duhet të jetë i mbështetur në një logjikë të hekurt politike të mbështetur edhe në përvojat e në natyrën njerëzore. Sepse, në mos tjetër, njerëzit janë ata që janë dhe ndrrimi i botëkuptimit nuk i ndrron ekzigjencat tona që me kohë, gjejnë edhe strukturat politike që iu përshtaten me mirë e që ndihmojnë shoqërinë të arrijë të njëjtin qëllim përmes rrugëve të ndryshme. Dhe në qëndër të botëkuptimit politik është shtet-kombi.

Problemi me botëkuptimet sunduese

Kështu, në një kohë ose në një tjetër ne kemi pasur botëkuptimet tona, edhe të grupeve të caktuara brenda nesh, që kanë qënë ose utopike, ose thjesht perralla. Poblemi është se në politikën e ditës ne na mungon botëkuptimi realist, botëkuptimi që do të ndihmonte që të mbrrinim atë objektivin e pandryshueshëm të të gjithë shoqërive njerëzore: sigurinë e jetës, të pronës, të nderit, të mirëqënies dhe të harmonisë shoqërore. Ky botëkuptim mbështetet e ndërtohet mbi shtetin.

Cili është problemi i jonë? Problemi i jonë është se ne na mungon ajo lidhja e fortë, qëndrore, e pashkëputshme me shtet-kombin që është në qëndër të identitetit individual dhe kolektiv dhe pa të cilën njeriu nuk e kupton dot veten. Ky duhet të jetë edhe qëllimi kryesor i politikës, d.m.th. ruajtja dhe kultivimi i këtij botëkuptimi, mbrojtja e interesit të shtet-kombit dhe përmes vetëdijes shtetërore tij, edhe i interesit të të gjithë shoqërisë dhe të individëve që e përbëjnë atë.

U zgjata pak si shumë me teorizime mirëpo, qëllimi ishte për të hedhur pak dritë mbi problemin qëndror të kohës sonë. Botëkuptimet sunduese në shoqërinë shqiptare janë të gjitha të mbështetura mbi një premisë themelore dhe ekzistenciale: të gjithë botëkuptimet që po lulëzojnë në kohën tonë, kërkojnë dobësimin e shtetit kombëtar. Për të gjithë botëkuptimet sunduese, një shtet-komb normal, realist dhe relativisht i fortë është i papranueshëm. Arsyeja është se shteti-komb vë si kusht parësor besnikërinë e pakushte të qytetarit e të shtetasit ndaj shtet-kombit. Të gjithë botëkuptimet e tjera vënë si kusht besnikërinë ndaj një qytetërimi të caktuar apo të strukturave shoqërore e në nivel të bashkësisë si katundi.

Sa për ilustrim, cilat janë këto botëkuptime? Në rastin tonë, dalja e jonë e dhunshme si një shtet më vete solli përplasjen e botëkuptimeve të grupeve të ndryshme brenda shoqërisë shqiptare. Ne patëm shumë  sundimtarë e pak shtetarë sepse mendësitë e botëkuptimet tona sunduese e kanë kushtëzuar fort hapësirën e veprimit të shtetarëve të vërtetë dhe shpesh kanë dalë përcaktuese. Ekstremi ka qënë kjo periudha e tranzicionit kur paria e Tiranës, masat e gjëra të popullit dhe ata që duhej të ishin shtetarë punuan sistematikisht për të minuar këtë botëkuptim e për t’iu kundërvënë shtet-kombit.

Përse ndodhi kjo? Nga një anë ne vimë nga miletet e perandorisë osmane dhe gjurmët e këtyre botëkuptimeve fetare kanë qënë të rrënjosura thellë dhe janë ringjallur e kanë lulëzuar edhe gjatë tranzicionit. Këto janë shtrati kulturor dhe i sjelljes së shumë bashkësive që po kristalizohen me një shpejtësi të frikshme, që nuk e kanë kombin në qëndër të identitetit, dhe që do t’i cojnë shqiptarët drejt përplasjes së pashmangshme sepse nuk ka cka i bashkon tjetër. Po ashtu, si edhe shihet nga debatet e fundit, problem themelor është se lidhja e këtyre botëkuptimeve me shqiptarët si komb e si grup etnik, është e deformuar, e shtrembëruar dhe nuk lidhet me të vërtetën historike. Me kene shqiptar ka qënë dicka krejtësisht e ndryshueshme dhe që ka evoluar gjatë historisë sonë. Ama, me kenë shqiptar, në shtetin shqiptar, është dicka krejt tjetër dhe përpjekja e tyre për të lidhur shqiptarinë me një botëkuptim të caktuar nuk ka qënë asnjeherë e suksesëshme.

Po ashtu, një nga botëkuptimet që ka përcaktuar edhe sjelljen politike të parisë dhe të shoqërisë gjatë tranzicionit ka qënë mendësia katundare, një fenomen specifik shqiptar. Duke vënë familjen dhe interesat e klaneve mbi gjithcka, si dhe duke e parë katundin e trevën si një univers të mbyllur, shoqëria shqiptare e përbërë nga një numër katundesh që ekzistojnë realisht dhe në mendjen e njerëzve, ka luftuar me shumë vendosmëri kundër shtetit e kundër gjithckaje që e bën një shtet të sukseshëm.

Me që këtë mendësinë katundare e kam trajtuar gjerë e gjatë në shkrimet e mija, nuk do të ndalem këtu. Por mjafton të themi se kjo mendësi doli si parësore e sunduese si katundet e fshatrat e shumtë, si në getot urbane të katundarizuara me rrënjë, por edhe në emigracionin tonë masiv. Gjithkund kjo ideologji iu kundërvue shtetit normal e realist që për arsye të ndryshme ishte armiku për vdekje.

Po ashtu, një botëkuptim e mendësi tjetër sunduese, sidomos në rrethet e parisë së Tiranës është mendësia që e sheh shoqërinë si një sistem kontraktual marrëdhëniesh ekonomike midis individëve, e asgjë më shumë. Kjo është mendësia e shtresave të edukuara mbrapsht gjatë sistemit enverist kur bota pasqyrohej vetëm në terma bardh e zi e në një interpretim të ngushtë e dogmatik të botëkuptimit marksist. Ky botëkuptim e bëri të mundshme shfrytëzimin ekstrem, materializmin e paskrupullt, spekullimin dhe shkatërrimin e shtetit dhe të shoqërisë gjatë tranzicionit. Tani këta kanë shkuar në ekstremin tjetër.

Duke e ndjerë nevojën e shtetit, shumë shqiptarë kanë përqafuar botëkuptime që qëndrojnë në themel të shteteve të tjera. Ata ndjehen gjithcka pervecse shqiptarë. Edhe për këta armiku kryesor është shteti shqiptar. Po ashtu ka një masë të madhe njerëzish që e ndjejnë por në mënyrë konfuze se botëkuptimi që iu duhet është ai që mbështetet në shtet komb, por për mungesë udhëheqje e qartësie, bien pre e slloganeve dhe e populizmit injorant të tipit të Tortës së pavarësisë.

Më në fund ka një botëkuptim përrallor që thotë se të gjithë problemet tona do të zgjidhen kur ne të hyjmë në Europë. Por integrimi europian është i pamundshëm, Europa nuk na don, ne nuk kemi cka t’i ofrojmë, Europa është në krizë të thellë, dhe koncesionet që kërkohen në këtë pikë cojnë në shkatërrimin e shtet-kombit me kulm e themel. E vetmja rrugë për t’u integruar kund është kur të kemi shtet-kombin tonë, me ekonomi, me vlera, me struktura, e me shërbime të përafërta me ato që ofrojnë edhe shtetet e falimentuara europiane për qytetarët e tyre.

Kjo gjendje konfuzioni mendor e botëkuptimesh i shërbente dhe i shërben vetëm e vetëm parisë sunduese. Duke qënë se njerëzit e thjeshtë nuk dinin më mirë,  duke qënë se edhe ata që po përqafojnë botëkuptime jo realiste vepruan kështu vetëm se donin t’i iknin të keqes, dhe nuk dinin më mirë. Fajin për këtë punë e ka paria sunduese.

Shkurt, politika shqiptare nuk ka një botëkuptim të qartë, realist, normal, të mbështetur në përvojat e vendeve të tjera. Duke gjykuar nga materialet dhe dokumentet që janë botuar e botohen shihet qartë se ngulmimi i tyre po iafrohet budallallëkut e idjotësisë politike. Por kjo idjotësi e injorancë, vërbëri e refuzim është e qëllimtë. Paria e din se cila është e mira e shqiptarëve, por kjo gjendje iu shërben dhe këtë do të luftojnë që të promovojnë.

Ajo që e ka bërë gjendjen tonë katastrofike është ky kombinim eksploziv i mendësisë katundare me botëkuptimin materialist ekstrem dhe me këtë përrallën e integrimit europian. Ky shtresëzim injorance dhe shfytyrimi mendor ka cuar në një krizë të thellë vlerash, kriminalizim e mafiozitet, sundim oligarkik të mbështetur në klanet katundare, një polarizim ekstrem, mungesë përgjegjësie qytetare, shkatërrimin e vlerave dhe të moralit, në zvetënim e në degjenrim, dhe në krijimin e një shoqërie të fragmentarizuar e të shkërmoqur që si rëra shkon andej e këtej nga të fryjë era. E gjithë kjo ndodh sepse ne na mungon botëkuptimi i duhur realist që mbështetet në shtet-kombin normal e funksional.

Në vend të mbylljes

Shtet-kombi është struktura më e fuqishme, më efikase, më e dobishme për grupin, dhe që luan një rol qëndror në botëkuptimin e njerëzve në kohën tone. Shtet-kombet janë zgjidhja strukturore politike që njerëzit iu kanë dhënë problemeve të tyre ekzistenciale. Për t’i rënë shkurt, mundimet tona dhe tranzicioni nuk do të kenë fund derisa të mos vendosim në qëndër të vëmendjes e të politikës shtet-kombin dhe interesat e tij. E gjithë demagogjia elektorale në Tiranë bëhet për të shmangur diskutimin rreth shtet-kombit dhe ndërtimit të një shteti normal e funksional. Me që këtë temë e kam trajtuar gjerësisht në librat e mi, por edhe në blogun Rrethi i Ferrit, do të ndalem këtu. Por, ky është problemi kryesor i kohës dhe i politikës sonë. Vendosja e shtet-kombit në qëndër të debatëve dhe diskutimi politik i mbështetur në atë botëkuptim është pika nga ku duhet filluar. Sepse shtet-kombi dhe botëkuptimi që lind prej vetëdijes shtet-kombëtare është edhe leva e Arkimedit për të dalë nga kriza e thellë ku e mban vendin paria e Tiranës që i shërben gjithkujt tjetër përvecse shqiptarëve.

VALBONA KARANXHA: ARSIMI PUBLIK DJE DHE SOT: METODIKA DHE POLITIKA PUBLIKE

I. Demistifikimi i arsimit gjatë periudhës pesëdhjetë vjeçare

Gjatë periudhës pesëdhjet vjeçare, arsimi fillonte formalisht në klasën e parë në moshën gjashtë vjeç e lartë. Kopshtet me drekë dhe pa drekë pavarësisht se vareshin nga seksioni dhe ministria e arsimit nuk kishin një program formal arsimor i cili duhej të krijonte një bazë për klasën e parë për arsye se jo të gjithë femijët që frekuentonin klasat e para vinin drejt nga kopështi. Ndërsa arsimi formal ishte I organizuar nga klasat e para deri në të tetën për shkollat tetëvjeçare, klasat e nënta deri në të dymbëdhjeta të cilat përbënin pjesën e arsimit të mesëm të përgjithshme ashtu edhe profesional. Së fundi, universitetet shtetërore në Tiranë dhe gjithashtu degët dhe filialet në disa rrethe të vëndit përbënin atë pjesë të arsimit i cili nxirrte shtresat e intelektualeve në gjitha degët e ekonomisë, industrisë, edukimit, mjeksisë, shkencave politike shoqërore etj.

Analiza që vijon do bëhet në katër indekse kryesore: Kurrikula, mësimdhënia, testimi dhe metodika. Këto indikues janë kyçe në përcaktimin e efikasitetit të sistemit të arsimit publik sepse të ndëlidhura pëbejnë atë që quhet “bërthamë” e politikës arsimore.

Në këtë periudhë spikatnin shumë tipare të arsimit publik shqiptar të cilat ishin unike. Por veçanërisht ajo që dallonte në këtë segment kohor prej pesëdhjetë vjetësh ishte dita e shkollës të shtunave. Cikli shkollor në përgjithësi ka 180-185 ditë të plota shkolle, në këtë periudhe në Shqipëri mendohet të kishte rreth 220-230 ditë të plota shkolle. Kjo tregonte që programi ishte i ngjeshur mbi limitet e pranueshme. Në dukje ishte efikas, por parametrat e programimit me bazë në zhvillimin njohës të fëmijëve ishin fushë e paeksploruar. Për më tepër programi i ngjeshur nuk kishte racionale, filosofi të qartë përse ishte i mbingarkaur dhe vizioni jo vetëm që mungonte tek mësuesit, nxënësit por edhe në shtresat e larta hierarkike të seksionit dhe të ministrisë.

Gjithashtu, në këtë periudhë përparësi kishin matematika, fizika, gjuha shqipe, historia e PPSH dhe e Shqipërisë. Matematika ishte nje përmledhje konceptesh e cila jo vetëm ishte jashte formimit njohës të adoleshentëve por edhe prezantimi i saj ishte teorik dhe aspak aplikativ. Me një fjalë nuk ishte ndërtuar në bazë të eksperiencave, zhvillimeve në të cilat nxënësi mund të gjente një kuptim praktik. Po kështu edhe lënda e fizikës ishte mjaft teorike dhe e veshtirë për tu përdorur si referencë. Gjuhët e huaja pasqyronin politikën e qeverisë. Mbas luftës së dytë botërore, kur vëndi u lidh me Rusinë, përparsi mori rusishtja si gjuhë. Frengjishtja dhe anglishtja jepeshin disi paralelisht, por kultura e vendeve anglofone dhe frankofone nuk përmëndeshin. Orientimi ishte gjuhësor dhe eksluziv vetëm për shkollat e gjuheve të huaja. Gjatë periudhës së post-luftës së dytë botërore hartimi i shkencave shoqërore ishte i shtrëmbëruar dhe tejet i politizuar pa vlera të mirfillta historike.

Në parim të përgjithshem, jo vetëm mësimdhënia ishte në nivele të dobëta sepse ishte e përqëndruar në dështimin e nxënesit mesatar dhe të dobët (ata që kishin nevojë të jashtëzakonshme për suport), por gjithashtu edhe ata të nivelit mbi mesatar nuk merrnin kreditet e merituara pasi nota ishte monopol. Kjo mëndësi ishte shkallëzuar deri në Universitetin e Tiranës. Gjatë viteve tetëdhjete arsimi universitar kishte filluar të devijonte qartësisht në korrupsion. Pa dyshim që nuk mungonin pedagogët e pregatitur në njohjen e subjektit ose materies që jepnin, por nga ana metodike, pedagogjike dhe andragogjike arsimit i mungonin parimet e teorive të mesimdhënies. Përformanca e studentit matej në memorizimin mekanik të mësimit dhe nuk lidhej ne eksperieca dhe punë në grup; nuk ishte aspak empirike dhe inkuizitive. Ndërkohë që edukimi perëndimor kishte avancuar në paradigmat e metodave konstruktiviste me bazë në kërkimet e pavarura. Arsimi në Shqipëri nuk tregonte asnjë lloj interesi në pregatitjen e personelit në këtë fushë.

Duke qënë se testet dhe programet sidomos ato të shkencave egzakte ishin të shkruajtura për nxenësit e nivelit të lartë, nxënësit e një niveli mesatar nuk kishin asnjë lloj perspektive për vazhdimin e studimeve të larta sepse suksesi akademik ishte larg dhe i pakapshëm për shkak të hartimit të programit. Nga mungesa e psikometrisë në hartimin e testeve, instruktoret në shumicën e rasteve kishin liri të plotë në hartimin e tyre, gjë që disfavorizonte atë pjesë të studentëve të cilët kishin nevoja më të ndjeshme dhe që nuk përfitonin nga homogjeniteti i programit, provimeve dhe instruksionit ose mësimdhënies.

Në këtë mënyrë seleksionoheshin ata që priteshin të frekuentonin universitetin i cili ishte i kufizuar në numër studentësh. Do me thenë, sistemi socio/komunist nuk ishte I barabartë për të gjithë ashtu siç pretendonte, por selektiv. Me fjalë të tjera faktori i barazisë dhe i drejtësisë në arsimin shqiptar nuk egzistonte. Në fakt, shkollat teknike ishin ndërtuar me synimin që të pregatisnin klasën e punës, klasë e cila i duhej rregjimit për të përfunduar “revolucionin” industrial dhe bujqësor të vendit.

Si përmbajtje programatike, arsimi i periudhës pesëdhjetë vjeçare ishte një përmbledhje, superngjeshje konceptesh të cilat dilin nga kornizat e zhvillimit psikologjik te para-adoleshneteve dhe adoleshetëve. Gjithashtu, arsimi publik nuk bazohej absolutisht në asnjë metodë diferencimi midis niveleve njohëse (cognitive) të studentëve. Metodika e mesimdhënies ishte “një masë i bën të gjithëve”, (One size fits all). Miti i efikasitetit të sistemit publik në Shqipëri shfuqizohet për arsye se balanca midis metodologjisë dhe produktivitetit të studentit ishin jo vetëm në disekuilibër, por edhe mungonin te gjitha përqasjet me bazë në teoritë e mësimit si ajo konstruktiviste, behavioriste, kognitiviste me rrenjë në teoritë dhe hipotezat e psikologëve si Piaget, Vygotsky, Bruner, Dewey, Chomsky etj.

Problematike në këtë periudhë ishte gjithashtu denegjerimi I arsimit publik në korrupsion. Pedagoget e Universitetit të Tiranës kishin filluar të krijonin sistemin e “miqësisë dhe rryshfetit” për të dhënë nota kaluese studentëve. Nota kaluese mbahej si monopol nga profesorët dhe lëshohej në raste shpërblimi material, monetar dhe në shumë rrugë të tjera përfituese. Gjendja në fund të viteve 80 ishte keqësuar në mënyrë të tillë që pedagogët kishin ndërtuar një sistem ku studentët ndiheshin të rrënuar psikologjikisht të pamotivuar dhe shkollën e shoqëronin me konotacione negative.

II. Arsimi në ditët tona

Shpenzimet e qeverisë në arsim sot janë 16% i buxhetit të shtetit ose 2.8% i GDP (Open Data Albania). Meqënëse GDP është rreth 12 miliard dollar amerikan (Banka Botërore), buxheti i caktuar për arsimin rreh diku në 40,000,000. lekë të reja. Po kështu analistët e Open Data Albania mbështetur në financimin qëndror dhe vendor të arsimit në Shqipëri, theksojnë se shpenzimet në arsim nuk shfaqin ndonjë interes në qoftëse do të analizohej rëndësia qe i jep qeveria arsimit, pavarësisht nga rritja e buxhetit që prej vitit 1991. Në një panoramë më të përgjithshme, vënde që shpenzojnë rreth 2.8% të GDP për arsimin janë Ruanda, Laosi, Angola, Gambia, Taxhikistani, (nationmaster.com).

Por duke u bazuar në përzgjedhorët e politikave publike të arsimit siç janë e drejta dhe barazia, arsimi në Shqipëri është pasqyrim i disfavoreve. Shkollat urbane me ato rurale janë në disfavor të ndjeshëm. Në një dokumentar të shfaqur në muajin mars 2013 http://ëëë.youtube.com/ëatch?v=ZMUdNDRMpqo , zbulohen se sa në gjëndje të mjerueshme janë shkollat në zonat e fshatrave në Shqipëri. Kontraste të kësaj natyre rezultojnë qartë se fondet nuk shpërndahen në mënyre të drejtë por edhe as të barabartë.

Në një sondazh të bërë në Shqipëri në shkurt 2013 mbi nivelin dhe cilësinë e arsimit publik rezulton se bazuar në pesë indekse kryesore arsimi publik në Shqipëri është ende në nivele të ulta, madje më të ulta se mesatarja. Në këtë pyetsor të shkallëzuar nga 1 deri ne 4 sipas modelit Likert, mesataret e marra nga pjesëmarresit janë përkatsisht::

1. Në çfarë rangu do ta vendosni arsimin publik në Shqipëri bazuar në programin e matematikës ku 1 është dobët dhe 4 është I fortë ose i pa-arritshëm për të gjithë nxënësit?

Rezultati: Mesatarja 2.30 nga 4 te mundëshme. Efikasiteti i përcaktuar nga pyetësori rreth 58%

 

2. Në çfarë rangu do ta vendosnit arsimin publik në Shqipëri bazuar në programin e gjuhës shqipe? 1 – program i dobët dhe 4 – program I fortë.

Rezultati: Mesatarja 2.15 nga 4 të mundëshme. Efikasiteti i përcaktuar nga pyetësori rreth 54%

 

3. Në çfarë rangu do ta vendosnit arsimin publik në Shqipëri per cilësinë e mësuesve? 1 mësues të pakualifikuar, 4 mësues me master ose kualifikime pasuniversitare.

Rezultati: Mesatarja 2.11 nga 4 të mundëshme. Efikasiteti i përcaktuar nga pyetësori rreth 53%

 

4. Në çfarë rangu do ta vendosnit arsimin publik në Shqipëri për sa i përket numrit te femijve per mesues? 1 është 1 mësues per 35 ose më shumë nxenes, dhe 4 është 1 mësues per 23 ose më pak nxënës.

Rezultati: Mesatarja 1.65 nga 4 të mundëshme. Efikasiteti i përcaktuar nga pyetësori 41%

 

5. Ne çfarë rangu do ta vendosnit arsimin në Shqipëri përsa përket sigurisë ndaj fëmijve? 1 është për fëmijë të pambrojtur, dhe 4 është për fëmijë shumë të mbrojtur në ambjent shkolle.

Rezultati: Mesatarja 1.62 nga 4 të mundeshme. Efikasiteti i përcaktuar nga pyetësori 40%

 

6. Në çfarë rangu do ta vendosnit arsimin publik në Shqipëri për sa i përket efikasitetit të lidershipit në rang shkolle, seksioni dhe ministrie? 1 shumë i dobët pa kualifikim, dhe 4 shumë i fortë dhe efikas.

Rezulati: Mesatarja 1.42 nga 4 të mundëshme. Efikasiteti i përcaktuar nga pyetsori 36%

Të marra mesatarisht, pergjigjet rezultojnë ne 1.8 me standard deviation .03 që do te thotë, përgjithsisht përgjigjet janë .03 larg mesatares së sondazhit, që në këtë rast është 1.8. Por e krahasuar më sipër në shkallën Likert me nivelet (1-4), ku mesatarja presupozohet te jetë 2, atëherë 1.8 është përsëri më e ulët se mesatarja e përgjithshme (2). Pa asnjë lloj dyshimi, bazuar në pyetsor dhe në përgjigjet e sondazhit, arsimi në Shqipëri në ditët e sotme është i dobët.

Vlerësimi i publikut për arsimin ne Shqipëri është mjaft dekurajues, pavarësisht se rrogat e arsimtarëve janë rritur nga viti 2005 dhe deri sot sipas qeverisë. Kjo nuk është indikues se arsimi në Shqipëri ka përparuar. Ajo që ngelet për të deshiruar është niveli dhe pregatitja e lidershipit. Bazuar në sondazhet e popullsisë, lidershipi zuri vëndet më të ulëta të sondazhit. Kjo do të thotë që publiku jo vetëm nuk e vlerëson udhëheqjen, por nuk ka besim se ajo do të kryej detyrën e vet e cila është arsimimi i brezit të ri. Në fakt, lidershipi është ai që i jep tonin dhe zbaton politiken e arsimit.

Në qoftëse lidershipi nuk arrin të zbatojë dhe te verë në jetë vizionin e caktuar nga përpiluesit e programit mësimor atëherë ky program mësimor zhvelfësohet, dhe problemet e mësipërme siç janë efikasitetet e programit të gjuhës shqipe, matematikës, siguria e fëmijve etj vijnë në zinxhir dhe grubullohen duke i hequr vlerat e arsimit.

Në mënyrë që të analizohet arsimi në skematikën e polis apo të market duhen konsideruar disa faktorë, e para, cilat janë prioritet e ministries se arsimit, e dyta ku shkojnë fondet e arsimit, çfarë kriteri është ndjekur për shpërndarjen e ketyre fondeve. Nje imazh komplet do të ishtë ideal në përcaktimin e natyrës së arsmit si politike publike. Indikues që përcaktojnë shpërndarjen e fondeve vijnë nga open.data.al e cila informon se vetëm 2.8% e PBB (GDP) hynë ne kanalet e arsimit.

Pasqyrimi i realitetit tregon se këto fonde mbulojnë midis të tjerave nevojat imediate dhe programe në qytete apo kryeqytet, por zonat rurale në Shqipëri kanë vite që nuk kanë parë asnjë lloj fondi për mirëmbajtje dhe sigurinë e femijëve. Pra, faktori i barazise ne politikën e arsimit publik nuk zbatohet në shpërndarjen e fondeve, përkundrazi politika e ndjekur është paragjykuese dhe diskriminuese ndaj fëmijve në fshat. Kjo është minimalisht indikues i formës market. Por ky përcaktim nuk është aspak absolut për arsye të kushteve të vendit dhe politikës së ndjekur nga qeveritë. Teorikisht, meqënëse market është prioritet për interesin individual dhe të një grupi njerëzish sesa atë të komunitetit, qeveria e Shqipërisë përsëri shkel parimet baze të shpërndarjes së barabartë të programeve të bazuara në fondet e taksapaguesit shqiptar. Madje, e parë nën lupën e faktorit të drejtësisë, (ajo çka është e drejtë), përsëri qeveria shkel në mënyrë flagrante këtë faktor duke mos zbatuar atë që i takon femijve: të drejtën për një arsim publik me cilësi dhe mbi të gjitha të mbrojtjen e tyre.

 

OLA MITRE: DITËLINDJET, SUPER PARTY E STRIPTEASE NËPËR PUB-E

Padyshim dita në të cilën kemi lindur është festa personale e secilit prej nesh. E nëse në këtë ditë ne jemi mbreti apo mbretëresha e saj, mënyrat për t’u ndjerë realisht të tillë janë të shumta. Dikur ditëlindja ishte më tepër një festë familjare, një drekë në ambientet e shtëpisë e maksimumi vizita nga shokët apo miqtë. Por, me kalimin e kohës mënyrat e festimit të saj kanë ndryshuar për t’u shndërruar nga një festë e vogël familjare, në super party të festuara me miqtë në lokalet e natës. Padyshim që edhe kjo nuk është një tendencë e vonë, pasi ka vite që të rinjtë zgjedhin për të festuar ditën e tyre me miqtë nëpër pub-e. Megjithatë, çdo ditë elementë të rinj i shtohen kësaj feste për ta bërë ditën e lindjes të paharruar.

Lulet

Buqetat me lule janë një prej elementëve më të rëndësishëm të festës. Kjo është dhurata më e preferuar, por jo vetëm. Organizatorët e ditëlindjeve (që mund të jenë miqtë apo vetë “pronari” i ditëlindjes) i zgjedhin ato për të dekoruar ambientet ku ajo do të zhvillohet. Sa për ngjyrat dhe llojet, ato janë nga më të ndryshmet, por që padyshim trëndafili kryeson listën.

Kateringu

Përveç pijeve që ofrohen nga baret apo pub-et, për të shoqëruar këto të fundit preferohet edhe kateringu. Pjata të përgatitura e dekoruara me kujdes zënë vendin e tyre, ndërsa shoqërojnë kokteilet e mbrëmjes. Receta të shijshme dhe risitë kulinare në botën e kateringut plotësojnë në detaj festat personale, ndërsa të ftuarit nuk ngurojnë të shijojnë në maksimum muzikën, pijet dhe këto pjata të servirura me kujdes. Një banket i vërtetë, që sigurisht ka koston e vet, por që është një detaj i ri, i cili ka filluar të preferohet jashtë mase në këto lloje festash.

Dekori dhe Torta

Që të vendoset qershia mbi tortë, ambienti duhet të jetë i dekoruar enkas për këtë rast. Tullumbace, fishekzjarrë e lule janë të tjerë elementë që i janë shtuar mënyrës së festimit e që mirëpriten nga çdokush që është i ftuar. Por, elementi më tradicional i ditëlindjes e që është i pazëvendësueshëm në një ditë të tillë është torta. Ajo është kryefjala, por format dhe madhësitë nga më të larmishmet janë të ndryshme nga ato të parat. Nga ana tjetër edhe pastiçeritë arrijnë të realizojnë gjithçka të kërkuar nga klientët e tyre.

Striptease party

Me kalimin e kohës, edhe lokalet nuk kanë ngurruar të ofrojnë “dhuratat” e tyre për ata që zgjedhin të festojnë ditëlindjen në këto ambiente. Pa muzikë e pije këto festa janë të paimagjinueshme, por së fundi është shtuar edhe një detaj shumë i preferuar. Striptease për atë që ka ditëlindjen. Dhe jo një, por dy djem janë në dispozicion, për të kërcyer e për të dhënë urimin ashtu siç e meriton çdokush në një ditë të tillë. Ora 00:00 është momenti i urimeve: Kënga tradicionale e ditëlindjes e më pas brohoritje, urime e trokitje gotash. “E festuara” ftohet në skenë, për të marrë dhuratën e saj, ndërsa ajo nuk ngurron për këtë. Tingujt e muzikës ndryshojnë, ndërsa këngëtari fillon të interpretojë “You can leave your hat on”, të Joe Cocker. Atmosfera ndizet në maksimum, ndërsa të gjithë duartrokasin e asistojnë kërcimin magjik të saj. Buzë-qeshja e “stampuar” në fytyrë të le të kuptosh lumturinë e atyre momenteve, ndërsa detaji i ri duket se është gjetja ideale për këtë lloj feste.

“Gena Party”

Gena, feston vitin e 36-të të lindjes, por miqtë që kanë përgatitur tortën, preferojnë që ajo të shuajë qirinjtë e të 25-ve. Festa e saj është një prej shumë të tjerave, që përmban të gjithë elementët e mësipërm, një festë e kuruar në detaj, ndërsa ajo thotë se surprizën e ka organizuar nga një prej mikeshave të saj. Gjithashtu, ajo shton se ditëlindja e këtij viti padyshim është një nga më të paharrueshmet. Sa për koston, nuk nguron të na konfirmojë se të gjitha shpenzimet kanë shkuar deri në 60 mijë lekë (së bashku me pijet e 25 miqve të ftuar në party).

LEDJAN PRIFTI: EDI RAMA NË VJENË: BANALITETI I SË KEQES

Vizita e shumëpërfolur e Ramës në Vjenë është kthyer tashmë në një telenovelë të mbushur me mashtrime e intriga. Si çdo telenovelë politike  që respektohet edhe kjo pati skenën e vet në parlament duke lënë pezull spektatorët; a do të fillojë punën hetimore komisioni parlamentar ? Logjika ta do, që si pothuaj gjithë telenovelat e seritë televizive edhe kjo s’do të ketë një finale të denjë, do të vazhdojë në bazë të parimit tërhiq e mos e këput, derisa të bjerë numri i shikuesve e telenovela të mbyllet vetiu pa një finale.

Nuk ngeli njeri pa folur e shkruar, nga kryeministri tek gazetarët e analistët për të perfunduar në kafenetë e shtëpitë, a thua se po vendosej për shpalljen e ndonjë lufte për ekzistencë. E provokoi apo jo, u shkulën flokët, veshët apo basetat, plasi grushti apo u tërhoq kush prej mëngësh. Si komedi do të kish qenë interesante, mirëpo si ngjarje politike kjo ështe krejt e pangjyrë, e pashije, diçka patetike, një ndodhi krejt banale.

Kjo është edhe nisja de facto e fushatës elektorale e si thotë populli, dita duket që në  mëngjes. Banaliteti është mëngjesi i fushatës elektorale e ky banalitet do të na shoqërojë këto 2 muaj. Këta në të vërtetë nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër për 2 muaj, shterpësinë e ideve dhe programeve duhet ta mbulojnë me gjithfarë palaçollëqesh e banalitetesh, historish të denja për hane e mejhane. Berisha do vazhdojë të flasë për rrugë e investime, të kuq e bllokmena, Rama do vazhdojë të flasë për taksën e sheshtë e Rilindjen. Por askush nuk duket t’i marrë seriozisht, prandaj meqë njerezia është e mprehur për fushatë nga halli do të pranojë gjithfarë banalitetesh e patetizmash vetëm e vetëm që të ketë me ç’të bëjë muhabet në orët e kafes.

Pas paktit te ngjalave, Rilindja në fushatë duket të ketë më shumë vlerë si Rilindja e Ramës sesa si Rilindja e Shqipërisë. A do të rilindë Rama ? A do t’ia dalë për dy muaj dhe si ?

Në mitologjinë greko-pellazge, kemi një rast interesant rilindjeje, ajo e Athinës. Miti thotë se Zeusi gëlltiti të emën, hyjneshën Metis, e cila si e do miti, e lindi Athinën brenda trupit të Zeusit, i përgatiti armatimin dhe mandej Efesti i çau Zeusit koken, nga rilindi Athina e armatosur.

Edi Rama pasi humbi gjithë imazhin e të qenit politikisht ndryshe Salës dhe pranoi të gëlltitej nga e Keqja, shpreson që këto muajt e fushatës të jetë në gjendje të rilindë. Mirëpo thonë se nqs të gëlltit e Keqja nuk mund të rilindësh përveçse prej anusit te saj, sepse e Keqja është banale, tepër banale.

Tashmë që Berisha dhe Rama, po luftojnë secili për të dëshmuar se janë e keqja më e vogel për Shqipërinë, do të na mbysë banaliteti. Nuk është Hannah Arendt, që zbuloi banalitetin e së keqes, ajo thjesht kuptoi atë që njeriu e ka zbuluar prej mijëvjeçarësh, që në kohën e të menduarit mitik. Konflikti e mirë- e keqe është universal, njeriu asnjëherë nuk ka parë si tërheqës konfliktin mes të këqijave, një më të madhe e një më të vogël, nuk e ka pare as si mësim për ta përcjellë, por e ka parë gjithnjë si diçka tepër banale për ta futur nëpër mite e mandej në histori. E Keqja për njeriun ka qenë përherë e kudo diçka banale, bëhej interesante atëherë kur mbante maskën e së Mirës apo luftonte kundër së Mirës. Beteja mes të këqijave lakuriqe, ka qenë gjithnjë diçka e pashijshme, e pahijshme, e pangjyrë.

Edhe pas kalimit të të menduarit nga miti tek logosi ( nga të menduarit mitik tek të menduarit logjik, racional), nuk ndryshoi asgjë tek përqasja e njeriut ndaj betejës mes të këqijave, ajo betejë nuk është e denjë për t’u ndjekur e për t’u kujtuar.

Kam bindjen se në Shqipëri po ndodh një revolucion në të menduarit, nga logosi po kalojmë tek ngjala ose të ngjalemenduarit. Të ngjalëmenduarit duket horizonti i ri i së ardhmes, nuk ka më një luftë mes të mirës për Shqipërinë e së keqes për Shqipërinë. E ardhmja e Shqipërisë do të jetë gjithnjë më pak e keqe, por gjithnjë e keqe, sepse sado të këmbehen në pushtet më pak të këqijtë, logjika thotë se përsëri e keqja do të jetë këmbëkryq, derisa të vijë i miri dhe e mira.

Të ngjalëmenduarit na detyron të quajmë ëndërr një Shqipëri të mirëqeverisur dhe prandaj ta ironizojmë çdokënd që mendon se Shqipëria një ditë do të behet, sepse duhet të bëhet. E megjithatë, pavarësisht kushtëzimit prej të ngjalëmenduarit, ka shumë njerëz në Shqiperi, të angazhuar politikisht ose jo, që ashtu si Martin Luther King, janë gati të bërtasin ”I have a dream”.

Po, të dashur ngjalëmendues, ne kemi një ëndërr, nje Shqipëri të mirëqeverisur, nje Shqipëri të bërë, një Shqipëri për shqiptarët e ndershëm e patriotë, mjaft me patetizmin dhe  banalitetin e së keqes.

 

NUK PO NDODH ASGJË?! : PROBLEMI I FSHEHUR I KRIZËS SË THELLË EKONOMIKE

Problemi kryesor i kësaj fushate zgjedhore është terri në të cilin po mbahet elektorati shqiptar në lidhje me gjendjen ekonomike të vendit. Si edhe e kam analizuar në disa shkrime të Rrethit të Ferrit, ky është një problem kardinal. Mirëpo, në këtë terr informative duket se po kontribuojnë të gjithë: politikanët, specialistët, gazetarët, publiku i gjerë dhe institucionet e shtetit. Kjo po krijon një gjendje të frikshme, sepse kur të zgjohet shoqëria do të jetë me të vërtetë vonë.

Institucionet dhe Ekonomia

A flasin politikanët? Politikanët tanë nuk flasin për këtë temë. E para sepse nuk dinë; për shumicën, ekonomia është vjedhje, shitblerje dhe rrushfet. E dyta, sepse nuk iu intereson. Cka do të thonë? Që jemi keq? Por këtë e dinë të gjithë. E treta, sepse numrat e të dhënat shpeshherë janë të fabrikuara në zyrat e ministrive dhe nuk dihet se ku fillon rrena e ku mbaron e vërteta. Ja për shembull një pyetje e thjeshtë. Sa ishte rritja ekonomike në shtetin shqiptar? Kryeministri nuk e tregon por thotë se ia kaluam Gjermanisë e Brazilit dhe jemi mbas Kinës në botë. Mirëpo Turqia e Kina e kanë rritjen mesatarisht 9% në vit dhe këtë vit rritja e Kinës ra në 7.8%. Sa ishte rritja e ekonomisë? Askush nuk din të thotë gjë. Këtu të jepet shifra 3.0% nga qeveria, 2.7% nga Banka Shqiptare, 1.7% nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, 0.5% nga CIA dhe në fund negative nga një agjensi tjetër zbulimi që informon vendimmarrësit dhe që emrin po ia mbajmë sekret…. More po sa ishte rritja ekonomike? Hajde e merre vesh. Nga ana tjetër, këtu të thonë se e kemi rritur Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar 11 herë, apo se do ta rrisim prodhimin bujqësor katër fish në katër vjet.  Edhe shefi i opozitës nuk flet me numra, por thotë “I themi Saliut: ‘Ik me nder.’” Po cfarë nderi ka ky kryeministër, e cfarë nderi do të marrë me vete?! Nejse, të kthehemi tek ekonomia, numra e përqindje nuk ka.

A flet shtypi për ekonominë? Në lidhje me shtypin e shkruar vërejta me keqardhje se lajmet ekonomike shpesh nuk e zënë as gjysëm faqe gazete. Ka gazeta të tëra që në versionet online ose edhe në shtyp nuk kanë asgjë për ekonominë. Në gazeta ka më shumë lajme për seksin në Big Brother se sa për ekonominë. Faqet e para hapen me komentet e analistëve e komentatorëve që janë të paguar dhe që shpifin, rrejnë, mashtrojnë, manipulojnë, përgojojnë, vrasin njerëz e karaktere, por që nuk merren fare me ekonominë. E gjitha kjo mbulohet me argumentin se publiku nuk don debate të kësaj natyre, se nuk ka interes për ceshtjet ekonomike, dhe në fund, me një shkelje syri lihet të nënkuptohet se populli shqiptar nuk i kupton këto tema. Shkulja e veshit dhe e flokëve të Egin Cekës, një skandal i paparë që u bë edhe më skandal nga letra e prindit, që do të bëhet edhe objekt, por edhe subjekt sherri, që nga Kuvendi tek kafeneja më e humbur meriton vëmendje. Por edhe më shumë vëmendje meriton ekonomia.

A flasin institucionet e tjera? Jo. Të gjithë e dimë se si gatuajnë informacionet e të dhënat institucionet tona. Asgjë e re. Sepse INSTAT varet nga kryeministri dhe Guvernatori i Bankës Shqiptare është duke luajtur me tre porta. Deri mbas zgjedhjeve nuk do ta ulin normën e interest të lekut. Po pse? Raporti që u ofrua të MËrkurën e nxirrte ekonominë blozë. Po ja, banka nuk do të ndërhyjë në politikë. Dhe për të justifikuar zgjedhjen që bëjnë të japin ca shifra kot e ca arsyetime që nuk të bindin. Nejse, me shume mbi kete teme ne fund te shkrimit.

Shqiptarët dhe Gjendja ekonomike

A e dinë shqiptarët se si është gjendja ekonomike? Përgjigja e shkurtër është ‘po.’ Populli e kupton mirë se gjendja ekonomike është e keqe dhe se do të përkeqësohet edhe më shumë në të ardhmen e afërt. Pyetësori i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare tregoi se 66% besojnë se gjendja ekonomike është e keqe dhe se 50% e shqiptarëve besojnë se gjendja ekonomike do të bëhet edhe më e keqe mbas zgjedhjeve. Shashkat që hidhen andej këtej sikur politikanëve që do të vijnë në pushtet iu janë premtuar miliarda, nuk ia vlen të merren seriozisht. Populli e kupton këtë dhe ndjehet qartë rezistenca ndaj këtij dizinformimi.

Politikanët dhe ekonomistët mund ta vlerësojnë ekonominë duke u marrë me të dhënat makroekonomike. Njerëzit e thjeshtë e vlerësojnë gjendjen ekonomike duke u mbështetur në shpenzimet e tyre të jetesës, fuqinë blerëse, dhe mundësinë e përballimit të nevojave që kanë. Shkurt, problemet ekonomike nuk marrin vëmendjen e duhur. Mirëpo politika dhe ekonomia janë të pandara.

Ku është e vërteta?

Mëgjithatë e vërteta del. E pjesëshme, e paplotë, por gjithsesi del. Shkretëtira dallohet që është shkretëtirë, jo pse nuk ka gjelbërim, por pse ka një oaz a një tufë pemësh që të tregojnë se si është gjendja. Pra, përtej kësaj dyanshmërie e moskuptimi dypalësh, në një numër shkrimesh të goditura, dhe mua më interesojnë të dhënat e jo bindjet e përkatësitë politike të individëve, këto ditë në shtyp ka pasur disa shkrime ngacmuese por që nuk kanë tërhequr vëmendjen e duhur.

Si ilustrim do të përmend disa shkrime të shkurtëra por të dobishme. Një shkrim i pjekur dhe i informuar lidhur me borxhet nga Genc Kondi tek Shqiptarja.com duhej të kishte ngjallur një debat serioz por cuditërisht kaloi në heshtje.[1] Ashtu kaloi edhe alarmi i profesore Ermelinda Meksi, një nga njerezit që e njohin më mirë se shumë të tjerë ekonominë e vendit, lidhur me borxhin e shtetit në Shqip, dhe shkrimet e Ilir Beqajt.[2] Në rast se prononcimi i prof. Ermelinda Meksit, apo shkrimet e Ilir Beqajt kalojnë disi në heshtje sepse të dy janë figura politike dhe pritet se do të jenë në nivele të caktuara në qeverisje, kalimi në heshtje i disa shkrimeve dhe analizave të tjera nga gazetarët që mbulojnë ekonominë është plotësisht i pajustifikuar. Një seri shkrimesh të informuara mirë ka bërë edhe Ervin Kaduku në Standard.[3] Po ashtu, njëri nga problemet kryesore ekonomike për popullin e thjeshtë është shtrenjtimi i jetesës, d.m.th., inflacioni i fshehur. Në një shkrim hetimor, cilësor e të pjekur, gazetarja Alba Xhambazi në Shekulli e ngriti këtë problem, i cili kaloi në heshtje dhe pa vëmendjen e duhur.[4] Po kush i diskuton? Askush. Njerëzit merren me shkuljen e veshit të një diplomati e jo me ekonominë. Në vecanti, artikulli i Alba Xhambazit më tërhoqi vëmendjen sepse tregonte qarte se sa e vështirë është gjendja sidomos në tregtimin e prodhimeve bujqësore ku shtrenjtimi i jetesës është i dukshëm:

“Krahasuar me të njëjtën kohë të një viti më parë,  çmimet janë shumë të larta edhe pse  javën e fundit është vënë re një ulje e  lehtë për produktet e stinës. Sipas  tregtarëve në tregun ushqimor të  kryeqytetit, tek ish-Uzina “Dinamo”  sallata kishte shkuar nga 50 lek/kg  që ishte një vit më parë, në 120 lek/ kg këtë vit. Po ashtu, edhe patatja, e  cila një vit më parë ishte 30 lek/kg,  dje tregtohej me çmimin 80 lek/kg.  Rritje gjen edhe tek trengulli, spinaqi,  qepa dhe lulelakra, ku kjo e fundit,  sipas tregtarëve ka pësuar një rritje  4-5 fish krahasuar me një vit më  parë.”[5]

Pra, një vështrim i shpejtë i cmimeve të produkteve ushqimore, vecanerisht në tregun më të madh të vendit, në Tiranë, si edhe u tha më lart, tregon një histori tjetër. Inflacioni i fshehtë është rampant, i kudogjindshëm dhe përbën një problem shumë të madh për qytetarët që jetojnë me rroga apo që kanë të ardhura fikse.  Kjo shihet si në prodhimet e importuara ashtu edhe në prodhimet e vendit.

Inflacioni zyrtar, numri që jepet nga Ministria e Financave dhe nga Banka e Shqipërisë dhe mandej përhapet gjithandej është më pak se 4%. Mirëpo, në realitet, shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe bujqësore në treg tregon dicka tjetër. Edhe nga një vështrim i shpejtë i rritjes së këtyre cmimeve, duket se inflacioni është i pranishëm dhe se njerëzit blejnë më pak me më shumë para. Natyrisht që ka spekullim e lojë me krizën, prodhimin etj. por rritja e cmimeve deri në këtë nivel, dhe gjasat janë që cmimet nuk do të bien në dysheme, sugjeron se shqiptarët do të blejnë më pak mall me të njëjtat para. Verja emrin si të duash, por kjo është, më e pakta, shtrenjtim jetese.  Duke shkuar pak më përtej të dhënave, mora raportin e Ministrisë së Bujqësisë për javën e fundit të MArsit lidhur me cmimet e prodhimeve bujqësore dhe të dhënat nuk janë aspak inkurajuese. Shumë gjëra më habitën në atë raport, por njëra ishte cmimi i limonëve (të vendit kushtonin 190 leke kilogrami e të importuarit 159 leke) e me radhë. Por kjo është temë tjetër.

Në vend të Përfundimit

Në fund të fundit, ekonomia duhet të kthehet në vëmendjen e njerëzve. njerëzit do të votojnë dhe ekonomia do të jetë një nga influencat kryesore në vendimmarrjen e tyre. Jo më kot, shqëtësimet më kryesore të njerëzve ishin mungesa e të ardhurave (për 28% të njerëzve), papunësia (për 25% të njerëzve, ,  Jo më kot 66% e njerëzve thonë se gjendja ekonomike është keq apo shumë keq. 22% mendojnë se është mesatare/normale dhe vetëm 2% thonë se gjendja e ekonomisë është e mirë. Si do që të jetë, politika dhe të gjithë institucionet heshtin.

Tani e ka radhën Banka e Shqipërisë. Si thashe me lart, Mme datën 30 Prill do të mblidhet Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë që do ndërmjet të tjerash do të vendosë edhe për normën e interesit mbi lekun. Por ka gjasa, që Guvernatori Fullani të marrë një vendim politik dhe vendimi për normën e interesit nuk do të ndikohet nga arsye ekonomike, por nga marrëveshja që do të bëjë guvernatori me palët respektive të parisë.  Por cilido që të jetë vendimi, e prekin se prekin e ulin apo e mbajne aty ku eshte, ekonomia shqiptare është në krizë të thellë e nuk ka asnjë shans që do ta kalojmë këtë krizë tani shpejt, lehtë e për disa vite të vështira.


[1] Genc Kondi, “Cfarë Trashëgon Qeveria e Ardhshme?” Shqiptarja.com, 24 Prill, 2013

[2] Ermelinda Meksi, Shqip, 24 Prill 2013.

[3] Ervin Kaduku, “Bankat: Ja çfarë do të bëjmë për kreditë e këqija.” Gazeta Standard (pa datë) http://ëëë.standard.al/bankat-ja-cfare-do-te-bejme-per-kredite-e-keqija/

[4] Alba Xhambazi, “Shtrenjtohen çmimet, perimet 110% më të shtrenjta nga vjet.” Shekulli, 21 Prill 2013.

[5] Xhambazi, Ibidem.