Home » ANALIZA » PAKTI BERISHA-RAMA-META DHE NEVOJA E ALTERNATIVAVE POLITIKE

PAKTI BERISHA-RAMA-META DHE NEVOJA E ALTERNATIVAVE POLITIKE

Gjëja më e hidhur për dikë që merret me analiza është që të thotë se ka të drejtë. Sepse nuk i thuhet atij që ka kancer në mushkeri se i ke thënë me kohë të lëjë duhanin dhe se e ka pasur gabim kur të ka konsideruar si njeri që s’din e se kupton rëndësinë e duhanit. Nuk i thuhet atij që ka bërë një aksident se i ke thënë më kohë se nuk din me vozitë makinën. Ama, shqiptarëve duhet me ua thanë të vërtetën pa ndërprerje. Sepse, ndryshe nga këto raste, shqiptarët kanë një gjarpër në mendjen e tyre që po i shtërngon, po i mbyt haptazi e pa mëshirë dhe që do t’i përpijë me gjithë kocka duke e përdorur shtetin shqiptar kundër vetë shqiptarëve.

Më në fund, edhe ata që mund të ngrejnë dorën që të luajnë bingo, të mbajnë gotën e rakisë e që kanë sy të dallojnë në se është ditë a natë, e kanë kuptuar se ky gjarpër vetëm po i shtërngon rrathët dhe tashmë po i sheh në sy dhe po rreket që t’i hipnotizojë. Koka e gjarpërit doli dje dhe në dac t’i mbajnë hapur sytë shqiptarët, në dac t’i mbajnë mbyllur, gjarpëri do t’i përpijë me gjithë pasuri, tulla e llac, shpresa e ëndrra. Sepse simbas gjarpërit, shqiptarët janë lejuar të vënë ca dhjamë që të mund të mbijetojë ky gjarpëri që nuk ka kë të kafshojë dhe që duhet t’i përpijë ata një e nga e një e të gjithë pa dallim. Sepse edhe po qe duke u mbytur anija e shtetit, gjarpëri do të vazhdojë të gjuajë minj deri në fund sepse gjarpëri e din notin. Minjtë ose do të hahen ose do të mbyten. Dhe në këtë pikë, dallimi midis shqiptarëve dhe minjve është i papërfillshëm.

Tash shqiptarët duhet të tregojnë se a janë viktima e lepuj, që gjarpëri do ti hajë për zgjedhje, a janë burra e gra me dinjitet që duan të mbrojnë jetën e pasurinë se nderin dhe fytyrën ky gjarpëri, paria e Tiranës, ua ka marrë me kohë. Shqiptarët do të kenë edhe shanse të tjera, por cdo ditë që kalon zgjidhjet e tyre bëhen më të vështira e më kushtueshme.

Cfarë ndodhi?

Me datën 1 Prill u zyrtarizua marrëveshja për ndarjen e pushtetit midis palëve të parisë. Pakti ka qënë bërë me kohë, në fakt na e ka lënë gati Ramiz Alia, mirëpo me 1 Prill, prijatarët e parisë, kokat e krimit shqiptar, krerët e famljeve mafioze ranë dakord që të ndajnë pushtetin.  Sali Ram Berisha dhe Trusti i Gështenjave do të ketë disa burime të forta financiare. Ai do të kontrollojë disa bashki të mëdha, disa komisione parlamentare, do të ketë mjaft deputete e një ‘opozitë’ relativisht të fortë. Po ashtu Sali Berisha do të ketë financim te siguruar për të mbajtur një strukturë që do të ruajë familjen e interesat e veta.

Orta e Jenicerëve ka interesa që Edvin Kristaq Rama të bëhet i pari i vendit. Ilir Rexhep Meta dhe banda e tij duhet të mbajë me punë elektoratin e vet. Këta do të vazhdojnë të hanë edhe atë që ka ngelur nga pasuria kombëtare e shqiptarëve dhe më pas do të vihen që të hanë shqiptarët.

Tre klanet e fuqishme katundare triumfuan dhe pakti katundar tregoi se këta kanë qënë gjithnjë bashkë. Edhe pse kanë vënë në krye ca katundarë që kanë jetuar në qytete e kanë qënë të kamur, askush nuk harron se edhe këta katundarë të qytetarizuar vonë pasurinë e kanë vënë duke pastruar nevojtoret e niveleve të ndryshme, në kohë të ndryshme dhe që nuk e kanë ndrruar fare mendësinë katundare, prapë sjellja e tyre është katundare safi. Ky pakt është siguria që i duhej parisë dhe dënimi me vdekje i shqiptarisë.

Si duhet interpretuar ky Pakt?

Së pari, krerët e klaneve ranë dakord që të ndajnë tortën e pushtetit, e më së pari të garantojnë Sali Berishën e familjen e tij. Nga ana e vet, shefi i Trustit të Gështenjave iu dha bekimin që Ilir Meta, Edvin Rama, Vangjel Dule dhe bandat më të vogla të vjedhin edhe atë që ka ngelur nga pasuria e shqiptarëve për tetë vitet e ardhshme, por me kushtet e renditura më lart. Plani është që mbasi të mbarojnë kockat, këta do të fillojnë të gjithë bashkë që të hanë shqiptarët.

Së dyti, paria vendosi t’iu tregojë shqiptarëve se vota e tyre nuk ka vlerë. Zgjedhjet bëhen kot. Këta të tre i numërojnë votat. Këta ia numëruan votën edhe Bamir Topit. Këta do t’ia numërojnë votat edhe AKZ dhe të gjithë partive të tjera të vogla që e kuptuan se loja me karrike ka mbaruar. Në karriken e fundit do të jenë Ilir Meta, Edi Rama, dhe Sali Berisha. Se kush do të jetë ulur në prehër të tjetrit varet nga disa gjëra që nuk shpjegohen këtu, mirëpo që do të rrinë të gjithë bashkë e njëri në prehër të tjetrit, nuk ka dyshim. Megjithatë shqiptarët nuk do ta kuptojnë se janë ulur sepse duke qënë me gjatësi të ndryshme, do të duket sikur janë njëri mbas tjetrit. Teknikë e njohur, iluzion optik që e ngatërron dimensionin vertikal me atë horizontal. Por kur i sheh nga mënjanë, e kupton se cka po ndodh, dhe bëhesh i vetëdijshëm për të vërtetën.

Së treti, paria e Tiranës iu tha të huajve që të mos përzihen. Ne fakt ua zgjidhi problemin e stabilitetit.  Nuk do të ketë rrëmujë në nivelin e parisë. Qentë që kanë një kockë në gojë, nuk iu gërmushen apo hakërrehen qenve të tjerë. Sepse ajo kocka i bën që të rrinë urtë. Dhe ndërkombëtarët nuk do të përzihen, sepse e dinë mirë se me kë kanë të bëjnë. Sepse nuk mendon vetëm paria që ne jemi njerëz të paditur e katundarë, edhe të huajt mendojnë kështu. Të huajt duan stabilitet, dhe këtë e garanton marrëveshja me lezet. Parimi ishte, “më rrove të rrova brisku i berberit.” Paria nuk ka nevojë për të huajt. Të huajt nuk duan probleme. Kauza rrotacionale i zgjidh problemet,

Së katërti, marrëveshja tregoi se deri ku janë të shitur mjetet e propagandës dhe të shtypit. Shumica e llapaqenërisë mediatike po bëjnë hapur lojën e parisë dhe janë angazhuar në mbrojtje të paktit e të interesave të tyre të ngushta. Nuk po përmend emra se më vjen ndot, port ë gjithë argumentet që po lëshohen prej tyre si bie fjala, iu thanë të huajt, ishte interesi kombëtar, është për të mirën tuaj, e bëri Stanishevi, Papandreu dhe Internacionalja, e bënë për të bashkuar socialistët,  etj. etj. janë pa bazë e mashtrim i pastër. Këta kanë interesa dhe do të ulen të tre në një karrike për të mbrojtur interesat e tyre të ngushta. Se këta sillen simbas parimit të Haxhi Qamilit “kur kam Sharrën e Shijakun me vete, nuk pyes për Berlinin.” Kur i kanë katundarët e tyre mbas vetes, këta nuk pyesin për Brukselin, Uashingtonin, apo Timbuktunë. Nuk po hyj në argumentet e shumta që po përdoren, por  të gjithë këto pjestarë të llapaqenërisë mediatike do të ishte mirë ta qepnin gojën se pusetës së gjirizit i ka ikur kapaku dhe ka vërshuar në të gjithë lagjen që qelbet.

Së pesti, ky pakt vjen në një moment kritik në të cilin do të sprovohet ideja kombëtariste shqiptare. AKZ ka lajmëruar për një miting gjigand me 7 Prill. Pakti i parisë ia ka mbyllur lojën Krehsnik Spahiut dhe AKZ-së. Platforma e tij ka qënë e gabuar prej fillimit. Duke u bërë buldozeri anti-Berishë, ai nuk e ka kuptuar se po përdorej prej parisë, sepse në cdo kohë Edi Rama dhe Sali Berisha janë marrë vesh, edhe pse me pak vështirësi të kuptueshme. Tashmë AKZ dhe kreshnik Spahiu në mitingun e 7 Prillit duhet të heqin dorë nga demagogjia e populizmi dhe duhet të parashtrojnë ide të qarta e mobilizuese, një patformë shtet-komb ndërtuese, dhe një program të qartë. Ndryshe, ky pakt që ia mbyll dyert kombëtarizmit shqiptar, edhe pse nuk e dëmton kombëtarizmin si frymë, do ta shfryjë AKZ-në si forcë politike. Përgjegjësia e AKZ është që të gjejë forcën e të rrijë jashtë paktit e jashtë sistemit sepse Edi Rama e ka shitur dhe paria është e gatshme që në mos arriftë ta përdorë si don, ta shkallmojë duke përdorur instrumentet e dhunës e të shtetit. AKZ duhet të jetë një parti jashtëkuvendore, të vendosë prioritetet e duhura, të shkojë tek shqiptarët jo me dylbi eme demagogji por me një program të qartë. Por paria e Tiranës me këtë pakt ia ka ngushtuar zgjidhjet dhe me 7 prill do të merret vesh se ku e gjejnë veten AKZ dhe udhëheqja e asaj partie që, në këtë pikë e sheh veten si bartëse të idesë kombëtariste. Por paria e din mirë se kombëtarizmi, me një parti apo pa parti, është një frymë e një ideologji e jo një strukturë interesash.

Së gjashti, ky pakt tregoi se nuk ka as të majtë, as të djathtë, as militantë e as ideologji, as vlera, as bindje politike. Kulti i parasë dhe i interest ka triumfuar. Njerëzit që do të mbështesin njërën palë ose tjetrën do të shohin qartë se po e dënojnë veten e tyre me vdekje, se kanë rënë viktimë e një mashtrimi të një bande hajnash politikë. Nuk ka socialistë, demokratë,  apo liberalë që do të pranojnë një pakt të tillë të pajustifikueshëm. Ky pakt tregoi se paria është kundër shqiptarëve. Të gjithë maskat e saj ideologjike ishin gjethja e fikut e radhës. Tashmë nuk kanë as platforma, as ideologji, as vlera, e as maska që i mbrojnë. Të gjithë sharjet janë pa vlerë, të gjithë etiketimet janë fshirë, të gjithë bërtitjet, kanosjet e kërcënimet janë harruar. Të gjithë dosjet janë fshehur e fshirë sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Së shtati, ky pakt tregoi se sa e vetëdijshme është paria e Tiranës për gjendjen kritike të vendit, të ekonomisë, të shoqërisë, të dobësisë së shtetit, të nivelit të lartë të kriminalizimit e të korrupsionit, të shkallës së lartë të mosbesimit që kanë të huajt, etj. Me këtë pakt, paria iu thotë të gjithë shqiptarëve që jeni të pashpresë. Ne jemi ata që iu sundojnë, ne do t’ju sundojmë prandaj dorëzohuni. Dallimi midis Rrethit të Ferrit dantesk dhe gjendjes në shtetin shqiptar është se shqiptarët po e provojnë me jetën e tyre se cka të bën e keqja kur të kap për fyti e të hyp mbi kokë. Por ky pakt i ka vënë hapur në përballje parinë dhe popullin shqiptar. Paria ka llogaritur që në përplasjen e vezëve do të fitojë veza e tyre. Mirëpo, ata janë katundarë kopila por edhe ne të tjerët jemi katundarë. Si të përplasen vezët, nuk dihet se cila vezë do të thyhet sepse edhe ne bëjmë si ata: ndryshe flasim, ndryshe, mendojmë e ndryshe veprojmë.

Përmbyllje

Shkurt, Pakti Berisha-Rama-Meta është treguesi më i qartë i strukturës oligarkike të tre bandave që sundojnë shtetin shqiptar. Ky Pakt tregon se paria është e lidhur me interesa shumë të forta dhe që i bëjnë të gjithë të kontrollueshëm nga interesat e krimit. Por, edhe pse koha është e paktë, njerëzit duhet të organizohen dhe të mos e pranojnë zgjidhjen që kanë vendosur prijatarët e krimit. Ata duhet të mbështesin alternativat, në se këto bëhen alternativa bindëse e reale. Pyetja është a mund të bëhen bashkë 15,000 nënshkrime votuesish? A mund të ketë forca që dinë të luftojnë këtë luftë me gjarpërin e parisë kriminale të Tiranës?

Por e vërteta është e qartë dhe është ajo që kam thënë unë me kohë. Këta janë një bandë, Paria e Tiranës, këta duan të na hanë të gjallë. Pakti e provon këtë. Dhe këta duhen luftuar pa mëshirë. Në se nuk ka zgjidhje të shpejtë, atëherë duhet filluar një organizim i ri, jashta strukturave të parisë, për një fillim të ri, për një shtet në shërbim të shqiptarëve, për një të ardhme të sigurtë e të qetë për të gjithë, për një shoqëri normale, të ndershme e me dinjitet, për një bashkësi ligjore-politike që të marrë vendin e duhur në shoqërinë e popujve normalë.

3 thoughts on “PAKTI BERISHA-RAMA-META DHE NEVOJA E ALTERNATIVAVE POLITIKE

  1. Mbase shiptarëve u duhet kujtuar edhe Oruelli, nuk mendoni?
    Por edhe sikur ta lexojnë Oruellin, kam frikë se një pjesë e mirë e shoqërisë sonë do ta lexojë veprën, posi, do ta mësojë edhe përmendësh si në kohën e diktaturës së largët, por vetëm se do të shohi në të personazhe fiktivë dhe jo veten. Do të shohi ngjarje e jo fenomene. Do të shohi akte e jo ide. Nuk do të dijë si gjithnjë të shoh fijet që qëndrojnë pas. Nuk do të dinë të ta projektojnë veten e vet tek personazhi. Nuk do të arrinë të mësojnë asgjë.

    Shqiptarët janë të zgjuar, shumë të zgjuar, vetëm shqiptarët nuk gënjehen nga politika…

    Po shiptarët janë dele. Shqiptarët janë ata që flasin gjuhën tënde e time, i deruar profesor. Janë shokët e shoqet e mia, që përdorin edhe terma si “i barazlarguar” kur u shan kryetarin, që do thjeshtë e vetëm pushtetin, e nuk ofron (s’ka sesi) asnjë alternativë. Shqiptar jam edhe unë.
    Pjesërisht i kemi duart të lidhura. Fatkeqësisht.

    Fatmirësisht, dimë ende të qëndrojmë të vetëm e të afirmojmë idenë tonë se, Shqipëria ke nevojë jo për dogma, por për njerëz me integritet. Njerëz që ofrojnë alternativa të esëllta, pra të realizueshme (sustainable), e jo sharlatanizma fjalimesh për turmat, apo çerrat militantë.

    Më lejoni, edhe pse është komeni im i parë, të deklaroj se unë të vetmen alternativë, sido minimale, e shikoj tek Fryma e Re Demokratike.

    Bëni mirë që shkruani.🙂

  2. Profesor flm per kontributin! A mblidhen dot 15.000 firma?? Per 1 jave 10 here me shume di behen,qofte ky pakt i turpit nje fillim i ri.

Comments are closed.