PAKTI I PARISË SË TIRANËS: PRIJATARËT, MILITANTËT DHE KATUNDARËT

Pakti i Parisë së Tiranës ka krijuar një gjendje jashtëzakonisht të vështirë për militantët e politikës shqiptare sepse i ka lënë pa kundërshtarë. Na dolën ata që deri dje shiteshin si hasëm për vdekje, bij të një nëne, të Nënës Parti. Urtë e botë, u morën vesh dhe e bënë Paktin që t’ua fusin të gjithë të tjerëve.

Pakti i Parisë së Tiranës ka treguar se militantët dhe fanatikët janë të përdorur pa mëshirë në të shkuarën. Pakti ka treguar se plani i parisë është që t’i përdorojë edhe më shumë e më pa mëshirë në të ardhmen. Pakti ka treguar hapur se idhujt e militantëve nuk ishin Perëndi, por Djajtë e Ferrit dhe Shejtanët e Xhehnemit. Këta i kanë mashtruar shqiptarët pa mëshirë, pa dhimbje e pa mëdyshje. Tashmë, paria iu ka dhënë shqiptarëve zgjidhjen e fundit. Sepse edhe militanti, e bile edhe më fanatiku prej budallenjve duhet të ndrrojë mend. Pakti tregoi qrtë se rruga që ndjek paria është ajo e shkatërrimit, e vetëvrasjes dhe e skllavërimit. Pakti i parisë i ka kthjelluar ujrat dhe zgjidhjet që kanë njerëzit janë krejtësisht të qarta. Ose me iu kundërvue hapur parisë oligarkike, ose me pritë fundin e pashmangshëm të skllavërisë nën sundimin oligarkik të parisë së bashkuar të Tiranës që ka ndërtuar një sistem shumë më të dëmshëm e vdekjeprurës se ai që përjetuam nën Partinë e Punës, pjella të së cilës janë edhe këta.

Dy Fjalë mbi Militantët

Militantët politikë janë pjesa më agresive, më e egër dhe më e pabindshme e shoqërisë, e cdo shoqërie. Ata besojnë tek partia, tek grupi, tek vlerat dhe ideologjia e saj në formën më fetare të mundshme. Bota e tyre është bardh e zi, dhe e ndarë me thikë në ‘të mirë’ e në ‘të keqe’. Në një sistem demokratik, militantët janë më shumë se tifozë skuadre, sepse kanë bindje dhe i zbatojnë ato në jetë. Por ata kanë peshë shumë se kanë në dorë të ardhmen e vendit. Si pakicë ata janë shumë trazues dhe si njerëz ata e kanë votën e gatshme për dikë të cilit ata i besojnë verbërisht.

Por ka edhe një ekstrem të militantizmit që është fanatizmi. Fanatikët janë njerëz që kanë bindje qorre. Këta ndjekin rrugën edhe kur ajo nuk të con askund. Fanatiku nuk pyet për argumente të kundërta, për ide, e për mendime ndryshe. Fanatiku politik mendon se i din të gjitha. Për të, gjithcka është ose e vërtetë ose e rreme, nuk ka asnjë hapësirë gri. Në ekstremin e llojit, kur prijatari i partisë i thotë të bardhës e zezë edhe fanatiku i thotë ashtu. Dallimi midis fanatikëve fetarë dhe atyre politikë është thjesht se dikush beson tek Zoti e dikush beson tek dikush që i duket Zoti. Shpesh katalizatori që i bën fanatikët vegla politike është injoranca e tyre e varfëria. Sa më të varfër e sa më të paditur, aq më të varur janë nga paria, aq më fanatikë paraqiten dhe bëhen shumë më të rrezikshëm.

Për fat të keq, militantët dhe fanatikët tanë janë të shumtë. Mjafton të shohësh mitingjet, të shkosh në kafene, të fillosh një bisedë. Gjithkush flet për politikë, të gjithë janë hipokritë shembullorë, por e ruajnë vijën e partisë të paprekur. Shqiptarët jetojnë me partinë e tyre, për partinë e tyre dhe në një farë mënyre ia kanë kushtuar veprimtarinë dhe e kanë lidhur jetën me partinë e udhëheqësin e saj.

E ne kemi shumë militantë e fanatikë të gjithkujt e të gjithfarë lloje partish. Megjithatë, Pakti i Parisë e ka vënë këtë lidhje në pikëpyetje sepse nuk ka më dy a tre skuadra të parisë. Pakti tregoi se paria është e rreshtuar në një anë dhe populli është në anën tjetër. Tashmë ka dy skuadra. Dallimi është se kjo nuk është fushë futbolli. Kjo është një fushë përqëndrimi e internimi gjigande që quhet shteti shqiptar, në të cilin militantët e fanatikët përdoren nga paria për të dhunuar bashkëvuajtësit e tyre. E nesërmja do të jetë më keq se e sotmja. Por e sotmja është zi e me zi dhe një zot e merr me mend se sa më keq mundet me kenë e nesërmja.

 A janë Militantë e Fanatikë shqiptarët?

Tashti duhet të bëjmë një rivlerësim të militantizmit, se ne, shqiptarët, jemi pak më ndryshe se të tjerët. Në shtetin shqiptar mendësia katundare është sunduese dhe është vështirë me kenë e me u shitë e me u pranue si fanatik si shumë seriozisht. Me kene militant i paguem është e pranueshme dhe kuptohet e bile miratohet shoqërisht sepse ashtu sigurohet jeta e shumë familjeve dhe buka e gojës. Prandaj, edhe pse mund të shiten si besnikë të dikujt, gjithkush nga shqiptarët ka tre tesera partie në xhep, dhe gjithsecili vëlla e kunat është në parti tjetër si sigurim familiar. Kur vjen darka e kur ndrrohet qeveria, të gjithë merren vesh dhe ai që del në krye si militant apo fanatik i partisë/prijatarit mbron pjesën tjetër të fisit. Në shumë vende, në krye të fisit dalin më të mirët e më të zotët, më të urtët e më të ndershmit edhe punët atje shkojnë mirë. Kur në krye të fiseve e të familjeve dalin hajnat, cubat, mashtruesit e kriminelët, atëherë në atë familje plas sherri, hyn e keqja dhe e keqja kur hyn në një shtëpi nuk del për njëqind vjet. Të dypalët sillen simbas parimeve katundare “larg vatrës sime,” “bjeri i forti të ligut,” etj.  Kur më i madhi i familjes është si puna e ime, atëherë paria bën cka mundet me pjestarët e tjerë që përndiqen deri në shkatërrim. Por, ka ditë që zbardh edhe për ne.

Mirëpo në shtetin shqiptar ka një masë të konsiderueshme individësh që për arsye të ndryshme janë militantë të bindur të partive politike dhe deklarohen se besojnë në ideologji. Indoktrinimi i gjatë e ka bërë punën e vet. Militantët e PS-së, shumica ish-anëtarë partie e funksionarë të nomeklaturës, besojnë tek partia socialiste. Ideologjia e kësaj partie formalisht është ‘e majtë’ kolektiviste, dhe strukturat e parties deklarojnë se punojnë për të zbatuar një ideologji të tillë në të mirë të popullit. Në fakt, nuk kanë bërë asgjë për popullin. E vetmja kohë e sukseshme, është koha e Fatos Nanos që vodhi vetë dhe I la të gjithë të vidhnin. Dhe kjo ka qënë e vetmja strategji kolektiviste e PS-së. Pra, edhe pse udhëheqja e PS është e përbërë nga milionerë që sinqerisht besojnë tek globalizmi e tregu i lirë sic beson i ashtuquajturi filozof i PS-së, Servet Pëllumbi, militantët e fanatikët e PS besojnë tek partia dhe tek kryetari i radhës. Pra, fanatizmi i këtyre skllevërve modernë konsiston në mbështetjen pa kushte të milionerëve nga fukarenjtë. Si tha ajo gruaja e pa martuar nga Berati “pa drita rrimë, por aman ju të merreni vesh.” Ky është fanatizmi në këtë anë të fushës së kampit të përqëndrimit.

Nga ana e tyre, militantët dhe fanatikët e PD-së kanë një urrejtje patologjike kundër PS-së, që i shohin si komunistë, enveristë dhe si mbeturina të së kaluarës. Këta besojnë se Sali Berisha solli demokracinë, lirinë e tregut, kapitalizmin e me radhë. Këta bësojnë se Sali Berisha mendon për popullin, për kombin, për fëmijët e tyre dhe se, më e bukura, se Sali Berisha është luftëtari më i egër i kastës së Bllokut dhe i komunizmit. Në shtetin shqiptar nuk ka komunistë, të gjithë janë bërë borgjezi, por hajt ma, këta janë skllevërit e tjerë që do të përdoren si mish për top nga ana e parisë. Këta fanatikët të klasifikojnë si ‘komunist’ edhe kur e ke pasur gjyshin kryetar kooperative. Ky është fanatizmi i nivelit më të ulët e injorant.

Llojet e Militantëve Në Politikën Shqiptare

Mabsi u mora pak me dyllojet e militantëve skllevër e të përdorur hapur e pa mëshirë, le të merremi pak me militntët tanë ekzotikë. Militantët dhe fanatikët më interesantë artistikisht janë ata që mbështesin kauzën e integrimit të Ilir Metës, që është thjesht një rrenë e pastër, e pambrritshme dhe e parealizueshme. Po ashtu objekte humori janë edhe militantët e fanatikët e Partisë Aleanca Demokratike që beson në aftësitë ushtarake të Arben Imamit e zotësinë diplomatike të Neritan Cekës sic besonin dikur në aftësitë ekonomike të Gramoz Pashkos. Por më karagjozët e të gjithëve janë militantët e Lefter Xhuvelit, që duan të mbrojnë ambjentin, si dhe ata të partisë republikane të Fatmir Mediut që deklarohen të djathtë dhe mbrojtës të pronës pa e luajtur gishtin një herë për atë punë. Militantët më simpatikë janë legalistët. Këta duan që shteti shqiptar të kthehet në vitin 1925, edhe pse pretendenti për fronin është këshilltar i presidentit republikan dhe nuk e lë dot punën se është hollë nga gjendja.

Sic shihet edhe nga ky përshkrim i shkurtër, ka një dozë të dallueshme marrëzie kolektive në zgjedhjen e partive dhe të strukturave. Sepse këto parti nuk kanë ideologji.Këto parti nuk kanë vlera. Këto parti nuk kanë nder. Këto parti nuk kanë asnjë interes t’iu shërbejnë shqiptarëve. Edhe kur kanë pretenca ideologjike ato janë kokolepsje marrinash dhe ofrojnë një corbë slloganesh që nuk janë as konsistente e as koherente. Këta parti duan skllevër e shërbëtorë. Për kortezi i quajnë militantë, aktivistë, qëndrestarë e mbështetës.

A Janë Militantët Vërtetë Militantë?

Që këta nuk janë militantë kuptohet nga fakti se udhëheqësit e këtyre partive nuk dinë cka flasin dhe ia fusin kot kodra mbas bregut e breg mbas kodrës. Gjithkujt që studjon militantët i kujtohet Fatos Nano që fliste një gjysëm ore, gromësinte pa ndërprerje, i linte të gjithë me gojën hapur dhe në fund njerëzve iu vinte turp që të thonin se nuk kuptuan gjë dhe prandaj duartrokisnin. E vetmja herë kur e kanë kuptuar ka qënë në atë Mbledhjen e famshme të KPD-së. Por deri këtu po themi se këto gjëra janë të parëndësishme, sepse njerëzit duhet me besue diku dhe ata kanë zgjedhur të besojnë.

Por unë e kam një fije dyshimi se kjo është lojë. Si edhe e thashë më lart, ndoshta edhe këta që shtihen si militantë, e kanë të njëjtën agjendë si katundarët e zgjuar dhe po planifikojnë që të mbrojnë e ruajnë interesat e tyre. Ndoshta mbështetja e tyre është simbas parimit tjetër të sprovuar katundar, “kalova lumin, të vjedhi edhe kalin.” Sepse koha ka treguar se parimet katundare “qeveria e zë lepurin me qerre” dhe “më mirë një mik se një ciflik” sidomos kur miku është në krye të shtetit funksionojnë. Duket sikur kjo është edhe loja e militantëve.

Ajo që të bind për këtë është sjellja e militantëve dhe fanatikëve socialistë me Fatos Nanon. Sa ishte krye të shtetit, jo vetëm që i bënin temena, por edhe lëpinin të gjtihë muskujt që lëviznin. Sa iku nga pushteti, jo vetëm që nuk ia hapin telefonin, por nuk lënë gjë pa thënë për të. Dhe për kë? Për atë që ua la amanet Udhëheqësi i Shquar dhe Shoqja Nexhmije. Po me këta që nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe që janë vegla të përdorura nga të gjithë regjimet si do të sillen? Eh, Kam dyshim se militantët do ja fusin një teke raki dhe mbas asaj të parës nuk dihet se cka ndodh.

Militantët dhe Problemi i Paktit të Parisë së Tiranës

Që të kthehemi në realitetin e këtushëm. Mbas Paktit të Parisë së Tiranës, dilema e të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe e militantëve dhe e fanatikëve, është e qartë. Ose shqiptarët duhet të dorëzohen para së keqes e të nënshtrohen përfundimisht duke e humbur nderin, familjen, fëmijët, të ardhmen e sigurinë për bukën e gojës në një shtet modern skllavopronar të parisë së Tiranës, ose duhet të hapin sytë e të rebelohen. Dhe zgjidhja nuk është aspak e lehtë, sidomos për militantët e partive respektive që deri me datën 1 Prill 2013 kishin bindjen se këta që i drejtojnë kanë vlera ose kanë në mend mbrojtjen e interesave të tyre. Mbas këtij Pakti të Parisë së Tiranës është parë qartë se këta që i drejtojnë janë koka e Gjarpërit të Ferrit që po matet për t’i kapërdirë si minjtë, një e nga një derisa të mos mbesë asnjë.

Pakti tregoi se në shtetin shqiptar ka një diktaturë oligarkike. Pakti i Parisë së Tiranës tregoi qartë që ka një parti të vetme, që është partia e zhvatjes dhe e vjedhjes. Pakti tregoi se partitë dhe prijatarët nuk kanë asnjë vlerë ideologjike. Pakti i Parisë së Tiranës tregoi se këta janë një parti, partia e Lekut dhe e Interesit. Pakti tregoi se këta janë mafiozë të gjithë bashkë. Për dikë që të jetë tifoz duhet që të paktën të ketë një kampionat futbolli. Paria e Tiranës lot në një skuadër dhe njerëzit, të gjithë të tjerët, shqiptarët, militantët, fanatikët dhe injorantët janë në skuadrën kundërshtare. Sepse loja nuk është midis dy gjarpërinjve dhe minjtë fanatikë presin që njëri të hajë tjetrin. Pakti tregoi se kjo është loja e gjarpërit me minjtë dhe të gjithë këta militantë e fanatikë janë dreka e darka e dreqit, d.m.th. e gjarpërit të parisë të Tiranës. E shqiptarët janë një popull i vështirë.

Përfundimi

Nuk ka përfundim në këtë analizë sepse përfundimi do të merret vesh mbas Qershorit të vitit 2017. Askush nuk e di se cka po bluajnë katundarët e shumtë që nuk kanë lënë gjë pa bërë për të siguruar një kafshatë buke, një pronë në tokën e vjedhur, e me trafik njerëzish, droge e armësh, për të ushqyer fëmijët e tyre dhe për t’u dukur se kanë pushtet. Militantët e hershëm ruanin letrat prej mbretit dhe të gjithë i vinin në krye të vendit. Militantët e dikurshëm të sistemit vishnin një xhaketë oficeri dhe kryetari i kooperativës i kishte frikë. Këta të sotmit kanë vënë prona e pasuri dhe po presin. Kështu duket sikur sillen mirë, por kur të fillojë paria t’i taksojë, dhunojë e përdorojë, atëherë do ta shohim se sa militantë e fanatikë janë. Sepse si katundarë fisnikë që jemi, i durojmë të gjitha, por kur vjen puna tek prona, të fusim një plumb dhe bëhemi kacakë e cuba, nuk pyesim për parti e militantizëm dhe atëherë, edhe ky dikushi që mendoi se u bë Zot, bëhet një copë katundari si ne të tjerët. Atëherë fillohet edhe loja prej fillimit.

Advertisements

PAKTI I PARISË DHE ARIXHOFKAT E SHTYPIT

Llapaqenëria mediatike e parisë së Tiranës është vënë në punë shumë intensivisht, sidomos sot. Parulla që përsërisin të gjithë shkruesit, analistët e komentatorët është “cudia më e madhe zgjat tre ditë.” Bindja e tyre është se u bënë tre ditët dhe tashti njerëzit duhet ta pranojnë Paktin e Parisë së Tiranës si dicka normale. Prandaj të gjithë sot janë vërsulur që ta paraqesin Paktin e Parisë së Tiranës nën dritën më të mirë. Mirëpo Pakti i Parisë së Tiranës është një akt kriminal me pasoja shumë të rënda që nuk mund të kapërdihet lehtë, që nuk duhet të kapërdihet lehtë e që nuk duhet të justifikohet.Sepse ky pakt është dënimi me vdekje i demokracisë shqiptare, shpallja e hapur e sistemit oligarkik, dhe zinxhiri politik që garanton skllavërimin e shqiptarëve. Kush thotë ndryshe, ose është vegël e parisë e duhet urryer pa mëshirë, ose është injorant dhe duhet mëshiruar pa fund.

Në parantezë, nja 12 vjet më parë kam dhënë këtu në SHBA, e për disa vite rresht, rregullisht një lëndë në nivelin universitar, Opinioni Publik në Amerikë. Pra e di se si mund të flas me profesionistët e zanatit, sepse në mos tjetër për ca kohë kam bërë edhe unë shitësin e gatuesin e lajmeve. Mirëpo audience që unë kam ndërmend janë shqiptarët e thjeshtë, jo studjuesit e profesionistët. Hapi i parë është të kuptohet realiteti. Hapi tjetër është që të interpretohet ai. Duke e ndjerë dhe parë zhurmën e mjegullën që po hidhet, është mirë që të thuhet e vërteta. Interpretimet bëhen edhe më vonë.

Si Duhet Kuptuar Pakti i Parisë së Tiranës?

Pakti i Parisë së Tiranës është një marrëveshje midis Sali Berishës, Ilir Metës dhe Edi Ramës që garanton interesat jetike të klaneve që këta përfaqësojnë. Edi Rama merr pushtet, edhe pse nuk dihet se sa fuqi do të ketë, Ilir Meta, mban postet kyce për punësimin se ndryshe nuk ka strukturë, Sali Berisha mbron familjen dhe ka veton politike që i duhet për mbijetesën e vet. Të tre deshën të marrin sigurinë për këto gjëra dhe sigurinë për këto gjëra e morën nga njëri-tjetri.

Nuk ka se si bëhet një marrëveshje më mafioze e më kriminale, antidemokratike dhe anti-shqiptare. Sepse Sali Berisha është kriminel mafioz, Ilir Meta është hajn mafioz dhe Edi Rama është i korruptuar mafioz dhe të tre janë shefat e mafiave të parisë. Pra, mblodh kupola e krimit dhe bëri paktin oligarkik që e dënon demokracinë shqiptare me vdekje dhe që iu thotë shqiptarëve se ata nuk kanë më asnjë shpresë nën sundimin e këtyre.  Prandaj ky vend, shteti shqiptar, është Rrethi i Ferrit dantesk në botën moderne. Ata që janë aty nuk kanë më asnjë shpresë. Shqiptarët i ka braktisur Perëndia. Shqiptarët i kanë braktisur intelektualët e tyre. Duket se i kemi braktisur edhe ne, sepse jemi zemërplasur rrugëve të botës, por po vjen dita që të veshim opingat e të marrim malet edhe një herë e të shkojmë në gjurmët e paraardhësve. Pakti nuk do të harrohet, do të mbahet mend si ajo që u vendos, ashtu edhe paturpësia e parisë. Këta janë gjarpëri që po na mbyt dhe me gjarpërin ka vetëm një gjuhë.

Shitja e Paktit

Në Tiranë ka një fushatë shumë intensive për shitjen e Paktit. Të gjithë palët e parisë janë vënë në punë për të shitur paktin. Mirëpo, ndonëse të gjithë ndajnë të njëjtat qëllime, ata nuk ndjekin të njëjtat metoda. Kjo ka të bëjë me teknikat e kontrollit e të manipulimit që ata i kanë ndjekur sistematikisht, me mbështetësit e tyre dhe me masën jashtëzakonisht të madhe të shqiptarëve që nuk i duan hienat politike të parisë së Tiranës.

Nga ana e PD-së këtë punë e bën vetë Sali Berisha që formulon batutën e ditës dhe pastaj i përdor të gjithë shkarrashkruesit e pacavureve të veta RD, Koha Jonë e 55, përfshirë këtu edhe Të Bekuarin e Vetëm Apostolik, Fahr-el-din Balliun, si dhe gjynahqarët e pafund si amplifikatorë të muhabeteve të kafenesë së papunëve e të komenteve të zgjebosura në faqet e internetit. Edhe pse duket se është një fushatë katundare, si kopil që është Saliu e kontrollon mirë dhe pa pikë cipe brigadën e vullnetarëve të pandershëm, të pafytyrë e të kërmosur të shkarrashkruesve të vet. Sic thonë edhe korcaret, “nuk pyet PD-ja për rrena e gënjeshtra.” Mirëpo mungesa e sofistikimit në cilësinë e kasnecëve, kompensohet me djallëzinë e mesazhit që lëshon Saliu, “ata le të hanë ngjalat, ne shohim përpara.”

Mesazhi është që Saliu ua ka dhënë ngjalën, dhe kështu e kuptojnë të shkretët mbështetës të tij, mirëpo ajo që nuk thuhet është se po të numërohen ngjalat e llojeve të ndryshme që ka ngrënë pa dhimbje Saliu do të ushqehej për një ditë e gjithë anëtarësia e Partisë Demokratike të Tiranës. Por meqë ai dhe mbështetësit e tij shohin vetëm përpara, nuk pyesin se cka ka mbrapa. Saliu po tallet me mbështetësit e tij sepse ai nuk pyet për ta. Ai ka hallin e të birit e të bijës dhe është gati të durojë gjithcka që të sigurojë të ardhmen e tyre.

Nga pala tjetër e parisë kryetari i opozitës po hesht dhe cicërin nganjëherë sa për të thënë se kështu e lypte aritmetika, se nuk duhet morali dhe etika, dhe se kështu si ato zonjat e semaforit është edhe politika, d.m.th. “jeta është aritmetikë, Olimbi.”  Mirëpo, ai ka një zogori shkarrashkruesit e komentatorëtsh që po e shesin me fjallëzi paktin për të. Tashmë, të gjithë ata që shiteshin si mendimtarë të pavarur e kanë hedhur maskën dhe bëjnë propagandë të hapur e pa kurrfarë skrupulli në shërbim të Paktit që gjithcka është por opozitë nuk është sepse të gjithë palët e parisë janë palë e paktit dhe pa Sali Berishën e pa bekimin e tij, nuk do të kishte pakt. Ajo që ka rëndësi është se kujt i flasin dhe cfarë mesazhi japin.  Sepse këmbanat bien për ata që duan të dëgjojnë. Kush janë ata të cilëvë iu flasin këta? A duhet të merremi me ta e si? Përse gatuajnë pandershmërira të tilla dhe mandej marrin poza sikur iu dhimbsen shqiptarët e sikur janë gjithollogë të shumëditur.

Shembulli më i mirë janë gazetat si Dita dhe Shqiptarja.com, dhe blogjet e tipit Res Publica dhe Peshku pa Ujë, vende të nivelit ku diskutohen dhe adhurohen grafomanë si Andrea Stefani, Mustafa Nano, Bledar Prifti e një seri shkarrashkruesit të stilit gangnam style. Të cilët mendojnë se duke përdorur ca fjalë të huaja do t’i impresionojnë lexuesit. Këta janë disa individë të pa ditur e të papërgatitur profesionalisht por që marrin poza sokratike dhe luajnë rolin e arixhofkës që të shtin fall duke të lexuar rrudhat e dorës e të tregon se cfarë mendon vjehrra për ty. Argumentet e tyre janë krejtësisht të qarta. Së pari i detyruan të huajt. Së dyti, e tillë ishte matematika e zgjedhjeve. Së treti, jemi të majtë dhe e majta u bë më në fund bashkë. Së katërti, të ndalim të keqen Berisha. Së pesti të bjerë regjimi, se ndoshta ka shpresë për demokracinë. E kështu me radhë. Mirëpo, kjo është as më shumë e as më pak, por një përpjekje për të shitur paktin sepse kështu iu intereson atyre që kontrollojnë dhe i paguajnë. Ja disa komente interesante.

Ja se si e paraqet zgjidhjen Andrea Stefani, “Tashmë shtrohet çështja jo e shpëtimit të një institucioni, por e shansit të demokracisë. Sepse edhe një mandat tjetër për Berishën, do të thotë që pushteti të shndërrohet në regjim autokratik, që do të thotë fund i demokracisë dhe e integrimit të Shqipërisë në Europë. Pra, kemi dy alternativa: ose vdekje të demokracisë ose rotacion të pushtetit dhe një demokraci të korruptuar sa të duash, por megjithatë ende një demokraci me mundësinë për t’u pastruar në rrjedhën e kohës. Është si një zgjedhje mes vdekjes dhe jetës.” Ja si thotë edhe i gjithëdituri Mustafa Nano, “Nuk është se më gënjen mendja lidhur me gjërat që vinë pas rrëzimit të regjimit. As që më interesojnë në këtë moment. Për një gjë jam i sigurt, amá: me rënien e regjimit, bie regjimi. Kjo nuk është pak.”

E vërteta lakuriq është se të gjithë këta janë në tavë bashkë dhe se janë kundër shqiptarëve. Le të thonë Andrea Stefani e Mustafa Nano që duhet të ikin të gjithë sepse edhe këta e dinë mirë se kush janë kriminelët. Por nuk e thonë sepse sic thotë populli “qeni leh, aty ku ha” dhe ata nuk ndahen dot nga zogoria, sepse iu ikën kotherja. Po a mendojnë këta se krimi që po bëjnë kundër shqiptarëve do t’iu zëjë frymën? Si rriten fëmijët e familja me mashtrim e duke mbrojtur krimin? Si mund të shohësh motrën e gruan në sy kur e di se cfarë krimi i llahtarshëm po kryhet ndaj shqiptarëve?

Dr. Eduard Zaloshnja pyet tek Blogu Respublica, një teneqe zhurmuese e PS-së që mbahet edhe me paratë e Credins, një bankë në të cilën ka gisht edhe familja Berisha, thotë “Nga një hulumtim i faqeve të internetit të gazetave shqiptare, … rezulton se vetëm 1.1% e atyre që i kanë lexuar ato kanë komentuar. Po 98.9% përqind e atyre që nuk kanë komentuar çfarë mendojnë?” Dhe një nga komentuesit anonimë i përgjigjet: “Ketij muhabeti i thone te zhdukemi te gjithe nga shqiperia e te hane keta morrat qe e quajne veten politikane . Skane faj keta. Keta mund te bejne si te duan e ne prape i votojme. Une kam votuar gjithmone ps por qe nga ky moment nuk ja vlen me qe te votoj. Mjere Shqiperia per shqiptaret!” Në fakt duhej të ishte mjerë shqipëria për ju kërmat e konvikteve, të uriturit e pangopur, ju që nuk keni dashuri për asgjë, vetëm për paranë. Por ai komentatori e ka ditur se pot ë thonte të vërtetën nuk i dilte komenti në blog.

Në përfundim

Në përfundim, shqiptarët nuk duhet të harrojnë se ky është një moment shumë kritik për ata, për demokracinë shqiptare dhe për të ardhmen e tyre. Ajo që duhet kuptuar e që ka rëndësi është se këta janë vegla mediatike. Këta janë zhurmues. Detyra e tyre është të shesin mesazhin e parisë. Këta janë kriminelë sepse e dinë se cka po ndodh dhe sepse duan ta shesin e ta paraqesin paktin e parisë së Tiranës që e dënoi demokracinë shqiptare me vdekje si arritje. Ata përdorin kulturën popullore, mendësinë katundare, argumentet e sofistikuara për të shitur e ambalazhuar këtë mesazh që duhet bërë bindës me cdo kusht.

Këta e dinë se Pakti i Parisë e mbylli lojën e zgjedhjeve, ia corri maskën parisë por edhe vetë këtyre. Gjendja është kaq e keqe sa askush nuk don ta cekë këtë temë dhe loja nuk është më nën kontrollin e parisë. Sepse paria nuk do ta bënte këtë pakt, kaq hapur e kaq brutalisht, po të ishte e sigurtë që i kishte gjërat nën kontrollin e vet. Si bishat e plagosura, edhe paria e Tiranës, sillet brutalisht vetëm kur ndjehet e rrezikuar për vdekje. Vetëm atëherë e tregon fytyrën e vërtetë.  Dhe fytyra e saj është fytyra e gjakpirësve që ua kanë vjedhur të ardhmen shqiptarëve. Paria është gjarpëri që po na ha të gjallë dhe këta shkarrashkrues janë as më shumë e as më pak, vërshëllima e gjuhës së gjarpërit.  Se miu ngrin jo vetëm kur e sheh gjarpërin, por edhe kur ia dëgjon vërshëllimën e rrëshqitjen. Dhe misioni i këtyre fallxhorëve është që të bëjnë anestezinë mendore të shqiptarëve, t’ua shplajnë trurin dhe t’i kthejnë në vegla të bindura të parisë. Këta do të kujtohen si arixhofkat e tranzicionit, dhe vërshëllima e gjarpërit që është paria e Tiranës e që kërkon të hipnotizojë shqiptarët e t’i haje si minjte, nje e nga nje e deri sa te mos mbese asnje.

PUNESIMI: NJE MENDIM NE MES TE NATES…

Për zotin, nuk due me e ba personale këtë sherr, por po mendoj se sa i marrë e se sa i poshter, se sa i pafytyrë, sa legen, e se sa i lig e se sa i ndyrë është ky mjerani, mbajtesi i epruvetes së shquar me lëngun e kripur të udhëheqësit, njeriu i papërkulur me pantallona te ulura, raportuesi me shkrim dore, vrasësi më pagesë, degjeneruesi i pashoq, vjehrri i disidentit të djathit, etj… etj.
Ja një shembull që nuk ka burrë, njeri, person, ckado që të jetë si shqiptar që e merr me mend dhe e kupton. Arsyeja është se numri i të papunëve në shtetin shqiptar është 144 mijë vetë. Ky katundari zotni, apo zotnia katundar premton se do të hapë 250 mijë vende pune në katër vjet. O Zot, Allah, Krisht, Perëndi, Budha, cka do që robtë iu luten kur grinden me gruan, aman kallzona të vërtetën!!! Si mundesh me hapë ma shumë vende pune se sa ke papunësi?????
Nga ana tjetër, ai që ka mbajtur me një pirun dy kile e 200 gram makarona në Paris, dhe për pak e ka thye rekordin e mbajtur nga Olusegun Mallakalla Alibaba, Edi Rama, as nuk e vë në dyshim se ky zotnia prej katundit po ia fut kot e po rren. Po qenë 144,000 mijë të papunë në shtetin shqiptar pse duhet me hapë 250,000 vende pune???? Jo vetëm ky po edhe ai mashtruesi klasik, që merr formë proteane si Paskal Milo, Skëndër Gjinushi, Nard Ndoka, Fatmir Medihoxha, Genc Pollo, Arben Imamis, Eduard Selamy, etj, etj. nuk e thonë një fjalë. Kush rren këtu??? Në shtetin shqiptar rren ai që nuk mendon dhe ma shumë ai që nuk flet.
Ky zotnia që kruhet në shpinë rregullisht nga mburoja antiplumb, dhe tash ka filluar të ruhet edhe nga djersa që rrjedh pa dëshirë deri në fund të lugut, sepe kanë nisur me i dalë edhe pucrra, nga nga një anë deklaron se ka vetem 144 mije te papune ne shtetin shqiptar. Ne anen tjeter deklaron se ka me hape 250,000 vende pune. Po mire more, ke ka me sjelle ky me punue mbasi te punesoje ato 144 mije shqiptaret e papune? Ato 110000 vete qe dalin teper prej kah kane me ardhe? prej Serbise? prej Rusise? Prej Greqisë? Rej Maqedonisë? Po cfarë pune kanë me ba?? nji zot e din!!!!
Duke e ditur të shkuarën e këtij pushti nga Tropoja, duke e ditur të shkuarën e racës së tij, duke e ditur se sa i mban kurrizi e shpina, duke e ditur se sa i ulët dhe i ndyrë është ky zagar, dhe natyrisht duke e respektuar si ish-president, si ish-kryeminister etj. etj, (sepse unë i respektoj institucionet e shtetit), une vetem uroj qe te gjithe këta të 110,000 të punësuarit këto katër vitet e ardhshme të mos jene te gjithe moldave, rumune, greke, bullgare e ukrainase të importuara me dhuë nga Trusti i Gështenjave të Tropojës që zakonisht punësohen nga shqiptarët. Sepse, keshtu si eshte nise puna, edhe nusja qe po e merr ai djali kakarec qe u divorcue nga kusherira, po na dalin njelloj… të paktën ne profesion. Ai djali ndoshta po e merr nje nga vajzat me pervoje te Bllokut, një nga ato që e mbajnë këmbën mbi kutinë me cigare dhe për këtë të marrin mendtë… sepse kush mendon për kutinë e ka hangër përfundimisht e thellësisht përdredhjen.
Nejse e shkurt, si po duket, zgjidhja që ka ndërmend ky zotnia, është që të gjithë shqiptarët duhet me vdekë jo vetmë prej sëmundjeve, ushqimeve të helmuara, ndotjes, etj. por, të mjafton vetëm me e imagjinue që me 110,000 punëtore shtesë, në profesionin e duhur e të preferuar nga Trusti i Gështenjave cka nuk mundet me ndodhë!!! Ba me ardhë 110000 vullnetare, me pak hashish Lazarati, me pakdru Tropojet e me pakdemagogji nga PD-ja , me këtë etje që po tregon një popull që ka model Shaban Noren e jo Shaban Hundën, po duhet me vdekë te gjithe shqiptaret prej seksit, droges e hordhekut. Me siguri këtë zotninë e ka pague dikush me i zhdukë shqiptarët prej faqes së dheut… hej Zot, na ndihmo, na i hiq qafe murtajat, vtëm ti e din se si… !!!!

Interviste ne Revista JAVA: 02/12/2013

I nderuari z. Rama faleminderit që pranuat të intervistoheshit nga ne. Verdikti i Gjykatës së Shkallës së Parë për çështjen e “21 Janarit” ka treguar se Drejtësia shqiptare e ka të pamundur t’i shkëputet ndikimit politik. Nëse e keni ndjekur ecurinë e procesit, a mendoni se Gjykatat shqiptare, mund të gjenin kurajë t’i shkëputeshin disi tutelës dhe frikës nga politika e z.Berisha?

Procesin e kam ndjekur me shumë vëmendje, kryesisht përmes shtypit të përditshëm që, gjithsesi, është tejet i deformuar dhe në shërbim të pakushte të njërës apo të tjetrës palë të parisë së Tiranës. Megjithatë, në lidhje me sjelljen e gjyqtarëve në gjykimin e vrasjes së katër personave në rrugë e jo brenda institucioneve të shtetit, duhen theksuar katër gjëra. Së pari, duhet kuptuar mirë se ligji gjithnjë është elastik. Nga që cdo sistem ligjor sanksionon atë që nuk duhet bërë, lë gjithnjë shumë hapësirë interpretimi e justifikimi në lidhje me atë që duhet bërë. Shpesh ajo që ka ndodhur është në nivelin e të diskutueshmes dhe me pak ndihmesë nga institucionet e tjera dhe me mbylljen e syve nga prokuroria e gjykata, sic ndodhi në këtë rast me zhdukjen e videove, regjistrimeve, të armëve, regjistrave, thirrjen e dëshimtarëve, etj., sjellja e gardistëve bëhet disi e justifikueshme për ta. Por, realiteti është se gjykatat shqiptare nuk kanë asnjë fije respekti për ligjin dhe sistematikisht demonstrojnë një besnikëri të frikshme karshi klaneve oligarkike dhe kriminale që kontrollojnë cdo aspekt të jetës shqiptare. Së dyti, gjykatat në shtetin shqiptar janë nga institucionet më të korruptuara të shtetit dhe të vëna pa kushte në shërbim të parisë së Tiranës. Mjafton të kujtohen skandalet e panumërta që kulmuan me Gërdecin e me vrasjen e 26 të pafajshëmve, korrupsionin e rrugëve, të tenderave, të privatizimeve, të subvencioneve, e me rradhë. Këta nuk e lëvizën gishtin se i dilnin petët lakrorit dhe tundeshin themelet e sistemit. Mirëpo, nuk është frika që ndjejnë nga Sali Berisha por është bindja e tyre e vetëdijshme se kështu duhet vepruar, d.m.th. se edhe këta janë pjesë e vetëdijshme e krimit politik. Më së fundi, gjykatësit do t’i bindeshin gjithkujt që kontrollon pushtetin e makinën shtetërore. Fajtori i vërtetë është ai që dha urdhërin që të vriten njerëzit. Këta ishin vegla të tij. Fajtori as nuk u gjykua, as nuk u thirr si dëshmitar, e as nuk u dënua. Më në fund, duhet thënë se kjo sjellje është metodë pune në shtetin shqiptar. Të gjithë janë të kapur dhe po këta gjykatës do t’i shërbenin pa pikën e mëdyshjes edhe palëve të tjera po të ishin në pushtet. Në se vijnë në pushtet këta të palës tjetër, të njëjtët gjykatës, po të mos kenë pasaporta të shteteve të tjera e kështu të ikin nga sytë këmbët, do t’i nxjerrin të fajshëm e kriminalë po të njëjtët njerëz. Nuk mund të jetë një njeri në shërbim të parisë së Tiranës, të dënojë hajnat e vegjël dhe të punojë për të nxjerrë të pafajshëm kapobandat, dhe të shkojë në shtëpi e t’i thotë vetes i ndershëm, dhe të rrisë familje të shëndoshë. Problemi është se këta e bëjnë këtë me ndërgjegje të plotë, dhe prandaj janë pjesë e strukturës kriminale-mafioze të parisë së Tiranës.

Kemi disa privatizime të gabuara dhe së fundmi një privatizim të dështuar të ‘Albpetrolit’, që gjithsesi është parathënë me kohë nga ekspertë të ndryshëm për mënyrën sesi është vepruar me procesin e transparencës së tenderimit. Duke e parë nga larg, në pozitën tuaj, a nuk duket se ka një tentativë për t’i shitur asetet e vendit pa asnjë logjikë ekonomike dhe më shumë se kaq me pak logjikë kriminale?

Në politikat ekonomike dhe në privatizime të këtij niveli, nuk ka gabime por ka një llogaritje shumë të qartë e të bërë me kujdes nga ata që bëjnë ligjin, dhe mandej bëjnë privatizimin. Pra, logjika e shitjes së pasurisë kombëtare kujtdo që hedh e pastron para në arkën e shteti shqiptar në shërbim të klanit sundues nuk është pak kriminale por është shumë kriminale, d.m.th., është një sjellje mafioze dhe kleptokratike e padyshueshme. Duhet kuptuar edhe logjika që ndjek Sali Berisha dhe administratorët e shtetit në shërbim të tij në marrjen e këtyre vendimeve. Arka e shtetit është bosh, e prandaj duhet mbushur disi, privatizimi i jep mundësi klanit sundues të parisë së Tiranës që të paguajë rrogat e të mbajë njerëzit në punë. Po ashtu, privatizimi i këtij niveli dhe me këtë mënyrë i ndihmon të konsolidojnë interesat ekonomike të grupeve, familjeve e strukturave të dyshimta që i ndihmuan të rrinë në pushtet e që iu shërbyen me besnikëri. Privatizimi i bërë në këtë mënyrë i ngjan parimit të tokës së djegur. Kushdo që do të marrë pushtetin nesër, do të ketë celësat e kashtës dhe do të gjejë thesarin bosh e shtetin borxh deri në fyt. Sa të merren vendimet e duhura, sa të përmbysen marrëveshjet, sa të verifikohen paratë, burimet, e investimet, në se do të merren vendimet e tilla do të kalojë kohë. Dhe kur të qetësohet zallamahia në rrugë me protestat e pritshme e me rrëmujat e zakonshme, gjendja do të ketë shkuar në një pikë kritike, populli do të harrojë se cka ndodhur dhe me pafytyrësinë e zakonshme, kundërshtarët do të fillojnë të bëjnë fajtor njëri-tjetrin. Mirëpo, kjo pasuri ka qënë dhe është pasuria e të gjithë shqiptarëve, privatizimi është bërë në mënyrën më të gabuar e kriminale të mundshme, dhe është detyrë e gjithkujt që kërkon që të bëjë politikë në shërbim të popullit që t’i thotë të bardhës e bardhë, dhe të zezës e zezë dhe ti rishohë ytë gjithë ligjet e kaluara dhe proceset se si janë bërë. Këto 22 vjet shqiptarët kanë parë një proces privatizimi që ka qënë metoda e pasurimit të llumit shoqëror, e cubave, hajnave dhe lamashëve të rrugës, gjtihnjë në shërbim të klaneve të konsoliduara të parisë së Tiranës. Kjo duhet riparë me kujdesin e duhur.

Keni qenë vazhdimisht kritik ndaj qeverive shqiptare dhe nivelit të tyre të demokracisë. Ku e shikoni në fazën e tranzicionit pikën e parë të degradimit të qeverive të post’90?

Të gjitha qeveritë e mbas vitit 1990 janë bërë me njerëz të situr mire, të lëmuar e të deformuar me kujdes para vitit 1990. Këta ishin të piketuar që të merrnin pushtetin, pavarësisht se në atë ngut u ngatërruan këmbët e disa individë e gjetën veten të caktuar në opozitën kundër partisë që i shërbenin me shumë devotshmëri. Të gjithë forcat politike dhe të gjithë individët që dolën në lojë ishin të kapur, të kontrolluar, të manipuluar, marioneta e kukulla, pa vlera morale të qëndrueshme, pa ide realiste, e pa ndjenjën e shëndoshë të shërbimit publik. Ashtu si ishin këta vetë, ashtu ishin edhe qeveritë që bënë, të degjeneruara, të zvetënuara, antikombëtare, anti-shtetërore, katundare dhe në shërbim të klaneve katundare të parisë. Qeveritë që janë zgjedhur nuk ua ka lënë në trashëgim babai i teqesë, bajraktari i katundit, apo këshilli i të urtëve por këta i kanë trajtuar si të ishin të tilla. Qeveritë janë zgjedhur në mirëbesim të popullit shqiptar, dhe detyra e tyre parësore ka qënë që të mirëadministrojnë pasurinë kombëtare e të ruajnë nderin e dinjitetin e popullit. Ne jemi një popull i vogël, me një ekonomi të brishtë, nën trysni të jashtëzakonshme ekonomike, demografike dhe politike. Prandaj, administrimi me kujdes i pasurisë kombëtare, përkujdesja për kultivimin e vlerave shoqërore, ruajtja e nderit dhe e dinjitetit të qytetarëve, shërbimi ndaj të pamundurve, të sëmurëve dhe të brezit të tretë, rritja e fëmijëve sic duhet, me vlerat dhe me edukimin e duhur, ruajtja e ambjentit dhe investimet afatgjata në edukim, ekonomi, në kulturë kanë qënë objektiva kardinale për cdo qeveri. Këta shpërdoruan gjithcka, dhe në vend që me ato dhjetra e dhjetra miliardë dollarë që kanë hyrë si kanë hyrë në shtetin shqiptar, me burimet e me njerëzit që kishim të ndërtonin dicka të dobishme e me të ardhme, përfunduan duke e kthyer vendin në një shkretirë morale, me një shoqëri të kriminalizuar dhe pa të ardhme. Mirëpo, kjo iu shërbente atyre dhe këtë shoqëri të degraduar, të zvetënuar dhe të degjeneruar vendosën të ndërtonin dhe e kanë ndërtuar.

A është një lloj dehje nga liria, kjo që po ndodh me fenomenin e demokracisë shqiptare?

Liria është e drejta për të vepruar në mbrojtjen e mendimeve dhe të interesave tuaja, por pa shkelur interesin e përgjithshëm, interesin e shtetit, dhe pa shkelur të drejtat e tjetrit. Kjo që ka ndodhur në shtetin shqiptar është keqkuptimi i lirisë. Kjo është anarki e qëllimtë, dicka që shqiptarëve iu shitet si liri, thjesht për t’ua bërë skllavërinë e ardhshme më të pranueshme e të pashmangshme. E sa për demokracinë, në shtetin shqiptar mund të ketë individë që kanë qënë e që janë demokratë por nuk ka pasur ndonjëherë demokraci. E para dhe e vetmja herë kur u votua në mënyrë me të vërtetë demokratike ka qënë në zgjedhjet e 31 Marsit 1991. Mbas atyre zgjedhjeve, zgjedhjet kanë qënë vetëm e vetëm përplasje të strukturave të drejtuar nga katundarë, në bazë të parimeve katundare, dhe me objektivat e mbrojtjes së interesave të katundeve respektive përmes manipulimit dhe vjedhjes së votave. Demokracia nuk është rrumpallë e një shprehje e individualizmit ekstrem në të cilin vota shitet për nje thes miell apo për një gjel deti, për një vend pune, apo për përfitime të tjera. Demokracia është metoda për me zgjedhë udhëheqësit, që matarojnë punët e kombit për një periudhë të caktuar. Pra, duhet të ketë një vetëdije paraprake se ka një grup, sic është edhe familja, në të cilin, për të bërë një punë caktohet apo zgjidhet më i zoti që është për atë punë. Lumi bën dritë kur kanalizohet e drejtohet në rrugën e duhur. Edhe vullneti i popullit duhet kanalizuar e drejtuar në rrugën e duhur që në këtë rast është interesi kombëtar-shtetëror që duhet të ishte i padiskutueshëm dhe në qëndër të politikave të caktuara. Kur nuk kanalizohet si duhet, lumi përmbyt e shkatërron gjithcka që gjen në rrugën e vet. Kjo që ka ndodhur gjatë këtyre 22 vjetëve është thjesht triumfi i katundarisë, i mendësisë katundare të manipuluar nga paria e Tiranës, nuk është demokracia e vërtetë. Një ditë, kur të na dalë dehja, e të na mbysë zullumi i asaj që kemi bërë, do të pendohemi shumë. Unë shpresoj që të mos jetë vonë e të ketë ende shpresë, por edhe po nuk pat më shpresë duhet punuar kundër të keqes pa mëdyshje e pa kompromis.

Të gjitha institucionet e vendit tashmë janë nën diktatin e z.Berisha, që e ka përmbysur strukturën e pavarësisë institucionale, me anë të vendosjes së figurave, që pothuaj nuk e respektojnë dhe më shumë akoma as se përfaqësojnë pavarësinë e institucionit të tyre. Kjo fillon nga presidenti e me radhë. A mendoni se kjo është logjike për personazhe me të shkuar komuniste dhe me kompleksin e dosjeve, që me sa duket janë mbyllur për fare?

Nuk ka kund institucione të pavarura; ka një autoritet më të lartë se të gjithë, që në rastin tonë është vullneti i popullit shqiptar. Shteti shqiptar është shtet sovran sepse njihet nga shtetet e tjera. Shteti shqiptar duhet të respektojë sovranitetin e shtetit sepse me kenë shtet nuk është dicka që arrihet lehtë. Politikanët duhet të mbrojnë interesat e shtet-kombit dhe të respektojnë vullnetin e popullit. Mirëpo, popullin shqiptar as nuk e ka pyetur, dhe as nuk e pyet njeri. Prandaj edhe shqiptarët shpërthejnë në cdo mënyrë që munden kundër shtetit e kundër pushtetarëve që kanë. Në këtë shtet formalisht sovran, institucionet kanë pushtete të caktuara, por që të gjitha pushtetet e ligjet duhet të burojnë prej këtij autoriteti që zgjidhet nga populli në zgjedhje dhe që në emër të popullit nxjerr ligjin bazë, ligjet dhe aktet në bazë të të cilave funksionojnë këto institucione. Zgjedhjet e manipuluara, dhe politikanët e korruptuar që dalin prej tyre cojnë në ndrydhjen e në deformimin e vullnetit të popullit. Në shtetin shqiptar, zyrtarët janë në pushtet jo pse i shërbejnë ligjit, por sepse i shërbejnë një klani të caktuar. Të gjithë janë pajtuar me mendimin se duhet të bëjnë atë që iu thotë shefi i klanit të caktuar. Është krijuar bindja se kur të jenë në pushtet këta politikanë do ti vënë në një post që do ta shfrytëzojnë deri në maksimum. Kur të ikin nga pushteti, këta do të kenë vjedhur aq para sa të jetojnë për shtatë breza edhe në opozitë. Kjo është sjellja logjike për parinë e Tiranës që ka ndërtuar një sistem qartësisht oligarkik e kriminal.
Në lidhje me të shkuarën, ka pasur njerëz që në të shkuarën kanë qënë pjesë e strukturave të shtetit, por që i kanë shërbyer shtetit dhe janë munduar që edhe në ato kushte të mbesin njerëz. Shumë kanë qënë komunistë me bindje por dhe teknokratë e shërbyes publikë të aftë, njerëz që 1990-ta i gjeti dhe i la vetëm me një pension, pa shtëpi, të përbuzur pa të drejtë, e pa asnjë pikë respekti për kontributin që kishin dhënë, e pa asnjë mundësi për me kontribue në shoqëri, përvecse me u kryqëzue e me u dënue moralisht për marrëzirat e një grushti udhëheqësish në Bllokun e Tiranës që donin të ruanin sundimin e tyre me cdo kusht e pa pikë mëshire për shqiptarët. Këta ishin përgjegjës për Luftën e klasave, për mbylljen ekstreme, për ndrydhjen ekstreme, për ngurtësinë e politikave e me rradhë. Në nivelin ideologjik, me qënë komunist d.m.th. me besue në barazinë e njerëzve, me iu dhanë mundësi edhe atyre që nuk kanë aftësi e kapacitete, me jetue si njerëz. Këtë premton edhe social-demokracia, këtë premton edhe nacionalizmi, këtë premton edhe cdo ideologji tjetër. Mund të jetë e pamundshme që të zbatohet, por si ide nuk është dicka e dënueshme, është thjesht pjesë e debatit publik dhe ideologjik në lidhje me rrugën që duhet të marrë shoqëria. Ideja e socializmit në shoqërinë shqiptare do të ketë gjithnjë mbështetje të ndjeshme politike. Sa më shumë do të polarizohet shoqëria shqiptare, aq më shumë do të rritet kundërshtia shoqërore dhe ide të tilla do të bëhen të pranueshme për brezat që vijnë. Prandaj duhen ndarë njerëzit që besonin e besojnë në shtet, në komb, në shërbim publik, në strukturën institucionale dhe në ligj, nga arrivistët, intrigantët, ekstremistët, dhe shërbyesit e gjithkujt që tashmë janë në pushtet.

Në lidhje me dosjet, shteti që kishim ishte një shtet i deformuar moralisht. Por, në drejtim të anës teknike, të administrimit, të survejimit, të kontrollit e të funksionimit, ishte një shtet shumë modern. Mirëpo, ky sistem modern i njëanshëm u vendos mbi një shoqëri katundare. Sistemi u shemb, katundarët mbetën e dolën në krye të shtetit, dhe bënë një shtet katundar, me një kapitalizëm katundar, me parti katundare dhe me një sistem vlerash e propagande të denjë për katundarët. Tashti, në një shoqëri katundare, sic jemi ne, dosjet janë bomba bërthamore. Nderi e dinjiteti i familjes e gjithcka tjetër varen nga ajo që ka ndodhur, dhe ajo që ka ndodhur ka qënë tejet e frikshme, e llahtarshme në përmasa, dhe e përcudnueme, sa nuk merret me mend. Ajo është ana e errët dhe e zezë e shpirtit tonë, që në duhet ta mbyllim e vulosim njëherë e përgjithmonë e që duhet ta harrojmë si një andërr të keqe. Shqiptarët duhet të shohin përpara, duhet të mendojnë për të ardhmen e brezave dhe të gjithë shoqërisë e jo të merren me dosjet. Mirëpo, parisë dosjet i duhen si mjet kontrollimi i valvulës së tensioneve shoqërore. Dosjet janë mënyra më e mirë e përdorimit, frikësimit, e kontrollimit, izolimit e zhvlerësimit të njerëzve. Kjo metodë kontrollimi e parisë, sic e kam shpjeguar në detaje në librin tim të fundit “Përrallat e Tranzicionit Shqiptar” është një metodë e mbështetur në mendësinë katundare por funksionoi mirë. Njerëz që përndryshe do të ishin tejet të dobishëm për shoqërinë, janë mënjanuar, injoruar, zhvlerësuar apo edhe shkatërruar familjarisht. Në parantezë, edhe pse unë nuk merrem e nuk dua të merrem më me politikë, do të thoja të hapet dosja e ime. Unë kam aq ndershmëri e ndërgjegje sa me u përballë me veten time e me gjykue gjithcka të mirë a të keqe që kam bërë. Por ka shumë që nuk e kanë atë fuqi apo që kanë fëmijë me rritë, me mbajtë familje apo me ruajtë interesa të ngushta. Shkurt, do të thoja se dosjet janë përdorur e do të përdoren nga katundarët në pushtet e në opozitë për arritjen e qëllimeve të klaneve respektive katundare dhe për shkatërrimin e mëtejshëm të shoqërisë shqiptare.

Ka një ngritje të nacionalizmit në vendet ku flitet shqip dhe retorikë të madhe nacionaliste në Shqipëri. A mendoni se kjo është tamam një strehë për t’i fshehur njerëzve paditurinë e liderve për të drejtuar dhe për të dhënë alternativa?

Kombëtarizmi është ideologjia e vetme që mund të përqafojmë ne shqiptarët. Ne nuk bashkon as feja, sepse kemi tri fe; nuk na bashkon klasa e shtresa, sepse kemi e do të kemi shqiptarë të pasur e të varfër; nuk na bashkon idioma, sepse kemi ndarje në gegë e toskë; nuk na bashkon mendësia, sepse jemi të ndarë në malokë të Jugut e të Veriut, në fshatarë të Jugut e të Veriut, në qytetarë të jugut e të Veriut; Nuk na bashkon as interpretimi i historisë, sepse kemi qënë në pozicione të caktuara e të kundërta si gjatë perandorisë osmane, gjatë kohës së luftës së ashpër të klasave, ashtu edhe deri në ditët e sotme kur ende flasim për persekutim, përndjekje, apo për ndërtimin e një sistemi që i ndan njerëzit me thikë sic është sistemi kapitalist. Nëse duam një shtet normal, sic e kanë gjermanët, sllovenët, apo të tjerët, ne duhet të përqafojmë idenë moderne të shtet-kombit. Shteti dhe kombi janë të pandashëm dhe ose kombi do të kërkojë shtetin, ose shteti do të formojë kombin dhe ne duhet të punojmë të gjithë për atë punë. Edhe demokracia e vërtetë bëhet e mundshme kur shërben si metodë për të zgjedhur udhëheqësit, dhe për të përcaktuar politikat që i shërbejnë një kombi të caktuar. Ndryshe edhe demokracia është shkatërrimtare e paralizuese për një shoqëri që nuk i ndan vlerat e një kombi etnik apo qytetar, sic është bie fjala, SHBA ku pavarësisht bindjeve, përkatësisë etj. të gjithë janë qytetarë të shtetit. Në rastin tonë, është e pashmangshme që shteti do të identifikohet me shqiptarët që përbëjnë mbi 90 e ca përqind të popullsisë së shtetit. Gjuha e shtetit do të jetë gjuha shqipe, historia e shtetit është pazgjidhshmërisht e lidhur me historinë shqiptare, dhe identiteti i shtetit ka qënë dhe do të jetë i lidhur pazgjidhshmërisht me identitetin kombëtar shqiptar. Përndryshe kombi shqiptar do t’i kundërvihet një shteti që nuk i promovon vlerat kombëtare, edhe pse pakicat do të kenë të gjithë të drejtat e detyrimet që duhet të mbrohen në një shoqëri moderne. Rritja e vetëdijes kombëtare shqiptare është normale, e pashmangshme, dhe në fakt, shumë e dobishme, anipse e vonuar dhe e abuzuar nga politikanët. Kombëtarizmi behët streha e fundit e horrave, si këta që ne kemi me kaq shumicë në politikë kur politikanët kërkojnë të përdorin interesin dhe mbështetjen për dienë kombëtare për të manipuluar njerëzit dhe për të mbrojtur interesat e tyre dhe të klaneve të tyre. Flamuri është gjëja më e shenjtë kur mbulon trupin enjë dëshmori të rënë për Atdhe. Flamuri bëhet leckë kur përdoret nga një politikan për me mbulue poshtërsitë e veta.

Si e shikoni marrëdhënien e Kosovës me Shqipërinë?

I shoh në një pikë kthese interesante. Si Shqipëria ashtu edhe Kosova janë protektorate pa sovranitet të plotë e të mirëfilltë. Mirëpo paria e Tiranës e ka humbur sharmin dhe influencën që kishte dikur mbi shqiptarët e Kosovës. Edhe qëndra e kombit shqiptar ka lëvizur nga Tirana drejt Prishtinës e Tetovës. Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi janë patriotë, atdhetarë e kombëtarë. Tashmë ata kanë dijet, shtresën politike, një nivel qytetarie të lakmueshëm, besnikëri në strukturat lokale, dhe, pavarësisht kriminalizimit të disa segmenteve të politikës, masa e popullit është e shëndoshë, e vetëdijshme, dhe këta sundimtarë që e kanë shfrytëzuar përtej maksimumit të mundshëm kontributin që kanë dhënë, janë kalimtarë. Brezi i ri i politikës është shumë më atdhetar, më i pastër, më i vetëdijshëm, dhe kombëtar. Kosova është qendra e shqiptarisë dhe Tirana është vetëm një metropol ndër disa metropole të politikës shqiptare. Rrjedhat janë interesante dhe do të shohim se si do të evoluojnë mbas shpërthimit të plotë të krizës, të kthimit të emigrantëve, të përplasjes së pashmangshme shoqërore dhe të nevojës për dalje nga gjendja, situatë që do të precipitojë në tre-katër vitet e ardhshme.

Me vëzhgimin tuaj, si është sot pozicioni ndërkombëtar i Shqipërisë, me mesazhet shumë ambigue që jep vazhdimisht?

Shteti shqiptar është një protektorat ndërkombëtar, klasa sunduese e të cilit merret seriozisht vetëm deri në atë sa mund të shkaktojë probleme rajonale. Mirëpo, kjo kontrollohet lehtë me disa takime në Tiranë sepse politikanët shqiptarë e përdorin nacionalizmin si strehën e fundit të horrave politikë. Oligarkia shqiptare është një oligarki e krimit mafioz dhe kjo krijon shumë shqetësime për BE dhe SHBA. Nga ana e tyre, politikanët janë të interesuar që të mbajnë bashkë katundarët e tyre. Këta politikanë që kemi janë tërësisht të diskredituar e pa kurrfarë besueshmërie në popull dhe tek të huajt. Ata që bërtasin më shumë për Komb, Bashkim e për Rilindje Kombëtare, punojnë me shumë kundër këtyre objektivave. Kështu që BE, SHBA, shtetet fqinje dhe strukturat që ndikojnë në politikën shqiptare e dinë se këta nuk e kanë fare seriozisht atë që thonë.

A keni arritur në një gjykim tuajin për personazhet kryesore që e kanë drejtuar Shqipërinë në këto 22 vjet?

Po, gjykimin tim e kam dhënë në librat e mi dhe në intervistat që kam dhënë periodikisht. Mendoj se e dhashë edhe pak më lart. Ka dalë llumi mbi ujë dhe tash duhet të shpresojmë që rrjedha e historisë do ti shtyjë drejt vendmbledhjes së plehrave historike. Zhumilet rrinë mbi ujë por dikur do të bien në fund.

Si pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan, a shqetësoheni për fatin e zgjedhjeve të 2013 dhe me parregullsitë që mund të ndodhin me to, të parashikuara nga burime mediatike shqiptare?

Si unë ashtu edhe shumë miq e shokë të mi shqetësohen për gjendjen e vendit dhe për qorrsokakun moral ku e ka futur paria sunduese e Tiranës. Ne kemi ikur nga shteti shqiptar por nuk ka ikë atdheu prej nesh. Atje kemi familjet, të afërmit, varret, të shkuarën, kujtimet, dhimbjet e vuajtjet dhe normalisht që shqetësohemi për cdo gjë që ndodh. Ne jemi shqiptarë, dhe na dhemb shumë gjithcka e keqe që ndodh.
Por, në lidhje me zgjedhjet, edhe këto zgjedhje janë të destinuara që të jenë të kontestueshme pa u zhvilluar. Me deformimet e listave dhe të numrave të deputetëve, me kodin zgjedhor, me caktimin e komisioneve, me mënjanimin e emigrantëve, me shtërngesën që iu bëhet partive të vogla që nuk mund të marrin vota po nuk iu bashkëngjitën klaneve të parisë, qysh tani është dhunuar vullneti i popullit. Ky është një film që e kemi parë dhe që e dimë se në fund do të triumfojë e keqja. Nuk mundet të ndodhë ndryshe, gjarpëri do të flejë gjith ditën, por kur ta marrë uria do të kafshojë. Paria e Tiarnës do të sillet e përsillet dhe kur të vijë puna tek votat e tek zgjedhjet, nuk do t’i rezistojë tundimit të së keqes së pushtetit dhe do t’i vjedhë pa hezitimin më të vogël.

KOMBËTARIZMI DHE ZGJEDHJET E PARISË SË TIRANËS

(Ky shkrim është botuar së pari më 5 Mars, 2013)

Paria e Tiranës po ia arrin që të kanalizojë debatin politik dhe zgjidhjen në lidhje me zgjedhjet e ardhshme kuvendore në ofrimin e njërës pjesë të vetvetes si e keqja më e vogël. Mirëpo kjo është lojë me hijet në mur; djajtë janë veshur si engjëj e njerëzit shohin hijet e tyre në murin mediatik. Këta nuk kanë e nuk ofrojnë zgjidhje të mirëfillta politike e programe për të adresuar gjendjen kritike. Ka një kauzë rotacionale që paraqitet si antiregjim, riciklim dhe ndryshim apo ecje përpara nga pala tjetër. Por, përtej kauzave rotacionale, kësaj here secila zgjidhje e parisë është e veshur me terma, flamuj e koncepte kombëtaristë. Kombëtarizmi është bërë më shumë se asnjëherë tjetër i pranueshëm dhe legjitim në politikën shqiptare. Si në përrallë, duke ndjekur interesat e veta të ngushta, këta e kanë nxjerrë xhindin nga shishja, dhe xhindi nuk do të hyjë më në shishe. Kombëtarizmi është i papajtueshëm me interesat, me sjelljen, me qënien, dhe me vlerat e parisë së Tiranës.
Papajtueshmëria e kombëtarizmit me parinë e Tiranës dhe varfëria e saj ideologjike shihet tek e shkuara e prijatarëve, tek përbërja e partive, tek përpjekjet për ndërtim koalicionesh si dhe tek programet politike. Duke mbledhur nën strehën e partisë respektive të gjithë mbeturinat e hedhurinat partiake, partitë e parisë së Tiranës duken si varreza makinash të dhëna me qera në shumë duar dhe të stërpërdorura në rrugën e Krujës. Nga ana e PD-së, mbas përdorjes së gjithfarë individesh që politikisht duhen përcaktuar si qese plastike të stërpërdorura, në këtë junkyard politik duhet të kthehet edhe një shitës i sprovuar makinash të përdorura si Eduard Selami. Nga ana e PS-së, këto mbeturina janë të ricikluara përmes shumë viteve në bizneset familjare, OJQ-të e në jetën civile dhe ndodh që bëhet lajm sensacional edhe kthimi i dikujt që Fatos Nano në mbledhjen historike tragjikomike të KPD-së së PS-së e quajti “lavatrice”. Kush ka mbetur pa u kthyer, duhet që të tregojë besnikërinë ndaj partisë e udhëheqësit pa kushte në shtypin e partisë ose të bizneseve që presin të përfitojnë nga lidhjet politike e mbështetja që i japin partisë dhe shefit në këto zgjedhje.
Papajtueshmëria e sjelljes së parisë me kombëtarizmin shihet edhe në metodën e mobilizimit dhe në zgjidhjet që ofrohen. Pavarësisht përdorimit të simboleve e koncepteve kombëtariste, ajo që mungon në këtë mobilizim e përplasje të pandërprerë që do të kulmojë me mitingjet qindramijra vetëshe në sheshet e Tiranës është ideologjia dhe sistemi i qartë i vlerave kombëtariste. Paria e ka gënjyer dhe mashtruar popullin shqiptar sistematikisht e pa kurrfarë brejtje të ndërgjegjes. Tashmë që miti i saj kryesor, ai i integrimit europian është sprovuar të jetë një mashtrim i pashembullt, sepse shqiptarët nuk janë europianë, BE nuk na don, dhe integrimi nuk do të ndodhë, paria po i kthehet kombëtarizmit. Ajo mendon se njerëzit do ta harrojnë mashtrimin e paskajshëm me integrimin europian. Integrimi nuk bëhet, nuk arrihet, nuk do të ndodhë. Kombëtarizmi po përdoret për të mbuluar dështimin e parisë.
Në nivel të programeve, Sali Berisha dhe PD nuk kanë program dhe natyrisht që nuk kanë ndonjë ideologji të qartë. Sllogani i tij është “Përpara”. Mirëpo përpara ai ka trishtimin e pleqërisë së thellë, dështimin e familjes, si dhe shkërmoqjen e Trustit të Gështenjave të Tropojës ndërsa ne kemi greminën morale dhe ekonomike në buzë të cilës na kanë sjellë. Edi Rama ka një farë programi por programi që propozohet është një zhbërje e vendimeve të qeverisë së deritanishme, thënë me një shprehje kumarxhinjsh që është në modë në parinë e Tiranës, d.m.th., “don me i përzie letrat” e me nxjerrë dicka për mbështetësit e deputetët e vet. Shkurt, pavarësisht se si do ndodhë, rotacioni është vazhdimi i lojës së njohur katundare, me variacionin e pritshëm, por gjithnjë në kurriz të shqiptarëve, simbas parimit “në ato maja rripa-rripa, herë ja hipe, herë ja hipa” të përtypjes së kockave që i kanë ngelur shtetit dhe ekonomisë shqiptare. Kushdo që të fitojë nga palët e parisë, këta do të dalin “jek e jek” sepse cmimin do ta paguajë populli shqiptar që këta e trajtojnë si skllavin e tyre. Këta janë të bindur që populli nuk ka zgjidhje të tjera. Këta po punojnë me ethe që të mos ketë zgjidhje të tjera. Edhe përdorimi i kombëtarizmit është në funksion të këtij qëllimi, d.m.th. që shqiptarët të mos kenë zgjidhje të tjera. Duke e marrë vetë flamurin e kombëtarizmit këta nuk lënë të tjerët që të hyjnë në lojë me besueshmërinë e duhur.
Mirëpo, dihet pa filluar se slloganet kombëtariste që përdor me kaq bollëk nuk do ta ndryshojnë fare sjelljen e parisë. Edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, metodat kryesore të përdorura prej parisë për të arritur objektivat e saj do të jenë ato që kanë qënë gjatë gjithë tranzicionit. Personalizimi i sherrit, akuzat e shfrenuara dhe surreale, organizatat fantazëm që akuzojnë për gjithcka e gjithkënd, simbolizmi i nuancuar dhe i halabakëzuar, gërricja e plagëve historike, shmangja e problemeve reale, propaganda e shfrenuar mediatike përmes dhjetra gazetave, radiove e televizioneve në shërbim të klaneve të parisë, terrori ekonomik me bukën e gojës, kriminalizimi i shpejtë dhe i mëtejshëm i shoqërisë, diskreditimi publik dhe sistematik i të gjithë kundërshtarëve, rekrutimi si instrumente të hapura e të paguara i analistëve dhe opinionistëve, tallja e hapur me investimet, loja me interesat jetike të një populli të coroditur, manipulimi me listat, komisionet zgjedhore, me të huajt, me stabilitetin rajonal, loja e paskrupullt me mendësinë katundare, përzgjedhja e më të përlyerve si kandidatë, e kështu me radhë. E vetmja pikë për të cilën nuk do të diskutohet është ndershmëria. Kur duhet me vjedhë, hajnat bëjnë atë janë mësuar të bëjnë instinktivisht dhe politikanët tanë do të sillen njëlloj; ata do t’i vjedhin edhe këto zgjedhje. Shkurt, ky është një film që e kemi parë dhe që tashmë dihet se si do të përfundojë. Kombëtarizmi është mashtrimi i rradhës I përdorur nga paria.
Po atëherë pse paria e Tiranës po i drejtohet përherë e më fort kombëtarizmit? Shpjegimi duhet kërkuar tek interesat e saj të ngushta. Së pari, paria e Tiranës janë një grusht klanesh oligarkike që mendojnë vetëm e vetëm për pushtetin e pasurimin e tyre. Këta i urrejnë shqiptarët dhe kanë punuar sistematikisht, pa ndërprerje, dhe pa pikën e vrasjes së ndërgjegjes kundër interesave të shqiptarëve. E megjithatë këta po i bien me shumë fuqi tupanit, daulles, lodrës nacionaliste. Sjellja e tyre nuk është e besueshme. Këta nuk janë kombëtaristë shqiptarë, nuk kanë qënë ndonjëherë, nuk kanë pasur se si të jenë. Këta janë përfaqësues të klaneve të krimit në politikë. E një politikan kombëtarist punon jo për të vjedhur, vrarë, dëbuar, zhvatur, degjeneruar, kriminalizuar, shkatërruar, rrënuar e shitur kombin e vet. Një politikan kombëtarist punon për ta lulëzuar, ndërtuar, begatuar, mbrojtur, nderuar, vlerësuar dhe me dashuri për popullin e vet. Këta nuk janë kombëtaristë por hajna. Arsyeja pse këta po sillen si kombëtaristë, dhe e kthejnë pllakën sa iu flet një përfaqësues i huaj, nuk eshtë vetëm se janë mësuar të hapen e të mbyllen pa shumë vështirësi, ta veshin e ta zhveshin petkun simbas parimit “ktheje nga të fryjë era.” Këta po sillen si kombëtaristë sepse populli shqiptar ka pësuar një ndryshim të thellë gjatë këtyre viteve tranzicion.
Përtej interesave të ngushta të parisë së Tiranës, arsyeja e vërtetë pse këta po i drejtohen kombëtarizmit është se ndjenja kombëtare është e zgjuar ndër shqiptarët. Kombëtarizmi, bindja se shtet-kombi është zgjidhja, edhe pse e pashtjelluar dhe e kuptuar si duhet ka zënë rrënjë. Shqiptarët, si ata që kanë qënë në mërgim dhe që kanë parë shtet normale, si ata që janë zhgënjyer gjatë tranzicionit nën sundimin e parisë, si brezi i ri që nuk ka njohur sisteme të tjera dhe që kërkon punë, nder e dinjitet, e ndjejnë se zgjidhja është një shtet-komb normal. Është e habitshme, por ka edhe nga ata që kanë gabuar një kohë, e që tash po duhet t’i përjetojnë në kurriz prej fëmijëve të tyre atë që iu kanë bërë të tjerëve, kanë filluar të kuptojnë se pa shtet e pa komb nuk ka as përparim, as begati, as nder, as dinjitet, as zhvillim e progres. Mbasi na shpërtheu qelbi që kishim në shpirt, dhe mbasi kemi provuar shumëcka, mbasi iu lamë rrugë të lirë veseve e shtrembësisë njerëzore, tashti kemi filluar të duam të jemi njerëz, dhe e kemi kuptuar se duhet të jemi njerëz. Dhe njeriu është njeri në një shoqëri kombëtare, me një shtet të fortë e që i mbron interesat e njerëzve.
Prijatarët e parisë e ndjejnë se në mendësinë tonë po ngren kokën ai katundari i mencur dhe pozitiv, ai që e don dinjitetin e nderin, ai që e kupton se duhet një shtet që ta mbrojë nga e keqja, ai që e sheh se krimi është rruga e ferrit, ai që e kupton se kjo rrugë ku jemi nisur është rruga e pashpresë. Ky është xhindi që ka dalë nga shishja. Tashti këta duan që ai, katundari fisnik shqiptar, ai që mendon për familjen, që kursen, që sakrifikon, që ndërton, që lufton me thonj e me dhëmbë me jeten duhet të votojë për ta. Këta duan që ai, katundari fisnik, të bëhet bashkëfajtor në krimin e tyre. Dhe për këtë e ndjellin me dashninë e katundarit për familjen, nderin, kombin. Dashnia e fëmijës për nanën është e verbër, dashnia e të pashpresit për grupin që i jep mbrojtje, nder e dinjitet, është shumë e fuqishme. Duke përdorur flamuj e fjalë ndjellëse kombëtariste, këta duan që shqiptarët të mos merren me krimet e tyre as të shkuara e as të pritshmet. Si gjithnjë, paria i thotë popullit atë që populli dëshëron me dëgjue. Shqiptarët duan të jenë kombëtaristë dhe paria po sillet sikur këta i kanë shpëtuar shqiptarët nga e keqja dhe sikur janë kombëtaristë.
Së treti, prijatarët e parisë së Tiranës po sillen si kombëtaristë sepse në politikë kanë dalë forca që po gëzojnë mbështetje në popullin shqiptar. Duke u paraqitur si kombëtaristë këta duan të marrin vota, të dobësojnë këto forca politike, por edhe në të njëjtën kohë të paraqiten si aleatët e mundshëm të këtyre forcave politike. Nga ana tjetër, duke ndjekur me vëmendje sjelljen e këtyre forcave dhe sinjalet që po dërgohen në shtyp, duket se edhe këta që po paraqiten si kombëtaristë kanë rënë në kurthin e klaneve të parisë. Sjellja e parisë si kombëtariste ua justifikon këtë aleancë zgjedhore që mund të bëjnë. Mirëpo kjo lloj sjelljeje do të ishte shërbimi më i mirë që këto forca do t’i bënin vetë parisë. Kjo lloj sjellje është tejet e dëmshme për interesat e shqiptarëve. Ata që duan të punojnë për popullin e vet e bëjnë luftën si në Kuvend ashtu edhe jashtë tij. Në se vërtetë duan t’i shërbejnë popullit, këta nuk duhet të bëjnë kompromise me asnjërën palë. Pala e tyre duhet të jetë populli shqiptar. Këta nuk duhet as të guxojnë që të zhgënjejnë popullin e kombin shqiptar. Mirëpo, duket që paria e Tiranës mendon se e din mirë se gjithkush në Tiranë e ka një cmim. Politikanët që paraqiten si kombëtaristë duhet ta dinë se kombëtarizmi është është pronë e tyre. nuk e kanë shpikur ata. nuk e kanë formuluar ata. Zgjidhja që ata kanë është që ose t’i shërbejnë popullit ose ta përdorin këtë ideologji për të marrë një vend në kuvend. Por kjo nuk do ta ndalë kombëtarizmin si ideologji.
Së katërti, kombëtarizmi është një ideologji e pashmangshme në politikën shqiptare. Si në të gjithë rastet e kombeve në krizë, popujt nuk duhet të mbështeten tek individët por tek një ideologji e caktuar si dhe tek zgjidhjet që ajo ofron. Duket se mbas zhgënjimeve të shumta shqiptarët po kthehen tek kombëtarizmi. Shprehjet e kësaj ideologjie në politikë e në hapësirën publike tashmë janë legjitime. Prandaj sjellja e parisë ndaj kombëtarizmit tregon qartë se sa kritike është gjendja e saj. Duke dashur të përdorë kombëtarizmin, paria ka ngjallur armikun e saj për vdekje. Duke u përpjekur për të kooptuar, për të lidhur në koalicione forcat që promovojnë ideologjinë kombëtariste paria po kërkon një zgjidhje që të fusë xhindin në shishe.
Përdorimi i paskrupullt i kombëtarizmit nga ana e parisë dhe e veglave të saj është jo vetëm një përpjekje e ulët dhe e pandershme për të thyer shqiptarët, por edhe një shenjë e qartë e varfërisë ideologjike të parisë. Përditë e më shumë, oligarkia e parisë së sotme shqiptare përdor mjete direkte ndikimi e influence, përplasje personale midis prijatarëve të parisë dhe gjithnjë e më pak argumente ideologjike. Varfëria ideologjike nuk mbulohet dot me këta tipa të skaduar, me këto parime dhe me këto sjellje. Varfëria ideologjike mbulohet më shumë se gjithcka nga mangësia e alternativave. Mirëpo, kombëtarizmi është një alternativë reale, e prekshme dhe e mundshme. Edhe në se paria ia arrin që t’ia hedhë edhe kësaj here dhe t’i përdorë si zare individë të caktuar, ideologjia kombëtariste është bërë pjesë e debatit politik dhe influence e saj do të ndjehet shumë më fuqishëm në vitet e ardhshme. Duke kërkuar për ta përdorur për interesat e veta, paria e Tiranës e ka nxjerrë xhindin nga shishja. Ajo mund t’ia hedhë edhe në këto zgjedhje, por në përplasjen me kombëtarizmin ajo nuk mundet me fitue përgjithmonë.

FENOMENI BEPPE GRILLO SI PROBLEM PËR PARINË E TIRANËS

(Ky shkrim është botuar së pari më 7 Mars, 2013)

Fenomeni Beppe Grillo, komediani që mori 19% të votave në Itali dhe që e ka futur sistemin politik tërësisht të korruptuar italian në krizë të thellë, është një dukuri e pritshme në cdo demokraci. Në se njerëzit nuk besojnë më tek sistemi politik e tek partitë, nëse janë të zhgënjyer me udhëheqësit e tyre, në se nuk kanë besim se udhëheqësit punojnë për ta, nëse janë të bindur se shtypi e media janë një mashtrim, nëse nuk kanë ku të mbështeten sepse të gjithë mendojnë se si t’i përdorojnë e t’i poshtërojnë atëherë ata mbështesin gjithkënd. Kandidati mund të jetë një gazetar populist në Izrael që mori 19 vende në parlament. Ai mund të jetë Partia e Birrës në Poloni që mori 6000 vota, apo mundësi Jessie Ventura që i be governator i shtetit Minesota, dhe natyrisht pompuesi i shtangave Arnold Schëartzenegger që u bë dy herë governatori i California. Italia ka një traditë të shënuar që të zgjedhë në parlament figura të kulturës dhe të kundërkulturës. Para Beppe Grillos ka qënë Berlusconi. Para Beslusconi ka qënë Cicciolina. Mbas Beppe Grillos do të vijë prapë Beslusconi. Mbas tij do të dalë ndonjë Cicciolina tjetër.
Fenomeni Grillo duhet kuptuar në kontekstin italian edhe pse nuk ka kuptimin e duhur kund tjetër. Italianët e shohin demokracinë si një formë argëtimi dhe nuk e marrin shumë seriozisht. Ama ata e marrin aq seriozisht sa t’u thonë të gjithë partive të tyre që jeni hajdutë, të korruptuar e që nuk I shërbeni popullit. Vota e tyre është votë e qartë proteste. Shteti Italian është një shtet i fortë dhe i konsoliduar. Ekonomia mund të jetë në krizë, dhe vendi i mbytur në borxhe, por Italia ka burime të shumta. Por fenomeni Grillo tregon, mbi të gjitha, që Italia ka një shoqëri civile të gjallë që nuk i lejon politikanët të bëjnë si të duan. Grillo nuk e ka shembur partitokracinë italiane, por i ka dhënë një goditje të fortë. Mirëpo ajo që nuk thuhet me ze të lartë është se Grillo përfaqëson të pashpresët, njerëzit që nuk besojnë në asgjë më, që nuk kanë sisteme të qarta ideologjike dhe vlerash dhe që janë në kundërshtim të plotë me atë që përfaqëson sistemi politik në Itali. Kjo është votë urrejtjeje e proteste.

Për se ka kaq shumë interes për fenomenin Grillo në shtetin shqiptar?

Njëri ndër aspektet më interesante të fenomenit Grillo është interesi i jashtëzakonshëm që ka ngjallur në shtypin dhe mediat e Tiranës. Të gjithë komentatorët dhe analistët e shitur dhe të paguar mirë po diskutojnë me pasion atë që përfaqëson fenomeni Grillo në politkën italiane. Jo vetëm aq, ata kanë nisur të përkthejnë shkrime të autorëve italianë e të huaj që merren me Grillon. Megjithatë, ajo që të bie në sy është cektësia e analizës së tyre. Mbasi, sa për të larë gojën, thonë se një Grillo është i mirëseardhur në politikën shqiptare, të gjithë argumentet e mëpastajme ndërtohen që të mbështesin tezën se Grillo është i pamundshëm në kontekstin shqiptar. Të gjithë këta njerëz që kanë ndikim në opinionin publik shqiptar, dhe që, në të ardhmen jo të largët duhet të shërbejnë si ilustrime jo vetëm të injorancës por edhe të nivelit më të ulët të karakterit të njerëzve që shesin penën, mendjen e nderin, merren me Grillon në një mënyrë që vetëm katundarët e bëjnë. Para së gjithash, katundari praktik mendon për katundin e vet. Kështu, këta analistë që nuk kanë pikë dëshire të thonë të vërtetën, merren me Grillon si problem shqiptar. Shqetësimet e tyre të përbashkëta janë disa. Ndër këto shqetësime mund të vecohen disa pyetje që duhen përkthyer në shqipen popullore. A do të ketë një Grillo shqiptar? Kjo përkthehet se a do të dalë kush kundër sistemit të parisë së Tiranës? Pyetja tjetër është se cka mund të thotë ky Grillo shqiptar? Kjo përkthehet se a do të jetë ky Grillo shqiptar nën kontrollin e partive sunduese apo jo? Një pyetje kryesore është se në se sistemi është I ndryshëm, asnjë Grillo nuk mund të fitojë. Kjo përkthehet se paria e Tiranës e ka kapur vendin e sistemin demokratik për fyti dhe nuk ka më shpresë. Pyetja tjetër është se me kë do të punojë ky Grillo shqiptar? Kjo përkthehet në këtë mënyrë; populli ynë është tërësisht i korruptuar kështu që hiqeni shpresën. Ju që jetoni në këtë ferr të sunduar nga paria e Tiranës ku sundon poshtërsia, krimi, droga, ndytësia njerëzore e zvetënimi, që është shteti shqiptar, duhet të hiqni shpresat.
E sa për këta komentatorë që me modesti ngrejnë supet e shprehin keqardhjen hileqare të katundarit që ta ka shitur lopën shterpë, japin mend se si të veprohet, dhe rrejnë e mashtrojnë sepse kështu iu kërkohet prej padronëve të parisë, kjo gjendje është e pashmangshme dhe duhet të dorëzohemi sepse nuk ka më shpresë. Këta opinionistë karagjozë e të pandershëm nuk e shkojnë ndërmend se si dikush mund të flaës si Grillo në Tiranë. Këta nuk besojnë se shqiptarët mund të besojnë në ndryshimin e mundshëm. Këta besojnë se sistemi është i patundshëm, pa ndryshueshëm sepse, si populli, si rregullat, ashtu edhe paria janë të korruptuar deri në ekstrem dhe jemi kaq keq sa edhe duke parë majtas e djathtas, që nga Fresku deri në Kashar, nga Krraba në Laknas nuk gjendet askush që del kundër sistemit të parisë së Tiranës. Morali është i thjeshtë: këta jemi, mos kërkoni ndryshim. Bindjuni parisë sunduese. Ky është fati i juaj. Keni qënë skllevër e skllevër e meritoni që të jeni. Ne po ua themi këtë, sepse dimë dicka, por ju mos shpresoni. Jeni një popull pis e ashtu do të ngordhni. Unë jam pjesë e parisë i thonë këta popullit shqiptar, jo si ju, që jeni rob kot, mish për top, e shpirtra të humbur. Këta janë pjesë e parisë së Tiranës, vegla e saj, ata që i urrejnë shqiptarët dhe që ndoshta e mallkojnë fatin e tyre që kanë lindur shqiptarë.

A ju duhet shqiptarëve një Beppe Grillo? 

Këta opinionistë e komentatorë bëjnë me shumë zell punën e parisë. Të gjithë kanë disa apartamente, biznese, shtëpi, lidhje e të ardhura gjithfarësh. Të gjitha vijnë nga paria. Ajo që këta thonë është një krim në vetvete sepse këta po i bëjnë me bindje të plotë shërbimin për të cilin paria ka kaq shumë nevojë. Shqiptarët kanë nevojë për mend, në se këta nuk kanë të japin, më mirë të qepin gojën e të shkojnë të mbjellin fiqtë në arën e gjyshit në majë të maleve heroike. Ndoshta janë ma të mirë si katundarë se si komentatorë. Shqiptarët sot kanë nevojë më shumë se kurrë për një zgjidhje. A quhet ajo zgjidhje Beppe Grillo, lëvizje, parti, shoqatë, klube, rrethe, organizatë etj nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se ka ardhur koha për një forcë të re, me një ideologji të qartë, me vlera të qarta, që iu beson shqiptarëve dhe që kërkon votën e tyre për ndryshimin e gjendjes në dukje të pashpresë. Shqiptarëve iu duhet një zgjidhje. Këta nuk janë zgjidhja dhe shkrimet e tyre janë si tymi i temjanit, hi syve popullit që edhe ashtu nuk din se si me veprue.
Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse gjendja ku jemi është e frikshme dhe do të përkeqësohet edhe më shumë. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse sistemi politik është oligarki e padyshimtë e parisë së Tiranës të organizuar në klane kriminale. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse shoqëria është thellësisht e kriminalizuar dhe e karakterizuar nga një sistem sundues vlerash që nuk është moralisht i shëndoshë. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse paria sunduese është e korruptuar, plutokratike dhe kleptokratike. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse shteti shqiptar është i kapur nga krimi. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse shoqëria civile që numëron me mijra organizata është krejtësisht e paralizuar. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse sistemi sundues i vlerave është imoral dhe materialist në ekstrem dhe I kapur nga krimi. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse partitë politike janë banda në shërbim të klaneve të caktuara. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse drejtues të shtetit zgjidhen pikërisht ata që kanë bërë më shumë krime, vjedhje, vrasje dhe që kanë përgjegjësi të padiskutueshme. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse nga shteti shqiptar janë trafikuar me qindra mijra femra dhe fëmijë. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse ekonomia ka qënë dhe është një seri piramidash financiare. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse e vetmja industri që njeh rritje janë lojrat e kumarit. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse policia nuk lejohet të hyjë në shumë fshatra e zona që prodhojnë dhe eksportojnë drogë ditën për diell siç është, bie fjala, Lazarati. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse jashtë Unazës së Tiranës, varfëria është në nivele të papara. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse një ndër katër shqiptarë ka probleme mendore. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse shkalla e shkatërrimit të familjes e frikshme. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse gjendja e shërbimeve shoqërore, mjekësore, dhe të arsimit është katastrofike. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse paria sunduese jeton një jetë të paparë, e zhytur në luks e në qejf dhe e urren popullin e vet. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse paria është haptazi jashtë ligjit, mbi ligjin, dhe e paprekshme. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse ky është një vend prej të cilit edhe ata që e sundojnë dhe e shfrytëzojnë duan të ikin sa më shpejt që të munden. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse ky është një vend ku të gjithë politikanët kërkojnë dikë nga të huajt që t’i sundojë dhe ta mbajë përgjegjësinë për punët e shtetit. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse sistemi që është vendosur është qartësisht plutokratik, kleptokratik dhe oligarkik, nuk ka shqiptarët janë të sunduar me dorë të hekurt nga të njëjtët sundimtarë që kishte në sistemin e mëparshëm, që tashmë janë pasuruar në nivele marramendëse. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse tranzicioni, që duhej të ofronte një jetë më të mirë për të gjithë shqiptarët, ka rezultuar në ndërtimin e një sistemi politik oligarkik, të një sistemi ekonomik monopolist dhe shitblerës, në polarizimin ekstrem të shoqërisë në plutokratë dhe në të varfër, si dhe në shkrirjen e plotë të shtetit dhe kapjen e tij dhe të shoqërisë nga krimi i organizuar. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse kjo është gjendja në të cilën ndodhemi.

Një program i shkurtër politik për një Grillo shqiptar 

PAria popunon me ethe që të pengojë fdaljen e cdo force të re që iu kundërvihet interesave të saj. Parinë e Tiranës e dëmton një parti që punon për shqiptarët, që mban parasysh interesat e tyre dhe që provon se nuk është vegël e instrument i klaneve të parisë. Por, edhe atëherë, të gjithë palët e parisë do të bëhen bashkë për të shmangur forcat që mund të marrin vota kundër tyre. koha ka ardhur për një fillim të ri, nevoja për ndryshim është e pashmangshme, forcat e reja politike që duan ndryshimin duhet të kuptojnë mirë se cilat janë rrugët e ndryshimit të vërtetë. Ndryshimi duhet mbështetur në vlerat e vërteta të një populli si shqiptarët, dhe në një projekt të ri modernizues, të balancuar, dhe të mbështetur në themelet e forta të elementëve të mëposhtëm. Së pari, në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb. Së dyti, në një sistem politik demokratik. Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj. Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar. Së pesti, në një politikë të jashtme të bazuar në interesin kombëtar. Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore. Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vlerave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë. Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive. Së nënti, në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, e mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve. Më në fund, por jo më e fundit, ndërtimi i një politike të jashtme e cila të avancojë interesat shqiptare.
Çdo përpjekje për ndryshim, qoftë në formën e një programi politik, qoftë në formën e një pakete ndryshimesh ligjore, cdo Grillo shqiptar që nuk mban parasysh këto parime themelore, është e destinuar që të dështojë. Këto elemente janë pjesë e pandashme e çdo projekti për shërimin e përmirësimin e gjendjes. Por, ata që marrin përsipër këtë detyrë, ata që duan të jenë Grillo shqiptarë duhet të jenë të përgatitur që të përplasen me një pari që do të përdorë çdo mjet në dispozicionin e saj, edhe në format ekstreme të dhunës e të terrorizmit shtetëror e mafioz, për të ruajtur pushtetin politik, dhe kontrollin mbi ekonominë e mendësinë e popullit që sot e sundon në mënyrën më kriminale të mundshme.

A do të ketë mbështetje një Grillo shqiptar?

Nuk ka dyshim që shqiptarët janë të ngopur me zvetënimin e parisë, me sundimin e saj kriminal, me përpjekjen e saj për të shkatërruar e zvetënuar, përbaltur e përjargur gjithcka. Shqiptarët janë të gatshëm që të mbeshtesin alternative të tjera. Shqiptarët duan të shohin nga e ardhmja. Ai që nuk ka frikë nga kërcënimet e parisë, ai që e sheh në sy vdekjen, ai që vendos të vrasë kriminelin, të ruajë nderin e shqiptarëve, të zgjidhë problemin e pronave, të ndërtojë ekonominë, të strukturojë si duhet sistemet e arsimit, të shëndetësisë, të pensioneve, ai që do të punojë për ruajtjen e kultivimin e vlerave njerëzore, ai që do të cojë në trekëmbësh kriminelët hajnat e cubat, ai që do të punojë për të drejtat e emigrantëve, ai që do të ndërtojë një strehë për ata që do të kthehen, për të pmabrojturit, të pazotët, të përbuzurit, për shqiptarët ai do të jetë Grillo. Në fund ai që nuk do të shitet tek Paria e Tiranës, tek klanet e saj, do të jetë një Grillo për shqiptarët. Ne jemi një popull katundar, me anë të mira e të këqia, kemi katundarë të mirë e të këqij, por Grillo do të jetë ai që do të jetë njëri prej nesh. Gramoz Ruci i përbuz katundarët. Sali Berisha i përdoron. Ilir Meta i korrupton. Fatos Nano i degjeneron. Edi Rama nuk I kupton. Bamir Topi i mënjanon. Ai Grilloja, po erdhi, duhet të jetë një katundar si ne, por ai që na ndryshon, për të mirën e të gjithëve, dhe unë do të jem ndjekësi e militant I tij I bindur.

PARIA E TIRANËS DHE VERBËRIA POLITIKE E POPULLIT

(Ky shkrim është botuar së pari më 8 Mars, 2013)

Paria e Tiranës e ka gjetur zgjidhjen politike qe i sherben interesave te saj. Duke qënë se në indoktrinimin e mashtrimin gjigand që ka ndodhur tash disa dekada, shqiptarët e kanë humbur fillin e së vërtetës dhe nuk e kanë një ide të qartë të asaj cku duhet bër, paria po i zgjidh me shpejtësi të gjithë problemet e saj. Nga ana e tyre, njerëzit tanë po sillen si qorrat që prekën me duar elefantin. Njëri preku dhëmbin e madh dhe e quajti gur. Tjetri preku fecken dhe e quajti gjarpër. Tjetri preku këmbën dhe e quajti pemë. Tjetri preku syrin dhe e quajti kandil deti. Mandej qorrat nisën me u rrahe sepse nuk pajtoheshin me njëri-tjetrin se cka ishte elefanti. Kjo është edhe natyra e zgjedhjeve dhe bindjeve politike në shtetin shqiptar. Dallimi është se elefanti nuk kishte ndonjë interes në këtë punë, sepse problemi i identifikimit të problemit ishte problem i qorrave. Të kishin sy, të gjithë qorrat do të binin të gjithë dakord e do të thonin se ishte një elefant, një kafshë që ka pjesë të ndryshme të trupit dhe se ata kishin prekur pjesë të ndryshme të trupit të elefantit.

Rrahja e jonë elektorale dhe politike, protestat e kacafytjet i ngjajnë kësaj ndodhie. Nga jashtë, në nivelin e popullit, politika shqiptare duket një rrahje e marrë midis qorrave politikë. Po të kishin sy, njerëzit do ta shihnin se palët e parisë janë pjesë e gjymtyrë e parisë së Tiranës. Paria e Tiranës është problem, elefanti për të cilin grindemi sepse ne thjesht prekim një gjymtyrë a një tjetër dhe ato nuk janë njëlloj. Mirëpo, të gjithë këta janë të lidhur me njëri-tjetrin, me martesa, me interesa, me shoqëri konviktesh, me bashkëfajësi krimesh, me dashnore, me bashkëpronësi biznesesh, dhe mbi të gjitha, me origjina katundesh që lindin me shumicë dhe pa ndërprerje udhëheqësa politikë e afaristë, sikur ajri i malit afër teqesë dhe uji i kronit afër kullës kanë dicka magjike.

Ja disa shembuj që e ilustrojnë këtë lidhje të pashkëputshme midis palëve të parisë. Së pari, një hata e madhe që ia nxori petët lakrorit, Gërdeci. Të gjithë ishin në tavë, të gjithë kishin pjesë, të gjithë politikanët e parisë ishin të lidhur me krimin që bëri hatanë dhe hodhi në erë një fshat të tërë e terrorizoi Tiranën. Ai që ka dyshim, të dëgjojë tabulatet telefonike dhe figurativisht do të gjejë në një dhomë të errët allishverishesh Sali Berishën, të bijën dhe vetë të Bekuarin Apostolik, pisqollën mediatike, Fahri Balliun, Edi Ramën, Fatmir Mehdiun, kunatin e kunatën e Sali Berishës, dhe të gjithë të tjerët që nuk dinin e nuk folën, që nga presidenti Topi tek zëvendësi i tij Kreshnik Spahiu, që nga Ilir Meta tek ata që dinin e që ruajtën interesat e përbashkëta dhe e qepën gojën e nuk folën. Së dyti, le të shihet pak organizimi i zgjedhjeve. Këta i kanë bërë të gjtha gati që t’i vjedhin, që nga Kodi zgjedhor tek listat e komisionerëve e tek votuesit dhe i kanë gati edhe marrëveshjet se kush do të qeverisë nesër. Përditë shahen me libër shtëpie në televizionet e gazetat pacavure por marrëveshjet i bëjnë urtë e butë dhe pa asnjë problem. Së treti një fenomen interesant është edhe riciklimi. Vetëm në Tiranë politikanët i ndrrojnë partitë si ua ka qejfi dhe interesi. Dhe lista është shumë e gjatë. Droga? Politikanët tanë kapen në aeroporte me drogë. Trafikimi? Politikanët tanë janë të lidhur me të gjithë bandat e mundshme. Korrupsioni? Politikanët tanë janë kapur me video, me zë, në banjo, në tavan, në dhomë, me mbërthecka, pa mbërthecka, duke marrë para, duke u sjellë si kafshë dhe të gjithë e dinë e nuk flasin. Vajza e kujt u martua me kë? Kush i bëri pushimet ku dhe kë? Kur të verifikohet lista e pafund e pronave që kanë blerë jashtë, e llogarive që kanë, e pasurisë që kanë vënë, e me rradhë do të shihet se këta nuk e kanë seriozisht as rrahjen e as politikën. Këta rrihen si në cirk. Sa mbarojnë rrahjen në televizionin e rradhës, i fusin një pace me kokë e me gjuhë lope, me pak uthull vendi, se atë e prodhojmë tani, dhe fërkojnë duart që ia futën edhe kësaj here popullit shqiptar. Këta na urrejnë dhe në mendjen e tyre jemi një popull kot, pis e budalla që mashtrohet për një kockë e që këta kanë vendosur ta rrjepin të gjallë e deri sa të mos i mbesë as gjurma.

Që të kthehemi tek fabula e fillimit, qorrat u rrahën dhe një i mencur ua that ë vërtetën dhe ata I kërkuan falje njëri-tjetrit. Në rastin tonë, ne I kemi sytë në ballë dhe elefanti është kjo e vërteta e madhe që të gjithë e dinë, por që nuk kanë as guxim ta thonë hapur: këta janë në tavë të gjithë bashkë, kjo është paria e Tiranës. Zhurma mediatike, rrahja e bisedat tek emisionet e shplara e pa pikë vlere, bombardimi me emisione si BB Albania e me rradhë i shërbejnë shplarjes së truve të shqiptarëve. Këta janë kundër shqiptarëve, këta duan të na hanë të gjallë, këta kanë punuar e vazhdojnë që të punojnë pa pikë hezitimi kundër nesh. Këta janë të gjithë njëlloj. Këta janë kriminelë, vrasës, trafikantë, banditë, gjakpirës, shkatërrues e zvetënues të së ardhmes së fëmijëve tanë. Këta punojnë ditë e natë për vete dhe kundër interesave tona. Shqiptarët duhet të zgjohen e të shohin të vërtetën. Ajo që ka ndodhur nën sundimin e tyre është një krim që është bërë kundër nesh. Ajo që do të ndodhë në të ardhmen do të jetë një krim që do të shkatërrojë jetën e të ardhmen e fëmijëve tuaj.

Në përfundim, duhet thënë e përsëritur kjo gjë, kaq hapur e shqeto sepse, kur të na hapen ne sytë, këta do të kenë ikur në parajsat e republikave te bananeve ku i kanë fshehur pasuritë e ndërtuara me gjakun tonë e që këta i kanë vjedhur pa mëshirë e pa menduar dy herë. E atëherë, ndoshta nuk do të jemi më qorra, por duke mos e pasur elefantin aty, do të vazhdojmë të rrihemi me njëri-tjetrin se si ishte elefanti dhe pse nuk bëmë asgjë, kur këta po na e pinin gjakun të ngrohtë e pa pikë mëshire. Si thuhet diku, unë e thashë të vërtetën dhe e kam ndërgjegjen e qetë. Ti që po e lexon këtë shkrim, dhe që ke arritur deri këtu, mendoju mirë para se të thuash mendimin tënd. Jo për tjetër, por skllavëria fillon me vetëmashtrimin dhe me vetëbindjen se e vërteta është ndryshe prej asaj që është. Mos u bëj qorr me sy në ballë. Thuaji “jo” parisë së Tiranës.