Home » ANALIZA » FENOMENI BEPPE GRILLO SI PROBLEM PËR PARINË E TIRANËS

FENOMENI BEPPE GRILLO SI PROBLEM PËR PARINË E TIRANËS

(Ky shkrim është botuar së pari më 7 Mars, 2013)

Fenomeni Beppe Grillo, komediani që mori 19% të votave në Itali dhe që e ka futur sistemin politik tërësisht të korruptuar italian në krizë të thellë, është një dukuri e pritshme në cdo demokraci. Në se njerëzit nuk besojnë më tek sistemi politik e tek partitë, nëse janë të zhgënjyer me udhëheqësit e tyre, në se nuk kanë besim se udhëheqësit punojnë për ta, nëse janë të bindur se shtypi e media janë një mashtrim, nëse nuk kanë ku të mbështeten sepse të gjithë mendojnë se si t’i përdorojnë e t’i poshtërojnë atëherë ata mbështesin gjithkënd. Kandidati mund të jetë një gazetar populist në Izrael që mori 19 vende në parlament. Ai mund të jetë Partia e Birrës në Poloni që mori 6000 vota, apo mundësi Jessie Ventura që i be governator i shtetit Minesota, dhe natyrisht pompuesi i shtangave Arnold Schëartzenegger që u bë dy herë governatori i California. Italia ka një traditë të shënuar që të zgjedhë në parlament figura të kulturës dhe të kundërkulturës. Para Beppe Grillos ka qënë Berlusconi. Para Beslusconi ka qënë Cicciolina. Mbas Beppe Grillos do të vijë prapë Beslusconi. Mbas tij do të dalë ndonjë Cicciolina tjetër.
Fenomeni Grillo duhet kuptuar në kontekstin italian edhe pse nuk ka kuptimin e duhur kund tjetër. Italianët e shohin demokracinë si një formë argëtimi dhe nuk e marrin shumë seriozisht. Ama ata e marrin aq seriozisht sa t’u thonë të gjithë partive të tyre që jeni hajdutë, të korruptuar e që nuk I shërbeni popullit. Vota e tyre është votë e qartë proteste. Shteti Italian është një shtet i fortë dhe i konsoliduar. Ekonomia mund të jetë në krizë, dhe vendi i mbytur në borxhe, por Italia ka burime të shumta. Por fenomeni Grillo tregon, mbi të gjitha, që Italia ka një shoqëri civile të gjallë që nuk i lejon politikanët të bëjnë si të duan. Grillo nuk e ka shembur partitokracinë italiane, por i ka dhënë një goditje të fortë. Mirëpo ajo që nuk thuhet me ze të lartë është se Grillo përfaqëson të pashpresët, njerëzit që nuk besojnë në asgjë më, që nuk kanë sisteme të qarta ideologjike dhe vlerash dhe që janë në kundërshtim të plotë me atë që përfaqëson sistemi politik në Itali. Kjo është votë urrejtjeje e proteste.

Për se ka kaq shumë interes për fenomenin Grillo në shtetin shqiptar?

Njëri ndër aspektet më interesante të fenomenit Grillo është interesi i jashtëzakonshëm që ka ngjallur në shtypin dhe mediat e Tiranës. Të gjithë komentatorët dhe analistët e shitur dhe të paguar mirë po diskutojnë me pasion atë që përfaqëson fenomeni Grillo në politkën italiane. Jo vetëm aq, ata kanë nisur të përkthejnë shkrime të autorëve italianë e të huaj që merren me Grillon. Megjithatë, ajo që të bie në sy është cektësia e analizës së tyre. Mbasi, sa për të larë gojën, thonë se një Grillo është i mirëseardhur në politikën shqiptare, të gjithë argumentet e mëpastajme ndërtohen që të mbështesin tezën se Grillo është i pamundshëm në kontekstin shqiptar. Të gjithë këta njerëz që kanë ndikim në opinionin publik shqiptar, dhe që, në të ardhmen jo të largët duhet të shërbejnë si ilustrime jo vetëm të injorancës por edhe të nivelit më të ulët të karakterit të njerëzve që shesin penën, mendjen e nderin, merren me Grillon në një mënyrë që vetëm katundarët e bëjnë. Para së gjithash, katundari praktik mendon për katundin e vet. Kështu, këta analistë që nuk kanë pikë dëshire të thonë të vërtetën, merren me Grillon si problem shqiptar. Shqetësimet e tyre të përbashkëta janë disa. Ndër këto shqetësime mund të vecohen disa pyetje që duhen përkthyer në shqipen popullore. A do të ketë një Grillo shqiptar? Kjo përkthehet se a do të dalë kush kundër sistemit të parisë së Tiranës? Pyetja tjetër është se cka mund të thotë ky Grillo shqiptar? Kjo përkthehet se a do të jetë ky Grillo shqiptar nën kontrollin e partive sunduese apo jo? Një pyetje kryesore është se në se sistemi është I ndryshëm, asnjë Grillo nuk mund të fitojë. Kjo përkthehet se paria e Tiranës e ka kapur vendin e sistemin demokratik për fyti dhe nuk ka më shpresë. Pyetja tjetër është se me kë do të punojë ky Grillo shqiptar? Kjo përkthehet në këtë mënyrë; populli ynë është tërësisht i korruptuar kështu që hiqeni shpresën. Ju që jetoni në këtë ferr të sunduar nga paria e Tiranës ku sundon poshtërsia, krimi, droga, ndytësia njerëzore e zvetënimi, që është shteti shqiptar, duhet të hiqni shpresat.
E sa për këta komentatorë që me modesti ngrejnë supet e shprehin keqardhjen hileqare të katundarit që ta ka shitur lopën shterpë, japin mend se si të veprohet, dhe rrejnë e mashtrojnë sepse kështu iu kërkohet prej padronëve të parisë, kjo gjendje është e pashmangshme dhe duhet të dorëzohemi sepse nuk ka më shpresë. Këta opinionistë karagjozë e të pandershëm nuk e shkojnë ndërmend se si dikush mund të flaës si Grillo në Tiranë. Këta nuk besojnë se shqiptarët mund të besojnë në ndryshimin e mundshëm. Këta besojnë se sistemi është i patundshëm, pa ndryshueshëm sepse, si populli, si rregullat, ashtu edhe paria janë të korruptuar deri në ekstrem dhe jemi kaq keq sa edhe duke parë majtas e djathtas, që nga Fresku deri në Kashar, nga Krraba në Laknas nuk gjendet askush që del kundër sistemit të parisë së Tiranës. Morali është i thjeshtë: këta jemi, mos kërkoni ndryshim. Bindjuni parisë sunduese. Ky është fati i juaj. Keni qënë skllevër e skllevër e meritoni që të jeni. Ne po ua themi këtë, sepse dimë dicka, por ju mos shpresoni. Jeni një popull pis e ashtu do të ngordhni. Unë jam pjesë e parisë i thonë këta popullit shqiptar, jo si ju, që jeni rob kot, mish për top, e shpirtra të humbur. Këta janë pjesë e parisë së Tiranës, vegla e saj, ata që i urrejnë shqiptarët dhe që ndoshta e mallkojnë fatin e tyre që kanë lindur shqiptarë.

A ju duhet shqiptarëve një Beppe Grillo? 

Këta opinionistë e komentatorë bëjnë me shumë zell punën e parisë. Të gjithë kanë disa apartamente, biznese, shtëpi, lidhje e të ardhura gjithfarësh. Të gjitha vijnë nga paria. Ajo që këta thonë është një krim në vetvete sepse këta po i bëjnë me bindje të plotë shërbimin për të cilin paria ka kaq shumë nevojë. Shqiptarët kanë nevojë për mend, në se këta nuk kanë të japin, më mirë të qepin gojën e të shkojnë të mbjellin fiqtë në arën e gjyshit në majë të maleve heroike. Ndoshta janë ma të mirë si katundarë se si komentatorë. Shqiptarët sot kanë nevojë më shumë se kurrë për një zgjidhje. A quhet ajo zgjidhje Beppe Grillo, lëvizje, parti, shoqatë, klube, rrethe, organizatë etj nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se ka ardhur koha për një forcë të re, me një ideologji të qartë, me vlera të qarta, që iu beson shqiptarëve dhe që kërkon votën e tyre për ndryshimin e gjendjes në dukje të pashpresë. Shqiptarëve iu duhet një zgjidhje. Këta nuk janë zgjidhja dhe shkrimet e tyre janë si tymi i temjanit, hi syve popullit që edhe ashtu nuk din se si me veprue.
Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse gjendja ku jemi është e frikshme dhe do të përkeqësohet edhe më shumë. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse sistemi politik është oligarki e padyshimtë e parisë së Tiranës të organizuar në klane kriminale. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse shoqëria është thellësisht e kriminalizuar dhe e karakterizuar nga një sistem sundues vlerash që nuk është moralisht i shëndoshë. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse paria sunduese është e korruptuar, plutokratike dhe kleptokratike. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse shteti shqiptar është i kapur nga krimi. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse shoqëria civile që numëron me mijra organizata është krejtësisht e paralizuar. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse sistemi sundues i vlerave është imoral dhe materialist në ekstrem dhe I kapur nga krimi. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse partitë politike janë banda në shërbim të klaneve të caktuara. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse drejtues të shtetit zgjidhen pikërisht ata që kanë bërë më shumë krime, vjedhje, vrasje dhe që kanë përgjegjësi të padiskutueshme. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse nga shteti shqiptar janë trafikuar me qindra mijra femra dhe fëmijë. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse ekonomia ka qënë dhe është një seri piramidash financiare. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse e vetmja industri që njeh rritje janë lojrat e kumarit. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse policia nuk lejohet të hyjë në shumë fshatra e zona që prodhojnë dhe eksportojnë drogë ditën për diell siç është, bie fjala, Lazarati. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse jashtë Unazës së Tiranës, varfëria është në nivele të papara. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse një ndër katër shqiptarë ka probleme mendore. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse shkalla e shkatërrimit të familjes e frikshme. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse gjendja e shërbimeve shoqërore, mjekësore, dhe të arsimit është katastrofike. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse paria sunduese jeton një jetë të paparë, e zhytur në luks e në qejf dhe e urren popullin e vet. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse paria është haptazi jashtë ligjit, mbi ligjin, dhe e paprekshme. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse ky është një vend prej të cilit edhe ata që e sundojnë dhe e shfrytëzojnë duan të ikin sa më shpejt që të munden. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse ky është një vend ku të gjithë politikanët kërkojnë dikë nga të huajt që t’i sundojë dhe ta mbajë përgjegjësinë për punët e shtetit. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse sistemi që është vendosur është qartësisht plutokratik, kleptokratik dhe oligarkik, nuk ka shqiptarët janë të sunduar me dorë të hekurt nga të njëjtët sundimtarë që kishte në sistemin e mëparshëm, që tashmë janë pasuruar në nivele marramendëse. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse tranzicioni, që duhej të ofronte një jetë më të mirë për të gjithë shqiptarët, ka rezultuar në ndërtimin e një sistemi politik oligarkik, të një sistemi ekonomik monopolist dhe shitblerës, në polarizimin ekstrem të shoqërisë në plutokratë dhe në të varfër, si dhe në shkrirjen e plotë të shtetit dhe kapjen e tij dhe të shoqërisë nga krimi i organizuar. Shqiptarëve iu duhet një Grillo sepse kjo është gjendja në të cilën ndodhemi.

Një program i shkurtër politik për një Grillo shqiptar 

PAria popunon me ethe që të pengojë fdaljen e cdo force të re që iu kundërvihet interesave të saj. Parinë e Tiranës e dëmton një parti që punon për shqiptarët, që mban parasysh interesat e tyre dhe që provon se nuk është vegël e instrument i klaneve të parisë. Por, edhe atëherë, të gjithë palët e parisë do të bëhen bashkë për të shmangur forcat që mund të marrin vota kundër tyre. koha ka ardhur për një fillim të ri, nevoja për ndryshim është e pashmangshme, forcat e reja politike që duan ndryshimin duhet të kuptojnë mirë se cilat janë rrugët e ndryshimit të vërtetë. Ndryshimi duhet mbështetur në vlerat e vërteta të një populli si shqiptarët, dhe në një projekt të ri modernizues, të balancuar, dhe të mbështetur në themelet e forta të elementëve të mëposhtëm. Së pari, në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb. Së dyti, në një sistem politik demokratik. Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj. Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar. Së pesti, në një politikë të jashtme të bazuar në interesin kombëtar. Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore. Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vlerave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë. Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive. Së nënti, në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, e mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve. Më në fund, por jo më e fundit, ndërtimi i një politike të jashtme e cila të avancojë interesat shqiptare.
Çdo përpjekje për ndryshim, qoftë në formën e një programi politik, qoftë në formën e një pakete ndryshimesh ligjore, cdo Grillo shqiptar që nuk mban parasysh këto parime themelore, është e destinuar që të dështojë. Këto elemente janë pjesë e pandashme e çdo projekti për shërimin e përmirësimin e gjendjes. Por, ata që marrin përsipër këtë detyrë, ata që duan të jenë Grillo shqiptarë duhet të jenë të përgatitur që të përplasen me një pari që do të përdorë çdo mjet në dispozicionin e saj, edhe në format ekstreme të dhunës e të terrorizmit shtetëror e mafioz, për të ruajtur pushtetin politik, dhe kontrollin mbi ekonominë e mendësinë e popullit që sot e sundon në mënyrën më kriminale të mundshme.

A do të ketë mbështetje një Grillo shqiptar?

Nuk ka dyshim që shqiptarët janë të ngopur me zvetënimin e parisë, me sundimin e saj kriminal, me përpjekjen e saj për të shkatërruar e zvetënuar, përbaltur e përjargur gjithcka. Shqiptarët janë të gatshëm që të mbeshtesin alternative të tjera. Shqiptarët duan të shohin nga e ardhmja. Ai që nuk ka frikë nga kërcënimet e parisë, ai që e sheh në sy vdekjen, ai që vendos të vrasë kriminelin, të ruajë nderin e shqiptarëve, të zgjidhë problemin e pronave, të ndërtojë ekonominë, të strukturojë si duhet sistemet e arsimit, të shëndetësisë, të pensioneve, ai që do të punojë për ruajtjen e kultivimin e vlerave njerëzore, ai që do të cojë në trekëmbësh kriminelët hajnat e cubat, ai që do të punojë për të drejtat e emigrantëve, ai që do të ndërtojë një strehë për ata që do të kthehen, për të pmabrojturit, të pazotët, të përbuzurit, për shqiptarët ai do të jetë Grillo. Në fund ai që nuk do të shitet tek Paria e Tiranës, tek klanet e saj, do të jetë një Grillo për shqiptarët. Ne jemi një popull katundar, me anë të mira e të këqia, kemi katundarë të mirë e të këqij, por Grillo do të jetë ai që do të jetë njëri prej nesh. Gramoz Ruci i përbuz katundarët. Sali Berisha i përdoron. Ilir Meta i korrupton. Fatos Nano i degjeneron. Edi Rama nuk I kupton. Bamir Topi i mënjanon. Ai Grilloja, po erdhi, duhet të jetë një katundar si ne, por ai që na ndryshon, për të mirën e të gjithëve, dhe unë do të jem ndjekësi e militant I tij I bindur.