Home » INTERVISTA » Interviste ne Revista JAVA: 02/12/2013

Interviste ne Revista JAVA: 02/12/2013

I nderuari z. Rama faleminderit që pranuat të intervistoheshit nga ne. Verdikti i Gjykatës së Shkallës së Parë për çështjen e “21 Janarit” ka treguar se Drejtësia shqiptare e ka të pamundur t’i shkëputet ndikimit politik. Nëse e keni ndjekur ecurinë e procesit, a mendoni se Gjykatat shqiptare, mund të gjenin kurajë t’i shkëputeshin disi tutelës dhe frikës nga politika e z.Berisha?

Procesin e kam ndjekur me shumë vëmendje, kryesisht përmes shtypit të përditshëm që, gjithsesi, është tejet i deformuar dhe në shërbim të pakushte të njërës apo të tjetrës palë të parisë së Tiranës. Megjithatë, në lidhje me sjelljen e gjyqtarëve në gjykimin e vrasjes së katër personave në rrugë e jo brenda institucioneve të shtetit, duhen theksuar katër gjëra. Së pari, duhet kuptuar mirë se ligji gjithnjë është elastik. Nga që cdo sistem ligjor sanksionon atë që nuk duhet bërë, lë gjithnjë shumë hapësirë interpretimi e justifikimi në lidhje me atë që duhet bërë. Shpesh ajo që ka ndodhur është në nivelin e të diskutueshmes dhe me pak ndihmesë nga institucionet e tjera dhe me mbylljen e syve nga prokuroria e gjykata, sic ndodhi në këtë rast me zhdukjen e videove, regjistrimeve, të armëve, regjistrave, thirrjen e dëshimtarëve, etj., sjellja e gardistëve bëhet disi e justifikueshme për ta. Por, realiteti është se gjykatat shqiptare nuk kanë asnjë fije respekti për ligjin dhe sistematikisht demonstrojnë një besnikëri të frikshme karshi klaneve oligarkike dhe kriminale që kontrollojnë cdo aspekt të jetës shqiptare. Së dyti, gjykatat në shtetin shqiptar janë nga institucionet më të korruptuara të shtetit dhe të vëna pa kushte në shërbim të parisë së Tiranës. Mjafton të kujtohen skandalet e panumërta që kulmuan me Gërdecin e me vrasjen e 26 të pafajshëmve, korrupsionin e rrugëve, të tenderave, të privatizimeve, të subvencioneve, e me rradhë. Këta nuk e lëvizën gishtin se i dilnin petët lakrorit dhe tundeshin themelet e sistemit. Mirëpo, nuk është frika që ndjejnë nga Sali Berisha por është bindja e tyre e vetëdijshme se kështu duhet vepruar, d.m.th. se edhe këta janë pjesë e vetëdijshme e krimit politik. Më së fundi, gjykatësit do t’i bindeshin gjithkujt që kontrollon pushtetin e makinën shtetërore. Fajtori i vërtetë është ai që dha urdhërin që të vriten njerëzit. Këta ishin vegla të tij. Fajtori as nuk u gjykua, as nuk u thirr si dëshmitar, e as nuk u dënua. Më në fund, duhet thënë se kjo sjellje është metodë pune në shtetin shqiptar. Të gjithë janë të kapur dhe po këta gjykatës do t’i shërbenin pa pikën e mëdyshjes edhe palëve të tjera po të ishin në pushtet. Në se vijnë në pushtet këta të palës tjetër, të njëjtët gjykatës, po të mos kenë pasaporta të shteteve të tjera e kështu të ikin nga sytë këmbët, do t’i nxjerrin të fajshëm e kriminalë po të njëjtët njerëz. Nuk mund të jetë një njeri në shërbim të parisë së Tiranës, të dënojë hajnat e vegjël dhe të punojë për të nxjerrë të pafajshëm kapobandat, dhe të shkojë në shtëpi e t’i thotë vetes i ndershëm, dhe të rrisë familje të shëndoshë. Problemi është se këta e bëjnë këtë me ndërgjegje të plotë, dhe prandaj janë pjesë e strukturës kriminale-mafioze të parisë së Tiranës.

Kemi disa privatizime të gabuara dhe së fundmi një privatizim të dështuar të ‘Albpetrolit’, që gjithsesi është parathënë me kohë nga ekspertë të ndryshëm për mënyrën sesi është vepruar me procesin e transparencës së tenderimit. Duke e parë nga larg, në pozitën tuaj, a nuk duket se ka një tentativë për t’i shitur asetet e vendit pa asnjë logjikë ekonomike dhe më shumë se kaq me pak logjikë kriminale?

Në politikat ekonomike dhe në privatizime të këtij niveli, nuk ka gabime por ka një llogaritje shumë të qartë e të bërë me kujdes nga ata që bëjnë ligjin, dhe mandej bëjnë privatizimin. Pra, logjika e shitjes së pasurisë kombëtare kujtdo që hedh e pastron para në arkën e shteti shqiptar në shërbim të klanit sundues nuk është pak kriminale por është shumë kriminale, d.m.th., është një sjellje mafioze dhe kleptokratike e padyshueshme. Duhet kuptuar edhe logjika që ndjek Sali Berisha dhe administratorët e shtetit në shërbim të tij në marrjen e këtyre vendimeve. Arka e shtetit është bosh, e prandaj duhet mbushur disi, privatizimi i jep mundësi klanit sundues të parisë së Tiranës që të paguajë rrogat e të mbajë njerëzit në punë. Po ashtu, privatizimi i këtij niveli dhe me këtë mënyrë i ndihmon të konsolidojnë interesat ekonomike të grupeve, familjeve e strukturave të dyshimta që i ndihmuan të rrinë në pushtet e që iu shërbyen me besnikëri. Privatizimi i bërë në këtë mënyrë i ngjan parimit të tokës së djegur. Kushdo që do të marrë pushtetin nesër, do të ketë celësat e kashtës dhe do të gjejë thesarin bosh e shtetin borxh deri në fyt. Sa të merren vendimet e duhura, sa të përmbysen marrëveshjet, sa të verifikohen paratë, burimet, e investimet, në se do të merren vendimet e tilla do të kalojë kohë. Dhe kur të qetësohet zallamahia në rrugë me protestat e pritshme e me rrëmujat e zakonshme, gjendja do të ketë shkuar në një pikë kritike, populli do të harrojë se cka ndodhur dhe me pafytyrësinë e zakonshme, kundërshtarët do të fillojnë të bëjnë fajtor njëri-tjetrin. Mirëpo, kjo pasuri ka qënë dhe është pasuria e të gjithë shqiptarëve, privatizimi është bërë në mënyrën më të gabuar e kriminale të mundshme, dhe është detyrë e gjithkujt që kërkon që të bëjë politikë në shërbim të popullit që t’i thotë të bardhës e bardhë, dhe të zezës e zezë dhe ti rishohë ytë gjithë ligjet e kaluara dhe proceset se si janë bërë. Këto 22 vjet shqiptarët kanë parë një proces privatizimi që ka qënë metoda e pasurimit të llumit shoqëror, e cubave, hajnave dhe lamashëve të rrugës, gjtihnjë në shërbim të klaneve të konsoliduara të parisë së Tiranës. Kjo duhet riparë me kujdesin e duhur.

Keni qenë vazhdimisht kritik ndaj qeverive shqiptare dhe nivelit të tyre të demokracisë. Ku e shikoni në fazën e tranzicionit pikën e parë të degradimit të qeverive të post’90?

Të gjitha qeveritë e mbas vitit 1990 janë bërë me njerëz të situr mire, të lëmuar e të deformuar me kujdes para vitit 1990. Këta ishin të piketuar që të merrnin pushtetin, pavarësisht se në atë ngut u ngatërruan këmbët e disa individë e gjetën veten të caktuar në opozitën kundër partisë që i shërbenin me shumë devotshmëri. Të gjithë forcat politike dhe të gjithë individët që dolën në lojë ishin të kapur, të kontrolluar, të manipuluar, marioneta e kukulla, pa vlera morale të qëndrueshme, pa ide realiste, e pa ndjenjën e shëndoshë të shërbimit publik. Ashtu si ishin këta vetë, ashtu ishin edhe qeveritë që bënë, të degjeneruara, të zvetënuara, antikombëtare, anti-shtetërore, katundare dhe në shërbim të klaneve katundare të parisë. Qeveritë që janë zgjedhur nuk ua ka lënë në trashëgim babai i teqesë, bajraktari i katundit, apo këshilli i të urtëve por këta i kanë trajtuar si të ishin të tilla. Qeveritë janë zgjedhur në mirëbesim të popullit shqiptar, dhe detyra e tyre parësore ka qënë që të mirëadministrojnë pasurinë kombëtare e të ruajnë nderin e dinjitetin e popullit. Ne jemi një popull i vogël, me një ekonomi të brishtë, nën trysni të jashtëzakonshme ekonomike, demografike dhe politike. Prandaj, administrimi me kujdes i pasurisë kombëtare, përkujdesja për kultivimin e vlerave shoqërore, ruajtja e nderit dhe e dinjitetit të qytetarëve, shërbimi ndaj të pamundurve, të sëmurëve dhe të brezit të tretë, rritja e fëmijëve sic duhet, me vlerat dhe me edukimin e duhur, ruajtja e ambjentit dhe investimet afatgjata në edukim, ekonomi, në kulturë kanë qënë objektiva kardinale për cdo qeveri. Këta shpërdoruan gjithcka, dhe në vend që me ato dhjetra e dhjetra miliardë dollarë që kanë hyrë si kanë hyrë në shtetin shqiptar, me burimet e me njerëzit që kishim të ndërtonin dicka të dobishme e me të ardhme, përfunduan duke e kthyer vendin në një shkretirë morale, me një shoqëri të kriminalizuar dhe pa të ardhme. Mirëpo, kjo iu shërbente atyre dhe këtë shoqëri të degraduar, të zvetënuar dhe të degjeneruar vendosën të ndërtonin dhe e kanë ndërtuar.

A është një lloj dehje nga liria, kjo që po ndodh me fenomenin e demokracisë shqiptare?

Liria është e drejta për të vepruar në mbrojtjen e mendimeve dhe të interesave tuaja, por pa shkelur interesin e përgjithshëm, interesin e shtetit, dhe pa shkelur të drejtat e tjetrit. Kjo që ka ndodhur në shtetin shqiptar është keqkuptimi i lirisë. Kjo është anarki e qëllimtë, dicka që shqiptarëve iu shitet si liri, thjesht për t’ua bërë skllavërinë e ardhshme më të pranueshme e të pashmangshme. E sa për demokracinë, në shtetin shqiptar mund të ketë individë që kanë qënë e që janë demokratë por nuk ka pasur ndonjëherë demokraci. E para dhe e vetmja herë kur u votua në mënyrë me të vërtetë demokratike ka qënë në zgjedhjet e 31 Marsit 1991. Mbas atyre zgjedhjeve, zgjedhjet kanë qënë vetëm e vetëm përplasje të strukturave të drejtuar nga katundarë, në bazë të parimeve katundare, dhe me objektivat e mbrojtjes së interesave të katundeve respektive përmes manipulimit dhe vjedhjes së votave. Demokracia nuk është rrumpallë e një shprehje e individualizmit ekstrem në të cilin vota shitet për nje thes miell apo për një gjel deti, për një vend pune, apo për përfitime të tjera. Demokracia është metoda për me zgjedhë udhëheqësit, që matarojnë punët e kombit për një periudhë të caktuar. Pra, duhet të ketë një vetëdije paraprake se ka një grup, sic është edhe familja, në të cilin, për të bërë një punë caktohet apo zgjidhet më i zoti që është për atë punë. Lumi bën dritë kur kanalizohet e drejtohet në rrugën e duhur. Edhe vullneti i popullit duhet kanalizuar e drejtuar në rrugën e duhur që në këtë rast është interesi kombëtar-shtetëror që duhet të ishte i padiskutueshëm dhe në qëndër të politikave të caktuara. Kur nuk kanalizohet si duhet, lumi përmbyt e shkatërron gjithcka që gjen në rrugën e vet. Kjo që ka ndodhur gjatë këtyre 22 vjetëve është thjesht triumfi i katundarisë, i mendësisë katundare të manipuluar nga paria e Tiranës, nuk është demokracia e vërtetë. Një ditë, kur të na dalë dehja, e të na mbysë zullumi i asaj që kemi bërë, do të pendohemi shumë. Unë shpresoj që të mos jetë vonë e të ketë ende shpresë, por edhe po nuk pat më shpresë duhet punuar kundër të keqes pa mëdyshje e pa kompromis.

Të gjitha institucionet e vendit tashmë janë nën diktatin e z.Berisha, që e ka përmbysur strukturën e pavarësisë institucionale, me anë të vendosjes së figurave, që pothuaj nuk e respektojnë dhe më shumë akoma as se përfaqësojnë pavarësinë e institucionit të tyre. Kjo fillon nga presidenti e me radhë. A mendoni se kjo është logjike për personazhe me të shkuar komuniste dhe me kompleksin e dosjeve, që me sa duket janë mbyllur për fare?

Nuk ka kund institucione të pavarura; ka një autoritet më të lartë se të gjithë, që në rastin tonë është vullneti i popullit shqiptar. Shteti shqiptar është shtet sovran sepse njihet nga shtetet e tjera. Shteti shqiptar duhet të respektojë sovranitetin e shtetit sepse me kenë shtet nuk është dicka që arrihet lehtë. Politikanët duhet të mbrojnë interesat e shtet-kombit dhe të respektojnë vullnetin e popullit. Mirëpo, popullin shqiptar as nuk e ka pyetur, dhe as nuk e pyet njeri. Prandaj edhe shqiptarët shpërthejnë në cdo mënyrë që munden kundër shtetit e kundër pushtetarëve që kanë. Në këtë shtet formalisht sovran, institucionet kanë pushtete të caktuara, por që të gjitha pushtetet e ligjet duhet të burojnë prej këtij autoriteti që zgjidhet nga populli në zgjedhje dhe që në emër të popullit nxjerr ligjin bazë, ligjet dhe aktet në bazë të të cilave funksionojnë këto institucione. Zgjedhjet e manipuluara, dhe politikanët e korruptuar që dalin prej tyre cojnë në ndrydhjen e në deformimin e vullnetit të popullit. Në shtetin shqiptar, zyrtarët janë në pushtet jo pse i shërbejnë ligjit, por sepse i shërbejnë një klani të caktuar. Të gjithë janë pajtuar me mendimin se duhet të bëjnë atë që iu thotë shefi i klanit të caktuar. Është krijuar bindja se kur të jenë në pushtet këta politikanë do ti vënë në një post që do ta shfrytëzojnë deri në maksimum. Kur të ikin nga pushteti, këta do të kenë vjedhur aq para sa të jetojnë për shtatë breza edhe në opozitë. Kjo është sjellja logjike për parinë e Tiranës që ka ndërtuar një sistem qartësisht oligarkik e kriminal.
Në lidhje me të shkuarën, ka pasur njerëz që në të shkuarën kanë qënë pjesë e strukturave të shtetit, por që i kanë shërbyer shtetit dhe janë munduar që edhe në ato kushte të mbesin njerëz. Shumë kanë qënë komunistë me bindje por dhe teknokratë e shërbyes publikë të aftë, njerëz që 1990-ta i gjeti dhe i la vetëm me një pension, pa shtëpi, të përbuzur pa të drejtë, e pa asnjë pikë respekti për kontributin që kishin dhënë, e pa asnjë mundësi për me kontribue në shoqëri, përvecse me u kryqëzue e me u dënue moralisht për marrëzirat e një grushti udhëheqësish në Bllokun e Tiranës që donin të ruanin sundimin e tyre me cdo kusht e pa pikë mëshire për shqiptarët. Këta ishin përgjegjës për Luftën e klasave, për mbylljen ekstreme, për ndrydhjen ekstreme, për ngurtësinë e politikave e me rradhë. Në nivelin ideologjik, me qënë komunist d.m.th. me besue në barazinë e njerëzve, me iu dhanë mundësi edhe atyre që nuk kanë aftësi e kapacitete, me jetue si njerëz. Këtë premton edhe social-demokracia, këtë premton edhe nacionalizmi, këtë premton edhe cdo ideologji tjetër. Mund të jetë e pamundshme që të zbatohet, por si ide nuk është dicka e dënueshme, është thjesht pjesë e debatit publik dhe ideologjik në lidhje me rrugën që duhet të marrë shoqëria. Ideja e socializmit në shoqërinë shqiptare do të ketë gjithnjë mbështetje të ndjeshme politike. Sa më shumë do të polarizohet shoqëria shqiptare, aq më shumë do të rritet kundërshtia shoqërore dhe ide të tilla do të bëhen të pranueshme për brezat që vijnë. Prandaj duhen ndarë njerëzit që besonin e besojnë në shtet, në komb, në shërbim publik, në strukturën institucionale dhe në ligj, nga arrivistët, intrigantët, ekstremistët, dhe shërbyesit e gjithkujt që tashmë janë në pushtet.

Në lidhje me dosjet, shteti që kishim ishte një shtet i deformuar moralisht. Por, në drejtim të anës teknike, të administrimit, të survejimit, të kontrollit e të funksionimit, ishte një shtet shumë modern. Mirëpo, ky sistem modern i njëanshëm u vendos mbi një shoqëri katundare. Sistemi u shemb, katundarët mbetën e dolën në krye të shtetit, dhe bënë një shtet katundar, me një kapitalizëm katundar, me parti katundare dhe me një sistem vlerash e propagande të denjë për katundarët. Tashti, në një shoqëri katundare, sic jemi ne, dosjet janë bomba bërthamore. Nderi e dinjiteti i familjes e gjithcka tjetër varen nga ajo që ka ndodhur, dhe ajo që ka ndodhur ka qënë tejet e frikshme, e llahtarshme në përmasa, dhe e përcudnueme, sa nuk merret me mend. Ajo është ana e errët dhe e zezë e shpirtit tonë, që në duhet ta mbyllim e vulosim njëherë e përgjithmonë e që duhet ta harrojmë si një andërr të keqe. Shqiptarët duhet të shohin përpara, duhet të mendojnë për të ardhmen e brezave dhe të gjithë shoqërisë e jo të merren me dosjet. Mirëpo, parisë dosjet i duhen si mjet kontrollimi i valvulës së tensioneve shoqërore. Dosjet janë mënyra më e mirë e përdorimit, frikësimit, e kontrollimit, izolimit e zhvlerësimit të njerëzve. Kjo metodë kontrollimi e parisë, sic e kam shpjeguar në detaje në librin tim të fundit “Përrallat e Tranzicionit Shqiptar” është një metodë e mbështetur në mendësinë katundare por funksionoi mirë. Njerëz që përndryshe do të ishin tejet të dobishëm për shoqërinë, janë mënjanuar, injoruar, zhvlerësuar apo edhe shkatërruar familjarisht. Në parantezë, edhe pse unë nuk merrem e nuk dua të merrem më me politikë, do të thoja të hapet dosja e ime. Unë kam aq ndershmëri e ndërgjegje sa me u përballë me veten time e me gjykue gjithcka të mirë a të keqe që kam bërë. Por ka shumë që nuk e kanë atë fuqi apo që kanë fëmijë me rritë, me mbajtë familje apo me ruajtë interesa të ngushta. Shkurt, do të thoja se dosjet janë përdorur e do të përdoren nga katundarët në pushtet e në opozitë për arritjen e qëllimeve të klaneve respektive katundare dhe për shkatërrimin e mëtejshëm të shoqërisë shqiptare.

Ka një ngritje të nacionalizmit në vendet ku flitet shqip dhe retorikë të madhe nacionaliste në Shqipëri. A mendoni se kjo është tamam një strehë për t’i fshehur njerëzve paditurinë e liderve për të drejtuar dhe për të dhënë alternativa?

Kombëtarizmi është ideologjia e vetme që mund të përqafojmë ne shqiptarët. Ne nuk bashkon as feja, sepse kemi tri fe; nuk na bashkon klasa e shtresa, sepse kemi e do të kemi shqiptarë të pasur e të varfër; nuk na bashkon idioma, sepse kemi ndarje në gegë e toskë; nuk na bashkon mendësia, sepse jemi të ndarë në malokë të Jugut e të Veriut, në fshatarë të Jugut e të Veriut, në qytetarë të jugut e të Veriut; Nuk na bashkon as interpretimi i historisë, sepse kemi qënë në pozicione të caktuara e të kundërta si gjatë perandorisë osmane, gjatë kohës së luftës së ashpër të klasave, ashtu edhe deri në ditët e sotme kur ende flasim për persekutim, përndjekje, apo për ndërtimin e një sistemi që i ndan njerëzit me thikë sic është sistemi kapitalist. Nëse duam një shtet normal, sic e kanë gjermanët, sllovenët, apo të tjerët, ne duhet të përqafojmë idenë moderne të shtet-kombit. Shteti dhe kombi janë të pandashëm dhe ose kombi do të kërkojë shtetin, ose shteti do të formojë kombin dhe ne duhet të punojmë të gjithë për atë punë. Edhe demokracia e vërtetë bëhet e mundshme kur shërben si metodë për të zgjedhur udhëheqësit, dhe për të përcaktuar politikat që i shërbejnë një kombi të caktuar. Ndryshe edhe demokracia është shkatërrimtare e paralizuese për një shoqëri që nuk i ndan vlerat e një kombi etnik apo qytetar, sic është bie fjala, SHBA ku pavarësisht bindjeve, përkatësisë etj. të gjithë janë qytetarë të shtetit. Në rastin tonë, është e pashmangshme që shteti do të identifikohet me shqiptarët që përbëjnë mbi 90 e ca përqind të popullsisë së shtetit. Gjuha e shtetit do të jetë gjuha shqipe, historia e shtetit është pazgjidhshmërisht e lidhur me historinë shqiptare, dhe identiteti i shtetit ka qënë dhe do të jetë i lidhur pazgjidhshmërisht me identitetin kombëtar shqiptar. Përndryshe kombi shqiptar do t’i kundërvihet një shteti që nuk i promovon vlerat kombëtare, edhe pse pakicat do të kenë të gjithë të drejtat e detyrimet që duhet të mbrohen në një shoqëri moderne. Rritja e vetëdijes kombëtare shqiptare është normale, e pashmangshme, dhe në fakt, shumë e dobishme, anipse e vonuar dhe e abuzuar nga politikanët. Kombëtarizmi behët streha e fundit e horrave, si këta që ne kemi me kaq shumicë në politikë kur politikanët kërkojnë të përdorin interesin dhe mbështetjen për dienë kombëtare për të manipuluar njerëzit dhe për të mbrojtur interesat e tyre dhe të klaneve të tyre. Flamuri është gjëja më e shenjtë kur mbulon trupin enjë dëshmori të rënë për Atdhe. Flamuri bëhet leckë kur përdoret nga një politikan për me mbulue poshtërsitë e veta.

Si e shikoni marrëdhënien e Kosovës me Shqipërinë?

I shoh në një pikë kthese interesante. Si Shqipëria ashtu edhe Kosova janë protektorate pa sovranitet të plotë e të mirëfilltë. Mirëpo paria e Tiranës e ka humbur sharmin dhe influencën që kishte dikur mbi shqiptarët e Kosovës. Edhe qëndra e kombit shqiptar ka lëvizur nga Tirana drejt Prishtinës e Tetovës. Shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi janë patriotë, atdhetarë e kombëtarë. Tashmë ata kanë dijet, shtresën politike, një nivel qytetarie të lakmueshëm, besnikëri në strukturat lokale, dhe, pavarësisht kriminalizimit të disa segmenteve të politikës, masa e popullit është e shëndoshë, e vetëdijshme, dhe këta sundimtarë që e kanë shfrytëzuar përtej maksimumit të mundshëm kontributin që kanë dhënë, janë kalimtarë. Brezi i ri i politikës është shumë më atdhetar, më i pastër, më i vetëdijshëm, dhe kombëtar. Kosova është qendra e shqiptarisë dhe Tirana është vetëm një metropol ndër disa metropole të politikës shqiptare. Rrjedhat janë interesante dhe do të shohim se si do të evoluojnë mbas shpërthimit të plotë të krizës, të kthimit të emigrantëve, të përplasjes së pashmangshme shoqërore dhe të nevojës për dalje nga gjendja, situatë që do të precipitojë në tre-katër vitet e ardhshme.

Me vëzhgimin tuaj, si është sot pozicioni ndërkombëtar i Shqipërisë, me mesazhet shumë ambigue që jep vazhdimisht?

Shteti shqiptar është një protektorat ndërkombëtar, klasa sunduese e të cilit merret seriozisht vetëm deri në atë sa mund të shkaktojë probleme rajonale. Mirëpo, kjo kontrollohet lehtë me disa takime në Tiranë sepse politikanët shqiptarë e përdorin nacionalizmin si strehën e fundit të horrave politikë. Oligarkia shqiptare është një oligarki e krimit mafioz dhe kjo krijon shumë shqetësime për BE dhe SHBA. Nga ana e tyre, politikanët janë të interesuar që të mbajnë bashkë katundarët e tyre. Këta politikanë që kemi janë tërësisht të diskredituar e pa kurrfarë besueshmërie në popull dhe tek të huajt. Ata që bërtasin më shumë për Komb, Bashkim e për Rilindje Kombëtare, punojnë me shumë kundër këtyre objektivave. Kështu që BE, SHBA, shtetet fqinje dhe strukturat që ndikojnë në politikën shqiptare e dinë se këta nuk e kanë fare seriozisht atë që thonë.

A keni arritur në një gjykim tuajin për personazhet kryesore që e kanë drejtuar Shqipërinë në këto 22 vjet?

Po, gjykimin tim e kam dhënë në librat e mi dhe në intervistat që kam dhënë periodikisht. Mendoj se e dhashë edhe pak më lart. Ka dalë llumi mbi ujë dhe tash duhet të shpresojmë që rrjedha e historisë do ti shtyjë drejt vendmbledhjes së plehrave historike. Zhumilet rrinë mbi ujë por dikur do të bien në fund.

Si pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan, a shqetësoheni për fatin e zgjedhjeve të 2013 dhe me parregullsitë që mund të ndodhin me to, të parashikuara nga burime mediatike shqiptare?

Si unë ashtu edhe shumë miq e shokë të mi shqetësohen për gjendjen e vendit dhe për qorrsokakun moral ku e ka futur paria sunduese e Tiranës. Ne kemi ikur nga shteti shqiptar por nuk ka ikë atdheu prej nesh. Atje kemi familjet, të afërmit, varret, të shkuarën, kujtimet, dhimbjet e vuajtjet dhe normalisht që shqetësohemi për cdo gjë që ndodh. Ne jemi shqiptarë, dhe na dhemb shumë gjithcka e keqe që ndodh.
Por, në lidhje me zgjedhjet, edhe këto zgjedhje janë të destinuara që të jenë të kontestueshme pa u zhvilluar. Me deformimet e listave dhe të numrave të deputetëve, me kodin zgjedhor, me caktimin e komisioneve, me mënjanimin e emigrantëve, me shtërngesën që iu bëhet partive të vogla që nuk mund të marrin vota po nuk iu bashkëngjitën klaneve të parisë, qysh tani është dhunuar vullneti i popullit. Ky është një film që e kemi parë dhe që e dimë se në fund do të triumfojë e keqja. Nuk mundet të ndodhë ndryshe, gjarpëri do të flejë gjith ditën, por kur ta marrë uria do të kafshojë. Paria e Tiarnës do të sillet e përsillet dhe kur të vijë puna tek votat e tek zgjedhjet, nuk do t’i rezistojë tundimit të së keqes së pushtetit dhe do t’i vjedhë pa hezitimin më të vogël.