Home » ANALIZA » KOMBËTARIZMI DHE ZGJEDHJET E PARISË SË TIRANËS

KOMBËTARIZMI DHE ZGJEDHJET E PARISË SË TIRANËS

(Ky shkrim është botuar së pari më 5 Mars, 2013)

Paria e Tiranës po ia arrin që të kanalizojë debatin politik dhe zgjidhjen në lidhje me zgjedhjet e ardhshme kuvendore në ofrimin e njërës pjesë të vetvetes si e keqja më e vogël. Mirëpo kjo është lojë me hijet në mur; djajtë janë veshur si engjëj e njerëzit shohin hijet e tyre në murin mediatik. Këta nuk kanë e nuk ofrojnë zgjidhje të mirëfillta politike e programe për të adresuar gjendjen kritike. Ka një kauzë rotacionale që paraqitet si antiregjim, riciklim dhe ndryshim apo ecje përpara nga pala tjetër. Por, përtej kauzave rotacionale, kësaj here secila zgjidhje e parisë është e veshur me terma, flamuj e koncepte kombëtaristë. Kombëtarizmi është bërë më shumë se asnjëherë tjetër i pranueshëm dhe legjitim në politikën shqiptare. Si në përrallë, duke ndjekur interesat e veta të ngushta, këta e kanë nxjerrë xhindin nga shishja, dhe xhindi nuk do të hyjë më në shishe. Kombëtarizmi është i papajtueshëm me interesat, me sjelljen, me qënien, dhe me vlerat e parisë së Tiranës.
Papajtueshmëria e kombëtarizmit me parinë e Tiranës dhe varfëria e saj ideologjike shihet tek e shkuara e prijatarëve, tek përbërja e partive, tek përpjekjet për ndërtim koalicionesh si dhe tek programet politike. Duke mbledhur nën strehën e partisë respektive të gjithë mbeturinat e hedhurinat partiake, partitë e parisë së Tiranës duken si varreza makinash të dhëna me qera në shumë duar dhe të stërpërdorura në rrugën e Krujës. Nga ana e PD-së, mbas përdorjes së gjithfarë individesh që politikisht duhen përcaktuar si qese plastike të stërpërdorura, në këtë junkyard politik duhet të kthehet edhe një shitës i sprovuar makinash të përdorura si Eduard Selami. Nga ana e PS-së, këto mbeturina janë të ricikluara përmes shumë viteve në bizneset familjare, OJQ-të e në jetën civile dhe ndodh që bëhet lajm sensacional edhe kthimi i dikujt që Fatos Nano në mbledhjen historike tragjikomike të KPD-së së PS-së e quajti “lavatrice”. Kush ka mbetur pa u kthyer, duhet që të tregojë besnikërinë ndaj partisë e udhëheqësit pa kushte në shtypin e partisë ose të bizneseve që presin të përfitojnë nga lidhjet politike e mbështetja që i japin partisë dhe shefit në këto zgjedhje.
Papajtueshmëria e sjelljes së parisë me kombëtarizmin shihet edhe në metodën e mobilizimit dhe në zgjidhjet që ofrohen. Pavarësisht përdorimit të simboleve e koncepteve kombëtariste, ajo që mungon në këtë mobilizim e përplasje të pandërprerë që do të kulmojë me mitingjet qindramijra vetëshe në sheshet e Tiranës është ideologjia dhe sistemi i qartë i vlerave kombëtariste. Paria e ka gënjyer dhe mashtruar popullin shqiptar sistematikisht e pa kurrfarë brejtje të ndërgjegjes. Tashmë që miti i saj kryesor, ai i integrimit europian është sprovuar të jetë një mashtrim i pashembullt, sepse shqiptarët nuk janë europianë, BE nuk na don, dhe integrimi nuk do të ndodhë, paria po i kthehet kombëtarizmit. Ajo mendon se njerëzit do ta harrojnë mashtrimin e paskajshëm me integrimin europian. Integrimi nuk bëhet, nuk arrihet, nuk do të ndodhë. Kombëtarizmi po përdoret për të mbuluar dështimin e parisë.
Në nivel të programeve, Sali Berisha dhe PD nuk kanë program dhe natyrisht që nuk kanë ndonjë ideologji të qartë. Sllogani i tij është “Përpara”. Mirëpo përpara ai ka trishtimin e pleqërisë së thellë, dështimin e familjes, si dhe shkërmoqjen e Trustit të Gështenjave të Tropojës ndërsa ne kemi greminën morale dhe ekonomike në buzë të cilës na kanë sjellë. Edi Rama ka një farë programi por programi që propozohet është një zhbërje e vendimeve të qeverisë së deritanishme, thënë me një shprehje kumarxhinjsh që është në modë në parinë e Tiranës, d.m.th., “don me i përzie letrat” e me nxjerrë dicka për mbështetësit e deputetët e vet. Shkurt, pavarësisht se si do ndodhë, rotacioni është vazhdimi i lojës së njohur katundare, me variacionin e pritshëm, por gjithnjë në kurriz të shqiptarëve, simbas parimit “në ato maja rripa-rripa, herë ja hipe, herë ja hipa” të përtypjes së kockave që i kanë ngelur shtetit dhe ekonomisë shqiptare. Kushdo që të fitojë nga palët e parisë, këta do të dalin “jek e jek” sepse cmimin do ta paguajë populli shqiptar që këta e trajtojnë si skllavin e tyre. Këta janë të bindur që populli nuk ka zgjidhje të tjera. Këta po punojnë me ethe që të mos ketë zgjidhje të tjera. Edhe përdorimi i kombëtarizmit është në funksion të këtij qëllimi, d.m.th. që shqiptarët të mos kenë zgjidhje të tjera. Duke e marrë vetë flamurin e kombëtarizmit këta nuk lënë të tjerët që të hyjnë në lojë me besueshmërinë e duhur.
Mirëpo, dihet pa filluar se slloganet kombëtariste që përdor me kaq bollëk nuk do ta ndryshojnë fare sjelljen e parisë. Edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, metodat kryesore të përdorura prej parisë për të arritur objektivat e saj do të jenë ato që kanë qënë gjatë gjithë tranzicionit. Personalizimi i sherrit, akuzat e shfrenuara dhe surreale, organizatat fantazëm që akuzojnë për gjithcka e gjithkënd, simbolizmi i nuancuar dhe i halabakëzuar, gërricja e plagëve historike, shmangja e problemeve reale, propaganda e shfrenuar mediatike përmes dhjetra gazetave, radiove e televizioneve në shërbim të klaneve të parisë, terrori ekonomik me bukën e gojës, kriminalizimi i shpejtë dhe i mëtejshëm i shoqërisë, diskreditimi publik dhe sistematik i të gjithë kundërshtarëve, rekrutimi si instrumente të hapura e të paguara i analistëve dhe opinionistëve, tallja e hapur me investimet, loja me interesat jetike të një populli të coroditur, manipulimi me listat, komisionet zgjedhore, me të huajt, me stabilitetin rajonal, loja e paskrupullt me mendësinë katundare, përzgjedhja e më të përlyerve si kandidatë, e kështu me radhë. E vetmja pikë për të cilën nuk do të diskutohet është ndershmëria. Kur duhet me vjedhë, hajnat bëjnë atë janë mësuar të bëjnë instinktivisht dhe politikanët tanë do të sillen njëlloj; ata do t’i vjedhin edhe këto zgjedhje. Shkurt, ky është një film që e kemi parë dhe që tashmë dihet se si do të përfundojë. Kombëtarizmi është mashtrimi i rradhës I përdorur nga paria.
Po atëherë pse paria e Tiranës po i drejtohet përherë e më fort kombëtarizmit? Shpjegimi duhet kërkuar tek interesat e saj të ngushta. Së pari, paria e Tiranës janë një grusht klanesh oligarkike që mendojnë vetëm e vetëm për pushtetin e pasurimin e tyre. Këta i urrejnë shqiptarët dhe kanë punuar sistematikisht, pa ndërprerje, dhe pa pikën e vrasjes së ndërgjegjes kundër interesave të shqiptarëve. E megjithatë këta po i bien me shumë fuqi tupanit, daulles, lodrës nacionaliste. Sjellja e tyre nuk është e besueshme. Këta nuk janë kombëtaristë shqiptarë, nuk kanë qënë ndonjëherë, nuk kanë pasur se si të jenë. Këta janë përfaqësues të klaneve të krimit në politikë. E një politikan kombëtarist punon jo për të vjedhur, vrarë, dëbuar, zhvatur, degjeneruar, kriminalizuar, shkatërruar, rrënuar e shitur kombin e vet. Një politikan kombëtarist punon për ta lulëzuar, ndërtuar, begatuar, mbrojtur, nderuar, vlerësuar dhe me dashuri për popullin e vet. Këta nuk janë kombëtaristë por hajna. Arsyeja pse këta po sillen si kombëtaristë, dhe e kthejnë pllakën sa iu flet një përfaqësues i huaj, nuk eshtë vetëm se janë mësuar të hapen e të mbyllen pa shumë vështirësi, ta veshin e ta zhveshin petkun simbas parimit “ktheje nga të fryjë era.” Këta po sillen si kombëtaristë sepse populli shqiptar ka pësuar një ndryshim të thellë gjatë këtyre viteve tranzicion.
Përtej interesave të ngushta të parisë së Tiranës, arsyeja e vërtetë pse këta po i drejtohen kombëtarizmit është se ndjenja kombëtare është e zgjuar ndër shqiptarët. Kombëtarizmi, bindja se shtet-kombi është zgjidhja, edhe pse e pashtjelluar dhe e kuptuar si duhet ka zënë rrënjë. Shqiptarët, si ata që kanë qënë në mërgim dhe që kanë parë shtet normale, si ata që janë zhgënjyer gjatë tranzicionit nën sundimin e parisë, si brezi i ri që nuk ka njohur sisteme të tjera dhe që kërkon punë, nder e dinjitet, e ndjejnë se zgjidhja është një shtet-komb normal. Është e habitshme, por ka edhe nga ata që kanë gabuar një kohë, e që tash po duhet t’i përjetojnë në kurriz prej fëmijëve të tyre atë që iu kanë bërë të tjerëve, kanë filluar të kuptojnë se pa shtet e pa komb nuk ka as përparim, as begati, as nder, as dinjitet, as zhvillim e progres. Mbasi na shpërtheu qelbi që kishim në shpirt, dhe mbasi kemi provuar shumëcka, mbasi iu lamë rrugë të lirë veseve e shtrembësisë njerëzore, tashti kemi filluar të duam të jemi njerëz, dhe e kemi kuptuar se duhet të jemi njerëz. Dhe njeriu është njeri në një shoqëri kombëtare, me një shtet të fortë e që i mbron interesat e njerëzve.
Prijatarët e parisë e ndjejnë se në mendësinë tonë po ngren kokën ai katundari i mencur dhe pozitiv, ai që e don dinjitetin e nderin, ai që e kupton se duhet një shtet që ta mbrojë nga e keqja, ai që e sheh se krimi është rruga e ferrit, ai që e kupton se kjo rrugë ku jemi nisur është rruga e pashpresë. Ky është xhindi që ka dalë nga shishja. Tashti këta duan që ai, katundari fisnik shqiptar, ai që mendon për familjen, që kursen, që sakrifikon, që ndërton, që lufton me thonj e me dhëmbë me jeten duhet të votojë për ta. Këta duan që ai, katundari fisnik, të bëhet bashkëfajtor në krimin e tyre. Dhe për këtë e ndjellin me dashninë e katundarit për familjen, nderin, kombin. Dashnia e fëmijës për nanën është e verbër, dashnia e të pashpresit për grupin që i jep mbrojtje, nder e dinjitet, është shumë e fuqishme. Duke përdorur flamuj e fjalë ndjellëse kombëtariste, këta duan që shqiptarët të mos merren me krimet e tyre as të shkuara e as të pritshmet. Si gjithnjë, paria i thotë popullit atë që populli dëshëron me dëgjue. Shqiptarët duan të jenë kombëtaristë dhe paria po sillet sikur këta i kanë shpëtuar shqiptarët nga e keqja dhe sikur janë kombëtaristë.
Së treti, prijatarët e parisë së Tiranës po sillen si kombëtaristë sepse në politikë kanë dalë forca që po gëzojnë mbështetje në popullin shqiptar. Duke u paraqitur si kombëtaristë këta duan të marrin vota, të dobësojnë këto forca politike, por edhe në të njëjtën kohë të paraqiten si aleatët e mundshëm të këtyre forcave politike. Nga ana tjetër, duke ndjekur me vëmendje sjelljen e këtyre forcave dhe sinjalet që po dërgohen në shtyp, duket se edhe këta që po paraqiten si kombëtaristë kanë rënë në kurthin e klaneve të parisë. Sjellja e parisë si kombëtariste ua justifikon këtë aleancë zgjedhore që mund të bëjnë. Mirëpo kjo lloj sjelljeje do të ishte shërbimi më i mirë që këto forca do t’i bënin vetë parisë. Kjo lloj sjellje është tejet e dëmshme për interesat e shqiptarëve. Ata që duan të punojnë për popullin e vet e bëjnë luftën si në Kuvend ashtu edhe jashtë tij. Në se vërtetë duan t’i shërbejnë popullit, këta nuk duhet të bëjnë kompromise me asnjërën palë. Pala e tyre duhet të jetë populli shqiptar. Këta nuk duhet as të guxojnë që të zhgënjejnë popullin e kombin shqiptar. Mirëpo, duket që paria e Tiranës mendon se e din mirë se gjithkush në Tiranë e ka një cmim. Politikanët që paraqiten si kombëtaristë duhet ta dinë se kombëtarizmi është është pronë e tyre. nuk e kanë shpikur ata. nuk e kanë formuluar ata. Zgjidhja që ata kanë është që ose t’i shërbejnë popullit ose ta përdorin këtë ideologji për të marrë një vend në kuvend. Por kjo nuk do ta ndalë kombëtarizmin si ideologji.
Së katërti, kombëtarizmi është një ideologji e pashmangshme në politikën shqiptare. Si në të gjithë rastet e kombeve në krizë, popujt nuk duhet të mbështeten tek individët por tek një ideologji e caktuar si dhe tek zgjidhjet që ajo ofron. Duket se mbas zhgënjimeve të shumta shqiptarët po kthehen tek kombëtarizmi. Shprehjet e kësaj ideologjie në politikë e në hapësirën publike tashmë janë legjitime. Prandaj sjellja e parisë ndaj kombëtarizmit tregon qartë se sa kritike është gjendja e saj. Duke dashur të përdorë kombëtarizmin, paria ka ngjallur armikun e saj për vdekje. Duke u përpjekur për të kooptuar, për të lidhur në koalicione forcat që promovojnë ideologjinë kombëtariste paria po kërkon një zgjidhje që të fusë xhindin në shishe.
Përdorimi i paskrupullt i kombëtarizmit nga ana e parisë dhe e veglave të saj është jo vetëm një përpjekje e ulët dhe e pandershme për të thyer shqiptarët, por edhe një shenjë e qartë e varfërisë ideologjike të parisë. Përditë e më shumë, oligarkia e parisë së sotme shqiptare përdor mjete direkte ndikimi e influence, përplasje personale midis prijatarëve të parisë dhe gjithnjë e më pak argumente ideologjike. Varfëria ideologjike nuk mbulohet dot me këta tipa të skaduar, me këto parime dhe me këto sjellje. Varfëria ideologjike mbulohet më shumë se gjithcka nga mangësia e alternativave. Mirëpo, kombëtarizmi është një alternativë reale, e prekshme dhe e mundshme. Edhe në se paria ia arrin që t’ia hedhë edhe kësaj here dhe t’i përdorë si zare individë të caktuar, ideologjia kombëtariste është bërë pjesë e debatit politik dhe influence e saj do të ndjehet shumë më fuqishëm në vitet e ardhshme. Duke kërkuar për ta përdorur për interesat e veta, paria e Tiranës e ka nxjerrë xhindin nga shishja. Ajo mund t’ia hedhë edhe në këto zgjedhje, por në përplasjen me kombëtarizmin ajo nuk mundet me fitue përgjithmonë.