Home » ANALIZA » PAKTI I PARISË SË TIRANËS: PRIJATARËT, MILITANTËT DHE KATUNDARËT

PAKTI I PARISË SË TIRANËS: PRIJATARËT, MILITANTËT DHE KATUNDARËT

Pakti i Parisë së Tiranës ka krijuar një gjendje jashtëzakonisht të vështirë për militantët e politikës shqiptare sepse i ka lënë pa kundërshtarë. Na dolën ata që deri dje shiteshin si hasëm për vdekje, bij të një nëne, të Nënës Parti. Urtë e botë, u morën vesh dhe e bënë Paktin që t’ua fusin të gjithë të tjerëve.

Pakti i Parisë së Tiranës ka treguar se militantët dhe fanatikët janë të përdorur pa mëshirë në të shkuarën. Pakti ka treguar se plani i parisë është që t’i përdorojë edhe më shumë e më pa mëshirë në të ardhmen. Pakti ka treguar hapur se idhujt e militantëve nuk ishin Perëndi, por Djajtë e Ferrit dhe Shejtanët e Xhehnemit. Këta i kanë mashtruar shqiptarët pa mëshirë, pa dhimbje e pa mëdyshje. Tashmë, paria iu ka dhënë shqiptarëve zgjidhjen e fundit. Sepse edhe militanti, e bile edhe më fanatiku prej budallenjve duhet të ndrrojë mend. Pakti tregoi qrtë se rruga që ndjek paria është ajo e shkatërrimit, e vetëvrasjes dhe e skllavërimit. Pakti i parisë i ka kthjelluar ujrat dhe zgjidhjet që kanë njerëzit janë krejtësisht të qarta. Ose me iu kundërvue hapur parisë oligarkike, ose me pritë fundin e pashmangshëm të skllavërisë nën sundimin oligarkik të parisë së bashkuar të Tiranës që ka ndërtuar një sistem shumë më të dëmshëm e vdekjeprurës se ai që përjetuam nën Partinë e Punës, pjella të së cilës janë edhe këta.

Dy Fjalë mbi Militantët

Militantët politikë janë pjesa më agresive, më e egër dhe më e pabindshme e shoqërisë, e cdo shoqërie. Ata besojnë tek partia, tek grupi, tek vlerat dhe ideologjia e saj në formën më fetare të mundshme. Bota e tyre është bardh e zi, dhe e ndarë me thikë në ‘të mirë’ e në ‘të keqe’. Në një sistem demokratik, militantët janë më shumë se tifozë skuadre, sepse kanë bindje dhe i zbatojnë ato në jetë. Por ata kanë peshë shumë se kanë në dorë të ardhmen e vendit. Si pakicë ata janë shumë trazues dhe si njerëz ata e kanë votën e gatshme për dikë të cilit ata i besojnë verbërisht.

Por ka edhe një ekstrem të militantizmit që është fanatizmi. Fanatikët janë njerëz që kanë bindje qorre. Këta ndjekin rrugën edhe kur ajo nuk të con askund. Fanatiku nuk pyet për argumente të kundërta, për ide, e për mendime ndryshe. Fanatiku politik mendon se i din të gjitha. Për të, gjithcka është ose e vërtetë ose e rreme, nuk ka asnjë hapësirë gri. Në ekstremin e llojit, kur prijatari i partisë i thotë të bardhës e zezë edhe fanatiku i thotë ashtu. Dallimi midis fanatikëve fetarë dhe atyre politikë është thjesht se dikush beson tek Zoti e dikush beson tek dikush që i duket Zoti. Shpesh katalizatori që i bën fanatikët vegla politike është injoranca e tyre e varfëria. Sa më të varfër e sa më të paditur, aq më të varur janë nga paria, aq më fanatikë paraqiten dhe bëhen shumë më të rrezikshëm.

Për fat të keq, militantët dhe fanatikët tanë janë të shumtë. Mjafton të shohësh mitingjet, të shkosh në kafene, të fillosh një bisedë. Gjithkush flet për politikë, të gjithë janë hipokritë shembullorë, por e ruajnë vijën e partisë të paprekur. Shqiptarët jetojnë me partinë e tyre, për partinë e tyre dhe në një farë mënyre ia kanë kushtuar veprimtarinë dhe e kanë lidhur jetën me partinë e udhëheqësin e saj.

E ne kemi shumë militantë e fanatikë të gjithkujt e të gjithfarë lloje partish. Megjithatë, Pakti i Parisë e ka vënë këtë lidhje në pikëpyetje sepse nuk ka më dy a tre skuadra të parisë. Pakti tregoi se paria është e rreshtuar në një anë dhe populli është në anën tjetër. Tashmë ka dy skuadra. Dallimi është se kjo nuk është fushë futbolli. Kjo është një fushë përqëndrimi e internimi gjigande që quhet shteti shqiptar, në të cilin militantët e fanatikët përdoren nga paria për të dhunuar bashkëvuajtësit e tyre. E nesërmja do të jetë më keq se e sotmja. Por e sotmja është zi e me zi dhe një zot e merr me mend se sa më keq mundet me kenë e nesërmja.

 A janë Militantë e Fanatikë shqiptarët?

Tashti duhet të bëjmë një rivlerësim të militantizmit, se ne, shqiptarët, jemi pak më ndryshe se të tjerët. Në shtetin shqiptar mendësia katundare është sunduese dhe është vështirë me kenë e me u shitë e me u pranue si fanatik si shumë seriozisht. Me kene militant i paguem është e pranueshme dhe kuptohet e bile miratohet shoqërisht sepse ashtu sigurohet jeta e shumë familjeve dhe buka e gojës. Prandaj, edhe pse mund të shiten si besnikë të dikujt, gjithkush nga shqiptarët ka tre tesera partie në xhep, dhe gjithsecili vëlla e kunat është në parti tjetër si sigurim familiar. Kur vjen darka e kur ndrrohet qeveria, të gjithë merren vesh dhe ai që del në krye si militant apo fanatik i partisë/prijatarit mbron pjesën tjetër të fisit. Në shumë vende, në krye të fisit dalin më të mirët e më të zotët, më të urtët e më të ndershmit edhe punët atje shkojnë mirë. Kur në krye të fiseve e të familjeve dalin hajnat, cubat, mashtruesit e kriminelët, atëherë në atë familje plas sherri, hyn e keqja dhe e keqja kur hyn në një shtëpi nuk del për njëqind vjet. Të dypalët sillen simbas parimeve katundare “larg vatrës sime,” “bjeri i forti të ligut,” etj.  Kur më i madhi i familjes është si puna e ime, atëherë paria bën cka mundet me pjestarët e tjerë që përndiqen deri në shkatërrim. Por, ka ditë që zbardh edhe për ne.

Mirëpo në shtetin shqiptar ka një masë të konsiderueshme individësh që për arsye të ndryshme janë militantë të bindur të partive politike dhe deklarohen se besojnë në ideologji. Indoktrinimi i gjatë e ka bërë punën e vet. Militantët e PS-së, shumica ish-anëtarë partie e funksionarë të nomeklaturës, besojnë tek partia socialiste. Ideologjia e kësaj partie formalisht është ‘e majtë’ kolektiviste, dhe strukturat e parties deklarojnë se punojnë për të zbatuar një ideologji të tillë në të mirë të popullit. Në fakt, nuk kanë bërë asgjë për popullin. E vetmja kohë e sukseshme, është koha e Fatos Nanos që vodhi vetë dhe I la të gjithë të vidhnin. Dhe kjo ka qënë e vetmja strategji kolektiviste e PS-së. Pra, edhe pse udhëheqja e PS është e përbërë nga milionerë që sinqerisht besojnë tek globalizmi e tregu i lirë sic beson i ashtuquajturi filozof i PS-së, Servet Pëllumbi, militantët e fanatikët e PS besojnë tek partia dhe tek kryetari i radhës. Pra, fanatizmi i këtyre skllevërve modernë konsiston në mbështetjen pa kushte të milionerëve nga fukarenjtë. Si tha ajo gruaja e pa martuar nga Berati “pa drita rrimë, por aman ju të merreni vesh.” Ky është fanatizmi në këtë anë të fushës së kampit të përqëndrimit.

Nga ana e tyre, militantët dhe fanatikët e PD-së kanë një urrejtje patologjike kundër PS-së, që i shohin si komunistë, enveristë dhe si mbeturina të së kaluarës. Këta besojnë se Sali Berisha solli demokracinë, lirinë e tregut, kapitalizmin e me radhë. Këta bësojnë se Sali Berisha mendon për popullin, për kombin, për fëmijët e tyre dhe se, më e bukura, se Sali Berisha është luftëtari më i egër i kastës së Bllokut dhe i komunizmit. Në shtetin shqiptar nuk ka komunistë, të gjithë janë bërë borgjezi, por hajt ma, këta janë skllevërit e tjerë që do të përdoren si mish për top nga ana e parisë. Këta fanatikët të klasifikojnë si ‘komunist’ edhe kur e ke pasur gjyshin kryetar kooperative. Ky është fanatizmi i nivelit më të ulët e injorant.

Llojet e Militantëve Në Politikën Shqiptare

Mabsi u mora pak me dyllojet e militantëve skllevër e të përdorur hapur e pa mëshirë, le të merremi pak me militntët tanë ekzotikë. Militantët dhe fanatikët më interesantë artistikisht janë ata që mbështesin kauzën e integrimit të Ilir Metës, që është thjesht një rrenë e pastër, e pambrritshme dhe e parealizueshme. Po ashtu objekte humori janë edhe militantët e fanatikët e Partisë Aleanca Demokratike që beson në aftësitë ushtarake të Arben Imamit e zotësinë diplomatike të Neritan Cekës sic besonin dikur në aftësitë ekonomike të Gramoz Pashkos. Por më karagjozët e të gjithëve janë militantët e Lefter Xhuvelit, që duan të mbrojnë ambjentin, si dhe ata të partisë republikane të Fatmir Mediut që deklarohen të djathtë dhe mbrojtës të pronës pa e luajtur gishtin një herë për atë punë. Militantët më simpatikë janë legalistët. Këta duan që shteti shqiptar të kthehet në vitin 1925, edhe pse pretendenti për fronin është këshilltar i presidentit republikan dhe nuk e lë dot punën se është hollë nga gjendja.

Sic shihet edhe nga ky përshkrim i shkurtër, ka një dozë të dallueshme marrëzie kolektive në zgjedhjen e partive dhe të strukturave. Sepse këto parti nuk kanë ideologji.Këto parti nuk kanë vlera. Këto parti nuk kanë nder. Këto parti nuk kanë asnjë interes t’iu shërbejnë shqiptarëve. Edhe kur kanë pretenca ideologjike ato janë kokolepsje marrinash dhe ofrojnë një corbë slloganesh që nuk janë as konsistente e as koherente. Këta parti duan skllevër e shërbëtorë. Për kortezi i quajnë militantë, aktivistë, qëndrestarë e mbështetës.

A Janë Militantët Vërtetë Militantë?

Që këta nuk janë militantë kuptohet nga fakti se udhëheqësit e këtyre partive nuk dinë cka flasin dhe ia fusin kot kodra mbas bregut e breg mbas kodrës. Gjithkujt që studjon militantët i kujtohet Fatos Nano që fliste një gjysëm ore, gromësinte pa ndërprerje, i linte të gjithë me gojën hapur dhe në fund njerëzve iu vinte turp që të thonin se nuk kuptuan gjë dhe prandaj duartrokisnin. E vetmja herë kur e kanë kuptuar ka qënë në atë Mbledhjen e famshme të KPD-së. Por deri këtu po themi se këto gjëra janë të parëndësishme, sepse njerëzit duhet me besue diku dhe ata kanë zgjedhur të besojnë.

Por unë e kam një fije dyshimi se kjo është lojë. Si edhe e thashë më lart, ndoshta edhe këta që shtihen si militantë, e kanë të njëjtën agjendë si katundarët e zgjuar dhe po planifikojnë që të mbrojnë e ruajnë interesat e tyre. Ndoshta mbështetja e tyre është simbas parimit tjetër të sprovuar katundar, “kalova lumin, të vjedhi edhe kalin.” Sepse koha ka treguar se parimet katundare “qeveria e zë lepurin me qerre” dhe “më mirë një mik se një ciflik” sidomos kur miku është në krye të shtetit funksionojnë. Duket sikur kjo është edhe loja e militantëve.

Ajo që të bind për këtë është sjellja e militantëve dhe fanatikëve socialistë me Fatos Nanon. Sa ishte krye të shtetit, jo vetëm që i bënin temena, por edhe lëpinin të gjtihë muskujt që lëviznin. Sa iku nga pushteti, jo vetëm që nuk ia hapin telefonin, por nuk lënë gjë pa thënë për të. Dhe për kë? Për atë që ua la amanet Udhëheqësi i Shquar dhe Shoqja Nexhmije. Po me këta që nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe që janë vegla të përdorura nga të gjithë regjimet si do të sillen? Eh, Kam dyshim se militantët do ja fusin një teke raki dhe mbas asaj të parës nuk dihet se cka ndodh.

Militantët dhe Problemi i Paktit të Parisë së Tiranës

Që të kthehemi në realitetin e këtushëm. Mbas Paktit të Parisë së Tiranës, dilema e të gjithë qytetarëve shqiptarë, por edhe e militantëve dhe e fanatikëve, është e qartë. Ose shqiptarët duhet të dorëzohen para së keqes e të nënshtrohen përfundimisht duke e humbur nderin, familjen, fëmijët, të ardhmen e sigurinë për bukën e gojës në një shtet modern skllavopronar të parisë së Tiranës, ose duhet të hapin sytë e të rebelohen. Dhe zgjidhja nuk është aspak e lehtë, sidomos për militantët e partive respektive që deri me datën 1 Prill 2013 kishin bindjen se këta që i drejtojnë kanë vlera ose kanë në mend mbrojtjen e interesave të tyre. Mbas këtij Pakti të Parisë së Tiranës është parë qartë se këta që i drejtojnë janë koka e Gjarpërit të Ferrit që po matet për t’i kapërdirë si minjtë, një e nga një derisa të mos mbesë asnjë.

Pakti tregoi se në shtetin shqiptar ka një diktaturë oligarkike. Pakti i Parisë së Tiranës tregoi qartë që ka një parti të vetme, që është partia e zhvatjes dhe e vjedhjes. Pakti tregoi se partitë dhe prijatarët nuk kanë asnjë vlerë ideologjike. Pakti i Parisë së Tiranës tregoi se këta janë një parti, partia e Lekut dhe e Interesit. Pakti tregoi se këta janë mafiozë të gjithë bashkë. Për dikë që të jetë tifoz duhet që të paktën të ketë një kampionat futbolli. Paria e Tiranës lot në një skuadër dhe njerëzit, të gjithë të tjerët, shqiptarët, militantët, fanatikët dhe injorantët janë në skuadrën kundërshtare. Sepse loja nuk është midis dy gjarpërinjve dhe minjtë fanatikë presin që njëri të hajë tjetrin. Pakti tregoi se kjo është loja e gjarpërit me minjtë dhe të gjithë këta militantë e fanatikë janë dreka e darka e dreqit, d.m.th. e gjarpërit të parisë të Tiranës. E shqiptarët janë një popull i vështirë.

Përfundimi

Nuk ka përfundim në këtë analizë sepse përfundimi do të merret vesh mbas Qershorit të vitit 2017. Askush nuk e di se cka po bluajnë katundarët e shumtë që nuk kanë lënë gjë pa bërë për të siguruar një kafshatë buke, një pronë në tokën e vjedhur, e me trafik njerëzish, droge e armësh, për të ushqyer fëmijët e tyre dhe për t’u dukur se kanë pushtet. Militantët e hershëm ruanin letrat prej mbretit dhe të gjithë i vinin në krye të vendit. Militantët e dikurshëm të sistemit vishnin një xhaketë oficeri dhe kryetari i kooperativës i kishte frikë. Këta të sotmit kanë vënë prona e pasuri dhe po presin. Kështu duket sikur sillen mirë, por kur të fillojë paria t’i taksojë, dhunojë e përdorojë, atëherë do ta shohim se sa militantë e fanatikë janë. Sepse si katundarë fisnikë që jemi, i durojmë të gjitha, por kur vjen puna tek prona, të fusim një plumb dhe bëhemi kacakë e cuba, nuk pyesim për parti e militantizëm dhe atëherë, edhe ky dikushi që mendoi se u bë Zot, bëhet një copë katundari si ne të tjerët. Atëherë fillohet edhe loja prej fillimit.