Home » ANALIZA » ZGJEDHJET DHE PROBLEMI I BORXHEVE TË SHTETIT SHQIPTAR

ZGJEDHJET DHE PROBLEMI I BORXHEVE TË SHTETIT SHQIPTAR

(Ky shkrim është botuar së pari më 12 Mars, 2013)

Shoqëria shqiptare po shkon në këto zgjedhje me një barrë problemesh të frikshme ekonomike, shoqërore, kulturore e politike. Por përleshja e radhës, si gjithnjë, është midis prijatarëve partiakë dhe kjo sjellje mbulon problemet e shumta e të pakapërcyeshme me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Një nga këto probleme që prek ndjeshëm të gjithë fushat e jetës është edhe borxhi publik.

NJë shoqëri e mbytur në borxhe

Fatkeqësia e vërtetë është se borxhi publik është vetëm njëri nga borxhet që kemi si shoqëri. E gjithë shoqëria shqiptare është e mbytur në borxh. Shteti është i mbytur në borxh. Familjet janë të zhytura në borxh. Bizneset janë në borxh. Shoqatat jofitimprurëse janë në borxh. Edhe organizatat fetare kanë marrë borxhe (nuk ka rëndësi me interes apo pa interes). Shteti iu ka borxh bankave dhe individëve. Bizneset iu kanë borxhe bankave, individëve dhe bizneseve të tjera si në para ashtu edhe me premtime dhe të huajve. Deri edhe bankat tona kanë borxh një miliardë dollarë tek bankat e huaja.
Përtej dukjes sipërfaqësore, individët e familjet shqiptare kanë borxhe e kredi pa fund për shtëpi, apartamente, makina, për të paguar shkollat e fëmijëve, operacionet e doktorëve, për mobilime dhe cka nuk ndodh kund tjetër, edhe për të shkuar me pushime deri në Maqedoni e në Turqi. Shqiptarët marrin borxh për të rregulluar thonjtë, për të blerë një cantë luksi, për të marrë bukën me lista, për ta shtyrë deri në marrjen e pensionit, në pritjen për ardhjen e ndihmës nga emigrantët e familjes, për dasma, synetllëqe, e për funerale. Ka shumë që marrin borxh për të rregulluar varret, gomat e makinës, dhe për të blerë një Iphone. Ka studime lidhur me borxhet, mirëpo në këtë pikë, mua nuk më intereson as aspekti ekonomik, as aspekti sociologjik apo antropologjik. Borxhi i bën njerëzit që të mbyllin gojën e të mos i dalin kundër sistemit. Borxhi i bën peng të parisë që iu hedh një kafshatë buke dhe i mban peng. Borxhi i mban familjet pengje të krimit e të bankave që mbajnë hipotekat e shtëpive e të pronave për 30 vjet. Borxhi është kulari në qafën e shoqërisë shqiptare. Borxhet e kanë paralizuar ekonominë, si ato që janë marrë nga bankat e nuk kthehen, si ato që janë bërë me marrëveshje e nuk respektohen, si ato që janë bërë në mall, port ash që malli nuk ka më të njëjtën vlerë po i fundosin afaristët, ndërtuesit, investuesit e të tjerët.
Por, në këto zgjedhje mua më intereson borxhi i shtetit si problem politik. Borxhi i shtetit është një fenomen ekonmik, por edhe më shumë politik që ka efekte të ndjeshme në politikat e shtetit, në sjelljen e individëve dhe të të gjithë shoqërisë. Prandaj, në këtë shkrim dua të ndalem vetëm tek borxhi i shtetit shqiptar. Ky duhet të jetë problem kryesor politik dhe që duhet debatuar por që është zëvendësuar nga llapazanëria e komentatorëve injorantë e shërbyes të klaneve të parisë që prashisin në emisionet e përnatshme.
Në mos e dyta, pyetja e tretë që iu duhet bërë pushtetarëve të tashëm dhe të ardhshëm, që mund të jenë të gjithë bashkë në një qeveri “me bazë të gjerë” është pikërisht kjo: cfarë do të bësh ti me borxhin e shtetit? Si do ta zgjidhësh ti këtë problem? E di që nuk do thonë asgjë, dhe do të thonë si Saliu “do rrisim rrogat 700 dollarë në muaj.” Kjo nuk e ul borxhin e shtetit, por e shton. Ulja e taksave e shton borxhin se paratë duhet të dalin prej diku për ta paguar borxhin e shtetit. Zgjidhja që këta na japin është një mashtrim i pastër. Zgjidhja e vetme është që taksojnë furishëm e rëndshëm të gjithë shqiptarët, të mbysin ekonominë dhe të na kthejnë në kohën e sistemit kur punonim me bukë e djathtë, me një misërnike e dhallë për të ndërtuar bunkerët. Sot do të bëjmë të njëjtën gjë por për të paguar borxhet që i ka marrë paria e Tiranës në emër të të gjithë shqiptarëve.

Borxhi i Shtetit

Shteti shqiptar ka marrë përsipër shtatë lloje borxhesh të ndryshme dhe ka detyrime karshi të gjithë atyre që e konsiderojnë këtë paketë borxhesh si legjitime. Nuk ka shanse që shteti dhe qeveria qe do të dalë nga këto zgjedhje t’i përballojë e t’i paguajë këto borxhe. Por të paktën duhet një vështrim i përciptë mbi strukturën e borxhit shtetëror që të jemi të qartë se në cfarë gjendje mjerane jemi dhe sa urgjente është nevoja për zgjidhjen e duhur. Duhet me e thanë të vërtetën edhe pse nuk është e këndshme.
Së pari, shteti iu ka marrë borxh biznesmenëve dhe qytetarëve investitorë. Kështu, borxhi i brendshëm është rritur gjatë vitit 2012 me 513 milionë euro. Llogaritet që shteti shqiptar iu ka borxh bizneseve private që kanë ndërtuar e zbatuar projekte të ndryshme dikund rreth 200 milionë euro. Shumë nga këta biznese nuk kanë më shpresë se do ti marrin borxhet që iu ka shteti ndonjë ditë. Më e bukura është se këta janë ata që kanë guxuar e kanë dalë e i kanë deklaruar/kërkuar paratë shtetit dhe që e kanë bërë këtë të shtyrë nga dëshpërimi i thellë. Këta kanë investuar shumë në makineri edhe të shtrenjta sepse të tilla ishin premtimet që iu bënë dhe tash nuk i përdorin dot. Tashmë janë të pazotët që të lëvizin edhe gishtin. Ata që iu mbajnë paratë bizneseve që janë të pastra, duhet të mbajnë përgjegjësi por kryeministri i ardhshëm do të duhet të cojë avokatët e shtetit nga një gjyq tek një tjetër.
Së dyti, shteti shqiptar iu ka borxh bankave të huaja e shteve të huaja (iu kemi borxhe rreth 25 shteteve, ndër të tjerë edhe Serbisë) që i duan paratë me një inflacion të siguruar, sepse borxhet janë marrë në euro ose në dollarë dhe leku ka marrë tatëpjetën dhe po zhvlerësohet përditë. Vetëm 1/3 e borxhit është ne euro e dollarë, por me lekun e zhvlerësuar kjo po bëhet problem. Borxhi i jashtëm i ekonomisë arrin në pesë miliardë e ca Euro. Borxhi i shtetit, vetëm i shtetit dhe jo borxhi i jashtëm i bizneseve e bankave, arrin në pak më pak se tre miliardë euro. Po ashtu vlerësimi i aftesise borxhmarrese te shtetit shqiptar është në nivele të shteteve te falimentuara.
Nga ana tjeter, borxhi i jashtë është rritur me nivele marramendëse edhe pse kjo u fsheh mirë e paq nen nje rritje fiktive te ekonomisë dhe duke u mbuluar me gjethen e fikut të përqindjeve të rritjes që e bënë Kinën të duket si një ekonomi e prapambetur. Vetëm në vitet 2007-2009 borxhi i jashtë është rritur me 25% sepse u bë rruga e kombit dhe me të njëjta ritme vitin tjetër derisa u kuptua se nuk marrim dot me borxh me interesa te pranueshme dhe tash eshte 300% e borxhit të jashtëm që ishte në vitin 2005. Cdo zhvlerësim i lekut (inflacioni është i qartë, zyrtarisht tek 5% po shihe tek mallrat e konsumit të gjerë se është më i lartë) kur vjen bashkë me rënien e ekonomisë, që edhe kështu nuk prodhon gjë, e vështirëson jashtëzakonisht shumë pagesën e këtyre borxheve. Kur kësaj pike i shtohet që ne importojmë trefishin e asaj që eksportojmë, dhe kur eksportojmë nuk eksportojmë tjetër në masë vec minerale, fasoneri e lekure, sepse kemi një ekonomi në të cilën zeri kryesor është tregtia me 48% dhe ku industria jep vetëm 8% të prodhimti kombëtar kuptohet se sa e vështirë dhe e pakapërcyeshme është gjendja e jonë.
Shumë borxhe të jashtme na janë dhënë me interesa të ulta por po iu afrohemi 20-25 vjetëve kur interesi fillon e kërcen dhe shuma që duhet paguar rritet ndjeshëm. Nuk duhet harruar që këto ishin borxhe të pastra që qeveritë shqiptare ia shitën popullit si “donacione” e “dhurata.” Ata që i morën këto borxhe dhe iu shitën këto shqiptarëve si ‘donacione’ edhe pse në rastin më të mirë ishin kredi të buta, duhet të mbajnë përgjegjësi. Kushdo që do të bëhet kryeministër nuk mund të paguajë borxhet pa i detyruar shqiptarët që të paguajnë taksa disa herë më të larta e shumë më të egra se tani. Por pyetja është e thjeshtë. A e kanë ditur këta prijatarë të parisë së Tiranës që këto janë borxhe gjaku dhe që janë laku në fyt të popullit shqiptar? Natyrisht dhe pa pikë dyshimi që e kanë ditur. Kujt nuk i kujtohen fjalimet capraze të qeveritarëve që pyeteshin në frengjisht e përgjigjeshin anglisht në forumet ndërkombëtare? Katundarët tanë nuk i kanë parë borxhet si problem sepse për ta ky ishte problem i shtetit. Të huajt të japing paratë e presin që ti kthesh, ndryshe mos i lyp. Paria duhej të dinte se cdo të bëhej me borxhet por ajo e fshehu të vërtetën. Tash shqiptarët duhet të paguajnë borxhet që mori paria, në emër të shtetit.
Së treti shteti shqiptar iu ka borxh pensionistëve, invalidëve, të persekutuarve, veteranëve dhe njerëzve në asistencë shoqërore. Secilit grup I detyrohet shuma marramendëse. Deri më tani borxhi i lidhur me sigurimet është mbuluar me financime nga shteti dhe me paratë e mbledhura nga emigrantët për fushatën e sigurimeve shoqërore ku njerëzit blenin vitet e punës me një shumë të caktuar. Në këtë pikë nuk ka më kush të blejë. Shteti duhet të paguajë dhe nuk ka ku i merr lekët për të paguar këtë borxh që i rrin si thes me gur në qafë sepse janë jo pak por 560,000 pensionistë dhe 117,000 familje në asistencë. 46% e Kukëksit jetojnë me asistencë shoqërore. Të gjithë këtyre shteti iu detyrohet për jetë dhe shuma që duhet të paguajë shteti për secilin e kalon 5-6 mijë euro.
Zgjidhjet që kanë gjetur në Tiranë janë hilera katundare të kuptueshme lehtë. E para zgjidhje është për të rritur moshën e pensionit; kjo ka krijuar pakënaqësi të jashtëzakonshme shoqërore. E dyta, është zgjidhja tjetër për ta rritur pensionin më ngadalë se zhvlerësimi real i lekut, d.m.th. duke e kalkuluar pensionin e inflacionin në mënyrë që të bjerë fuqia blerëse e pensionistit. Këtë e shohin njerëzit tek buka, mishi, orizi e vaji. Cmimet janë dyfishuar, dmth., leku është zhvlerësuar, dhe pensionet janë rritur shumë pak. Kjo gjendje ka krijuar pakënaqësi të prekshme tek masat e gjëra të popullit. Argumenti që shqiptarët jetojnë më gjatë është një mashtrim i paskrupullt edhe pse kemi 10-fishin e shkallës së kancerit që ka Europa. Por shteti dhe INSTAT luajnë me numrat dhe duan të bindin njerëzit se gjërat nuk janë krejt si duke.
Problemi është se sot shteti mbulon rreth 50 përqind të fondit të pensioneve dhe barra e shtetit do të vijë duke u rritur progresivisht në të ardhmen sepse sigurimet nuk kanë paratë e nevojshme. ky është një detyrim kontraktual me shtetasit që nuk shkelet lehtë sepse shqiptarët e moshës së kaluar shpesh nuk kanë të ardhura të tjera. Shpesh me atë pënsion të shkretë mbajnë edhe fëmijët e nipërit e papunë që dredhin zinxhirin kafeneve e pubeve të Tiranës.
Së katërti, shteti iu ka borxhe të mëdha zyrtarëve që nuk i ka paguar si duhet, atyre që u ka përzënë nga puna, profesionistëve, mësuesve, zjarrfikësve, ushtarëve komando, policëve e me rradhë që nuk i paguan me muaj të tërë. Skandali që u zbulua tek Fiks Fare dhe në gazeta, që as ushtarët e oficerët nuk i kishin marrë rrogat ishte shumë domethënës. Por në muajt e ardhshëm, shteti nuk do të ketë para që të paguajë rrogat e mësuesve, të pastruesve, të nëpunësve, të të gjithë të punësuarve e buxhetorëve.
Së pesti, shteti ka një borxh të jashtëzakonshëm për të mirëmbajtur strukturën dhe infrastrukturën në atë që quhet shpenzime operative. Ky është një zë që nuk shihet si borxh por shteti që ka mbledhur taksat, duhet të mbajë në këmbë infrastrukturën. Shteti duhet të mirëmbajë urat, rrugët, vendet e mbledhjes së plehrave, ndotjen etj. Këto nuk bëhen më frymë të shenjtë, për cdo gjë duhet para. Dhe ndërtesat, rrugët, zyrat, e materialet e kohës së sistemit të kaluar nuk punojnë e nuk funksionojnë më.
Së gjashti, shteti iu ka një borxh të madh qytetarëve shqiptarë që vazhdojnë të blejnë letrat me vlerë. Ankandi si ai i Gushtit të vitit të kaluar, apo ky që sa u bë muajin e kaluar i ktheu shtetasit shqiptarë në borxhlinj të vetvetes. Sot 15% e borxhit të shtetit është e blerë nga individët. Këta nuk janë të sigurtë se do të marrin shumë, por
Së shtati, ka nisur një fushatë për ta rritur buxhetin e shtetit duke ia kaluar barrën e dështimit të sektorit privat dhe të bashkive të ndryshme shtetit. Për shembull bankat po i kërkojnë shtetit që të paguajë kreditë me probleme që tashmë kanë shkuar në 22.7 % të kredive. Një vit më parë ishin vetëm 16.8 %. Por flitet se përqindja është edhe më e lartë por nuk don të prononcohet njeri sepse i frigohen ikjes së kapitalit. Bashkitë që nuk mbledhin të ardhurat e duhura janë në pikë të hallit dhe po kërkojnë subvencione nga shteti. Llogaritet që shteti duhet t’u japë rreth 2-2.5% të buxhetit bashkive që këta të kryejnë funksionet bazë, po ku do marrë qeveria këto para?

Shkaku I Gjendjes së një shoqërie të mbytur në borxhe

Pse e kemi këtë problem? E kemi pse paria e ka bindur popullin se borxhi është i domosdoshëm për zhvillimin. Po ku i investuan paratë këta që na sundojnë? Në rrugët që nuk të cojnë askund, dhe kur të cojnë diku behën autostrada vdekjesh sepse i kanë bërë rrugët e ngushta e si rrugë fshati, në ndërtesa që nuk vlejnë sepse iu ka hyrë lagështia lart e poshtë, në projekte që i kanë vjedhur vetë, në tunele ku do të kalojë lopa, në investime që janë përsëritur katërherë, në ura që janë bërë njëkalimshe, sepse kalimin tjetër e ka vjedhur ministri e me radhë.
Investimet ishin një mënyrë vjedhjeje e hapur, e paskrupullt që u pranua nga njerëzit që e shihnin shtetin si armik. Tash që duhen paguar borxhet, njerëzit do ta kuptojnë se shteti bëhet armik kur nuk e trajton si shtetin tënd. Problemi është se paria e Tiranës janë pasuruar në mënyrë marramendëse me këtë vjedhje të pandalshme dhe tashti do të sillen me teknikën e njohur “qe baba duart.” Do të fillojnë të grinden, “jo ti e bëre, jo e bëri ky që vdiq, jo kaq dim e kaq na mësuan” e me radhë. Po nuk do të ketë përgjegjës sepse faji do të bëhet qyrk. Në fund, të gjithë shqipatrët do të jenë fajtorë.
Këta hajna të parisë së Tiranës na kanë shitur si model zhvillimi një model skllavërimi. Këta na kanë futur në borxhe për t’u pasuruar vetë. Këta do të na lënë me borxhe dhe vetë do të ikin e do të zhduken dhe prej atje ku do të jenë do të fillojnë këngën e gjinkallave, që ne ua thamë e nuk na dëgjuat sepse si e thonë në tavolina, … “këta jeni ju shqiptarët, një popull pis dhe që nuk meriton më shumë.”

Përfundimi dhe Prognoza

Shteti shqiptar është një shtet i falimentuar dhe këto zgjedhje janë një lojë më ia lanë dopjo-gjashtën në duar shqiptarëve. Shteti nuk ka ekonomi prodhuese, jep të dhëna fiktive, dhe luan me numrat si iu intereson qeveritarëve. Ndërkohë qeveria e ardhshme e parisë së Tiranës do të përballet me një borxh që është sa 65% e prodhimit të brendshëm bruto dhe do të shkojë në 68% deri në Qershor të 2013, sepse në kohë fushate, Sali Berishës i duhen para, shumë dhe me cdo mënyrë. Jo më kot ka llogaritur të marrë borxh edhe një miliardë deri në fund të vitit, pork a gjasa që të ngutet e t’I marrë borxhet deri në Korrik. Me rënien e ekonomisë, me tkurrjen e saj, dhe me zhvlerësimin e lekut, borxhi do të rritet. Me shpenzimet që duhet të përballohen, borxhi do të rritet. Me një ekonomi të pazonjën me përballue borxhet, taksat duhet të rriten. Por ajo që dihet është se taksat do të rriten nga paria, por ato do të paguhen nga populli. Ata të huajt që të dhanë paratë, e kanë nxjerrë mësimin nga përvoja jugosllave. Mbasi u bë luftë 20 vjet, ata kanë nisur të trokasin në dyert e shteteve për të kërkuar borxhet e tyre të papaguara. Kur paria iu thotë shqiptarëve se krimineli Tito ka thënë “merrni borxh se borxhi nuk paguhet” ajo iu thotë gjysmën e së vërtetës. Gjysma e të vërtetës që nuk e thotë paria është se mashtruesi Tito nuk pati të kohë të thoshte “merrni borxh se borxhi nuk paguhet sa të jem gjallë unë. Kur unë të vdes në djall vafshi të gjithë.” Edhe Kosova, tash që ëshët bërë formalisht e pavarur, duhet të paguajë borxhet e ish-ish-Jugosllavisë.
Paria e jonë e Tiranës e di këtë punë. Llogaria e saj është që të sikteriset atje ku i ka fshehur paratë dhe ka bërë investimet. Ne do të na lërë me borxhin e papaguar. Vetëm në vitin 2013 llogaritet që borxhi për frymë të shkojë 315,000 lekë. Pra, jemi keq, sepse nuk kemi pak, por nga 3000 euro për frymë borxh shteti, 3000 euro për frymë premtime të papërmbushura ende, dhe 3000 euro për frymë interesa për të paguar. Shumëzoje me tre, sepse nuk punojnë gratë fëmijet e pensionistët dhe kaq duhet të paguajë një taksapagues. Me siguri që ka ditur dicka Sali Berisha kur tha se i kemi të ardhurat 9000 euro për frymë sepse aktualisht po harxhojmë 9000 euro në vit për kokë. Sepse po i fitoi zgjedhjet, njëra palë e parisë do të duhet t’i taksojë shqiptarët sikur të kenë 9000 euro të ardhura mujore për frymë. Ndryshimi është se vetëm disa shtete europiane e kanë borxhin e shtetit kaq të frikshëm sa ne, por ata kanë ekonomi, dhe struktura. Shkurt, kur të fillojmë të lajmë borxhet, do të ndjehemi europianë, sepse të paktën do të paguajmë borxhe si ata. Ky ka qënë një hap i madh përpara drejt integrimit, nga qeveria e integrimit europian. Qeveria që vjen duhet të fillojë të na taksojë si europianë. Se ndryshe nuk lahen borxhet që kemi.