PAKTI I PARISË SË TIRANËS DHE TAKSAT: FATI I KEQ I KATUNDARËVE SHQIPTARE

Me Paktin e 1 Prillit 2013, Paria e Tiranës e zgjidhi problemin e vet. Kokat e gjarpërit nuk do të kafshojnë njëra-tjetrën dhe nuk do të hanë as bishtin, sepse ashtu fillon sherri tek gjarpëri me shumë kokë. Sherri fillon kur të gjithë kokat mendojnë se është kafshuar bishti i kokës respektive. Pakti tregoi se, në fakt ky është i njëjti gjarpër, sepse kanë një trup, janë pjesë e parisë së Tiranës.  Mirëpo kë do të hajë gjarpëri, apo paria, që të mbijetojë? Sepse nuk mund të presësh që gjarpëri të ngordhë urie. Bile për ata që e njohin zoologjinë, gjarpëri e reptilët kanë qënë para minjve dhe me sa duket, do të jenë edhe mbas tyre.

Në rastin tonë, edhe në këto zgjedhje, përgjigja është e thjeshtë. Gjarpëri do të hajë miun. Dhe meqë ka tre koka, ka uri trefish. Kush është miu figurativisht? Miu është ai njeriu i vogël që është i kapur për pronën e vet e që nuk ka ku mbytet. Në këtë rast miu, dreka dhe darka e planifikuar e dreqit, është katundari shqiptar.

Deri më tani gjarpëri ka ngrënë gjithcka ka gjetur në fushë, tani i ka ardhur radha katundarit fisnik shqiptar. Ky gjarpëri i parisë së Tiranës, që është rritur konvikteve, din se si të nxjerrë proteina e dhjamë edhe nga vezët e pleshtit e jo më nga katundarët tanë që i kanë bërë paratë tulla e llac, makina e kafene, dyqane e mall që shihet e taksohet lirshëm. Tash katundarët duhet të kthehen të punojnë tokën e të mbajnë parinë e shtetin. Përndryshe le të ikin në mërgim e të sjellin para që andej. Se njëlloj është kjo punë, mjafton që paratë të vijnë në shtetin shqiptar, se paria gjithsesi e merr pjesën e vet. Pakti garanton që paria është e bashkuar e katundarët janë të izoluar, të vjedhur, të plackitur, të rjepur e të përdoruar.

Fati i Keq i Katundarëve

Fati i keq i katundarëve është se ata janë të vetmit që mund të paguajnë. Ja të shpjegohem. Tashti në shtetin shqiptar ka nja tre milionë banorë. Në shtetin shqiptar ka 560,000 janë pensionistë e nuk iu merr dot asgjë se nuk kanë, por edhe pse ato para që i kanë ruajtur e fshehur nuk i tregojnë, meazallah. Këta duan të hanë, duan pensione, duan spitale, e jo më t’u marrësh paratë. Në shtetin shqiptar ka rreth 750,000 kalamaj, të rinj e adoleshentë që nuk punojnë dhe që shkojnë në shkolla deri në moshën 30 vjecare e që nuk i takson dot, sepse këta nuk bëjnë asgjë deri sa bëhen doktorë profesorë dhe mandej dalin në pension. Dredhin zinxhirin e shohin Big Brother, harxhojnë 500 lekë për një pishinë, calcetto, e ca lekë për telefon dhe kaq. Në shtetin shqiptar ka edhe 114,000 familje që jetojnë me ndihma dhe paria duhet t’iu japë ndihmat se ndryshe nuk i merr votat. Se nuk mjafton 50 mijë lekëshi që jepet për votën ditën e zgjedhjeve, por këta duan të hanë katër vjet rresht. Ja Kukësi ka 47% të popullsisë që jeton me asistencë. Kush pret që banorët e Kukësit të paguajnë taksa?

Biznesit të madh qeveria nuk u vë dot taksa se të gjithë bankat tona janë borxh tek bankat e tyre mëmë jashtë vendit dhe bizneset e mëdha janë të mbrojtura mirë e mirë. Në fakt edhe pse nxjerrin një fitim të pastër diku tek 350 milionë dollarët në vit, borxhi i bankave tona i kalon një milliard eurot dhe këto para kalohen simbas një skeme interesante si pagesa për interesa tek bankat mëmë. Kompanive të huaja të cilave qeveritë iu kanë dhënë koncesione për 25 vjet nuk u mbledhin dot taksa, sepse atë shumë që duhej ta merrnin si takes, e kanë marrë si rrushfet zyrtarët qysh në fillim dhe e kanë harxhuar për dhjamë qeni, d.m.th. për pushime, për dashnoret dhe dashnorët e familjes, për orët e arta, dhe për apartamentet e paratë që kanë fshehur në bankat e huaja. Pastaj, po t’i taksosh,  këta  të huaj ikin dhe na prishin kauzën e integrimit europian.

Po ashtu ka një numër të konsiderueshëm republikash katundare të tipit San Marino, sepse ne e imitojmë Europën jo vetëm në gjërat e këqia por edhe në pluralitetin e formave të vetëqeverisjes. Këto republika katundare kanë vetqeverisje sovrane, organe të dhunës, gjyqësor etj, dhe nuk kanë nevojë për shtetin. Është e qartë që shumica e tyre merren me aktivitete ekologjike dhe me rritjen e bimëve medicinale. Për këtë paria e Tiranës dhe shteti nuk pranon të hyjë e t’i taksojë sepse nuk mund të dalë e të thotë kryeministri i radhës se po takson prodhimin e hashishit, të drogës, të marijuanës, të trafikut të fëmijëve, të femrave, të nderit sidomos kur del që ajo që pritet  e digjet në fushë nuk ishte hashish por kërp. Pse të marrë janë policët që të presin hashishin e të bien në gjak me kultivuesit ekologjikë? Mandej, si ia vë taksën trafikut të nderit? Paria e ka kuptuar këtë dhe nuk pranon që të flasë për punë të fëlliqta. As paria e as shteti i parisë nuk pranon para të fëlliqta. Dhuratat që jepen me gjithë zemër i pranon edhe mbreti e jo më këta të uriturit e pangopshëm, koka e gjarpërit të krimit. Por duhet të jenë dhurata e jo taksa ama. Sepse kur e mbledh shteti, parasë i ik lezeti.

Ka edhe një grup biznesmenësh, afaristë të fuqishëm, pjestarë të klaneve të krimit, që tashmë nuk kanë c’të japin sepse presin të marrin paratë që shteti ua ka borxh. Këta i kanë paguar dy herë taksat edhe mbi paratë që nuk i kanë marrë ende dhe tani shohin se si po iu ndryshken në rrugë bulldozerët e ekskavatorët që i blenë si frëngu pulën e që nuk i vënë dot në punë. Këta janë të deklaruara në krizë likuiditeti, sic është, bie fjala, ndërtimi, që nga 2400 kompani është katandisur në nja 1400, që nuk arrijnë të shesin ato dhjetra mijëra apartamente që kanë ndërtuar.

Më në fund, janë edhe nja një million të papunë që vijnë e ikin, shkojnë e vijnë, rropaten e mundohen, punojnë në të zezë e në jeshile, por që nuk i takson dot. Sepse këta nuk kanë lekë në xhep. Ka mbaruar koha e hordhëkut kur paraja bëhej me telefon. Sepse tani as telefoni nuk bën më para sepse e gjen të vjedhur me kurrgjë hic. Nuk e ndalon tjetrin që të shkojë në kafe dhe ta pyesësh se sa para ke në xhep, apo si i ke blerë cigaret, sepse nuk e bën një shtet serioz atë punë. Po ashtu shteti nuk shkon të pyesë tek dyqani se sa para borxh ka njëri e tjetri e se si t’i taksojë, sepse nuk është e ndershme që të vësh taksa mbi listat që mbajnë dyqanxhinjtë që shesin veresie tek komshinjtë e kushërinjtë. Po ashtu nuk I thua dot ku I gjejnë paratë për motelet sepse mund të shkaktosh divorce shumëpalëshe. Në fund të fundit, dihet që ekonomia informale është zhvillim, edhe kur është prostitucioni, droga, hordhëku, kumara e trafikimi.

Po ashtu, shteti ka 107,000 buxhetorë që mbajnë me bukë 25% të popullsisë sepse këta harxhojnë e blejnë, shpenzojnë e vjedhin, dhe dinë se si të nxjerrin paranë edhe nga guri e jo më nga shqiptarët e tjerë. Këta vërtetë i takson 10%, dhe vende vende iu ka ulur rrogat me 25%, mirëpo po i uli rrogat fare, dhe po ua mbylli rubinetin e korrupsionit e të krimit, nuk del më njeri në punë të shtetit as me bicikletë. Atëherë bie shteti. Askush më mirë se zyrtarët nuk e kupton atë shprehjen “fukarallëk = maskarallëk, pushtllëk e kodoshllëk.” Sepse nuk punohet badihava, rroga nuk del për një javë dhe zyrtarët më mirë dalin e mbledhin luleshtrydhe e manaferra se sa të punojnë falas. Shteti nuk mbahet me punë vullnetare. Këta buxhetorët duan para e jo të japin.

Nevojat e Shtetit Për Para

Cilat janë nevojat e shtetit shqiptar për para? Po ja, duhen paguar 600 milionë dollarë në vit për interesin e borxhit. Duhen paguar edhe 400 milionë për pensionet. Unë i hodha një sy, sa për të qënë brenda, fjalimit të Ministrit të Financave, Bode dhe gjeta vetëm përqindje e asnjë shifër të saktë.[1] Rastësisht i pashë edhe zërat e buxhetit, pashë se si ishin fshirë subvencionet etj. Por thashë të ndalem tek një shifër rrumbullake dhe e përgjithshme që kuptohet nga të gjithë se sa para duhen në vit. Dhe kështu, zoti Berisha e deklaroi shifrën e buxhetit kur tha se, “Sot, diskutohet buxheti i 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar. Më i madhi në historinë e Shqipërisë, që arrin 410 miliardë lekë, buxhet i cili ka si synim madhor rritjen e mirëqenies suaj të dashur qytetarët dhe qytetare shqiptare.”[2] Edhe pse shteti shqiptar nuk pati para që të paguajë rrogat në fund të vitit, kjo nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se nga do të dalin këto 410,000,000,000.00 lekë për vitin 2013? E për katër vitet e ardhshme?  Sepse nuk janë pak por rreth katër miliardë dollarë në vit. Edhe po të shkurtohet buxheti me 25% prapë nga diku do të dalin këto miliarda dollarët që duhen. Sepse, edhe pse shteti është i falimentuar, nuk mund të themi hapur fare se është i falimentuar, sepse po nuk gënjyem edhe për këtë në zgjedhje, c’u pa puna? Atë duhet ta thotë kryeministri i ardhshëm por kam frikë se nuk do ta hapë gojën fare për atë punë.

Doganat duhet të japin të paktën gjysmën e buxhetit por vitin qw kaloi dhanw vetwm 129 miliardw lekw. Mirëpo, unë iu hodha një sy të ardhurave nga dogana dhe vura re se nuk kanë mbledhur as sa ishte planifikuar por mw pak. Iu hodha një sy importeve dhe vura re se kishin rënë pingulthi. Mallrat që taksohen rëndshëm nuk importohen më, sepse edhe kështu janë magazinat dëng me mall që nuk shitet. Taksat e shitjes janë të larta, janë paguar e harxhuar paradhënie dhe biznesi duhet të operojë me humbje. Dyqanet e vogla nuk i takson do rëndshëm se shumica janë si ai katundari shiste dhjetë vezë gjithë ditën; vajin që shesin e përdorin për gatim shtëpie, dhe miellin për të bërë bukë. Fabrika s’ka. Shteti shqiptar ka nevojë për para, të paktën katër miliardë dollar cdo vit dhe mbas doganave i duhen pak a shumw edhe tre miliardw dollar tw tjerw. E nga do t’i nxjerrë? Nga katundarët.

Si hyn në lojë Katundari Shqiptar

Ja pra, si hyn në lojë, katundari shqiptar. Pavarësisht pallavrave të politikës e lojës së zgjedhjeve, shteti, d.m.th. zyrtarët në shërbim të parisë nuk janë aq budallenj sa të taksojnë parinë. E para, nuk do të taksojnë monopolet e mëdha sepse janë të tyret, janë prona të familjeve kriminale të parisë. Se nuk janë budallenj këta që shkojnë me pushime në Sharm-el Sheik të paguajnë taksa. Këta duan që edhe kur mbesin atje sepse i ka gënjyer agjensia turistike, shteti të paguajë paratë e tyre të rrugës, hotelin për një javë dhe ushqimin. Edhe pse vetëm paria ka para, vetëm një budalla mund të shpresojë se do ta taksojnë veten e tyre. Këta mezi i kanë vënë paratë jot ë taksojnë veten? E kuj t’ja japing? Në mendjen e tyre ne jemi një popull pis që nuk meriton më shumë. E dyta, zyrtarët kanë frikë, sepse këta janë banditë e kanë ca banda mbas vetes që të vrasin ditën për diell e të vënë lëkurën që të thahet për të zënë djathin e gjizën. Për këtë janë mjeshtra.

Ku do të drejtohet paria për gjithë këto para që duhen??? Ata do të drejtohen tek tre burimet nga ku mund të dalë dhjami i pleshtit: tek biznesi i vogël, tek pasuria e patundshme dhe tek katundarët. Ja si funksionon skema sekrete e parisë. Shitblerësve te vegjël dhe prodhuesve me pakicë iu bëjmë qejfin dhe i quajmë nja tre javë afaristë, tregtarë grosistë e kapitalistë. Pronarët e gjithë këtyre ndërtesave si të kullave të termiteve i quajmë zotërinj qytetarë e pronarë të legalizuar e të hipotekuar, iu bëjmë ca premtime dhe si ta hanë grepin, i fusim në rresht dhe I mjelim nga pak. Së treti, katundarët që janë në qytet i quajmë qytetarë dhe katundarët që kanë mbetur në katunde i quajmë fermerë. Këtyre dy kategorive të fundit ua fusim me pak lezet. Se nuk është budalla Sali Berisha që thotë se kemi 350,000 ferma e fermerë. E ka një qëllim ky zotni katundari se po të donte t’iu bënte qejfin njerëzve do të thoshte se janë kalorës. Pse thotë fermerë? Sepse fermerët punojnë e taksohen dhe mbajnë një shtet me taksat q ëpaguajnë. E gjithë Amerika me 300 milionë banorë ka vetëm dy milionë ferma. Ne kemi tre milionë banorë e 350,000 ferma. Unë jam katundar praktik, dhe e di se kur dikush të thotë se je ‘burrë i mirë e i zoti,’ ‘se ty ta hek dera’ etj. etj., e ka ndërmend me ta ba ndoj hile a ndoj poshtërsi të vogël.

Mandej, skema sekrete e parisë është që të na taksojnë të gjithëve simbas kritereve ligjore e perëndimore. Sepse me këta të tjerët nuk dinë se c’të bëjnë sepse këta i kënë fshehur paratë nën dyshek. I kanë dalë punës para, gjithkush ankohet “skamllëk, fukarallëk, s’ka pare,, po hekim keq.” Kaq shumë bërtasin sa kanë nisë me i besue rrenat e veta. Mirëpo paria e din se sa para kanë e se ku I kanë fshehur. Ne kishim një shtet që kishte një sigurim që e dinte se kush kishte akra në kokë, e jo më tani që diskutohen paratë. Se qentë që ka ky system e nuhasin erën e parasë së fshehur deri në varrin e vjehrrës. Po e panë punën keq, prodhuesit e vegjël e shitësit ulin qepenat dhe hanë dhjamin e tyre. Pronarët e pasurive nuk pranojnë të legalizojnë e hipotekojnë pasurinë. Jo vetëm që nuk duan të paguajë 10% por nuk duan të paguajnë as taksën që vjen më pas e që është e paevitueshme. Po tokën nuk ke si e fsheh! Dhe prandaj do paguash.

Kush mbetet? Mbesin ‘fermerët’ d.m.th., ne, katundarët që nuk kemi ku ikim. Qeveria ka kaluar ligjin që të merr tokën po nuk e punove dhe që të takson gjithsesi, në dac punoje, në dac jo. Argumenti i katundarëve që “ne s’paguajmë drita e ujë” e nuk “pjerdhim për shtetin” nuk funksionon, sepse si të mbarojnë zgjedhjet, fillojnë të shtërngohen vidhat dhe, si hap i parë, fillon edhe mbyllja e dritave dhe e ujit. Kur të vijë dimri e të qajë fëmija do të ulësh kokën e do të paguash se nuk jetohet në atë të ftohtë. Në dac rri ti në të ftohtë, në dac shko tek mullari i barit, paria nuk e ka fare problem. Po pagove e merr dritën e ujin.

Mirëpo si do të na mjelin? Natyrisht shteti nuk ua merr dot tokën e ndërtimet moderne katundarëve. Edhe pse këta e shesin votën për një thes miell, toka e prona formalisht nuk preket. Mirëpo shteti do të gjejë mënyrën që t’i bindë katundarët që të kthehen e ta punojnë tokën e të parëve për një kafshatë buke sepse u përpoqën por nuk u bënë dot sheherli. Dhe do t’ua masë pasurinë e patundshme që mandej don taksuar. Se këta nuk janë budallenj. E mbani mend se si e bënë punën e makinave të vjetra? Të sigurimeve? Po nuk funksionoi një herë e bëjmë herën tjetër, më mirë e më bukur. Ka ardhë puna që i sheh shkodranët me bicikleta kineze. Tash po vjen edhe radha e Tiranës.

Por taksat duhet t’i paguajnë katundarët. Në sytë e parisë, edhe ata që u turrën të zënë tokë në qytete e në rrethina, katundarë ishin e katundarë mbetën. Këta duhet të kthehen e të punojnë tokën. Sepse edhe vetë katundarët e kanë kuptuar se nuk rrihet me matrapik e me mistri në dorë tërë ditën në qoshe të rrugës duke mos fituar asnjë lek. Fëmijët duan të hanë e nuk mbahen fëmijët në katin e katërt të një pallati që nuk sheh dritë me ëndrrën se janë bërë qytetarë kur duhet të shesin misran ë rrugë e të mësojnë të gjithë poshtërsitë që të mëson fukarallëku. Në fshat, jeta është më e mirë se do të kenë pula e një lope që bën qumësht dhe po nuk u sollën si duhet kërcet huri. Do të kenë qepë e hudhra. Shtëpinë e babës e të gjyshit. Pra, paria e ka ndërtuar punën, që dalengadalë katundarët te drejtohen edhe një herë nga nga punimi i tokës por këtë punë duhet ta bëjnë vetë ata me vullnetin e tyre të lirë. Se po vendosën që të vrasin, të vjedhin e të grabisin, atëherë e ka rritur policinë e shtetit në 17,000 vetë dhe i fut në burgjet që janë bërë si kampe pushimi dhe tani kanë dy herë e gjysëm më shumë të burgosur se në vitin 2005.

Pikërisht ky është edhe aplikimi i parimit të dhjamit të pleshtit. Pleshti ka dhjamë vetëm kur rritet pak. Dhe kështu, edhe në këto zgjedhje, paria po iu vjen rrotull katundarëve shqiptarë duke iu bërë hipnozë e terapi, duke iu thënë se nuk do t’i taksojë, se do t’i mbështesë, etj. Është më se e qartë se ndoshta tokën nuk ua merr dot, por ama, së shpejti, i bën që ta punojnë si më të mirët. Është vetëm cështje kohe.

Nga ana e tyre këta bashkëkatundarët e mi dalin në mitingje, shiten si trima, e sillen si militantë të thekur sepse mendojnë që duke u shitur si besnikë të njërës palë do ta hedhin lumin. Mirëpo paria është si gjarpëri, i han minjtë një e nga e një, dhe i han pikërisht kur ata struken në vrimën e tyre, tamam kur ndjehen të sigurtë, të rrethuar me pasuri e katandi. Sepse lisi cahet me pyken e vet dhe paria do t’i përdorë bash ata katundarë që sillen si trima me mbrritë objektivat e saj. Paria e ka shpikur vetë këtë lojë. Katundarët e kanë me të mësuar, këta e kanë me të trashëguar.

Perfundim

Pakti e provon se paria është e bashkuar, ndërsa shqiptarët janë të përcarë. E kam thënë diku që ata duan ta përdorojnë e poshtërojnë katundarin shqiptar ndërsa unë e të tjerët duam që ta mbrojmë e shpëtojmë sepse ne jemi katundarët e vërtetë shqiptarë. Por dilema është e të gjithëve: a do të bëhen katundarët fisnikë shqiptarë dreka e darka e dreqit, d.m.th. e parisë së Tiranës? A do të dinë të bëjnë zgjidhjet e duhura? Sepse këta janë mjeshtra. Një kohë na kanë vënë të punojmë duke ngrënë bukë misri e ujë e sheqer. Tash mund të hamë bukë të bardhë si sfungjer, anipse me grurë të shplamë me klor e kancerogjen, por prapë duhet të punojmë për parinë. Se nuk ka rrugë tjetër, nëse nuk i ikim kontrollit të saj e në se nuk bëjmë zgjidhjet e duhura në politikë. shteti lyp katër miliardë dollarë nw vit dhe këta që po vinë janë të uritur, duan ca euro edhe për vete, dhe e kanë oreksin e madh. Gjarpëri po na sheh në sy, e ka marrë uria, dhe ne katundarët jemi dreka e darka e dreqit.

Advertisements