GRID RROJI: PARIA PA MORAL DHE DINJITETI I NJË POPULLI

Marrëveshja e mbrame e parisë së Tiranës ka krijuar një pështjellim të madh në opinionin publik. Shumëkush që kishte besuar, apo më mirë të themi kishte dashur të besonte tek kauza rotacionale e Edi Ramës tashmë është zhgënjyer përfundimisht. Është tashmë e qartë si drita e diellit që paria vepron si një trup i vetëm, dhe që synimi i tyre është sundimi i qytetarëve nëpërmjet pushtetit. Çdo gjë tjetër është thjesht teatër politik. Teatër politik janë të sharat e tyre të cilat do turpëronin edhe rrugaçin më gojështurur, teatër janë dasitë komunist-anti komunist të cilat u shërbejnë si kontorno për pazaret dhe xhambazllëqet, teatër makabër ishte 21 Janari ku populli u përdor si karrem nga Edi Rama dhe si mesazh me plumb nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha për të mbrojtur Ilir Metën.

Pra, megjithëse makina propagandistike e palëve po mundohet ta menxhojë situatën sipas parimit të tri ditëve, duket qartë që zemërimi popullor me marrëveshjet e ngjalave ka mbërritur majat.

Nga ana tjetër, paria ka vepruar në të vetmen mënyrë që mundet sepse sistemi sundues mbi popullin është për të shumë më i vyeshëm se sa demokracia, vota, apo plotësimi i aspiratave kombëtare. E frikësuar nga mundësia e një revolte popullore ajo nxitoi të mbyllë lojën që pa filluar. Asnjë rezultat nuk është më i sigurtë se sa kur skuadrat e kanë shitur bashkarisht dhe paraprakisht ndeshjen.

Marrëveshja zgjidh njëherazi disa probleme për parinë mafioze të Tiranës. Sali Berishës i jep alibinë për humbjen në zgjedhje dhe sigurinë e vet dhe të familjes kur të dalë në opozitë. Gjithashtu, i garanton një mundësi për arritur një opozitë të fortë me potencial bllokues, në krye të së cilës ai të mundë të kënaqë një pjesë të grupeve kriminale nga të cilat është i kapur. Ilir Metës marrëveshja i zgjidh me një firmë problemin e zgjedhjeve dhe të mbajtjes gjallë të partisë shpk me anë të pushtetit. Trysnia nga grupet kriminale që përbëjnë partinë e tij dhe frika e një zbythjeje elektorale të paparashikuar davariten përfundimisht me këtë marrëveshje. Por më e rëndësishmja, Meta me kopili arriti të faktorizohet si pjesë themelore e rikthimit të së majtës në pushtet, duke krijuar premisat për rikthimin e tij triumfal në krye të saj. Edi Rama po ashtu doli i fituar nga kjo marrëveshje sepse i garanton vetes jo vetëm kolltukun e kryeministrit por edhe kryesimin (në gjykimin tim nominal dhe të përkohshëm) të PS-së. Grupet kriminale që e mbështesin atë, të cilat kanë “sakrifikuar” pjesën e luanit nga burimet e shtetit gjatë tetëvjeçarit të kaluar, tanimë mund të ndjehen të qetë edhe pse do t’ju duhet ta ndajnë plaçkën me palë të tjera. Në këtë pikë, kjo marrëveshje nuk është gjë tjetër veçse pax mafiosa, ku grupet kriminale krijojnë një sistem për të administruar së bashku sipërmarrjet e tyre pa konflikte të mëdha dhe pa rrezikuar sistemin.

Por, në një tjetër plan kjo marrëveshje kërkon të minojë edhe ideologjinë kombëtariste duke ja mbyllur asaj në dukje të gjitha shtigjet. Në marrëveshjen e parisë nuk ka vend për kombëtarizëm por për interesa të ngushta dhe jetike të palëve.

Mirëpo më anë tjetër të këtij ekuacioni qëndron qytetari shqiptar. Tashmë atij i ka ikur shpresa se zgjidhjet mund të vijnë nga kjo pari e zvetënuar, e kriminalizuar dhe e tredhur. Asnjë shoqëri nuk ka arritur të mbijetojë në kushtet e kriminalizimit të thellë, kapjes së pushtetit nga një kastë horrash si kjo e jona dhe rrënimit të dinjitetit të vet. A e meriton populli shqiptarë një pari të tillë?

Absolutisht, jo. Megjithëse të tulatur, të topitur, të verbuar nga propaganda e të sunduar nga një grup horrash që i kanë duart e lyera me gjakun e popullit të vet, shqiptarët meritojnë më shumë. Mjafton të shohim sjelljen e tyre jashtë kufijve, ku ata janë qytetarë model, ku megjithë vështirësitë ata jetojnë me dinjitet, ndërtojnë komunitete dhe kontribuojnë për vendin e tyre. Pra problemi nuk janë shqiptarët por paria kriminale që i drejton.

E dalë nga farka e Partisë së Punë tanimë paria nuk ka ideologji. Sali Berishën dhe Gramoz Ruçin, Edi Ramën dhe Ilir Metën, Skënder Gjinushin dhe Bamir Topin, Jozefina Topallin dhe Valentina Leskajn i bashkon paraja dhe sundimi i popullit me anë të pushtetit. Ata që deri dje të vritnin për ideal partie sot të vrasin për biznesin e hekurit, ish komunistat që sot çirren kundër komunizmit i lenë të përndjekurit të digjen si qen rrugëve dhe i quajnë rrugaçë. Ata që predikojnë rilindjen shesin rirrumjen. Ata që kërkojnë të hiqen si të moderuar kanë vite që janë thyer nga mekanizmat perverse të parisë.

Paria nuk ka moral, hajdutët e djeshëm janë aleatët e sotëm, vrasësit e djeshëm janë bashkëbiseduesit e sotëm. Kjo pari nuk i do shqiptarët. Ajo bën torta gjigande për të krijuar vegime ndërkohë që shet detin, lë në harresë monumentet kombëtare, si dhe betonizon një vend të bekuar nga Zoti me një natyrë të mrekullueshme. Ajo flet për rilindjen e Gramoz Ruccit dhe bën marrëveshje me ngjala. Ajo vret, kërcënon, e shkel mbi gjakun e të vdekurve për të ruajtur pushtetin, se “ky popull kaq meriton”. Jo, kjo pari nuk është më e mira që mund të prodhojnë shqiptarët.

Problemi që shtrohet për masën e gjerë të qytetarëve të zhgënjyer nga paria është alternativa. Nëse jo këta, atëherë kë të zgjedhin shqiptarët?

Përgjigja është sa e qartë aq edhe e prekshme dhe ajo nuk mund të jetë zgjedhja e të keqes më të vogël. Forma më e susesshme e qeverisjes në ditët moderne është shteti komb. Për të arritur synimet e veta paria ka dobësuar deri në shkatërrim shtetin. Një komb pa shtet nuk mbijeton gjatë. Pra pika e fillimit është ndërtimi i një alternative të një shteti komb. Më tej, një shtet i konsoliduar në shërbim të interesave kombëtare nuk mund të ndërtohet me parinë aktuale. Siç më thonte një miku im amerikan, për të ndërtuar një pallat të ri nuk mund të përdorësh tullat e thyera të pallatit që ishte aty më parë. Shqiptarëve u duhet një fillim i ri, me njerëz të rinj, dhe me një sistem të ri të bazuar tek shteti komb.

Në mjedisin politik shqiptar ka tashmë një forcë e cila përqafon ideologjikisht kombëtarizmin, ajo është Aleanca Kuqezi. Ajo ka ndërmarrë disa hapa shumë të nevojshëm duke denoncuar marrëveshjen e ujërave me Greqinë dhe duke e vënë theksin tek zvetënimi i parisë. Njëherazi, ajo ka bërë disa gabime të cilat nëse nuk korrigjohen do të rezultonin fatale për të ardhmen e saj si përçuese e aspiratave të qytetarit për të ndërtuar një shtet efektiv, dhe për të jetuar me dinjitet.

Propaganda bombastike anti-Greqi apo demagogjia e dylbive nuk mund t’i zëvendësohen mungesës së një strategjie të qartë për ndërtimin e shtetit komb. Po ashtu, përqëndrimi tek anti-Berishizmi nuk mund të jetë zgjidhje pa ndërtimin e një alternative të qartë e të lexueshme për një shtet komb. Pa Berishën ka pari, pa parinë nuk ka më Berishë.

Aleanca Kuqezi ka në gjykimin tim një shans historik për të korrigjuar këto gabime dhe për t’i bërë thirrje popullit që ta mbështesë masivisht më 7 Prill. Së pari, ajo duhet të ndahet përfundimisht nga të gjitha palët e parisë dhe të deklarojë hapur se nuk do të bëjë aleancë me llumin. Së dyti, ajo duhet të kërkojë jo thjesht largimin e Berishës por vendosjen e një qeverie teknike jo politike me personalitete nga vendi dhe diaspora e cila të zhvillojë zgjedhjet. Një qeveri e përkohshme PD-PS-LSI ka po aq gjasë t’i vjedhë votat sa qeveria aktuale. Marrëveshja e 1 Prillit na tregon se ata dinë të merren vesh. Së treti, ajo duhet të propozojë ndryshimin e kushtetutës dhe sistemit zgjedhor si dhe votimin e tyre në një referendum si hapin e parë të një fillimi të ri. Pa ndryshuar rrënjësisht sistemi dhe mënyra e politikëbërjes nuk mund të ketë ndryshim real. Së katërti, ajo duhet të vendosë themelet e një shteti funksional, në shërbim të qytetarit, ku sundon fryma e shërbimit publik dhe transparenca. Ajo duhet të ndërtojë një shtet ligjor i cili të jetë i pavarur nga politika dhe ku çdo qytetar, qoftë ministër apo i papunë të ketë të njejtat të drejta dhe detyrime. Së pesti, ajo duhet të garantojë të drejtën e pronës e cila ka qenë një nga problemet themelore të pazgjidhura nga paria e Tiranës. Së gjashti, ajo duhet të garantojë se cilido që ka shkelur ligjin do të dënohet deri në fund, pa dallime të ngjyrave partiake. Së shtati, ajo duhet të ndërtojë një politikë të jashtme në shërbim të interesave kombëtare të shqiptarëve. Së teti, ajo duhet të inkurajojë një shoqëri civile të përgjegjshme, e cila të shërbejë si gurbalancë ndaj qeverisjes dhe shtetit në shërbim të qytetarit. Së nënti, ajo duhet të ndahet nga e kaluara dhe disa figura të vjetëruara të regjimit të Ramiz Alisë të cilat nuk janë vlerë e shtuar për një lëvizje e cila synon mbështetjen e rinisë. Paria i druhet një alternative të tillë, ndaj edhe është munduar t’a kornizojë AK-në dhe ta joshë atë me oferta aleancash. Marrëveshja e 1 Prillit ja ka hequr parisë maskën dhe e ka bërë të qartë për të gjithë se sa e do paria kombëtarizmin.

Mirëpo, në qoftë se nuk e mbështet veprimin e vet politik në ndërtimin e shtetit por vijon me demagogjinë dritëshkurtër, Aleanca Kuqezi do t’a humbë shansin historik të 7 Prillit. Çdo tentativë për të përdorur kombëtarizmin si mbulesë pa substancë do ta fundosë AK-në në sytë e shqiptarëve dhe do hedhë ujë në mullirin e parisë së Tiranës. Nëse ajo do vendosë të bëhet vegël mediatike njëpërdorimshe e parisë (Ramës në këtë rast), ajo rrezikon të bëhet lodër për tu hedhur tutje pas zgjedhjeve si dhe duke u etiketuar si dështim i kombëtarizmit.

Kombëtarizmi nuk ka nevojë për baballarë, ai gjindet në ADN-në e çdo shqiptari. Kombëtarizmi shqiptar nuk është shpikje e asnjë individi por një frymë e mbrujtur ndër shekuj. Ai do të ekzistojë edhe nëse AK-ja vendos të shndërrohet në një mjet për ambicjen personale të disa udhëheqësve. Mirëpo, shanset historike vijnë rrallë, dhe është meritë e udhëheqësve të  vërtetë të dinë ti kapin ato.  Përndryshe, historia është e mbushur me pretendentë të cilët egoja e tepruar i degdis në humbëtirën e harresës. Koha për të vepruar dhe ndërtuar një fillim të ri është tani. Për ta bërë atë duhet një front anti pari. Shpresoj t’a ketë kuptuar AK-ja dhe Kreshnik Spahiu.

Advertisements

VAL KARANXHA: “PROGNOSIS” E NJË TË SËMURI TERMINAL

I sëmuri terminal nuk është as Meta, as Rama dhe as Berisha. I sëmuri terminal është shqiptari i thjeshte, i zhgënjyer,  i cili është destinuar ti heqe dhimbjet e forta pa asnjë lloj  qetesuesi. Skandal pas skandali ky shqiptar ‘gomar’ (figurativisht e pa ofendime) mbaka shumë në kurriz. Pa u futur në histori, sepse jemi të lodhur të gjithë nga ajo, por zhgënjimi i fundit vertëtoi se Shqipëria është shitur nga tradhtarët vazhdimisht dhe do vazhdoj të merret në këmbë në qoftëse këta mjeranë politkanë nuk largohen nga skena politike.

Në fushatën më të degraduar dhe më të turpshme elektorale ku amoraliteti i kalon çdo cak lind pyetja. Kush janë ata driteshkurtër që mbajnë Ilir Metën në pushtet? Cilët janë ata zgjedhës që mundësojnë qeverimin nga një fundërrine i cili ka mbi një dekadë qe vjedh dhe nuk u ndoq asnjëherë penalisht? Ku qëndron rëndësia strategjiko-politike e Ilir Metës?

E vërteta qëndron se Ilir Meta nuk ka asnjë vlerë dhe rëndësi politike; përveç se prish punë Ilir Meta nuk mund të ndreqe, dhe kjo jo në sensin figurativ të fjalës por në sensin literal të saj. Rama nën presionin e rregjisë socialiste europiane, nga e cila ka huazuar konceptin e Rilindjes Shqiptare e shkërmoqi elektoratin e vet me aleancen e fundit. (Nje në xhep për Berishen). Kjo tregon se sa lider pa largpamësi është Edi Rama. Për të mos folur për ndonjë strategji të tij sepse Rama nuk është aspak strateg. Aleanca e fundit jo vetëm ishte një surprize por edhe “cheap shot”. Nga dokrrat e rilindjes së sportit, në marrveshjen më të ulët politike të kohërave, Rama na ka befasuar me këtë fushatë e cila i ka dale jashtë kontrollit, ose më qartë kontrollohet nga të tjerë.

Me kë do që të bashkohet, Meta do te prishe punë. Berisha nuk ka më nevojë për Metën pavarësisht se Meta fryhet dhe hiqet si  “golden”. Meta është politikani më i urryer dhe më i ulëti që ka njohur polítika shqiptare. Berisha ndihet me mire me Eduard Selamin (të cilit ja zbuti kurrizin) se sa me Metën, sepse të paktën Selami ka  më shumë “ideale” se Meta dhe në aparencë është më i pjekur se shtangisti/ekonomisti. Berisha nuk ka nevoje për një limon të shtrydhur sepse fitimi i Ilir Metës nuk është i sigurte. Berisha ka makinën e vet elektorale që është e graduar në “përpara” dhe nuk di të ndaloj ose të kthehet mbrapsht. Koncepti i majtistëve është ‘t’ia marrim pushtetin Berishës’. “Come again” do t’i thoshja unë sepse kësaj rradhe nuk doli gjë. Pra hesapet nuk janë bërë mirë as kësaj rradhe. Berisha nuk është i çmëndur të bie në skenarët e PS dhe LSI dhe dështakëve socialiste eupropian. Berisha është politikan i rrahur në shkollën e huliganeve, pasi ata i ngelen me humbjen e pjesës dërmuese.

Nga ‘tre të këqija të zgjedhim më të voglën’ kjo është motoja e zgjedhjeve të 23 Qershorit. Kuçedra paska pasur tre koka. Metën, Berishën dhe Ramën. Kush është koka më pak e keqe? Me thënë të drejtën nuk di kë të zgjedhesh sepse te tre kokat kanë sjell aq shumë dëme popullit sa e vetmja rrugë është bojkotimi i zgjedhjeve dhe marrja e fuqisëe nga populli. Aleanca e PS dhe LSI do të bëj “backfire” Ramën. Me një fjalë në një fushatë amorale, ku nuk ka norma, standarde politike dhe shoqërore prognoza është mjaft negative. Berisha, paçka se i trullosur, po rigrupohet dhe këtë e them me bindje të plotë. Makina e propagandës së Berishës më shumë se kurrë është hedhur në sulm për të bindur të pavendosurit që midis Ramës, Metës, dhe Berishës të zgjedhin Berishën. Plotsisht e realizueshme. Elektorati socialist në të cilën Rama mbështetej dhe midis të cilëve ka plot njerëz të ndershëm, komplet i shokuar nga kjo ngjasi, nuk do votoj për Ramën (dy ne xhep për Berishën). Prognoza për  në qershor ngelet: Perplasje politike ose fitore për Berishën.