Home » ANALISTE TE FTUAR » ILIR HYSA, Ph.D. : LIGËSIA E NJË ARGUMENTI EKONOMIK

ILIR HYSA, Ph.D. : LIGËSIA E NJË ARGUMENTI EKONOMIK

Natyra Ciklike E Zhvillimit

Shoqëritë që zgjedhin të braktisin modelin e dështuar të ekonomisë së centralizuar dhe të përqafojnë modelin e tregut të lirë, në harkun kohor të transformimeve, mësojnë shumë mësime, disa prej të cilave jo shumë të këndshme. Për shembull, ata përshtaten me realitetin e ri dhe fillojnë të kuptojnë se ekonomitë e hapura kapitaliste kalojnë nëpër cikle të pashmangshme uljesh dhe ngritjesh. Edhe ekonomitë më të fuqishme në botë nuk i shpëtojnë dot këtij realiteti. Shpesh këto cikle ulje-ngritjesh iu atribuohen papërgjegjësisë së aktorëve të ndryshëm në jetën e vendit si institucioneve financiare, investimeve agresive me risk të lartë etj. Ky argument nuk është pa vend. Prova më e mirë për këtë argument është fakti që edhe pas mëse tetë dekadash, në SHBA ende nuk është mbyllur plotësisht debati rreth faktorëve që ҫuan në Depresionin e Madh në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Ekonomisti anglez Xhon Mejnard Kejnz (John Maynard Keynes) do të mbante përgjegjës spekullatorët me “shpirtëra kafshësh” (animal spirits) për krizën që përfshiu tregjet financiare, ndërkohë që në sytë e disa të tjerëve, vonesa në veprim e autoriteteve, kryesisht plogështia e politikës monetare të Bankës Federale, ishte receta e krizës së thellë që u përjetua atëherë në ekonominë botërore. Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto, koha ka treguar se luhatje në ekonomi ka edhe në mungesë të krizave financiare dhe arbitraritetit në investime.

Mos Po Iu Biem Kot Në Qafë?

E bëra këtë hyrje për të vënë në dukje se, pavarësisht se është përgjithësisht e vështirë për ti provuar si kompetentë dhe jomëkatarë, politikanët e vendeve post-komuniste nuk janë fajtorë në ҫdo rast, sidomos kur vjen puna tek ciklet e biznesit. Thënë ndryshe, luhatjet në ekonomi mund të mos jenë mëkati i tyre sepse luhatjet ekonomike qëndrojnë në  natyrën e sistemit kapitalist, i cili sipas doktrinës “laissez-faire” bazohet në zgjidhjen e problemeve nëpërmjet vetë-korigjimit të tregjeve.

A do të thotë kjo se pushtetarët e vendeve pas-komuniste janë ëngjuj? Jo domosdoshmërisht. Le të marrim për shembull rastin e pushtetarëve shqiptarë. Ata sigurisht përbëjnë një rast të veҫantë të pushteteve pas-komuniste në Ballkan dhe më gjërë. Për më tepër, së paku në aspektin ekonomik, ata kanë shumë mëkate. Po cili është mëkati i tyre më i madh? Sigurisht që përgjigja nuk është e thjeshtë, madje ajo është aq komplekse saqë për ta argumentuar do ti referohemi eksperiencave botërore. Në periudhën ndërmjet viteve ’60 dhe ’90 të shekullit të kaluar, ekonomitë e vendeve si Hong Kongu, Korea e Jugut, Singapori, Tajvani por dhe Kina përjetuan rritje ekonomike të niveleve shumë të larta, që e kalonin shifrën 7 përqind, madje shpesh rritja ekonomike ishte dyshifrore. Kjo rritje ekonomike erdhi kryesisht nga vërshimi i shumave kolosale të kapitalit të huaj në këto vende por edhe si pasojë e sakrificave në konsumin privat dhe publik për të rritur investimet.

Argumenti I Tyre Dhe “Tigrat Aziatikë”

Argumenti i kapitalit të huaj ka qenë edhe argumenti kryesor që kanë përdorur vazhdimisht autoritetet shqiptare, sidomos gjatë këtyre viteve të fundit për të justifikuar nivelin e lartë të borxhit publik: “investimet sigurojnë rritje ekonomike në të ardhmen”. Deri këtu në rregull.

Tani, le të kthehemi tek mrekullia e “tigrave aziatikë”. Rritja e lartë ekonomike deri në mesin e viteve ’90 u pasua nga një krizë financiare në vitet 1997 dhe 1998, në thelb të së cilës ishte vështirësia e këtyre vendeve për të paguar njëkohesisht interesin e borxhit dhe shumat principale të borxheve të marra. Për më tepër, në këto vende nuk kishte një mbështetje popullore për përballimin e krizës sepse në këto shoqëri ishte thelluar së tepërmi hendeku midis shumicës dhe një grushti njerëzish që kontrollonin gjithҫka. E megjithatë, falë reformave dhe investimeve të menҫura, kryesisht në fushën e teknologjisë, ato janë kthyer sërisht në ekonomi protagoniste në ekonominë globale.

Nga sa u tha më lart, vihen re shumë ngjashmëri por edhe shumë ndryshime ndërmjet asaj që ndodhi në Azi dhe asaj që ka ndodhur dhe po ndodh në Shqiperi. Mes ngjashmërive, vlen të përmendet polarizimi i shoqërisë nga pikëpamja e të ardhurave dhe borxhi i lartë publik. Mes dallimeve, do të ndalemi në dy aspekte thelbësore. Së pari, investimet shqiptare janë në vlerë reale shumë më të vogla nga shifrat që raportohen nga pushteti. E theksoj në vlerë reale sepse investimet në Shqipëri kanë njohur një dozë të lartë korrupsioni dhe inefiҫence, dokumentuar në shumë raste nga programi televiziv investigativ “Fiks Fare” në Televizionit Top Channel. Pushtetarë të fiksuar në kamera duke ndarë përqindjet e tenderave dhe tunele që shemben dhe rindërtohen sërisht pas prerjes së shiritit në prag zgjedhjesh janë provat më të mira të një shifre fiktive investimesh me të cilat mashtrohen vazhdimisht shqiptarët. Si duket, pushtetarët shqiptarë besojnë shumë se duke trumpetuar shumë mashtrime, diҫka do te mbetet që njerëzit do ta perceptojnë si të vërtetë dhe, edhe pse jo etik, për ata ai është sukses. Duke huazuar nga tabani popullor, shifrat e qeverisë i ngjasojnë historisë së pijanecit që shkon në shtëpi me dy kilogram domate, iu tregon familjarëve se ka harxhuar njëqind mijë lekë, dhe ҫuditet që askush nuk po i thotë faleminderit. Së dyti, duhet vënë në pah se ndërsa “tigrat aziatikë” u përballën me realitetin e krijuar nga kriza financiare, autoritetet shqiptare, jo vetëm që nuk janë gati për ta përballuar por, po mundohen ta fshehin atë. Ky është ndoshta edhe mëkati i tyre më i madh.

Kjo është edhe ligësia e argumentit të tyre ekonomik mbi bazën e të cilit shqiptarët nuk duhet të shqetësohen për borxhin sepse ai është rezultat i investimeve të mëdha që do të japin fryte në vitet që vijnë. Shtrohet pyetja: Ҫfarë do të prodhojë Shqipëria tani e tutje meqë ka investuar kaq shumë? Përgjigjia mbetet e paqartë, së paku sipas qeverisë. Për publikun, përgjigjia është e qartë dhe e vërteta është krejt ndryshe. Sipas Institutit të Statistikave, bilanci ynë tregtar[i] mbetet ende shumë negativ. Për shembull, gjatë muajit Shkurt 2013 Shqipëria eksportoi 15862 mln lekë mallra dhe importoi 33187 mln lekë mallra. Mes eksporteve[ii], më tepër se dy të tretat e zënë sektorët që pushteti ua ka ‘privatizuar’ njerëzve të tij në sektorët e mineraleve, lëndëve djegëse, energjisë elektrike etj. Shtrohet pyetja: Sa përqind e popullsisë është e punësuar në këta sektorë? Edhe pse shifra e saktë nuk dihet sepse ekonomia shqiptare vuan nga informaliteti i lartë, mund të thuhet se përqindja e popullsisë së punësuar në sektorët që po vjelin të ardhura nga eksportet e burimeve të nëntokës dhe mbitokës shqiptare është shumë e vogël. Atëherë, pse kemi hyrë në borxh?

A Pranojnë Pushtetarët Kriza?

Pushtetarët shqiptarë i kanë futur shtetasit e tyre deri në fyt në borxhe, dhe nuk janë shqetësuar që investimet të jenë efikase dhe produktive. Këmbimi i qëllimshëm i termave privatizim dhe investim është dashakeqës dhe bëhet me qëllime të caktuara, ndërkohë që ato janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ata janë mjaftuar që përveҫ rrugëve, për të cilat kanë prerë shirita disa herë, hidrocentralet, minierat, tokat në zonat urbane dhe bregdetare, dhe ҫdo gjë tjetër të rëndësishme ta kenë pronë të tyre. Edhe grabitjen ata e quajnë investim. Ata kanë folur pareshtur për të ashtuquajturat ‘Ndërmarrje të Rëndësisë Strategjike’ si kod për familjaret e tyre të grumbullohen rreth vathës dhe të marrin pjesën e tyre sa nuk është vonë. Sidoqoftë, atyre iu duhet dhënë kredit për faktin se, edhe pse shpesh me gjuhë të kamufluar, e kanë njohur publikisht krizën. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani i paralajmëroi zhvillimet e pritshme në një konferencë shtypi[iii] që në 26 Janar 2011. Ai foli për borxhin publik (problematik) të vendeve fqinje por jo për borxhin publik të Shqipërisë:

“Rritja ekonomike pritet te vazhdoje edhe ne vitin 2011, por pasigurite mbi te mbeten te larta. Zhbalancimet makroekonomike ne nivel global, te shfaqura ne nivele te larta te deficitit tregtar te disa vendeve te zhvilluara, mund te materializohen ne goditje mbi kursin e kembimit mes monedhave kryesore dhe mbi shkembimet e lira tregtare ne bote. Gjithashtu, shqetesimet mbi nivelin e borxhit publik dhe qendrueshmerine fiskale te disa prej vendeve te eurozones vazhdojne te ndikojne ndjeshmerine e tregjeve financiare dhe tolerancen e tyre ndaj rrezikut.”

Mashtrime Të Reja 2013 Dhe Zgjidhja?

Nëse dikush del në fushatën elektorale të sezonit ku kemi hyrë dhe iu thotë qytetarëve shqiptarë se zgjidhjet e problemeve tona, përfshirë borxhin e lartë, grabitjen e pronës private, privatizimet nepotike të ekonomisë kombëtare, etj., nuk janë të vështira kur ata të marrin/mbajnë pushtetin, ai apo ajo vetëm mashtron. Zgjidhja e problemeve të krijuara kërkon para së gjithash njerëz jo vetëm të përgatitur por edhe të përkushtuar që e shohin një post ministror apo detyrë tjetër si shans për tu bërë shërbëtor i popullit të tij/saj dhe jo mundësi për të mbushur xhepat.

Në Vend Të Mbylljes – Ne Që Shkruajmë

Për ne që shkruajmë, puna bëhet ҫdo ditë sa e vështirë aq edhe e lehtë. Bëhet e lehtë sepse një realitet që ulërin nuk ka nevojë të mendohesh gjatë. Mirëpo, nga ana tjetër, bëhet më e vështirë sepse , analizat e natyrës akademike bazohen në modele dhe rasti shqiptar është unik në sojin e tij. Zhvillimi ekonomik, por edhe politik dhe shoqëror shqiptar ka degjeneruar aq keq sa asnjë nga modelet e njohura deri sot nuk mund të aplikohet plotësisht në të kuptuarit e tij. Ai realitet ka nevojë për një qasje të re institucionale, me një elitë të re dhe të ҫliruar nga dogmat. Vetëm ribërja e institucioneve do të kthejë besimin e qytetarëve pas një zhgënjimi të gjatë, madje në dukje të pafund. Që të ndodhë kjo nevojiten qytetarë aktivë që e braktisin një herë e përgjithmonë mentalitetin e trashëguar “ҫ’më duhet mua” dhe i përvishen punës për të marrë në dorë fatet e vendit dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, nëse është nevoja duke mbrojtur edhe votën e tyre të lirë.


[iii] Konference per Shtyp: Mbi vendimmarrjen e politikes monetare te Keshillit Mbikeqyres te Bankes se Shqiperise, 26 janar 2011 (http://www.kohajone.com/zarticle.php?id=58003)