GRID RROJI: BOJKOTI SI MJET DELEGJITIMUES NDAJ PARISË

Problemi i legjitimitetit është një nga problemet e vetme të cilin paria e Tiranës nuk e kontrollon në të gjitha hallkat e veta. Në një sistem demokratik legjitimiteti (pranueshmëria e sistemit qeverisës nga të qeverisurit) vjen nga zgjedhjet e lira, institucionet e pavarura, dhe barazia para ligjit. Mirëpo sistemi jonë politik është një oligarki e mirëfilltë  e kontrolluar nga palët dhe zgjedhjet shërbejnë vetëm si levë legjitimuesë për parinë. Ndërsa institucionet dhe gjyqësori kontrollohen dhe janë kontrolluar ngahera drejtpërdrejt me anë të mekanizmave të pushtetit, e vetmja hallkë ku paria nuk ka siguri të plotë kontrolli janë zgjedhjet. Teknikat e kontrollit të votës kanë evoluar. Ndër to më populloret janë: vjedhja ashiqare, përcaktimi i kodit për t’u mbyllur shtigjet të tretëve dhe eliminuar të vegjlit, vendosja e komisionerëve të të dyja palëve, mbushja e kutive me vota emigrantësh, ndarja e votave të partive të vogla me marrëveshje nga komisionerët, e deri tek vota foto me celular, e cila të garanton mbajtjen e vendit të punës. Mirëpo, sërish paria duket e frikësuar nga vota.

Ndaj edhe në këtë shkrim duke marrë shkas nga nisma Vota e Bardhë, do të argumentoj se bojkoti i zgjedhjeve (vota e bardhë) është mjet demokratik i dobishëm me të cilin qytetarët shqiptarë mund t’a minojnë planin e parisë së Tiranës për ti mbajtur nën një zgjedhë pseudo-demokratike. Vota e bardhë është mjeti me të cilin shqiptarët mund t’i thonë parisë se ajo është në minorancë dhe nuk mund ta sundojë aq lehtë popullin. Paria i druhet votës së bardhë më shumë se çdo gjëje sepse me humbjen e legjitimitetit ajo e di se sundimi i saj oligarkik i ka ditët e numëruara.

Cilat janë arsyet pse bojkoti është një mjet demokratik i dobishëm për të rimarrë në dorë fatet e Shqipërisë? Më poshtë do të rendis disa syresh por më e rëndësishmja është se bojkoti masiv i heq parisë vellon e paevitueshmërisë, duke i rivendosur fatet e shqiptarëve në duart e popullit.

Më tej, sotpërsot mungon një forcë e re reformuese, e papërlyer, dhe e përgatitur për të ndërtuar shtetin komb e cilë të mbledhë mbështetje masive popullore. Ndaj, në kushtet e deritanishme vota e bardhë është rruga e vetme që i mbetet qytetarit për t’ju kundërvënë parisë.

Marrëveshja e ngjalave i kënaqi të gjitha palët e parisë, ndaj dhe ka marrë bekimin e tyre. Në sajë të kësaj marrëveshjeje, Sali Berishës i garantohet në rastin më të keq një ikje e butë nga pushteti për vete dhe familjen, Edi Ramës i garantohet (për një periudhë të caktuar) karrikja e kryeministrit, ndërsa Ilir Metës i garantohen gati 10 deputetë dhe një e ardhme me perspektivë brenda të majtës. Ndonëse Berisha do të përpiqet deri në fund dhe me të gjitha mjetet për të ndenjur në pushtet, gjasat janë që rotacioni do të ndodhë.

Dalja e disa forcave të reja, të cilat kërcënonin monopolin oligarkik të parisë përbënte një tjetër arsye për t’a ndarë hesapin përpara. Pas marrëveshjes, Bamir Topi tashmë duket i destinuar për t’u lidhur me PBDNJ-në në mënyrë që të ruajë votat, të cilat do të vijnë nga të pakënaqurit e PD-së. Kreshnik Spahiu, i lënë vetëm më 7 Prill edhe nga kryesia e partisë së vet, duket tashmë tërësisht i shfaktorizuar dhe i farkëtueshëm nga ofruesi më i mirë. Megjithëse me një kartë të rëndësishme në dorë si kombëtarizmi, duke e luajtur lojën me mjetet e kundërshtarëve të vet shumë më me eksperiencë, Spahiu dëshmoi papjekuri politike dhe tendencë për mendjelehtësi.

Kësisoj, marrëveshja e ngjalës i kënaq të gjithë palët kryesore dhe minimizon rreziqet, duke i detyruar në çdo rast të vegjlit të luajnë role dytësore. Pra marrëveshja garanton stabilitet të sistemit dhe pranueshmërinë e tij nga populli. Duhet theksuar gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që pas përplasjeve të forta paria e gjen gjuhën për të ruajtur hegjemoninë e vet. Mjafton të kujtojmë se Sali Berisha nuk u turpërua aspak kur për të mbajtur pushtetin bëri aleancë me “klanin e Zemunit”. Pra, as tani nuk kemi pse të habitemi nga aleanca e Ilir Metës me “kryemafjozin, kryetarin e spiunëve, njeriun e degjeneruar….. Edi Rama”. Ato ishin thjesht limonata elektorale.

Një tjetër arsye është gjendja ekonomike tejet e dëshpëruar. Të gjitha palët e dinë atë dhe pasojat që mund të ketë një revoltë popullore. Atyre u duhej marrëveshja për të mbyllur shtigjet e pakënaqësisë popullore. Parisë i duhet t’a kalojnë lumin edhe këtë herë e t’a mbajë sistemin sepse e di që me një ekonomi në rënie, me borxhin mbi 60 % të PBDsë, me investime fantazëm dhe me një klimë të rënduar krize në Europë shqiptarëve do t’u duhet të vuajnë edhe për shumë vite për të dalë nga kriza.

Kurse për sa i përket vegimit të integrimit, premtimet bombastike janë ende edhe më gënjeshtare. Në një analizë të vitit 2010 e kryer nga qendra Uillson e studimeve për Ballkanin Perëndimor në Universitetin Prinston thuhet shprehimisht: “…nuk ka gjasa që vendet e Ballkanit perëndimor të kenë plotësuar kushtet të paktën deri në 2020ën!”1. Pra, qeveria e Integrimit ishte një rrenë e madhe, ashtu si do të jetë edhe programi i qeverisë së ardhshme të ngjalës.

Ndaj, paria mendon se e ka mbyllur lojën pothuajse krejtësisht duke dënuar me vdekje sistemin demokratik. Ndeshja është e trukuar tanimë , votimi duket i panevojshëm përveçse për të bërë farsën e radhës.  Madje, po të lexosh shtypin dhe mediat vizive kjo është rrjedha normale e gjërave.

Në këtë mesele ka një humbës të madh, populli shqiptar, i majtë e i djathtë, i cili nuk mund t’a kapërdijë dot aq lehtë ngjalën e ndyrë të politikës, e të mbajë në kurriz të vet pasojat.

Pra, pas 23 vjet sundimi oligarkik parisë i duhet të përballet me gjykimin popullor. Gjykimi i popullit nuk ndahet më në komunistë a ballistë,veriorë a jugorë,  të Saliut a të Edit, ushtarakë a punonjës të administratës. Teknikat që deri dje funksiononin për të krijuar dasi e për të mobilizuar mbështetësit përkatës duket se këtë herë nuk mjaftojnë. Të gjithë shqiptarët e ndershëm e kanë dënuar rëndë marrëveshjen e fundit duke e perceptuar atë si prodhim të nevojtoreve të parisë. Furia morale që përshkon rrjetet sociale dëshmon se populli shqiptar është duke ndenjur urtë, por ende nuk ka vdekur shpirtërisht.

Mirëpo, paria mendon se i ka dalë të keqes përpara. Në fund të fundit, pasi të kalojë çudia, qytetarët shqiptarë nuk kanë zgjedhje tjetër përpos palëve të parisë dhe veglave të tyre lehtësisht të kontrollueshme. Këtë na thotë edhe shumica e analistëve eunukë të medias. Paria me dinakëri e poshtërsi e vendos votuesin përpara dy të këqijave dhe i kërkon të përqafojë më të voglën. Socialistin e thjeshtë e ve përpara dilemës “ose ngjalën për të ardhur në pushtet ose Berishokracinë”, kurse demokratit të thjeshtë i thotë  “për pushtetin çdo gjë pranohet”.  Në dukje, zgjedhja ndonëse e vështirë moralisht favorizon palët e parisë. “S’kanë ku shkojnë”, është refreni që dëgjohet gjithkund.  Në gjuhën popullore paria “ja ka zënë kokën me derë” mbështetësve të vet. Mirëpo, në fund faturën për pisllëqet e veta paria ja kalon popullit.

Për këto arsye, mendoj se ka ardhur koha për një bojkot masiv të këtyre zgjedhjeve. Bojkoti nuk i lejon parisë të luajë me shqiptarët si grabitqari me prenë të cilën e ka zënë përfund. Vota e bardhë nuk i shërben ndryshimit të rezultatit në favor të njërës palë apo tjetrës. Për shumë arsye, gjasat e stërmëdha janë që Edi Rama do jetë kryeministri i ardhshëm dhe Sali Berisha do jetë në një opozitë të fortë numerikisht. Sigurisht që siç ka ndodhur deri më sot paria do t’i manipulojë votat e bardha duke i ndarë përkatësisht.  Mirëpo, manipulimi masiv i votës së bardhë nuk to t’i shërbente kësaj here sepse do t’ja humbte njësoj legjitimitetin në sytë e qytetarëve.

Pra, vota e bardhë ja heq parisë vellon e legjitimitetit, duke hedhur hapin e parë drejt një fillimi të ri. Në mungesë të një lëvizjeje si ajo e  Grilos, vota e bardhë i kujton parisë se shqiptarët nuk janë copa mishi për t’u shfrytëzuar e për t’u manipuluar me propagandë. Vota e bardhë i tregon edhe një herë parisë se zvetënimi moral nuk është i pranueshëm për qytetarin. Vota e bardhë i tregon palëve të zvetënuara të parisë se askush nuk ja ze kokën me derë shqiptarit.

Ndaj dhe i ftoj të gjithë shqiptarët e ndershëm t’i përgjigjen ftesës së organizatës Vota e Bardhë e t’a hedhin të bardhë fletën e tyre më 23 Qershor. Le të jetë ky hapi fillestar për t’i thënë ndal parisë së Tiranës.

_________________

Shënim

1)      Jens Bastian, Kriza Ekonomike në Europw dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor, Working Paper, Wilson Center for Western Balkan Policy, Princeton University, 2010.

Advertisements

VAL KARANXHA: PER KE BIEN KEMBANAT?

Përse Vota e Bardhe?
 Erdhi  ora e lutjes, e meshës apo ora e bojkotimit? Motoja e 23 qeshorit,   nga midis tre të këqijave zgjidhni më të voglën, në rrjetet sociale po  shëndrohet në bojkoto, absteno, dorëzo votën e bardhe. 23 qershori po afron dhe  politikanët shqiptarë kanë paturpsinë të kërkojnë votën   e popullit mbasi vodhën pasurinë e tij. Treshja politike do të guximin të  marrë pjesë  në komisionin e votave  dhe të bastardoj votën e shqiptarit,  ta fallsifikoj dhe  të thotë duke  mbajtur  një statuetë si ato të çmimeve Oscar.“Elektorati na votoi përsëri. Shqiptarët na  duan edhe një katër vjeçar tjetër në pushtet të cilin ne do ta abuzojmë se nuk kemi vlera, nuk kemi moral, nuk kemi endërra për popullim. Ne kemi vetëm ego për  të vjedhur për t’u pasuruar. Tenderat, përqindja për ne, tani janë një adiksion.  Paraja pa të cilën nuk rrimë dot na motivon dhe për këtë bejmë aleanca me kë na  e do nevoja.”

Ferri  ka dalë nga zinxhiri dhe ka marrë dhenë! Alternativa e vetme për ndryshim  në këtë moment është : “ Vota e bardhe
ose vota e protestes”, quheni si të doni. Të gjithat alternativat e sipër  përmëndura kanë në bazë vetëm nje koncept, atë të pakënaqsisë me seleksionimin e  kandidatëve, politikaneve, apo politikën e tyre të mbrapshtë.  Një  situatë e dëshpëruar, thërret për masa dhe mënyra të dëshpëruara. Deri tani në  arenën politike shqiptare kanë rrjedhur shumë ngjarje, midis të cilave pakënaqësi të  jashtëzakonshme me lidërshipin aktual. Por ajo çka ëshë e çuditshme ëshë se  shqiptarët paçka se janë të revoltuar me lidërshipin e sotëm dhe politikën e  tyre, nuk kanë arritur të nxjerrin një lidership të ri i përberë nga një  individ ose nga një grup individësh të cilët kanë përkrahje të gjerë  popullore dhe mbi të gjitha kanë besimin e popullit se do të bejnë ndryshimin.

Vota e bardhë, parimisht i jep  mundësinë  popullit të marrë pjesë direkte në zgjedhje dhe të refuzoj përfaqsinë e  kandidatevë. Kjo është shenja e parë që politika dhe lidershipi në Shqipëri ka  falimentuar për arsye sepse ato nuk kanë përfaqsuar popullin asnjëhere. Levizje  të tilla historia dhe politika ka njohur plotë. “Pa tokë, pa shtëpi s’ka vote”  ishte motoja e fushatës elektorale në Afrikën e Jugut në 2004 e grupit që  përfaqsonte popullsinë e varfër. Në 1999 Bjellorusia bojkotoi zgjedhjet dhe  komisioni i derguar nga OKB gjeti shkelje të së drejtës së fjalës. Meksike 2009,  levizja “Nulo” mos voto për njeri. Itali, 2013 levizja e Pepe Grillos. Sa shëmuj  të tjerë do elektorati shqiptar të bindet? Populli është i bindur se këta  sharlatanë do jenë në komisionin e votave dhe do ti shesin ato sy për sy të  çojnë marrveshjen deri në fund. Këta të paskrupullt dhe militantët e tyre do  korruptojnë anetarët e komisioneve elektorale me rryshfete të ç’numërojnë votat.  Ka ndodhur dhe pritet të ndodhë.

Ka  edhe më mirë

Një  botë pa Metën, Ramën dhe Berishën në politikë mbase nuk do jetë tërësisht  ideale sepse Shqipëria është  rrënuar, financiarisht, moralisht, shpirtërisht. E keqja e ngurtësuar nuk  shperbehet mejëhere. Por, po ju prenë burimet, ky përbindësh politik nuk merr  dot frymë. Burimi është vetëm vota e popullit i cili është manipulauar aq shumë  sa ka harruar konceptin e vertetë të demokracisë dhe parimet e saj. “Demo-cracy”  është pushteti i popullit dhe asnjë nga këta politikanë nuk përfaqson  popullin.

Pra,  një botë pa Metën në politikë do të thotë   idustri, ndërtim  dhe  financë me më shumë intergritet pa taksaxhiun e mesit i cili vetëm takson dhe i  fut në xhepin e tij. I thonë miliarda në xhepat e Metës që mund t’i shkonin  ekonomisë shqiptare.  Një  botë pa Berishën në politikë, është një botë pa borxhe, pa para të pompuara në  ekonomi për të rritur fiktivisht indekset. Është një Shqipëri e cila lufton  korrupsioin dhe shkeljet dënohen. Është një Shqipëri me një kushtetutë të fortë dhe jo një letër bakalli ku janë fshirë dhe janë shgarravitur kushedi se sa  ligje. Një botë pa Berishën në politikë është një botë ku njërzit nuk kanë frikë  të flasin sepse do t’i persekutojne huliganët e  qeverisë.

Një  botë pa Ramën në politikë eshte një karierist i shfrenuar më pak. Është një botë  ku njerzit nuk do trajtohen si turmë, ku elektorati socialist sido dhe sado të  jetë, të jëte në gjendje të zgjedh kandidatët e vetë dhe mos të manipulohet  pambarimisht. Një botë me Ramën është një e ardhme e pasigurt pasi Rama nuk ka  nuhatje politike dhe punon për te majtën socialiste dhe interesat e saj  financiare dhe ekonomike. Kjo botë eshtë larg ideales por është një fillim dhe   në këto momente këtë e bën të  mudur vetëm vota e bardhë ose vota e protesuesit.

Populli  u lodh nga  njëqind mëndjemëdhenj  nga parlamentet europiane, të cilëve  i duket sikur i dinë të gjitha, dhe çdo  herë, çdo kritikë e tyre është dhe një poshtrim tjetër për popullin. Populli u  lodh duke pritur të futet në Europë, dhe nuk ka për tu futur ndonjëhere  me Ilir Metën, Edi Ramën apo Sali  Berishën. Këta i ulën reputacionin vendit në vend që t’ja ngrinin, dhe kishin  shumë mundësi.  Rrëmujën, revoltën  nuk e do njeri sepse askujt nuk i duhet jë fitore e gjakosur me gjak të  pafajshëm. 97, një manipulim tjetër i PS dhe PD ka lënë ende shije të hidhur.   Asnjë nuk uron, kaos, anarki, se  kemi, dhe kemi pasur plot. Shqipëria nuk mund të kthehet në një vënd ku çdo gjë  të filloj nga shkatërrimi për të ndërtuar një demokraci te re. Politikanët e  sotshëm jane shkaktarë të ketyre fatkeqsive politike dhe  fillimi  i ndryshimit është vota e bardhe, por vota e bardhë pa lidërship, rrezikon të  kthehet ne le vizje anarkiste.

INISIATIVA “VOTA E BARDHË:” BËJ BOJKOT – VOTA SHKON KOT!

Legjitimiteti i cdo sistemi politik qëndron para së gjithash në marrjen e mbështetjes popullore. Populli hedh votën dhe iu jep votëbesimin politikanëve që mandej qeverisin shtetin.  Nga ana e tyre, politikanët  bëjnë të pamundurën që të mbledhin sa më shumë vota dhe të tregojnë se sistemi politik dhe votuesit i mbështesin ata. Përpjekja e politikanëve kudo, edhe të atyre shqiptarë për të mbledhur votat është e jashtëzakonshme dhe në ditën e votave ata që fitojnë më shumë vota formojnë qeverinë.

Mirëpo pyetja që shtrohet tani nuk është se “për kë duhet të votohet” por “a duhet të votohet në zgjedhjet kuvendore të vitit 2013?” Përgjigja e shkurtër është që votuesit shqiptarë duhet të votojnë, por ata nuk duhet të votojnë për partitë në këto zgjedhje. Zgjedhjet duhen bojkotuar. Edhe sikur votat e bardha, vota en blanco, të përcaktojnë se cila palë  e parisë do të fitojë, prapë zgjedhjet duhet të bojkotohen sepse nuk ka dallim në mes të palëve këta janë tre koka të të njëjtit gjarpër. Vota e bardhë nuk është një votë në mbështetje të sistemit por kundër tij. Vota e bardhë nuk është zgjidhja më e mirë e mundshme sepse zgjidhja më e mirë e mundshme do të ishte të votohej për dikë që zgjidh problemet e shumta dhe të pakapërcyeshme me të cilat përballemi.

Mirëpo, mosdhënia e legjitimitetit është një arritje e jashtëzakonshme në këtë gjendje kur kemi një diktaturë fashiste që maskohet si demokraci liberale. Paria e Tiranës ka një nevojë të jashtëzakonshme për legjitimitet. I druhet tërheqjes së mbështetjes popullore. Dhe e ka shumë frikë Votën e Bardhë. Aq shumë sa në shtetin shqiptar është rritur cmimi i votës, dhe paria është pa ndërprerje në fushatë. Mjete që janë hedhur, makina që është vënë në lëvizje, dhe përkushtimi i politikanëve është i jashtëzakonshëm. Vota e Bardhë i bën këto të pavlefshme dhe e bën Parinë të ndjehet krejt e pasigurtë.

Por, në pamundësinë e ndrrimit të sistemit, të vendosjes së njerëzve të duhur, të vendosjes së rregullave të duhura e të drejta, të ligjit e të njerëzve që do të zgjidhen, të gjithë shqiptarët duhet ta bojkotojnë sistemin. Mirëpo, shtysa për këtë shkrim erdhi nga inisiativa e një grupi djemsh e vajzash të reja në Tiranë, si Alban Nelaj, Alida Karakushi, Gjergj Erebara, Adela Halo, Ervin Kaciu, e te tjere. Këta janë të rinj me kurajo qytetare, dhe që e marrin seriozisht detyrën e qytetarit, si dhe të drejtat që kanë janë organizuar në një grup në facebook: https://ëëë.facebook.com/votobardhe. Këta të rinj, të cilët unë nuk i njoh fare por që i mbështes me shumë entuziazëm në këtë inisiativë po japin një shembull shumë frymëzues. Unë nuk i njoh të tjerët por Inisiativa e tyre për të bojkotuar sistemin e zgjedhjet është ajo që duhet. Ja edhe disa nga arsyet pse unë mendoj se kjo inisiativë është shumë e dobishme dhe që vjen në kohën e duhur.

Pse Duhet Bojkotuar Sistemi?

Së pari, sistemet politike, ekonomike, morale, shoqërore e kulturore janë të përcudnuara dhe nuk janë në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Këto sisteme iu kanë shërbyer vetëm palëve të parisë për pasurimin e tyre dhe për ndërtimin e një sistemi të pastër oligarkik, kriminal, kleptokratik, të zvetënuar, amoral, të sunduar, të kontrolluar, e në pronësi të një grushti klanesh. Nga ana e tyre, këto klane punojnë shumë ngushtë bashkë, si pjesë e parisë së Tiranës, për të mbajtur gjendjen e pandryshuar. Këta janë nisur të punojnë bashkë, do të vjedhin bashkë, do të mbajnë bashkë qeveritë, nuk do të ketë asnjëherë adresim si duhet të problemeve të qytetarëve dhe vjedhja do të vazhdojë pa ndërprerje.

Me një fjalë, si ilustrim, kjo punë është si e furgonit të prishur në rrugën Durrës-Tiranë. Shoferi dhe fatorinoja janë kunetë. Ata grinden se kush i mbledh paratë dhe kush i jep makinës. Tarifën e kanë caktuar që në fillim. Fitimet do t’i ndajnë bashkë në darkë. Mirëpo në rrugë e sipër prishet makina, tek shtëpia e Rrahmonit, Tanit, Gimit e Gonit. Zgjedhjet janë sikur t’u thuash udhëtarëve mbasi t’ua kesh marrë paratë në Vorë, dhe makina të jetë e prishur, e të mos dish ta rregullosh, “Hë, vendosni ju kush do të jetë shoferi se kemi vetëm pesë minuta kohë dhe mandej vihuni në rresht të shtyni makinën tonë deri në Durrës se ndryshe vjen Rrahmoni e Tani, Xeni, Goni e Gimi e iu marrin paratë.”

Cfarë rëndësie ka se cili shofer i jep makinës që nuk punon, që për më tepër nuk është as mekanik, e nuk din tjetër vec me e luejtë timonin majtas-djathtas si karrocën e Dylit? Makina është e tyre, makina është e prishur, ajo nuk po i con udhëtarët në destinacionin e duhur dhe udhëtarët duhet ta mbajnë gjallë sistemin e parisë.  Edhe Rrahmani e Tani, Goni e Gimi janë të tyret. Prandaj një votë e bardhë, që nuk është në mbështetje të parisë, që nuk numërohet për parinë, është sikur të bësh sikur shtyn makinën por të mos mundohesh fare.

Zgjedhësit, pra, janë si pasagjerët në këtë situatë. Ata duhet të përdorin cdo mundësi për të dalë nga situata ku i mban me qëllim paria. Dhe nga situata i nxjerr ose riparimi i këtij furgoni nga një pasagjer që është mekanik, mekanik,  një furgon i ri, që punon, që i con në destinacion, edhe pse ato paratë e biletës së furgonit të parë nuk do t’i marrin më ndonjëherë. Ose kështu, ose në fund, le ta shtyjnë sa të duan furgonin, prapë do të vijë Rrahmoni, Tani, Zeni e Gimi dhe do iu mbledhin paratë e jetën. Kush e jep votën është si ai udhëtari që e shtyn furgonin në këtë gjendje deri në Durrës sepse këta janë bashkë, duan të vjedhin paratë, të kryejnë punët e tyre, dhe të përdorin shqiptarët e votuesit.

Së dyti, vota në sistemin shqiptar nuk ka vlerë. Këta e kanë ndërtuar një system që garanton që partitë e tyre fitojnë votat sido që të shkojnë punët. Këta i kontrollojnë të gjithë komisionet si duan vetë. Këta e kanë bërë ligjin zgjedhor si kanë dashur vetë e bashkë e në mbrojtje të interesave të tyre.  Këta të bëjnë të hedhësh votën për njërin ose tjetrin, sepse forcat politike që nuk janë të mëdha ose në koalicion me ta, janë të humbura.  Këta i kanë fshirë emigrantët nga listat. Po votove për ta, të hipin në aeroplan dhe të sjellin në Tiranë të Votosh, të shohësh mamin e babin dhe të kthehesh prapë në Greqi e Itali e Hollandë.  Por po votove e dole kundër tyre, je i humbur. Këta kontrollojnë edhe bandat që rrinë tek qëndrat e votimit dhe që vendosin se kush voton për kë. Këta i kanë listat gati dhe preson që për 50 mijë lekëshin t’ua nisësh foton e votës me Iphone. Këta të japin Iphone të fotografosh vjedhjen e deformimin e votës tënde. Këta e bëjnë si ai shoferi i furgonit që e thërret Rrahmonin, Gimin e Tanin dhe iu thotë, shihe pak a e shtyjnë si duhet furgonin këta miqtë tanë qytetarë që jetojnë tek këneta. E në Laprakë, do ju japim një kafe edhe këtyre edhe ju.  Mirëpo furgoni është i privatizuar prej Rrahmonit që ka edhe një pjesë tjetër në fitim.

Së treti, paria e ka organizuar punën që të mos ketë alternativa të tjera. Cdo politikan që del kundër tyre është i poshtër, bandit i shitur, i shitur tek të huajt, injorant, spiun i Sigurimit, bllokmen apo bllokqen,  etj. Këta, me një fjalë, nuk duan që të dalë loja nga dora e tyre. Sikur të ndalet ndonjë furgon që i con njerëzit në vend, këta i thonë ‘ik, zhduku se të futa një plumb, pis.’ Për parinë e Tiranës, me një fjalë, cdo njeri që del e thotë se  furgoni nuk punon, se këta janë hajna, se janë bashkë më Rrahmonin, është mashtrues kriminel e bandit. Cdo furgon që ndalet për të marrë këta udhëtarë, edhe për një cmim të arsyeshëm duhet të ikë sa më shpejt që të jetë e mundur sepse e shohin se Rrahmoni, Tani, Goni, Gimi ka një kobure të vockël në brez. Prandaj edhe nuk duhet votuar për këta sepse keta jane sistemi dhe sistemi nuk ndrron nga brenda. duhen ndrruar me themel rregullat e lojes. me keta rregulla loje keta fitojne gjithmone.

Së katërti, cilado palë e parisë që të fitojë, shqiptarët do të humbin sepse ata janë të gjithë bashkë. Pakti i 1 Prillit 2013 3 provoj në mënyrë përfekte që këta janë të gjithë bashkë. Halli i tyre është se si të ndajnë lekët. Salihi, Edi, Iliri, Vangjeli, Fatmiri, Skenderi, Paskali, Spartaku, dreqi dhe i biri janë të gjithë bashkë. Këta e kanë hallin të ruajnë familjen, të mbledhin miliardat, të ruajnë kokën, të shmangin urrejtjen popullore, të vjedhin shtetin, të shesin territorin, të degjenerojnë kombin, të shkatërrojnë rininë, të bëjnë të 99-tat. Halli i tyre është që torta të ndahet pa sherr. Kësaj here rastisi që u morën vesh shpejt. Salihi ruan familjen, Iliri ruan kuletën, Edi merr pushtetin.  Cfarë iu duhet këtyre vota e njerëzve, përvecse për të bërë të pranueshme gjendjen e poshtërsitë që kanë bërë këta.

Së pesti, për kë do të votojnë shqiptarët? Po të gjithë këta që janë e do të jenë në lista janë kokat e krimit lokal, kombëtar e deri në familjen e tyre. Po dëgjoni cfarë ka thënë salihi për Ilirin dhe Edin, Iliri për Edin dhe Salihin, Edi për Salihin dhe Ilirin. A ia vlen të numërosh epitetet, dëshmitë, poshtërsitë? Janë të pandershëm, të pafytyrë, të zvetënuar, të degjenuruar, të zhveshur nga cdo fije morali e sillen si gangsterët që kanë mbrapa. Kandidatët janë marioneta në duart e parisë. Kush i pa dhe kush i dëgjoi në Kuvend? Cfarë thonë e cfarë flasin? Po kush do të jenë deputetë??  A do te jene Spartak Braho, Ilir Meta, Gramoz Ruci, Arben Imami, Dashnor Sula, Fahri Balliu, Nard Ndoka, Ferdinand Pone,  e te tjere e te tjere?? Per keta duhet te votojme? jo, keta jane e shkuara jone fatkeqe qe do ta bejne edhe te ardhmen me fatkeqe.

Së gjashti, bojkoti duhet bërë për të mos rënë në kurthin e parisë së Tiranës që e bëri paktin me 1 Prill. Dhe tashti është nisur të zgjedhë shërbëtorët që duhet të shkojnë në kuvend. Kushdo që do të fitojë zgjedhjet si deputet, do të punojë për parinë, për klanet e saj pa kushte e pa pike dyshimi. Prandaj njerëzit nuk duhet të dëgjojnë fallxhorët e shtypit që si arixhofkat në rrugë dikur, tw ndalnin të hiqnin një qime nga palltoja, e të fusnin në hall kur të thonin “e paske një hall, po ta them unë hallin për dhjetë leka.” keta ndjekin te njejten teknike. Ja ta them une thone keta “se cfare halli ke ti, po mos bej keshtu se revolucion nuk do bejme se e provuam me 1997.” parulla e dites eshte ‘evolucion dhe rotacion.’ Mirepo ka ngelur gomari ne balte dhe Mustafa Nano e te tjeret e kuptojne kete se e njohin mendesine e gomarit shume mire qysh heret, nga kohe qe nuk mbahen mend. Këta zhurmues të parisë, si Mustafa Nano, Andrea Stefani, Henri Cili, Ndricim Peka, Blendi Fevziu e me rradhë janë thjesht klientë të paguar që të duartrokasin zgjedhjet e parisë. Si me thonë, këta janë kushërinjtë e Rrahmonit, të Gimit e të Tanit që bërtasin nga klubi, “ A bën burri kështu? Shtyje more ti derr pis, pak ma fort! Këtu do të rrini sonte. O burra edhe një herë, se s’bo burri kshu.’ ja kjo eshte mendesia e ketyre zhurmuesve te parise.

Së shtati, duhet vepruar kështu se ky fisi në këtë katund, i kanë ndarë punët e jetojnë me kete punë, e kanë biznes të familjes. E dinë se katundarët që kanë hall do ta shtyjnë furgonin nja një kilometër, dhe as nuk do të kërkojnë paratë e do të turren të gjejnë strehë në katundin afër,  ose do të shkojnë në këmbë deri në Tiranë dm.th. në mërgim, dhe ata që kanë ca para do të ndalen tek Stela apo tek Dream City e do të thonë se sa ‘kopila’ d.m.th. sa të mencur ishin Sala, Ilir dhe Edi, që ua futën ashtu. E Salihu, Edi, dhe Iliri do të kthehen në Durrës me marrë pasagjerë të rinj, katundarë që kanë hall me zgjidhë në Tiranë. Rrahmoni do të shkojë me Tanin, Gimin, Gonin, me ‘bo noj sen.’ Nga ana e tyre, Muci Puci, te themi Rrushi Rrapatushi (ky eshte pseudonim, por megjithate une nuk e ve doren ne zjarr, sepse nuk i di keto pseudonimet e reja), dhe llapaqenëria mediatike do të shkojnë tek emisioni i Blendi Fevziut e ne vende te tjera të diskutojnë me zjarr se cfarë duhej të bënin katundarët dhe sa pare do të marrë Saliu, Edi, Iliri e kush ishte burri më i mire qe nuk ua futi doren ne xhep katundareve pasagjerë, që ishin kaq budallenj, po “hajt ma, popull budallë, rob kot që jena!”

Në Përfundim

Për këto arsye duhet mbështetur Inisiativa “Vota e Bardhë.” Kjo është një shprehje e qytetarisë shqiptare, është një mënyrë për me i ikë kontrollit të parisë, me pasë një fillim të ri, me kuptue vetveten e zgjidhjet që kemi. Ndoshta per ata jemi pasagjerë katundarë, por këtë furgonin tonë, shtetin tonë, e kanë vjedhur këta pjestarë të parisë së Tiranës dhe ne duhet ta marrim mbrapsht. Ne do të gjejmë rrugën tone dhe në fakt, fillimi eshte po ky: shteti është i joni. shtetin do ta bëjmë tonin, vetëm kur të votojmë si duhet, për njerëzit që duhet e për problemet që duhet me seriozitetin e duhur. Prandaj edhe këtë herë, edhe në këto zgjedhje, duhet bërë thirrje për bojkot sepse kjo votë shkon kot. Në mos mundsh të votosh, e në mos qofsh i/e  bindur për cilën parti mund të votosh, atëherë bëji një “like” e “share” kësaj inisiative në Facebook. Sepse, kur blen ‘miq’ në Facebook edhe nga Egjipti vetë Saliu, Edi dhe mbështetësja e PD-së Bleona Qerreti, ne të tjerët të paktën mund të themi se nuk duam të jemi pjesë e krimit të tyre dhe do te jemi te sakte ne bindjen tone.