Home » ANALISTE TE FTUAR » EDLIRA GUSHTA: PAKTI I 1 PRILLIT, MEDIA DHE ANALISTËT

EDLIRA GUSHTA: PAKTI I 1 PRILLIT, MEDIA DHE ANALISTËT

Me lëvizjet e fundit politike s’lexova asnjë analist, nga ata që janë atje, ta analizonte më, si duhet, në hollësi bashkimin e Ramës me Metën. Të gjithë sollën si shembull faktet se Iliri ishte me Berishën, Iliri shkaktoi protestat e 21 janarit dhe që Berisha vrau se donte karrigen. Një arsyetim shumë i thjeshtë. Por media s’e tregoi të tërën, as Muc Nano, as Andrea Stefani, që janë pro Ramës apo Mero Baze, dikur me Ramën, e tani bën sikur nuk është me Ramën, as Henri Cili që është pro Berishës apo dhe Afrim Krasniqi që është pjesë e strukturës politike të FRD. Një qëndrim disi më afër së vërtetës ishte ai i Andi Bushatit, por që nuk dihet edhe sa ditë do ta mbajë.

Askush nuk duhet të na gënjejë se politika nw Tiranw ka moral, respekton moralin, sepse ajo në vetvete është e pamoralshme, por mundet që të ruhet ndonjë parim, por asnjëri mos të flasë për moral.

Askush s’duhet të flasë për mungesë morali në këtë marrëveshje. Historia i njeh këto marrëveshje në gjithë botën, ndoshta historia ka mësuar që pas këtyre marrëveshjeve të pamoralshme, ndahen parimet që do respektohen dhe ato që nuk duhet të respektohen.

Askush nuk e tha se si erdhi Edi Rama në krye të socialistëve në gjoja betejën e tij ndaj Fatos Nanos.

Asnjëri nuk përmendi eurot që i shkuan këtij të fundit për të lënë karrigen e kreut të PS-së që ta merrte Rama. Dhe çmimi do të ketë qenë i lartë sepse Nano nuk e lëshonte për pak euro atë parti. I kishte ardhur koha për pushime dhe pushimet nuk bëhen me thërrime.

Askush nuk e tregoi se si e fitoi kreun e PS-së ky njeri, që dikur Nano i pati përmendur që e kishte marrë me thonj të palarë nga Parisi për ta bërë intelektual-ministër. Pazari u krye!. Edhe pse u ble ashiqare ai post, asnjë anëtar apo deputet socialist nuk foli, sepse panë te Ed Rama një njeri të ri, që kishte drejtuar ministri të suksesshme dhe kishte lyer Tiranën me bojëra, por dhe që i kishte hyrë rëndshëm biznesit të ndërtimit.

Asnjë media e së majtës nuk foli se pse kryetari i tyre ishte aq i varfër edhe pas 12 vitesh drejtimi të bashkisë më të madhe, që kishte dhe aq shumë lekë në qarkullim.

Por mediat e djathta nuk e kishin interes ta gjenin arsyen se pse, sepse kryetari i tyre, Berisha, e ka ndërtuar karrierën e vet politike mbi ‘dosjet’ (jo vetëm dosje të ish-sigurimsave, por edhe dosje me afera të rrezikshme, që edhe një drejtësi e lodhur si e jona do i dënonte brenda ditës, dosje me vrasje e pjesmarrje në vrasje, dosje për kontrabandë droge apo trafikim të trashëgimisë artistike të vendit tonë) që ka për secilin, qoftë të majtë apo të djathtë dhe ashtu ka ecur përpara. (Do ju kujtohet konferenca e famshme e Berishës si dikur KPD-ja e Nanos, ku ai publikoi dosjen e politikanëve më të varfër, më i fundit i tyre ishte Nard Ndoka, me vetëm një firmë ndërtimi).

As për këto dosje Berisha nuk ka dashur të flasë në media, se i duhen për më vonë për vete, i duhen ato dosje edhe pas gjashtëdhjetë vjetësh, kur vetë dosjet s’do të kenë më kuptim. E me të hyrë Rama në PS erdhën dalngadalë biznesmenë me ‘kontribute’ majtiste, që përvecse rritnin fitimet e tyre nën qeverisjen e Berishës, jepnin para për PS-në, por edhe ndonjë lëmoshë për mediat e saj, një farë pazari, që gjithmonë leku shkonte në dorën e ‘horrit’ dhe përdorej nga ‘horri’ për ‘hordhëk’.

Berisha e kuptoi shpejt se me rivalin e tij përballë e vetmja gjë që duhej të bënte ishte vetëm të fliste për para dhe me para në dorë. Edi Rama shpikte shfaqje mbas shfaqeje, shpërtheu Gërdeci dhe ai i rrahu shpatullat Berishës në spitalin ushtarak. Kishte ardhur të shihte mikun që kishte hall, për një mik tjetër që kishte rënë po në atë hall. Fakti që zoti Rama s’po shprehet në publik për Mihal Delijorgjin sa i takon çështjes së Gërdecit ka shumë domethënie, ashtu siç ka domethënie dhe tjetra që ky zotëria i Gërdecit intervistën e parë humoristiko-tragjike e dha në një gazetë pranë Ramës.

Në zgjedhjet e 2009, kur e majta kishte mundësi të vinte në pushtet, pikërisht duke u bashkuar me Ilir Metën, të shmangte kështu edhe 21 janarin e 2011, tregon se diku u prishën pazaret. Mbase Meta kërkoi më shumë se sa kishte mundësi të jepte Rama. Mbase Meta kërkone postin e kryeministrit dhe atë post Rama, edhe ishte kryetar bashkie e donte për vete. Pse nuk e bëri Rama këtë bashkim në 2009? Cilat ishin ato pazare-projekte të parealizuara që e mbanin ende në krye të bashkisë? Në 2009 s’kishte ndonjë klauzolë ligjore që të lejonte që kreu i bashkisë të drejtonte edhe postën e kryeministrit, por s’kishte as klauzolë që e ndalonte një gjë të tillë? 21 janari i 2011 erdhi si pasojë e një videoje ku Meta sërish shfaqet duke bërë pazare të rënda, ku përmendet dhe emri i kryeministrit.

Asnjë media nuk pyeti se sa lekë kishte marrë Dritan Prifti për atë video dhe pse e transmetoi pikërisht në një stacion televiziv, që njihej jo vetëm si media, por njihej edhe si stacion gjobvënës bizneseve, politikanëve, pasi drejtohej nga biznesmenë e kaluar biznesmenësh. Por sot analisti i dalë nga kjo media, që drejton një emision politik, e përshëndet këtë marrëveshje. Tani cilën të marrim të mirëqenë, që Meta është hajdut, apo që Meta është politikan dhe duhet të bëhet koalicion me Ramën???

Një gjë duhet ta ndajmë. Ndodhi 21 janari, cila media e pyeti Edi Ramën drejtpërdrejtë çfarë bënte në zyrën e Fidel Yllit, ndërsa shihte në transmetim televiziv protestën që kishte iniciuar vetë? Duke qenë se njerëzit që e njohin mirë Ed Ramën, thonë se ai i ngjan shumë Berishës, atëherë një përgjigje do ishte ngjarja e shatorit 1998, kur ai përdori trupin e arkivolin e Hajdarit për të marrë pushtetin, por s’e rrëzoi se s’kishte të vrarë të tjerë. A thua Ed Rama ka shpresuar që Berisha të humbte durimin, ashtu siç e humbi, dhe të vriste ndonjë protestues, ashtu siç e vrau dhe të merrte pushtetin në këtë mënyrë?

Ashtu si nuk i eci Berishës në 1998, ashtu s’i eci dhe Ramës në 2011. Pse nuk i përgjigjen këtyre pyetjeve analistët e medias, cila është arsyeja që e anashkalojnë faktin që Ed Rama ka shumë të përbashkëta me Berishën dhe vetëm me të i ecën biznesi dhe politika. Edhe pse me një Gërdec mbi shpinë dhe me 21 janarin e 2011, Berisha ia merr kreun e bashkisë së Tiranës Ramës për 10 vota. A ka ndonjë analist ta pranojë që Ed Rama me të vërtetë i humbi atë pushtet që te jepte para më shumë se posti i kryeministrit, vetëm për 10 vota? Ashure mund të hanë të gjithë, por pak e dinë recetën e një ashureje të mirë. A e pyeti njeri Ed Ramën, a i interesonte me të vërtetë ai pushtet lokal kur kishte para pushtetin qëndror, objektivi kryesor, siç Berisha kishte objektiv të bëhej patjetër president, me arsyetimin se ‘mandatin e parë e kishte lënë përgjysëm’. Dy vjet na ndanin, 2011-2013. Por politika e pamoralshme ndjek dhe ndiqet nga biznesmenët e pamoralshëm. Në të dy krahët klanet e biznesit ishte rritur e shtuar fuqishëm dhe fitimet në kohën e Berishës u shtuan, kështu fitimi i arritur shtonte të ardhurat në ato arka që kryeministri i numëron, por nuk i prek dot? A mos ndoshta ndonjë klan biznesi i përbashkët, klan biznesi që nuk taksohet, klan biznesi i rrezikshëm, arriti të vendosë rregullat e lojës në politikë? Berisha, Meta e Rama e dinë mirë këtë punë se janë biznesmenë vetë, kështu që nuk është se 1 prilli i vendosi koalicionet sa hap e mbyll sytë, apo darka e ngjalave, e karkalecave dhe e derrave.

Trinomi Berisha-Meta-Rama nuk është aq budalla sa të lejojë dikë tjetër t’i futet në mes dhe të prishë një skemë të frikshme biznesi. Po u prish skema, ra e gjithë skema që e mban në këmbë pushtetin dhe do shohim që si shqiptarët do votojnë në shumicë partitë komuniste, ekstremiste.

Ata të tre nuk u çuan një ditë prej gjumi dhe papritur iu erdhi në mendje të bëjnë një rreng të tillë, për t’i pëlqyer ndërkombëtarëve, kështu që vendosën të bëjnë një rrotacion fitim-prurës, pra i blerë me euro e me poste dhe sigurisht me mbylljen e gojës së drejtësisë, se njerëzve, militantëve, deputetëte, votuesve, e sidomos analistëve dhe medias që u mbyllet goja me një akullore.

One thought on “EDLIRA GUSHTA: PAKTI I 1 PRILLIT, MEDIA DHE ANALISTËT

Comments are closed.