Home » ANALIZA » BLLOKMENË, BLLOKQENË, BLLOKZAGARË, DHE KOKËPALARË: PAKTI I 1 PRILLIT DHE ZGJIDHJA QË NUK E KEMI

BLLOKMENË, BLLOKQENË, BLLOKZAGARË, DHE KOKËPALARË: PAKTI I 1 PRILLIT DHE ZGJIDHJA QË NUK E KEMI

Pyetja që vërvitet në mendjen e gjithkujt dhe që paraqitet si nëntekst në shkrimet e ndryshme është kjo: a do të ketë përplasje mbas 23 Qershorit? Nga jashtë lojës politike, gjendja në Tiranë duket shumë dramatike dhe e tensionuar. Dyqanxhinjtë janë të shqetësuar sepse nuk e dinë se cka mund të ndodhë me pasurinë e me tregtinë, sepse ka shkuar biznesi në fund e listat janë mbushur me njerëz që blejnë veresie. Zyrtarët janë të shqetësuar sepse nuk e dinë a kanë punë apo jo mbas 23 Qershorit dhe të gjithë kanë kredi, fëmijë e mënyra jetese që nuk përballohen ndryshe përvecse duke vjedhur nga puna e shtetit. Afaristët janë të shqetësuar sepse të gjithë duan të dinë se cdo të bëhet me tenderat e shtetit që është i falimentuar. Zejtarët nuk dinë se cka të shesin sepse nuk ka treg dhe taksat të mbysin. Masat e gjëra janë të shqetësuara sepse i druhen kthimit të bandave e të marrëzisë kolektive të vitit 1997. Dhe njerëzit e shohin thikën që e kanë në kockë, sepse gjysma e popullsisë e gatuan bukën në shtëpi, por nuk duan të shohin sherr sepse kanë parë llahtarë në vitin 1997. Të huajt janë tejet të shqetësuar sepse nuk dinë se ku t’i kapin këta gjarpërinjtë tanë që të rrëshqasin duarsh edhe po ti kapësh edhe me gjethe fiku e hi.

Kush nuk po e Prish terezinë?

Kush nuk po shqetësohet për këtë gjendje? Në sipërfaqe, të vetmit që nuk e prishin terezinë janë prijatarët e parisë. E pra kjo sjellje e tyre duket paradoksale. Këta duhej të ishin më shumë të shqetësuar se të gjithë ne të tjerët. Sepse, në dukje, këta rrezikojnë të humbin shumëcka. Duke i parë e gjykuar nga sipërfaqja, të duket sikur këta janë gati të vrasin njëri tjetrin sa ta shohin në Sheraton apo në Dhërmi. Sepse nuk kanë lënë gjë pa thënë e pa bërë ndaj njëri tjetrit. Janë sharë, i kanë nxjerrë pisllëqet, vrasjet, krimet, grabitjet, korrupsionin e gjithcka tjetër.

Por sherri vazhdon në publik me nga shashkë mediatike të hedhur nga Sali Berisha, Edi Rama apo Ilir Meta në mënyrë shumë të llogaritur. Tre shashkat e fundit që të bëjnë të qeshësh e të qash ishin këto. Edi tha “21 Janari kalon nga 23 Qershori.” Kush e kuptoi këtë? Unë mendoj se as Edi nuk e kupton cka tha, sepse kjo nuk ka kuptim. Ilir Meta tha se “sheh nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara.” Normal, kur fut 700000 euro në xhep për shtatë minuta, si do të shohësh nga e shkuara. Nga ana e vet Saliu ka nisur të merret me Lulishtet e Tiranës dhe I dergoi ngushëllimet e tij për vdekjen e Thacer, ndër të tjerëve, edhe punonjësve të ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, shumica shqiptarë e me lidhje të forta me palën tjetër. Hajde e merre vesh maskaradën që luhet në Tiranë.

Edhe më shumë kaq, sjellja e tyre ndaj njëri tjetrit është e mbuluar me një heshtje e vetësiguri që nuk është e shpjegueshme sepse as nuk po lodhen me u marrë me Paktin që e nxori pisllëkun e tyre, marrëveshjen për vjedhjen paraprake të zgjedhjeve në publik. Si të shpjegojmë këtë sjellje atëherë? Kjo sjellje e tyre bëhet e shpjegueshme vetëm kur fushata e tyre konsiderohet si asgjë më shumë se një lojë, teatër për konsum publik, si një cudi që nuk do të zgjasë më shumë se tre ditë. Dhe fushata konsiderohet si teatër kur këta e kanë bërë marrëveshjen me kohë e tani duan ta shesin si dicka normale.

Cfarë Tregoi Pakti?

Pakti i 1 Prillit tregoi hapur se trinomi Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama nuk kanë skrupuj por vetëm interesa. Ata duan të punojnë bashkë, do të punojnë bashkë dhe do të bien po bashkë. Bashkë e bënë Gërdecin, bashkë e bënë Kodin elektoral, bashkë i vodhën zgjedhjet, bashkë e mashtrojnë popullin, bashkë i kanë mbuluar të gjithë poshtërsitë e mundshme. Grindja e tyre është vetëm sa për sy e faqe.  Këta nuk punojnë për shqiptarët, këta nuk punojnë për të mirën e kurrkujt, as për të mirën e tyre. Sepse dikur edhe hajni e mafiozi më i madh lodhet duke vjedhë e don me u ba zotni. Këta duan me mbetë hajna e cuba të rëndomtë. E vetmja gjë që dinë është që të vjedhin nga thesari i shtetit, nga pasuria e shqiptarëve dhe e ardhmja e tyre.

Më e keqja është se Pakti tregoi që këta janë bashkë por janë kundër të gjithë shqiptarëve të tjerë. Sepse këta nuk e dinë se cka po bluajnë në mendjen e tyre shqiptarët e tjerë. Bashkimi i tyre kaq hapur, kaq në unitet, dhe kaq i lehtë tregon se këta kanë një frikë të thellë se të nesërmen e 23 Qershorit do të plasë sherri, pikërisht ai sherr që këta duan ta kontrollojnë e ta shmangin.

Bashkimi i tyre i hapur dhe i paskrupullt moralisht i cimentuar me Paktin e 1 prillit tregon se këta i druhen popullit dhe i druhen aq shumë sa bënë pikërisht maksimumin e asaj që duhej të bënin e që mund të bënin në mbrojtje të interest të tyre. Gjëja më kryesore ishte që të mos lejonin që të kishte sherr ndërmjet tyre. Mirëpo ky bashkim iu tregoi shqiptarëve, të gjithëve, edhe qorrave, memecave, dhe shurdhëve politikë, edhe militantëve, klientëve e të gjithë të tjerëve se këta i konsiderojnë si armiq dhe iu kanë frikën. Pakti tregoi se këta janë pjella të së njëjtës mëmë, ndajnë të njëjtën mendësi e vlera. Militantët bërtasin “se kjo është partia e ime” mirëpo pakti tregoi se partitë janë njëlloj, banda hajnash, të drejtuar nga cuba, që kanë si objektiv vjedhjen e të ardhmes së shqiptarëve. Militantët e PS mund të votojnë lirshëm Sali Berishën, militantët e PD-së Edi Ramën dhe ata të Ilir Metës mund të gjejnë punë me të dy palët.

Pakti si Problem

A është pakti problem? Pakti është një problem I jashtëzakonshëm sepse tregoi lidhjen e fortë të parisë. Në një anë janë rreshtuar Bllokmenët, Bllok zagarët dhe bllokqenët. Në anën tjetër janë zejtarët, tregtarët, kokëpalarët dhe katundarët, shqiptarët e tjerë si puna e ime. Tashti në shtetin shqiptar, vetëm dy muaj e ca para zgjedhjeve është kristalizuar një ndarje e frikshme shoqërore, një hendek që shihet krejt qartë midis parisë e shqiptarisë. Në njërën anë është paria e Tiranës, bandat e shumta të saj, krimi politik dhe ekonomik, zhurmuesit e parisë dhe mjetet e dizinformimit, njerëzit e vegjël dhe të frikësuar dhe vemjet e përjetshme që duan vetëm të hanë një kafshatë bukë e të vdesin të harruar. Këta kanë një objektiv, të hanë nga shteti, dhe mbasi të mbarojnë zgjedhjet të hanë të gjallë shqiptarët dhe pasurinë e tyre. Masat që po marrin ëpr t’u dukur se po mbështesin  shtresa e grupe të caktuara janë shumë të kalkuluara. Njerëzit nuk i besojnë dhe e dinë se menjëherë sat ë mbarojnë zgjedhjet këta do të thonë se kaq ishte loja, tani “paguani” dhe do të rrjepin të gjallë tregtarin e vogël, prodhuesin e vogël, biznesin, katundarin e shkretë që s’ka ku ikën, pronarët e apartamenteve, mbajtësit e llogarive financiare e me radhë. Këta po rrinë urtë se nuk duan sherr para zgjedhjeve, por sa të mbarojnë zgjedhjet e të formojnë qeverinë në Shtator, do të turren nga populli, sepse arka e shtetit është bosh, shteti është i falimentuar, nuk merr dot borxhe e nuk ka cka shet. Shteti duhet të hajë qytetarët e vet. Qytetarët e vet janë tregtarët, kokëpalarët dhe katundarët.

A Është Kjo Qetësia Para studhisë?

Ka shumë që e dinë dhe e shprehin se kjo është vetëm qetësia para stuhisë. Asgjë nuk është më qetë e me paqtë se sa syri i ciklonit. Ata që mendojnë se shqiptarët nuk e kuptojnë këtë gjë e kanë gabim. Të gjithë e dinë se cka po pritet që të ndodhë. Të gjithë e dinë se kjo është loja e parisë. Të gjithë e dinë se mbas fushatës do të vijë dita që t’i rrjepin të gjallë. E prandaj zërat që janë përhapur se dyqanxhinjtë po vendosin t’I mbyllin dyqanet e të shkojnë në grevë të heshtur, se bizenset janë të paralizuara, se emigrantët e hidhëruar nuk do të bëjnë asgjë për të lehtësuar mundimin e familjeve të tyre janë duke e shqetësuar shuëm parinë. Ajo e ka frikë për vdekje këtë protest të heshtur që bëhet me mbylljen e dyqaneve, me protestat e rinisë, me refuzimin e legalizmit të pronës, me kuptimine drejtë të asaj që po vjen.

Në Përfundim

Përplasja po vjen, edhe pse tamtami i zhurmuesve të llapaqenërisë mediatike nuk po e lë të shihet. Ajo është përplasja e hapur midis parisë së Tiranës të bashkuar me paktin e 1 prillit 2013 dhe e gjithë shqiptarëve në anën tjetër të hendekut. Në njërën anë janë Bllokmenët dhe bllokqenët të rreshtuar në partitë politike dhe në anën tjetër janë zyrtarët, zejtarët, kokëpalarët dhe katundarët. Përplasja është bërë shumë e pashmangshme me humbjen e legjitimitetit të parisë së Tiranës dhe me rritjen e padurimit qytetar. Dikur loja me bllokmenë, bllokqenë, e bllokzagarë pranohej. Tashti të gjithë shqiptarët e dinë se paria janë thjesht bllokkusarë që duan të jetojnë me një dorë në xhepin e shqiptarëve, duke iu vënë thikën në fyt e duke iu mbajtur gratë, motrat e fëmijët peng. dhe askush më shuëm se zejtarët, kokëpalarët dhe katundarët nuk e ndjen dhimbjen që këta ua kanë shkaktuar. A do të ketë përplasje si gjithkund tjetër në të tilla raste? Këtë do ta shohim mbas 23 Qershorit. Edhe pse njerëzit nuk lëvizin, askush nuk po e din se cka po bluajnë në mendjen e tyre. Sepse si sundimtarët e bajraktarët ashtu edhe zejtarët, kokëpalarët dhe katundarët, ndryshe flasin, ndryshe veprojnë e ndryshe mendojnë.

2 thoughts on “BLLOKMENË, BLLOKQENË, BLLOKZAGARË, DHE KOKËPALARË: PAKTI I 1 PRILLIT DHE ZGJIDHJA QË NUK E KEMI

  1. Z.Shenasi! Jam teresisht i nje mendje me Ju per çfare shkruani por ky ekip kusaresh me uniforma me ngjyra te ndryshme te cilet luajne ne fushen e tyre duke e bere si prone ate. nuk munden duke thirrur jashte stadiumit kundra tyre apo duke organizuar sportdashes te tjere te cilet jane sehirxhinj jashte stadiumit dhe marrin vesh se kush e fitoi ndeshjen vetem nga te thirrurat e ultrasve te seiciles skuader,as duke luajtur ne fusha te vogla me njeri tjetrin (ne rrjetet sociale) nganjehere dhe duke shtyre apo vene sterkembesh njeri tjetrit per te treguar sa me i zoti eshte njeri apo tjetri .por duke bere urgjente krijimin e nje ekipi per tu federuar dhe per te marre pjese ne kete kampionat per t’i mundur ne fushen e lojes.E di shume mire qe si cdo ekip i ri do te kemi kunder ekpet e vjetra. arbitrat e blere apo edhe federaten. por cilesia e ekipit synimet e tij do te bejne te mundur berjen e sa me shume sportdasheve te cilet do ta ndjekin kete ekip.E di qe nuk eshte e lehte te fitosh nje ndeshje ne Shqiperi sepse kundershtaret do te bejne çfare eshte e mundur duke shtyre goditur deri ne sakatim te lojtareve tane me ndihmen edhe te arbitrave te cilet nuk shikojne asgje por per nje gje jam i sigurte se stadiumi do te mbushet pak nga pak dhe do te pelqeje lojen e bukur dhe korrekte dhe do te behet nje mbeshtetje e madhe per kete ekip deri ne detyrimin e ekipeve kundershtare per te pranuar humbjen ne fushe.

Comments are closed.