SHKELZEN GASHI: A ËSHTË VETËVENDOSJE! ALTERNATIVË?

(Interviste e Dhene Osservatorio Balcani e Caucaso) 

Vetëvendosje! deri tani ka qenë i vetmi subjekt politik në Kosovë që e ka kundërshtuar fuqishëm qeverisjen kriminale në Kosovë, të udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi, e të mbështetur nga prania civile e ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Vetëvendosje! është subjekti i parë politik opozitar në Kosovë, pa të cilin shumë çështje në Kosovë do të kalonin jo vetëm pa u debatuar, por edhe pa u përmend kund.

Mirëpo, Vetëvendosje!, ndonëse e synon ardhjen në pushtet, madje me çdo kusht, deri tani s’i ka identifikuar në mënyrë të plotë e të saktë problemet që ka Kosova në çdo fushë (shëndetësi, arsim, ekonomi, e kështu me radhë), e për rrjedhojë as nuk ka dhënë deri tani alternativë për zgjidhjen e tyre. Përveç kësaj, Vetëvendosje!-s i mungon edhe ekipi që do ta zbatonte projektin e mundshëm alternativ për ndryshimin e gjendjes së rëndë në Kosovë.

Mbi të gjitha, afria e Vetëvendosje!-s me persona që deri dje janë angazhuar për qëllime të kundërta me ato të Vetëvendosje!-s (kryesisht sa i takon propozimit të Martti Ahtisaarit; misioneve ndërkombëtare në Kosovë; bashkimit Kosovë-Shqipëri; privatizimit të ndërmarrjeve publike; e kështu me radhë) ose me persona që kanë qenë të lidhur me partinë e kryeministrit Thaçi, e sot janë bërë me Vetëvendosje!-n për shkak se nuk kanë arritë me u futë në rrethin e bandës së kryeministrit dhe, mbi të gjitha, amnestimi që Vetëvendosje! u bën disa personave me të kaluar kriminale brenda partisë së kryeministrit, veç pse ata janë në konflikt me kryeministrin, më shtyjnë të dyshoj se po erdhi në pushtet, Vetëvendosje! mund t’i ngjajë shumë partisë së kryeministrit Thaçi.

Thua se VV nuk ka ekipin e nevojshëm për të bërë ndryshimin, pra nga se përbëhen radhët e VV-së? Çfarë shtresash e mbështesin? Në përgjithësi thuhet se përfshin edhe elitën e re kosovare të shkolluar jashtë.

Në Vetëvendosje! është inkuadruar një pjesë shumë e vogël e elitës së re kosovare të shkolluar jashtë, kryesisht persona që dështuan në zgjedhjet e fundit qendrore në Kosovë me partinë Fryme e Re (FER) dhe që me inkuadrimin në Vetëvendosje! shkelen shumë prej parimeve që i kishin proklamuar më herët.

Sa efektiv është opozicioni që bën Vetëvendosje! në Kosovë? Sa funksionon ai?  Ka ndonjë rast ku ka funksionuar? Si reagon pushteti ndaj VV-së?

Jam plotësisht dakord me spjegimin që ka dhënë Kryetari i Vetëvendosje!-s sa i përket opozicionit të Vetëvendosje!-s: «nuk e kemi ndalë të keqen, por e kemi ngadalësuar ndodhjen e saj». Është e vërtetë se Vetëvendosje! deri më tani nuk e ka fituar asnjë betejë.

Ndërsa, sa i takon reagimit të pushtetit ndaj Vetëvendosje!-s, ai është brutal për arsye se Vetëvendosje!, përveçqë e lakuriqon kriminalitetin e pushtetit, edhe është subjekti i vetëm politik që e rrezikon elektoratin e partisë së kryeministrit Thaçi, e sidomos elektoratin që është në favor të bashkimit Kosovë-Shqipëri.

Sa seriozisht e merr Vetëvendosje! bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?

Qysh në fillim duhet thënë se Vetëvendosje! e ka ndryshuar programin e vet nga vetëvendosje territoriale (pavarësi për Kosovën) në vetëvendosje etnike (bashkim Kosovë-Shqipëri), vetëm pas shpalljes së të ashtuquajturës Deklaratë e Pavarësisë nga ana e Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt 2008. Megjithëkëtë, Vetëvendosje! është formacioni i parë dhe i vetëm politik në Kosovë që ka ofruar argumente të forta se pse duhet bërë bashkimi Kosovë-Shqipëri. Por, deri më sot Vetëvendosje! nuk e ka spjeguar se si duhet bërë ky bashkim, edhe pse në programin e saj të shkurtë për zgjedhjet qendrore në Kosovë, të mbajtura së fundi në dhjetor të vitit 2010, thuhet se Kosova duhet t’i bashkohet Shqipërisë, pra t’i bashkohet Shqipërisë, e jo të bashkohet me Shqipërinë. Përshtypja ime është se në thelb Vetëvendosje! angazhohet që Kosova të aneksohet nga Shqipëria.

Vetëvendosje! i kritikon ashpër udhëheqësit e UÇK-së, tani të transferuar në PDK, që e kanë ndryshuar programin e vet nga vetëvendosje etnike (bashkim i Kosovës me Shqipërinë) në vetëvendosje territoriale (pavarësi për Kosovën), por kam frikë se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe më Vetëvendosje!-n. Udhëheqësit e Vetëvendosje!-s i akuzonin liderët e UÇK-së se e kanë shkelë betimin e ushtarit të UÇK-së, që mes tjerash thoshte «…do të luftojë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre», por, në anën tjetër, pikërisht udhëheqësit e Vetëvendosje!-s që dikur deklaronin se nuk bëhen assesi pjesë e institucioneve, përveç që janë bërë pjesë e tyre, edhe janë betuar se do të angazhohen në «…mbrojtjen dhe respektimin e kushtetutshmërisë, të ligjshmërisë dhe integritetit institucional të Kosovës». Siç e dimë, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria ngërthejnë në vete propozimin e Martti Ahtisaarit, të cilin Vetëvendosje! e kundërshton fuqishëm.

Ju çfarë mendoni për idenë e bashkimit Kosovë-Shqipëri?

Nuk jam kundër kësaj ideje, por vetëm me kushtin që Kosova dhe Shqipëria të bashkohen si dy entitete pak a shumë të barabarta. Kjo do të sillte përfitime për të dy palët dhe jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe atë të sigurisë – Kosova mund të rrezikohet nga Serbia, kurse Shqipëria nga Greqia. Ndonëse, duhet potencuar se prej vitit 1912 e deri sot, politikanët kryesorë të Shqipërisë, pra prej Ismail Qemailit e deri te Sali Berisha, gjithmonë e kanë tradhëtuar Kosovën. Përndryshe, jam kundër aneksimit të Kosovës nga Shqipëria sepse më mirë Kosova e pavarur sesa e aneksuar nga Shqipëria. Se sa i pavaforshëm është për ne aneksimi i Kosovës nga Shqipëria, e vërejmë më së miri në fushën e televizioneve, por sidomos në fushën e librit, ku rreth 80% e librit shqip në Kosovë vjen nga Shqipëria dhe vetëm rreth 20% është «prodhim vendor».

Kur thua marrëdhënien vertikale Shqipëri-Kosovë e vërejmë tek tregu i televizioneve të Tiranës që dominojnë dhe tek librat e Tiranës në Kosovë. Çfarë do të thuash? Veçanërisht çfarë ndodh me televizionet? Cilat janë disavantazhet e këtij fenomeni? 

Televizionet e Shqipërisë mund të ndiqen dhe ndiqen shumë në Kosovë, por nuk është e njëjta situatë edhe me televizionet e Kosovës në Shqipëri. Kjo po ndikon që të bie shikueshmëria e televizioneve kosovare në Kosovë dhe për rrjedhojë, në një të ardhme të afërt, nëse vazhdon ky trend, kjo ka për të ndikuar në rënien e reklamave në televizionet e Kosovës, e kjo do të thotë edhe në rënien e mëtutjeshme të cilësisë, që edhe ashtu është skandaloze. Situatë e njëjtë është edhe me librin sepse libri që botohet në Kosovë depërton tmerrësisht pak në Shqipëri, ndërkohë që libri që botohet në Shqipëri e ka pushtuar tregun në Kosovë.

Sa funksionon në Kosovë premtimi për t’u bashkuar me Shqipërinë? E mbështesin kosovarët këtë alternativë? Dmth, tërheq Vetëvendosje! militantë me këtë pozicion?

Elektorati pro bashkimit Kosovë-Shqipëri nuk është i madh në numër, por është shumë energjik dhe i gatshëm për sakrifica sepse janë kryesisht ish të burgosur politik dhe ish luftëtarë të UÇK-së.

Vetëvendosje! kundër negociatave me Serbinë? Nëse Vetëvendosje! synon pushtetin përse kaq dogmatike? Si e komentoni këtë qëndrim? Ka Vetëvendosje! një alternativë tjetër për marrëdhëniet me Serbinë dhe zgjidhjen e situatës aktuale?

Vetëvendosje! ka vënë disa kushte për negociata me Serbinë: 1. Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe ta heqë nga Kushtetuta e saj se Kosova është pjesë e Serbisë; 2. Serbia të japë informacione dhe të na i kthejë 1,750 të pagjeturit; 3. Serbia të na i dorëzojë kriminelët serbë të luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë, me ç’rast i kemi 12,000 civilë të vrarë; 4. Serbia duhet të kërkoj falje, të dëmshpërblej, të kthejë fondin e pensioneve, depozitat bankare, artefaktet kulturore, regjistrat civilë dhe dokumentacionin kadastral; dhe 5. Serbia të pushojë së financuari strukturat paralele dhe ilegale të saj dhe t’i shpërbëjë ato.

Më duket se kushtet e VV-së janë qëllimisht të vështira për Serbinë, në mënyrë që të mos ketë negociata. Mirëpo, nuk arrij ta kuptoj si mund t’i zgjidhim problemet me Serbinë, nëse jo nëpërmjet negociatave. Sikur të pranoheshin nga Serbia kushtet që po i cakton VV-ja, nuk do të kishim fare nevojë për negociata. Kjo do të ishte ideale. Mirëpo meqenëse Serbia s’i pranon këto kushte, duhet të negociojmë që t’i zgjidhim problemet që kemi. Jo pse këtë e kërkon bashkësia ndërkombëtare, por sepse është edhe në interesin tonë. Serbia ka refuzuar kushte nën kërcënimin e bombardimeve të NATO-s ndonëse kanë qenë larg më të favorshme për të, e s’po i refuzon këto, kur dihet Kosova nuk ka asnjë mundësi të ushtrojë trysni mbi të.

Sidoqoftë, problemin më të madh për Kosovën në këto negociata e shoh te Kryeministri i Kosovës, jo veç për shkak të mungesës së tmerrshme të përgatitjes së tij, por edhe për arsye se mbi të mund të ngrihen akuza për krime lufte, përfshi ngarkimin për trafikim organesh, e edhe për pasurim të paligjshëm. Kjo mund të ndikojë që ndaj tij të ushtrohet shantazh dhe rrjedhimisht që fundi i negociatave të jetë tmerrësisht i pafavorshëm për Kosovën.

VV pjesërisht ruan ende një estetikë veprimesh si pjesë e shoqërisë civile? Perceptohet si e tillë në KS apo si parti?

Në pikëpamjen time Vetëvendosje! nuk ka qenë asnjëherë pjesë e shoqërisë civile meqë gjithmonë ka qenë lëvizje politike që e ka synuar pushtetin, fillimisht përmes revolucionit, kurse tash përmes zgjedhjeve, meqenëse mundësia për ta marrë pushtetin me revolucion nuk ka rezultuar e suksesshme.

Çfarë rëndesie ka shoqëria civile në Kosovë tani që VV është në Kuvendin e Kosovës? VV ka krijuar ndonje model te te berit shoqeri civile?

Shoqëria civile në Kosovë është pothuajse inekzistente sepse siç e thotë filozofi polak Adam Michnik, në një vend ku ndërrohen emrat e rrugëve sa herë që ndërrohet pushteti, nuk mund të thuhet se ka shoqëri civile. Organizatat joqeveritare në Kosovë janë kryesisht grupe që kontrollohen nga partitë pozitare e opozitare, por edhe nga organizatat e institucionet e ndryshme ndërkombëtare që janë të pranishme në Kosovë. Natyrisht se ka përjashtime, por ato janë të rralla. E njëjta situatë është edhe me mediat, në mos më keq. Në Kosovë nuk ka asnjë medium të pavarur.

Për sa i përket shoqërisë civile, para dy javësh qytetarët kosovarë dolën në protestë kundër korrupsionit. Si e vlerësoni këtë fakt? Është diçka që të bën optimist, apo jo?

Mund të jetë që këto protesta kanë nisë me qëllim të mirë nga pjesëtarë të organizimeve të ndryshme, por ajo që më bën pesimist është përfshirja në to e njerëzve nga parti politike të lidhura me krimin; njerëzve të pasuruar në rrethana të paqarta, por edhe atyre që nuk kanë rezultuar të suksesshëm në politikë. Prandaj, kam frikë se këto protesta do të keqpërdoren, natyrisht nëse vazhdojnë, sepse në protestën e fundit kishte dukshëm më pak pjesëmarrës se në atë të parafundit

Çfarë mendoni për Kosovo 2.0?

Krejt çka di për Kosovo 2.0 është iniciativa e dhjetorit e vitit 2012.

Çfarë mendoni për këtë iniciativë?

Gjendja e komunitetit LGBT në Kosovë është vërtetë shumë e rëndë, por mënyra se si Kosovo 2.0 ka tentuar t’i promovojë të drejtat e këtij komuniteti, duke provokuar – saktësisht sikur qysh e provokon shumëherë Vetëvendosje! Policinë e Kosovës – më shumë i ka sjellë përfitime Kosovo 2.0, sesa komunitetit në fjalë.

Mendoni se ndërkombëtarët që janë të pranishëm në Kosovë pas konfliktit të vitit 1999 kanë ndikuar në shoqërinë civile kosovare dhe median?

Kryesisht ndërkombëtarët janë ata që e kanë formësuar këtë «shoqëri civile» çfarë e kemi: në shërbim të grupacioneve politike pozitare e opozitare, por edhe të donatorëve ndërkombëtarë. Natyrisht se ka përjashtime, por ato janë të rralla.

Gjithashtu ju përmendni mediat, në Kosovë ka për shembull disa vjet që lëvrohet gazetaria hulumtuese. Për shembull, emisioni Jeta në Kosovë dhe stafi i BIRN-it që punojnë në Prishtinë. Si e vlerësoni këtë fenomen? Është efektiv? Sa efektiv?

Për mendimin tim, shembull shumë më i mirë i gazetarisë hulumtuese në Kosovë është Preportr, ndonëse funksionon me buxhet shumë modest, sesa BIRN, cilësia e prodhimeve të të cilit është në shpërputhje frapante me sasinë e donacioneve. Për më shumë, nuk mund të cilësohet profesional një institucion si BIRN, që ishte kryekreje në shërbim të ish ambasadorit të ShBA-ve në Kosovë, Christofer Dell, i cili ishte Despoti i Kosovës.

Do doja të flisnim për studimin tuaj në lidhje me librat e historisë nëpër shkolla. Çfarë thonë këto tekste, si e trajtojnë ato historinë?

Dallime të qarta dhe të shumta hetohen në qasjen e historiografisë shkollore të Sërbisë dhe të Kosovës e Shqipërisë ndaj zhvillimeve në territorin e Kosovës, kryesisht sa i takon pronësisë ndaj territorit dhe prezentimit të krimeve të kryera nga palët në territorin e Kosovës. Në asnjërën prej teksteve të këtyre vendeve nuk prezantohen takimet, marrëveshjet e bashkëpunimet e përfaqësuesve politikë e ushtarakë të shqiptarëve me ata të sërbëve. Karakterisike kryesisht për tekstet e Kosovës janë hiperbolizimet e qëllimeve të organizimeve politike e ushtarake të shqiptarëve. Pika ku takohen historiografia shkollore e Shqipërisë dhe e Kosovës me atë të Serbisë është sa i takon prezantimit vetëm të krimeve të palës ‘tjetër’ dhe hiperbolizimit të tyre. Një pikë tjetër që i bashkon këto historiografi, kryesisht atë të Kosovës me atë të Serbisë, është gjuha me etiketa për palën ‘tjetër’. Nuk asnjë ngjarje që përshkruhet njësoj.

Ka ndonjë ndryshim pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në këtë drejtim?

Jo. Asnjë.

Si mund të ndryshohet kjo situatë?

Për ta ndryshuar këtë situatë duhet vullnet në nivel politik, si në Kosovë e në Shqipëri, ashtu edhe në Serbi. Ma merr mendja se ndryshimi i teksteve shkollore të historisë mund të bëhet vetëm nëse vendoset si një prej parakushteve për këto tri vende për t’u integruar në strukturat e BE-së.

Advertisements

GRID RROJI: PROPAGANDA DHE KORI I GJINKALLAVE TË PARISË SË TIRANËS.

Çfarë është propaganda?

Propaganda është një formë predikimi e cila ka filluar të përdoret fillimisht nga Kisha Katolike për të promovuar doktrinën kristiane kur Papa Gregori XIV krijoi Bashkësinë e Shenjtë të Përhapjes së Besimit (Sacra Congregatio de Propaganda Fide). Origjina e fjalës vjen nga latinishtja propagare, që do të thotë përhapje, masivizim i mesazhit. Megjithatë, teknikat e bindjes së masave nga grupe të caktuara me qëllime pak a shumë politike kanë zanafillë që nga lashtësia. Që nga Pisistrati, Sofistët, Platoni e Aristoteli, Makiaveli, Volteri dhe Rusoja  e deri tek Napoleoni shtetarë dhe mendimtarë kanë përdorur dhe perfeksionuar mjetet propagandistike të përhapjes së mesazhit. Më tej, gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore u vunë bazat e propagandës moderne, kurse Lenini dhe Mao i perfeksionuan teknikat e saj dhe agjitacionit duke e kthyer propagandimin në një shkencë të organizimit politik.

Zhak Elyli e përkufizon propagandën si “një bashkësi teknikash të përdorura nga një grup njerëzish të organizuar të cilët synojnë të krijojnë pjesëmarrje aktive apo të pavullnetshme tek një masë njerëzish të kushtëzuar nga manipulime psikologjike”. Thënë thjesht, propaganda është shpërndarja e informacionit shpesh të rremë por edhe me aspekte të së vërtetës, në mënyrë të pandërprerë e me të gjitha mjetet e mundshme. Propaganda përdoret nga grupe njerëzish për të kushtëzuar psikologjikisht masën e gjerë e për ta bërë popullin të sillet në mënyrën që kërkojnë ata. Në politikë kjo bëhet për të kushtëzuar jo vetëm sjelljen e zgjedhësve dhe edhe për të drejtuar preferencat e tyre drejt njërës apo tjetrës palë. Për shembull, anti-komunizmi është shndërruar në një nocion qendror të mbështetësve të partisë demokratike ndonëse Sali Berisha ishte komunist para se të bëhej demokrat dhe bashkëpunëtorët e tij janë shumica me prejardhje nga nomenklatura. Në të njejtën mënyrë, militantët e disiplinuar socialistë bëjnë be se janë anëtarë të një partie të majtë ndonëse të gjithë drejtuesit e tranzicionit janë milionerë e grabitës së pasurisë së përbashkët. Asnjëri nga paradokset e përshkruara më sipër nuk mund t’i bindë ata se faktet tregojnë të kundërtën.  Me pak fjalë, kur propaganda funksionon, e vërteta vdes, faktet nuk kanë më vlerë.

Që të funksionojë dhe ta mbajë masën popullore të painformuar e të trullosur propaganda duhet të plotësojë këto kushte: 1) të jetë totale, ose të mbulojë të gjitha aspektet e informimit dhe të jetës shoqërore; 2) të jetë e organizuar dhe profesionale, pra të bëhet nga njerëz të cilët e dinë se ç’po bëjnë dhe veprojnë me plan të qartë dhe efektiv; dhe 3) të jetë e vazhdueshme dhe e pandërprerë në një cikël përsëritës të cilit askush nuk mund t’i shpëtojë.  Kjo bëhet me anë të bashkëbisedimit, mediave të shkruara, televizionit, kulturës, artit dhe në nivelin e kafenesë orientale me anë të thashethemnajës. Në kushtet e sotme, mediat kontrollohen nga palët e parisë dhe ndonëse ka dallime midis palëve, ato nuk janë të mbështetura në ideologji të qëndrueshme. Për shembull, kur Sali Berisha bëri aleancë me Ilir Metën më 2009ën “mediat e djathta” lavdëruan aftësinë politikëbërëse të tij, ndërsa të majtat thërritnin “kapni ujkun”. Në kushte të njëjta, në 2013ën  pozitat janë kryekëput të kundërta. “Mediat e majta” po bëjnë hara-kiri të përditshëm për të justifikuar “Rametën”, ndërsa “të djathtat” zbuluan papritmas moralin. Të dyja palët kanë qartësisht objektiv madhor ruajtjen e sistemit edhe pse mundohen të favorizojnë palët përkatëse për pushtet. Së dyti, propaganda e tranzicionit është e organizuar, gazetat e secilës palë dalin me tituj të ngjashëm e të koordinuar dhe shpeshherë dëgjon qytetarë që thonë se “nuk mësohet gjë nga gazetat”. E megjithatë gjithkush lexon dhe shikon kanalin televiziv përkatës duke e përforcuar rolin që luan propaganda në sjelljen e tyre. Së treti, propaganda është tashmë e pandërprerë. Përveçse ka zaptuar pjesën më të madhe të hapësirës mediatike, politika kushtëzon fuqishëm çdo aspekt të shoqërisë. Paria ka përqafuar parimin “hajdut është vetëm ai që kapet”, mediat e përforcojnë duke ndërtuar mitet fallso të të fortit, degjenerimit moral dhe qejfit pa fre. Më tej, kooptimi i shoqërisë civile e ka privuar qytetarin nga një tjetër burim mbështetës kundër propagandës. Shoqëria civile është e ndarë dhe i shërben me besnikëri palëve të parisë.

Një historik i shkurtër i teknikave të propagandës gjatë tranzicionit.

Si kanë përparuar teknikat e parisë së Tiranës gjatë viteve? Paria e Tiranës ka qenë që në krye të herës plotësisht e ndërgjegjshme se sistemi oligarkik dhe hajnor që ka ndërtuar nuk mund të mbijetonte pa një themel të fortë propagandistik. E dalë nga shkolla leninisto-maoiste e ish Partisë së Punës, pjesëtarët e saj ishin tepër të familjarizuar me teknikat e propagandës që përdorte shteti komunist, të cilat ishin jo vetëm të sofistikuara por edhe shumë efektive. Mirëpo, ndryshimi që solli Lëvizja Studentore jua ka komplikuar punën sepse tashmë tregu mediatik nuk është më monopol, dhe nuk munden të përdorin dhunën e hapur për të nënshtruar të pabindurit si dikur. Ndaj edhe ata kanë përdorur një seri teknikash shumë të sofistikuara për të mbajtur popullin shqiptar në terr e të topitur.

Pas rënies së regjimit monist, sistemi i mëparshëm i mjeteve të informacionit publik ra në dorën e pushtetit të ri. E përbërë nga ish intelektualë të regjimit dhe pjesë nga profesorati universitar, e ngjizur dhe edukuar me frymën leniniste të informacionit publik, dhe e gjindur përpara një aparati të konsoliduar por tejet të varfër nga ana materiale paria e re zgjodhi vazhdimësinë e mjeteve të propagandës të përdorura nga regjimi i vjetër duke dominuar tregun veçanërisht nëpërmjet Televizionit Publik. Duhet theksuar që shumica fshatare e popullsisë kishte krijuar refleksin propagandastik që t’a merrte informacionin vetëm nga burimet zyrtare. Qysh herët, pala e parisë që ishte në minorancë filloi t’i adaptohej kushteve të reja duke krijuar mjetet e veta të informimit siç ishin gazetat. Pas krizës së 97’tës paria konstatoi se ekzistonin kushtet që mjetet e propagandës të bënin një hop cilësor. Kjo përkon me krijimin e televizioneve të para private të cilat u konceptuan si vegla të palëve të cilat shërbenin për ta vizualizuar mesazhin propagandistik. Me kalimin e kohës, këto u bënë jo vetëm përçuese besnike të mesazhit politik të palëve por edhe të metanarrativës ekonomiko-shoqërore që në gjuhën popullore shprehet “Hani, pini, vidhni e vrisni. Bëni qejf se të gjithë do vdesim”.  Kjo pasqyrohet jo vetëm tek banaliteti dhe mungesa e informacionit të emisioneve politike por edhe në përqafimin e spektakleve si Big Bradher dhe Ezel.

Paria ka krijuar kësisoj një realitet paralel me dy nivele, njërin për vete dhe tjetrin për popullin. Në nivelin e vet, paria merret vesh më së miri pavarësisht sharjeve dhe fyerjeve nëpër ekrane televizive. Menjëherë pas debateve debatuesit i shkelin syrin njëri tjetrit me nënkuptimin “i ka politika këto”. Më tej, shumica e tyre kanë prejardhjen e njëjtë dhe lidhen me mijëra fije të dukshme e të padukshme me njëri tjetrin. Pra, në nivelin e vet paria bën teatër pork a mirëkuptim të plotë mes palëve. Në nivelin e popullit paria mbjell tmerr, frikë nga kundërshtari, dhe hasmëri për vdekje. Ajo nuk ngurron të merret me familjen, të ekspozojë aferat e pista të secilës palë por deri aty sat ë mos derdhet çorba, si dhe të krijojë përshtypjen se lufta mes tyre është për jetë a vdekje. Kësisoj, militant socialist nuk e pi kafen në të njëjtin lokal me demokratin e katundit të vet, por dy deputetët e zonës i gjen shpeshherë  duke ndarë thela të tortës publike, duke ndërhyrë për aksh biznesmen, apo duke kërkuar aksh tender. Ndryshimi midis atyre që janë në pushtet dhe atyre të opozitës është që opozitarët marrin një pjesë disa herë më të vogël. Por marrëdhënia përmbyset kur ndërron pushteti. Nga ana e vet media kryen roline përsëritësit dhe shumuesit të mesazhit sepse ngado që të shkosh nuk do gjesh asnjë grimë gazetarie të mirëfilltë por copëza fjalësh të ushqyera me kujdes nga palët e parisë.

Propaganda sot dhe kori i gjinkallave të parisë së Tiranës.  

Me zhvillimet teknologjike të kohëve të fundit praktikimi i propandës bëhet më i vështirë por jo i pamundur. Nga njëra anë bërja e propagandës është vështirësuar sepse ka shumë burime në rrjet të cilat nuk mund të kontrollohen. Por çdo problem e ka zgjidhjen e tij. Paria ka ndërtuar shtresezime të panumërta mediash në rrjet të cilat e bëjnë aq të komplikuar dhe aq të larmishme panoramën sa është bërë tashmë e vështirë edhe për përdoruesin e internetit për të zgjedhur burimet e duhura.  Duke qenë të ndërgjegjshëm që propaganda funksionon në nivelin emocional dhe jo atë racional këto janë disa nga teknikat propagandistike që përdor paria :1) sulmet personale deri në ekstrem. Siç ka thënë Gëbelsi, një sulm i pafre i pavërtetë është shumë më efikas se sa një sulm i moderuar i vërtetë. Këto shumëfishohen me anë të korit të gjinkallave gjithologe të cilët nuk mendojnë se ka fushë ku nuk mund të japin mendim. Pra në vend që të merremi me idetë e udhëheqësve na thuhet se “Edi Rama ka tërhequr një vizë” dhe “ Sali Berisha është me ilaçe psikiatrie”. Në qoftë se kjo debatohet tek Fevziu nga Çili dhe Çim Peka nga një krah, dhe Muçi Puçi Rrushi Rrapatushi dhe Lorenc Vangjeli më anë tjetër kjo lloj qasjeje legjitimohet; 2) kornizimi i kundërshtarit është një nga metodat më efikase sepse e bën pjesëtar të rromuzit pikërisht viktimën. Në vend që të pyetet përfaqësuesi politik se cilat janë idetë e tij, kundërshtarët me finokëri krijojnë debate false mbi çështje dytësore. Në momentin që media i merr dhe shumëfishon këto debate, politikani detyrohet të përgjigjet, duke lënë mbasdore idetë e veta. Për shembull, me daljen e Aleancës Kuqezi në fushë paria përhapi idenë se ky ishte një krijim i Turqisë. Edhe në qoftë se kjo nuk ka baza vërtetësore çdo parti serioze duhet t’I japë përgjigje akuzës për tradhti kombëtare, aq më tepër një parti nacionaliste. Pra në vend që të shpjegonte pozicionet e saj kombëtariste AK-ja u detyrura që të rrinte në mbrojtje e të mohonte një gjë sot, një nesër, një pasnesër; 3) Më pas loja vazhdon me anë të teknikës së “tokës së rrëshkitshme” ose kalimit nga një degë në tjetrën për të mos i lënë bashkëbiseduesit mundësi të shprehet. Kësisoj e vërteta nuk bën pjesë në debatet politike sipas modelit “ti bëj pyetjet që do, unë jap përgjigjet që dua”.  Një shembull është taktika elektorale e demokratëve në këto zgjedhje, të cilët kurdo që dikush i pyet a është abuzuar në aksh ministri nxjerrin lista me hajdutë socialist të cilët kanë vjedhur gjatë pushtetit të tyre 2001-05!; 4) një nga taktikat më të frytshme për të dëmtuar kundërshtarët politikë është marrja për të mirëqenë se nuk ka rrugë tjetër përpos imoralitetit të parisë së Tiranës. Për shembull, justifikimi i gjinkallave të radhës së Edi Ramës për marrëveshjen e ngjalave është në gjuhën popullore “ky stan këtë bulmet ka”; 5) Më e ulët ende është teknika e krijimit të dasive të rreme si veriorë/malokë dhe jugorë fushorë, ortodoksë qytetarë e myslimanë katundarë, apo më e ulta klanet e dala nga regjimi i kaluar/elitë dhe populli katundar.

Në vend të përfundimit.

Për ta përfunduar, paria e Tiranës i përdor të gjitha mjetet e mundshme për të mbajtur popullin e vet nën një sundim demagogjik me anë të propagandës së shfrenuar. Ajo i njeh mirë rregullat e bërjes së propagandës efikase dhe përdor pa mëshirë korin e laraskave të opinionistëve, analistëve, gazetarëve dhe të ftuarve televizivë profesionistë. Mirëpo me zhvillimin e teknologjisë shqiptarët e kanë një rrugëzgjidhje.  E vërteta ka shumë mënyra për të dalë, megjithë tentativat e parisë për të manipuluar turpshëm edhe Fejsbukun dhe Tuiterin. Paria nuk mund të manipulojë shumicën e blogjeve ku shprehet mendimi intelektual shqiptar si nga brenda dhe nga jashtë vendit. Paria nuk mund të kontrollojë shprehjen e mendimeve të njerëzve hapur në Fejsbuk nga rehatia e anonimatit. Me anë të gjinkallave ajo mundohet t’i quajë këto pasoja të mosqytetërimit të popullit, por kushdo që e njeh sadopak sociologjinë e di që ato janë mekanizma shkrehës të një populli që nuk sheh rrugëzgjidhje nga drejtuesit e vet. Paria nuk mund t’i parandalojë nismat që lindin në internet si Vota e Bardhë e cila u bën thirrje atyre që nuk e gjejnë veten të përfaqësuar nga paria t’i vendosin një kryq fletës së votimit e t’ a bëjnë atë të pavlefshme. Ndaj, edhe jam i bindur se megjithë vështirësitë ditë më të mira do vijnë për shqiptarët.

 

YLBER LILI: TRANZICIONI MEDIATIK

Çështja e mediave nuk mund të shihet dhe analizohet e ndarë nga konteksti shoqëror dhe politik. Formacionet shoqërore sot e gjithë ditën ngërthejnë në vete pengesa nga e kaluara dhe oportunitete që ofron e ardhmja. Por, diçka duhet pasur parasysh: asnjë institucion nuk mund të funksionojë i izoluar nga sistemi, qoftë edhe ai mediatik.

Pra…, ekziston një ndërvarësi dhe ndërveprim ndërmjet tyre. Nuk mund të flasim për media të lira, ndërkohë që gjyqet janë të korruptuara; nuk mund të flasim për administratë efiçente, aty ky dominon fryma e militantizmit partiak; nuk mund të flasim për sistem vlerash, ndërkohë që i gjithë sistemi ka probleme të natyrave të ndryshme. Ndërthënie të kësaj natyre ekzistojnë në të gjitha shoqëritë, kryesisht ato që janë në tranzicion. E veçoj këtë aspekt meqë dramat shoqërore ndodhin në fazën e tranzicionit. Është vështirë të ndryshojnë sjelljet e njerëzve, konceptet e tyre intelektuale, pa ndryshuar mendësinë, e cila ka prodhuar ligje autoritariste që bien ndesh me parimet moderne demokratike.

Dihet se në shoqëritë komuniste, pluralizmi i pikëpamjeve, i opsioneve politike, i lirisë së fjalës dhe shprehjes kanë qenë të ndaluara. Ndërkaq, në shoqëritë e sotme, ato janë kusht pa të cilin nuk mund të ketë kuptim demokracia.Kështu thuhet dhe duhet të ndodhë, por në rrethanat aktuale kemi të bëjmë me cinizëm retorik, që i vlerësojnë parimisht këto procese. Nëse themi se në periudhën komuniste kishim një monizëm që i dhunonte energjitë dhe vlerat njerëzore, në periudhën postkomuniste kemi një problem të një natyre tjetër: pluralizmin e deformuar. Me këtë përkufizim nënkuptojmë relativizmin e fajit, të akuzës, të vlerësimit, të manipulimit me këtë vlerë të re pa të cilën nuk mund të funksionojë shoqëria moderne. Në vend të informimit të drejtë dhe objektiv, kemi keqinformim të opinionit publik.Në këto kushte, kemi një gazetari servile jo aq ndaj pushtetit sa ndaj pronarëve të mediave.

Përgjithësisht, mediat përballen me dy probleme: faktorin e jashtëm, që është politika, dhe me atë të brendshëm, që janë vetë pronarët e mediave. Në këso rrethanash, media shpesh na shfaqet jo thjesht servile, por edhe konsensuale. Për sa thamë më lart, konkludojmë se çdo shoqëri në fazën e tranzicionit përballet me rrezikun e shthurjes së sistemit të vlerave. Nëse institucionet shoqërore ekonomike, financiare, kulturore nuk prodhojnë vlera, por antivlera, nuk mundet të pritet që mediat ta kompensojnë këtë mungesë.Privatizimi shpesh herë, sidomos në fushën e tregut të lirë, ndikon që të mbisundojnë kriteret personale. Ai që ka kapacitete financiare krijon mundësi që të ketë akses, ndikim edhe në afirmimin e antivlerave. Pra, shfaqet fenomeni i mbisundimit të kritereve personale. Biznesmenët rishtarë merren me politikë, me art, me veprimtari mediatike. Ata blejnë çdo gjë, moralin, dijeninë, influencën, kështu që krijojnë një botë të rrejshme, ku ata si autoritete absolute dirigjojnë “qorrazi” proceset e ndryshme shoqërore. Ata, na shfaqen njëkohësisht si tregtarë, shkencëtarë, ekspertë, krijues, themelojnë shtëpi botuese që botojnë libra nga fusha e ekonomisë, sociologjisë, krijimtarisë, natyrisht të shkruara nga të tjerët, të cilat e shesin dijeninë e tyre bosëve të rinj, të cilët krijojnë një kontekst shoqëror ku çdo gjë shitet dhe blihet.

Në këtë kazan ku çdo gjë vlon, nuk mund të pritet që media, në mënyrë të pavarur të prodhojnë vlera kombëtare dhe të përmbushë misionin e saj sa më afër të vërtetës. Në këtë periudhë tranzicioni janë relativizuar vlerat kombëtare dhe çdo gjë është shndërruar në mall. Për pasojë, në këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë, modifikimit të saj, transformimit nga një shoqëri moniste ideologjike në atë të hapur pluraliste, nuk u arrit qëllimi kryesor: krijimi i një shoqërie të re të bazuar mbi lirinë e fjalës dhe të veprimit politik. Prandaj, kur flasim për mediat në tranzicion, për cilësinë, për pavarësinë, për lirinë e shtypit dhe shtypin e lirë, duhet të merret parasysh se realitetet shoqërore ndikojnë në veprimtarinë e informacionit.