Home » ANALISTE TE FTUAR » GRID RROJI: PROPAGANDA DHE KORI I GJINKALLAVE TË PARISË SË TIRANËS.

GRID RROJI: PROPAGANDA DHE KORI I GJINKALLAVE TË PARISË SË TIRANËS.

Çfarë është propaganda?

Propaganda është një formë predikimi e cila ka filluar të përdoret fillimisht nga Kisha Katolike për të promovuar doktrinën kristiane kur Papa Gregori XIV krijoi Bashkësinë e Shenjtë të Përhapjes së Besimit (Sacra Congregatio de Propaganda Fide). Origjina e fjalës vjen nga latinishtja propagare, që do të thotë përhapje, masivizim i mesazhit. Megjithatë, teknikat e bindjes së masave nga grupe të caktuara me qëllime pak a shumë politike kanë zanafillë që nga lashtësia. Që nga Pisistrati, Sofistët, Platoni e Aristoteli, Makiaveli, Volteri dhe Rusoja  e deri tek Napoleoni shtetarë dhe mendimtarë kanë përdorur dhe perfeksionuar mjetet propagandistike të përhapjes së mesazhit. Më tej, gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore u vunë bazat e propagandës moderne, kurse Lenini dhe Mao i perfeksionuan teknikat e saj dhe agjitacionit duke e kthyer propagandimin në një shkencë të organizimit politik.

Zhak Elyli e përkufizon propagandën si “një bashkësi teknikash të përdorura nga një grup njerëzish të organizuar të cilët synojnë të krijojnë pjesëmarrje aktive apo të pavullnetshme tek një masë njerëzish të kushtëzuar nga manipulime psikologjike”. Thënë thjesht, propaganda është shpërndarja e informacionit shpesh të rremë por edhe me aspekte të së vërtetës, në mënyrë të pandërprerë e me të gjitha mjetet e mundshme. Propaganda përdoret nga grupe njerëzish për të kushtëzuar psikologjikisht masën e gjerë e për ta bërë popullin të sillet në mënyrën që kërkojnë ata. Në politikë kjo bëhet për të kushtëzuar jo vetëm sjelljen e zgjedhësve dhe edhe për të drejtuar preferencat e tyre drejt njërës apo tjetrës palë. Për shembull, anti-komunizmi është shndërruar në një nocion qendror të mbështetësve të partisë demokratike ndonëse Sali Berisha ishte komunist para se të bëhej demokrat dhe bashkëpunëtorët e tij janë shumica me prejardhje nga nomenklatura. Në të njejtën mënyrë, militantët e disiplinuar socialistë bëjnë be se janë anëtarë të një partie të majtë ndonëse të gjithë drejtuesit e tranzicionit janë milionerë e grabitës së pasurisë së përbashkët. Asnjëri nga paradokset e përshkruara më sipër nuk mund t’i bindë ata se faktet tregojnë të kundërtën.  Me pak fjalë, kur propaganda funksionon, e vërteta vdes, faktet nuk kanë më vlerë.

Që të funksionojë dhe ta mbajë masën popullore të painformuar e të trullosur propaganda duhet të plotësojë këto kushte: 1) të jetë totale, ose të mbulojë të gjitha aspektet e informimit dhe të jetës shoqërore; 2) të jetë e organizuar dhe profesionale, pra të bëhet nga njerëz të cilët e dinë se ç’po bëjnë dhe veprojnë me plan të qartë dhe efektiv; dhe 3) të jetë e vazhdueshme dhe e pandërprerë në një cikël përsëritës të cilit askush nuk mund t’i shpëtojë.  Kjo bëhet me anë të bashkëbisedimit, mediave të shkruara, televizionit, kulturës, artit dhe në nivelin e kafenesë orientale me anë të thashethemnajës. Në kushtet e sotme, mediat kontrollohen nga palët e parisë dhe ndonëse ka dallime midis palëve, ato nuk janë të mbështetura në ideologji të qëndrueshme. Për shembull, kur Sali Berisha bëri aleancë me Ilir Metën më 2009ën “mediat e djathta” lavdëruan aftësinë politikëbërëse të tij, ndërsa të majtat thërritnin “kapni ujkun”. Në kushte të njëjta, në 2013ën  pozitat janë kryekëput të kundërta. “Mediat e majta” po bëjnë hara-kiri të përditshëm për të justifikuar “Rametën”, ndërsa “të djathtat” zbuluan papritmas moralin. Të dyja palët kanë qartësisht objektiv madhor ruajtjen e sistemit edhe pse mundohen të favorizojnë palët përkatëse për pushtet. Së dyti, propaganda e tranzicionit është e organizuar, gazetat e secilës palë dalin me tituj të ngjashëm e të koordinuar dhe shpeshherë dëgjon qytetarë që thonë se “nuk mësohet gjë nga gazetat”. E megjithatë gjithkush lexon dhe shikon kanalin televiziv përkatës duke e përforcuar rolin që luan propaganda në sjelljen e tyre. Së treti, propaganda është tashmë e pandërprerë. Përveçse ka zaptuar pjesën më të madhe të hapësirës mediatike, politika kushtëzon fuqishëm çdo aspekt të shoqërisë. Paria ka përqafuar parimin “hajdut është vetëm ai që kapet”, mediat e përforcojnë duke ndërtuar mitet fallso të të fortit, degjenerimit moral dhe qejfit pa fre. Më tej, kooptimi i shoqërisë civile e ka privuar qytetarin nga një tjetër burim mbështetës kundër propagandës. Shoqëria civile është e ndarë dhe i shërben me besnikëri palëve të parisë.

Një historik i shkurtër i teknikave të propagandës gjatë tranzicionit.

Si kanë përparuar teknikat e parisë së Tiranës gjatë viteve? Paria e Tiranës ka qenë që në krye të herës plotësisht e ndërgjegjshme se sistemi oligarkik dhe hajnor që ka ndërtuar nuk mund të mbijetonte pa një themel të fortë propagandistik. E dalë nga shkolla leninisto-maoiste e ish Partisë së Punës, pjesëtarët e saj ishin tepër të familjarizuar me teknikat e propagandës që përdorte shteti komunist, të cilat ishin jo vetëm të sofistikuara por edhe shumë efektive. Mirëpo, ndryshimi që solli Lëvizja Studentore jua ka komplikuar punën sepse tashmë tregu mediatik nuk është më monopol, dhe nuk munden të përdorin dhunën e hapur për të nënshtruar të pabindurit si dikur. Ndaj edhe ata kanë përdorur një seri teknikash shumë të sofistikuara për të mbajtur popullin shqiptar në terr e të topitur.

Pas rënies së regjimit monist, sistemi i mëparshëm i mjeteve të informacionit publik ra në dorën e pushtetit të ri. E përbërë nga ish intelektualë të regjimit dhe pjesë nga profesorati universitar, e ngjizur dhe edukuar me frymën leniniste të informacionit publik, dhe e gjindur përpara një aparati të konsoliduar por tejet të varfër nga ana materiale paria e re zgjodhi vazhdimësinë e mjeteve të propagandës të përdorura nga regjimi i vjetër duke dominuar tregun veçanërisht nëpërmjet Televizionit Publik. Duhet theksuar që shumica fshatare e popullsisë kishte krijuar refleksin propagandastik që t’a merrte informacionin vetëm nga burimet zyrtare. Qysh herët, pala e parisë që ishte në minorancë filloi t’i adaptohej kushteve të reja duke krijuar mjetet e veta të informimit siç ishin gazetat. Pas krizës së 97’tës paria konstatoi se ekzistonin kushtet që mjetet e propagandës të bënin një hop cilësor. Kjo përkon me krijimin e televizioneve të para private të cilat u konceptuan si vegla të palëve të cilat shërbenin për ta vizualizuar mesazhin propagandistik. Me kalimin e kohës, këto u bënë jo vetëm përçuese besnike të mesazhit politik të palëve por edhe të metanarrativës ekonomiko-shoqërore që në gjuhën popullore shprehet “Hani, pini, vidhni e vrisni. Bëni qejf se të gjithë do vdesim”.  Kjo pasqyrohet jo vetëm tek banaliteti dhe mungesa e informacionit të emisioneve politike por edhe në përqafimin e spektakleve si Big Bradher dhe Ezel.

Paria ka krijuar kësisoj një realitet paralel me dy nivele, njërin për vete dhe tjetrin për popullin. Në nivelin e vet, paria merret vesh më së miri pavarësisht sharjeve dhe fyerjeve nëpër ekrane televizive. Menjëherë pas debateve debatuesit i shkelin syrin njëri tjetrit me nënkuptimin “i ka politika këto”. Më tej, shumica e tyre kanë prejardhjen e njëjtë dhe lidhen me mijëra fije të dukshme e të padukshme me njëri tjetrin. Pra, në nivelin e vet paria bën teatër pork a mirëkuptim të plotë mes palëve. Në nivelin e popullit paria mbjell tmerr, frikë nga kundërshtari, dhe hasmëri për vdekje. Ajo nuk ngurron të merret me familjen, të ekspozojë aferat e pista të secilës palë por deri aty sat ë mos derdhet çorba, si dhe të krijojë përshtypjen se lufta mes tyre është për jetë a vdekje. Kësisoj, militant socialist nuk e pi kafen në të njëjtin lokal me demokratin e katundit të vet, por dy deputetët e zonës i gjen shpeshherë  duke ndarë thela të tortës publike, duke ndërhyrë për aksh biznesmen, apo duke kërkuar aksh tender. Ndryshimi midis atyre që janë në pushtet dhe atyre të opozitës është që opozitarët marrin një pjesë disa herë më të vogël. Por marrëdhënia përmbyset kur ndërron pushteti. Nga ana e vet media kryen roline përsëritësit dhe shumuesit të mesazhit sepse ngado që të shkosh nuk do gjesh asnjë grimë gazetarie të mirëfilltë por copëza fjalësh të ushqyera me kujdes nga palët e parisë.

Propaganda sot dhe kori i gjinkallave të parisë së Tiranës.  

Me zhvillimet teknologjike të kohëve të fundit praktikimi i propandës bëhet më i vështirë por jo i pamundur. Nga njëra anë bërja e propagandës është vështirësuar sepse ka shumë burime në rrjet të cilat nuk mund të kontrollohen. Por çdo problem e ka zgjidhjen e tij. Paria ka ndërtuar shtresezime të panumërta mediash në rrjet të cilat e bëjnë aq të komplikuar dhe aq të larmishme panoramën sa është bërë tashmë e vështirë edhe për përdoruesin e internetit për të zgjedhur burimet e duhura.  Duke qenë të ndërgjegjshëm që propaganda funksionon në nivelin emocional dhe jo atë racional këto janë disa nga teknikat propagandistike që përdor paria :1) sulmet personale deri në ekstrem. Siç ka thënë Gëbelsi, një sulm i pafre i pavërtetë është shumë më efikas se sa një sulm i moderuar i vërtetë. Këto shumëfishohen me anë të korit të gjinkallave gjithologe të cilët nuk mendojnë se ka fushë ku nuk mund të japin mendim. Pra në vend që të merremi me idetë e udhëheqësve na thuhet se “Edi Rama ka tërhequr një vizë” dhe “ Sali Berisha është me ilaçe psikiatrie”. Në qoftë se kjo debatohet tek Fevziu nga Çili dhe Çim Peka nga një krah, dhe Muçi Puçi Rrushi Rrapatushi dhe Lorenc Vangjeli më anë tjetër kjo lloj qasjeje legjitimohet; 2) kornizimi i kundërshtarit është një nga metodat më efikase sepse e bën pjesëtar të rromuzit pikërisht viktimën. Në vend që të pyetet përfaqësuesi politik se cilat janë idetë e tij, kundërshtarët me finokëri krijojnë debate false mbi çështje dytësore. Në momentin që media i merr dhe shumëfishon këto debate, politikani detyrohet të përgjigjet, duke lënë mbasdore idetë e veta. Për shembull, me daljen e Aleancës Kuqezi në fushë paria përhapi idenë se ky ishte një krijim i Turqisë. Edhe në qoftë se kjo nuk ka baza vërtetësore çdo parti serioze duhet t’I japë përgjigje akuzës për tradhti kombëtare, aq më tepër një parti nacionaliste. Pra në vend që të shpjegonte pozicionet e saj kombëtariste AK-ja u detyrura që të rrinte në mbrojtje e të mohonte një gjë sot, një nesër, një pasnesër; 3) Më pas loja vazhdon me anë të teknikës së “tokës së rrëshkitshme” ose kalimit nga një degë në tjetrën për të mos i lënë bashkëbiseduesit mundësi të shprehet. Kësisoj e vërteta nuk bën pjesë në debatet politike sipas modelit “ti bëj pyetjet që do, unë jap përgjigjet që dua”.  Një shembull është taktika elektorale e demokratëve në këto zgjedhje, të cilët kurdo që dikush i pyet a është abuzuar në aksh ministri nxjerrin lista me hajdutë socialist të cilët kanë vjedhur gjatë pushtetit të tyre 2001-05!; 4) një nga taktikat më të frytshme për të dëmtuar kundërshtarët politikë është marrja për të mirëqenë se nuk ka rrugë tjetër përpos imoralitetit të parisë së Tiranës. Për shembull, justifikimi i gjinkallave të radhës së Edi Ramës për marrëveshjen e ngjalave është në gjuhën popullore “ky stan këtë bulmet ka”; 5) Më e ulët ende është teknika e krijimit të dasive të rreme si veriorë/malokë dhe jugorë fushorë, ortodoksë qytetarë e myslimanë katundarë, apo më e ulta klanet e dala nga regjimi i kaluar/elitë dhe populli katundar.

Në vend të përfundimit.

Për ta përfunduar, paria e Tiranës i përdor të gjitha mjetet e mundshme për të mbajtur popullin e vet nën një sundim demagogjik me anë të propagandës së shfrenuar. Ajo i njeh mirë rregullat e bërjes së propagandës efikase dhe përdor pa mëshirë korin e laraskave të opinionistëve, analistëve, gazetarëve dhe të ftuarve televizivë profesionistë. Mirëpo me zhvillimin e teknologjisë shqiptarët e kanë një rrugëzgjidhje.  E vërteta ka shumë mënyra për të dalë, megjithë tentativat e parisë për të manipuluar turpshëm edhe Fejsbukun dhe Tuiterin. Paria nuk mund të manipulojë shumicën e blogjeve ku shprehet mendimi intelektual shqiptar si nga brenda dhe nga jashtë vendit. Paria nuk mund të kontrollojë shprehjen e mendimeve të njerëzve hapur në Fejsbuk nga rehatia e anonimatit. Me anë të gjinkallave ajo mundohet t’i quajë këto pasoja të mosqytetërimit të popullit, por kushdo që e njeh sadopak sociologjinë e di që ato janë mekanizma shkrehës të një populli që nuk sheh rrugëzgjidhje nga drejtuesit e vet. Paria nuk mund t’i parandalojë nismat që lindin në internet si Vota e Bardhë e cila u bën thirrje atyre që nuk e gjejnë veten të përfaqësuar nga paria t’i vendosin një kryq fletës së votimit e t’ a bëjnë atë të pavlefshme. Ndaj, edhe jam i bindur se megjithë vështirësitë ditë më të mira do vijnë për shqiptarët.

 

8 thoughts on “GRID RROJI: PROPAGANDA DHE KORI I GJINKALLAVE TË PARISË SË TIRANËS.

  1. dakord me deshtimin e pashmangshem tashme te identiteve te vjetra Hyllin. Vota e protestes nuk eshte alternative per sa kohet qe nuk orientohet politikisht (sikurse shprehesh). por ne mungese te nje alternative qe e shpreh qarte, hapur, pa ekuivoke udhen e re qe duhet te ndiqet, vota e bardhe eshte hap drejt asaj. Pra, nese ka alternative propozuese asaj i duhet dhene vota. Fatkqeseshit duket se nuk ka sotpersot (ose ende ne qofte se do ishim optimiste) mjaftueshem qartesi ideologjike dhe force karakteri per te marre mbi shpatulla kete barre. Gjithsesi mbetet per t’u pare nese ndonjera nga forcat e reja do te dije te vendoset ne kete hapesire te re te krijuar/ne krijim e siper. Por kjo kerkon jo vetem retorike po shpirt dhe gatishmeri per sakrifice. Nuk thyhet kollaj nje sistem qe ka 70 vjet qe fortifikon themelet dhe muret rrethues.

  2. Hyllin Berisha ka bere pune me se shumti ne katervjecarin e pare, ne te dytin eshte kujdesur te konsolidoje pozitat e familjes se vet, te ruaje pasurine e vene dhe te kenaqe klanet qe i jane bashkuar pa asnje premise ideologjike. Madje me bekimin e ngjalekoalicionit ka blinduar edhe kryesimin e opozites per kater vjetet e ardhshme.Mendoj se Shenasiu ka te drejte, vota kete here do te jete e paqendrueshme sepse kurtheve identitare po ju del perdite e me teper boja. I riu nga Kuci ne fshat mund te kete ruajtur afersine me njeren apo tjetren pale ( te mos harrojme qe nje vella ka dale partizan, tjetri me Ballin, per te qene brenda gjithsesi). Por kur katundari do t’a shohe se cmimi per tu paguar po i bie mbi koke dhe pakti i ngjalave e ben viktime te perhershme atehere llogarite behen ndryshe. Une mora shkas nga nje koment yti ketu mbi realizmin e bera nje analize mbi pritshmerite dhe veprimin e fshatarit dhe mashtrimin e madh te “realisteve”. Ndoshta neser mund t’a plotesoj duke analizuar llogarite e shtresave urbane apo me mire te themi te urbanizuara. Shkrimin e gjen ketu http://www.fshad.com/7/post/2013/04/realizmi-ngjalat-dhe-shqiptari-katundar.html

    • Ne fakt, nje nga shtyllat e sistemit eshte identiteti historiko-politik, i cili ka aq fuqi sa te mundesoje mbijetesen e aktoreve politike edhe kur keta bejne paktet me Djallin.
      Nje nga shembujt eshte ai i Luftes Civile ne Shqiperi, kur per hir te luftes kunder komunizmit jugosllavist, Balli qe kish luftuar kunder italianeve, vendosi te bashkepunoje me gjermanet. Ky pakt nuk ia zeroi radhet Ballit, sepse bazohej tek identiteti historiko-politik nacionalist i asokohshem, qe i kishte rrenjet tek Rilindja.

      Mirepo, pikerisht ne çastin e luftes civile, kemi edhe permbysjen e identiteteve te vjetra historiko-politike dhe farketimin e dy identiteteve te reja, komunist dhe antikomunist qe jane edhe ne themel te sistemit postkomunist.

      Gjithsesi mbijetesa e aktoreve politike qe bejne paktet me Djallin, megjithese e garantuar prej identitetit historiko-politik eshte afatshkurter, pikerisht sepse asnje shoqeri shteterore nuk mund te pranoje dot nje sistem politik qe nuk mbeshtetet ne asnje vlere.

      Ne kete kendveshtrim mbijetesa disavjeçare e Rametes mund te garantohet nga identiteti historik i te majteve shqiptare, por keto pak vite do te jene edhe grahmat e fundit te sistemit.

      Meqe Paria duket ka hequr dore nga propaganda komunist-antikomunist, pra nga nje prej shtyllave te sistemit, do e shihja fundin me te afert, sikur te mos mungonte nje identitet i ri apo me mire nje dialektike e re zevendesuese.

      Besoj se ky Pakt po fillon e ndergjegjeson shqiptaret per nevojen e nje dialektike te re politike dhe identiteteve te reja.

      • p.s Vota e bardhe masive nga njera ane e medaljes do tregonte deshtimin e klases politike, por nga ana tjete do te ishte deshtimi i shoqerise shqiptare ne pergjithesi dhe shtreses intelektuale e shoqerise civile ne veçanti, per prodhimin e alternatives.

        Ne kushtet e pranise se votes se protestes ndaj klases politike ne teresi eshte detyra e shoqerise civile e shtreses intelektuale ‘te politizohet’ ne menyre qe vota e protestes te mos jete thjesht me efekt shkaterrues ndaj sistemit, por te rrefeje edhe udhen e re qe duhet ndjekur.

  3. “Saldimi” i elektoratit ne te dy kampet, me mundesi ndryshimi 1 deri 2 deputete nga njera ane ne tjetrin, me duket se e eshte shume deshperues. Le te bejne çfare te dojne Berisha e Rama, mire a keq, votuesit e kane ndare mendjen qysh se i bejne 18 vjeç e deri ne vdekje. Per kete shkak duket shume deshperuese, qe e gjithe kjo propagande, cfaredo qofte ajo, permes mediave, analisteve, militanteve, etj. gjate 4 vjeteve te behet per te marre voten e elektoratit gri, per te fituar 1 apo 2 deputete me teper. Eshte me rendesi ndoshta te behet nje analize e struktures shoqerore te elektorateve te “salduara”. perse ato nuk ndryshojne. A eshte kjo si pasoje e historise se kaluar ideologjike, ndarjeve krahinore, religjioze, qutetare, katundare, apo mos e dhente Zoti, eshte problem me baze gjenetike, se e hengert dreqi, ka 100 vjet qe nuk po e gjejme rrugen. Thenjet e Fishtes, Konices apo Nolit, te jene shume aktuale edhe sot, me te vertet eshte shume deshperuese. Them se duhet percaktuar me pare diagnoza e pastaj ilaçi sado i shtrenjte e i hidhet te jete… duhet pire!

    • Saldimi elektoral (ne masen 60-70%) eshte produkt i permases historike qe ka identiteti politik. Ne rastin tone permasa historike lidhet me qendrimin ndaj komunizmit. Me tej permasa historike per te qene e atille duhet te kaloje nepermjet gjakut, nga ati tek biri.

      Sigurisht qe si element i rendesishem eshte edhe trashegimia e interesave, sepse pergjithesisht, ne shumicen e rasteve, nuk e ben lepuri bishtin me te gjate se i ati, prandaj ne momentin e trashegimise trashegohen edhe pothuajse te njejtat interesa ( ku perfshihen edhe miqesite familjare).

      Keshtu, ka nje permase qe lidhet me identitetin socio-ekonomik dhe nje permase qe lidhet me identitetin historiko-politik.

      Nje fenomen esencial per ndryshimin eshte urbanizimi, i cili strukturalisht dobeson identitetin socio-ekonomik e keshtu hap rrugen edhe per nje emancipim te mundshem historiko-politik.

      Mendoj se nga pikepamja strukturore qytetet pararoje do te jene ato ku perzierja e popullsise eshte me e madhe.

      Psh nje i ri nga Kuçi apo Kurveleshi do trashegoje identitetin socio-ekonomik nga i ati dhe per shkak te lidhjeve historike te Kuçit me komunizmin, do te votoje gjithnje majtas. Ai nuk i shpeton dot grackes identitare.

      Nje i ri tjeter po nga Kuçi apo Kurveleshi qe ka levizur drejt nje qyteti te perzier, psh Tirane ose Durres, ka mundesi t’i shpetoje grackes identitare se ka rrethana te reja te cilave per t’iu pershtatur mund t’i kerkojne ndryshimin ( ka fare mire edhe gjasa per mosndryshim, por jane reale edhe gjasat per ndryshim, te cilat ai qe rri ne Kuç nuk i ka).

  4. Hyllin, do te jete shume e paqendrueshme si vote, pa dyshim. me qe i je drejtuar z. rroji, po e ndjeki me vemendje argumentin kur te vazhdoje.

  5. Pershendetje Grid, ne njefare menyre, ne politiken shqiptare propaganda e sotshme nxit abduksionin. Perfundimi i abduksionit eshte gjithnje probabilistik per shkak te premises se dyte.

    Abduksioni i sotem i propagandes se korit te zhabave eshte pak a shume ky:

    1- Politikanet shqiptare jane te keqinj
    por,
    2- Rameta eshte me pak i keq
    rrjedhimisht
    3- Rameta ia vlen te votohet

    Nga ana tjeter (e djathte) abduksioni vjen keshtu:

    1- Te gjithe jane njelloj
    por
    2- Berisha ka bere pune (rruga e kombi, hyrja ne Nato, heqja e vizave)
    rrjedhimisht
    3- Berisha ia vlen te votohet

    Ne te dyja rastet, premisa 2, eshte probabilistike ose me sakte varet nga kendveshtrimi subjektiv i rendit te gjerave.

    Ne fakt, deri dje, propaganda ‘e pavarur’ majtiste, perpiqej te kontestonte deri diku premisen universale ( Te gjithe jane njelloj/ te gjithe jane te keqinj) duke thene se Rama ishte shume ndryshe, ishte me integritet e terci-verci.

    Sot e ne vazhdim te dyja palet ( Muçi e Cili), do merren gjate fushates elektorale me premisat e dyta, e majta qe Rameta eshte me pak i keq, ndersa e djathta qe Berisha ka bere pune.

    Kjo doreheqje e Rames prej premises universale dhe kalimi ne partikularen e ben Rames te mendoje vetem per elektoratin historik te se majtes dhe ta perqendroje fushaten ne pajtimin e elektorateve, pa kerkuar me ngulm voten e elektoratit gri ( si deri dje me Rilindjen).

    Berisha ne kete mes nepermjet premises partikulare, qe Berisha ka bere pune ( jo qe Berisha eshte antikomunist i terbuar, si deri dje), mund te luftoje ende per elektoratin gri.

    Kjo mendoj se do te jete propaganda e fushatave perkatese elektorale, e majta qe do pajtoje elektoratet dhe e djathta qe do synoje te marre sa me shume vota gri, si kyçi per nje fitore te mundshme.

    Kesaj radhe vota do jete shume me probabilistike sesa heret e tjera per shkak te triumfit te abduksionit, le t’i beje sa te doje llogarite Zaloshnja apo A. Hoxha..

Comments are closed.