Home » ANALISTE TE FTUAR » YLBER LILI: TRANZICIONI MEDIATIK

YLBER LILI: TRANZICIONI MEDIATIK

Çështja e mediave nuk mund të shihet dhe analizohet e ndarë nga konteksti shoqëror dhe politik. Formacionet shoqërore sot e gjithë ditën ngërthejnë në vete pengesa nga e kaluara dhe oportunitete që ofron e ardhmja. Por, diçka duhet pasur parasysh: asnjë institucion nuk mund të funksionojë i izoluar nga sistemi, qoftë edhe ai mediatik.

Pra…, ekziston një ndërvarësi dhe ndërveprim ndërmjet tyre. Nuk mund të flasim për media të lira, ndërkohë që gjyqet janë të korruptuara; nuk mund të flasim për administratë efiçente, aty ky dominon fryma e militantizmit partiak; nuk mund të flasim për sistem vlerash, ndërkohë që i gjithë sistemi ka probleme të natyrave të ndryshme. Ndërthënie të kësaj natyre ekzistojnë në të gjitha shoqëritë, kryesisht ato që janë në tranzicion. E veçoj këtë aspekt meqë dramat shoqërore ndodhin në fazën e tranzicionit. Është vështirë të ndryshojnë sjelljet e njerëzve, konceptet e tyre intelektuale, pa ndryshuar mendësinë, e cila ka prodhuar ligje autoritariste që bien ndesh me parimet moderne demokratike.

Dihet se në shoqëritë komuniste, pluralizmi i pikëpamjeve, i opsioneve politike, i lirisë së fjalës dhe shprehjes kanë qenë të ndaluara. Ndërkaq, në shoqëritë e sotme, ato janë kusht pa të cilin nuk mund të ketë kuptim demokracia.Kështu thuhet dhe duhet të ndodhë, por në rrethanat aktuale kemi të bëjmë me cinizëm retorik, që i vlerësojnë parimisht këto procese. Nëse themi se në periudhën komuniste kishim një monizëm që i dhunonte energjitë dhe vlerat njerëzore, në periudhën postkomuniste kemi një problem të një natyre tjetër: pluralizmin e deformuar. Me këtë përkufizim nënkuptojmë relativizmin e fajit, të akuzës, të vlerësimit, të manipulimit me këtë vlerë të re pa të cilën nuk mund të funksionojë shoqëria moderne. Në vend të informimit të drejtë dhe objektiv, kemi keqinformim të opinionit publik.Në këto kushte, kemi një gazetari servile jo aq ndaj pushtetit sa ndaj pronarëve të mediave.

Përgjithësisht, mediat përballen me dy probleme: faktorin e jashtëm, që është politika, dhe me atë të brendshëm, që janë vetë pronarët e mediave. Në këso rrethanash, media shpesh na shfaqet jo thjesht servile, por edhe konsensuale. Për sa thamë më lart, konkludojmë se çdo shoqëri në fazën e tranzicionit përballet me rrezikun e shthurjes së sistemit të vlerave. Nëse institucionet shoqërore ekonomike, financiare, kulturore nuk prodhojnë vlera, por antivlera, nuk mundet të pritet që mediat ta kompensojnë këtë mungesë.Privatizimi shpesh herë, sidomos në fushën e tregut të lirë, ndikon që të mbisundojnë kriteret personale. Ai që ka kapacitete financiare krijon mundësi që të ketë akses, ndikim edhe në afirmimin e antivlerave. Pra, shfaqet fenomeni i mbisundimit të kritereve personale. Biznesmenët rishtarë merren me politikë, me art, me veprimtari mediatike. Ata blejnë çdo gjë, moralin, dijeninë, influencën, kështu që krijojnë një botë të rrejshme, ku ata si autoritete absolute dirigjojnë “qorrazi” proceset e ndryshme shoqërore. Ata, na shfaqen njëkohësisht si tregtarë, shkencëtarë, ekspertë, krijues, themelojnë shtëpi botuese që botojnë libra nga fusha e ekonomisë, sociologjisë, krijimtarisë, natyrisht të shkruara nga të tjerët, të cilat e shesin dijeninë e tyre bosëve të rinj, të cilët krijojnë një kontekst shoqëror ku çdo gjë shitet dhe blihet.

Në këtë kazan ku çdo gjë vlon, nuk mund të pritet që media, në mënyrë të pavarur të prodhojnë vlera kombëtare dhe të përmbushë misionin e saj sa më afër të vërtetës. Në këtë periudhë tranzicioni janë relativizuar vlerat kombëtare dhe çdo gjë është shndërruar në mall. Për pasojë, në këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë, modifikimit të saj, transformimit nga një shoqëri moniste ideologjike në atë të hapur pluraliste, nuk u arrit qëllimi kryesor: krijimi i një shoqërie të re të bazuar mbi lirinë e fjalës dhe të veprimit politik. Prandaj, kur flasim për mediat në tranzicion, për cilësinë, për pavarësinë, për lirinë e shtypit dhe shtypin e lirë, duhet të merret parasysh se realitetet shoqërore ndikojnë në veprimtarinë e informacionit.