NE NA KA NGORDHUR GOMARI ME KOHË DHE ….

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, e ka cilësuar si të papranueshëm faktin që në Shqipëri personat me aftësi të kufizuara nuk kanë mundësi punësimi dhe arsimimi. “Shqipëria duhet të miratojë ligje dhe akte nënligjore për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar. Në Shqipëri vazhdon të jetë një problem arsimimi dhe respektimi i kuotave të punësimit, gjithashtu ligji për antidiskriminimin duhet të jetë më i fortë. Ne besojmë se e drejta nuk është ajo që jepet, por atë askush nuk duhet të ta marrë. Të gjitha vendet që aspirojnë në BE duhet të respektojnë këto të drejta, përfshi këtu dhe Shqipërinë që duhet t’i respektojë këto standarde”, tha Sekui.

Një mendim jashtëzakonisht me vlerë, në kohën e duhur, dhe që i drejtohet një audience receptive ndaj këtyre mendimeve shumë bashkëkohore lidhur me gjendjen e punësimit e të diskriminimeve në shoqërinë shqiptare. Në fakt ka vetëm një gabim. Duke qënë se kemi nja një million të papunë, do të ishte mirë të thuhet se duhet të respektohen kuotat e papunësimit. Në lidhje me arsimimin e kemi fare të lehtë. Me një grant, donacion apo kredi të butë fare, të gjithë mund të bëhen doktorë profesorë në fushën që dëshërojnë. Sa për aktet ligjore e nënligjore i përkthejmë nga rumanishtja dhe I botojmë në gazetën zyrtare, po kush i lexon? Kryeministri mban fjalime e inaugurime, opozita shkruan kopjet te dora, ministrat kanë dhimbje koke e gishtash nga telefonat, e zyrtarët e niveleve më të ulta, dhimbje koke nga vera e rakia që rrallë bëhet nga rrushi, e njerëzit e tjerë nuk dinë as ku e kanë kokën nga hallet.

Ajo që z. Sekui ose nuk e sheh ose nuk don ta thotë është në këtë drejtim ia kalojmë botës e jemi ku e ku më mirë e më lart se ata. Ne e kemi mbushur administratën me njerëz me aftësi të kufizuara, bile edhe me kaq shumë të paaftë sa nuk ta merr mendja. Ja, kryeministër kemi Sali Berishën, që i shkojnë sytë si sahat muri, Ministër Mbrojtjeje kemi Arben Imamin, ministër të Jashtëm Aldo Bumcin, dhe Ministre të Integrimeve të Gjithanshme Majlinda Bregun. Tash kemi marrë me kuota edhe Greta Kocin që e kemi bërë Drejtore në Ministrinë e Brendshme. Nga opozita nuk janë gjërat më mirë, por mangësitë e këtyre janë të një natyre pak më speficike.

Në se duhet të matemi me këtë punë, në lidhje me personat me aftësi të kufizuara, të pakufizuara apo krejt të paaftë, ne duhej të kishim marrë një miliardë euro në vit! Sepse ajo Spanja e juaj e ka papunësinë 23%, Greqia e Juaj, e ka 40%, etj. kurse ne, me këta gjysma njerëzish hamë e pimë gjithë ditën, nuk punon njeri, dhe i ke i kemi lënë të gjithë të paaftët, të pakualifikuarit, injorantët, e hajnat të na sundojnë. A shkon te Stela? A ke qënë tek TEG? Cka bëjmë gjithë ditën ne? kujton se punojmë? Po ne jemi parajsa e njerëzve me aftësi të kufizuara fizike, mendore dhe emocionale. Shqipëria një Euro për të tjerët e ju po ju lutemi të na merrni falas e nuk doni. Prandaj, duke qënë se i përmbushim standartet, na futni në Europë dhe të jeni të bindur që do ju bëjmë superfuqi energjitike, do të shumëfishojmë prodhimin bujqësor, do të keni bujqësi digjitale, internet në motele, ekspozita pikture në pube, e me radhë, se edhe opozita ka një program me 1000 faqe.

Mandej sa shqiptare me aftësi të kufizuara ke marrë në punë në Ambasadë? ku me e dite.

Hajt, ma nji mendim ishte ky, sa me kalue kohën. Sepse ne na ka ngordhur gomari me kohë, e nuk dihet nga na vijnë këto mizat. Ndoshta vijnë nga gomari që iu ka ngordhur edhe të tjerëve, si grekëve, italianëve, spanjollëve e me radhë.

Advertisements

… PRODHIMI I FERMEREVE

Mendimi i Mesnatës….

 

Ja po shoh se shkoj Sali Berisha në Konventën e Fermerëve… dhe tha shakane  e radhës. Po e sjell citimin nga fjalimi i tij të plotë. Ja cka tha kryeministri i vendit:

“Përulem me nderimin më të madh para të gjithë fermerëve të Shqipërisë. Këtu u fol për punën e bërë gjatë këtyre viteve për zhvillimin rural. Ne jemi krenarë, vlerësojmë dhe frymëzohemi nga dashuria e pakufishme të fermerëve. Tek fermerët puna nuk mbaron kurrë, dhe ne u detyrohemi atyre shumë më tepër se kaq sa kemi bërë. Fermeri është kujdestari i Zotit për tokën, rrudhat e tyre janë vulat e Zotit për punën e tyre të mrekullueshme dhe ne do të bëjmë gjithçka për tua shpërblyer atë që ata bëjnë për shoqërinë. Do të bëjmë gjithçka që çdo fshat i Shqipërisë të ketë infrastrukturën më të nevojshme dhe të përshtatshme. Ne garantuam furnizimin me energji elektrike. Mandati i ardhshëm është mandati i përfundimit të infrastrukturës më moderne. Vrapi ynë nuk do të ndalet derisa t’i garantojmë fshatit shkolla të njëjta me qytetin, ujë të rrjedhshëm dhe energji. I garantoj fermerët se përparësia e parë për Partinë Demokratike do të jetë kullimi në tokat me sera. Ju inkurajoj që të ecni sa më shumë drejt prodhimeve bio, që ato të bëhen të njohura në të gjithë Europën. Ne qëndrojmë të vendosur që në katër vitet që vijnë të shumëfishojmë prodhimin e fermerëve shqiptar”,-u shpreh Berisha.

Mendova që të përqëndrohem në disa prej argumenteve kryesore të fjalimit sepse po i u fliste pikërisht atyre që do të mbajnë shtetin nesër me taksa e me paga. Më tërhoqi shumë vëmendjen fjalia “Ne jemi krenarë, vlerësojmë dhe frymëzohemi nga dashuria e pakufishme të fermerëve.” Si ta kuptojmë këtë? Nga frymëzohet z. Berisha? Nga dashuria e fermerëve për z. Berisha? Nga dashuria e fermerëve për Lirinë e Demokracinë? Nga dashuria e fermerëve për njëri-tjetrin? Po ku është kjo dashuri? Ku me e dite, fermeret shqiptare po vriten e priten, ka plase vrasja divorci e therja, na mbyti krimi, e ky flet per dashuri.

Megjithatë, duke e njohur stilin pak abstrakt te zotnise ne fjale, e lashe kete punen e dashnise se fermereve. E dita se do të dalë me një shashkë mediatike që do ti trullosë studjuesit. Dhe nuk u zhgënjeva kur me një frymë tha shumë gjëra që nuk beson njeri, tre me mbetën në mendje prej tyre: inkurajimi i eksportit të prodhimeve bio në Europë, se ky mandate do të ishte mandati i përfundimit të infrastrukturës moderne, dhe e treta, … “se përparësia e parë për Partinë Demokratike do të jetë kullimi në tokat me sera” Hajt ma, thashë, me kaq e mbylli këtë herë. Kur ja dha më e forta e të fortave … “Ne qëndrojmë të vendosur që në katër vitet që vijnë të shumëfishojmë prodhimin e fermerëve shqiptar.”

Pashë zotin, si shtohet prodhimi i fermerëve? Se ta kishte për prodhimin bujqësor do të thonte ose “prodhimin bujqësor” ose “prodhimin që japin fermat.” Por ky po fliste për prodhimin e fermerëve si  produkt. Eh, thashë me vete, ky po ka ndërmend me i kthye të gjithë qytetarët, që cka hoqën me u ba qytetarë të pasaportizuar, në fermerë. Sepse meqë shteti nuk prodhon gjë, ndoshta shteti ka vendosur që të prodhojë fermerë. Po sa shumëfish? Se tani kemi ende një million shqiptarë që jetojnë në fshat… Sa është kjo shumëfish? Trefish? Katërfish? Pesëfish? D.m.th, paska vendosur me i nisë të gjithë shqiptarët në fshatra me punue tokën. Lëre thashë me vete, ia ka futur kot si e ka zakon. Po ndoshta e ka pasë në mend që do të shumëfishojmë brenda katër vjetëve atë që prodhojnë fermerët! Po si do ta bëjë atë punë? Edhe pse ekonominë e kemi të dytën në botë, duhet që prodhimi bujqësor të rritet me ritme marramendëse. Ne duhet me marrë tokë e njerëz borxh në Azerbajxhan!

Më në fund e kuptova se sa i cekët jam unë! Medet, që jetoj në Nju Jork e nuk  I kuptoj shqiptarët! I vetmi shpjegim që mund të jepet e që të bind, tashë është ky më poshtë.

Në katër vitet e ardhshme, ky po mendon me e ba të gjithë shtetin shqiptar si Lazaratin. Me farën e re të hashashit hollandez, prodhimi rritet 270%. Po të mbjellim edh 10% të tokës me hashash, po të marrim edhe këtë farën e re, me te vërtetë prodhimi do të rritet shumëfish.  Atëherë do ja kalojmë Afghanistanit në shkallën e ekonomisë botërore dhe nuk do të shkojmë me lypë para në Azerbajxhan. Aty ishte edhe fjala për prodhime bio se a ka gjë më bio tek ne se hashashi? Jo. Eh, sa vonë e kuptova. Duhet me u mendue thellë, se ndryshe të duken fjalët e kryministrit të vendit marrina e mashtrime. Po me që ky nuk mundet me i thanë tanë gjanat si duhet, len shumë me nënkuptue. E këtë aftësi  me e kuptue e kanë vetëm ata që jetojnë atje, se në fund, të gjithë të pranishmit, edhe ministri i Bujqësisë edhe ai tjetri e duartrokitën me emocion të dallueshëm. Sa gabim asht me folë për gjana që nuk i kupton!