VAL KARANXHA: PËR NJË RILINDJE SHQIPTARE”: BAZA IDEOLOGJIKE DHE MENDIMI STRATEGJIK

Fushata zgjedhore e 2013 është deklaruar e hapur. Lufta elektorale  në terren tashmë ka filluar. Berisha po ndjek nje strategji të caktuar duke rekrutuar sa më shumë gra dhe votues të rinj që të mund të fitoj numrin e votave të kërkuara të siguroj mazhorancën. PD  konkuron për nje term të tretë në pushtet.  Një kërkim për njohjen me programin e Berishës dhe ideologjjinë e tij rezultoi në një mini-platform e cila mund të jetë një projekt i sukseshëm i një grupi 14-15 vjeçarësh në shkencat politiko-shoqërore.

Kandidati tjetër për kreun egzekutiv është kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndryshe nga Berisha, Rama  është fokusuar në rekrutimin e pjesës së popullsisë e cila është e papunësuar dhe asaj e cila tradicionalisht nuk e mbeshtet politiken dhe ideologjinë e Berishës. Edi Rama, kreu i PS, ashtu si Berisha ndodhet në një udhëkryq i cili mund ta çojë në disa drejtime. E  para, Edi Rama mund të bëhet Kryeministër i Shqipërisë, e dyta Edi Rama mund të nglelet përsëri Kryetari i Opozitës, e treta Rama mund të  largohet nga jeta politike dhe e katerta Rama mund të konkurroj përsëri si bashkiak.

Të gjitha këto nuk janë asgjë perveçse spekullime. Në këtë mori hamendjesh dhe presupozimesh, një diçka është e qartë e cila nuk i shpëton dot opinionit poitiko-shoqeror shqiptar: Edi Rama nuk hyn në zgjedhjet e 2013  me një integritet politik të shëndetshëm. Rama hyn në fushatën zgjedhore me një parti të pa-reformuar dhe të pa-ristrukturuar. Rama hyn në fushate me një parti ku elementi extremist i majtë ende ka peshë të fortë, Rama hynë në zgjedhje me një list kandidatësh të mbytur nga korrupsioni dhe praktikat korruptive. Por ajo që është më shqetësuese për Ramën në këto momente është vet-shkarkimi nga pjesa e përgjëgjsisë që i takon për ngjarjet e 21 janarit të 2011 dhe politizimi i saj.

Terminologjia e skematikës të përdorur për analizën

Strategji: Një seri veprimesh ose plan i hartuar për të arritur një objektiv të pergjithshëm.

Vizion i përbashkët: Perceptimi i popullit për të ardhmen i cili i bashkangjitet vizionitit te organizatës në një shkallë më të gjërë.

Deklarata e Misionit: Deklaratë cila shpreh egzistencën e një organizate, misionin e saj, objektivat, rrugët e realizimit. Deklarata e misionit përmban skematikën me anë të së cilës formulohen strategjitë e organizatës.

Teori e veprimit: Një seri veprimesh ose aksionesh të matshme të cilat lidhin skematikëtn teorike të një plani strategjik me anën praktike të tij.

Vlerat e perbashkëta: Një grupim vlerash filosofike të përcaktuara nga

botkuptimi kuturor, moral, personal i një grupi njerzish në një shoqeri, ose të një populli, kombi në një shkallë më të gjërë.

Kulturë organizative: Normat predominuese të një organizate vlerat dhe qëndrime të cilat përcaktojne sjelljet e anëtarëve të saj

Baza ideologjike e Ramës 

Baza ideologjike e Ramës reflektohet tek vet Partia Socialiste si organizatë, dhe gjithashtu  në platformën  e saj partiake, e cila sipas deklaratave të tij, është gati për tu implementuar në qoftë se vjen në pushtet. Me baza të mbështetura ne ideologjinë e majtë,  Rama ende nuk ka shprehur  një vizion të qartë për kombin në  programin e tij. Kjo vjen për arsye se ideologjia e tij socialiste nuk  konsideron si primare vlerat kombëtare, por mbështet ato të rrymës dhe levizjes ndërkombëtare të majtë. Në përgjithësi ideologjitë socialiste mbështeten më shumë në solidaritetin ndërkombëtar të individëve  dhe grupeve politike me pikpamje të majta se sa unitetin kombëtar, krijimin dhe instalimin e vlerave kombëtare demokratike. Në programin e Partisë Socialiste shprehimisht shkruhet:

“Idetë e paraqitura në këtë program janë radikale, ambicioze dhe moderne. Por vlerat tek të cilat ne besojmë mbeten të pandryshuara. Ato janë vlerat që na mbajnë bashkuar në familjen e madhe të Internacionales Socialiste dhe Partisë Socialiste Europiane.”  Me një fjalë, vlerat ideologjike socialiste janë primare për Ramën dhe partinë e tij. Në to nuk ka absolutisht asnjëlloj ndryshimi, për më tepër, në këtë deklaratë mungon faktori i Shqipërisë si komb.  Rama e ka të vështirë të identifikoj veten e tij me kombin shqiptar, duke vënë të majtën Europiane përpara tij.

Duke ju kthyer dogmës së PS, ajo ende nuk ka adopuar një  ideologji të re, moderne dhe demokratike  në njëzet vjetët e fundit, sepse kjo organizatë “modifikoi” në dukje atë të Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH). Derbyshire & Derbyshire (1996), theksjonë:  “PS, me themele të forta në jugun e vendit, e njohur deri në vitin 1991 si Partia e Punës së Shqipërisë, është parti e reformuar e asaj ish-komuniste ” (253). Me fjalë të tjera, PS nuk trashëgoi  vetëm të njëjtën ideologji nga PPSH, por më saktë ajo trashëgoi dhe krerë, individë të cilët ishin funksionar gjatë rregjimit komunist dhe që vazhdojnë të aderojnë në rradhët e saj.

“Ky lloj majtizmi, ka pa dyshim ngjajshmëri me majtizmin europian, i cili presupozon të jetë social, por përsëri ka ndryshime themelore. Këto diferenca ideologjike dhe në platformë, janë më tepër të subjektifikuara në bazë të politikavë të veçanta partiake se sa të majtizmit ndërkombëtar. Ndryshimi gjithashtu qëndron në “masën” e besnikërisë ndaj ideologjisë socio-komuniste, rrethanave dhe gjendjes politike në vënd, politikat publike, centralizimi vs. privatizimit, zhvillimi i ekonomisë dhe integriteti politik në aplikimin e reformave.

Komunizmi është vërdallisur në Europë që me prezantimin e tij teorik nga Marksi, dhe aplikimin në praktike nga Lenini. Socializmi si varianti më afër qendrës ka rrenjë te thella jo vetem në vendet sllave si ish kampi socialist, Azia e Largët por ashtu edhe  në Europen Perëndimore. Franca gjithashtu është një nga vendet ku Partia Socialiste ka dalë si faksion i asaj komuniste PCF e cila u nda në dy faksione në fillimet e shekullit të kaluar (Derbyshire & Derbyshire, 1996).

Megjithëse, PS franceze  ka baza ideologjike dhe mendim të majtë, mbas 1995 nën drejtimin e Lionel Jospin  u lejuan faksione brënda saj të cilat ishin të qëndrës së majtë dhe gjithashtu faksione socialdemokrate  nën drejtimin e Michel Rocard (Derbyshire & Derbyshire, 1996).  Pra toleranca politike në anën e majtë lejoi PS franceze të tregoj fleksibilitet ideologjik. Ndërsa në Shqipëri,  majtizmi i PS është mbeturina e ideologjisë se vjetër komuniste, e cila e vështirëson shkëputjen e saj nga mëndësia dhe praktikat extremiste. Kjo është më se evidente në elektoratin socialist, reagimet e tij, nostalgjinë e viteve të pushtetit komunist, refuzimin për të pranuar pjesën e mohuar te historisë shqiptare si dhe pranimin e mendimit te djathtë nga pjesa tjetër e popullsisë. Me pak fjalë, baza ideologjike e Edi Rames ka ngecur midis majtizmit  të tij liberal në teori dhe mendësisë exremiste të krerëve të tjerë të PS.

Pra duke u nisur nga sjelljet e tij, politikat e tij dhe të deputeteve soclialist, Edi Rama  nuk ka shkëputur ende lidhjet shpirtërore me PPSH, edhe pse në aparencë doli kundër saj në fillimin e karrierës së tij politike. Partia Socialiste ka njohur faksione dhe përçarje të cilat janë përkthyer në hemorragji votash në të kaluarën. Këto përçarje nuk kanë ndodhur si pasojë e diferencave ideologjike, faksionet në PS kanë rezultuar si pasojë e luftës për pushtet dhe poste qeveritare. Kjo vjen për arsye se krerëve dhe deputetëve të PS u mungon uniteti i cili formohet në një vizion të përbashket me një qellim kolektiv. Shumicën e krerëve të Partisë Socialiste nuk i mban asgjë e bashkuar përveçse bashkimi i interesave vetjake.

Baza ideologjike e Platformës së PS është e mbështetur parcialisht në parimin e centralizimit si modernet e majta në Europë. Por një nga strategjitë e Ramës për të rimëkëmbur ekonominë është inkurajimi i zhvillimit rural, i cili në platforme zë një vend të rëndësishëm. PS synon të rimëkëmb ekonominë dukë i krijuar mundësinë bujkut privat të rris prodhimtarinë, por me mbështetje dhe vartësi në institucionet shtetërore (1.7 Zhvillimi Rural). Po ti referohesh literaturës së ideologjive të majta, zhvillimi rural është baza ideologjike e revolucionit ekonomik kinez nën drejtimin e Mao Tze Dunit. Gjithashtu, rekrutimi i masave të papunësuara dhe të margjinalizuara është strategji marksiste e cila është e njohur si  krijimi i “diktaturës së proletariatit.”

Mungesa e mendimit strategjik brenda PS 

Aktualisht, Rama ndodhet përpara një momenti kyç në histori. Analistë të ndryshëm politikë mendojnë se Edi Rama nuk është gati ose nuk është lideri adekuat për të marrë përsipër një ndryshim  sistemik për arsye se Rama, në rradhë të parë nuk mundi të reformoj partinë e tij dhe ta lëvizë më drejt një qëndre të majtë në spektrin politik. E dyta,  Rama, edhe në qoftëse është i predispozuar të lëvizë paksa drejt  qëndrës dhe të zgjoj brënda vetes “antikomunizmin” e shprehur dikur, reaksioni brënda partisë së tij nuk do ta lejoj të bëj një levizje të tillë.

Veprimi dhe mendimi strategjik kërkon një lidër i cili ka një skematikë të caktuar për rikonstruktimin ose reformin e partisë së tij që në fillim. Duke marrë si shembuj lider të majte në Europe, François Mitterrand, vetëm pasi ristrukturoi partinë e tij, mundi të siguroj një fitore të majtë në Francë në vitin 1981 (Derbyshire & Derbyshire, 1996). Edi Rama ndihet i pafuqishëm përpara kësaj sfide e cila kërkon  konsistencë dhe vijushmeri në zinxhirin e veprimeve dhe rradhën e tyre. Pra kërkon nje strategji në formën e veprimeve të strukturuara.

Mendimtarët e ristrukturimit të organizatave propozojnë skematika nga më të larmishmet  duke marrë parasysh kompleksitetin e problemeve. Duke filluar nga konceptet më të përgjithshme si ai i ndarjes së organizatave, bashkimi i tyre, formimi/reformimi,  krijimi i degëve të ndryshme e  shumë modele te tjera, skematikat janë nga më të thjeshtat deri në ato më të plota dhe komplekse. Për shëmbull, koncepti i  Kurt Lewin unfreeze-change-refreeze, (shkrij-ndrysho-ngrij persëri), i cili i referohet momentit më të përshtatshëm për të reformuar ose revolucionalizuar sisteme mund të ishte një variant i ristrukturimit të PS dhe shkëputjes së saj nga ideologjia extremiste e majtë.

Kjo skematikë sugjeron që një lider përpara se të filloj ndryshimin brënda organizatës së  tij duhet të «ç’ngurtësoj » shumë fenomene të kristalizuara brënda saj si për shembull, kulturën e rezistencës ndaj ndryshimeve, spastrimin nga elementi i vjetër me mëndesi komuniste, braktisjen e kulturës së hajdutësië dhe amoralitetit. Mbasi të ketë krijuar terrenin e përshtatshëm, vetëm atëherë lideri fillon implementimin dhe ristrukturimin e planifikuar në bazë të një vizioni të përbashkët; misioni të shëndoshë me parime bashkëkohore demokratike; kultivimi i një kulture tolerance; kritikë konstruktive  dhe bashkëpunimi  politik.  Hallka e fundit  në zinxhirin e ketij modeli është kristalizimi ose ngrirja e këtyre strukturave me qëllim që të prezervoj ndryshimin duke lejuar që sistemi i ri brënda organizatës të funksionoj në mënyrë  harmonike.

Një skematikë tjetër mjaft e përdorur  për ristrukturim organizatash është NEOFORMA e cila propozohet nga Hughes & Beatty, baza e neoformes pa u futur në detaje, është dizenjoja e një plani strategjik të strukturuar me hapa të cilët janë te domosdoshëm te ndiqen në ndryshimin ose rikonstruksionin e një organizate. Por Rama në vigjiljen e zgjedhjeve të 2013 paraqitet përpara popullit me një kulturë partiake tejësisht të ideologjizuar dhe të pa-reformuar. Në një kohë që Rama  ka dalë krejt i paaftë për të reformuar partinë e tij,  i paraqitet popullit  me programin « Për një Rilindje Shqiptare » cila nga forma dhe përmbajtja është një përmbledhje “premtimesh” dhe inisitivash të panumërta të cilat duan  një plan tepër afatgjatë  për tu implementuar, pa përmendur a do të mund të realizohen duke pasur parasysh,  kapacitet e ulëta financiare, kapitalin njerëzor, burimet e kufizuara të brëndëshme dhe të jashtme.

Mendimit Strategjik në Platformën “Për një Rilindje Shqiptare”

Ne dukje, platforma ngjan tërthore.  Pa dyshim nuk duhet mohuar puna që kanë bërë hartuesit e saj. Platforma është formuluar në bazë të modeleve të huazuara. Kjo gjë është me se normale dhe e pranueshme. Platforma  paraqet në detaje gjëndjen ekonomike të vendit. PS njeh se në çfarë gjendje ndodhet Shqipëria. Midis njohjes dhe  kuptimit të realitetit ka ndryshim substancial. PS duket që e njeh realitetin, por nuk është e qartë a e kupton drejt atë. Me leximin e saj, çdokush ka përshtypjen se mban në dorë një listë me dëshira realizimi i të cilave është jorealist.

Por duke e analizuar në skematikën e sipërpermendur (referohu terminologjisë dhe skematikës më lart) mund të thuhet se hartimi i saj nga ana organizative çalon, nuk është i plotë, është  i shpërndarë dhe nuk ka një tematikë konsistente që ti lejoj lexuesit të krijoj një opinion objektiv, dhe aq më tepër  nuk i jep mundësi analistit të vlerësoj strukturën, strategjite dhe  semantikën që është përdorur. Në qoftë një analisti do ti duhet të kërkoj  këto komponentë, të cilët duhet të publikohen në faqen e parë atëhere është e vështirë të bësh një percaktim objektiv të pozitave te PS.

Kjo ndodh për disa arsye. Në bazë te planeve strategjike për të bëre ndryshime rrënjësore hartuesit duhet të mbështeten në disa principe bazë. I pari është përfshirja e popullit, (pa dyshim ajo pjesë që kualifikohet për të hartuar plane startegjike) në përpilimin e vlerave të përbashkëta kombëtare. I dyti përbën hartimin e vizionit të përbashkët mbi vlerat e vendosura, dhe i treti më kryesori është shpallja e deklaratës së misionit.

Me këtë “mesazh” të popullit në mëndje, vetëm atëherë ekspertët e PS mund të hartojnë planin strategjik për realizimin e programit. Plane strategjike për realizimin e ndryshimit janë të shumllojshëm. Por në skenarin e PS së ardhur në pushtet,  platforma nuk paraqet një plan të konsoliduar strategjik. Asaj i mungojnë elementë kryesorë të cilët janë kyç jo vetëm në perceptimin e problemit por edhe në zgjidhjen e tij.

Së pari, platformës së PS i mungon një vizion i përbashkët i hartuar në aspiratat se ku e “shikojmë” Shqipërinë në katër ose tetë vjetet e ardhshme. Ky vizion hartohet në bazë të një pakete vlerash kombëtare shqiptare, të cilat duhet të shërbejne si forca lëvizëse brënda vizionit. Plaforma tregon pak a shumë se në çfarë “beson” PS por ato nuk përbejnë vlera të mirfillta të dala nga populli, dhe janë më tepër një permbledhje “mëndësie” e krerëve ose ekspertëve të caktuar. Pra vizioni i Ramës është i centralizuar dhe i diktuar si pasojë e ideologjisë socialiste. Në mënyre që vizioni i Ramës të bëhet pjesë e popullit, ai atëherë duhet të decentralizohet dhe të bëhet i përbashkët. Thelbi i rilindjes së Ramës qëndron në katër elementë bazë (shtyllat siç i quajnë), të cilët sipas hartuesve përbëjnë vizionin. Por teknikisht, këta katër elementë përbëjnë një skematikë teorike mbi të cilën  Partisë Socialiste ka hartuar programin dhe jo vizionin i përbashkët.

E dyta, platformës se Partisë Socialiste i mungon “Deklarata e Misionit”, i cili gjithashtu është aksi rreth te cilit rrotullohen seria e veprimeve në një sens më praktik. Ndërsa në teori misioni i një organizate politike e cila po pregatitet të vijë në pushtet është kuptimi dhe perceptimi i egzistencës së vet; “Kush  jemi ne, pse egzistojmë,  dhe cili është misioni ynë ndaj popullit shqiptar?

Në syrin e përgjithshëm askush nuk është në gjëndje të përcaktojë se çfarë ka për mision Partia Socialiste me ardhjen në pushtet sepse nuk është i shprehur. Në qoftëse PS nuk e ka të qartë misionin e saj, atëherë nuk mund të realizoj dot programin. Një farë misioni e ndeshim rastësisht në pjesën e “Shtetit të së Drejtës”, ku shprehimisht thuhet “Misioni ynë është konsolidimi i sistemit kushtetues dhe shtetit të së drejtës, ku të gjithë shtetasit janë të barabartë para ligjit dhe në zbatimin e tij. Në përmbushjen e këtij objektivi veprimi ynë politik e shoqëror udhëhiqet nga respekti dhe zbatimi i Kushtetutës dhe ligjeve që rregullojnë veprimtarinë e shtetit.”

Ne fakt, çdo sistem politik demokratik e ka për detyrë të zbatoj kushtetutën. Zbatimi i saj nuk përbën mision por është detyrë dhe domosdoshmëri. Ndërsa misioni është një seri veprimesh strategjike për të realizuar vizionin e përbashkët. Ne vijim, ky mision i formuluar në programin e PS i përket vetëm një segmenti të programit. Atij të “Rivendosjes së Demokracisë”.

Së treti, «Teoria e Veprimit» ose Theory of Action e cila përmbledh qëllimin dhe egzekutimin e programit të shprehur në seri  veprimesh konkrete, të cilat mund dhe duhet të jenë të matshme ose të llogaritshme,  nuk është e qartë dhe konsistente përgjatë platformës. Faktori i matjes dhe llogaritjes përbën atë që quhet veprimtari konkrete, gjë e cila mundëson analizen dhe vlerësimin e strategjisë në vazhdimësi dhe eviton fjalët e hedhura në erë në formën e premtimeve boshe. Kjo veprimtari i lejon çdokujt të bëj pyetjet- “Si do arrihet kjo?” “Në ç’mënyrë?” “Me ç’farë mjetesh?” Në qoftëse PS arrin të jap përgjigjet e duhura atëhere platforma e rilindjes tregon që është hartuar me thellësi mendimi, në të kundërtën, ato ngelen vetëm fjalë të bukura. Strategjia nuk mund te provohet efektive apo inefektive, në qoftëse veprimet nuk maten dhe në qoftëse instrumentet që kryejnë këto matje suksesesh apo dështimesh  nuk ofrohen në planin strategjik. PS parashtron domosdoshmërinë e instrumenteve dhe vë në dukje domosdoshmërinë e INSTAT-it si institucion. Por INSTAT-i nuk vlerson efikasitetin strategjik, ky lloj institucioni vlerëson shifra.

Si përmbledhje, platforma e PS ka brum por nuk është e ndërlidhur. Platforma nuk i përgjigjet pyetjeve të bëra më lartë: Cila është PS si organizatë dhe kush është misioni saj? Kjo vjen për arsye që u sipërpërmëndën si  dështimi i reformave brënda saj, mungesa e unitetit midis krerëve dhe deputetëve, si  dhe fokusimi në priorite të tjera, dhe jo në ato që janë domosdoshmëri kombëtare.

Visioni i PS në platformë nuk është evident, pjesë të cunguara të tij mund ti gjesh “kuturu”. Pra ai duhet përcaktuar qartë; po në të njëjtën kategori  paqartësie hynë dhe vlerat e përbashëta  kombëtare. PS e ka shumë të qartë se në çfarë gjëndje do të trashëgoj vëndin në qoftëse vjen në pushtet dhe është koshiente për detyrat që ka përpara. Në një botë ideale ku politikanët shqiptarë i përmbahen programit të tyre, platforma  mund të jetë adekuate dhe mund të prodhoj rezultate si refrormë e majtë socialiste.  Por, duke u nisur nga fakti që Rama nuk reformoi partinë  dhe veten e tij; nuk instaloi kulturën e mirfilltë demokratike brënda saj; shanset janë që me figura te diskretituara brënda partisë, platforma do ngelet vetem në letër. Ndryshimi rrënjësor nuk kryhet nga sharlatanë të afirmuar dhe extremistë të majtë. Vizioni nuk ndërtohet me njerëz që kanë vjedhur në mënyrë sistematike dhe kanë korruptuar një shtet të tërë.

Por  minusi i platformes qëndron tek mungesa e disa elementëve të domosdoshëm për të krijuar ndryshimin. Këto elementë janë strategjitë kontrete, veprimet, dhe instrumentet. Ne vijim, në mënyrë që të mundësohet vlerësimi dhe rivlerësimi i strategjive, veprimet duhet të kenë nje sistem me anë të të cilit mundësohet matja e arritjeve. Kjo mangësi vë në dyshim dhe pikëpyetje vlefshmërinë e platformës dhe vartësinë tek ajo.

Të katër elementët e programit “Për një Rilindje Shqiptare” nuk kanë harmoni midis njëri tjetrit, për më tepër nuk kanë një aks i cili i mban të lidhur.  Në fakt, nuk është e qartë në se përpiluesit e platformës së Ramës janë të ndërgjegjshëm se midis premtimeve dhe realizimit të tyre qëndrojnë strategjitë të cilat do mundësojnë realizimin me sukses të misionit. Kjo platformë ofron shumë pak strategji (vetem në seksione të caktuara) dhe është pak a shumë e shkëputur nga realiteti.

“Realizmi Magjik” i Platformes së PS

Mjafton të përmendesh faktin që në mandatin e parë PS premton të punësoj rreth 300 mijë njerëz, por pa asnjë plan konkret dhe pa elaboruar se në çfare sektori atëherë do kuptosh që midis dëshirës së mirë dhe nxjerrjes së vendit nga shkatërrimi, qëndrojnë disa parametra të lejushëm  brënda të  cilëve ka një farë fleksibiliteti. 300 mijë vende pune janë paksa jashtë parametrave normalë. Duke u nisur nga fakti që të ardhurat nga ekonomia që do të trashëgoj Edi Rama, në qoftë se vjen në pushtet, përbehen nga 20.2 %  bujqësi, 19%  industri dhe 60% shërbime private, publike dhe qeveritare, në mënyre që të premtosh të hapesh 300,000 fronte pune në një vend me ekonomi  të rrenuar, me një borxh public 61.7%  të cilit nuk i afrohet asnjë investitor i huaj për arsye të rrezikut të lartë, do të thotë që Rama dhe partia e tij nuk janë thelluar në kompleksitetin e problemit dhe rrugëzgjidhjes së tij.

Rrjedhimisht,  nga ky implikim mund të arrisht në konkluzionin që premtime të tilla, të mbushura me entuziazëm janë thjesht demagogji. Për më teper, ky egzagjerim është mjaft spekullativ dhe të lë të nënkuptosh që PS mund të bëj politizim administratash  ashtu siç është bërë në të kaluaren. Atëherë kjo është ulje fiktive e papunësise. Megjithëse në program shprehet që PS do devijoj nga politizimi i administratve dhe do fokusohet në punësimin e personelit të kualifikuar, nuk është e qartë se çdo bëhet me atë të pakualifikuar por që aktualisht është në detyrë.

Në mënyrë që një shtet i korruptuar, me praktika hajnie në çdo sektor si publik ashtu dhe privat, të mund të futet në rrugën e progresit duhet të ç’rrënjos kulturën e hajdutësisë e cila është edhe  tipar i liderve socialist. Cilët janë ata që do bejnë ndryshimin dhe do luftojnë korrupsionin?  Pa kaluar në emra të perveçëm,  deputetët e PS  kane një reputacion të ndotur nga korrupsioni dhe vënia e pasurisë me mjete dhe mënyra të paligjshme. Kjo ështe aq paradoksale sa edhe  kontraversiale.

 Gabime fatale të Ramës

Mungesa e kthjelltësisë dhe e largpamësisë politike e çoi Ramen dhe krerët e PS në një rrugë aspak demokratike e cila ishte nxjerrja e popullit në revoltë për të shkaktuar turbullira politike në dimrin e 2011. Rruga që ndoqi Edi Rama për të përmbysur pushtetin e Sali Berishës ishte po aq mjerane dhe e dëshpëruar, sa vetë pushteti i Berishes i cili mbahet me paterica. Pa asnjë lloj dyshimi Edi Rama manipuloi popullin për egon e tij personale.

Dalja nga kontrolli i dha ngjarjes ngyrat e një tentative për grusht shteti  dhe shkaktoi jo vetëm vrasjen e katër qytetareve  por  shkaktoi turbullira në arenën kombëtare duke përfshirë dhe shqetësimin imigrantëve.  U desh nderhyrje e diplomacisë së huaj të sjellë dy tre krerë kapiçoz të ulin gjakrat në tavolinën e bisedimeve. Ashtu si kushdo që është në politik, dhe ka për synim fitimin e partisë së tij mbi tjetrën, edhe  Edi Rama e kishte paramenduar një farë fundi të pushtetit të Berishës duke ngritur popullin në revoltë, ndryshe del në kundershtim me qëllimin e protestës.

Për të mbështetur këtë fakt, në deklaratën e hapjes të platformes Rama shkruan verbatim “ Së bashku ne mund ta heqim qafe këtë qeveri…” Ngjyrat e kësaj deklarate janë antidemokratike dhe mbështesin supozimet e bëra më lartë që Rama mund të përdor çdo mjet antidemokratik për t’ja arritur qëllimit. Kjo nuk është e hijëshme  për një lidër modern. Kjo tregon më se qartë se Edi Rama është një lidër sa inadekuat  për të drejtuar por edhe me mungesë të theksuar largpamësie.

Zgjedhja e një rruge antidemokratike për të rrëzuar oponentin politik erdhi për disa arsye. Rama nuk  arrin dot të bashkoj një komb të përçarë për arsye të bazës ideologjikë të partisë së tij dhe rrethit te vet. Pothuajse gjysma e elektoratit shqiptar është demokrat. Nga pjesa e mbetur socialiste, një përqindje e ndjeshme edhe brënda rradhëve të partisë së tij janë shprehur për paaftesine e tij si lidër. Kjo ka shperbër atë unitet fraxhil në rradhët e Partise Socialiste. Edi Rama është kritikuar nga pjestarët e partisë së tij si lidër jo-kooperues i cili vepron për vete. Kjo është shprehje arrogance dhe parashikohet të sjellë përçarje të mëtejshme në partinë e tij mbas zgjedhjeve në qoftëse Edi Rama nuk fiton.

Për më tepër  zgjedhja e revoltës si alternative për ndryshime politike, ishtë një nga fenomenët  më shqetësues që nga ngjarjet e 1997,  dhe duke u krahasuar me fenomene të të njëjtës  shtrirje, mund të thuhet se hyn në paradigmat e tentativës për “grushtit të shtetit”. Argumenti i Ramës mund të jetë që popullsia ishte e paarmatosur. Por ngjarjet treguan se revolta nuk ishte aspak paqësore, përkundrazi ishte mjaft violente. As Rama as Berisha si oponenti i tij  nuk mund të spekullojnë dot duke përdorur popullin si mjet për të realizuar endërrat politike. Drejtimi i masave të popullit në qorrsokak, pa u thelluar se sa katastrofike mund të jenë pasojat, ishte thjesht paaftësi e Edi Ramës për të drejtuar.

Tradicionalisht kreret e Partise Socialiste shfrytëzojnë në mënyrë të jashtëzakonshme “shtrengatat” për të politizuar ngjarjet, sidomos kur ato marrin ngjyra te ndezura politike. Fakti qëndron se Rama nuk ka strategji me të cilën të siguroj fitoren por edhe ta mbaj atë, sepse megjithese shprehet me llafollogjine e një lideri, Rama nuk arrin dot ta balancojë ate në praktikë. Fjalët vetëm nuk kanë vlerë kur mungon perceptmi dhe konceptimi i fenomeneve. Rama kërkon të fus vendin në Europën e majtë duke harruar që gjysma e popullit nuk ka dëshirë të futet në internacionalen e majtë, e dyta, Populli shqiptar përpara se të futet ne Europë duhet te rishikoj vlerat kombetare të cilat u zbehën  gjatë 70 viteve të fundit. Dëshpërimi për tu futur në Bashkimin Europian me cdo kusht mbase nuk është ajo që i duhet vëndit tonë në këto momente. Vendit tonë i duhet të shëroj plaget, të ripërtërihet dhe pastaj të mendoj te bashkohet me familjen europiane dhe jo te majtën europiane.

Si analiste nuk mund të spekulloj në se Edi Rama do ta vë në zbatim apo jo programin e tij me ndershmëri politike, deri sa ti jepet mundësia. Por një diçka mund ta them me bindje; bazuar në përbërjen e PS dhe lojtarët me peshë të saj, shanset janë që Shqipëria të jetë vetëm në dorën e Zotit për një ndryshim sistemik.

 

Advertisements

GRID RROJI: REALIZMI, NGJALAT DHE SHQIPTARI KATUNDAR

 

 

Në shumë qarqe por sidomos në korin e gjinkallave të parisë së Tiranës po thuhet se marrëveshja e ngjalave ishte e detyrueshme pikërisht në bazë të parimeve të realizmit politik. Realizmi dikton-thonë gjinkallat- se përpara një të keqeje të madhe si Berishokracia duhet bërë çdo lloj pakti e pastaj të mendojmë për të rregulluar të ardhmen.

Pikësëpari, disa prej pjesëtarëve të korit e njohin politikën si fushë nga larg, nëpërmjet teksteve të lexuara përciptazi pa ndonjë impenjim intelektual sepse nuk është fusha e tyre. Më tej, edhe ata që  ja njohin të brendshmet politikës së parisë gjatë këtyre viteve të tranzicionit, njohin vetëm praktikat e parisë e asgjë përtej asaj. Këta të gjithë tradhtojnë padije prej fillestari duke ngatërruar kontekstin e brendshëm me kontekstin e jashtëm. Për ta thënë shkoqur, kur flitet për paktin Stalin-Çurçill-Ruzvelt siç bën Spartak Ngjela e të tjerë po flitet për raporte midis shteteve. Kurse kur flasim për ngjalën treshe Rama-Meta-Berisha po flasim për një shoqëri e cila nuk mund të mbijetojë në mungesë të disa parimeve bazë të moralit. Ky është një fakt i pamohueshëm jo vetëm në kontekstin teorik po edhe në praktikë. Për shembull, shoqëritë perëndimore e bazojnë sistemin e tyre politik në vlerat judeo- të krishtera, Arabia Saudite, Egjipti dhe Libia në vlerat islame, ndërsa Kina në vlerat budiste dhe konfuciane. Askush që të mos ketë luajtur nga fiqiri nuk propozon dot një shoqëri thjesht pragmatike, pa vlera.

Së dyti, realizmi si teori e marrëdhënieve mes shteteve presupozon se rendi botëror është anarkik, të gjithë kundër të gjithëve. Prandaj edhe shteti komb është i detyruar të jetë pragmatik në marrëdhëniet e jashtme deri në fund sepse çdo gabim mund t’i kushtojë jetën vetë shtetit. Nuk janë të pakët kombet që kanë pësuar fatkeqësi dhe rrezikojnë zhdukjen prej gabimeve në llogaritjen e pasojave. Një prej tyre është Palestina, e cila nuk pranoi ndarjen e Këshillit të Sigurimit më 1948 dhe sot lufton me të gjitha mjetet për të njohur ato kufij që mund t’i kishin patur qysh atëherë.

Më anë tjetër, asnjë vend normal nuk mund të pretendojë se lufta politike është të gjithë kundër të gjithëve. Disa nga ato vende ku ky është realitet si Somalia apo Afganistani kanë vite që lëngojnë në një pasiguri dhe mungesë shteti. Për t’a thënë thjesht, specialistët i quajnë shtete të dështuara. Kësisoj, që të vërtetohet teza e “realistëve të parisë” duhet që Shqipëria të jetë një shtet i dështuar. Po nëse Shqipëria është shtet i dështuar, “kauza rotacionale” e ngjalave nuk mund të prodhojë kurrfarë ndryshimi. Në qoftë se shteti shqiptar ka dështuar, zgjedhjet e ardhshme të organizuara nga ai shtet nuk do të përfaqësojnë vullnetin e popullit, dhe pasojat do jenë të rënda për parinë. Kam bindjen që shumica e gjinkallave nuk e kupton këtë dallim kaq elementar por kjo nuk i bën më pak fajtorë. Padija nuk është justifikim thotë një shprehje e vjetër.

Së treti, një pjesë e gjinkallave apologjete të paktit të ngjalave kanë zgjedhur një argument edhe më të padenjë. Sipas tyre kushdo që kërkon ndryshim jashtë skemës rotacionale të ngjalave, është duke rremuar në favor të Berishokracisë aktuale. Nuk ka dyshim se pas tetë vjetësh pushteti i ka lejuar Berishës të zaptojë pjesën më të madhe e të rëndësishme të shtetit dhe të instalojë aty ithtarët e vet. Shteti shqiptar është kësisoj i kapur, i korruptuar deri në rrënxë, por edhe në funksion të një personi të vetëm, Sali Berishës. Mirëpo, Berisha nuk punon në boshësi. Ai nuk e bëri vetëm kodin zgjedhor më 2008ën, nuk e mbylli vetëm Gërdecin, nuk e vodhi  dhe betonoi i vetëm Shqipërinë, dhe pas ngjalëkoalicionit është e qartë se nuk është i vetmi përgjegjës për katër të vrarët e 21 Janarit. Tashmë tjetërkush ka shkelur në gjakun e katër shqiptarëve “kokëpalarë” për të mundësuar rotacionin e ngjalave, duke ja pastruar në të njejtën kohë fedinën penale qeveritarëve që urdhëruan zjarrin. Pra, kriza e thellë ekonomike, shoqërore dhe politike që ka kapluar vendin ka si përgjegjëse të gjithë parinë, anipse në shkallë të ndryshme. Siç e kam thënë më parë pa Berishën ka pari, pa parinë nuk ka Berishë.

Por më i pështiri ndër argumentat e korit të gjinkallave të parisë është ai që synon t’i ndajë shqiptarët në elitë dhe popull katundar duke gjykuar nga prejardhja e jo nga sjellja. Sipas tyre, “elita e qytetarizuar” e dalë nga sistemi enverist e kupton problemin e rotacionit të ngjalave por duhet t’u kundërvihet  “shqiptarëve katundarë” të Berishës për të rrëzuar të cilët çdo gjë është e pranueshme.  Thënë thjesht, këta po na thonë se të drejtën për të vendosur se çfarë është morale apo jo e kanë vetëm ata, sepse ata janë elita ndërsa të gjithë ne të tjerët jemi popull, domethënë katundarë të pacivilizuar. Këta kanë vite pa shkuar në ndonjë katund, dhe konsiderojnë udhëtim të largët daljen nga kufijtë e mëhallës së vet. Po ashtu, këta kanë një urrejtje të pakufishme për popullin shqiptar, sepse le të jemi të sinqertë të gjithë kush më afër e kush më larg kemi origjinë katundare. Problemi me këtë arsyetim të parisë nuk është vetëm sjellja e padenjë e saj si katundarë që ju duket se janë bërë qytetarë sepse kanë bërë para e pushtet, por lënia e faturës së zvetënimit të vet pa pikë turpi shqiptarit të thjeshtë. Shqiptarit katundar pra i bie barra të punojë e durojë që të qeverisin këto farësoj “elitash”.

E vërteta e thjeshtë është se kori i gjinkallave të parisë së Tiranës ka filluar të çirret aq fort sa po i ngjason përditë e më shumë krrakarritjes së zvargur të sorrave. Ata kanë frikë nga reagimi i katundarëve të ndershëm shqiptarë të cilët deri më sot u kanë besuar siç i beson i biri babës. Mirëpo këta e kanë shpërdoruar aq keq besimin dhe atdhedashurinë e katundarëve shqiptarë duke i trajtuar si kafshë pune për pasurimin e vet. Paria e Tiranës sillet si katundari më i padenjë të cilit asnjeri nuk i flet në fshat sepse i ka mashtruar të gjithë. Sorrat e parisë nga ana e tyre mendojnë se janë qytetëruar së tepërmi për të duruar “pordhët e shqiptarëve katundarë” dhe u kërkojnë atyre me arrogancë ta quajnë të zezën të bardhë , poshtërsinë normalitet dhe ti thonë kurvërimit publik “shëndet”. Dhe këtë e bëjnë duke pozuar si të gjithëditshëm dhe duke i shkelur syrin njëri tjetrit sipas parimit “nuk i dini ju ca gjëra”.

Shqiptarët e dinë se sorrat hanë kërma por dhe që kanë frikë shqiponjat. Ndaj ka ardhur koha që këtij kori të sorrave t’u përgjigjemi të gjithë bashkë, katundarë e qytetarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë për t’ju treguar se nuk mund t’a ketë fajin populli për prostituimin e parisë dhe sorrave të saj.

Paria dhe sorrat e saj kanë të drejtë që kanë frikë nga katundari shqiptar. Ata po shpikin argumenta fëminore si realizmi i ngjalave për të mbajtur nën fre vullnetin e popullit. Mirëpo, këtë herë do jetë tepër e vështirë që t’jua kalojnë faturën “shqiptarëve katundarë” për të vazhduar pasurimin e llumit të katundit që sot na hiqet si  “elitë qytetare”. Shqiptari katundar sot po hesht por është i bindur që të gjithë ata që hiqen si të përgjëruar pas tij po mundohen t’ja ngecin atij faturën e rëndë të krizës ekonomike. Shqiptari katundar po sillet me hipokrizi sepse nuk i beson askujt dhe ende ka shpresë për zgjidhje ku ai të mos jetë humbësi i pashpresë.

Mirëpo, edhe durimi e ka një kufi dhe paria nuk mund ta transformojë realitetin. Fatura nuk ka kujt t’i shkojë tjetër perveç shqiptarëve katundarë. Paria nuk do hajë dhjamin e vet, e as ka mundësi të mjelë nga bosat e biznesit. Paria është e kapur nga të gjitha anët dhe po mundohet me djallëzi t’a joshë shqiptarin katundar e më pas t’ja lerë kopilin në derë. Zoti i ruajtë ata që e kanë shkelur “shqiptarin katundar” me këmbë dhe i kanë treguar se si mund të sundohet në mënyrë të pashpirt një popull që e do lirinë më shumë se çdo gjë tjetër. Zoti e ruajtë parinë e Tiranës dhe sorrat e saj krrakarritëse kur në vend të mikëpritjes katundare të gjejnë përçmimin dhe urrejtjen e shqiptarëve. Zoti i ruajtë ata që mendojnë se mund t’ja hedhin paq shqiptarit katundar dhe të mos marrin parasysh vullnetin e popullit.