VAL KARANXHA: PAKT I RI DHE STRATEGJI TË VJETRA

Duket se pakti dhe marrëveshja e 1 prillit është vënë në zbatim, zonat e përfitimit dhe dominimit  janë ndarë, “paria”e cila e hëngri turpin me bukë po i kërkon elektoratit të bëj të njëjtën gjë sepse kështu e kanë këto punë. Përveç se gëlltitjes nuk ka alternativë tjetër. Disa nga mediakët ose dhe ata që shkruajnë thjesht se kanë dëshirë, por jo se po përcjellin ndonjë mesazh me sens apo llogjikë, shkruajnë ose propagandojnë se këto traktate historia i ka njohur, dhe janë më se të pranueshme. Qershori duket premtues për ata që deri tani janë pershtjelluar nga Berisha dhe politika e tij. Moralistët dhe ideologët e PS që deri dje betoheshin për shtetin e së drejtës, tani e kanë qepur gojën sepse  në fund të fundit një fitore  e pisët është më mirë se një humbje e pastër dhe kush pyet për shtetin e së drejtës. Çdo shtet është i drejtë, vetëm Berisha të mos jetë në të. Kështu Ilir Meta në rradhët e tyre tashmë është integruar dhe nuk përbën ndonjë rrezik, dhe nesër pasnesër Meta do drejtoj luftën kundër korrupsionit.

Pa dyshim, çdokush nga mediakët mund të ndërtojë një hipotezë se kush do fitojë apo do humbas, kush do dal faqebardh apo faqezi, sepse ashtu i leverdis. Por kush do t’i provojë këto hipoteza si të vërteta? E sigurt që media nuk do ta bëjë  një diçka të tillë sepse kush ka kohë të thellohet në analiza që si hynë në punë as dreqit. Një shkrim i shpejt, me dy tre  fjalë dhe fjali bombastike, një fjalor i huazuar nga librat e shkencave të politikës, një citat i ndojë filozofi ateist dhe o burra të gjithë mahniten. Këtë lexojmë në shtypin e përditshëm. Ata që nuk mahniten dhe nuk impresionohen janë treshja e famshme politike, sepse në fakt nuk ka asgjë për tu mahnitur. Sali Berisha vazhdon të sillet ashtu siç pritej. Ilir Meta nuk është shprehur sepse po të bej një diçka të tillë, njerzit do t’ja rrasin me domate, dhe i fundit Rama me grupin e vet dinamik të deputetëve vazhdon fushatën sikur s’ka ndodhur absolutisht asgjë. Rrolet janë ndarë dhe puna vazhdon si zakonisht. Rrezulatet e zgjedhjeve nuk kanë rëndësi shumë sepse loja është shitur më parë si ndeshje e futbollit kolombian

Po ti hedhësh një sy rrjetit social të Sali Berishës në javën e fundit, Kryeministri është fokusuar në rininë shqiptare. Së pari, takim me gjimnazistët ne Fier, më vonë takim me studentët në Tiranë, dhe javën e shkuar vizitë në klub nate në Tiranë. Sali Berisha është po thuajse i mahnitur me brezin e ri. Në fakt, para një muaji  Berisha kërkoi të propozonte dhe të kalonte ligjin e votës për gjashtëmbedhjetë vjeçaret. Por propozimi u hodh poshtë dhe pakti i 1 prillit si të thuash kaloi në plan të parë. Por Berisha nuk dorëzohet kollaj pavarësisht se ka nënshkruar paktin. Berisha përfiton nga përçarja e mëtejshme e elektoratit socialist dhe mundohet të rekrutoje paçka se disi ka premtuar të tërhiqet duke marrë pjesën e tij. Në të vëtrtetë, Berisha është “Rrolling Stone” (bixhozçi) i vjetër dhe si i tillë kur hyn në lojë, Berisha i do të gjitha ose asgjë.

Por a ka këllqe të qeveris dhe katër vjet të tjerë Berisha? Në fakt në dukje Berisha është në gjendje të mirë shëndetsore sepse si doktor që është di të kujdeset për veten. E vetmja që mund të ketë Berisha (dhe e cila është vetëm spekullim)  janë lajthitjet e miletit që mer ilaçe stresi apo depresioni. Me këtë në mëndje, Berisha është në gjëndje të udhëheq edhe për katër vjet të tjera shumë lehtë sepse administratat nuk do t’i ndërtojë nga e para dhe siç ka premtuar, në keto katër vjetë të ardhshme do të përfundoj projektet e tij ekonomike, cilado qofshin ato.

Por strategjia e Berishës duket paksa domethënëse, sepse Berisha tashmë nuk është fiksuar thjesht në një zonë apo elektorat. Berisha ka  kthyer sytë nga elektorati më  i ri dhe më dinamik i Shqipërisë, i cili ndryshe nga vëndet e tjera është mjaft i politizuar. Fiksimi me të rinjtë duket diçka e dyshimtë që nuk duhet nenvleftësuar për disa arsye. Rinia manipulohet shpejt. Mjafton që Berisha të hiqet si “cool”,  i thjeshtë, njësh me masat dhe në sytë e rinisë shndërrohet në një idhull i “Albanian pop culture”.  Merr  për shembull mahnitjen e te rinjve me personazhin e “Scarface” Tony Montana. Pavaresisht se ishte një nga trafikantët (fiktivë) më të medhenj, rinia e mban si idhull. Për më tepër, është në mentalitetin e shqiptarëve të idealizojnë figura politike, pra rinia bie lehtë në këtë prototip. Strategjia e Berishës në lidhje me rininë është hiperbolizimi i sukseseve të saj, përkujdesja e qeverisë ndaj edukimit të shëndetshën të saj, arritjet e rinisë si atribut i qeverisë etj. Farsa vazhdon me idolizimin e Berishës nga ana e rinisë.

Në vazhdim, rinia në Shqipëri nuk sheh Edi Ramën si lider të mundëshëm, sepse Edi Rama nuk ka bërë asnjë lëvizje të mundëshme të rekrutoj rininë përveç se në programin e tij “Për një Rilindje Shqiptare”. Të jemi realist, sa përqind e të rinjve shqiptar kanë lexuar “Rilindjen” dhe e besojnë atë si të mundëshme, ose identifikohen si pjesë e saj? Rinia është shtresë ë popullsisë qe i përgjigjet më mirë spontaneitetit, dhe Sali Berisha po e ndjek këtë taktikë duke shkuar ose atje ku e ftojnë  pa shumë formalitete ose atje ku mendon se do t’i shërbej çështjes së tij.

Me një mori variantesh të mundëshme për të rekrutuar elektorat, Sali Berisha qëndron më lartë se Edi Rama. Deputetët prospektiv të Edi Ramës, janë të shpërndarë në çështje të ndryshme dhe nuk tregojnë expertize në fushatën e tyre. Shanset janë që sa më shumë t’i afrohemi qershorit, aq më shumë ngjarje do ketë. Në dukje gjërat mund të duken si spontane, por ka shumë ngjasi qe krerët t’i kenë paraprirë shumicës së ngjarjeve.

23 po afrohet dhe perveç se një mbyllje si në filmat western nuk parashikoj ndonjë alternativë tjetër. “Për ca dollarë më shumë”, ose “Na ishe njeherë Perendimi” janë skenare qe mund t’i përshtaten ketyre zgjedhjeve, ku bandat e krimineleve vjedhin, bastisin dhe bejnë çështë e mundur të ndalojnë progresin; ku asnjëri nuk i beson lekurës së vet dhe atyre që i rrethojnë. Gjithashtu ka ngjasi qe subjekte elektorale të tërhiqen nga gara  kur mund të nuhasin humbjen, nga cilado anë qoftë kjo. Me një fjalë, do marrin atë qese me ar  që e siguruan gjatë pushtetit të Berishës dhe do zhduken mën në perendim sepse  i kanë mundësitë. 23 qershori do jetë dita e gjykimit ku Berisha do gjendet përpara një thesi tjetër me para dhë do jetë shumë e veshtirë të rrefuzoj duke e njohur shashtisjen e tij me pushtetin. Pradaj nuk është surprize që Berisha t’i devijoj paktit.

Advertisements

ILIR DEMALIA: KOHA ESHTE TANI!

Marrëveshja e Ramës me Metën më solli ndër mënd barrën e Grisilda Roshit, “gruas” me barre imagjinare të kryetarit të Bashkisë së Kavajës.

Në fakt, nuk kishte se si të dilte ndryshe, pasi Rama gjatë gjithë shfaqjes së pompozitetit dhe sofizmit te tij për Rilindjen, kurrë nuk kishte dale me nje objektive të qarte, me një strategji të qartë dhe me një qëndrime të qarte pervecse një fjalori demagogjik që tashmë me marrveshjen e Metës u ezaurua përfundimisht.

Pakti i 1 Prillit

Pakti i 1 Prillit tashmë e nxori në drite faktin që kjo Rilindje e Ramës u kurorezua me martesën që bëri me Metën. Ky i fundit pas një bashkëjetese prej 4-vjetësh krimi, abuzime me shtetin, rrënime të institucioneve shtetërore, pushtimit të tyre, korrupsionit, 21-janarit ku humbën jetën 4 vetë nuk bëri asgjë tjetër pervecse mbrojtjen e interesave te veta  dhe oligarkise here nga “qepa” – e “djathta” here nga “hudhra”  – e”majta”.

Jane shume arsye qe nuk jane qellim i ketij shkrimi, qe ne Shqiperi, nuk ka pasur te majte e te djathte as si koncept, as si ideologji, as si ekonomi, as si bindje. Nga një vënd gjysem feudal agrar ne kaluam në komunizmin më të shëmtuar të lindjes ashtu sic kemi sot demo(n)kracinë më të shëmtuar dhe kriminale, e kjo pikërish se këta që po luajnë tragjedinë e Shqipërisë dhe Shqipëtarëve, janë pikërisht diversionistët e P.P.SH-së që po lujnë teatrin demo(n)kratik të Oligarkisë sunduese si bij të devotshëm dhe aktive të diktaturës.

Ky bashkëautor dhe bashkëpunëtorë i shkatërrimit të shtetit abuzimit dhe vjedhjes së hapur të pronës së shqiptarëve tashmë me një dorëheqje nga qeverija 60 ditët e fundit u fut ne PS për të filluar avazin e vjetër në mandatin e ri. Me këto veprime Rama qartësoi dhe pozicionin e tij si aktori i Oligarkisë-mafia-shtet-media, që prej 21-vjetësh për këdo që ka sy dhe veshë është fare e qartë se pluralizmi i dale nga mitra e PPSH-se bashkëpuntorëve, agjentëve, rezidentëve, sekretarëve te organizatave te partise, e rinisë komuniste ,”intelektualëve të shquar”që si zëdhënës e sherbëtore të regjimit, të strukturave të sigurimit, e deri edhe të organizatave te Frontit Demokratik të lagjeve, pra, thënë shkurt të gjithë shërbëtorët e regjimit komunist krijuan në vitin 91 pluri-partizmin demo(n)kratik. Ata vepruan kështu duke vrarë ëndrën e rinise shqiptare, ëndrrën e studentëve te dhjetorit për një shqipëri europiane, për një shtet-ligjor, për demokraci, për prosperitet ekonomik dhe për gjithcka që do të na lejonte per të jetuar si komb dhe jo si turme. Loja që luhet në parlamentin shqiptarë gjoja si kundërshtarë të betuar ku zhargoni që përdoret do ta kishte zili dhe fshesaxhiet e natës, për betimet “antikomuniste” socialiste-europiane, nuk janë gjë tjetër vetëm se një tragjikomedi kombëtare që luhet në sytë e militantëve “anti-komuniste”e socialistë për ti lënë ata të luftojnë tashmë me gjëra të vdekura dhe oligarkia të vazhdoje punën e vetë duke e lënë popullin të luftojë me njëri-tjetrin për gjëra inekzistente me devizën divide et impera.

Për ta parë me qartë këtë tragjikomedi kombëtare le të shohim në vija të trasha parlamentin shqiptarë të ketyre 21-vjetëve për disa ligje që janë baza e ndërtimit të shtetit të së drejtës. Të gjithë këta parlamentare diversioniste të dalë nga PPSH dhe shërbimet e strukturat që përmënda më lartë, bien dakortë për ti bllokuar ligjet themelore të shtetit të së drejtës dhe ja disa probleme specifike ku nuk zbatohet drejtësia.

Problemi I Pronave

Ligji 7501 ligji mbi pronën prej 21 vjetë qëndron në fuqi dhe nuk ka asnjë zgjidhje që ofrohet nga politika. Ky ligj mbahet i tillë për mos të rikthyer pronat. Në këtë mënyrë po të kthehesh në fillim të viteve 90-të do të shohësh se pronat e perbashkëta ose u ndanë pikërisht tek njerëzit e mitrës se PPSH-së. “Llokma e Luanit” dhe pjesët e tjera ja u ndanë shërbetorëve të regjimit të vjetër në shërbime te regjimit të ri,të veshur tashmë me petkun demokratik pluralist pluri-partist. Sot nuk dimë me c’ka ngelur për të shitur me emra SHPK-shë familjare nga prona e përbashket e shqiptarëve. Pronarët mbeten ish-pronare, e “ish” do mbeten edhe per faktin se u treguan te paorganizuar, të pa aftë, jo kompakt, të pavendosur për të kërkuar të drejtën e tyre qoftë dhe më forcë. Në të kundërt ata u përdorën dhe u shpërdoruan aq keq nga oligarkia -mafia-shtet sa sot pjesa dërmuese e tyre janë të lodhur, e të plakur e shumë prej tyre kanë vdekur dyerve të gjykatave duke kërkuar pronen. Ndërsa pasardhësit e tyre që janë më të rinj, i gjen te ndihmat sociale si ish-pronarë.

Sot, pronarët e Shqipërisë dhe bejlero-bajraktarët jane ata, pra Oligarket e Demo(n)kracise  ata që pronaret me tapi i trajtojnë si RAHJA.  Jane pikerisht ata që zbriten me valixhe druri ne Tiranë. Janë ata që në uljen e parë në kryeqytet silleshin vërdalle tek Skënderbeu duke rrotulluar kokën si ventilatorë se nuk dinin të orientoheshin nga të shkonin të gjenin konviktet ku do të fillonin studimet e tyre dhe të zhvillonin Revolucionin Kulturor-Proletar Kinez në variantin shqiptar. Këta që janë sot në politike, janë pikerisht brezi i revolucionit kulturor-kinez me në krye diversionistin më të madh të shkatarrimit të ëndrës për demokraci, prosperitet dhe shtet ligjor Sali Berisha. Sejmenet, bodyguarde-et, shoferët, sampistët, kriminelët ordinerë i ke sot në parlament, në administratë i gjen në të dy palët, tek pozita e opozita ku përdoren si ushtarë prej plumbi nga oligarket dhe kryetarët e të dy bandave te oligarkisë.

Ligji i dosjeve

Akoma mbahen të mbyllura megjithëse era i ka dalë me kohë. Janë shkruar e stërshkruar emrat e bashkëpunetorëve, informatorëve, deshmitarëve, krimineleve, hetuesve, torturuesve, por ato jetojnë mrekullisht sëbashku. Rasti i fundit është emërimi i ish-hetuesit dhe ish-prokurorit te regjimit komunist në gjykatën e lartë nga Jari – oficeri i Shkollës së Bashkuar – Skenderbeg sot President i Shqipërisë. Kjo tregon qarte vendosmërinë e arritjeve te fitoreve të këtij llumi që ka sunduar vëndin.

A mund te hapen dosjet nga vete ata qe bashkepunuan me strukturat e shtetit diktatorial si me te egrit ne “Luften e Klasave” si Medicina, Dizinjatotja, Bilbili Divjakes, Alfons Ballsha, Buzhurja, Qukapiku, Stilolapsi, Poeti, Rrjepsi, Ylli, Ciftelia qe shkon sa ne nje krah ne nje krah duke i ra ciftelise sipas oreksit te hurdhes a qepes, sa ne nje televizion ne tjetrin se aty ka Bilbilin e Divjakes, Bozhuren e….

Keto dosje mbahen te “mbyllura” per tu perdorur nga Oligarket e Parise ne sherbim simbas rastit. Ketyre njerezve ja fal bashkepunimin e atehershem personalisht, pasi ka qene bashkepunim ne nje shtet diktatorial dhe njeriu nuk ka lidur te jete hero. Bashkepunimi sot i ngarkon atyre dyfish denimin qe duhet te marrin, e kjo tregon se dhe sigurimi dhe diktatura dinin cilin te benin bashkepuntor pasi i studionin si karakatere. Keta hijena dje dhe sot kane treguar se jane karaktere te deformuara, pa integritet, pa principe, pa bindje por dine te bejne vetem nje gje shume mire, sherbetore dhe AFIE dje dhe sot.

Keta perves dosjeve te spiunimit dje kane me te renda dosjet e krimit ekonomik, politik, kulturor, social, si vjedhes dhe tregtare flamujsh deri ne dem te interesave te atdheut e popullit. Keto dosje mua me interesojne me shume se te djeshmet pasi keto do hapin dhe te djeshmet, kur populli te bindet e te marre fuqine per te denuar kete Oligarki Spiunesh te djeshem dhe kriminelesh qe po sundojne sot Shqiperine me forma mafioze-familjare duke i rrenuar Shqiperine dhe marre frymen shqipetareve.

Ligji për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë

Ligji për dëmshperblimin e të burgosurve politik, në një kohë që duhet të ishte detyrim moral, ligjor nga shteti demo(n)kratik, ky ligj është ndarë në formë lëmoshe nga paria e Tiranës, a thua se po ndanin meshire te këta njerëz që ishin shkatërruar fizikisht, psiqikisht, familjarisht. Edhe këta ashtu si pronarët dhe shumë nga të persekutuarit ishin dhe ish- pronarë dhe mbeten të tille, u përdoren dhe u shpërdoren nga oligarkia se dhe keta ishin te pavendosur, të percarë, pa qartësi, vizion dhe ideali tyre pati si lajkmotiv vetem kerkesen e demshperblimit ne para a thua se qellimi i vetem i burgut kishte qene per te marre nje dore pare!!  Ajo c’ka është më kryesorja pati një abuzim të madh me statusin e të persekutuarit ku inflacionoj këtë fjale si ajo antikomunist, dhe kjo perpos idealizmit dhe luftes per ate ideal qe peretendojne kjo shtrese, ka bere qe kjo shtrese, jo vetem qe nuk eshte dhe nuk u be kurre faktor per ndryshime demokratike, shtet ligjor, treg te lire, sic dhe pretendojne se kane hyre ne burg per kete, po keta tashme te ndare ne disa shoqata te persekutuarish per te perfituar dicka jane kthyer si relike qe vec se behen qesharak si rasti Kripa para disa ditesh.

Të persekutuarit megjithëse kishin kartën morale në fillim 90-tës pikërisht për të gjitha ato që thashë më lart nuk u bënë kurrë faktor ne politiken apo sepaku si nje grupim civil ne ndryshimet qe ka nevoje vendi.

Propaganda e shfrenuar e kundër të vërtetës

Per tu shitur sa më mirë Oligarkia e Tiranës si pjelle e strukturave të diktaturës e njeh mire propagandën, e këtë, nuk mund ta bëjë kërkush më mirë se portavocet mediatike. Tashmë dihet se kujt i përkasin këto media dhe si jane krijuar! Këta që predikojnë se janë pushtet i katërt nuk janë as më shumë e as më pak vetëm së shërbëtor të denjë deri ne përulje të Oligarkëve, nga ku marrin dhe të ardhurat e majme e privilegje të tjera me leje ndertimesh e prona shtetërore, apo zaptim pronash të pronarëve si ceshtë rasti Klan e Marubi në tokën e Kinostudios. Ata gazetare të Rilindjes qe na dolën për të na mbushur mendjen se marrveshja Meta-Rama është pragmatizëm politik, ku  nuk mungoj të futet dhe Artan Fuga nga Franca duke na treguar se c’është morali fetar, familjar, politik?!! Sic duket marrveshja do i ketë cuar dhe ketij ndonjë gavetë corbe Rilindje për të ardhmen! Këta mediatike që mbajnë njerzit me shpresë se nga jasteku Grisildes do dalë një fëmije i shëndetshëm, tregojnë njëherazi dhe injorancën e tyre dhe sa thellë janë zhytur në lojën e krimit te Oligarkisë së Tiranës. Pragmatizmi politik në vëndet me demokraci liberale, prosperojne në forcimin e shtetit, kombit, mirqënies, garantimin e lirive , barazinë para ligjit, garantimin e pronës, se individit dhe mos shpërdorimin e ruajtjen me fanatizëm të prones se shtetit nëpermjet eksperiancave te kaluarës dhe krijimit teorive dhe ligjeve nëpërmjet ketyre eksperiencave dhe kthimi në një praktike kur nuk janë funksionale teorite , ligjet, në momente të caktuara , për t’ju kthyer praktikës apo pragmatizmit për c’bllokim situatash në favor të vëndit , shoqerisë, ekonomisë dhe politikës. Kështu funksionon pragmatizmi në vëndet e me demokraci të konsoliduara në themele. E kjo, se ky lloj pragmatizmi eshte i bazuar mbi disa vlera.

Ku e shohin pragmatizmin politik analistët e Tiranës në Marrveshjen e 1 Prillit?! A mund të quhet pragmatizëm – politik me një njeri qe ka ne kurriz Vjedhjen e Thesarit te shtetit kur ky ish kryeministër?! A mund të bëhet pragmatizem -politik me një njeri u kap me zë e figure duke abuzuar me paran e shtetit dhe Rilindja ngriti njerzit për të demostruar për këte, e nga kjo  humbën jeten 4 vetë?! Ata justifikohen me atë se për të hequr Berishën duhet te pranojmë Meten?!! OK, me numëra arithmetike ata janë në rregull megjithese deri në qershor nuk dihet prap nga shkojne goglat Meta…! Ata e kanë hallin me Berishën, duke mos dashur te pranojneë së është pikërisht i gjithë ky sistem Oligarkik-Mafioz-Shtet- Media dhe jo vetëm Berisha që ka sjellë këtë gjëndje ku bëjnë pjesë dhe këta analistë. Me kete llogjike këta analistë te Rilindjes na thonë, për të burgosur një njeri qe ka kryer 100 grabitje bankash, duhet të lirojmë një që ka kryer 99 dhe ta vemë të ruaj bankat. …. ! Me kete marrrveshje Rilindja nuk ka me as moralin, as frymen , as te drejtën për ti kërkuar votën shqiptarëve por vetëm sejmenëve dhe militantëve që presin ndonjë thes miell apo ndonjë punë në komuna.

Rama, po ashtu si Berisha ka tentuar qe te zaptoj te gjitha pushtetet pasi kjo eshte struktura e ngritur e Oligarkise -Mafja -Shtetet. Ne 2009 ishte pikërisht Rama që duke menduar se do të vinte në pushtet, bëri kompromis me Berishën për të ruajtur pozicionin e Oligarkisë per K.Q.Z-në , për zgjedhjen e presidentit me 71 vota, për sistemin zgjedhor për të qënë në fuqi me rrotacion  po rrota nuk lëviz po këta Oligarkë, për të uzurpuar SH.I.K-un, e gjithcka me marrveshje të 2009-ës Rama pregatiste terrenin për vetë për të qënë absolut si Berisha. Pra Rama sot nuk vuan faktin e ndryshimit të gjëndjes se Shqiperise dhe Shqipetarëve, se ndryshe nuk do ishte lojtar aktor i Oligarkise por ai ashtu si Berisha vuan marrjen e shiritit kapitenit (kryeministrit) për të kënaqur me llokmën e pushtetit Leprin, Doshin, Yllin, Mucin, Tucin, Kokdhi-met….

Ne perfundim

Aq sa mund të pjellë një fëmijë të shëndetshëm jasteku Grisildës aq mund të pjellë dhe Rilindja si ajo Demokratike dhe kjo e Ramës shtet ligjor, barazi para ligjit, prosperitet ekonomik, te ardhme per shqipetarët Këta Oligarkë janë shterpa shtetrorë, sociale , ekonomike që thithin si shushunja gjakun dhe grryejnë si gangrenë jetën dhe të ardhmen e Shqiptarëve. 23 Qershori do të kishte vetëm një zgjidhje për të ardhmen e shqiptarëve, permbysjen me cdo mjet dhe mënyre te Oligarkisë dhe vendosjen e tyre para drejtësise. Vetëm kështu krijohej një precedent per fillimin e ndërtimit të së ardhmes së Shqiperisë dhe shqiptarëve.

A do te ndodhë kjo?! Unë mendoj se me shumë se një mospjesmarrje për të votuar me 23 Qershor do të jetë vetë zullumi që shtohet perditë i Oligarkisë së Tiranës që do ti groposë këta por ndoshta do të jetë shumë vonë, ku të gjithë pastaj do tentojnë të dalim nga lluca duke tentuar për të nxjerrë nje kembë do zhytemi ne tjetren, e keshtu me rradhë.

Jemi te vonuar. Koha është tani. Ne mos për veten tonë, për të ardhmen e vëndit dhe femijëve që po rriten në atë vënd që nesër mos marrim mallkimin e tyre.  Në momentin që ndodh krimi, ai që hesht dhe mbyll sytë është njësoj fajtor përpara kombit dhe atdheut, Kjo ndodhi dje me Diktaturen dhe Hoxhën kjo po ndodh sot me Oligarkinë e dalë nga mitra P.P.SH e Salinë.  Cohuni o të dekun! KOHA ESHTE TANI.

 

ZGJEDHJET DHE MAKTHET E SALI BERISHËS

Në këtë pikë duket se Pakti i Parisë së Tiranës i ka dhënë Sali Berishës dhe prijatarëve të tjerë sigurinë për të cilën ata kanë kaq shumë nevojë. Ëndrra e parisë duket sikur po realizohet por secili nga prijatarët ka ankthet e makthet e veta. Në një shkrim tjetër i kam trajtuar disa nga këto ankthe por tashti duhet që të ndalemi pak më seriozisht e më në thellësi tek shtatë makthet e Sali Berishës. Sali Berisha përballet me një rebus delikat dhe kompleks të mbushur me të panjohura. Ai është mjeshtër i lojës politike por loja ka shumë lojtarë, edhe më shumë panjohura dhe mbi të gjitha, në këtë pikë ai nuk ka asnjë kartë të fshehtë që ta nxjerrë nga mënga. Karta më e fortë që ka Saliu është që të bëjë opozitën besnike të pjesës tjetër të parisë. Përpjekja e tij kryesore është që të mos shkelë në dërrasa të tjera të kalbura me ndërkombëtarët. Të tjerat janë dytësore. Por gjithsesi ankthet e tija në lidhje me të ardhmen janë të lidhura me faktorët e mëposhtëm. Sepse të gjitha këto motivojnë sjelljen e tij tani, dhe do ta motivojnë edhe më shumë në të ardhmen.

Makthi I Ndërkombëtarëve

Si edhe pjestarët e tjerë të parisë, Sali Berisha është stërvitur që të bëjë luanin me të dobëtit e konen apo këlyshin me të fortët. Këtë teknikë ka ndjekur sistematikisht me ndërkombëtarët. Ka qënë shërbëtor i bindur në vitin 1990-1994, mandej bajraktar deri në vitin 1997, mandej shërbëtor i bindur deri në përkujtimin e 100 vjetorit të shtetit. Tash po sillet si katundar i pafytyrë duke ndjekur parimin, “kalova lumin, të vjedhi edhe mushkën,” d.m.th. po iu thotë ndërkombëtarëve që merrni cka doni ju, por unë nuk pyes shumë për ju.

Nga një anë ndërkombëtarët janë lodhur me Saliun që ka krijuar problem të rënda. Edhe pse ky tha se nuk është nacionalist, festimet e 100 vjetorit të pavarësisë i dolën nga dora, dhe nuk ishte problem i Tortës me Legena, por problem i shpërthimit të një ndjenje kombëtarizmi që mendohej se nuk ekzistonte kund, kaq mirë e kishte fshehur paria e Tiranës. Nga ana tjetër, edhe lojës ideologjike të Saliut e të parisë i ka ardhur fundi sepse dihet që nuk do të ketë integrim në Europë dhe po ashtu dihet që Europa nuk e don as Saliun e as nuk i don shqiptarët. Mandej, të huajt dinë shumë gjëra. Dinë për të, për të bijën, për të birin, për pisllëqet, edhe për shërbimet e vyeshme që ai i ka bërë por që varet se si paraqiten në publik, se edhe këto gjëra janë thika me dy presa dhe askush nuk e di këtë punë më mirë se Sali Berisha që në një anë është deklaruar “I bekuar nga Papa,” “vëlla me Turqit”,  “vëlla me Izraelin,” ‘armik për vdekje me Iranin’, “Mik i Madh i Grekëve,” “vëlla me kinezët,” etj.

Prapë, loja është e gjatë dhe ai ka shumë të panjohura parasysh, dhe më shumë të panjohura që nuk din se si me i interpretue në mendjen e tij. Atij nuk i interesojnë më të huajt sepse e din që për sa kohë e mbështesin të vetët, të huajt nuk do ta ngasin. Por thellë-thellë e bren dyshimi se të huajt kanë edhe ca karta që mund t’i luajnë në një mënyrë që ai nuk e kontrollon dot. Ata që dinë nuk po lëvizin, ata që munden, po lëvizin me kujdes dhe Saliu e din se në këtë botë ka zjarr pa tym ku digjesh pa e ndjerë e pa e kuptuar. Se këta janë mjeshtra për të zgjidhur problemet e shteteve edhe më të komplikuara e jo më Saliun.

Makthi i Trustit të Gështenjave

Sali Berisha është 99-sh dhe më i zgjuari i politikanëve shqiptarë, mirëpo, a i kontrollon dot ai Trustin e Gështenjave të Tropojës dhe klanet lokale mafioze? Është e vërtetë që ka nisur t’iu japë vizat e t’i mbledhë paratë, një metodë që do të thotë “ikni sa më shpejt” që këtu. Mirëpo, Saliu ka vënë re se shumë nuk po shkulen nga vendi sepse nuk ikin dot, edhe sikur t’iu japë nga dy a tre pasaporta të reja biometrike. Dhe problemi nuk është se kanë frikë palën tjetër. Problemi është se nuk kanë frikë as Saliun as kënd, se duan të fitojnë dhe se kanë qënë aleatë të Saliut por jo vegla të tij. Mirepo këta afaristë kanë qënë me Saliun sa kohë që Saliu ka qënë me ta.  Këta presin të marrin paratë që të dicka për fushatë. Ndryshe, të gjithë kanë nisur të bërtasin “s’kam!”  Dhe jo më kot, shumica i kanë vëllezërit, kunetët, partnerët e lidhjet e shuëfishta edhe me palën tjetër të parisë. Sepse, në fund të fundit, “tanët jemi.” Saliu e di se ata klientë që shiten si militantë, shpesh janë thjesht diversantë. E vetmja rrugë që ata kanë për të marrë paratë që u aka borxh shteti, ose për të shmangur taksat, ose për të mbrojtur veten nga punët e pista është të bëjnë marrëveshje me palën tjetër. Shembulli më i mirë është i Bekuari Apostolik, Fahri Balliu që ka disa kompani në partneritet me socialistët e deri me Edi Ramën. Sepse paria e Tiranës janë të kapur e të ngatërruar keq me njëri tjetrin. Të gjithë këta i shiten lirshëm prurësit më të parë, të gjithë japin në të gjithë palët, dhe Saliu e din por s’ka c’ka me ba.

Makthi i Militantëve

Militantët e PD-së janë ajo masë njerëzish që besonin në një shans të ri në vitin 1990. Një turmë shumë komplekse, ku ka nga të gjithë llojet e njerëzve. Tashmë shumica e tyre e kanë lidhur jetën me PD-në e me Sali Berishën. Dhe Sali Berisha i ka lidhur fort mbas vetes aq sa i përdor si vegla të tij. I ka përdorur kulturalisht sepse këta shkojnë mbas parimit “kam ngrënë bukën e Saliut” edhe pse kanë qënë të punësuar në shtet. I ka manipuluar në ndjenja, sepse këta e urrejnë PS-në dhe nuk e durojnë asgjë që vjen erë nga sistemi i mëparshëm. Iu ka krjiuar një realitet fantazëm përmes TV Klan, Gazetës 55 dhe RD. I ushqen shoqërisht me thashetheme kafenesh, me batuta, barcoleta. Shpesh ua thotë të vërtetën, por ata e marrin si kopilllëk të Saliut, “Njish është, ua futi keq”.

Militantët janë të punësuar në shtet ose kanë bërë ndonjë biznes të vogël me licenca të përkohshme. Mirëpo militantët kanë familje, fëmijë, dhe këta që po vijnë janë të uritur. E provuan e ndenjën tetë vjet në opozitë një herë këta militantët e Saliut dhe o donin të shkonin aty ku kishin qënë në punë o s’ka. Ngordhën për bukë. Mirëpo tani vodhën ca dhe mendojnë se kanë vënë dhjamë, mirëpo këta që po vijnë dinë të nxjerrin edhe dhjamë nga pleshti. Këta nuk duan të rrinë më në opozitë. Saliu nuk të jep më bukë. Sepse militantët  janë besnikë, por deri në një pikë ama. Saliu nuk i mban dot me premtime sepse e panë këta që nuk doli më gjë nga ai. Tani nuk janë më aq militantë, edhe ata që janë mjaft injorantë. Stomaku don bukë e jo premtime.

Makthi I të Përndjekurve

Kjo është një shtresë që u keqpërdor me vullnetin e saj të lirë nga Saliu. Deri tani e ka pasë fatin politik të lidhur me të. Tani do të kërkojë të ndahet me të, simbas teknikës “ne e dinim kush ishte, por na duhej e na mashtroi.”  Saliu i mbajti me thërrime, por i përdoroi deri në atë nivel sa këta nuk kanë fytyrë të dalin më në publik. Për cfarë përndjekje mund të flasin këta? Për cfarë vlerash? Kush pyet për burgun dhe internimin e tyre kur ne kemi nga 20 e ca vite në mërgim e na janë shuar familjet e këta nuk kanë lëvizur një gisht për të mbrojtur vlerat për të cilat ishin deklaruar të persekutuar? Kush prej tyre e mbrojti lirinë e demokracinë, të drejtat e shqiptarëve e kombin?

Shumica e ish të persekutuarve ranë në kurthin e mjeshtrave kontrollues dhe tashmë janë kaq të diskredituar sepse e treguan qartë që nuk kishin as vlera as mendësi, por ishin thjesht vegla politike. Saliu e ka kuptuar se këta nuk i duhen më si shtresë dhe prandaj i ka futur ne sherr dhe kontrollon vetëm ata që kanë pak influencë. Por, ndarja e tyre me Saliun do të jetë një përpjekje e tyre ër të gjetur dinjitetin. Sepse bijtë e bijat e tyre e kanë një ide idjote se kush ka qënë familja e tyre dhe do të ëkrkojnë nderim e respekt. E këtë do ta kërkojnë duke u ndarë nga Saliu.

Makthi i Katundarëve Fisnike

Saliu I ka mbajtur katundarët me shpresë. E ka shfrytëzuar me kujdes mendësinë e tyre. I ka lidhur me fjalë, me interesa si legalizimi, me bukën e gojës, si punësimi, me manipulim, si kundërvënie nga të tjerëve, dhe me një mijë fije të menduara mirë. Mirëpo ka dy gjëra për të cilat katundari shqiptar, dhe unë jam katundar i vjetër, nuk të fal. Këto janë nderi e prona. Saliu ka kërkuar t’ua marrë nderin njerëzve. Ka pasur shumë që kanë heshtur por nuk e kanë falur. Tek prona I ka mashtruar haptazi sepse iu ka dhënë ca legalizime gjysmake që mund të kthehen kundra me një hetim të shpejtë. Dhe katundarët e dinë mirë se I ka mbajtur varur dhe ua ka hedhur keq. Më në fund, katundarët janë praktikë. Po nuk pati cka me ofrue Saliu, kush po pyet për të? Pse duhet me dalë në miting për të?  Në fund të fundit, shteti dhe pushteti është në dorën e tjerakujt, dhe katundari fisnik e ka frikë shumë shtetin, sidomos kur është në duar të atyre që dinë se si ta përdorin makinën e shtetit në interest ë tyre.

Makthi i PD-së

Saliu e din se PD është e mbushur me Haxhi Qamilë, sepse për atë detyrë I ka zgjedhur, përdoruar, manipuluar dhe degjeneruar. Se mos pyet ai deputeti me kobure ‘plastike’ për Saliun? Për Saliun, kur të vijë puna nuk pyet Sokol Olldashi, sepse duhet të japë llogari ku duhet dhe ata që e kanë vënë e që i haxhojnë paratë në fushatë, nuk i harxhojnë që të humbë Olldashi, sepse sa për I persekutuar, po të mos kishte hyrë gjyshi në burg, do të ishte me partinë e Bllokut e në ballë të saj, bile shumë kushërinj i ka nga ajo anë qysh nga viti 1942.  Sepse, nëse Saliu nuk i vë deputetë sërish, ata, që janë shumë si këta, e zgjedhin veten, ia japin votat dikujt tjetër dhe me këto banda që kanë, kush guxon t’iu dalë përpara?? Saliu don të humbë por me dinjitet, d.m.th. të ketë një opozitë të fortë e të mbajë një tufë njerëzish me rrogë, e të ketë veton e pushtetit. Se kështu ishte marrëveshja në 2005, dhe ai e respektoi, punë tjetër se u ngatërrua Ilir Meta me Fatos Nanon dhe Edi Ramën në një ménage a trois socialiste të spikatur ku ia futën të gjithë njëri-tjetrit dhe fitimtar doli vetëm Saliu.  Këta zotërinjtë gangsterra ia fitojnë zgjedhjet me zori si në vitin 1996 se nuk janë zare por ‘koca’ burra që kanë mbrapa edhe ca vrasës  që flejnë me sytë hapur e me gishtin në këmbëz, e që edhe makaronat I hanë me thikë pa i prerë (këtë e kanë mësuar në burg në Itali e në Greqi por nejse).

Saliu nuk e don këtë, por nuk ka zgjidhje. Kë do të vejë kandidat në Tropojë? Po në Peqin? Po në Vlorë? Në Lac? Në Lazarat? Lista është e gjatë. Aty nuk vë dot Aldo Bumcin e Keltis Krujën, Edit Harxhin dhe Elvana Hanën. Aty të vjen një “koqe plumbi” nga se pret. Dhe pastaj ka Arben Imamin, Ed Selamin, Genc Pollon, Tritan Shehun, etc. Këta janë përdorur si lecka, por edhe lecka shkyhet duke u fërkuar për dysheme. Pragmatizmi i tepruar ka vënë këta tek semafori i Saliut, por po u fikën dritat, nuk dihet se cka ndodh, sepse të gjithë këta kanë shumë ustallarë, dhe shumë urrejtje për cka janë detyruar të bëjnë.

Nga ana tjetër janë vendorët dhe këtu përfshihen të gjithë kategoritë e njerëzve, që nga pjestarët e klanit të Trustit të Gështenjave, tek berishistët e flaktë, tek ata që ai i ka bërë të lyejnë duart me gjak, tek ata që i ka bërë të vjedhin për të, të poshtërojnë të tjerët për të, tek kriminelët e lindur, tek militantët PD-istë që nuk njohin tjetër vec Saliut, tek klientët e biznesit, të frikësuarit e deri tek masa e madhe atyre që ende duan të luftojnë komunizmin. Shkërmoqja e PD-së është një ankth tjetër shumë shqetësues.

Ankthi i Familjes

Ankthi kryesor është familja. Me standartet katundare, familja e Saliut dhe farefisi janë ndër dyert e para të vendit. Mirëpo, djali është karabush, vajza është e zgjuar por jo për lojtare kryesore, rrethi i kushërinjve janë të djallëzuar por pa klasin e nevojshëm politik dhe disa edhe të pakënaqur, dhe krushqitë jo të besueshme. Ky është edhe ankthi kryesor i Saliut. Ai e din se peri këputet ku është më i hollë dhe kur të vijë dita, që ai e din se do të vijë, asgja që ka ndodhë nuk do të ketë më vlerë. Nuk dua t’i diskutoj këto gjëra më gjatë, por uk don shumë mend me kuptue se armiqtë e tij janë duke pritur rastin. Paria është një tufë hienash, që kur i kap uria hanë edhe njerëzit e vet.

Në vend të përfundimit

Sali Berisha ka qënë njeriu i duhur në vitin 1990, as kam pasur ndonjëherë e as kam ndonjë dyshim për këtë gjë. Atëherë ai duhej për të shpëtuar shqiptarët nga vetvetja dhe nga lufta civile dhe ne të tjerët duheshim sakrifikuar. Por taktika e tij është që të mbështetet tek të vetët dhe të bëhet problem që nuk duhet trazuar. Si thonte Haxhi Qamili, “Sa të kem Sharrën e Shijakun, nuk pyes për Berlinin.” Problemi është se Saliu duhet të mbajë bashkë një turmë që shkon në drejtime krejt të kundërta me njëri tjetrin. Kjo kërkon shumë zotësi dhe kohë.

Tashmë ai nuk ka rrugë tjetër vecse të mbajë shqiptarët në luftë civile e ti vejë të përplasen ndërmjet vetes. Dhe në politikë njerëzit nuk motivohen aq nga dashuria për të tjerët se sa nga frika për gjërat që i kanë të dashura e të shtrenjta. Të gjithë makthet e tjera të Saliut janë të lidhura me familjen. Por, ai e din mirë se tashmë ai vetë është një makth për shumë prej shqiptarëve.  Si një pjesë e parisë, si një nga udhëheqësit e saj, anipse i përdorur dhe i abuzuar keq nga pala tjetër, Saliu do të mundohet të hedhë vallen e tij deri në fund, e si ka thanë Gjergj Mullaga, “fundi daltë hajr,” për shqiptarët.

 

 

MENDIMI I MESNATES….

Nuk duhet me u marrë me shuplakën që hengri Edi Rama në Prishtinë nga Albin Kurti, apo me lëvizjen e pritur e të parashikueshme të Sali Berishës që e hoqi anëtarin e KQZ të Metës, që, për vete nuk foli fare e nuk i nxori këta bedelët e tij. Njëra kuptohet se ishte një goditje shumë e rëndë për parinë e Tiranës, që tashmë nuk e ka më monopolin e ideve, të pushtetit e të influencës ndër shqiptarët. Por tjetra ishte një lëvizje e pritur dhe e kalkuluar mirë brenda lojës së vetë parisë . Reagimi i të huajve ishte i gabuar sepse edhe për këtë punë ka menduar Ilir Rusmajli, që me nenin aq e kaq, dhe me ligjin numër këtë e atë, e justifikon këtë veprim. Qeveritaret takohen me të huajt, pinë një kafe me të gjithë, i pyesin se si i kanë punët, iu japin një shpjegim, “shiko, kupto, garantoj, e kemi bisedue, aprovue, jemi pajtue, liria, demokracia, etj.,  or mik, i dashur, etj etj.” Mandej iu tregojmë se edhe Meta e Rama janë dakord, po nuk mund te thonë gjë se del sheshit pazari.  Mbështetësve iu themi se ne ‘nuk pyesim për këta” Në fund, nuk ua themi shqiptarëve të vërtetën. Edhe Vollfarth që ia ka anda shumë birrën nuk e thotë kurrë të vërtetën dhe e ruan sekretin. Kështu punojmë të gjithë për demokracinë shqiptare dhe, “më rrove të rrova brisku i berberit”  kalojmë tek kriza e radhës, që kur nuk ndodh vetë e shpikim sepse prandaj e paguajmë kaq mirë Fevzon.

E megjithatë, skenari duket i përgatitur me kohë dhe po zbatohet me qetësinë e pritshme. Pak zhurmë nga deputetë të dorës së dytë si Bizhga e të tjerë, sharje për ish-deputetet e PS-së që votuan heqjen e tij si Kaci, Asllani dhe Gjovalini, si dhe nga dhuruesi i Gjelave të detit katundarëve të uritur të Myzeqese, Dritan Prifti, dhe një zëvendësim i qetë me një nga të kapurit e Saliut nga strajca e Mediut. Edi Rama nuk do të bëjë as gëk-as mëk, as Ilir Meta, nuk do të bëjë gërr e as vërr. Ndoshta do të na vënë Skënder Gjinushin të thotë se u vodhën zgjedhjet…

Mirëpo kjo sjellje është Guri i Provës për Paktin e Parisë së Tiranës. Sepse po nuk pati demonstratë nesër, jo tek Top Channel, por në Sheshin e Burrave, ose te Gropa e Politikanëve Mbrapa ish-Pallatit të anti-Kulturës atëherë edhe më budallenjtë, pavarësisht se cka thotë Muci Puci dhe Fahri Balliu e dinë se “kjo ishte lojë.” Po nuk pati sherr publik, e po dolën në luftë gjelat e parisë kjo asht hile. Po u tërhoqën Edi Rama me Ilir Metën dhe po u morën me gjëra të tjera, atëherë është e qartë se ky është pazar. Kjo tregon se këta e dinë se si do t’i zgjidhin punet e tyre. Po pati sherr, dhe më e pakta, tashti që ka pushuar shiu dhe mund të ngrihen cadrat, një grevë urie me pacë plendësi e këmbësh e me ujë Selite, atëherë do të shihet se opozita e ka seriozisht.

Ama, po na vuri Edi ndonjë nga batallët e tij para ekranit nuk numërohet si protestë. E vetmja gjë që bën punë është ajo canta e Spartak Brahos. Të gjithë mandej do të tkurren sepse kanë frikë se diku e kanë emrin, zërin apo atë pisllëkun e vogël. Por Spartaku është ulur tek klubi poshtë pallatit dhe pi kafe e flet për futbollin e nuk merret më me politikë, sepse i është neveritur politika. Pra, nuk do të ketë cantë të Spartakut. E shumta ndonjë llapaqen mediatik do të hedhë dy shashka, dhe një deputet me zë të prerë do të bëjë një deklaratë e kështu mbyllet loja.

Shkurt, më thotë mendja se këta janë mjeshtra, specialista, si thonte ai i mjeri që u përdor nga të gjithë, Pjetër Arbnori. E vetmja gjë që e kishte gabim ishte se Pjetri shihte cka kishte përpara, se kur e kuptoi që Sala ishte mjeshtri, tamam kur nuk e bëri ambasador, vdiq për një ditë. Sala nuk ka kenë krejt i marrë, gjithkund e vinte Pjetrin përpara.

Por jam krejtësisht e plotësisht i bindun se nuk ka më sherr, sepse Pakti I Parisë po funksionon si duhet. Me ngadalë e me qetësi po zvarritemi drejt zgjedhjeve. Nuk ka rëndësi kush humb, sepse shqiptarët i humbin gjithmonë zgjedhjet, edhe kur e rrahin njëri tjetrin.  Por paria e Tiranës i ka fituar edhe një herë tjetër, sepse këta janë pak, por ia ruajnë shpinën njëri-tjetrit… dhe mjerë ne kush na sundon.