Home » ANALIZA » ZGJEDHJET DHE MAKTHET E SALI BERISHËS

ZGJEDHJET DHE MAKTHET E SALI BERISHËS

Në këtë pikë duket se Pakti i Parisë së Tiranës i ka dhënë Sali Berishës dhe prijatarëve të tjerë sigurinë për të cilën ata kanë kaq shumë nevojë. Ëndrra e parisë duket sikur po realizohet por secili nga prijatarët ka ankthet e makthet e veta. Në një shkrim tjetër i kam trajtuar disa nga këto ankthe por tashti duhet që të ndalemi pak më seriozisht e më në thellësi tek shtatë makthet e Sali Berishës. Sali Berisha përballet me një rebus delikat dhe kompleks të mbushur me të panjohura. Ai është mjeshtër i lojës politike por loja ka shumë lojtarë, edhe më shumë panjohura dhe mbi të gjitha, në këtë pikë ai nuk ka asnjë kartë të fshehtë që ta nxjerrë nga mënga. Karta më e fortë që ka Saliu është që të bëjë opozitën besnike të pjesës tjetër të parisë. Përpjekja e tij kryesore është që të mos shkelë në dërrasa të tjera të kalbura me ndërkombëtarët. Të tjerat janë dytësore. Por gjithsesi ankthet e tija në lidhje me të ardhmen janë të lidhura me faktorët e mëposhtëm. Sepse të gjitha këto motivojnë sjelljen e tij tani, dhe do ta motivojnë edhe më shumë në të ardhmen.

Makthi I Ndërkombëtarëve

Si edhe pjestarët e tjerë të parisë, Sali Berisha është stërvitur që të bëjë luanin me të dobëtit e konen apo këlyshin me të fortët. Këtë teknikë ka ndjekur sistematikisht me ndërkombëtarët. Ka qënë shërbëtor i bindur në vitin 1990-1994, mandej bajraktar deri në vitin 1997, mandej shërbëtor i bindur deri në përkujtimin e 100 vjetorit të shtetit. Tash po sillet si katundar i pafytyrë duke ndjekur parimin, “kalova lumin, të vjedhi edhe mushkën,” d.m.th. po iu thotë ndërkombëtarëve që merrni cka doni ju, por unë nuk pyes shumë për ju.

Nga një anë ndërkombëtarët janë lodhur me Saliun që ka krijuar problem të rënda. Edhe pse ky tha se nuk është nacionalist, festimet e 100 vjetorit të pavarësisë i dolën nga dora, dhe nuk ishte problem i Tortës me Legena, por problem i shpërthimit të një ndjenje kombëtarizmi që mendohej se nuk ekzistonte kund, kaq mirë e kishte fshehur paria e Tiranës. Nga ana tjetër, edhe lojës ideologjike të Saliut e të parisë i ka ardhur fundi sepse dihet që nuk do të ketë integrim në Europë dhe po ashtu dihet që Europa nuk e don as Saliun e as nuk i don shqiptarët. Mandej, të huajt dinë shumë gjëra. Dinë për të, për të bijën, për të birin, për pisllëqet, edhe për shërbimet e vyeshme që ai i ka bërë por që varet se si paraqiten në publik, se edhe këto gjëra janë thika me dy presa dhe askush nuk e di këtë punë më mirë se Sali Berisha që në një anë është deklaruar “I bekuar nga Papa,” “vëlla me Turqit”,  “vëlla me Izraelin,” ‘armik për vdekje me Iranin’, “Mik i Madh i Grekëve,” “vëlla me kinezët,” etj.

Prapë, loja është e gjatë dhe ai ka shumë të panjohura parasysh, dhe më shumë të panjohura që nuk din se si me i interpretue në mendjen e tij. Atij nuk i interesojnë më të huajt sepse e din që për sa kohë e mbështesin të vetët, të huajt nuk do ta ngasin. Por thellë-thellë e bren dyshimi se të huajt kanë edhe ca karta që mund t’i luajnë në një mënyrë që ai nuk e kontrollon dot. Ata që dinë nuk po lëvizin, ata që munden, po lëvizin me kujdes dhe Saliu e din se në këtë botë ka zjarr pa tym ku digjesh pa e ndjerë e pa e kuptuar. Se këta janë mjeshtra për të zgjidhur problemet e shteteve edhe më të komplikuara e jo më Saliun.

Makthi i Trustit të Gështenjave

Sali Berisha është 99-sh dhe më i zgjuari i politikanëve shqiptarë, mirëpo, a i kontrollon dot ai Trustin e Gështenjave të Tropojës dhe klanet lokale mafioze? Është e vërtetë që ka nisur t’iu japë vizat e t’i mbledhë paratë, një metodë që do të thotë “ikni sa më shpejt” që këtu. Mirëpo, Saliu ka vënë re se shumë nuk po shkulen nga vendi sepse nuk ikin dot, edhe sikur t’iu japë nga dy a tre pasaporta të reja biometrike. Dhe problemi nuk është se kanë frikë palën tjetër. Problemi është se nuk kanë frikë as Saliun as kënd, se duan të fitojnë dhe se kanë qënë aleatë të Saliut por jo vegla të tij. Mirepo këta afaristë kanë qënë me Saliun sa kohë që Saliu ka qënë me ta.  Këta presin të marrin paratë që të dicka për fushatë. Ndryshe, të gjithë kanë nisur të bërtasin “s’kam!”  Dhe jo më kot, shumica i kanë vëllezërit, kunetët, partnerët e lidhjet e shuëfishta edhe me palën tjetër të parisë. Sepse, në fund të fundit, “tanët jemi.” Saliu e di se ata klientë që shiten si militantë, shpesh janë thjesht diversantë. E vetmja rrugë që ata kanë për të marrë paratë që u aka borxh shteti, ose për të shmangur taksat, ose për të mbrojtur veten nga punët e pista është të bëjnë marrëveshje me palën tjetër. Shembulli më i mirë është i Bekuari Apostolik, Fahri Balliu që ka disa kompani në partneritet me socialistët e deri me Edi Ramën. Sepse paria e Tiranës janë të kapur e të ngatërruar keq me njëri tjetrin. Të gjithë këta i shiten lirshëm prurësit më të parë, të gjithë japin në të gjithë palët, dhe Saliu e din por s’ka c’ka me ba.

Makthi i Militantëve

Militantët e PD-së janë ajo masë njerëzish që besonin në një shans të ri në vitin 1990. Një turmë shumë komplekse, ku ka nga të gjithë llojet e njerëzve. Tashmë shumica e tyre e kanë lidhur jetën me PD-në e me Sali Berishën. Dhe Sali Berisha i ka lidhur fort mbas vetes aq sa i përdor si vegla të tij. I ka përdorur kulturalisht sepse këta shkojnë mbas parimit “kam ngrënë bukën e Saliut” edhe pse kanë qënë të punësuar në shtet. I ka manipuluar në ndjenja, sepse këta e urrejnë PS-në dhe nuk e durojnë asgjë që vjen erë nga sistemi i mëparshëm. Iu ka krjiuar një realitet fantazëm përmes TV Klan, Gazetës 55 dhe RD. I ushqen shoqërisht me thashetheme kafenesh, me batuta, barcoleta. Shpesh ua thotë të vërtetën, por ata e marrin si kopilllëk të Saliut, “Njish është, ua futi keq”.

Militantët janë të punësuar në shtet ose kanë bërë ndonjë biznes të vogël me licenca të përkohshme. Mirëpo militantët kanë familje, fëmijë, dhe këta që po vijnë janë të uritur. E provuan e ndenjën tetë vjet në opozitë një herë këta militantët e Saliut dhe o donin të shkonin aty ku kishin qënë në punë o s’ka. Ngordhën për bukë. Mirëpo tani vodhën ca dhe mendojnë se kanë vënë dhjamë, mirëpo këta që po vijnë dinë të nxjerrin edhe dhjamë nga pleshti. Këta nuk duan të rrinë më në opozitë. Saliu nuk të jep më bukë. Sepse militantët  janë besnikë, por deri në një pikë ama. Saliu nuk i mban dot me premtime sepse e panë këta që nuk doli më gjë nga ai. Tani nuk janë më aq militantë, edhe ata që janë mjaft injorantë. Stomaku don bukë e jo premtime.

Makthi I të Përndjekurve

Kjo është një shtresë që u keqpërdor me vullnetin e saj të lirë nga Saliu. Deri tani e ka pasë fatin politik të lidhur me të. Tani do të kërkojë të ndahet me të, simbas teknikës “ne e dinim kush ishte, por na duhej e na mashtroi.”  Saliu i mbajti me thërrime, por i përdoroi deri në atë nivel sa këta nuk kanë fytyrë të dalin më në publik. Për cfarë përndjekje mund të flasin këta? Për cfarë vlerash? Kush pyet për burgun dhe internimin e tyre kur ne kemi nga 20 e ca vite në mërgim e na janë shuar familjet e këta nuk kanë lëvizur një gisht për të mbrojtur vlerat për të cilat ishin deklaruar të persekutuar? Kush prej tyre e mbrojti lirinë e demokracinë, të drejtat e shqiptarëve e kombin?

Shumica e ish të persekutuarve ranë në kurthin e mjeshtrave kontrollues dhe tashmë janë kaq të diskredituar sepse e treguan qartë që nuk kishin as vlera as mendësi, por ishin thjesht vegla politike. Saliu e ka kuptuar se këta nuk i duhen më si shtresë dhe prandaj i ka futur ne sherr dhe kontrollon vetëm ata që kanë pak influencë. Por, ndarja e tyre me Saliun do të jetë një përpjekje e tyre ër të gjetur dinjitetin. Sepse bijtë e bijat e tyre e kanë një ide idjote se kush ka qënë familja e tyre dhe do të ëkrkojnë nderim e respekt. E këtë do ta kërkojnë duke u ndarë nga Saliu.

Makthi i Katundarëve Fisnike

Saliu I ka mbajtur katundarët me shpresë. E ka shfrytëzuar me kujdes mendësinë e tyre. I ka lidhur me fjalë, me interesa si legalizimi, me bukën e gojës, si punësimi, me manipulim, si kundërvënie nga të tjerëve, dhe me një mijë fije të menduara mirë. Mirëpo ka dy gjëra për të cilat katundari shqiptar, dhe unë jam katundar i vjetër, nuk të fal. Këto janë nderi e prona. Saliu ka kërkuar t’ua marrë nderin njerëzve. Ka pasur shumë që kanë heshtur por nuk e kanë falur. Tek prona I ka mashtruar haptazi sepse iu ka dhënë ca legalizime gjysmake që mund të kthehen kundra me një hetim të shpejtë. Dhe katundarët e dinë mirë se I ka mbajtur varur dhe ua ka hedhur keq. Më në fund, katundarët janë praktikë. Po nuk pati cka me ofrue Saliu, kush po pyet për të? Pse duhet me dalë në miting për të?  Në fund të fundit, shteti dhe pushteti është në dorën e tjerakujt, dhe katundari fisnik e ka frikë shumë shtetin, sidomos kur është në duar të atyre që dinë se si ta përdorin makinën e shtetit në interest ë tyre.

Makthi i PD-së

Saliu e din se PD është e mbushur me Haxhi Qamilë, sepse për atë detyrë I ka zgjedhur, përdoruar, manipuluar dhe degjeneruar. Se mos pyet ai deputeti me kobure ‘plastike’ për Saliun? Për Saliun, kur të vijë puna nuk pyet Sokol Olldashi, sepse duhet të japë llogari ku duhet dhe ata që e kanë vënë e që i haxhojnë paratë në fushatë, nuk i harxhojnë që të humbë Olldashi, sepse sa për I persekutuar, po të mos kishte hyrë gjyshi në burg, do të ishte me partinë e Bllokut e në ballë të saj, bile shumë kushërinj i ka nga ajo anë qysh nga viti 1942.  Sepse, nëse Saliu nuk i vë deputetë sërish, ata, që janë shumë si këta, e zgjedhin veten, ia japin votat dikujt tjetër dhe me këto banda që kanë, kush guxon t’iu dalë përpara?? Saliu don të humbë por me dinjitet, d.m.th. të ketë një opozitë të fortë e të mbajë një tufë njerëzish me rrogë, e të ketë veton e pushtetit. Se kështu ishte marrëveshja në 2005, dhe ai e respektoi, punë tjetër se u ngatërrua Ilir Meta me Fatos Nanon dhe Edi Ramën në një ménage a trois socialiste të spikatur ku ia futën të gjithë njëri-tjetrit dhe fitimtar doli vetëm Saliu.  Këta zotërinjtë gangsterra ia fitojnë zgjedhjet me zori si në vitin 1996 se nuk janë zare por ‘koca’ burra që kanë mbrapa edhe ca vrasës  që flejnë me sytë hapur e me gishtin në këmbëz, e që edhe makaronat I hanë me thikë pa i prerë (këtë e kanë mësuar në burg në Itali e në Greqi por nejse).

Saliu nuk e don këtë, por nuk ka zgjidhje. Kë do të vejë kandidat në Tropojë? Po në Peqin? Po në Vlorë? Në Lac? Në Lazarat? Lista është e gjatë. Aty nuk vë dot Aldo Bumcin e Keltis Krujën, Edit Harxhin dhe Elvana Hanën. Aty të vjen një “koqe plumbi” nga se pret. Dhe pastaj ka Arben Imamin, Ed Selamin, Genc Pollon, Tritan Shehun, etc. Këta janë përdorur si lecka, por edhe lecka shkyhet duke u fërkuar për dysheme. Pragmatizmi i tepruar ka vënë këta tek semafori i Saliut, por po u fikën dritat, nuk dihet se cka ndodh, sepse të gjithë këta kanë shumë ustallarë, dhe shumë urrejtje për cka janë detyruar të bëjnë.

Nga ana tjetër janë vendorët dhe këtu përfshihen të gjithë kategoritë e njerëzve, që nga pjestarët e klanit të Trustit të Gështenjave, tek berishistët e flaktë, tek ata që ai i ka bërë të lyejnë duart me gjak, tek ata që i ka bërë të vjedhin për të, të poshtërojnë të tjerët për të, tek kriminelët e lindur, tek militantët PD-istë që nuk njohin tjetër vec Saliut, tek klientët e biznesit, të frikësuarit e deri tek masa e madhe atyre që ende duan të luftojnë komunizmin. Shkërmoqja e PD-së është një ankth tjetër shumë shqetësues.

Ankthi i Familjes

Ankthi kryesor është familja. Me standartet katundare, familja e Saliut dhe farefisi janë ndër dyert e para të vendit. Mirëpo, djali është karabush, vajza është e zgjuar por jo për lojtare kryesore, rrethi i kushërinjve janë të djallëzuar por pa klasin e nevojshëm politik dhe disa edhe të pakënaqur, dhe krushqitë jo të besueshme. Ky është edhe ankthi kryesor i Saliut. Ai e din se peri këputet ku është më i hollë dhe kur të vijë dita, që ai e din se do të vijë, asgja që ka ndodhë nuk do të ketë më vlerë. Nuk dua t’i diskutoj këto gjëra më gjatë, por uk don shumë mend me kuptue se armiqtë e tij janë duke pritur rastin. Paria është një tufë hienash, që kur i kap uria hanë edhe njerëzit e vet.

Në vend të përfundimit

Sali Berisha ka qënë njeriu i duhur në vitin 1990, as kam pasur ndonjëherë e as kam ndonjë dyshim për këtë gjë. Atëherë ai duhej për të shpëtuar shqiptarët nga vetvetja dhe nga lufta civile dhe ne të tjerët duheshim sakrifikuar. Por taktika e tij është që të mbështetet tek të vetët dhe të bëhet problem që nuk duhet trazuar. Si thonte Haxhi Qamili, “Sa të kem Sharrën e Shijakun, nuk pyes për Berlinin.” Problemi është se Saliu duhet të mbajë bashkë një turmë që shkon në drejtime krejt të kundërta me njëri tjetrin. Kjo kërkon shumë zotësi dhe kohë.

Tashmë ai nuk ka rrugë tjetër vecse të mbajë shqiptarët në luftë civile e ti vejë të përplasen ndërmjet vetes. Dhe në politikë njerëzit nuk motivohen aq nga dashuria për të tjerët se sa nga frika për gjërat që i kanë të dashura e të shtrenjta. Të gjithë makthet e tjera të Saliut janë të lidhura me familjen. Por, ai e din mirë se tashmë ai vetë është një makth për shumë prej shqiptarëve.  Si një pjesë e parisë, si një nga udhëheqësit e saj, anipse i përdorur dhe i abuzuar keq nga pala tjetër, Saliu do të mundohet të hedhë vallen e tij deri në fund, e si ka thanë Gjergj Mullaga, “fundi daltë hajr,” për shqiptarët.

 

 

5 thoughts on “ZGJEDHJET DHE MAKTHET E SALI BERISHËS

  1. Ne hapesiren shqiptare kur flitet per nderkombetaret, duket sikur ka nje lidhje te drejtperdrejt Shqiperi-Bote, ku Shqiperia eshte nje ishull ne mes te Paqesorit.

    Mirepo, Shqiperia eshte ne Ballkan dhe do te vleresohet per ate çka perfaqeson brenda konjuktures ballkanike dhe veçanerisht per problemet ne Kosove e Maqedoni.

    Destabilizimi i 1997-s, pati si rrjedhoje armatosjen e UCK-se nga nje ane dhe nxitjen e Serbise per spastrim nga ana tjeter, meqenese si tha Milosheviçi, kufirin me Shqiperine e garantoj me shoqaten e gjuetareve te Nishit.

    Ne kushtet kur bisedimet Prishtine-Beograd deshtuan, vemendja nderkombetare ndaj Shqiperise, nuk ka edhe aq lidhje me kush i fiton zgjedhjet, Baka apo Zeka, warlord-i x apo warlord-i y, por me ruajtjen e stabilitetit ne Shqiperi, sepse nje destabilizim do te jepte efekte ne raundin tjeter te bisedimeve Prishtine-Beograd.

    Arvizu vertet foli kunder Berishes per çeshtjen e KQZ-se, por ne asnje rast Arvizu nuk ka deshmuar te jete pro-Rames, ne kuptimin shqiptar te te qenit pro ketij apo atij. Pra, Arvizu nuk jep shenja per nje preference amerikane ndaj Rames.

    Ne kete pike do spekulloja se Arvizu duke mbajtur qendrim te paqarte pro-, angazhohet vetem per te qetesuar ujerat duke dhene imazhin se Amerika interesohet drejtperdrejti per mbarevajtjen e puneve, prandaj rrini te qete.

  2. Miredita Profesor, une do shtoja edhe makthin e antiplumbit qe mban veshur kudo, nje makth qe ia ben pushtetin te domosdoshem, me shume sesa Berluskonit makthi i gjyqeve per korrupsion.

    Kam pershtypjen se Pakti nuk u analizua askund nga pikepamja se kur morali azerohet nga te gjitha palet, fjala i ngel me te fortit e ne nje vend ku gjithe pushtetet i ka mbledhur nje person, me i forti nuk eshte ai qe ka ligjin e numrat elektorale me vete, por pikerisht ai qe ka gjithe pushtetet.

    Tani qe Shqiperia u deklarua nga te gjitha palet ‘hapesire anarkike’, perfshire nderkombetaret qe i dhane bekimin Paktit, Berisha do te kete me pak komplekse te perdore forcen.

    Loja e nderkombetareve ka per qellim stabilitetin e jo demokracine, prandaj kam frike se edhe ata do i thone derrit daje, nqs Berisha arrin ta garantoje stabilitetin edhe me force.

    Per fat te keq, kur synimi i vertete nderkombetar eshte stabiliteti, atehere do te thote qe jane vete nderkombetaret, te paret qe e shohin Shqiperine si hapesire anarkike dhe veprojne rrjedhimisht.

    Mos te harrojme se Internacionalja socialiste u be kumbara e Paktit e ata te Internacionales hyjne tek nderkombetaret.

    • Hyllin, ke te drejte edhe kete edhe per pjesen tjeter te shkrimit tend. Stabiliteti merr gjithnje perparesi. Mendoj se Internacionalja socialiste u perdor si gjethe e fikut. thjesht per ti hedhur hi syve popullit. atyre iu duhej nje justifikim dhe e gjeten tek ftesa qe iu bene ketyre. Ne lidhje me Amb. Arvizu ai po mbron parimet, as Ramen e as Berishen. jemi ne nje linje. dhe tash e mbrapa flasim me emer te pervecem.

      • Kjo perparesi nderkombetare e stabilitetit ndaj demokracise i ngadaleson shume hapat e progresit ne vend.
        Kam pershtypjen se Berisha e ka luajtur dhe vazhdon ta luaje shume mire kete karte ne favor te pushtetit te vet dhe ne dem te shqiptareve.

        Karta e stabilitetit nuk eshte e re ne anet tona, sepse e kane luajtur vazhdimisht edhe bejleret e bajraktaret ne marredheniet me Porten e Larte. Nqs nuk realizonin ambiciet e tyre personale nxisnin trazira e kryengritje, te cilat i kushtonin Portes se Larte me shume sesa kostot e ofiqeve.

        Tipologjia e politikanit te suksesshem ne Shqiperi lidhet me metodat bizantino-otomane, qe vazhduan pas Pavaresise e u pervetesuan pjeserisht nga komunizmi e tashme vazhdojme t’i kemi peshqesh prej trashegimtareve te komunizmit.

        Ne kushtet e sotme kur Amerika po perqendrohet ne Lindjen e Largme, me siguri nuk ka asnje interes qe te humbase ndonje pozicion ne Ballkan nga nje destabilizim i mundshem i Shqiperise.

        Me kete nenkuptoj qe ne bisedimet Prishtine-Beograd, ku Amerika padyshim ka investimet e veta pro-Prishtine per te mbrojtur, nje paqendrueshmeri e Shqiperise, do dobesonte shume imazhin e shqiptareve si komb qe s’di as te beje shtet dhe as te rroje ne paqe, keshtu do i jepte dore serbeve e filoserbeve europiane te kerkonin me shume ne Kosove.

        Ne te njejten logjike gjendet, per mendimin tim, edhe presioni i drejtperdrejt amerikan ndaj pseudonacionalizmit te Sales, sepse jepej imazhi qe shqiptaret nuk duan te rrojne ne paqe, me kufijte e percaktuar, rrjedhimisht serbet e Kosoves dilnin me nevoja urgjente mbrotjeje, çka do perkthehej ne leshime qe demtojne investimet amerikane pro-Prishtine, dmth pozicionet amerikane ne Ballkan.

        Sala e luajti karten e stabilitetit dhe me sukses sepse Amerika e harroi fare çeshtjen e drejtesise per 21 Janarin, duke e lene per ne kalendat greke.

        Frika ime eshte se mos perparesia e stabilitetit e shtyn Salen te mendoje se i mjafton qe t’u demostroje amerikaneve se e mban vendin nen kontroll te plote, qe ata te mbyllin nje sy ndaj vjedhjes se votes e ndonje krimi shteteror.

        Stabiliteti eshte koncept shume i rrezikshem kur bie ne dore te personave si Berisha, aq me teper kur dihet se demokracia eshte sistem shume me i brishte se autokracia ne ruajtjen e stabilitetit.

        Nejse se me duket dola jashte teme🙂

        • Hyllin, stabiliteti eshte i rendesishem. dhe sjellja e parise sone nuk eshte fort e ndryshme nga ajo e kohes se Osmaneve, ke te drejte. nuk ke dale jashte teme por eshte nje teme qe duhet debatuar. mire do te ishte te beje shkrimet tuaja per keto tema.

Comments are closed.