GRID RROJI: FARSA E KQZ-SË DHE PAKTI I PARISË SË TIRANËS

Tërheqja “me vullnet të lirë” e anëtarëve të PS-së nga KQZ-ja, “ngrirja” e anëtarit të PBDNJ-së, reagimi i vrullshëm i mazhorancës duke dërguar mesazhe me lesh e ngjala, por edhe turravrapi i analistëve për të interpretuar çdo presje të Zv. Ndihmës Sekretarit Mur si ogur për palën përkatëse, janë shenja të qarta që e gjithë kjo zallamahia e KQZ-së është një komedi e madhe, apo siç quheshin njëherë e njëkohë një farsë.  Ngutja e palëve për të bërë sherr tregon edhe një herë se marrëveshja është bërë, ajo po funksionon dhe ajo çka po përjetojmë tani është ribërja e detajeve të pazarit me anë të poshtërsive të vogla të të dyja palëve. Për t’a thënë në mënyrë popullore, hajnat pasi kanë vjedhur po i hakërrehen njëri tjetrit se kush meriton më shumë plaçkë.

Paria e ka bërë paktin e saj dhe tani palët pa kapen për bishti për kockat e vogla.Megjithëse mesazhi amerikan ka qenë i qartë dhe i qëndrueshëm, megjithëse ambasadorët e huaj kanë dalë me një zë, megjithëse çdo aktor me peshë është shprehur qartazi për detyrimin e parisë për të zhvilluar zgjedhje të lira, të ndershme, pa truke teknike të cilitdo lloj, dhe pa e tensionuar situatën, palët e parisë po shtiren sikur kanë autonomi veprimi. Më tej, ato po mundohen të fitojnë terren me anë të lëvizjesh dhe kundërlëvizjesh të cilat nuk e cënojnë thelbin e paktit, por krijojnë premisa për të qenë ata më të sigurtë.

Kësisoj, Edi Rama dhe Ilir Meta nuk i besojnë Sali Berishës megjithëse ai i ka garantuar se do e lëshojë pushtetin më 23 Qershor.  Ata po mundohen me çdo kusht që të garantojnë fitoren e tyre me anë të komisioneve zonale të numërimit (KZAZ) duke mos i lënë asnjë hapësirë ndonjë manipulimi të mundshëm nga Berisha. Sigurisht që me raportet aktuale të favorshme 4 me tre dhe 5 me 2 këta i garantojnë votat e veta, por ama jo të gjitha votat e shqiptarëve. Bie fjala, në qoftë se Aleanca Kuqezi nuk bën koalicion me Rametën, votat e saj do përfundojnë në kutitë e palëve të parisë ashtu si votat e LSI-së pa komisionerë më 2009ën. Pra, kryetarët e koalicionit të ngjalave kanë shumë “gojë” për të ushqyer dhe nuk mund të lejojnë që të ketë dyshime se kush do jetë në krye të ndërmarrjes shpërndarëse të të mirave publike. Çdo dyshim do të ishte fatal për shpresat e tyre për pushtet dhe shumë më tepër se sa aq. Klanet kriminale që i mbështesin dhe interesat okulte pas tyre nuk mund të pranojnë që “Berisha t’jua fusë përsëri”.  Për Edi Ramën një humbje tjetër do të vuloste përfundimisht opinionin se ai nuk ja del dot Berishës dhe do të shënonte fundin e tij politik. Ilir Meta është më komod sepse kostot kryesore i mban Rama, por kërkon të garantojë që votat e tij do t’i japin peshën maksimale të mundshme.

Nga ana e vet, Berisha nuk u beson garancive të Rametës për një kalim të butë në opozitë megjithëse kjo është pjesë e paktit. Ai është i kapur dhe tërësisht i varur nga klanet kriminale me të cilat ka qeverisur.  Klanet nuk kanë ndjeshmëri politike, ato kërkojnë plaçkë në formën e të mirave publike që kanë grabitur ashiqare nga shteti, dhe mbrojtje nga ligji të cilën ua jep lidhja me pushtetin. Po ashtu, klanet nuk jane vetëm në qendër por janë degëzuar në bazë. Klanet lokale tashmë kërkojnë pjesën e tyre dhe nuk i binden më verbërisht qendrës. Ndaj, për Berishën çështja e komisioneve të numërimit është qëndrore dhe e panegociueshme. Atij i duhen ato për t’i garantuar se do të ketë një numër të mjaftueshëm deputetësh për të bërë një opozitë të fortë apo në rastin më fatlum një qeveri të përbashkët.  Për këtë Berisha ka nevojë që të gjithë të besojnë se ka ende shanse për të fituar, dhe këto shanse varen nga kontrolli i proçesit zgjedhor.  Çdo dyshim i mbështetësve të vet në fitoren e tij të ardhshme mund të bëjë që ata të shohin tjetërkund për mbështetje dhe kjo do bënte që rezultati zgjedhor i PD-së të ishte aq minimal sa të mos i garantojë atij asgjë.

Arsyeja e dytë për farsën e turpshme që pamë në parlament  është  pozicioni i qartë dhe i njësuar i ndërkombëtarëve.  Ndonëse palët e parisë përdorin teknikat e njohura të interpretimit të veçuar të copëza dhe non sequitur(shqip interpretime kodra mbas bregut), pozicioni ndërkombëtar është i qartë në ruajtje të standarteve demokratike dhe stabilitetit të vendit. Paria nuk e ka luksin të kundërshtojë në realitet këshillat e partnerëve ndërkombëtarë sepse pa mbështetjen e tyre sistemi humbet legjitimitetin. Mungesa e sovranitetit të shtetit demonstrohet këtu me qartësi të madhe. Palët e parisë nuk arrijnë të krijojnë një klimë politike të shëndetshme për të promovuar interesat kombëtare, por kanë nevojë për një arbitër ndërkombëtar që tu vendosë kufirin tek thana.

Arsyeja e tretë që paria nuk mundet dhe nuk do t’a prishë paktin e ngjalave është frika që ajo ka nga kriza e thellë që ka kapluar ekonominë dhe shtetin. Palët e dinë se gjendja është katastrofike dhe kushdo që do qeverisë pas zgjedhjeve do përballet me probleme tepër të rënda e me zgjidhje të vështira. Zgjidhja optimale për t’i shpëtuar përgjegjësisë do të ishte një qeveri e përbashkët e shpëtimit kombëtar. Mirëpo, si Rametës ashtu edhe Berishës u duhet një thele e madhe për të kënaqur klientelën e tyre dhe me zvogëlimin e tortës nuk ka për të gjithë.

Kësisoj, lufta do bëhet për një fitore sado të ngushtë në mënyrë që fituesi (i cili sipas marrëveshjes duhet të jetë Rama) të ketë legjitimitetin për t’a mbajtur pushtetin. Një tjetër komplikim është fakti që askush nuk i beson askujt. Rama nuk është i bindur që Berisha është i gatshëm t’a lëshojë pushtetin edhe pse ka rënë dakord në tavolinë. Ai po ashtu nuk mund t’i besojë as Metës me të cilin ka histori të hershme. Meta nga ana e tij nuk mund t’i besojë Ramës dhe as Berishës të cilin e ka burgosur një herë. Për këto arsye i duhet një KQZ ku ai të ketë zë të fortë. Berisha nuk u beson asnjërit sepse nuk ka garanci që pakti e mbron atë dhe familjen e tij në rast humbjeje. Pra, megjithëse kanë rënë dakord dhe nuk kanë zgjidhje tjetër për të ruajtur sistemin, askush nuk i beson askujt.  Paria funksionon me kode mafjoze.

Mirëpo ndonëse interesat në lojë janë jetike për të dyja palët, interesi i përbashkët dikton që ruajtja e sistemit oligarkik është më e rëndësishme. Pa sistemin palët e dinë se loja do të ishte tjetër, interesat e qytetarëve do të kishin prioritet, dhe më e rëndësishmja vullneti i popullit mund t’i nxirrte të gjithë nga skena. Kjo do të ishte fatale jo vetëm për individë të caktuar të parisë por për shtresën e tërë.

Për t’a përfunduar, paria e ka bërë paktin e saj tresh. Ajo e ka mbyllur në gjykimin e vet lojën e zgjedhjeve të 23 Qershorit. Këto që po shohim tani janë farsat e radhës për t’i hedhur hi syve popullit por edhe për të përfituar një kockë më të madhe nga tava. Palët do mundohen t’a ruajnë sistemin deri në fund, të lejojnë rotacionin dhe daljen e butë në opozitë të Sali Berishës, por edhe të qetësojnë ndërkombëtarët të cilët i njohin mirë të gjithë prijatarët e parisë dhe e njohin papërgjegjshërinë e tyre. KQZ-ja do rifillojë punën, komisionet e numërimit do të funksionojnë si gjithmonë, dhe zgjedhjet do bëhen.

Mirëpo në gjithë këto llogari mungon vullneti i popullit. Asnjëra nga palët nuk shqetësohet t’a respektojë vullnetin e popullit jo vetëm sepse nuk e kanë bërë derimësot por edhe sepse i druhen atij. Por si kanë rrjedhur ngjarjet po duket se këtë herë populli e ka kuptuar se këta kanë bërë pakt mes tyre por edhe me djallin kundër popullit. E dreqin në kurriz askush nuk dëshiron t’a mbajë. Ndaj edhe kam bindjen se parisë i ka dalë loja prej duarsh. Këtë herë ajo nuk do arrijë të mashtrojë më shqiptarët me farsa mediatike të turpshme e as duke krijuar tym pa fund. Koha ka ardhur që populli shqiptar të shprehë vullnetin e vet sovran.  Ka ardhur koha për një fillim të ri.

Advertisements

SE NE NA KA NGORDHUR GOMARI DHE…

Kryetarja e Kuku-vendit me graden Doktor në fushën qytetare të drejtësisë iu tha deputeteve të Partisë Socialiste, një parti që nuk ka as ideologji e as vlera socialiste, përvec që janë një grup kompakt ujqish të vjetër që janë socialistë sepse duan të vjedhin shtetin:  “Ju do shkoni per lesh!” Puna e leshit shkaktoj krizën politike të ditës.

Dhe, mozomakeq, plasi sherri ne Kukuvend! Ata, zotni deputetët qe u informuan se do te shkonin per lesh filluan te merziten fort e te shajne kryetaren e nderuar me gradën Doktor në fushën qytetare të drejtësisë për përdorimin e një shprehjeje të tillë blegtorale.

Po si nuk u cua kush me pyete se per cfare leshi bahej fjale? Si nuk pyet kush se si e dinte kete punen e leshit kjo zonja e nderuar? A ishte lesh a pelice, postiqe dhie, dele rude, apo qime derri? Se ndoshta duhet te pyesim Muci Pucin si e ka leshin Dhia e Skraparit dhe per cfare behet fjale në këtë rast. Ndoshta ia ka nise këtë argumentin e leshit me SMS ai zotni Burri-Shefi që e mban mend nga koha e rinisë së parë se si rruheshin bagëtitë e si shkohej për lesh në Vicidol.

More, mos e kishte me vetë deputetet? Po a u foli edhe ketyre ketyre qe iu kane ra floket? Ketyre qe e rruajne koken? A mos e kishte me Profesor Doktor Kastriot Islamin qe ne syte e opozites u be me i zi e me me lesh që diten qe u lidh me Salen? Sepse kishte shumë vetë që nuk e vunë re, por  Profesor Doktor Kastriot Islami ishte i parruar atë ditë që votoi me Saliun. Dhe Deputeti Bizhga nuk i ra atij por i ra tavolinës sepse pati frikë se po e gërvishte dorën në faqen me gjemba të zezë të Profesor Doktor Kastriot Islamit. Sa për me i ra Gjovalinit e Asllanit nuk bëhej fjalë se këta të nisin në botën tjetër. Nejse.

Se me e dite punen e leshit nuk eshte pak. Ne shtetin shqiptar te bejne doktor profesor ba me e dite punen e leshit, në botën e huaj edhe më shumë se aq. Leshi është shumë i rëndësishëm. Jeton një shtet me lesh, Zelanda e Re. Kjo eshte Kryetarja e Kukuvendit e duhet njohje e thelle profesionale me fole per leshin e si shkohet për lesh ne Foltoren e Kombit. Sepse ne jemi kombi që prodhon shumë lekurë (zëri me rritjen më të lartë në eksportet e vitit) dhe shumë pak lesh. Sepse ne, leshin që përdorim e marrim nga jashtë shtetit.

Mirëpo, duke gjykuar nga klithmat e platese dhe revoltimi i zotni deputeteve jam i bindur se te dy palet mendojne se Kryetarja e Kuku-vendit iu tha edhe ketyre nje mesazh sekret qe ketyre iu djeg fort.

Mbas shume mendimeve, fillova te mendoj se si do t’ua perkthejne te huajve kete shprehje… Ja ne Anglisht me Google translator.. (you will go for fur). Nuk shkon.

Ne fund thashe, po bej si Profesor Doktor Edmond Tupja. Hapa Fjalorin e Gjuhes Shqipe te vitit 1981 dhe pashe se shprehja “shkoi per lesh” kishte edhe nje pjese te dyte… “dhe u kthye i qethur.” Aha! Me një fjalë, kjo iu tha atyre, me gjuhën e saj dhe të tyre, edhe të atij zotni Burri-Shefit sepse këta duhet të flasin një gjuhë që të kuptojnë njëri-tjetrin, që deshët më shumë se iu takon dhe nuk do ta merrni, sepse kështu e kishim marrëveshjen dhe ju e shkelët.

Ky mërgimi të ban me folë me vete. Pra, kryetarja e Kukuvendit po perdorte një shprehje katundare që e kupton mirë, që ia kishte thënë ai zotni katundari tjetër fisnik, me ua thanë këtyre zotni katundarëve të tjerë që e dinë se si shkohet për lesh. Sepse Pakti i 1 Prillit duhet te respektohet e jo te hidhen vickla, sepse ashtu mandej shkohet per lesh. kete mesazh e thote kjo sepse vjen nga kumbari i Paktit. Cuna, mos u beni arriviste, keshtu e patem pazarin, me rrove te rrova brisku i berberit. ndryshe ju do shkoni per lesh.

Prandaj edhe plasi sherri sepse të gjithë e dinin kuptimin. Mua të shkretit m’u desh me hapë fjalorin. Mirë që ne na ka ngordhur gomari, e këta grinden për punën e leshit, po si nuk flet kush për cmimin. Eh, cmimin do ta paguajmë ne shqiptarët, sepse këta rrahen e shahen por për lesh duket se na kanë nisur ne.