Pushteti i gjendjes në të cilën ndodhet është i jashtëzakonshëm mbi gjendjen mendore të individit dhe të gjithë shoqërisë. Literatura është e mbushur me raste kur njerëz sidokudo janë vënë në pozicione kyce dhe janë sjellë sikur të ishin të lindur për atë punë. Vishe hajnin polic dhe bëhet më i ligjshëm dhe më i ndershëm se të tjerët. Fute tjetrin në burg dhe si që është njëriu më normal e humbet krejt dinjitetin.
Pushteti i gjendjes ku ndodhet mbi sjelljen e individëve të ndryshëm është i frikshëm. Individët tjetërsohen, e humbin nderin e dinjitetin dhe shfaqin sjellje që në shoqëritë normale janë patologjike. Në shoqëri që janë të izoluara, sic kemi qënë ne gjatë kohës së sundimit të Enver Hoxhës, dhe krejtësisht të mashtruar dhe të manipuluar, sic jemi tani nën sundimin e jenicereve, bashibozukëve dhe martallozëve të Enver Hoxhës këto patologji bëhen karakteristikat themelore që përcaktojnë fatin e gjithë shoqërisë.
Për ta kuptuar më mirë gjendjen dhe pushtetin e gjendjes mbi psikikën e mendësinë e individëve dhe të shoqërisë do të krahasoj Eksperimentin e Burgut të Stanfordit me Eksperimentin e Marrëzisë Kolektive që është luajtur e që luhet pa ndërprerje mbi shqiptarët qysh nga viti 1944 e vecanerisht gjatë Tranzicionit. Sepse, në mos tjetër tani jemi në një pikë kritike dhe nuk duhet të bëjmë të njëjtat gabime.
Eksperimenti i Burgut të Stanfordit
Eksperimenti u zhvillua nga disa profesorë të Universitetit të Stanford të drejtuar nga profesor Zimbardo. Ky eksperiment njihet në literaturë si Eksperimenti i Burgut të Stanfordit. Për ata që duan ta ndjekin si u zhvillua lidhja është këtu: http://ëëë.prisonexp.org/.
Duke i marrë studentët dhe duke i lënë që të zgjidhnin vullnetarisht ose rolin e të burgosurit, ose atë të gardianit, dhe duke u bërë vetë drejtori i burgut, professor Zimbardo dhe të tjerët shpresonin që të studjonin ndryshimin e sjelljes në varësi të roleve që merr individi. Pyetja që i bënë vetes profesorët ishte se cka ndodh kur i merr njerëzit e mirë e normal dhe i vë në një gjendje të keqe dhe anormale?
Nuk kishte më asnjë autoritet. Gjithkush ishte më vete. Mendimi ishte që studentët të rrinin në atë gjendje për nja dy javë. Dhe rezultati, edhe vetëm mbas tre ditësh e tmerroi profesorin që po bënte eksperimentin. Sepse ai vërejti se studentët i morën seriozisht rolet dhe duke luajtur rolet filluan të shfaqnin patologji sjelljesh, që e llahtarisën profesorin. Dy prej studentëve që nuk duronin dot më e lanë eksperimentin që në ditën e dytë. Studentët filluan të silleshin në menyrë iracionale, filluan të kishin ankthe e shqetësime mendore, dhe, ata që ishin të burgosur e të pafuqishëm filluan të tjetërsohen komplet. Në burgun imagjinar ndodhën rebelime dhe kundërvënia e gardianëve ishte e furishme. Ata që u bënë gardianë u bënë sadist e të pamëshirshëm, të dhunshëm dhe abuzivë. Disa të burgosur u bënë hafije dhe të tjerët filluan të kishin ankthe. Ata që ishin të burgosur filluan të humbnin mendjen dhe demonstronin shenja të një shtresi të jashtëzakonshëm. Mbas gjashtë ditësh ky eksperiment u ndërpre. Por mësimi që u nxor prej këtij eksperimenti ishte shumë i thjeshtë. Gjendja në të cilën vendoset personi përcakton edhe mënyrën e sjelljes së tij. Natyra njerëzore është shumë e formësueshme, lehtësisht e formësueshme dhe prandaj duhet bërë shumë kujdes që të mos krijohen gjendje që me lehtësi i deformojnë njerëzit dhe i bëjnë të sillen sit ë marrë ose si kriminelë.
Eksperimenti i Marrezise Kolektive
Nga viti 1944 e deri në vitin 1990, të gjithë ne ishim në burg. Edhe unë edhe shumë të tjerë që tani janë në politikë kemi lindur në një burg të tillë. NUk kemi njohur tjetër, ai burg ka kenë shteti i jonë, shoqëria e jonë. Në izolimin dhe në marrëzinë e një cmenduri diabetik e diabolik si Enver Hoxha, të gjithë jemi tjetërsuar e deformuar. Të gjithë e kemi humbur të paktën një shkallë njerëzillëku e normaliteti. Nuk ka rëndësi se si e fshehim, por e kemi një plagë që nuk do të mbyllet asnjëherë sepse kemi qënë të përdoruar, të deformuar, të shformuar. Gardianët, Partia, Sigurimi, Blloku, së bashku me disa të burgosur, intelektualët, profesorët e doktorët, na abuzonin si donin. Këta na bindën se bota nuk funksiononte pa ne, se ishim fanari I socializmit, se bar do të hanim e parimet nuk do ti shkelnim, se patatja ishte edhe bukë edhe gjellë. Këta na kontrollonin ditë e natë. Këta na mbajtën skllevër, edhe kur vetë dilnin nga burgu e shkonin në Francë e vinin mbrapa na tregonin se sa mirë ishim ne në burgun e marrëzisë kolektive. Katundari pinte ujë me sheqer e hapte kanalin. Punëtori hante bukë me djathë e hidhte betonin për bunker. Këta shkonin jashtë shtetit. Mesonin. Morën diploma. U bënë njerëz. Ne skllevër se skllevër. Dhe ne e hëngrëm njeri tjetrin, e tash këta gardianët e të burgosurit që iu shërbenin atyre na thonë se këta ishim në, plehra që spiunuam e dënuam njëri tjetrin. Se, këta, bijtë e zagarët e Bllokut, I kanë duart e lara. Se ne e hëngrëm njëri tjetrin për një kafshatë bukë e këta u tallën kaq keq me ne. Po cka kemi ditë ne? Cka din njeriu që është në burg se ka diell e dritë?
Eksperimenti i Tranzicionit Shqiptar
Problemi është se në vitin 1990, kur burgu duhej të shpërthehej, dhe kur njerëzit u rebeluan, se vjen një kohë që thika të shkon në palc, këta intelektualët e shquar, që në fund të fundit ishin vegla të tyre, të gardianëve të Bllokut, të jenicerëve të Enver Hoxhës, por që vinin e rrinin “gju më gju” me ne, dhe formalisht ishin të burgosur si ne, na ndrynë me marifet edhe një herë në burgun ku ishim dhe na thanë: “Ne nuk jemi si ata!” E ardhmja e juaj do të jetë e ndritur por hyni edhe një herë këtu e do ju nxjerrim ne, sa të bëhen punët mirë!
Eh, unë e kam ditur dhe e kam thënë… unë dhe shokët e mi u kemi thënë se këta do ju skllavërojnë. Por shumë ju besuan dhe si ata dy studentët ne eksperimentin e Stanfordit ne ikëm vetë dhe ende na dhembin plagët nga gurët që na i kanë plasur kokës njerëzit që na urryen edhe pse i deshëm më shumë se jetën. Ju ju thanë se burgun do ta bëjnë parajsë. Dhe njerëzit ju besuan. Ju thanë njerëzve se do të kishte shpëtim e lumturi edhe për ata. Dhe ata ju besuan. Ju thanë njerëzve se do të hyjmë në Europë, se do të jenë të lumtur, se do të ju ruajnë nderin, pasurinë e jetën. E njerëzit iu besuan. Iu thanë njerëzve se do të shkojë haka tek i zoti. Se do të kishte edhe për të varfërit e të mjerët. Dhe njerëzit iu besuan. Edhe kur i zhdukën paratë e jetën e njerëzve si me piramidat, me pronat, me mërgimin, me 1997, me Gërdecin, me shitjen e pasurisë kombëtare, me vjedhjen, njerëzit prapë iu besuan. Edhe kur i lëshuan bandat e tyre mbi kurriz njerëzit iu besuan. Deri kur ma?
Sepse dallimi midis Eksperimentit të Burgut të Stanfordit dhe Eksperimentit të Tranzicionit shqiptar është tek gjendja. Atje ishin pak njerëz. Ne jemi një komb. Atje ishin vullnetarë. Këta kriminelët e gjarpërinjtë tanë na kanë kapur për fyti. Atje e ndali dikush eksperimentin e këtu nuk ka kush. Edhe pse jemi vetëm një grusht njerëzish që e themi të vërtetën, ata që janë ndrye në Burg, në Rrethin e Ferrit Shqiptar, nuk duen me besue, nuk duen me dëgjue. Realiteti absurd ku jetojnë e ku i ka ndrye ajo paria e vjetër, gardianët e burgut, së bashku me veglat e saj të dikurshme, tash pjesë e saj, intelektualët, I bind që ne flasim kot e nuk dimë se cfarë jemi duke thënë. Nga realiteti i marrëzisë kolektive dhe anormale shqiptare, ne jemi absurdi dhe marrëzia. Dhe këtë mesazh përcjellin ditë e natë të gjithë veglat e parisë sunduese të Tiranës, komentatorët, mendimtarët, spiunet e vjetër e të rinj, profesorët që shesin gjithcka…. Këta kanë përdorur gjendjen, që po vetë e kanë krijuar për të na tjetërsuar, për të nxjerrë më të keqen nga fundi i shpirtit tonë dhe për të na bërë skllevërit modernë, të kohëve moderne të shpirtit të tyre prej gjarpërinjsh e të zi si bloza.
Në Vend Të Përfundimit
Për ata që kanë sy me pa e veshë me dëgjue, Pakti i 1 Prillit e ka traguar qartë edhe tash, 23 vjet më vonë, shqiptarët janë në një burg gjigand. Gardianët e djeshëm janë pronarët e sotshëm. Si edhe e tregoi Pakti i 1 Prillit, këta ishin shërbëtorët e gardianëve të djeshëm dhe sot këta janë gardianët e rinj. Këta duan të na mbajnë skllevër e të burgosur. Nuk ka më asnjë iluzion. Paria e Tiranës ia ka arritur që të paralizojë shoqërinë deri në atë pikë sa reagimi popullor duket krejtësisht i pamundshëm. Nga cdo nivel që ta shohesh, shoqëria shqiptare duket sikur është e pajtuar me gjendjen dhe se ne që flasim se gjendja nuk është normale, jemi një pakicë e papërfillshme dhe një zë në shkretinë. Por ne jemi ata që dimë, sepse për ata që kanë shumë kuriozitet, edhe ne e kemi bërë shkollën e djallit, por për t’iu shërbyer njerëzve tanë e jo dreqit e të birit, gardianëve të djeshëm e të sotëm të burgut të Marrëzisë Kolektive shqiptare, tranzicionit shqiptar.