Home » ANALISTE TE FTUAR » ARTIAN GJATAJ: PLUMBAT ME LETER DHE FIGURE: MEDIA, POLITIKA DHE BIZNESI

ARTIAN GJATAJ: PLUMBAT ME LETER DHE FIGURE: MEDIA, POLITIKA DHE BIZNESI

Në Shqipëri janë hedhur me miliarda dollarë për të krijuar për një media të mirëfilltë për kushtet dhe situatën, pra për ta bërë një media të mirë, por po aq miliarda dollarë janë hedhur që ajo të prishet. E në këtë luftë miliardash për mediat shqiptare, ka fituar pjesa e dytë, pra miliardat për ta bërë sa më keq të jetë e mundur median dhe mediatikët shqiptarë. Prandaj ka ardhur në ditët e sotme, që media i përulet parave dhe politikës, ajo është bërë njësoj si politika, nuk i intereson qytetari apo e mira publike, në funksion të miliardave që ka për fituar ajo luan me qytetarin dhe me të mirën publike. 
Gazetat më të mëdha në vend aktualisht i përkasin qeverisë, gazetat me pak financime i përkasin opozitës, ky raport ka për të ndryshuar në momentet që ndryshon pushteti politik. 
Gazeta Panorama, e grupit te Hysenbellijve, krerët e të cilëve kanë vetëm edukim ushtarak, nga ata ushtarakët që nxirrte koha e Enver Hoxhës. Kanë në pronësi gjithçka që duhet të ketë një biznesmen, që nga birra, te pallatet e shumtë, te minierat, te supermarket, te bizneset e ligjshme dhe të paligjshme. Së fundmi ata u akuzuan direkt për ushtrim presion qeveritar dhe mediatik ndaj një njeriu të afërt të Berishës, që ishte me funksion kryepolic në Dibër, Shemsi Premçi, i cili në një deklaratë të tij i akuzon këtë klan si mafian e kromit. Por normalisht Berisha pranon Hysenbellijtë dhe jo një berishian të revoltuar. Politikën në këtë gazetë tejet limonadë s’guxon ta bëjë gazetari apo kryeredatori, pasi shefi i madh i merr në telefon për të lexuar titujt e nesërm dhe nëse ndonjë nuk i pëlqen këtyre ushtarakëve, sigurisht që duhet të hiqet. Gojët e këqija flasin se këto farë ushtarakësh të edukuar në kohën e Enver Hoxhës, njëri me gradën kapter dhe tjetri oficer, drejtorin e Panoramës e kanë bërë dhe aksioner.

Në një raport të IREX të vitit 2012 lexojmë se këta zotërinjtë blenë po në këtë vit Gazetën Shqiptare, vetëm e vetëm për ta vënë në shërbim të qeverisë. Por për këtë gazetë thuhet se u bë një luftë e madhe se kush ta merte, opozita apo mazhoranca. Skraparlliu i rilindur së fundmi kërkoi ta blinte me kuç e me maç këtë media, së bashku me degët e saj, televizionin Neës 24 dhe ca zgjatime të pavlera për këtë grup. Por Meta nuk futi dorën në xhep vetë për ta blerë. Kështu që dorën në xhep e futën Hysenbellijtë dhe Artan Santo, drejtori i një banke me kapital të çuditshëm. Them të çuditshëm se sërish gojët e liga flasin për një ndarje aksionesh mes Santos dhe që Argita Berisha ka një pjesë të mirë të këtyre aksioneve. Ndoshta Berisha ua lejoi ‘futjen dorën në xhep’ edhe pse si kompani, Hysenbellijtë janë deri në fyt me borxhe të pashlyera, disa herë bankat e nivelit të dytë kanë dashur ta penalizojnë këtë njeri që ka aq shumë pushtet me median e tij, por asnjëherë s’kanë arritur ta bëjnë një gjë të tillë. Hysenbellijtë kanë aksione së bashku me Argitën në një supermarket në dalje të Tiranës, pikërisht te rruga që të çon në Elbasan. Atje Berisha ka çuar rrugë, sepse aty pranë është një fshat rezidencial ku ‘pushojnë kockat’ nga lodhja e madhe një pjesë e ministrave aktualë, përfshi këtu ekonomistin disident, ministrin Genc Ruli, por edhe një pjesë e mirë e kokave të ‘Klanit’ të ri dhe atij të vjetrit. Pra Hysenbellijtë blejnë një media dhe që nga momenti që e kanë blerë, që nga një media opozitare, pra që i përkiste dhe i shërbente me ideologji Edi Ramës, kaloi në një media pranë pushtetit. Nuk kemi parë të kritikohet, sa për snobizëm de, Lulzim Basha, kryetari aktual i bashkisë së Tiranës. Thua të jenë lekët edhe të Lulit në atë media, apo Luli po i rregullon bingot e lotot, që ta zhvasin më shumë shoqërinë shqiptare, apo Luli është çun i mirë dhe të jep leje ndërtimi ku nuk mund të ndërtosh, por edhe të lë një barakë te rruga Murat Toptani për të shitur qofte dhe birrë Korçe në kohë festash për të turbulluar mendjet e të rinjve që kjo është jeta moderne.

Po pse Edi Rama sakrifikoi një gazetë të tillë? Pse e bëri një gjë të tillë në një moment që kjo media, duke qenë se u reshtua në të gjitha aksionet pro Ramës, që nga koha që ishte kryebashkiak i suksesshëm e deri te koha kur u bë kryetar partie i dështuar. Në këtë gazetë për zotin Rama kemi lexuar nga të gjitha historitë, deri edhe faktin se sa human është ky njeri, që i ka marrë ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën e tij dhe i ka dhënë edhe një apartament, për t’i ndihmuar pasi ishin keq ekonomikisht dhe jetonin në emigracion, Greqi, duke bërë kuti ambalazhesh. Pra, pse nuk e bleu një gazetë të tillë, që ishte me të vërtetë e tij? Pse biznesmenët që ka përreth nuk e bënë këtë sakrificë, se thonë se Edi Rama është si shoku i vet Spartak Ngjela, nuk nxjerr para prej xhepi as për një kafe? Apo pronarët e mëparshëm italianë, panë të Hysenbellijtë biznesmenë të stofit të tyre? Meta nuk pranoi ta blinte, edhe pse në stafin e LSI-së ishin caktuar dhe kush do të jetë kryeredaktori i televizionit, drejtori i madh i gazetës, kryeredaktori i gazetës. Në momentin e shitjes së GSH-së pranë Hysebellijve të gjithë ata që mbahen për analistë, pëshpëritën me njëri-tjetrin se nuk ishte parë ndonjëherë një kompani që ka një gazetë politike të blejë edhe një tjetër, së bashku me televizion. 
Kjo gazetë u shit, se pranuan pronarët italianë të bëhej kështu, por liluputët që kishin bërë këtë gazetë, që ruaje zot t’u shkojë në vesh që janë quajtur Liliputë, bënë një gazetë tjetër Shqiptarja.com, për t’ia vënë sërish Ramës në shërbim. Edhe pse pronari aktual është ish-drejtori i GSH, Carlo Bollino bashkë me gruan e tij dhe një kryeredaktore një që e ka pasur po në GSH, nuk dihet se kush e ushqen gazetën. Në bashkëpunim me Koçon e madh të medias, mediologun e gazetave të dështuara, bleu dhe televizionin A1 report dhe që andej përhapin përmasën e lirisë që ndriçon. Edhe kjo gazetë po pret ardhjen në pushtet të Ramës që të fitojë pastaj tenderat, projektet, e s’e di se çfarë, që më në fund edhe pas tetë vitesh në opozitë edhe këta njerëz të medias të shohin një ditë të qetë dhe të pasur me pasuri. Mos të harrojmë ishte ndër mediat e para elektronike, e shtypur dhe e pashtypur që justifikoi koalicionin Rama-Meta, pasi kishte pështyrë gjak ndaj Metës në momentin kur ky u bashkua me Berishën. Në një shtet demokratik normal, qoftë edhe në Bullgari, ku shumë studentë shqiptarë shkojnë për të ndjekur studimet për t’u bërë gazetarë, në momentin që një gazetë bëri atë që bëri Shqiptarja.com me zbardhjen e dosjes hetimore të Ardian Përrenjasit, do ishte gjobitur me patjetër dhe përgjegjësi kryesorë (tani e ndajnë ata që janë përgjegjësit, që zakonisht në këto raste e ha ndonjë gazetarë i pafajshëm) do ishe gjobitur dhe ashtu si lojtarët e futbollit, do ishte dënuar me disa ndeshje mos paraqitje në fushat e blerta. Por një gjë e tillë nuk ndodhi, madje drejtorja e kësaj gazete është shumë e lumtur që ka bërë një hap të tillë. Çifti Bolino kanë një vajzë që për më tepër e nxjerrin edhe në fotot e FB, por do zoti që kur të rritet ajo vajzë mos të lexojë se çfarë është shkruar në gazetën e mamit dhe të babit.

Gazeta Tema, është shembulli tipit i keqpërdorimit të pushtetit jo vetëm të medias por edhe atë politik. Në ëeb-in e saj ajo i kërkon ndihmë, emigrantëve besoj, se Mero Baze e di që shqiptarët nuk kanë, për ta ndihmuar se media e tij po përballet me nervat e Berishës. Deri në 2005 Mero Baze e vuri në shërbim median, gazetën, por edhe atë vetë në shërbim të Berishës, shërbim klientelist deri në verbim. Mero Baze, tani që vajton se Berisha po e prish me ndërkombëtarët, ishte njeriu që shkroi një libër kundër ndikimit të amerikanëve dhe të diplomatëve të saj në krizën e 1996-1997, sigurisht diçka e diktuar nga Berisha, por zakonisht, duke i parë dhe editorialet aq mirë të qepura dhe të qëndisura, thua se nuk e ka bërë as librin e parë as të dytin vetëm me diktatin e dikujt. Në 2005 Baze e humbi mandatin e PD-së në Durrës, pra Berisha e shpërbleu për punën e bërë. Por pas 2009 ai i prishi punët me Berishën, nuk dihet fare arsyet e vërteta, Meroja tregon të tiat dhe Berisha të tiat, askush nuk tha se pse u prishën. Ndoshta Meroja, duke qenë politikan e zileqar, do i kishte pëlqyer një jetë si ajo e Ylli Rakipit, ish-drejtorit të gazetës Albania, edhe kjo gazetë e Berishës, që më pas u mbyll me turp në kohën e Ramës, pasi i shërbeu disa vite. Gojët e liga atje te LSI-ja, ku ka pasur qendrën e Temës Meroja, por pak më tutje dhe Rakipi, thonë se ky i fundit, si drejtor i një gazete të madhe, edhe si kryetar i një shoqate gazetarësh, ndërtoi një pallat me bekimin e Ramës, me gjysmën e parave të Ramës dhe po e administron për llogari të vetën dhe të Ramës. Pallati i zotit Rakipi është ndërtuar në një tokë publike, pronarët e të cilit, sipas lësëistëve, banonin në një barakë pikërisht te ajo shtëpia për rininë, që e përdorte Enver Hoxha për të shpërlarë trurin rinisë socialiste. Tashmë Ylli Rakipi, që nuk na del as të na japë mend, është bërë një vrapues i rregullt në Kodrat e Liqenit, nuk i duhet më gazeta, mbase mban ende atë shoqatë, që thonë se ka përfituar shumë projekte jo vetëm nga organizmat shqiptare që punojnë për median atje, por edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Kështu që pse edhe Meroja të mos kishte një fund kaq të mirë si puna e këtij kolonjari? Kështu që pasi Ramën e shau me familje, i publikoi dhe procesverbalin e gjyqit të divorcit të Ramës me Makoçin, ku Rama akuzonte të atin si babai biologjik i të birit, ai bashkohet me Ramën dhe të dy flenë mirë me njëri-tjetrin. E shkreta Valentina Leskaj, të cilit Meroja i publikoi dokumentet që të birtë e saj po ndërtonin pallate mbi toka publike dhe mbi prona me pronarë që ishin anashkaluar, i publoi dokumentet që si ka mundësi që një kryetare shoqate që merret me prezervativa të kishte aq shumë para sa t’i bënte të birtë biznesmenë, pra e shkreta ajo, doli e mbrojti Meron në një deklaratë shtypi sepse Meros e kishte dhunuar qeveria e Berishës. Por Meroja po mbijeton me gazetën e tij. Ai bëri si djalë i mërzitur që Rama ishte bërë me Metën, kur ky i fundit shpërndante 700 mijë euro për klientët e tij për koncensione, gjithnjë me dijeninë e Berishës. Por pastaj nga djalë i mërzitur, nga realizuesi i teatrit të kukullave, nga realizuesi i Antenës, u bë djalë i paqtë, e kuptoi se pse duhej bërë ndryshimi vetëm për të rrëzuar një njeri që nuk po i shpërndan lekë gjithë opozitës, përfshi edhe Meron, pra për të rrëzuar Berishën. Binjaku tjetër i Meros, por në krahun e Berishës, Fahri Balliu, ka gazetën më mediokre në treg, sigurisht tani ai ka me çfarë ta mbajë, koncensione, firma ndërtimi urash, ndërmjetësi sekrete dhe jo sekrete, ka një institut De Gasperi, që i shkreti De Gasper po ta dinte se kush e përfaqëson në Shqipëri do varte veten edhe tani në varr ku është. Kur doli kjo gazeta e tij, me bujën e një gazete vetëm për të persekutuarit dhe për të dënuarit komunizmit, pra për të zbardhur të vertetën e asaj pjese më të errët të historisë tonë. Por në rrethin e pronarëve të Shijak TV, televizion që s’u shpërblye këto tetë vite te Berishës zot i vendit, thuhej se kjo gazetë financohej direkt me urdhër të Bershës, financimet thonin se vinin kryesisht nga Vlora. Valixhe të rënda hynin në atë shtëpi të thjeshtë tiranase dhe transportuesi i atyre valixheve thonë që është i rëndësishëm që bën kontrolle nëpër shtet. Në këtë gazetë shkruante dhe fliste Berisha, tani jo taman Berisha, se ai, edhe kur ishte në opozitë, nuk fliste direkt me Fahron për ato mëkatet që ai kishte bërë në Maqedoni, por kryesisht sejmenët e Berishës. Pas ardhjes në pushtet në 2005 e më pas në 2009 dashuria e tyre u bë krejt e madhe, gazetarët e kësaj gazete u shpërndanë në institucione të rëndësishme të shtetit, kunata e Fahros u bë dhe këshilltare për bashkinë e Tiranës, kur ajo vetë ishte nga Elbasani, si edhe Fahro, që s’ka lënë metalurg pa ia bërë portertin, si njeriu i ri socialist. Edhe pse është një gazetë për të persekutuarit, s’la gjë pa thënë për të ish-burgosurit që u dogjën në mes të sheshit e në mes të ditës, sepse për këtë gazetë ish-të burgosur të komunizmit janë vetëm ata që janë pro Berishës. S’la gjë pa thënë për Kasëm Trebeshinën, edhe pse ka bërë ca vite më shumë burg se sa Kadareja, Kasemi e kishte fajin që kryhej me Kadarenë. Madje ky i fundit e prishi kontratën për dy libra me Bujar Hudhrin, vetëm e vetëm se kontrata që dha Fahro për Kadarenë ishte e majme. Ky i fundit ishte shumë burrë i mirë, sepse edhe pse në kohën e komunizmit nuk e honepste dot si gazetar në një paçavure si Bashkimi, e pranoi ofertën dhe pranoi që Fahroja, ky i merakosuri i madh për figurën e shkrimtarit të madh të hapte një librari në mes të Tiranës me emrin e tij. Po nuk dihen arsyet që çuan në dështimin e saj, mbase vend i mallkuar, aty ishin bërë atentate të grupeve kriminale gjatë kohës së mbretërimit të Berishës së parë. Por lidhjet e tij me Vatikanin përmes Tritanit të Lushnjes, ishin të forta, aq të forta sa ky Fahro ka botuar me mijëra faqe se si është persekutuar kleri katolik në Shqipëri, por botimet janë tejet luksoze, ose për të mbuluar ndonjë investim të paligjshëm, ose për të zhvatur sa më shumë Vatikanin, që nuk kishte asnjë informacion nga kisha katolike e Shqipërisë se çfarë njeriu ishte Fahro. 
Gazeta Shekulli me pronar Koco Kokëdhimën ose 2K, filloi me zhurmë të madhe. Konkuroi mirë e bukur gazetën e Nikollë Lesit, që në mëngjes i shërbente Nanos, në drekë Ilir Metës, në darkë Pandeli Majkos, e në mesnatë kush t’i dilte përpara Nikos. Kokëdhima një ish-instruktor i rinisë së kohës së xhaxhit, pasi bashkoi krerët që bënë dikur RD-në bëri një gazetë që rrëzoi mitin e Koha Jonë të Lesit, ku ka punuar edhe Frangaj, dy lezhjanët e suksesshëm. Thonë se ka punuar shumë për t’u bërë biznesmen i fuqishëm, por askush nuk e di se kush është biznesi fillestar i tij. Ministrat e Nanos të tregonin edhe nëpër kafene te Rogneri se Koçoua ble frigoriferin e Durrësit me para xhepi, apo se ai kishte blerë një pjesë të mirë të aseteve të firmave piramidale që u nxorën në treg për një kafshatë buke. Ministrat ankoheshin se Nano e bëri Koçon bizmensmen, ndërtues, mediatik, pasi Koçoja nuk merrte vesh nga kjo punë. Ministrat të thonin mjafton të pyesni Petro Koçin, shokun e tij të vjetër, për të kuptuar se çfarë kapaciteti ka ai. Por ky Koçoja ka ndërtuar aq shumë në kohën e Nanos, sa tani është bërë mbret dhe nuk e do më Nanon. Gazeta e tij i shërbente qorrazi atij, por pastaj u bënë shumë qorra në politikë dhe Shekulli kaloi herë me Nanon, herë me Metën, herë me Majkon, por tani, edhe pse ka mbetur në pikë të hallit, i shërben Ramës. Edhe Rama i dha një dorë të merrte leje ndërtimi në vendet më të mira të Tiranës, në pastrimin e Tiranës, për t’ua bërë mendjen lladhë tiranasve me reklama me xixa, në të gjithë sektorët ai ka konkuruar, pasi është mendje hollë dhe ka ushqyer me rroga të gjithë mendjehollit analistë që ka Shqipëria, që nga Mustafa Nano, Andrea Stefani, Preç Zogajn, Henrin po e po, Henrin pra, atë Çilin, edhe pse pedagogët e universitetit të këtij të fundit, thonë që Koçua e ka nxjerrë me shkelma nga kjo redaksi, por ai është kthyer prapë se prapë. Pra Shekulli me gjithë atë ndriçim të tij të dikurshëm, tani as Ramës nuk i duhet, sepse s’ka forcën bindese siç e ka pasur më përpara. Kur Luli mori bashkinë që ia fali Rama, Koçoja ra në hall, sepse lekët më të mëdha vinin nga bashkia, që e ka rrjepur mirë e mirë, por edhe Rama s’e ka bërë pa përfitim këtë rrjepje. Kështu që u përpoq të sillej mirë me Lulin, por Luli nuk ia vari, s’po ia varin më asnjë prej analistëve të vjetër të tij, që më mirë shkruajnë te respublika se sa te Koçua.

Çili, harruam Çilin, ky pati sukses më të madh se punëdhënësi i dikurshëm, sepse ngriti dhe universitet edhe gazetë edhe shtëpi botuese, por më e rëndësishmja është se universitetin e tij japin mend një lukuni e tërë profesor doktorësh, doktor profesorësh, profesor-infiermierësh, tituj të paparë me gjithfarë motivacionesh bezdisëse për ata që i mbajnë. Miqtë e Henrit i thanë këtij të fundit mos e përziej shumë Edi Ramën në financimin e universitetit sepse do të dalë punë, por ai nuk e dëgjoi. Nuk dihet ka për qindje apo jo Rama aty, por edhe pse Çili është njeri i Berishës, Rama nuk është sharë ndonjëherë në këtë gazetë siç është sharë te Tema apo te 55. Madje te universiteti i tij shpërndajnë ideologji njerëz si Erion Veliaj, që nuk janë në preferencën e Çilit. Por nuk ka ndonjë çudi të madhe, një njeri si Çili, me arsim të kufizuar, ka një universitet, të cilin me emër e mbiemër e ka me kryeredaktorin e gazetës Panorama, Robert Rakipllari, edhe ky korçar, që e mërziste Koçon dhe i nxirrte të dy me shkelma nga zyrat dhe nga kompania. Dhe të dy kanë një lidhje të çuditshme, në emrat aktualë që mbajnë, që thonë se nuk janë të vërtetit. S’dihet kush është realisht te Mapo. Pronarët e parë të saj ishin biznesmenë, njëri biznesmen sefte, tjetri diplomat kthyer në biznesmen, njëri më afër Jozefinës, tjetri më afër Berishës, por më pas e mori Çili dhe pllaka u kthye, i bëhet qejfi Jozefinës, i shërbehet Berishës dhe nuk shahet Rama dhe Erion Veliaj bën takime me rininë e këtij universiteti. Jep leksione se si duhet të jesh socialist pareli. 
Gazeta shqip, një degë e shëmtuar e stacionit më të përfolur dhe më të pasur në rajon, top-chanel. Nëse televizioni është gjithë xixa-xixa, ose edhe me shkronjën ‘c’ po e deshët, gazeta është për t’u qarë me shami. Kuptohet se kush janë pronarët, nuk po i hyjmë historikut të pronarëve të këtij televizioni dhe gazete, se kushedi ku përfundon i shkreti njeri. Për momentin e drejton një koleg i Ylli Rakipit, një kryetar shoqate tjetër gazetarësh Aleksandër Çipa. Ky i fundit me edukim komunisto-romantiko-socialist s’ka bërë asgjë për gazetarët. Ai s’i bën gjë dot vetes, kur drejtori e merr në telefon për të bërë ndonjë shkrim me pagesë, ose shkrim-gjobë, ai cakton vetëm kush do të jetë ai i varfër gazetar që do t’i dalë emri nesër në një shkrim që as nuk e di se ku i bie. Çipa, me plasjen e skandalit të Ardian Prrenjasit, na e shpërndau edhe neve në internet një pacavure, më fal, memorandum për mediat, pë ta firmosur (ndoshta gazetarët, se ç’punë kemi ne komentuesit e thjeshtë) që të mos ndodhin më asgjë nga ajo që ndodhi. Kaq ishte, i lau duart me raki djali dhe doli në fotografi shumë i qeshur dhe i lumtur me njeriun që e kishte botuar pedofilinë e Ardianit, pa i hequr as ofshamat e këtij të fundit, gjatë kryerjes së aktit seksual. (S’besoj se e ka lexuar fëmija i Çipës këtë gjë)
Për ta përfunduar më të fundit fare, sefte në treg për të disatën herë, gazetën Dita. Kjo e shkretë gazetë është hapur dhe mbyllur si dyqan pakice. Njëherë ishte e Nanos, pastaj çuditërisht ishte e Mejdanit, e imagjinoni një gazetë ku punon këshilltari i tij politik Mentor Nazarko, dmth s’punonte direkt ai, por i vëllai. Dikur kësaj gazete që dilte një herë në javë thirrej gazeta e Laçkove. Por më pas u mbyll, sepse nuk u doli hesapi ta mbanin gjatë tetë viteve në pushtet të Berishës. Aktualisht është hapur sërish, ka një drejtues, Ardian Thano, i rritur dhe i edukuar nga mësimet e Koço Kokëdhimës dhe ison ia kthen Mustafa Nano, që kohë më parë te Rogneri kamarieri të porosiste që kur të flisni me Mustafa Nano, më mirë thirreni Mustafë se sa zoti Nano. Këtë gazetë e financojnë pikërkisht ato fije të forta që mbajnë të shtërnguar fort pushetin e Enver Hoxhës me pushtetin e kujtdo që të vijë në pushtet në Shqipëri. Kjo gazetë tregon se kasta e vjetër është tejet e fuqishme dhe s’e lëshon dot vendin cave që erdhën nga llumi për t’u bërë drejtues mediash. sepse ne shtetin shqiptar media eshte nje arme e ftohte qe vret me plumba letre, zeri me figure. dhe plumbat i sherbejne ne te njejten kohe biznesit dhe politikes, krimit dhe ndeshkimit.