GRID RROJI: SINDROMA E FRIKËS DHE ANOMIA E SHOQËRISË SHQIPTARE

Shoqëria shqiptare  e tranzicionit përkufizohet nga paria si një “shoqëri e lirë”, ku  çdo qytetar ka të drejtën e pamohueshme të shprehjes, demokratike ku vota e gjithsecilit ka peshë të barabartë me tjetrin, dhe kapitaliste sepse tregu është ai që vendos rregullat e ekonomisë. Mirëpo, në realitet Shqipëria sot është një shtet oligarkik ku tregu kontrollohet nga një dorë e fortë me pushtet të pakufishëm politik dhe ekonomik.

Në këtë shkrim do të ndalem tek liria e shoqërisë, sindroma e frikës për të ardhmen, dhe paaftësia e popullit për të shprehur vullnetin e tij lirisht dhe pa frikë. Një shoqëri e cila funksionon në bazë të frikës është një shoqëri e sëmurë, e ndarë në grupe të vogla me bazë familjare dhe klanire, por dhe e paaftë të përmbushë vullnetin e popullit.

Liria e qytetarit është një koncept kompleks që meriton të shqyrtohet me kujdes. Siç jam shprehur edhe më parë, mjetet e informacionit publik, hapësira publike dhe aftësia e shprehjes së opinioneve politike kontrollohet në masë të madhe nga paria oligarkike. Në këto kushte, bëhet shumë e vështirë që qytetari t’a ketë lirinë për t’u shprehur në arenën politike, shoqërore dhe publike.

Mirëpo, loja e parisë me “lirinë e të shprehurit” bazohet në dy parrulla propagandistike shumë të sofistikuara por tërësisht të paqëndrueshme: 1) krahasimi që bëhet me regjimin terrorist të Enver Hoxhës ku mungonin liritë më elementare; dhe 2) mungesa e frikës nga sistemi. Mirëpo, frika dhe pasiguria që ngjall një sistem oligarkik ku njerëzit tashmë e mbushin stomakun por nuk kanë kurrfarë garancie për të ardhmen përtej premtimeve boshe e bombastike të palëve të parisë, është e ndjeshme.

Të dyja këto koncepte që hidhen si rastësisht në tregun e ideve nga paria janë plotësisht të rreme dhe përfaqësojnë një mënyrë manipulimi të vullnetit të popullit për interesat e ngushta të parisë. Objektivi i saj është sundimi me çdo mjet, dhe pengesa kryesore për këtë është vullnetit i popullit. Për ta kontrolluar këtë vullnet, por duke ruajtur në sipërfaqe dukshmërinë e një sistemi demokratik paria përdor këto mënyra manipulimi.

Së pari, krahasimi me regjimin enverist nuk qëndron sepse po flasim dy regjime të ndryshme në thelb. Nuk mund të krahasohen mollët me portokallet, e aq më pak kumbullat. Regjimi enverist ishte totalitar, regjimi i tranzicionit hiqet si demokratik. Nuk mund të krahasojmë Shqipërinë sot me Korenë e Veriut të Kim Jong Unit, ndonëse në shumë pika mund edhe të gjejmë ngjashmëri të mëdha. Krahasimi më i saktë është ai me demokraci të tjera. Raportet “më të mira” të tranzicionit të organizatës Transparensi Internejshonal e konsiderojnë Shqipërinë si vend pjesërisht të lire në të njejtin nivel me oligarki të tjera në botë. Pra, pohimi i parisë se shqiptarët jetojnë në një shoqëri të lirë është thjesht një rrenë e madhe e thënë me bombasticitet dhe shpeshtësi. Pra, është model propaganda për të  mjegulluar ujërat.

Më tej, sistemi oligarkik dhe hajnor i parisë mbështetet në zhveshjen e shoqërisë nga të gjitha vlerat njerëzore. Një shoqëri e tillë, e përkufizuar nga sociologu francez Durkhajm si shoqëri anomike, nuk mund të kontrollohet përveçse me anë të frikës. Anomia është një sëmundje shoqërore gjatë së cilës normat shoqërore dhe vlerat shpërbëhen, dhe kjo krijon konfuzion tek qytetari i thjeshtë. Pa rregulla të qarta morale dhe shoqërore individët nuk e gjejnë vendin e tyre në shoqëri dhe kjo krijon përçarje dhe fragmentarizim, por edhe frikë për të ardhmen.

Frika që kanë njerëzit sot nuk është e njëjtë me frikën që ndillte regjimi i Enver Hoxhës. Asokohe ideologjizimi i masës ishte në përmasa të frikshme dhe kontrolli i shtetit ishte i plotë në të gjitha aspektet. Pra, në këtë aspekt nuk mund të ketë asnjë krahasim me shoqërinë aktuale. Mirëpo, përsëri krahasimi me diktaturën çalon logjikisht sepse studentët e Lëvizjes Studentore nuk kërkuan një diktaturë më të mirë, por një sistem demokratik.  Në tranzicionin oligarkik të parisë së Tiranës, frikës ekzistenciale nga Sigurimi famëkeq i ka zënë vendin frika nga humbja e punës dhe rrënimi ekonomik, nga i forti i lagjes, nga mungesa totale e mbrojtjes shtetërore dhe pasiguria për të nesërmen. Përsëri raportet dhe studimet e bëra jashtë Shqipërisë tregojnë qartë se frika nuk është zhdukur po është zëvendësuar nga një tjetër lloj frike. Ndaj edhe në rastin e pohimit “jemi një shoqëri e lirë nga frika”, paria bën vetëm propagandë që nuk reflekton jetën e përditshme të popullit. Sindroma e frikës ka ndryshuar por nuk është zhdukur.

Pra, shoqëria shqiptare e kapluar nga frika ka humbur një mori të madhe të vlerave njerëzore, kontrollohet nga banda kriminale me mbështetje politike të cilat zullumet e veta i shesin si “integrim europian” dhe “zhvillim kapitalist”. Më anë tjetër, sicc na mëson Edmund Bërk, një shoqëri e shëndetshme është “një kontratë midis, të vdekurve, të gjallëve dhe atyre që do lindin.” Me fjalë të tjera, një sistem shoqëror funksional i shërben popullit duke respektuar historinë dhe duke mbajtur në vëmendje fatin e fëmijëve të vet në të ardhmen. Mirëpo, parisë kjo nuk intereson as populli, as historia dhe as e ardhmja e fëmijëve të shqiptarëve. Asaj i duhet sundimi mbi të ardhurat e shtetit dhe kjo duhet arritur me çdo mënyrë. Interesat e parisë nuk kanë përkuar dhe nuk do të përkojnë ndonjëherë me interesat kombëtare të shqiptarëve. Ndaj edhe atyre u duhet t’a devijojnë vullnetin e popullit e jo t’a respektojnë atë.

Për shembull, ndonëse ende ka një valë të madhe dëshpërimi dhe proteste popullore për marrëveshjen e ngjalave, palët e parisë po mundohen t’a kontrollojnë opinionin publik. Edhe ndonjë analist që guxoi të kundërshtonte fillimisht tashmë është rikthyer në vathë. Çdokush që guxon të kundërshtojë vijën e partisë shpallet armik, ndërsa militantëve të zhgënjyer nga mungesa tërësore e moralit politik u jepet ushqim shpirtëror ose nga figura të  shquara ose nga nyje kyçe të sistemit. Qëllimi i vetëm është që edhe kësaj here qytetari të ketë frikë, vullneti popullor të ndrydhet e populli ta pranojë këtë hap si pjesë e normalitetit.

Kjo është një gjendje e papërballueshme për të ardhmen e shqiptarëve. Palët e parisë bëjnë teatër, bëjnë sikur kërcënojnë njëri tjetrin, u ankohen ndërkombëtarëve, hedhin batuta të pakripa me ngjala dhe akte seksuale por ata e kanë bërë paktin e tyre. Pakti u garanton atyre pushtetin, pasurinë dhe mbijetesën në një shoqëri anomike ku vlera e vetme është pushteti.

Pyetja është pse duhet t’a ndjekim këtë pari të zvetënuar, anti-shqiptare dhe meskine? Nëse do të vazhdojmë t’jua shtrojmë këtë rrugë atyre, ne jemi duke shtruar rrugën tonë drejt vetëvrasjes kolektive si shoqëri. Arsyeja është e thjeshtë. Ndërsa paria pasurohet në kurriz tonë, ne na mbeten kostot. Ndërsa ata tallen me njëri tjetrin duke future e nxjerrë ngjala nga organe të ndryshme të trupit, pasojat e krimeve të tyre i vuajmë ne. Ndërsa ata tallen me të ardhmen e fëmijëve tanë, neve duhet t’u themi aferim.

Por reagimi qytetar I masës së madhe të qytetarëve ndaj serisë së fundit të Ezelit të parisë tregon se shqiptarët ende nuk kanë vdekur shpirtërisht. Pakti i ngjalave shënon një pikë kritike të rëndësishme për të ardhmen e sistemit oligarkik të tranzicionit. Megjithë përpjekjet titanike të parisë për të krijuar diversione, për të mbyllur me shpejtësi çështjen, për t’ju thënë secili palës së vet “prit tani se ashtu është një punë” shqiptarët e kanë kuptuar se çfarë llumi i drejton.

Siç ka thënë Gjergj Fishta “Ani kush, pra, me i pri kombit, ju, do pyka mbi’ prej llomit, qi “shqiptarë” vedit i thoni, jo pse ju Shqipninë e doni, jo pse ju ndo ‘i send kuptoni shka asht Atdheu e shka asht Liria, shka asht Vllaznija a Barazija, Përparimi e Qytetnia, por veç pse ende der më sot nji tiran s’po e gjeni dot,nën kambë t’cillit ju me u shtru, se un tashma jam regjë me ju, e jau njof shpirtin der m’palcë,pleh i ndytë me u bartun n’shalcë e me u qitë jashta Shqipnije”.

Paria i ka bërë lojërat për këto zgjedhje, por ajo nuk ka asnjë zgjidhje për problemet ekonomike, për të ndërtuar një sistem të vërtetë demokratik e as për të ripërqafuar vlerat e vërteta shqiptare. Ajo mendon se ja ka shitur paktin e ngjalave shqiptarëve por nuk e ka sigurinë që i nevojitet. Nevoja për një pakt të gjerë në këtë moment tregon se paria e ndjen dobësinë e sistemit të krijuar prej saj dhe e di që nuk i ka idetë për t’a nxjerrë vendin nga kriza.

Ndaj, ka ardhur koha që shqiptarët të gjitha bashkë, brenda dhe jashtë kufijve t’i thonë mjaft hajnisë, sundimit, dhe zgjedhës së parisë së Tiranës. Palët e parisë janë të gjithë njësoj, hajna, kriminelë e hipokritë pa dinjitet, por jo burra e gra shteti. Ka ardhur koha për një rizgjim me mjete demokratike të shqiptarëve. Ka ardhur koha me “i qitë jashta Shqipnije” këta që na trajtojnë si skllevër të pavlerë e për të hapur një faqe të re të historisë së shqiptarëve. Ndryshe nga sa mendon paria, ne shqiptarët e dimë “shka asht Atdheu, Lirija, Barazia e Vllaznia, Përparimi e Qytetnija”. Le t’jua tregojmë këtë me forcën e votës më 23 Qershor duke mos i lejuar t’a transformojnë vullnetin e popullit. Le t’jua prishim paktin e ngjalave.

Advertisements

PËRSIATJE MBI PAKTIN E 1 PRILLIT DHE MARRËVESHJEN PS-LSI

Një ndër mësimet e para të politikës është që një politikan mund të ketë në mendje, (si pati, si s’pati mend) dy ide që e përjashtojnë njera tjetrën, dhe të bindë vetveten se të dy këto ide janë të pajtueshme e të zbatueshme njëkohësisht. Teknokrati del e thotë atë që duhet bërë dhe nuk ka dilema të tilla. Zyrtari duhet të zbatojë ligjin. Ndryshe nga këta, politikani del në publik dhe mundohet të bindë njerëzit se ka një rrugë të mesme. Dhe në proces e sipër, ai mundohet të shesë idenë që i shërben  më mirë interesave që ai mbron.

Mirëpo në rastin shqiptar, nuk mjafton që politikanët të kenë dy ide të kundërta në të cilat njëra të jetë e pranueshme dhe tjetra më pak e pranueshme dhe me pak finesë gjendet një zonë e hirtë ku pajtohen. Nuk mjafton që ato dy ide të jetë krejtësisht përjashtuese të njëra-tjetrës si vaji dhe uthulla. Nuk mjafton që këto ide as të mos ekzistojnë si mundësi për të ndërtuar politika shoqërore, ekonomike, apo të jashtme. Në rastin shqiptar, duhet që këto ide të shkojnë deri në marrëzi e në budallallëk të hapur. Sepse politikanët tanë shkojnë me mendësinë e njohur, që e shprehu qartë e saktë Artan Hoxha sepse edhe ky nga këta është, “Këtyre katundarëve që na votojnë kaq u duhet dhe e kuptojnë vetë se kush është i forti e kush i dobëti. Ndërrojnë votën. Disa dhjetëra mijëra mjaftojnë.” [1]

Për t’u pranuar idetë e tilla duhet që jo vetëm politikanët të besojnë marrëzinë që thonë, por edhe të besojnë se populli, në mendjen e tyre, ne, katundarët, jemi aq të trashë sa ta besojmë me gojën hapur rrenën e mashtrimin e radhës. Pra, në rastin shqiptar, nga politikanët thuhen dy rrena të pakundërshtueshme dhe pritet që shqiptarët t’i besojnë pa hezitimin më të vogël.

Një shembull ideal

Marrëveshja e 1 prillit u finalizua me një marrëveshje të nënshkruar në Qytetin e Shkodrës. Mirëpo, me gjithë fanfarën dhe përpjekjen për ta paraqitur si një përpjekje të internacionales socialiste, dhe prania e shumë personaliteteve si Boris Tadic, Maria Fanjon etj., që dukeshin gjigandë prapa figurës imcake të Taulant Ballës, shërbente për ta përforcuar këtë përshtypje, në thelb kjo ishte një marrëveshje për ndarjen e tortës së pushtetit. Jam i bindur se nuk e ka përkthyer kush në serbisht apo në sllovenisht, por në greqisht nuk ka nevojë sepse Vangjeli e ka gjuhën e mëparshme të babait (qe dikur thote se  ishte shqiptar) dhe e kupton mirë se ka shkuar ne shkollen shqipe, dhe ka shumë gjasa që e kanë përkthyer këta nga greqishtja në shqip. Ajo që u nënshkrua ishte një dokument që tregonte se këta nuk kanë asnjë vlerë, asnjë respekt për njerëzit, asnjë dëshirë për shërbim publik. Kjo ishte një marrëveshje për numrat, e për përqindjet, por që duhej vetëm për të justifikuar llogarinë e ftohtë. Ka një numër idesh e bindjesh idiosinkratike që përjashtojnë njëra tjetrën dhe që vërehen në këtë dokument të rëndësishëm deri në momentin që u nënshkrua. Sepse mbasi u nënshkrua u pa që nuk ishte as dokument, as program por një hallve ballkanike e gatuar me shpejtësi marramendese.

Idete qesharake nuk kane te numeruar por ketu do te ndalemi tek ajo me kryesorja, tek boshti i marreveshjes. Cfare duan keta? Keta duan qe te na europianizojne, me nje vizion europian, te bejne Shqiperine Europiane, dhe dhe me europianet qe qenkemi ne.

Mirëpo, me qe ne nuk jemi europiane, një nga idetë më idiosinkratike ne kete pakt të alambikuar, është ky koncepti i “Shqipërisë Europiane.” Gjeografikisht mund të numërohemi si pjesë e kontinentit europian, por  në nivel të qytetërimeve e të vlerave, nuk kemi asgjë europiane, nuk jemi pjese e BE pervec se si territor limitrof dhe që shkakton probleme. Cfarë lidhje ka Skrapari me Europën, more aman? E vetmja gjë që të shkon ndërmend është Mustafa Nanaj.  E dyta dhe deri tek e tridhjete e shtata, sepse aq jane edhe kapitujt e marreveshjes së Stabilizim Asocimit, pervec faktit që jemi shtet i njohur ndërkombëtarisht, dhe që e përmbushim si kusht, ne nuk përmbushim as edhe një kusht tjetër. Ne nuk kemi shtet funksional e ligjor. Ne nuk shtet-komb me identitet e vlera. Ne nuk kemi administratë ligjore. Ne nuk kemi qytetari e shoqeri civile. Ne nuk kemi industri qe eksporton e prodhon. Ne nuk kemi bujqesi qe ushqen vendin. Ne nuk kemi asgje qe te na beje Europiane. Edhe më keq. Kemi droga. Kemi krim. Kemi poshtersi. Kemi zvetënim. Kemi plehra. Kemi borxhe. Kemi trafiqe. Kemi mafia. Kemi papunësi. Kemi një ambjent të shkatërruar. Kemi universitete dhe studentë. Kemi doktore-profesore, edhe per karikature, edhe per gazete muri, edhe per fleterrufe. Shkurt, e seriozisht, ne nuk permbushim asnje kusht, more asnjw per be.

Pwr mw tepwr, Europa na ka thene se nuk na pranon edhe 15 vjet. Tash qe Zoti Meta ishte ne Qeverine e Integrimit Europian, për katër vjet të gjatë, kur vendit iu lëpinë edhe kockat dhe nuk ka ngelur asgjë për të vjedhur lirshëm, BE e hodhen poshte kerkesen per asocim. Ne nuk permbushim asnje nga kushtet për të qene europiane. Po cfare jane keto perralla per Shqiperi Europiane? Megjithatë, këta e kanë futur kokën në rërë dhe hedhim shashka të tilla që nuk i blen njeri. Po ne nuk jemi as Napoli, jo duam te hyjmë në Europë. Megjithatë, ne do të hyjmë në Europë kur të hyjë Turqia, se Grekët po dalin vetë. Por komedia eshte se per te mbajtur greket ne koalicion, flasin per Shqiperi Europiane.

Në vend të përfundimit

Pakti i 1 Prillit, i formalizuar në qytetin e lashtë të Shkodrës tregoi qartë e hapur se këta na marrin për të marrë e për katundarë. Marrëveshja tregoi se këta as nuk mërziten se cka mendojmë ne. Si tha Artan Hoxha për mbështetësit e PS-së duke i krahasuar me të PD-së,  “Edhe këta si katundarët tanë qenkan, shkojnë me erën”.[2] Se ne na ka ngordhur gomari me kohë, e s’po mund të bëhemi as si Greqia, e këta kallzojnë përralla me bashkim kombëtar, integrim europian dhe shërbim kombëtar duke punuar për interesat e vetvetes. Ndoshta këta kanë shpresë se do ta marrim gomarin e ngordhur dhe e bëjmë sallam për eksport. I fusim, pak groshë, pak miell të bardhë e pak hashish Lazarati dhe ia vëmë emrin “Sallam Europian.”


[1] Artan Hoxha, “Fajet e Saliut” Panorama, 20 prill 2013.

[2] Hoxha, Ibid.

SOKOL SHAMETI: KARTA E BRAKTISJES SË SHTRESËS SË PUNËTORËVE

Nënshkrimi i “Kartës” PS-LSI është guri i themelit i një qeverie eventuale të këtyre forcave politike që vetëquhen “të majta”. Atë se çfarë planifikojnë të bëjnë këto dy forca pas 23 qershorit nëse arrijnë të fitojnë shumicën e votave të shqiptarëve, ato më në fund e paraqitën në këtë dokument që u vendos përpara publikut më 22 prill.

Iluzionet më në fund u shpërndanë. Përveçse një bashkim i turpshëm interesash financiare, siç u kuptua prej të gjithëve pas ngjarjeve të 1 prillit, bashkimi PS-LSI është edhe bashkimi i dy organizmave që në thelbin e tyre kanë armiqësinë me shtresën e varfër, me punëtorin shqiptar. Në këtë “Kartë” ato shpallën haptaz planin e tyre për një qeverisje në favor të “shtresës së mesme” pa mërzitur ndërkohë edhe miliardierët të cilët qëndrojnë në majë të piramidës së të gjitha shtresave në Shqipëri.

Midis 15 pikave të “Kartës” qeverisëse PS-LSI, asnjëra prej tyre nuk përmend qoftë edhe shkarazi ndonjë prirje për të përfaqësuar shtresën e punëtorëve apo të të varfërve në këtë vend. Ndërkohë, tre paragrafë të këtij plani i dedikohen përkushtimit të qeverisë eventuale PS-LSI në ndihmë të biznesit, atij të madh, biznesit të vogël, apo lirisë së individit dhe pronës së tij (pra individit-pronar, kapitalistit).

Pjesa tjetër e Kartës është një përzierje auto-premtimesh të ndërsjellta PS dhe LSI për të ndryshuar në favor të tyre sistemin administrativ, legjislativ apo rregullimin e marrdhënieve të tyre ndërpartiake në ndarjen e copave të pushtetit, si dhe një rreshtim i përciptë paragrafësh ku parakalojnë sa për të larë gojën përfaqësitë e grave, të rinjve, ish-pronarëve, kompanive minerare, minoritarëve etnikë apo koleksionistëve të veprave të artit.

I vetmi moment realisht politik i kësaj “Karte” është koordinata ku pozicionon veten aleanca PS-LSI në raport me shtresat e ndryshme të shoqërisë në Shqipëri. Çfarë rezulton nga kjo vendosje shënjestre?

Një paragraf i qartë ku ne dallojmë se për çfarë qëndron PS dhe LSI është ai me numër 8, ku thuhet shprehimisht: “Një garanci të plotë për lirinë e biznesit të madh për të stimuluar një ekonomi prodhuese duke mbrojtur lirinë e konkurrencës … si edhe duke rritur transparencën e cilësinë e marrëdhënieve mes qeverisë e sipërmarrjes në funksion të interesit madhor të zhvillimit ekonomik e social të vendit – çka për ne do të thotë përfshirje e sipërmarrjes në çdo vendimmarrje të rëndësishme për të dhe luftë pa kompromis arbitraritetit të organeve tatimore ndaj sipërmarrjes

Hiq paralajmërimin se nesër në qeverisjen e PS dhe LSI do të jetë Biznesi ai që do të japë ok-in për çdo vendimmarrje të rëndësishme, ky paragraf nuk ka nevojë për ndonjë koment shtesë.

Një ide tjetër shpaloset në paragrafin 6 ku thuhet: “Një pozicionim të qartë në mbrojtjen e shtresave në nevojë dhe në mbështetjen e shtresës së mesme, përmes uljes së barrës së detyrimeve apo taksave të drejtëpërdrejta si edhe nxitjes së integrimit social përmes punës dhe rritjes së fuqisë blerëse”.

Kjo do të thotë se qeverisja që planifikojnë të ndërtojnë PS dhe LSI do ta njohë ekzistencën e “shtresave në nevojë”. Por shtresë në nevojë nuk do të thotë domosdoshmërisht “shtresë e varfër”. Edhe një milioner është në nevojë të përhershme për të rritur pasurinë e tij.

Pra në këtë rast të vetëm kur Karta PS-LSI flet për vokacionin e saj social, bëhet i qartë edhe rreshtimi i këtij fuzioni heterogjen politik në favor të asaj që në vizionin e tyre quhet “shtresë e mesme”.

Por çfarë konsiderohet “shtresë e mesme” nga PS dhe LSI.

Kryetari i PS Edi Rama, e quan veten e tij shtresë të mesme. Kjo është pranuar edhe në një intervistë të bashkëshortes së tij Linda Rama dhënë Top Channel.

Pra, sipas PS dhe LSI, shtresë e mesme do të thotë që familja jote të ketë të ardhura mujore më të larta se 2000 USD në muaj, të ketë mundësi t’i kursejë të gjitha këto të ardhura, të plota, (siç rezulton nga Raporti i Deklarimit të Pasurive) pa i shpenzuar për ushqim, veshje, transport, shërbim shëndetësor, arsimim, strehim, etj) dhe të ketë mundësi të bëjë një jetë mbi standardin e masave në Shqipëri: pushime jashtë vendit, shkollim të fëmijëve në Perëndim, banesa të personalizuara në zona rezidenciale etj.

Kjo është shtresa “e mesme” që ka në fokus të vet Partia Socialiste e Edi Ramës dhe LSI-ja e Ilir Metës. Këta janë njerëzit për të cilët ata do të kujdesen të ulin “barrën e detyrimeve apo taksat e drejtëpërdrejta”, si dhe këta janë njerëzit për të cilët PS dhe LSI do të synojnë “nxitjen e integrimit social përmes punës dhe rritjes së fuqisë blerëse”.

Ndërkohë, gangrena e vërtetë që po gërryen substratin shoqëror të Shqipërisë nuk është problematika e kësaj skote njerëzish. Gangrena vrasëse në Shqipëri është thellimi i hendekut midis të pasurve (ku futet edhe ajo që Rama e Meta konsiderojnë “shtresë e mesme”) dhe të varfërve: atyre miliona njerëzve që mezi arrijnë të sigurojnë punë, ose që edhe nëse janë punëtorë shkelen në mënyrë barbare nga punëdhënësit e tyre, keqpaguhen, shtrydhen në maksimum dhe në fund shpërblehen fiks aq sa të mos u mjaftojë të ngrenë kurrë kokën.

Këta njerëz nuk përfaqësohen sot as politikisht pasi në pushtet është një parti e djathtë që mbron haptaz interesat privatizues dhe shfrytëzues të kompanive të mëdha, ndërkohë që opozita është uzurpuar nga ata që duan këmbimin e miliardierëve që mbron pushteti, me milionerët “në nevojë” që duan edhe ata të bëhen miliardierë.

Të gjithë të majtët e vërtetë në Shqipëri duhet ta denoncojnë këtë axhendë skllavëruese dhe fyese për shqiptarin e thjeshtë dhe të varfër. Jo bashkëpunim me një grupim interesaxhinjsh të cilët të drejtat e punëtorëve i kanë braktisur deri edhe formalisht. Shqipëria nuk ka nevojë për mbrojtjen e shtresës së milionerëve “të mesëm” por për njohjen, pranimin dhe avancimin e të drejtave të të varfërve, shtresës së punëtorëve dhe atyre që vërtet kanë kontribut direkt në prodhimin e të mirave materiale në këtë vend.

Asnjë mbështetje në kutitë e votimit për partitë e të pasurve të mëdhenj dhe të pasurve të mesëm. Sabotim i procesit zgjedhor përmes votës ANTI. Pavlefshmëri e fletës së votimit për të mos lejuar përdorimin e saj nga uzurpatorët e së majtës.

Sokol Shameti boton ne blogun e vet www.demokracidirekte.org

ILIR META: ME RASTIN E NENSHKRIMIT TE MARREVESHJES PS-LSI

Ne kohen e skandalit 700000 Euro, ILIR META ka thene:  “Edi Rama. Tashmë kryetar i sektit të spiunëve të Shqipërisë, kjo fundërrinë e pashembullt e shoqërisë shqiptare, ky njeri që mohoi atësinë e të birit në gjyq, ky njeri që akuzoi babain e tij si babain e djalit të tij, ky njeri i panderë, pa familje, pa asnjë normë shoqërore dhe morale, synoi të bënte një puç në Shqipëri përveç një përgjimi kriminal dhe jo të palogjikshëm dhe jo vetëm kaq, përmes një kriminal dhe të pashembullt duke përdorur si dëshmitar një fundërrinë tjetër të paparë, i cili e kishte akuzuar publikisht Edi Ramën përpara shqiptarëve si një njeri që e kishte parë duke marrë kokainë në zyrat e kryetrait të bashkisë. Unë dua t’i konfirmojë të gjithë qytetarëve shqiptar se mandati i fëlliqur , se listat e vendosura nga Edi Rama, se vendosjet dhe mbivendosjet në funksion të një perceptimi negativ, se e gjitha kjo veprimtari kriminale dhe e paligjshme, se të gjitha shpifjet për shkak të detyrës do të denoncohen në mënyrën më spektakolare përpara drejtësisë dhe përpara opinionit publik. Unë tashmë kam krijuar një grup juristësh, të cilët duke filluar nga dita e nesërme do të nisin punën e tyre dhe shumë shpejt të gjithë qytetarët shqiptar do të shohin se njeriu që kërkon të vijë në pushtet përmes dhunës, përmes intimidimit të qytetarit shqiptar, përmes të drejtave dhe lirisë së tyre, eshtë një montazhues i fëlliqur, është një njeri i cili me 8 maj do të marrë verdiktin nga të gjithë qytetarët e Shqipërisë si një fundërrinë morale, por dhe politike duke pastruar jo vetëm qytetin e Tiranës, por edhe politikën shqiptare nga një monstër që bëhet garant i një veprimi kriminal, duke ndërhyrë në mënyrë kriminale, jo vetëm duke dëmtuar kryeministrin dhe kryetarin e LSI-së, në mënyrë të paligjshme dhe të pandershme dhe duke përdorur manipulimin dhe fallsifikimin, por duke dashur të dëmtojë dhe kryeministrin e vendit pikërisht në përgjigjet e tij për të rrëzuar në mënyrë puçiste një qeveri tërësisht legjitime.”  Video gjendet ketu: http://www.youtube.com/watch?v=WLsrXNxYY_8