FADIL LEPAJA: PROTOKOLLI ME PAPUÇE

Për shkak të kujtimit nga beteja “tepër historike” e mësymjes në veri, për të cilën do të mbahet mend kjo qeveri, e sidomos kryeministri dhe ministri i Brendshëm, këndej e tutje zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, në veri të vendit do të munden me shkue veç me papuçe! Kështu është marrëveshja me garanci ndërkombëtare. Për me qenë të sinqertë, papuçet nuk janë përmendur në marrëveshje, por çizmet duket se po!

Tash fajtorë ka shumë për dështimin e mësymjes së “lavdishme”, por në fund fare, krejt faji i mbetet “Valës” ! E paskan përgjuar veç nja 35 shërbime! Se, te ne për operacionet tepër sekrete komunikohet përmes operatorit publik. Pronto! Pastaj, “këta” për inati, e falën. Ky ishte, pra, sebepi! “Vala” u ekzekutue për shkak të tradhtisë (ndër)kombëtare.

“Nuk do të ketë çizme shqiptare në veri” , deklaroi këto ditë zv.kryeministri serb i njohur përndryshe për deklarata të forta dhe për luftën e tij kundër krimit të organizuar në Serbi. Kjo gjithsesi u shpall si një fitore e madhe e shtetit serb.

Mitrovica e Veriut tashmë ndërkombëtarisht e njohur, do të jetë kufiri i ri për Forcën e Sigurisë të Kosovës. Ndërkohë që civilët mund të kalojnë mbi urë. Edhe shleperat e kontrabandës, gjithsesi mund të kalojnë, por veç me goma të verës! Kufiri i “pokrainës” tashmë është zyrtar. Edhe “biznesi”!

Legjenda thotë se pas kësaj deklarate të zv.kryeministrit serb, kryetari i Mitrovicës së Jugut, i mërzitur, paska dalë këmbë, me këpucë, deri te barrikada mbi urë! Aty paska lëshuar një deklaratë të sertë se ajo barrikadë duhet të hiqet sa më shpejt dhe njerëzit të qarkullojnë të lirë mbi atë urë. Natyrisht, pas këtij akti patriotik dhe shumë të guximshëm ai u kthye më i qetë, në zyrën e tij në Mitrovicën e Jugut! Mitrovica e Jugut po ashtu tani është një qytet i njohur ndërkombëtarisht .

Natyrisht, mos qoftë prej gojës time, se Mitrovica nuk ndahet! Ne nuk lejojmë. Qeveria nuk lejon! Kemi thënë njëherë. Edhe këngë kemi kënduar. Edhe votat janë fituar me këtë sllogan.

Ne, qytetarët po ashtu deklarohemi publikisht dhe solemnisht se këndej e tutje andej Ibrit do të kalojmë veç me këpucë. Ky është maksimumi i kompromisit. Ky është kontributi dhe sakrifica jonë për paqen në rajon! Ne papuçe nuk mbathim! Ky është edhe solidarizimi ynë me interesat e Perëndimit në Kosovë dhe Ballkan. Se ne nuk kemi interesa! Ne nuk kemi asgjë! Edhe ato që i kishim, i falën! Ende nuk po është e qartë se kujt. Kështu u bënë milionerë. Opozita po i quan ndryshe- edhe hajna. Për opozitën dhe shumë qytetarë ky është bërë edhe mbiemri i dytë i kryeministrit dhe qeveritarëve. Por ai, kryeministri, tashmë nuk dëgjon asgjë që tingëllon shqip! I ka vënë tapat në vesh edhe po e lexon deklaratën e (ç)pavarësisë! Pavarësisë së “pokrajinës”!

Në ndërkohë, në Prishtinë, në Parlamentin e Kosovës, shou i vërtetë! Xen-i, një mik i imi në facebook, po thotë se deputetët kanë votuar kokulur dhe të turpëruar! Po çfarë të turpëruari, bre Xen? Qysh me votue me kokën lart, kur këta janë aq modestë dhe të dëgjueshëm. A e pe Kamishin kur e mori fjalën. E msheli, sapo shefi e çoi gishtin pakëz. Pastaj, mund të mos jetë edhe punë modestie se tastaturat për votim elektronik i kanë mbi tavolinë. Nëse e mbajnë kokën lart munden me gabue në këtë moment historik! Me kaq merr fund karriera.

Kështu, kalimi i “rezolutës” nëpër Parlament ka qenë veç çështje teknike. Sikurse edhe këto bisedime. Kështu thoshin të gjitha palët. Nuk ka bisedime politike, betoheshin të gjithë! Askush nuk ka folur për pasojat. Tash po shihet se pasojat janë politike!

Një historian i famshëm ndër ne po thotë në media se Kosova është projekt amerikan dhe europian. Ne, natyrisht se e përkrahim këtë projekt e serbët e kundërshtojnë, sepse ata e kanë projektin e tyre rus, gjithashtu. Tash, veç rreth Evrope jemi të përbashkuar. Por, për me i rehatue përkatësisht për me i normalizue marrëdhëniet mes nesh dhe Serbisë ka mbetur pa u zgjidhur edhe një problem i madh. E ky nuk është veriu! Ky problem është konflikti i interesave amerikano-ruse. Kështu, kur të pajtohen këta, ose kur të fitojë njëra anë, rehatohemi edhe ne. Në ndërkohë në këtë lojë të madhe ne jemi në tribuna. Nuk jemi në lojë fare! Nuk na vetë askush asgjë, dhe ndoshta ky është fati ynë i madh! Por, për çdo rast, dihet! Dihet kah anojmë! Në të mirë e në të keq!

Të kthehemi te kryeministri, se ai e ka pak problem mungesën e vëmendjes publike. “Kaq është forca jonë”, pohoi ai para deputetëve të cilët (s)po e dëgjonin me emocione të ndara. Derisa kryeministri po fliste, deputetët e “Vetëvendosjes” po e plotësonin diskutimin e tij me harta e me kolonën zanore nga seriali “Pronto”!

Para publikut vendor dhe sidomos ndërkombëtar, kryeministri po fliste, ose thënë më saktë po lexonte me zë. Në fillim foli për pafuqinë e vet, dhe sugjeronte se kaq ishte edhe “kaçiku” ynë si popull! “Vetëvendosja” përkundrazi nuk donte të pranonte kurrqysh pafuqinë e vet. Por në fund, kur votimi u krye , e dëshmoi atë! Nuk merret pushteti me filikaqa,de! Pastaj, shtrohet pyetja: ku i kanë ble filikaqat? A janë prodhim vendor?

Nejse, këtë të diel, pesha e “Dragodanit” po rëndonte mbi shpatullat e Parlamentit dhe ai u lakua aq shumë, duke marrë një formë të përçudnuar. Deputetët po flisnin ndryshe e po votonin ndryshe. Përgjegjësia (ndër)kombëtare ishte në nivel! Votuan dhe ikën shpejt, kokulur pas kordonit të policisë. Askush nuk e di përse ikën! Përveç ndërgjegjes prapa nuk po i ndiqte askush! Se Parlamenti ishte rrethuar me polici, si ndodhë zakonisht përgjatë historisë sonë . Se parlamenti është organi më i lartë në vend. Menjëherë pas kryeministrit!

Në fund krejt, pak protokoll! Protokoll me papuçe! Në vizitat zyrtare ndërmjet bashkësive tona , veturat zyrtare do të ndalen pikërisht në Urën e Ibrit. Presidenti/ja do të nxjerrë nga çanta papuçet dhe andej do të kalojë me papuçe. Kryeministrit papuçet do t’ ia sjellë ministri i Brendshëm. Në anën tjetër, mysafirët do t’i presë Presidenti i Bashkësisë, me qeverinë e vet. Me këtë rast do të intonohen edhe himnet (jo)shtetërorë dhe do të ngrihen edhe flamujt (jo)kombëtarë.

Unë propozoj që në bisedimet e mëtejme jopolitike, delegacioni ynë të insistojë në dy “çështje madhore”! E para që himni i bashkësisë, po ashtu nuk duhet të ketë tekst, dhe e dyta që flamuri i bashkësisë të jetë i kaltër me yje, dhe të simbolizojë Evropën.
Si duket, në historinë më të re të Kosovës, e diela është ditë pune për politikën. Ditët e tjera…pushojnë!

Advertisements

15 pikat e “Kartës së parimeve të bashkimit PS-LSI”

1. Një bashkëpunim strategjik, programor dhe politik, bazuar në domosdoshmërinë e realizimit të objektivave afatgjatë dhe në nevojën e bashkëveprimit konstant mes PS e LSI, për të ndërtuar Shqipërinë Europiane si realitet i ri i në të ardhmen e afërt i Bashkimit Europian, përmes mirëqeverisjes së punëve të vendit çdo ditë;

2. Një zhvillim konstruktiv të bashkëpunimit mes PS e LSI, mbi parimet e kushtetuetshmërisë e të ligjshmërisë, respektit të të gjithë faktorëve institucionalë, politikë e shoqërorë, garantimit të lirive e të drejtave të opozitës dhe kërkimit të konsensusit sa më të gjerë në procesin vendimmarrës, përmes gjithëpërfshirjes e vendosjes së prioriteteve të procesit të ndërtimit të Shqipërisë Europiane mbi çdo prioritet partiak. 
3. Një vullnet të palëkundur për të garantuar kohezion të brendshëm të koalicionit dhe konsensus për mirëqeverisjen, në funksion të reformave të dakordësuara bashkarisht, të emërimeve që janë përgjegjësi kushtetuese e Kuvendit për të garantuar pavarësinë e institucioneve, të depolitizimit dhe modernizimit të administratës publike përmes konkurrencës e meritës.
4. Një qasje të re publike të shumicës qoftë në parlament e qoftë në qeveri, për të garantuar mbi bazën e një Kodi Etik që do të hartojmë e miratojmë bashkarisht, shprehjen e respektit më të madh për opinionin publik dhe rritjen e transparencës në qeverisje në një shkallë të panjohur deri më sot.
5. Një ndarje të re të punëve mes legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë një vlerë të re mandatit të popullit Sovran qoftë në pushtetin legjislativ qoftë në pushtetin ekzekutiv, me qëllim që kontrolli parlamentar të marrë vlerën e munguar në këto dy dekada dhe përgjegjësia qeverisëse të fitojë një cilësi të re.
6. Një pozicionim të qartë në mbrojtjen e shtresave të nevojë dhe në mbështetjen e shtresës së mesme, përmes uljes së barrës së detyrimeve apo taksave të drejtpërdrejta si edhe nxitjes së integrimit social përmes punës dhe rritjes së fuqisë blerëse.
7. Një politikë vijimësisht mbështetëse për biznesin e vogël, për të rritur vetëpunësimin dhe fuqinë ekonomike të familjeve që merren me biznes të vogël si edhe për të filluar uljen e borxheve të familjeve të varfra ndaj biznesit të vogël.
8. Një garanci të plotë për lirinë e biznesit të madh për të stimuluar një ekonomi prodhuese duke mbrojtur lirinë e konkurrencës, duke e trajtuar punësimin si objektiv themelor të rritjes ekonomike, duke rritur përgjegjshmërinë e shtetit në raport me çdo potencial zhvillim dhe investitor vendas apo të huaj, si edhe duke rritur transparencën e cilësinë e marrëdhënieve mes qeverisë e sipërmarrjes në funksion të interesit madhor të zhvillimit ekonomik e social të vendit – çka për ne do të thotë përfshirje e sipërmarrjes në çdo vendimmarrje të rëndësishme për të dhe luftë pa kompromis arbitraritetit të organeve tatimore ndaj sipërmarrjes.
9. Një angazhim të fuqishëm për zgjidhjen e çështjes së pronës, duke siguruar transparencën e domosdoshme të procesit të kthim-kompensimit të pronave në funksion të së drejtës së mohuar të pronarëve që pas dy dekadash liri janë ende shumë që nuk gëzojnë asnjë të drejtë mbi pronën e tyre. Duke siguruar përmes një procesi të mirëorganizuar e transparent dhënien e çertifikatës së tokës për të gjithë fermerët që prej dy dekadash punojnë një tokë që e kanë de facto po nuk e gëzojnë de jure. Duke realizuar me transparencë procesin e zvarritur të legalizimeve që në dy dekada ka sjellë vetëm rritjen e numrit të ndërtimeve pa leje dhe shkatërrime të mëdha të territorit.
10. Një trajtim me prioritet të sigurisë publike dhe të garantimit të paprekshmërisë së individit e të pronës, duke i shpallur një luftë të pashoqe krimit të çdo natyre dhe korrupsionit. Në këtë kontekst e shohim të pandashme edhe sigurinë juridike për çdo qytetar, në mënyrë të barabartë, eficente dhe të përgjegjshme duke organizuar drejtësinë si një shërbim publik të sigurtë e të aksesueshëm nga te gjithë sipas nevojës. Për ne një Shqipëri e drejtë me të gjithë fillon nga mirëqeverisja për të gjithë.
11. Një politikë të re për rininë shqiptare si kontributore e pazëvendësueshme për projektin e Shqipërisë Europiane dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian. Kjo vetëkupton arsimimin e një brezi me mentalitet dhe profesionalizëm europian, krijimin e mundësive reale për punësim, si dhe çdo kontribut tjetër për të përballuar sfidën e lirisë në mjedisin e një ekonomie gjithnjë e më globale.
12. Një vëmendje të posaçme ndaj barazisë gjinore duke synuar rritjen e vazhdueshme të pjesëmarrjes së gruas në përfaqësimin e popullit Sovran në nivel qendror e vendor, në mirëqeverisjen e punëve të vendit apo komunitetit në administratën publike, në biznes apo shoqërinë civile. Aleanca për Shqipërinë Europiane do të ketë objektiv të palëvizshëm të përpjekjes së saj zhdukjen e dhunës kundër gruas si edhe luftën kundër papunësisë femërore.
13. Një vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, burimet nëntokësore, trashëgiminë kulturore, përmes politikash zhvillimi me një përmasë të gjelbër në kuadrin e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm.
14. Një vizion europianizues që të lerë pas përgjithmonë fantazmën e nacionalizmit primitiv e të promovojë atdhedashurinë si shprehje të krenarisë kombëtare dhe të 
respektit për historinë si burim frymëzimi për të ardhmen, jo si gjenerator dasish e konfliktesh të së shkuarës.
15. Një objektiv madhor: Anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda harkut të dy mandateve qeverisëse, ku të bashkuar në emër të shumicës së shqiptarëve dhe me dorën e bashkëpunimit të shtrirë ndaj përfaqësuesve të pakicës në emër të Shqipërisë Europiane, do t’i shërbejmë besnikërisht popullit shqiptar.