Home » ANALIZA » NË KAHE TË KUNDËRTA: REALITETI VIRTUAL DHE REALITETI JETËSOR SHQIPTAR

NË KAHE TË KUNDËRTA: REALITETI VIRTUAL DHE REALITETI JETËSOR SHQIPTAR

A po ecin në kahe të kundërta shqiptarët dhe paria që i sundon? Pakti i 1 prillit, ndërtimi i bandave të Ali Babait, të ashtuquajtura koalicione të partive politike, dhe mbajtja ndezur e zjarrit të sherrit ndër shqiptarët, në thelb kanë një synim të vetëm. Të detyrojnë qytetarët shqiptarë që të dorëzohen e të pranojnë gjendjen si të pandryshueshme. Vetëm atëherë këta do të mund të sundojnë si duan vetë.

Mirëpo duket qartë se hendeku ndërmjet qytetarëve dhe sundimtarëve të parisë së Tiranës është i pakapërcyeshëm. Nga pamjet e deklaratat e politikanëve ofrohet një realitet virtual ku gjithkush jeton i lumtur, ka një të ardhme dhe situata është e ‘shkëlqyer’ dhe ‘do të bëhet edhe më mirë.’ Nga ana tjetër, njëri nga institucionet e parisë së Tiranës, Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare, sapo botoi një pyetësor, “Demokracia Shqiptare në Prag të Zgjedhjeve të Përgjithshme.” Duke gjykuar nga cka është përzgjedhur e botuar në shtyp, dhe duke i marrë të dhënat e paraqitura në gazetat e ndryshme si të mriëqena, mund të thuhet se në mos tjetër, ky pyetësor provon pikërisht ekzistencën e një realiteti tjetër jetësor. Për të kuptuar ku jemi duhet ndalur sado pak në analizimin e kësaj gjendjeje papajtueshmërie midis realitetit virtual të parisë dhe realitetit jetësor të shqiptarëve.

Një vështrim i shpejtë

Pyetësori pyeti 1200 vetë në 12 qytete. Kjo është e rëndësishme sepse në fshatra gjendja është shumë më keq në të gjithë drejtimet. Mirëpo ky pyetësor nxori në pah gjendjen reale të shqiptarëve në disa drejtime kryesore në të cilat po ndalem, sepse dua të bëj interpretimin tim, edhe me këto të dhëna të pjesëshme. Sa për ilsutrim të argumentit do të ndalem tek ekonomia, ndjenja kombëtare, emigracioni, dhe votimi. Edhe sikur te mos merren parasysh shkalla e larte e mosbesimit shoqeror, dhe te besohet se te gjtihe kane thene te verteten, edhe sikur te mos mbahet parasysh se ky pyetesor eshte shperndare ne qytete jo ne fshatra e ne zonat e thella, edhe sikur te kete njeriu rezerva lidhur me pyetjet qe mund te ishin formuluar ndryshe prape, pyetesori ka vlera te padiskutueshme.

Ekonomia

Në fushën ekonomike, 25% e njerëzve thanë se shqetësimi kryesor i tyre është papunësia. Mirëpo pse do të shqetësohen njerëzit në se nuk janë pa punë apo nëse nuk e kanë dikë në familje që është pa punë, sic është bie fjala, djali apo vajza, nusja apo dhëndri? Si i bëhet që mund të kenë dy të papunë? Vetëm 5% thanë se jetojnë mirë. Kjo është shenjë e qartë që në shtetin shqiptar ka oligarki ekonomike. Se ka shumë të dhëna të tjera, jo nga ky pyetësor, që e konfirmojnë këtë. Për shembull, gjysmën e depozitave bankare, 4 miliardë euro, i kanë 4% e popullatës. Po të qëmtosh të dhënat të del gjithkund ky 5% si mesatare e atyre që jetojnë mirë. Dhe këta janë oligarkët politikë, ekonomikë, sipërmarrësit, pronarët e bizneseve të mëdha dhe të mesme. Kjo është edhe shumë relative, sepse shumë njerëz e konceptojnë të jetuarit mirë ndryshe nga jashtë vendit e në krahasim edhe me të shkuarën.

Rreth 40% e njerëzve thanë se bëjnë një jetë mesatare. Mirëpo ky koncepti i jetës mesatare nuk është fort i qartë. Megjithatë, mund të thuhet se këta njerëz nuk mendojnë se e kanë jetesën të mirë. Me sa e kuptoj unë gjendjen, jetesë mesatare do të thotë të kesh një punë, një makinë, apartamente, ca kursime dhe të mund të shkosh me pushime diku. Këta janë mësuesit, profesorët, zyrtarët, nëpunësit, të punësuarit në firma të ndryshme, profesionistët e rinj e me radhë. Këtu hyjnë edhe dyqanxhinjtë e mesëm e të vegjël etj. Ajo që nuk ceket këtu është vetëperceptimi se jeta e tyre është mesatare, nuk është më e mira, por nuk është as ëndrra e tyre. Modestia e tyre shkon deri diku sepse në fakt këtu ka një element vetëcensurimi që është krejtësisht i prekshëm. Ndryshe, nuk arsye që numri i atyre që duan të emigrojnë po iu dha mundësia të jetë 66% e shqiptarëve. Jetesa e këtyre njerëzve është shumë e pqëndrueshme dhe këta ndjehen të pasigurtë.

Kësaj i shtohet edhe fakti që 28% e njerëzve deklaruan se mungesa e të ardhurave është problem kryesor për ta. Kjo përkon edhe më numrin e 33% e njerëzve të pyetur që thonë se jetojnë në kushte të këqia. Zyrtarisht në shtetin shqiptar papunësia urbane është rreth 13.4% dhe rreth 7.4% e popullsisë jetojnë nën nivelin e varfërisë… që është një dollar e gjysëm në ditë për familje. Pra, shifrat e dhëna nga shteti fshehin një realitet tjetër shumë tronditës sepse një ndër tre shqiptarë të rritur jeton keq. Dhe në mendësinë shqiptare, me jetue keq, don me thanë mos me pasë bukë me iu dhanë fëmijëve. Standarti i nivelit të jetesës është kaq i ulët dhe pritja që kanë njerëzit për një jetë normale është po ashtu e paktë. Kjo fsheh masën e  madhe të të varfërve. Ata që janë mësuar të jetojnë me bukë të gatuar në shtëpi, e të hanë groshë e djathë, nuk ankohen kaq lehtë. por edhe ankimi i tyre ka vlere.

Prandaj ai numri që përkon dhe që duket më i sakti është përqindja e shqiptarëve që mendojnë se gjendja ekonomike është e keqe. 66% e njerëzve mendojnë se gjendja ekonomike është e keqe. Këtu hyjnë jo vetëm të papunët, jo vetëm ata që jetojnë keq, por edhe një pjesë shumë e ndjeshme  e atyre që përndryshe deklarohen se e kanë “jetesën mesatare.” Sepse po 61% kërkojnë që të emigrojnë po iu dha mundësia. Po si është gjendja në fshat?? Këtë as nuk guxohet me e marrë me mend. Kjo pamje e gjendjes në zonat urbane është më shumë se shqetësuese. Në fshatrat e në katundet shqiptare, gjendja është për faqe të zezë.

Ndjenja kombëtariste

Paria sunduese e Tiranës është hedhur në një fushatë të egër kundër kombëtarizmit ndër shqiptarët. Koalicioni i drejtuar nga PS ka vendosur të zhvillojë një fushatë të egër ndaj “nacionalizmit primitiv” dhe të punojë për afrimin me Greqinë e me Serbinë gjithnjë duke propaganduar kauzën e dëhstuar të integrimit europian. Po ashtu edhe koalicioni i drejtuar nga PD ka premtuar “më shumë se miqësi me Kosovën” mirëpo kjo është më pak se të jesh vëlla me turqit dhe me italianët, sic është deklaruar kryeministri. Të dy palët flasin për integrimin europian si mantra e zgjidhjes së probemeve shqiptare por ky është një objektiv i paarritshëm. BE e ka bërë të qartë se ka lodhje nga integrimi dhe nuk do të ketë zgjerim deri mbas vitit 2025. keta flasin ende per integrim.

Mirëpo, ajo që është e rëndësishme, është se pamja që del nga ky pyetësor është e kundërta e propagandës së parisë. Një ndër tre të anketuar, 32% e tyre, deklaron se shteti shqiptar përballet me rrezikun e jashtëm imediat e jetik që mund të vijë nga një shtet tjetër, që në këtë rast është ose Greqia ose Serbia. Numri i vogël i njerëzve që mendon se rreziku vjen nga këto vende fqinje shpjegohet me shkallën e lartë të besueshmërisë që kanë shqiptarët tek NATO dhe tek SHBA. SHBA, dhe përmes tyre NATO, shihen si garancia e ekzistencës së shtetit shqiptar. Po ashtu, duke qënë se këto dy shtete janë në krizë të thellë, shqiptarët nuk besojnë se përbëjnë një rrezik imediat për shtetin shqiptar.

Në vitin 1992 vetëm 19% e shqiptarëve në shtetin shqiptar besonin se bashkimi me Kosovën ishte një gjë e mirë ose pozitive. Tani në vitin 2013, 49% e shqiptarëve në shtetin shqiptar mendojnë se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është gjë positive. Kurse 29% nuk kanë ndonjë opinion të fortë as pro as kundër. Kjo do të thotë se 80% e shtetasve në shtetin shqiptar ose e mbështesin ose e pranojnë bashkimin midis Kosovës e Shqipërisë si dicka normale. Për më tepër, 55% e të pyeturve u deklaruan se në rast të një referendum, do të votonin pro bashkimit të  Kosovës me Shqipërinë. Ishte interesante se 14% e të pyeturve deklaruan se do të votonin kundër bashkimit të kosovës me Shqipërinë por vetëm 10% e shohin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë si zhvillim negativ.

Këto të dhëna tregojnë qartë e pa shumë mëdyshje se bindjet politike të parisë dhe bindjet politike të shqiptarëve nuk janë të përputhëshme. shqiptaret po shfaqin nje ndjenje kombetariste shume te forte. Dhe kjo do te duhet qe te reflektohet edhe ne agjendat politike, sepse identiteti eshte thelbi i sjelljes se individit ne politike. Mirepo, agjendat politike të parisë nuk janë prioritetet e shqiptarëve. Ky pyetësor tregoi qartë se përpjekja e parisë për të shtyrë e për të shitur agjendën e integrimit europian, kur Europa nuk na don, nuk i kemi përmbushur kushtet, dhe kur jemi në një krizë të thellë nuk është prioriteti i shqiptarëve. Nuk po them se eshte nje agjende kombetariste, por, ama, bindjet kombetariste jane te dallueshme, ne rritje, dhe qe nuk mund te injorohen lehte.

Emigrimi

Barometri i lumturisë kombëtare, i pranimit të gjendjes sit ë kënaqëshme për cdo popull është qëndrimi i njerëzve ndaj emigrimit. Kur një shoqëri është mirë, kur njerëzit kanë shpresë, kur jeta është normale, atëherë askush nuk kërkon të emigrojë. Aq më pak ne, një popull, që jemi gjendur gjithnjë në fundin e shoqërive të avancuara ku kemi përjetuar të 1001 të këqijat. Emigrimi për ne shqiptarët është një nga gjërat më të fundit që duhet të na shkojnë ndërmend. Sepse ku do të shkojnë njerëzit? Kështu si janë punët, deri tani na janë kthyer rreth 225000 emigrantë. Këtë verë priten edhe 300000-400000 të tjerë që të kthehen.

E megjithatë, ajo që të pikon në shpirt është se ky pyetësor tregoi se san ë gjendje të keqe jemi ne si popull e si shtet. Kur u pyetën “nëse do të kishit mundësinë për t’u larguar nbga Shqipëria, a do ta kishit bërë një gjë të tillë,” Anketa tregoi se sa keq është gjendja. 61% e të pyeturve thanë se do të ishin larguar nga Shqipëria. 28% thanë se nuk do të ishin larguar dhe të tjerët thanë se nuk e dinin. Pra vetëm një ndër kater qytetarë dëshëron që të jetojë në shtetin shqiptar. Dhe kur shihet përbërja e popullsisë mund të thuhet me siguri se në këtë 28% hyjnë oligarkët, sipërmarrësit, tregtarët, zyrtarët që janë në gjendje, dhe profesionistët, ata që jetojnë mirë. Por kjo është një gjendje e mjerë. Sepse qëllimi i politikës është që të mund të sigurosh një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tuaj e jo të krijosh mundësinë që ata të degdisen e të ikin nga sytë këmbët në mërgim.

Votimi dhe Besimi në Sistemin Politik

Ky pyetësor tregoi se shqiptarët kanë besim në procesin zgjedhor, edhe pse nuk kanë besim tek partitë politike. Se 40% thanë se zgjedhjet nuk ndryshojnë gjë dhe po kaq, 40% thanë se zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të ndershme. Kjo është një shenjë e qartë se kjo masë e votuesve i sheh palët e parisë politike si të padallueshme nga njera tjetra dhe nuk ka fare besim në sistemin politik. 18% e njerëzve thanë se do ta bojkotojnë sistemin, shenjë e qartë kjo se tashmë paria ka një masë të madhe të qytetarëve që nuk i pranojnë zgjidhjet e ofruara prej saj dhe që nuk kanë besim në sistemin politik. Megjithatë shqiptarët janë të gatshëm, jo për të votuar sic është interpretuar, por poër të votuar po qe se me votën e tyre arrijnë të ndërrojnë dicka. Është me të vërtetë shpresëdhënëse për një popull, në të cilin 71% e qytetarëve janë të gatshëm të përdorin votën si armën për të përmirësuar gjendjen. Ndjenja e përgjegjësisë qytetare është me të vërtetë e lartë. Edhe pse ky përfundim i bjen krejt ndesh praktikës së njohur të shitjes së votës për një thes mielli, të gjithë ne duhet të lexojmë më thellë. Po iu dha mundësia shqiptarëve për të votuar, ata do të votojnë. Po qe se duhet me zgjedhë vetëm e vetëm midis palëve të parisë, hëpërhë, ata do të zgjedhin thesin e miellit, gjelin e detit dhe zgjidhjen e problemeve të vogla e jetike.

Realiteti Virtual?

Në sipërfaqe duket sikur shoqëria shqiptare është e pajtuar me gjendjen ekzistuese. Kur sheh televizionet, kur lexon gazetat, kur dëgjon politikanët, por edhe kur flet në kafene të gjithë përsërin në forma të ndryshme refrenin: “Mirë jemi desh Zoti, s’kemi kenë ndonjë herë më mirë, ma mirë bane, por mos e prish.” Por ky pyetësor flet ndryshe. Ky është realiteti virtual, sepse sa i gërmon apo ngacmon pak, njerëzit nisin të hapin thesin e halleve dhe cka nuk të thonë. Por po nuk patën besim të thonë “Mirë mirë, cka, jo keq.” Dhe të gjithë janë ekspertë për futbollin e për motin, për makinat e për cmimet. Por ky pyetësor flet ndryshe, se njerëzit e duna ndryshimin por kanë frikë.

Paria këmbëngul se arritjet e sistemit janë në nivele të larta ndërkombëtare dhe se jemi i vetmi vend që nuk njeh krizën dhe pasojat e saj. Por ky pyetësor flet ndryshe. Njerëzit e thjeshtë të nisin fotot e dasmave, të makinave, të pushimeve dhe të zijafeteve dhe kuriozitete nga ndeshjet e futbollit. Hyrë në të gjithë emisionet dhe gjithkush është e duket i lumtur, që nga velinat deri tek Ardit Gjebrea. Gëzimi televiziv shqiptar ia kalon edhe atyre që fitojnë telebingon italiane. Hareja nuk ka të sosur dhe gjendja duket “s’kemi qënë ndonjëherë më mirë.” Por ky pyetësor flet ndryshe. Të gjithë kafenetë janë të mbushura deng me klientë sepse në botë zëmë shumë vende të para: jëmi njish/njësh për shtretërit e moteleve njëorëshe, karriket e restauranteve per capita dhe të kafeneve, kamerierët, studentët dhe profesorët, të burgosurit në botën e jashtme, emigrimin, trafikimin e femrave dhe të fëmijëve, sallat e kumarit, e shumë e shumë tregues të tjerë të lumturisë kombëtare në tranzicion. ky pyetësor flet ndryshe.

Në nivelin ideologjik na thuhet se e gjithë bota është kështu, se ky është normaliteti dhe se kjo është e tashmja dhe e ardhmja. Ky është realiteti virtual i Rrethit të Ferrit, një realitet që shihet vetëm brenda unazës së Tiranës.  Dhe në sipërfaqe të gjithë duken të pajtuar me gjendjen. Por ky pyetësor flet ndryshe.

Realiteti Jetësor?

Ky pyetësor flet ndryshe dhe gjen mbështetje edhe në shtyp e në media por edhe nga pervoja e raportet anekdotike.  duke dashur të përlyejnë palën tjetër, paria ka nxjerrë e rregullisht mbush faqet e shtypit me një anë të frikshme të shoqërisë shqiptare. Në shtetin shqiptar vidhen fshatrat e shtëpitë, grabiten e trafikohen fëmijët, theren njerëzit si berrat, grabiten zinxhiret dhe unazat nga qafat dhe nga gishtat, ka plasur prostitucioni  dhe hordhëku, kumara dhe kurvnimi politik, dhe jetët e njerëzve janë të shkatërruara. Mirëpo përtej degjenerimit masiv, duhet cekur shpejt e shpejt se ekonomia ëshë e kapur, monopoliste, struktura e shoqërisë është thellësisht klanore-katundare, sistemi politik është oligarkik, prijatarët e parisë janë hajna e cuba, administrate shtetërore është e zvetënuar dhe e korruptuar deri në palcë. Ba mos me kenë droga e trafiqet, shqiptarët duhet të fillojnë të hanë byrek me hithra. Kush punon mezi jeton, e kush nuk punon por trafikon jeton si mbret.

Në vend të Përfundimit

Prandaj edhe ky pyetësor duhet marrë seriozisht. Sepse ky pyetësor flet ndryshe. Ky pyetësor tregon se shoqëria shqiptare ka ndryshuar thellësisht. Në shoqërinë shqiptare ka shtresëzime të frikshme. Ka ndarje të thella e të papranushme klasore. Ka humbje të besimit në parinë e Tiranës, dhe në sistemin politik e në demokracinë. Ekonomia është në krizë të thellë, dhe më shumë se gjysma e njerëzve presin që gjendja do të bëhet edhe më keq. Më në fund, ky pyetësor tregon se shqiptarët janë patriot. Gjatë këtyre 20 vieteve të fundit ka ndodhru një ndryshim i thellë në mendësi e në ideologji. Njerëzit janë bërë kombëtaristë e atdhetarë. Edhe pse paria sunduese e Tiranës ka vendosur të luftojë kundër nacionalizmit, e për një shtet të integruar, një politikë që i ngjan luftës me mullinhtë e erës, së shpejti duket se paria do të duhet të luftojë edhe kundër popullit të vet. Sepse paritë luftojnë me hile e me poshtërsi, duke i blerë e duke i zvetënuar njerëzit, duke i përdorur ata dhe makinën e shtetit, e njerëzit luftojnë me bindje e me shpresë. Dikur shqiptarët kanë pasur shpresë por nuk kanë pasur bindje të qarta politike. Tani duket se bindjet po ndrrojnë, dhe me ndrrimin e bindjeve ka me ardhë edhe shpresa. E përfundimi nuk don mend: paria dhe populli janë duke ecur në kahe të kundërta dhe përplasja është e paevitueshme, është vetëm cështje kohe.