Home » ANALISTE TE FTUAR » LEDJAN PRIFTI: RAMA-SPAHIU, SHKESI NGEL PA KEPUCË

LEDJAN PRIFTI: RAMA-SPAHIU, SHKESI NGEL PA KEPUCË

Me dështimin rokambolesk të negociatave mes Ramës e Spahiut dhe daljen e AK-së si subjekt më vete mbaroi edhe faza parazgjedhore e koalicioneve. Më një anë koalicioni ”i djathtë”, në anën tjetër koalicioni ”i majtë” e në mes kudhrës dhe çekanit, dy partitë e reja AK e FRD si subjekte të veçanta. Nga dy partitë e reja ajo që ngjalli më shume interes dhe debat për zgjedhjen e saj ishte padyshim AK-ja, për shkak të negociatave të vazhdueshme me PS-në.
Reagimi emocional i Ramës, pas dështimit të negociatave, i tejmbushur me helm e gjuhë politike berishiste, nuk ishte aspak i denjë për kryetarin e opozitës së majtë. Koalicioni mes tyre, në fund të fundit, nuk ishte ideologjikisht i natyrshëm, por i kushtëzuar nga kodi elektoral dhe nevoja e largimit të Berishës. Panatyrshmëria e tij, duhet t’i mbante të gjithë me këmbë në tokë, të mos krijonin iluzione dhe pritshmëri të atilla që më vonë të jepnin pasoja emocionale e harlisje fyerjesh.
Largimi i Berishës është përparësi absolute si për Ramën ashtu edhe për Spahiun, të paktën në bazë të zhvilimeve politike, por largimi i Berishës nuk përfaqëson ndonjë rrymë politiko-ideologjike, ndonjë tërësi parimesh politike, që bashkojnë ideologjikisht partitë. Dihet që koalicioni Rama-Meta u bazua tek matematika politike e jo tek morali politik apo ideologjia. Nga ana tjetër, largimi i Berishës as nuk u bë i pamundur e as u vështirësua nga dështimi i negociatave, sepse matematika elektorale është gjithnjë në favor të opozitës, që përbëhet përveçse prej koalicionit të majtë edhe prej AK-së dhe FRD-së.
Rama, që iu përul ish-zëvendësit të Berishës në qeveri, aleatit kryesor të Berishës në këto 4 vjet,  nuk ka ndonjë besueshmëri më të madhe anti-Berishë sesa Spahiu apo Topi. Antiberishizmi që s’i lidhi dot në koalicion parazgjedhor, mund t’i lidhë në koalicion paszgjedhor, nuk është thënë ende fjala e fundit, madje as e parafundit.
Megjithatë, shpërthimi emotiv i Ramës kundër AK-së, mund të lexohet edhe duke përdorur çelësin e historisë së fushatave elektorale që din të bëjë Rama. Kjo mund të jetë thjesht vijueshmëria e fushatave matematikore të Ramës, pasi Rama në kurrikulumin e vet s’ka asnjë fushatë idesh, parimesh e programesh politike, por vetëm fushata matematikore. Kësaj radhe me ”Rilindjen” dukej sikur Rama do të ndryshonte, por me paktin e 1 Prillit, Rama iu rikthye asaj gjëje që mendon se din ta bëjë më mirë, fushatëmatematikore, me zgjedhësit që shihen thjesht si numra, si statistika, e jo si zoon politicon/kafshe politike. Para 4 vjetësh Rama e zhvilloi fushatën elektorale më shumë për të asgjësuar Metën e t’i marrë votuesit, sesa për t’i ofruar popullit një alternativë tëqartë ndaj Berishës. Emblemë e mungesës së vizionit politik ishte programi i munguar 1000 faqesh.
Pra, shpërthimi i Ramës, mund të jetë edhe fillimi i fushatës së vërtetë elektorale të Rames, jo fushatë kundër Berishës, e cila do të zhvillohet sa për sy e faqe,  por fushatë shpifjesh për asgjësimin e AK-së me qëllim që t’i marrë votuesit e kështu të arrihet ajo shifër aq e dëshiruar matematikore që e nxjerr fitues, shifër për të cilën Fausti ynë i ka shitur shpirtin Mefistofelit.
Nga ana e vet, Spahiu, si kryetar i një partie të re e të pakonsoliduar, ka qenë vazhdimisht i shqetësuar më shumë sesa per numrat, për identitetin e partisë. Ndërsa PS-ja, si parti historike, ka luksin të bëjë çfarë të dojë e përsëri të mos rrezikojë as për së largu zhdukjen, AK-ja rrezikon përnjimend zhdukjen në rast se bën hapa të gabuar në lidhje me koalicionet. Si parti patriotike e antisistemike, AK-ja në rast të një hapi të gabuar, ku mohon patriotizmin e frymën antisistem, sipas gjasave do të kthehej në parti fantazëm, si ato dhjetra partiçkat që mbushin kazanet e majta e të djathta.
Flitet për deputetë të AK-së në listat e PS-së dhe kjo po stigmatizohet kudo në shtypin e majtë. Spahiu nga ana e vet flet për komisionerë e për modifikim të kodit zgjedhor. Sido të jetë e vërteta në lidhje me këtë zhvillim të negociatave, futja e deputetëve nëlistat e PS-së është koherente me kërkesën për modifikim te kodit zgjedhor, në kuptimin që kush pranon modifikimin e kodit zgjedhor, në pamundësi të ndryshimeve kushtetuese, detyrimisht shkon tek modifikimi praktik i atij kodi, nëpërmjet futjes sëdeputetëve në listat e partive që përfitojnë prej kodit.
Nqs, ta zëmë, Gjinushi merr 25 mijë vota e asnjë deputet ( si në 2009-n), meqë në proporcional kombëtar fiton 2 deputetë, është e drejta legjitime e tij që të kushtëzojë koalicionin me futjen e nje emri në listat e PS-së, përndryshe votat e partisë së tij shkojnëthjesht për shtimin e 2 deputetëve socialistë. Këtu nuk bëhet fjalë për karrige, por për pranimin e modifikimit praktik të Kodit, nëpërmjet një marreveshjeje politike mes dy partive.
Pra, në momentin që PS-ja pranonte kërkesën e AK-së për modifikim të Kodit nga proporcional me bazë qarku në proporcional kombëtar, rrjedhimisht pranonte edhe mënyrën e vetme korrektuese, në mungesë të kohës dhe votave parlamentare për ndryshime kushtetuese, pra do të pranonte futjen e deputetëve të AK-së në listat e PS-së, sepse PS-ja do të përfitonte realisht nga votat e AK-së. Mospranimi i kushtit për ndryshim de facto të Kodit Zgjedhor nga ana e Ramës, ose më mirë korrektim të Kodit nëpërmjet marrëveshjeve partiake, duket si një nga shkaqet e zgjedhjes së AK-së për të mos hyrë në koalicion. Këtu nuk kemi çështje diversantësh, por çështje parimesh dhe përllogaritjesh të ndershme mbi bazën e parimeve të pranuara bashkarisht.
Por, nga ana tjetër, sipas Spahiut, futja e Dules në koalicion, kur negociatat ishin në kulmin e tyre, duket të ketë ngritur çështjen e madhe parimore;  për AK-në është më e rëndësishme fryma patriotike e çështja kombëtare apo bashkimi në një koalicion tëmadh anti-Berishë, ku çështja kombëtare humbet plotësisht kuptimin ?
Dulja, në fakt, dukej për një kohë të gjatë se ishte afër koalicionit me FRD-në, prandaj nuk dukej të përfaqësonte kurrfarë pengese për negociatat. Kthimi i tij drejt PS-së, në kulmin e negociatave, duket të ketë venë në vështirësi negociatat.
Shumëkush mund të thotë që AK-ja duhet t’i kishte ndërprerë negociatat qysh në çastin e hyrjes së Dules në koalicion, 3 ditë më herët,  nqs është vërtetë parti kombëtariste, çka është absolutisht një tezë e vlefshme, e marrë në abstrakt, por realiteti ndonjëherë kërkon shqyrtime të kujdesshme, që mund të marrin kohë, aq më tepër që  në këtë rast kauza patriotike binte në konflikt me kauzën antiregjim, pra vetë dy shtyllat kryesore të AK-së binin në konflikt. Me pranimin e Dules, mospranimin e korrektimit të kodit zgjedhor, retorikën e vazhdueshme antipatriotike, Rama nuk bëri gjë tjetër veçse shtyu AK-në larg marrëveshjes për koalicion.
Vendosja e mospranimit të koalicionit parazgjedhor vetëm në çastet e fundit, tregon se kauza antiregjim, është tepër e rëndësishme për AK-në, aq e rëndësishme, saqë duhej shqyrtuar deri në fund, pavarësisht mbledhjes presante së faktorëve dëmtues për imazhin e AK-se e të së ardhmes së saj, prania e Dules, retorikën antipatriotike të Ramës e mospranimin e korrektimit të Kodit nga ana e Ramës. Në këto kushte, hyrja në koalicion do të ishte një vetëvrasje politike, prandaj e vetmja gjë që duhej bërë ishte pikërisht refuzimi i harakirit politik, duke dalë si subjekt më vete.
Më tej, nuk duhen harruar edhe vlerësimë te tjera të natyrës politike, si testimi i partisë në zgjedhjet e para, vlera më e madhe e deputetëve të nxjerrë jashtë koalicioneve, ruajtja e moralit politik pavarësisht dëmeve prej kodit, prania e përkrahësve dikur tëdjathtë, që kanë alergji nga PS-ja, pra janë edhe një sërë faktorësh që e çojnë peshoren nga ana e mospranimit të hyrjes në koalicion.
Si përfundim, mund të thuhet se zgjedhja e Spahiut dhe Topit, për të marrë pjesë si subjekte të veçanta, pa u bërë vagona të lokomotivave të lodhura e obsolete, PS e PD, ngjan si një fllad i freskët politik në ajrin e ndenjur e kutërbues të politikës shqiptare, sepse këto parti tregojnë që pavarësisht dëmeve të medha prej Kodit zgjedhor, janë të gatshme të sfidojnë dy dinozaurët e politikës, ngjan si njëfarë sfide Davidi kundër Golias, një nga ato sfida që tërheqin njerëzimin prej shekujsh. Një gjë është e sigurtë, se ndryshimi në Shqiperi, nëqoftese do të ndodhe, s’ka për të pasur si protagonistë dinozauret e politikes, por ka për të ardhur nga parti e grupime te vogla qytetarësh që marrin guximin të sfidojnë rendin e gjërave. Gjithnjë e më shumë, dyshja Rama- Meta, ngjajnë si Don Kishoti e Sanço Pança, në luftë me mullinjtë e erës, në luftë qesharake me erën e ndryshimeve, e të kapur pas sistemit të vjetër, pas numrave e imoralitetit politik. Të shpresojmë se kësaj radhe shqiptarët nuk do të rendin pas më të fortit, si e kane zakon, por do të rendin pas më të drejtit.