Home » ANALIZA » PAZARI I ZGJEDHJEVE DHE KOALICIONET: BANDAT MË TË MËDHA TË HAJNAVE NË HISTORINË E SHQIPTARËVE??

PAZARI I ZGJEDHJEVE DHE KOALICIONET: BANDAT MË TË MËDHA TË HAJNAVE NË HISTORINË E SHQIPTARËVE??

Ndërtimi i pazareve zgjedhore nga ana e parisë së Tiranës ishte një proces që ka treguar qartë e përfundimisht katër gjëra. Së pari, paria e Tiranës, të gjithë këta, pa përjashtim, janë në politikë jo për të shërbyer, jo për të ndihmuar, jo për të drejtuar por për të vjedhur shtetin, për të vjedhur ndonjë gjë e për të grabitur. Së dyti, të gjithë këta nuk kanë as ideologji, e as vlera morale sepse nuk shihet asgjë në këtë lojë që të bind se këta e bëjnë këtë punë për vlera e për moral përvecse materializmit ekstrem. Së treti këta mendojnë të gjithë njëlloj e janë hapur në lojë për të shitur nderin e shqiptarëve, se vetë nuk kanë se c’të shesin më dhe nuk do të ndalen deri në fund, dhe fundi është kur të mos kemi më as trup, as pasuri e as shpirt. Së katërti, alternativa e vetme është kundërvënia, me të gjithë mënyrat e mjetet sa më demokratike, që nga bojkoti tek rezistenca paqësore e me rradhë. Për të ilustruar argumentin e mësipërm do të ndalem pak tek përbërja e koalicioneve, qëllimet, e tyre, prijatarët, e në vecanti, tek paradokset më të spikatura të formimit e të funksionimit të tyre në nivelin ideologjik.

Përse ndërtohen koalicionet partiake?

Cfarë janë koalicionet? Koalicionet partiake janë marëveshje ndërmjet partive për të arritur qëllimet e përbashkëta duke synuar marrjen e pushtetit dhe influencimin e politikave shtetërore përmes fitores në zgjedhje dhe qeverisjes. Mirëpo koalicionet midis partive nuk janë si koalicionet midis shteteve. Shtetet duan të mundin një shtet tjetër dhe sa zgjidhjet problem mandej ndjekin politikat e tyre. Partitë nuk mund të shkojnë në rrugën e tyre sepse zgjedhjet i kanë fituar bashkë dhe po u ndanë në objektiva e në drejtime bjen qeveria. Pra, qëllimi për ndërtimin e koalicioneve ndërmjet shteteve është që t’iu kundërvihen dikujt, e qëllimi ndërmjet partive për ndërtimin e koalicioneve është që punojnë bashkë për një qëllim deri në zgjedhjet e tjera.

Mirëpo për të pasur një koalicion të tillë partiak duhet që partitë të bien dakord për arritjen e një objektivi politik të përbashkët. Së dyti partitë duhet të kenë besim se edhe të tjerët janë të përkushtuar që të arrijnë të njëjtat objektiva. Së treti, koalicioni duhet të ketë mekanizma për zbutur e pajtuar dallimet që mund të ekzistojnë në gjuhë, tradita, taktika e në kulturën e partive të ndryshme. Më në fund partitë duhet të kenë drejtues të besueshëm që të ofrojnë garancinë për suksesin e koalicionit. Koalicionet partiake, pra janë disi afatgjata, më e pakta jetëgjatësia e tyre deri në zgjedhjet e tjera. Cilatdo që janë arsyet, prapë nuk ka kontradikta të tilla kaq përjashtuese e kaq paradoksale sa  në këtë rastin tonë.

Paradokset Programatike

Së pari, këta nuk kanë vlera, ideologji apo botëkuptime të qarta që të na drejtojnë në rrugën e duhur shihet qartë, shumë qartë nga pacavuret që na u paraqitën si dokumentet që rregulluan marrëveshjet e tyre. Konceptet e përdorura janë krejt kontradiktorë, përjashtuese të njëra tjetrës e me radhë. Sepse në këto material flitet për integrim europian, bashkim kombëtar dhe mbrojtje të interesave rajonale. Flitet për lulëzim ekonomik dhe përmenden globalizmi dhe integrimi. Flitet për mbrojtjen e qytetarëve dhe ekonominë, por gjithcka është e mbështetur tek tregu i lirë dhë kështu me radhë. Meqë këtë problem e kam trajtuar më parë nuk po përqëndrohem këtu. Aq më shumë që këto kontradikta e mospajtime do të bëhen shumë më të dukshme në të ardhmen e afërt. te gjithe flasin per integrimin europian, por ja nje deklarate qesharake nga Aleanca per Punesim, Mireqenie dhe Integrim : “Ne jemi të angazhuar për të siguruar mirëqenien e të gjithë shqiptarëve pa dallim, kudo ku jetojnë, nëpërmjet thellimit të aleancave të NATO-s,  inkurajimin e  vlerave euro-atlantike dhe ndërtimin e një  marrëdhënieje të veçantë me Kosovën, që shkon përtej miqësisë.” pra, te thellohen aleancat e NATO-s…

Paradokset në aleanca

Së dyti, këta nuk kanë vlera ideologjike, po hic fare. Kjo shihet nga fakti se boshti i pazarit është shitblerja e posteve ne shtet. Ja, për shembull, të marrim marrëveshjen e PS-së me partinë e grekëve që është strumbullari i gjithë koalicionit të ndërtuar prej tyre. Mirëpo grekët kanë një qëllim të vetëm nga i cili nuk kanë hequr dorë asnjëherë dhe ky nuk është përparimi i kombit shqiptar apo mbrojtja e interesave të shqiptarëve. Grekët nuk e njohin Camerinë, kërkojnë Vorio Epirin, regjistrimin e bërë nga shteti shqiptar e quajnë mashtrim, bëjnë diversione të të gjithë llojeve që mijonë sovranitetin e shtetit shqiptar e me radhë.

Kjo është e drejta e tyre dhe ligji ua njeh këtë të drejtë. Është e drejtë e PS-së dhe e Edi Ramës që të bëjë koalicion me grekët.

Mirëpo pyetja është se se cfarë duan në aleancën e PS-së këta individë dhe parti që janë betuar  e që na lehin për natë në televizione e gazeta se duan të mbrojnë interesa që iu bien ndesh grekëve dhe programit të tyre? Cfarë duan në aleancë me grekët njerëz e parti si ky kryetari i “Partisë për Unitet Kombëtar,” Idajet Beqiri që na flet për unitet e për bashkim kombëtar?! Cfarë don “Partia Aleanca Popullore” e kryesuar nga Artur Dojaka që me demek do të mbrojë ceshtjen came në një koalicion me grekët?! Po ky zotëria Bujar Shurdhi, që është në krye të partisë së “Ceshtjeve Shqiptare”!! Mirë këta,  por cfare duan në këtë koalicion këto partitë e tjera si “Partia Aleanca Arbnore Kombëtare,” “Partia e Pajtimit Kombëtar Shqiptar,” e mbi të gjitha, “Partia Shqiptare Atdheu Kreshnik?! Pyetja eshte se cfare duan parti të tilla, që kanë një ideologji nacionaliste ekstreme, në një aleancë me PS????

Ja edhe një shembull tjetër që këta nuk kane fare vlera ideologjike. Marrëveshja PS-LSi flet për mbështetje biznesit të madh, globalizmin, kapitalizmin dhe është një marrëveshje kot, por që nuk ka asgjë proletare në të. Nuk e ka një fjalë për të drejtat e punëtorëve. Cfarë duan në këtë koalicion “Partia Komuniste Shqiptare,” “Partia e Punës Shqiptare e Reformuar,” “Partia Social Punëtore e Shqipërise” apo Partia Komuniste Shqiptare 8 Nentori”? Këto parti janë të gjitha enveriste. Për cfarë janë në politikë këto parti, për një vend këshilltari në ministrinë e ekonomisë? Edi Rama eshte per mrbojtjen e biznesit jo te fukarait.

Lëre më kur sheh një listë me parti kristiane apo demokristiane që mbështesin këtë aleancë, që në thelb duhej të ishte e majtë dhe socialiste por që nuk është as njëra e as tjetra.

E vetmja parti që është e pranueshme është “Partia e Personave me Aftësi të Kufizuara.” Këtyre mund t’iu falet zgjidhja sepse këta kanë hallin që të zgjidhin problemet e atyre që nuk shohin, nuk janë në gjendje, apo që janë të diskriminuar.

E njëjta gjë është edhe nga pala tjetër. Cfarëdo në një koalicion politik të ashtuquajtur republikan “Lëvizja e Legalitetit,” një parti që kërkon të vendosë në fron mbretin, në bazë të një ndodhie që ka ndodhur në vitin 1925 aq më shumë kur pretendenti për fronin është këshilltar i presidentit republikan?!! Mandej për cfarë vlerash kombëtare e shqiptare flet edhe ky koalicion në vecanti parti si Partia e Shpëtim Idrizit që mbron ceshtjen Came apo shtatë partitë e tjera, me demek nacionaliste? Se edhe këta i kanë grekët në koalicion. Këta kanë jo një por dy parti pakicash, një parti greke e një parti që nuk gjindet kund në botë, Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian. Nuk ka problem që është ndërtuar një koalicion i tillë. Problemi është se marrëveshje të tilla, me parti që kanë një bazë dhe një agjendë etnike të papranueshme nga partitë e tjera tregojnë se pika e pajtueshmërisë së koalicionit nuk është ideologjia apo vlerat por interesat e ngushta të njerëzve që nuk janë aspak të sinqerta.

Paradokset e përplasjeve mes prijatarëve

Problem tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm është mungesa e kredibilitetit të prijatarëve. E shkuara e tyre është e mbushur me probleme që gjithkund tjetër do ta nxirrnin dikë nga politika. Sepse të gjithë këta kanë një të shkuar që nuk ka filluar në vitin 1990 por shumë shumë kohë më parë. Por mbas vitit 1990, dolën në pah të gjithë mangësitë dhe krimet e tyre. Këta nuk kanë lënë gjë pa thënë për njeri tjetrin, brenda koalicioneve gjen dyshe që e kanë sulmuar njëri tjetrin deri në pikën e fundit. Se po të mendohet se sa egër e kanë luftuar njëri-tjetrin Edi Rama dhe Ilir Meta, Skender Gjinushi dhe Paskal Milo, Nard Ndoka dhe Nikollë Lesi, Sali Berisha dhe Shpetim Idrizi këto koalicione nuk kanë fare kuptim.

Problemi tjetër është se të gjithë këta kanë një barrë krimesh në kurriz që nuk ka det që i lan. Këta e kanë cuar vendin e shtetin deri në këtë pike, kanë humbur shansin historik të tranzicionit. Dhe më e keqja është se po ndeshemi në fundin e frikshëm të tranzicionit dhe  atëherë do ta kuptojmë se cfarë rasti historik kemi keqpërdorur e abuzuar.

Si Shpjegohen Paradokset e Koalicioneve

Koalicionet e ndërtuara nga paria e Tiranës janë krejt paradoksale. Në këto koalicione janë përfshirë parti e grupe që ndjekin agjenda të papajtueshme, gjë që tregon se këto nuk janë koalicione  normale. Kjo tregon se këta kanë dicka tjetër që i bashkon dhe ajo që i bashkon nuk është ideologjia apo vlerat por interesi I ngushtë. Dhe ky nuk është interesi i elektoratit por interesi i tyre material, marrja e nje rroge, shfrytëzimi i një posti, dhe viedhja e shtetit. Ky është një interes që do të përmbushet vetëm e vetëm nga kontrolli i makinës shtetërore. Shembullin më të bukur e dha Nikollë Lesi. Në mengjez shkoj në Spitën dhe iu tha votuesve që i delte llogaria të shkonte me Ramën. Kur u kthye ne Tiranë nënshkroi marrëveshjen me Berishën! Paradokset e koalicioneve janë të dukshme dhe shqetësuese, mirëpo lufta e parisë është pikërisht që të mos lejojë askënd që të gjykojë me qetësi e me vëmendjen e duhur atë që po ndodh.

Sepse si pakti i PS-së me LSI-në, i arritur mbas pakteve të bëra me partitë e vogla e të tjera, ashtu edhe pakti I PD-së me të ‘vetët” tregon se këtu është bërë thjesht pazar për vende pune. Po more 500 vota, ke një këshilltar lokal. Po morë 10000 vota ke një ministër. Por të tjerët? Të tjerët, me këto emra bombastikë, nuk kanë asnjë ideologji të qartë, as vlera të qarta, as bindje politike. Pazari është 50 vota, 5000 euro, 500 vota nje vend pune si këshilltar apo drejtor e ashtu vidh 500000 euro, dhe 10000 vota, një ministër të kesh mundësinë që të vjedhësh si Ilir Meta (që doli i pafajshëm) 700000 euro për shtatë minuta. Pra, nuk është një marrëveshje për të shërbyer por për të marrë e pwr te vjedhur. E njëjta nga ana e PD-së. Aleancat e koalicionet janë shitja e votave për mundësinë e vjedhjes së shtetit shqiptar. Rrahjet e sharjet në public maskojnë keq marrëveshjen që është bërë. Këta janë bashkë. Këta e kanë ndarë tortën. Kjo që po ndodh është një përpjekje me u hedhë njerëzve trutë e gomarit. Si tha Artan Hoxha, “Këtyre katundarëve që na votojnë kaq u duhet dhe e kuptojnë vetë se kush është i forti e kush i dobëti.”

Zgjidhja?

Zgjidhja është bojkotimi, vota e bardhë, vota kundër, ndërtimi i një koalicioni qytetar për liri e demokraci. Këtu duhen bërë bashkë këto grimcat e shoqërisë civile që synojnë ikjen nga kontrolli i parisë. Ose duhen mbështetur alternativat që janë jashtë strukturave të këtyre, si dy partitë që do ju krijojnë probleme të dy koalicioneve si FRD e AKZ ose duhet ndërtuar një strukturë civile me inisiativat “Bjeri Vize”, “Vota e Bardhe,” Levizja “Vota e Protestes”, “Hiqu Kryq,” Blogun “Demokracia Direkte” dhe me mua e të tjerët që kemi thënë tash sa vite “Bojkot: Vota Shkon Kot.” Sepse, nuk ka më zgjidhje të tjera. Po nuk u veprua kështu, këta prijatarë të parisë së Tiranës do të dalin e të thonë se ju na e dhatë të drejtën të bëjmë të keqen që bëmë, sepse në kaq ditëm, nuk kishte të tjerë, dhe ju na zgjodhët, nuk iu detyruam ne. Se ja shih edhe koalicionet që kemi ndërtuar, ju i zgjodhët.

2 thoughts on “PAZARI I ZGJEDHJEVE DHE KOALICIONET: BANDAT MË TË MËDHA TË HAJNAVE NË HISTORINË E SHQIPTARËVE??

  1. Te shikosh kualicionet mendoj qe dhe nje njeri nomal do te ç’mendej kur shikon ne nje kualicion Partine komuniste ( me Enverin ne krye) me partine e Kurt Koles.Kualicionet e krijuara jane :1-Kualicioni qe te grabisim çfare ka mbetur” dhe 2-Kualicioni ne pritje per te grabitur çfare ka mbetur

Comments are closed.