Home » ANALIZA » NUK PO NDODH ASGJË?! : PROBLEMI I FSHEHUR I KRIZËS SË THELLË EKONOMIKE

NUK PO NDODH ASGJË?! : PROBLEMI I FSHEHUR I KRIZËS SË THELLË EKONOMIKE

Problemi kryesor i kësaj fushate zgjedhore është terri në të cilin po mbahet elektorati shqiptar në lidhje me gjendjen ekonomike të vendit. Si edhe e kam analizuar në disa shkrime të Rrethit të Ferrit, ky është një problem kardinal. Mirëpo, në këtë terr informative duket se po kontribuojnë të gjithë: politikanët, specialistët, gazetarët, publiku i gjerë dhe institucionet e shtetit. Kjo po krijon një gjendje të frikshme, sepse kur të zgjohet shoqëria do të jetë me të vërtetë vonë.

Institucionet dhe Ekonomia

A flasin politikanët? Politikanët tanë nuk flasin për këtë temë. E para sepse nuk dinë; për shumicën, ekonomia është vjedhje, shitblerje dhe rrushfet. E dyta, sepse nuk iu intereson. Cka do të thonë? Që jemi keq? Por këtë e dinë të gjithë. E treta, sepse numrat e të dhënat shpeshherë janë të fabrikuara në zyrat e ministrive dhe nuk dihet se ku fillon rrena e ku mbaron e vërteta. Ja për shembull një pyetje e thjeshtë. Sa ishte rritja ekonomike në shtetin shqiptar? Kryeministri nuk e tregon por thotë se ia kaluam Gjermanisë e Brazilit dhe jemi mbas Kinës në botë. Mirëpo Turqia e Kina e kanë rritjen mesatarisht 9% në vit dhe këtë vit rritja e Kinës ra në 7.8%. Sa ishte rritja e ekonomisë? Askush nuk din të thotë gjë. Këtu të jepet shifra 3.0% nga qeveria, 2.7% nga Banka Shqiptare, 1.7% nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, 0.5% nga CIA dhe në fund negative nga një agjensi tjetër zbulimi që informon vendimmarrësit dhe që emrin po ia mbajmë sekret…. More po sa ishte rritja ekonomike? Hajde e merre vesh. Nga ana tjetër, këtu të thonë se e kemi rritur Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar 11 herë, apo se do ta rrisim prodhimin bujqësor katër fish në katër vjet.  Edhe shefi i opozitës nuk flet me numra, por thotë “I themi Saliut: ‘Ik me nder.’” Po cfarë nderi ka ky kryeministër, e cfarë nderi do të marrë me vete?! Nejse, të kthehemi tek ekonomia, numra e përqindje nuk ka.

A flet shtypi për ekonominë? Në lidhje me shtypin e shkruar vërejta me keqardhje se lajmet ekonomike shpesh nuk e zënë as gjysëm faqe gazete. Ka gazeta të tëra që në versionet online ose edhe në shtyp nuk kanë asgjë për ekonominë. Në gazeta ka më shumë lajme për seksin në Big Brother se sa për ekonominë. Faqet e para hapen me komentet e analistëve e komentatorëve që janë të paguar dhe që shpifin, rrejnë, mashtrojnë, manipulojnë, përgojojnë, vrasin njerëz e karaktere, por që nuk merren fare me ekonominë. E gjitha kjo mbulohet me argumentin se publiku nuk don debate të kësaj natyre, se nuk ka interes për ceshtjet ekonomike, dhe në fund, me një shkelje syri lihet të nënkuptohet se populli shqiptar nuk i kupton këto tema. Shkulja e veshit dhe e flokëve të Egin Cekës, një skandal i paparë që u bë edhe më skandal nga letra e prindit, që do të bëhet edhe objekt, por edhe subjekt sherri, që nga Kuvendi tek kafeneja më e humbur meriton vëmendje. Por edhe më shumë vëmendje meriton ekonomia.

A flasin institucionet e tjera? Jo. Të gjithë e dimë se si gatuajnë informacionet e të dhënat institucionet tona. Asgjë e re. Sepse INSTAT varet nga kryeministri dhe Guvernatori i Bankës Shqiptare është duke luajtur me tre porta. Deri mbas zgjedhjeve nuk do ta ulin normën e interest të lekut. Po pse? Raporti që u ofrua të MËrkurën e nxirrte ekonominë blozë. Po ja, banka nuk do të ndërhyjë në politikë. Dhe për të justifikuar zgjedhjen që bëjnë të japin ca shifra kot e ca arsyetime që nuk të bindin. Nejse, me shume mbi kete teme ne fund te shkrimit.

Shqiptarët dhe Gjendja ekonomike

A e dinë shqiptarët se si është gjendja ekonomike? Përgjigja e shkurtër është ‘po.’ Populli e kupton mirë se gjendja ekonomike është e keqe dhe se do të përkeqësohet edhe më shumë në të ardhmen e afërt. Pyetësori i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare tregoi se 66% besojnë se gjendja ekonomike është e keqe dhe se 50% e shqiptarëve besojnë se gjendja ekonomike do të bëhet edhe më e keqe mbas zgjedhjeve. Shashkat që hidhen andej këtej sikur politikanëve që do të vijnë në pushtet iu janë premtuar miliarda, nuk ia vlen të merren seriozisht. Populli e kupton këtë dhe ndjehet qartë rezistenca ndaj këtij dizinformimi.

Politikanët dhe ekonomistët mund ta vlerësojnë ekonominë duke u marrë me të dhënat makroekonomike. Njerëzit e thjeshtë e vlerësojnë gjendjen ekonomike duke u mbështetur në shpenzimet e tyre të jetesës, fuqinë blerëse, dhe mundësinë e përballimit të nevojave që kanë. Shkurt, problemet ekonomike nuk marrin vëmendjen e duhur. Mirëpo politika dhe ekonomia janë të pandara.

Ku është e vërteta?

Mëgjithatë e vërteta del. E pjesëshme, e paplotë, por gjithsesi del. Shkretëtira dallohet që është shkretëtirë, jo pse nuk ka gjelbërim, por pse ka një oaz a një tufë pemësh që të tregojnë se si është gjendja. Pra, përtej kësaj dyanshmërie e moskuptimi dypalësh, në një numër shkrimesh të goditura, dhe mua më interesojnë të dhënat e jo bindjet e përkatësitë politike të individëve, këto ditë në shtyp ka pasur disa shkrime ngacmuese por që nuk kanë tërhequr vëmendjen e duhur.

Si ilustrim do të përmend disa shkrime të shkurtëra por të dobishme. Një shkrim i pjekur dhe i informuar lidhur me borxhet nga Genc Kondi tek Shqiptarja.com duhej të kishte ngjallur një debat serioz por cuditërisht kaloi në heshtje.[1] Ashtu kaloi edhe alarmi i profesore Ermelinda Meksi, një nga njerezit që e njohin më mirë se shumë të tjerë ekonominë e vendit, lidhur me borxhin e shtetit në Shqip, dhe shkrimet e Ilir Beqajt.[2] Në rast se prononcimi i prof. Ermelinda Meksit, apo shkrimet e Ilir Beqajt kalojnë disi në heshtje sepse të dy janë figura politike dhe pritet se do të jenë në nivele të caktuara në qeverisje, kalimi në heshtje i disa shkrimeve dhe analizave të tjera nga gazetarët që mbulojnë ekonominë është plotësisht i pajustifikuar. Një seri shkrimesh të informuara mirë ka bërë edhe Ervin Kaduku në Standard.[3] Po ashtu, njëri nga problemet kryesore ekonomike për popullin e thjeshtë është shtrenjtimi i jetesës, d.m.th., inflacioni i fshehur. Në një shkrim hetimor, cilësor e të pjekur, gazetarja Alba Xhambazi në Shekulli e ngriti këtë problem, i cili kaloi në heshtje dhe pa vëmendjen e duhur.[4] Po kush i diskuton? Askush. Njerëzit merren me shkuljen e veshit të një diplomati e jo me ekonominë. Në vecanti, artikulli i Alba Xhambazit më tërhoqi vëmendjen sepse tregonte qarte se sa e vështirë është gjendja sidomos në tregtimin e prodhimeve bujqësore ku shtrenjtimi i jetesës është i dukshëm:

“Krahasuar me të njëjtën kohë të një viti më parë,  çmimet janë shumë të larta edhe pse  javën e fundit është vënë re një ulje e  lehtë për produktet e stinës. Sipas  tregtarëve në tregun ushqimor të  kryeqytetit, tek ish-Uzina “Dinamo”  sallata kishte shkuar nga 50 lek/kg  që ishte një vit më parë, në 120 lek/ kg këtë vit. Po ashtu, edhe patatja, e  cila një vit më parë ishte 30 lek/kg,  dje tregtohej me çmimin 80 lek/kg.  Rritje gjen edhe tek trengulli, spinaqi,  qepa dhe lulelakra, ku kjo e fundit,  sipas tregtarëve ka pësuar një rritje  4-5 fish krahasuar me një vit më  parë.”[5]

Pra, një vështrim i shpejtë i cmimeve të produkteve ushqimore, vecanerisht në tregun më të madh të vendit, në Tiranë, si edhe u tha më lart, tregon një histori tjetër. Inflacioni i fshehtë është rampant, i kudogjindshëm dhe përbën një problem shumë të madh për qytetarët që jetojnë me rroga apo që kanë të ardhura fikse.  Kjo shihet si në prodhimet e importuara ashtu edhe në prodhimet e vendit.

Inflacioni zyrtar, numri që jepet nga Ministria e Financave dhe nga Banka e Shqipërisë dhe mandej përhapet gjithandej është më pak se 4%. Mirëpo, në realitet, shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe bujqësore në treg tregon dicka tjetër. Edhe nga një vështrim i shpejtë i rritjes së këtyre cmimeve, duket se inflacioni është i pranishëm dhe se njerëzit blejnë më pak me më shumë para. Natyrisht që ka spekullim e lojë me krizën, prodhimin etj. por rritja e cmimeve deri në këtë nivel, dhe gjasat janë që cmimet nuk do të bien në dysheme, sugjeron se shqiptarët do të blejnë më pak mall me të njëjtat para. Verja emrin si të duash, por kjo është, më e pakta, shtrenjtim jetese.  Duke shkuar pak më përtej të dhënave, mora raportin e Ministrisë së Bujqësisë për javën e fundit të MArsit lidhur me cmimet e prodhimeve bujqësore dhe të dhënat nuk janë aspak inkurajuese. Shumë gjëra më habitën në atë raport, por njëra ishte cmimi i limonëve (të vendit kushtonin 190 leke kilogrami e të importuarit 159 leke) e me radhë. Por kjo është temë tjetër.

Në vend të Përfundimit

Në fund të fundit, ekonomia duhet të kthehet në vëmendjen e njerëzve. njerëzit do të votojnë dhe ekonomia do të jetë një nga influencat kryesore në vendimmarrjen e tyre. Jo më kot, shqëtësimet më kryesore të njerëzve ishin mungesa e të ardhurave (për 28% të njerëzve), papunësia (për 25% të njerëzve, ,  Jo më kot 66% e njerëzve thonë se gjendja ekonomike është keq apo shumë keq. 22% mendojnë se është mesatare/normale dhe vetëm 2% thonë se gjendja e ekonomisë është e mirë. Si do që të jetë, politika dhe të gjithë institucionet heshtin.

Tani e ka radhën Banka e Shqipërisë. Si thashe me lart, Mme datën 30 Prill do të mblidhet Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë që do ndërmjet të tjerash do të vendosë edhe për normën e interesit mbi lekun. Por ka gjasa, që Guvernatori Fullani të marrë një vendim politik dhe vendimi për normën e interesit nuk do të ndikohet nga arsye ekonomike, por nga marrëveshja që do të bëjë guvernatori me palët respektive të parisë.  Por cilido që të jetë vendimi, e prekin se prekin e ulin apo e mbajne aty ku eshte, ekonomia shqiptare është në krizë të thellë e nuk ka asnjë shans që do ta kalojmë këtë krizë tani shpejt, lehtë e për disa vite të vështira.


[1] Genc Kondi, “Cfarë Trashëgon Qeveria e Ardhshme?” Shqiptarja.com, 24 Prill, 2013

[2] Ermelinda Meksi, Shqip, 24 Prill 2013.

[3] Ervin Kaduku, “Bankat: Ja çfarë do të bëjmë për kreditë e këqija.” Gazeta Standard (pa datë) http://ëëë.standard.al/bankat-ja-cfare-do-te-bejme-per-kredite-e-keqija/

[4] Alba Xhambazi, “Shtrenjtohen çmimet, perimet 110% më të shtrenjta nga vjet.” Shekulli, 21 Prill 2013.

[5] Xhambazi, Ibidem.

Advertisements

One thought on “NUK PO NDODH ASGJË?! : PROBLEMI I FSHEHUR I KRIZËS SË THELLË EKONOMIKE

  1. Kryeministri i ketij vendi te percudnur, kujton se cdo hallucinacion i tij, perben sukses ekonomik. Pasuria kombetare u shit dhe u shperbe nga keta banditer qe zoteruan fushen politike te vendit. Kaq kohe ju mjaftoi per te hartuar nje kod zgjedhor qe cvlefteson voten dhe i jep perparesi makinacioneve. Tani ata ndihen kaq te sigurt, sa nuk i tremben votes. Zhvillimet e pritsheme mund te jene dramatike, sepse demokracia fillon nga vota.

Comments are closed.