LEDJAN PRIFTI: EDI RAMA NË VJENË: BANALITETI I SË KEQES

Vizita e shumëpërfolur e Ramës në Vjenë është kthyer tashmë në një telenovelë të mbushur me mashtrime e intriga. Si çdo telenovelë politike  që respektohet edhe kjo pati skenën e vet në parlament duke lënë pezull spektatorët; a do të fillojë punën hetimore komisioni parlamentar ? Logjika ta do, që si pothuaj gjithë telenovelat e seritë televizive edhe kjo s’do të ketë një finale të denjë, do të vazhdojë në bazë të parimit tërhiq e mos e këput, derisa të bjerë numri i shikuesve e telenovela të mbyllet vetiu pa një finale.

Nuk ngeli njeri pa folur e shkruar, nga kryeministri tek gazetarët e analistët për të perfunduar në kafenetë e shtëpitë, a thua se po vendosej për shpalljen e ndonjë lufte për ekzistencë. E provokoi apo jo, u shkulën flokët, veshët apo basetat, plasi grushti apo u tërhoq kush prej mëngësh. Si komedi do të kish qenë interesante, mirëpo si ngjarje politike kjo ështe krejt e pangjyrë, e pashije, diçka patetike, një ndodhi krejt banale.

Kjo është edhe nisja de facto e fushatës elektorale e si thotë populli, dita duket që në  mëngjes. Banaliteti është mëngjesi i fushatës elektorale e ky banalitet do të na shoqërojë këto 2 muaj. Këta në të vërtetë nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër për 2 muaj, shterpësinë e ideve dhe programeve duhet ta mbulojnë me gjithfarë palaçollëqesh e banalitetesh, historish të denja për hane e mejhane. Berisha do vazhdojë të flasë për rrugë e investime, të kuq e bllokmena, Rama do vazhdojë të flasë për taksën e sheshtë e Rilindjen. Por askush nuk duket t’i marrë seriozisht, prandaj meqë njerezia është e mprehur për fushatë nga halli do të pranojë gjithfarë banalitetesh e patetizmash vetëm e vetëm që të ketë me ç’të bëjë muhabet në orët e kafes.

Pas paktit te ngjalave, Rilindja në fushatë duket të ketë më shumë vlerë si Rilindja e Ramës sesa si Rilindja e Shqipërisë. A do të rilindë Rama ? A do t’ia dalë për dy muaj dhe si ?

Në mitologjinë greko-pellazge, kemi një rast interesant rilindjeje, ajo e Athinës. Miti thotë se Zeusi gëlltiti të emën, hyjneshën Metis, e cila si e do miti, e lindi Athinën brenda trupit të Zeusit, i përgatiti armatimin dhe mandej Efesti i çau Zeusit koken, nga rilindi Athina e armatosur.

Edi Rama pasi humbi gjithë imazhin e të qenit politikisht ndryshe Salës dhe pranoi të gëlltitej nga e Keqja, shpreson që këto muajt e fushatës të jetë në gjendje të rilindë. Mirëpo thonë se nqs të gëlltit e Keqja nuk mund të rilindësh përveçse prej anusit te saj, sepse e Keqja është banale, tepër banale.

Tashmë që Berisha dhe Rama, po luftojnë secili për të dëshmuar se janë e keqja më e vogel për Shqipërinë, do të na mbysë banaliteti. Nuk është Hannah Arendt, që zbuloi banalitetin e së keqes, ajo thjesht kuptoi atë që njeriu e ka zbuluar prej mijëvjeçarësh, që në kohën e të menduarit mitik. Konflikti e mirë- e keqe është universal, njeriu asnjëherë nuk ka parë si tërheqës konfliktin mes të këqijave, një më të madhe e një më të vogël, nuk e ka pare as si mësim për ta përcjellë, por e ka parë gjithnjë si diçka tepër banale për ta futur nëpër mite e mandej në histori. E Keqja për njeriun ka qenë përherë e kudo diçka banale, bëhej interesante atëherë kur mbante maskën e së Mirës apo luftonte kundër së Mirës. Beteja mes të këqijave lakuriqe, ka qenë gjithnjë diçka e pashijshme, e pahijshme, e pangjyrë.

Edhe pas kalimit të të menduarit nga miti tek logosi ( nga të menduarit mitik tek të menduarit logjik, racional), nuk ndryshoi asgjë tek përqasja e njeriut ndaj betejës mes të këqijave, ajo betejë nuk është e denjë për t’u ndjekur e për t’u kujtuar.

Kam bindjen se në Shqipëri po ndodh një revolucion në të menduarit, nga logosi po kalojmë tek ngjala ose të ngjalemenduarit. Të ngjalëmenduarit duket horizonti i ri i së ardhmes, nuk ka më një luftë mes të mirës për Shqipërinë e së keqes për Shqipërinë. E ardhmja e Shqipërisë do të jetë gjithnjë më pak e keqe, por gjithnjë e keqe, sepse sado të këmbehen në pushtet më pak të këqijtë, logjika thotë se përsëri e keqja do të jetë këmbëkryq, derisa të vijë i miri dhe e mira.

Të ngjalëmenduarit na detyron të quajmë ëndërr një Shqipëri të mirëqeverisur dhe prandaj ta ironizojmë çdokënd që mendon se Shqipëria një ditë do të behet, sepse duhet të bëhet. E megjithatë, pavarësisht kushtëzimit prej të ngjalëmenduarit, ka shumë njerëz në Shqiperi, të angazhuar politikisht ose jo, që ashtu si Martin Luther King, janë gati të bërtasin ”I have a dream”.

Po, të dashur ngjalëmendues, ne kemi një ëndërr, nje Shqipëri të mirëqeverisur, nje Shqipëri të bërë, një Shqipëri për shqiptarët e ndershëm e patriotë, mjaft me patetizmin dhe  banalitetin e së keqes.

 

Advertisements