Home » MORALI I KOHES SONE » OLA MITRE: DITËLINDJET, SUPER PARTY E STRIPTEASE NËPËR PUB-E

OLA MITRE: DITËLINDJET, SUPER PARTY E STRIPTEASE NËPËR PUB-E

Padyshim dita në të cilën kemi lindur është festa personale e secilit prej nesh. E nëse në këtë ditë ne jemi mbreti apo mbretëresha e saj, mënyrat për t’u ndjerë realisht të tillë janë të shumta. Dikur ditëlindja ishte më tepër një festë familjare, një drekë në ambientet e shtëpisë e maksimumi vizita nga shokët apo miqtë. Por, me kalimin e kohës mënyrat e festimit të saj kanë ndryshuar për t’u shndërruar nga një festë e vogël familjare, në super party të festuara me miqtë në lokalet e natës. Padyshim që edhe kjo nuk është një tendencë e vonë, pasi ka vite që të rinjtë zgjedhin për të festuar ditën e tyre me miqtë nëpër pub-e. Megjithatë, çdo ditë elementë të rinj i shtohen kësaj feste për ta bërë ditën e lindjes të paharruar.

Lulet

Buqetat me lule janë një prej elementëve më të rëndësishëm të festës. Kjo është dhurata më e preferuar, por jo vetëm. Organizatorët e ditëlindjeve (që mund të jenë miqtë apo vetë “pronari” i ditëlindjes) i zgjedhin ato për të dekoruar ambientet ku ajo do të zhvillohet. Sa për ngjyrat dhe llojet, ato janë nga më të ndryshmet, por që padyshim trëndafili kryeson listën.

Kateringu

Përveç pijeve që ofrohen nga baret apo pub-et, për të shoqëruar këto të fundit preferohet edhe kateringu. Pjata të përgatitura e dekoruara me kujdes zënë vendin e tyre, ndërsa shoqërojnë kokteilet e mbrëmjes. Receta të shijshme dhe risitë kulinare në botën e kateringut plotësojnë në detaj festat personale, ndërsa të ftuarit nuk ngurojnë të shijojnë në maksimum muzikën, pijet dhe këto pjata të servirura me kujdes. Një banket i vërtetë, që sigurisht ka koston e vet, por që është një detaj i ri, i cili ka filluar të preferohet jashtë mase në këto lloje festash.

Dekori dhe Torta

Që të vendoset qershia mbi tortë, ambienti duhet të jetë i dekoruar enkas për këtë rast. Tullumbace, fishekzjarrë e lule janë të tjerë elementë që i janë shtuar mënyrës së festimit e që mirëpriten nga çdokush që është i ftuar. Por, elementi më tradicional i ditëlindjes e që është i pazëvendësueshëm në një ditë të tillë është torta. Ajo është kryefjala, por format dhe madhësitë nga më të larmishmet janë të ndryshme nga ato të parat. Nga ana tjetër edhe pastiçeritë arrijnë të realizojnë gjithçka të kërkuar nga klientët e tyre.

Striptease party

Me kalimin e kohës, edhe lokalet nuk kanë ngurruar të ofrojnë “dhuratat” e tyre për ata që zgjedhin të festojnë ditëlindjen në këto ambiente. Pa muzikë e pije këto festa janë të paimagjinueshme, por së fundi është shtuar edhe një detaj shumë i preferuar. Striptease për atë që ka ditëlindjen. Dhe jo një, por dy djem janë në dispozicion, për të kërcyer e për të dhënë urimin ashtu siç e meriton çdokush në një ditë të tillë. Ora 00:00 është momenti i urimeve: Kënga tradicionale e ditëlindjes e më pas brohoritje, urime e trokitje gotash. “E festuara” ftohet në skenë, për të marrë dhuratën e saj, ndërsa ajo nuk ngurron për këtë. Tingujt e muzikës ndryshojnë, ndërsa këngëtari fillon të interpretojë “You can leave your hat on”, të Joe Cocker. Atmosfera ndizet në maksimum, ndërsa të gjithë duartrokasin e asistojnë kërcimin magjik të saj. Buzë-qeshja e “stampuar” në fytyrë të le të kuptosh lumturinë e atyre momenteve, ndërsa detaji i ri duket se është gjetja ideale për këtë lloj feste.

“Gena Party”

Gena, feston vitin e 36-të të lindjes, por miqtë që kanë përgatitur tortën, preferojnë që ajo të shuajë qirinjtë e të 25-ve. Festa e saj është një prej shumë të tjerave, që përmban të gjithë elementët e mësipërm, një festë e kuruar në detaj, ndërsa ajo thotë se surprizën e ka organizuar nga një prej mikeshave të saj. Gjithashtu, ajo shton se ditëlindja e këtij viti padyshim është një nga më të paharrueshmet. Sa për koston, nuk nguron të na konfirmojë se të gjitha shpenzimet kanë shkuar deri në 60 mijë lekë (së bashku me pijet e 25 miqve të ftuar në party).