Home » ANALIZA » MBI ROLIN QËNDROR TE SHTETIT: BOTËKUPTIMI REALIST DHE POLITIKA SHQIPTARE

MBI ROLIN QËNDROR TE SHTETIT: BOTËKUPTIMI REALIST DHE POLITIKA SHQIPTARE

Botëkuptimi, apo ideologjia, luan një rol qëndror në formësimin dhe sjelljen e individit. Por roli qëndror i botëkuptimeve në jetën shoqërore, në formësimet e grupeve, kulturën, besimet dhe vlerat e tyre, dhe natyrisht edhe në politikë, është aksiomatik. Vetëdija shoqërore, qëllimet e synimet që ka një grup i caktuar, veprimi politik dhe si dhe strukturat politike e shoqërore që ndërtohen janë të mbështetura në botëkuptimin e një grupi të caktuar. Të gjithë botëkuptimet, në një mënyrë ose në një tjetër, të drejtojnë drejt një jete më të mirë prandaj pritshmëritë janë të njëjta edhe pse rrugët mund të jenë të ndryshme. Kështu shoqëritë ngrihen mbi botëkuptime të tilla si dhe bien e shuhen e zhduken kur mospajtueshmëritë midis botëkuptimit dhe realitetit bëhen të papërballueshme e të pashpjegueshme.

Në kulturë e në besimet fetare është normale që botëkuptimi do të mbështetet në të pashpjegueshmen. Prandaj kur flasim për familjet, katundet, bashkësitë e trevat, flasim edhe për bestytni e perralla, legjenda e perendi si pjesë e botëkuptimit të tyre.

Mirëpo, në politikë, botëkuptimet nuk mund të jenë të bazuar në utopi, bestytni apo në përralla. Botëkuptimet e tilla rezistojnë për një kohë dhe në fund shkërmoqen dhe e humbin vlerën e tyre sepse parimet dhe logjika e sjelljes politike dhe shoqërore janë të papajtueshme me parimet fetare apo kulturore që fare mire mund të vazhdojnë të ekzistojnë si besime e vlera ne nivel te familjes, të bashkesisë e të trevës.

Por, shoqëria, si një shkallë më e lartë e organizmit shoqëror, është ndryshe sepse është në thelb një marrëdhënie politike. Botëkuptimi, për të qënë mirëfilli i dobishëm dhe i vyeshëm për një shoqëri duhet të jetë i mbështetur në një logjikë të hekurt politike të mbështetur edhe në përvojat e në natyrën njerëzore. Sepse, në mos tjetër, njerëzit janë ata që janë dhe ndrrimi i botëkuptimit nuk i ndrron ekzigjencat tona që me kohë, gjejnë edhe strukturat politike që iu përshtaten me mirë e që ndihmojnë shoqërinë të arrijë të njëjtin qëllim përmes rrugëve të ndryshme. Dhe në qëndër të botëkuptimit politik është shtet-kombi.

Problemi me botëkuptimet sunduese

Kështu, në një kohë ose në një tjetër ne kemi pasur botëkuptimet tona, edhe të grupeve të caktuara brenda nesh, që kanë qënë ose utopike, ose thjesht perralla. Poblemi është se në politikën e ditës ne na mungon botëkuptimi realist, botëkuptimi që do të ndihmonte që të mbrrinim atë objektivin e pandryshueshëm të të gjithë shoqërive njerëzore: sigurinë e jetës, të pronës, të nderit, të mirëqënies dhe të harmonisë shoqërore. Ky botëkuptim mbështetet e ndërtohet mbi shtetin.

Cili është problemi i jonë? Problemi i jonë është se ne na mungon ajo lidhja e fortë, qëndrore, e pashkëputshme me shtet-kombin që është në qëndër të identitetit individual dhe kolektiv dhe pa të cilën njeriu nuk e kupton dot veten. Ky duhet të jetë edhe qëllimi kryesor i politikës, d.m.th. ruajtja dhe kultivimi i këtij botëkuptimi, mbrojtja e interesit të shtet-kombit dhe përmes vetëdijes shtetërore tij, edhe i interesit të të gjithë shoqërisë dhe të individëve që e përbëjnë atë.

U zgjata pak si shumë me teorizime mirëpo, qëllimi ishte për të hedhur pak dritë mbi problemin qëndror të kohës sonë. Botëkuptimet sunduese në shoqërinë shqiptare janë të gjitha të mbështetura mbi një premisë themelore dhe ekzistenciale: të gjithë botëkuptimet që po lulëzojnë në kohën tonë, kërkojnë dobësimin e shtetit kombëtar. Për të gjithë botëkuptimet sunduese, një shtet-komb normal, realist dhe relativisht i fortë është i papranueshëm. Arsyeja është se shteti-komb vë si kusht parësor besnikërinë e pakushte të qytetarit e të shtetasit ndaj shtet-kombit. Të gjithë botëkuptimet e tjera vënë si kusht besnikërinë ndaj një qytetërimi të caktuar apo të strukturave shoqërore e në nivel të bashkësisë si katundi.

Sa për ilustrim, cilat janë këto botëkuptime? Në rastin tonë, dalja e jonë e dhunshme si një shtet më vete solli përplasjen e botëkuptimeve të grupeve të ndryshme brenda shoqërisë shqiptare. Ne patëm shumë  sundimtarë e pak shtetarë sepse mendësitë e botëkuptimet tona sunduese e kanë kushtëzuar fort hapësirën e veprimit të shtetarëve të vërtetë dhe shpesh kanë dalë përcaktuese. Ekstremi ka qënë kjo periudha e tranzicionit kur paria e Tiranës, masat e gjëra të popullit dhe ata që duhej të ishin shtetarë punuan sistematikisht për të minuar këtë botëkuptim e për t’iu kundërvënë shtet-kombit.

Përse ndodhi kjo? Nga një anë ne vimë nga miletet e perandorisë osmane dhe gjurmët e këtyre botëkuptimeve fetare kanë qënë të rrënjosura thellë dhe janë ringjallur e kanë lulëzuar edhe gjatë tranzicionit. Këto janë shtrati kulturor dhe i sjelljes së shumë bashkësive që po kristalizohen me një shpejtësi të frikshme, që nuk e kanë kombin në qëndër të identitetit, dhe që do t’i cojnë shqiptarët drejt përplasjes së pashmangshme sepse nuk ka cka i bashkon tjetër. Po ashtu, si edhe shihet nga debatet e fundit, problem themelor është se lidhja e këtyre botëkuptimeve me shqiptarët si komb e si grup etnik, është e deformuar, e shtrembëruar dhe nuk lidhet me të vërtetën historike. Me kene shqiptar ka qënë dicka krejtësisht e ndryshueshme dhe që ka evoluar gjatë historisë sonë. Ama, me kenë shqiptar, në shtetin shqiptar, është dicka krejt tjetër dhe përpjekja e tyre për të lidhur shqiptarinë me një botëkuptim të caktuar nuk ka qënë asnjeherë e suksesëshme.

Po ashtu, një nga botëkuptimet që ka përcaktuar edhe sjelljen politike të parisë dhe të shoqërisë gjatë tranzicionit ka qënë mendësia katundare, një fenomen specifik shqiptar. Duke vënë familjen dhe interesat e klaneve mbi gjithcka, si dhe duke e parë katundin e trevën si një univers të mbyllur, shoqëria shqiptare e përbërë nga një numër katundesh që ekzistojnë realisht dhe në mendjen e njerëzve, ka luftuar me shumë vendosmëri kundër shtetit e kundër gjithckaje që e bën një shtet të sukseshëm.

Me që këtë mendësinë katundare e kam trajtuar gjerë e gjatë në shkrimet e mija, nuk do të ndalem këtu. Por mjafton të themi se kjo mendësi doli si parësore e sunduese si katundet e fshatrat e shumtë, si në getot urbane të katundarizuara me rrënjë, por edhe në emigracionin tonë masiv. Gjithkund kjo ideologji iu kundërvue shtetit normal e realist që për arsye të ndryshme ishte armiku për vdekje.

Po ashtu, një botëkuptim e mendësi tjetër sunduese, sidomos në rrethet e parisë së Tiranës është mendësia që e sheh shoqërinë si një sistem kontraktual marrëdhëniesh ekonomike midis individëve, e asgjë më shumë. Kjo është mendësia e shtresave të edukuara mbrapsht gjatë sistemit enverist kur bota pasqyrohej vetëm në terma bardh e zi e në një interpretim të ngushtë e dogmatik të botëkuptimit marksist. Ky botëkuptim e bëri të mundshme shfrytëzimin ekstrem, materializmin e paskrupullt, spekullimin dhe shkatërrimin e shtetit dhe të shoqërisë gjatë tranzicionit. Tani këta kanë shkuar në ekstremin tjetër.

Duke e ndjerë nevojën e shtetit, shumë shqiptarë kanë përqafuar botëkuptime që qëndrojnë në themel të shteteve të tjera. Ata ndjehen gjithcka pervecse shqiptarë. Edhe për këta armiku kryesor është shteti shqiptar. Po ashtu ka një masë të madhe njerëzish që e ndjejnë por në mënyrë konfuze se botëkuptimi që iu duhet është ai që mbështetet në shtet komb, por për mungesë udhëheqje e qartësie, bien pre e slloganeve dhe e populizmit injorant të tipit të Tortës së pavarësisë.

Më në fund ka një botëkuptim përrallor që thotë se të gjithë problemet tona do të zgjidhen kur ne të hyjmë në Europë. Por integrimi europian është i pamundshëm, Europa nuk na don, ne nuk kemi cka t’i ofrojmë, Europa është në krizë të thellë, dhe koncesionet që kërkohen në këtë pikë cojnë në shkatërrimin e shtet-kombit me kulm e themel. E vetmja rrugë për t’u integruar kund është kur të kemi shtet-kombin tonë, me ekonomi, me vlera, me struktura, e me shërbime të përafërta me ato që ofrojnë edhe shtetet e falimentuara europiane për qytetarët e tyre.

Kjo gjendje konfuzioni mendor e botëkuptimesh i shërbente dhe i shërben vetëm e vetëm parisë sunduese. Duke qënë se njerëzit e thjeshtë nuk dinin më mirë,  duke qënë se edhe ata që po përqafojnë botëkuptime jo realiste vepruan kështu vetëm se donin t’i iknin të keqes, dhe nuk dinin më mirë. Fajin për këtë punë e ka paria sunduese.

Shkurt, politika shqiptare nuk ka një botëkuptim të qartë, realist, normal, të mbështetur në përvojat e vendeve të tjera. Duke gjykuar nga materialet dhe dokumentet që janë botuar e botohen shihet qartë se ngulmimi i tyre po iafrohet budallallëkut e idjotësisë politike. Por kjo idjotësi e injorancë, vërbëri e refuzim është e qëllimtë. Paria e din se cila është e mira e shqiptarëve, por kjo gjendje iu shërben dhe këtë do të luftojnë që të promovojnë.

Ajo që e ka bërë gjendjen tonë katastrofike është ky kombinim eksploziv i mendësisë katundare me botëkuptimin materialist ekstrem dhe me këtë përrallën e integrimit europian. Ky shtresëzim injorance dhe shfytyrimi mendor ka cuar në një krizë të thellë vlerash, kriminalizim e mafiozitet, sundim oligarkik të mbështetur në klanet katundare, një polarizim ekstrem, mungesë përgjegjësie qytetare, shkatërrimin e vlerave dhe të moralit, në zvetënim e në degjenrim, dhe në krijimin e një shoqërie të fragmentarizuar e të shkërmoqur që si rëra shkon andej e këtej nga të fryjë era. E gjithë kjo ndodh sepse ne na mungon botëkuptimi i duhur realist që mbështetet në shtet-kombin normal e funksional.

Në vend të mbylljes

Shtet-kombi është struktura më e fuqishme, më efikase, më e dobishme për grupin, dhe që luan një rol qëndror në botëkuptimin e njerëzve në kohën tone. Shtet-kombet janë zgjidhja strukturore politike që njerëzit iu kanë dhënë problemeve të tyre ekzistenciale. Për t’i rënë shkurt, mundimet tona dhe tranzicioni nuk do të kenë fund derisa të mos vendosim në qëndër të vëmendjes e të politikës shtet-kombin dhe interesat e tij. E gjithë demagogjia elektorale në Tiranë bëhet për të shmangur diskutimin rreth shtet-kombit dhe ndërtimit të një shteti normal e funksional. Me që këtë temë e kam trajtuar gjerësisht në librat e mi, por edhe në blogun Rrethi i Ferrit, do të ndalem këtu. Por, ky është problemi kryesor i kohës dhe i politikës sonë. Vendosja e shtet-kombit në qëndër të debatëve dhe diskutimi politik i mbështetur në atë botëkuptim është pika nga ku duhet filluar. Sepse shtet-kombi dhe botëkuptimi që lind prej vetëdijes shtet-kombëtare është edhe leva e Arkimedit për të dalë nga kriza e thellë ku e mban vendin paria e Tiranës që i shërben gjithkujt tjetër përvecse shqiptarëve.