ILIR META: PARLAMENTI I LESHIT U KTHYE NË KUVENDIN E VESHIT

Lëvizja Socialiste për Integrim po zhvillon një aktivitet elektoral në pallatin e sportit Vlorë, me qindra mbështetës dhe aktivistë të kësaj partie.

Nga Vlora, kreu i LSI-së Ilir Meta tha se pas 24 qershorit askush nuk do mund ta anashkalojë më këtë qytet ku lindi shteti shqiptar.

“Vlora na ka bërë të ndjehemi krenarë edhe nëntorin që kaloi. Pavarësisht se u bënë përpjekje për ta anashkaluar në 100 vjetorin e Pavarësisë vendin ku u krijua shteti dhe patriotin, burrin që ngrit flamurin Ismail Qemali. Ata që u përpoqën të anashkalojnë Vlorën dhe Ismail Qemalin bënë gabim se guxuan të maten me histrinë. Por më 24 qershor ata nuk do mund të bëjnë më histroi dhe Vlora e Qemali do mbeten të shtrenjta e të dashura për të gjithë”, tha Meta.

Për Metën, qytetarët e Vlorës meritojnë dhe duan që Shqipëria të zhvillohet ekonomikisht e të integrohet në BE, por sic tha ai vendi është sot në udhëkryq dhe integrimi mbahet peng nga politika konfliktuale.

“Kur thua Vlorë të vjen në mend shteti dhe institucionet e tij. Sot pas 100 vitesh ne jemi vend anëtar i NATO-s, vendi ka bërë jo pak në rrugën e mundimshme drejt BE, vendi është zhvilluar falë sakrificave të qytetarëve shqiptarë, me rëndësi për të është edhe liberalizimi i vizave, ndërsa integrimi i papërmubushur dhe i parealizuar, sot e lë vendin në udhëkryq se politika e mbrapsht dhe konfliktuale e mban Shqipërinë larg BE. Ndaj jemi sot këtu për të dhënë mesazhin se Vlora dëshiron të ecë më shpejt në rrugën e integrimit. Kush premton 250 mijë vende pune, kur nuk hapi dot 50 mijë në 8 vite i them se Vlora nuk ngopet me lugën e zbrazët, se Vlora kërkon ndryshim, Shqipëria kërkon një model të ri ekonomik, një ekonomi që eksporton e konkurron. Ndaj jemi sot këtu për të thënë se Vlora nuk mund të pajtohet me arrogancën dhe vetëkënaqësinë për ekonominë. Nuk mund të vazhdohet të qeveriset me lëvdata, kur borxhet ndaj kompanive të punëve publike po shkojnë në 300 milionë euro të papaguara, duke rritur kreditë e këqija, nuk mund të vazhdohet me efuroi për ekonominë kur borxhi për mosrimbursimin e TVSH po arrin në 200 milionë euro”, tha ai.

Sipas Metës, “Shqipëria ka nevojë për një alternativë që kujdeset për njerëzit, një projekt dhe plan konkret për ekonominë dhe punësimin, për bujqësinë e fermerët. LSI është e vendosur për grantet dhe subvencionet për të rritur prodhimin bujqësor, në do rrisim investimet në sektorin turistik, ne duan Shqipëri dhe Vlorë me turizëm të zhvilluar”, tha ai më tej.

Meta tha se LSI është për një Shqipëri që krijon lehtësira fiskale për biznesit me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës dhe që konkurron në rajon. Meta theksoi se vendi ka nevojë për një shet ligjor që respekton Kushtetutën dhe jo një ‘ambulancë’ që vjen sa herë vendi ka nevojë’ .

“Ne duam një Shqipëri që respekton shtetin ligjor dhe Kushtetutën pasi janë baza për të ecur më shpejt drejt rrugës së integrimit Evropian. Politikanët ikin dhe vijnë ndaj është detyra jonë për të vendosur standarde. Ne kemi nevojë për shtet strateg dhe jo për ambulancë që vjen sa herë kemi nevojë” theksoi Meta.

Kreu i LSI shprehu vendosmërinë për të qëndruar larg politikës konfliktuale, që mban peng mirëqenien e shqiptarëve dhe integrimin në BE, teksa tha e vendi ka nevojë për pjekuri politike pasi Shqipëria është i vetmi vend në NATO që zhvillon zgjedhje që në fund kontestohen.

Madje kryetari i LSI mbrojti edhe aleatin e ri, Edi Rama, duke komentuar vendimin e parlamentit për të ngritur një komision hetimor për ngjarjen e Vjenës. Meta tha se ky është shndërruar nga parlament leshi, në parlament veshi.

“Ne duam një Shqipëri pa politikanë përçarës, të cilët e kthyen para një jave parlamentin në parlamentin e ‘leshit’ dhe sot e kthyen ne parlamentin e ‘veshit’. Ne na duhet një parlament që merret me shqetësimet kryesore të vendit dhe reformat që e integrojnë më shpejt në BE, larg akuzave dhe denigrimeve. Ne duam një Shqipëri me klasë politike që ka pjekurinë dhe vetëpërmbajtjen që di të bëjë zgjedhje të lira, pasi jemi i vetmi vend në NATO që nuk kemi zhvilluar ende zgjedhje të cilat nuk janë kontestuar”, theksoi Meta.

Advertisements

LEDJAN PRIFTI: SHEMBJA E IDHUJVE DHE DIALEKTIKA E NGJALAVE

Shqiptarët i kanë dy ”borxhe” Ilir Metës; i pari, falë aleancës me Salën ne 2009-n shpëtuan prej dialektikës falso komunistë-antikomunistë dhe i dyti, falë paktit të ngjalave shpëtuan prej maskës së Ramës, Rilindja tashmë është vetëm një gjethe fiku. Ilir Meta brenda një 4 vjeçari arriti të çjerrë me shumë lehtësi maskën antikomuniste të Berishës dhe maskën edramiste të ndryshimit . Meta, si babai i mendësisë politike të ngjalave, ka ‘meritën’ qe mendësinë e pazarit, e cila gëlonte në gjithë prapaskenat e jetës publike, ta shpallte si mendësi politike hegjemone ose si kategori sunduese e të të menduarit politik.

Berishës nuk ia kish mbajtur deri në 2009-n ta bënte një shpallje të tillë, Ramës nuk ia mbajti deri në 1 prill. Deri në 1 prill, kishim të vepruarit politik me bazë tek pazaret e trafiqet, prej 1 prillit të menduarit politik iu nënshtrua të vepruarit, teoria iu nënshtrua praktikës, nuk mund të vazhdonte më tej kjo skizmë mes tyre, më në fund u puqën falë Metës, edhepse së prapthi. Tani që praktika politike e pazarit ka edhe mbrojtjen e teorisë politike, topi iu kalua mendësisë së asaj pakice votuesish, deri dje refraktare ndaj pazareve. Eshtë kjo mendësi që duhet të ndryshojë në mënyrë që regresi e degjenerimi i të menduarit politik të shpallet i plotësuar.

Pra, topi është në fushën tonë, duhet të zgjedhim si ta luajmë lojën. Kemi 3 mundësi:

1- Të votojmë për Berishën e Rametën, kështu ta shpallim, njëherë e përgjithmonë, regresin e degjenerimin politik si e ardhmja jonë

2- Do zgjedhim të votojmë FRD-në e AK-në që pavarësisht prapaskenave, nuk na kërkojnë publikisht të pranojmë politikën e ngjalave

3- Do të hedhim votën e bardhë, në dreq të shkojnë të gjithë, asnjëri s’është i denjë për t’i dhënë besimin tonë as për provë

Secili do të zgjedhë  në bazë të arsyetimit që do bëjë, kjo është në njëfarë mënyre edhe liria e pakicës refraktare ndaj pazareve, kjo pakicë ka ende lirinë e të menduarit racional, gjendet tek logosi, i ka shembur idhujt dhe të menduarit mitik e nuk pranon të kalojë tek të ngjalëmenduarit dhe dialektika e ngjalave, sikundër ka bërë shumica e shqiptarëve.

Të menduarit mitik (mythos) ka kushtëzuar për një kohë të gjatë zgjedhjet e shqiptarëve gjatë tranzicionit. Ai prodhoi idhuj, Sala si idhulli i të djathtëve antikomunistë dhe Rama si idhulli i të majtëve progresistë e antiberishistë ( përveç idhujtarisë si trashëgimtar i komunizmit). Ky lloj i menduari politik u vu në krizë nga vetë veprimtaritë politike të dy ‘dinozaurëve hyjnore’, Sala nuk bëri asgjë për të përsekutuarit e për ish-pronarët e vërtetë, por i dogji dhe i vodhi,  ndërsa Ramës i dolën në shesh prirjet autokratike dhe për pazare.

Kriza e idhujtarisë falë pakteve me Metën u shndërrua shpejt në shembje të idhujve; prej 4 vjetësh Sala nuk është më idhulli i antikomunizmit, përveç idhujtarisë si profesion i mirëpaguar apo produkt i vjedhjeve e përfitimeve gjatë qeverisjes së tij, ndërsa Rama prej 1 Prillit nuk ështe më idhulli i politikës së re dhe ndryshimit, përveç idhujtarisë si profesion i mirëpaguar apo produkt i përfitimeve të pritshme në rast të fitores së tij.

Mirëpo ndryshe nga vijueshmëria normale historike e kalimit nga ”mythos” tek ”logos”, e cila ka bërë të mundur lindjen e mendimit racional në Greqinë e lashtë dhe vetë lindjen e shkencës moderne në Perëndim (shkëeputja nga ‘mythos’ i Kishës), tek ne shembja e idhujve nuk po sjell triumfin e logosit, pra të të menduarit logjik. Kjo do të sillte shembjen e sistemit dhe bipolarizmit atavik e majtë-e djathtë.

Berisha e Rameta bashkë me lukuninë mediatike, e cila formëson opinionin publik, meqë nuk mund të lejonin shembjen e sistemit, ku të gjithë hanë bukë e vjedhin sa munden, duhet të gjenin një zgjidhje, një alternativë tjetër ndaj zbritjes triumfale në politikë të logosit të frikshëm. Zgjidhja e gjetur ishte ngjala, të ngjalëmenduarit si kategori e re që zëvendëson mythos-in. Tashmë të gjithë janë nën presion të vazhdueshëm, thonë mirë që na u hapën sytë, se as Berisha e as Rama nuk jane ndryshe, të dy në pazar me Metën për karriget e tyre, por tani si do t’ia bëjmë që këta kanë kapur jo vetëm shtetin, por edhe gjithë ekonomine private, si do hamë bukë ( jo si metaforë, por në kuptimin e parë).

Të ngjalëmenduarit u thonë lukunia mediatike, e ka gjetur zgjidhjen Meta e janë dakort publikisht edhe Berisha edhe Rama. Do të gjesh një punë që të hash bukë, shko voto e gjej vota të tjera për ta, përndryshe mbathja në emigracion e mos hap telashe. Do bësh pazar me votën teënde, me dinjitetin tënd, që ata të vjedhin taksat që ti paguan, hidrocentralet që kanë mbetur ende pa shitur dhe nëpërmjet borxhit publik edhe të ardhmen e familjes tënde.

Sipas tyre, të ngjalëmenduarit është proçes i pashmangshëm, është domosdoshmëria e historisë që e kërkon, pas shembjes së idhujve nuk na vika dialektika politike e sunduar nga logjika, por dialektika politike e ngjalave, një formë e pastër shantazhi për shqiptarët, ku o je me Salën o je me Edin, o do hash bukë duke brohoritur Berishën o do hash bukë duke brohoritur Rametën. Logjika në dialektikën e ngjalave nuk varet nga logosi, pavarësisht se logjikë vjen prej fjalës logos, por varet nga stomaku, i logjikshëm është ai që e mbush barkun me ngjala.

Me këtë shpërfytyrim të logjikës do t’i bëjmë hesapet mirë në të ardhmen. Shqiptarët herët a vonë do ta kuptojnë, se nuk ka asnjë të ardhme pa racionalitet, realiteti është në thelb i varur nga racionalja, prandaj nuk ka pasur të ardhme për asnjë popull, i cili përherë i ka thënë derrit daje. Prandaj edhe e tashmja jonë është kaq absurde, sepse në të shkuarën të parët tanë i kanë thënë më shumë se ç’duhet  derrit dajë, aq sa s’po dihet më kush është derri e kush është daja, prandaj edhe komunizmin që kishte vdekur me kohë ne e mbanim në këmbë e s’donim ta varrosnim.

VALBONA KARANXHA: IMPLIKIMI I EDI RAMËS NË PROPAGANDËN SOCIALISTE NËPERMJET MASMEDIAS

 

Tetë vjet mbas farsës së PD dhe propagandës së saj, PS po ndjek, siç parashikohet të njëjtën rrugë për të realizuar axhendën e vet propagandistike ashtu siç është e përcaktuar  më përpara. Mbështetur në artikuj, pamflete, diskurse, gazeta apo në networket sociale, roli  që loz dhe që do vazhdoj të lozin kanalet propagandistike të PS është  mjaft amatoresk në natyrë.  Por kjo është më se e mjaftueshme për të pasur një impakt në popullatë. Duke ju referuar realitetit imediat, me një seri ngjarjesh njëra më  mbreslënëse se tjetra, duket se mbas marrëvëshjes se 1 prillit  rolet e parisë janë përcaktuar, dhe farsa propagandistike eshtë kthyer në një argëtim të bukur, një shfaqje gjeniale që paria po e interpreton me talent dhe me përkushtim.

Pavarësisht se  përmbajtja e shfaqjes është dokrra me qumësht, e lagu s’e lagu, nuk do shumë mënd për të arritur në konkluzionin që Edi Rama, nuk është aq i sprovuar sa oponenti i tij Berisha, “Mastermind-i” mbas skandaleve ndërkombëtare, diplomatike apo partiake. Pra edhe kjo shfaqje është, pa e vulgarizuar,  me t’qeshme e me t’ngjeshme. Por mediat diletante vrapojnë mbas kush e kush ta transmetoj e para dhe se si do ta ndryshojnë atë që ndodhi për interesin e xhepit.

Funksioni i mediave në Shqipëri është po aq i ulët sa dhe misioni i tyre. Imagjino, një shpend grabitqar i cili grabit një rodent, sorrat mblidhen  krakarijne, gumëzhijnë dhe fusin hundët atje ku s’duhet. Çështja  komplikohet, tjetërsohet dhe interpretohet sipas  nevojës. Keshtu që në fund të ditës kemi një episod tjetër për tjetër nga ai që ka ndodhur. Shpendi hëngri rodentin apo rodenti kafshoi shpendin. Kush e merr vesh?! Për ta lidhur me ngjarjet e fundit, çështja nuk thjeshtëzohet në faktin “I shkuli apo s’i shkuli veshin Edi Rama Egin Cekes”, “U shkri apo s’u shkri AKZ”,  çështja qëndron në serinë e veprimeve që vijojne pas këtij apo çdo lloj incidenti në qëndër të së cilës ndodhet Edi Rama dhe interpretimet e masmedias socialiste.

Masmediat socialiste janë përpjekur të lustrojne, zbusin dhe romanti-ci-zojnë imazhin e Ramës mbas çdo incidenti politk. Por, eksperienca e pakontestueshme tregon se çdo hap që hedh Edi Rama është po aq i pasigurt sa femija që sapo mëson të ec vet dhe nuk ja ka idenë se ku do përplaset dhe se çfare do theyj. Kjo është e pritshme për një lider që nuk pranon të iluminizohet, të piqet, të ndryshoje, të përmirësohet të mësoj nga lider të kalibrit botëror, nga figura të cilët kanë frymëzuar masa.  Rama i ngjan një fëmije kapriçoz i cili lëshon një temper-tantrum (shpërthim emocional) kur mami nuk i blen çokollatë.

Duhet pasur parasysh fakti që Rama nuk ka qënë ndonjëherë qeveritar, por thjesht një bashkiak i cili u përkushtua qytetit të tij. Gjë shumë positive  kjo dhe i jap kreditet që meriton. Por kur analizohet tranzicioni i Ramës nga posti i bashkiakut, në atë të kryetarit të partisë si dhe garuesit kryesor për post qeveritar, vërehet se Rama nuk i kalon aspak me sukses pengesat. Në gjuhe të thjeshtë, Rama bie gjithmonë në kurth, humbet në labirinthet e djallëzisë së politikës dhe shkakton një rrëmujë të madhe e cila rezulton në krakaritje mediash dypalshe, njëra që e fundos akoma më shumë dhe tjetra që i del përkrah. Çfarë mësimi nxjerr Rama nga këto ngjarje? Absolutisht asnjë sepse “mesimi nga gabimet” nuk është në axhendën politike të Ramës.

Propaganda e Ramës në këto momente, historike per të, dhe për mbarë popullin, është një nga faktorët që do t’a fundos ëndërrën e tij për t’u bërë një kryeministër i sukseshëm. Në fakt, po ta mendosh Rama i cili i shiti shpirtin djallit për kolltukun, mbase me vërtet diçka do të bëj, them unë. Por e pasura deshire dhe e bëra janë larg njëra tjetrës. E ashtuquajtura “elita” e majtë e Ramës, po bën çështë e mundur të manipuloj elektoratin me anë të masmedias sipas interest të tij. Interesi imediat i Ramës është ardhja në pushtet dhe media socialiste po punon në maksimum të arrij sukses. Dhe kjo luftë e pandershme tregon ego për pushtet dhe aspak dëshire për të përmirsuar apo ndryshuar gjëndjen.

Sukseset e vogla dhe djallëzitë e PS mbas traktatit të 1 prillit

E para, propagnda e PS është po aq virtuale sa edhe reale, por në fund të fundit virtualja arrin public më të madh se bota reale e cila kërkon kohë, njerëz, mundim dhe burime të tjera. Nuk duhet mohuar fakti që jo të gjithë kandidatët e PS po bejnë fushat të poshtër.  Mbase njëri tek tuk mund të jetë i përkushtuar por kjo nuk është norma. Këta persona quhen “outliers” dhe nuk kanë impakt fare ne të përgjithshmen e propagandës socialistë e cila nuk është asnjë gje tjetër përveçse një fushatë vulgare e drejtuar me mungesë të theksuar profesionalizmi.

E dyta  është një nga të preferuarat e propagandës socialiste. Në Shqipëri një pjesë e mirë “identifikon” rregjimin e Berishës me konceptin e kapitalizmit (po e le demokracine menjane ketu). Kjo bëhet me qëllime te caktuara nga makina e propagandës socialiste. Përgjithsisht, principet e kapitalizmit jane: liri individuale, respektim i të te drejtave të njeriut, pushtet i bazuar ne zbatimin e ligjeve v.s.  pushtetit të një  njeriu; ekonomia e tregut të lirë dhe ndarja e shtetit nga ekonomia. Rregjimi i Berishes nuk hynë farë në këto korniza. Në fakt rregjimi i Berishës eshte totalitar; ka kontroll absolut mbi pikat kyce te ekonomisë, nuk mbeshtetet në ligjishmëri por në anarkizem.

Socialistët i njohin shumë mirë sistemet sepse në rradhët të tyre ka mjaft të shkolluar si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Do të ishte lajthitje të mendosh që propaganda socialiste nuk arrin të diferencoj një pushtet anakist nga kapitalizmi i pastër. Por ky sqarim nuk i intereson Ramës dhe zhurmuesve të vet sepse është mënyrë e sigurt të rekrutoj elektorat i cili nuk është i qartë në ndryshimin e sistemeve politike dhe avantazhet që ka njëri mbi tjetërin. Pra, “qetësia” e viteve të sistemit monist është ajo që  duhet në këto momente. Ky spekullim është demagogji e pastër PS-iste per të sjell te vetquajturit majtist, socialist apo komunist të cilët lidhën aleanca me Ramen përpara zgjedhjeve.

E treta, një nga anët më negative të medias është roli i saj në konflikte. Po të vihet re me kujdes, konfliket janë ushqimi kryesor i medias si socialiste ashtu dhe pd-iste. Duke u ushqyer në këto konflikte media jo vetëm që nuk propozon kurrë asnje zgjidhje paqesore të konfliktit por për më tepër i fryn më shumë zjarrit duke implikuar masat e popullit në to. Nga ana tjetër media socialiste dhe të ashtuquajtur analistë shkon aq larg sa nuk e kan problem të spekullojne, ndryshojnë ngjarjen dhe ta përdorin për nevojat e tyre duke ç’orientuar dhe larguar popullin nga e vërteta. Duke marrë shkak nga ngjarjet e fundit dhe sjelljet e tij në Vienë, ose qëndrimi ndaj  AKZ dhe shkrirjen e saj si parti, Edi Rama tashme është kthyer në një “prodigy” të politikës Berishiane. Ndërsa media socialiste po i shtron tapetin e kuq dhe sheshon terrenin që Rama të mos pengohet më.

Në përgjithsi një nga karakteristikat e medias së papërgjeshme janë orvatjet per t’i hedhur benzinë zjarrit. Kjo bëhet për disa arsye. Në një shoqëri konsumatorësh dhe korporatash mediat mbijetojnë nga lajmet sensacionale dhe nga “public rating”. Pa dyshim kush ka numrin e ndjekësve dhe lexuesve më të medhenj, janë dhë shitësit më të mëdhenj te produkteve apo sherbimeve (products and services). Mediat në një shoqëri të kontrolluar nga korporata mund të bejnë politikën e korporatës x ose y për të shitur prodhimet e veta në kurriz të një korporate tjetër. Këto gjëra janë normale për shoqërinë e tregut, paçka se të pandershme.  Nga ana tjetër, në Shqipëri ku mediat janë rudimente ose zgjatime të partive përkatëse, ato ushqehen nga këto strukura dhe si të tilla janë zedhënëset e para të aktivitetit dhe mbarvajtjes se organizatës politike. Në këtë kontekst, media socialiste është e prirur t’i ushqej konfliktet e ndryshme dhe të propagandoj për partine e vet duke shitur programin e saj.

Së fundi, ajo që është e rendesishme është fakti që media influencon “sjelljen” e popullatës. Ky është fakt i pamohueshëm. Por influencimi pozitiv dhe negativ varet nga propaganda që ben kjo media në baze të instruksioneve partiake. Mediat socialiste si ashtu dhe pd-iste kanë prototipe të njëtja si p.sh degjenerimi vizual publik i dy figurave politike, shtremberimi i realitetit, interpretimi i fakteve sipas nevojës, mashtrimi dhe  manipulimi i masave. Të gjitha këto bëjnë ate që quhet “Media e Padrejte”. Për popullin që mos të bie në grackën e mediave është qëndrimi  objektiv dhe parja e realitetit me sy kritik. Pa u militantizuar, populli është në gjëndje t’i bej analizën artikujve, reportazheve dhe te bej dallimin midis, farses, demagogjisë dhe realitetit. Paçka se masmediat e nënvleftësojnë aftësitë e popullit, nuk mund të ulin mençurinë dhe urtësinë e tij.

MURAT ALIAJ: DITA E VESHIT DHE E LESHIT

Eshte i njohur fakti se para katastrofave më të mëdha që ka përjetuar njeriu, të paraprijnë disa çaste humori, si për ta bërë tragjedinë sa më të pranueshme. Duan të thonë se para përmbytjes së Titanikut, pati një skenë masive çmendurore e cilas po të ishte vlerësuar në kohën e duhur, mund të shmangej hataja. Një bast i madh ishte hedhë për të shtenë në dorë një virgjëreshë e cila kishte vendosur t’ja dorëzonte trupin e saj zotit, ashtu siç e kishte marrë prej tij. Mirëpo luajti një shumë kaq e madhe, sa të gjorës ju desh ta harronte betimin. Por ai betim kishte marrë shenjtërinë e zotit dhe në momentin kur plasi cipa, vigani Titanik, humbi drejtpeshimin, u përplas dhe… dihet vazhdimi.

Në këtë drejtim politika jonë nuk është se ;po bën ndonjë zbulim. Ne të gjithë tashmë e dimë mirë se ndodhemi buzë greminës, sado të përpiqen karagjozët tanë të na kthejnë humorin. Asnjëherë nuk ka patur kaq shumë humor ndjellakeqës vendi ynë. Humori paralajmëron. Kush nuk ja vë veshin, në qafë paste veten.

Problemi eshtë tepër i thjeshtë: një vënd që qeverriset prej 8 vjetësh nga karagjozë, nuk ka si të mos i ngrijë buzëqeshja në fytyrë. Duke qënë se këtë dhuratë të hidhur e kemi nga ajo forcë politike që sërish kërkon pushtet, pra nga LSI, nuk ka pse të çuditemi nga gjith ç’na pret më pas. Ajo që do ndodhë ndryshe nga herët e tjera, është fakti se këtë radhë nuk do kemi të drejtë të bëjmë shkaktar të fatkeqësive tona Berishën, as Ramën e Metën, por veten tonë që  që e vlerësuam kaq pak duke e lënë në duart e këtyre horrave.

Kjo është drama për të cilën nuk flet askush ose mërmërin si të ket frikë nga vetja, ndërkohë që maskarada e shkuljes së veshit, është në kulmin e amplifikimit, aq sa me urdhër të kryekaragjozit kryeminister u mblodh kuvendi dhe mori vendimin për ta përjetësuar në kalendarin humoristik të tij, duke krijuar një grup hetimor i cili do jetë thjesht shkruesi i çka do diktojë ustai.

Që ka ndodhur diçka humoristike, kjo s’vihet në dyshim. Ajo që vihet në dyshim është tjetër gjë. Vlerësimi suprem që ju bë kësaj skene, ndërkohë që parlamenti ynë ka edhe shumë momente të tjera që do ja kishte zili edhe Servantesi. Por jo. Kjo është e rëndësisë së veçantë, sepse është e regjizuar dhe ekspozuar nga një njeri që me ngulm po kërkon ta lërë emrin në histori. Këmbëngulje të marrësh, sepse edhe pa këto komedira, ai e ka siguruar këtë vënd ndjellakeq.

E kishim fjalën tek ndodhija. Dy karagjozë të rëndomtë politik u mbërthyen me njeri tjetrin dhe shkulën veshët. Që veshët e tyre nuk janë pasuri kombëtare, por përkundrazi marrëzi kombëtare, kjo s’ka dyshim. Por duke qënë se ata janë veshët e ca gomerëve të mëdhenj, u dashka ndalur dhe kombi të harrohjë listat e mëdha të borxheve, të harrojë dilemat që po e hedhin në vetvrasje nga dita në ditë, e të merret me ca veshë gomerësh.

Për mua nuk ka asnjë rëndësi kush pati a nuk pati të drejtë. E rëndësishme është që ata janë të dy përfaqësuesit e atyre që e lënë pushtetin dhe atyre që përgatiten ta marrin, e që fatkeqësisht nuk ndryshojnë shumë prej njeri tjetrit. Këta të dytët, pa e marrë akoma votën, kanë filluar ndarjet e kolltuqeve. Kjo është një shenjë kobzezë që na paralajmëron se edhe pas përmbhysjes së obskurantistit Berishë, pak gjera pritet që të ndryshojnë në vendin tonë fatkeq. Provat paralajmëruese, janë të shumta.

Po t’i vësh re me fare pak kujdes mund të diktosh ferrën se ku fle lepuri. Menjëherë pas skërmitjes së dhëmbeve të Berishës, socialistët tanë ju vërsulën Aleancës Kuq e Zi e cila nuk pranoi koalicion me një forcë të tillë të korruptuar. U tha e ç’nuk u tha për deri edhe të dhëna për korrupsion për çdo kandidat për deputet, për marrveshje të fshehta mes Spahiut dhe Berishës e plot e plot të tjera. Dikush që e sodit këtë marrëzi të madhe nga larg, siç jemi ne emigrantët, veç hutimit, bëjnë edhe një pyetje serjoze: I ka mbetur apo jo këtij vendi ndonjë njeri vizionar? Lind kjo pyetje pasi të gjithë i sherbejnë me ngulm kaosit. Socialistët mburren se kanë rrëmbyer tre apo katerqind mercenarë të frontit kundërshtar. Demokratët po të njejtën gjë. AK me që ishte në skaj, nuk ishte përzier shumë në këtë lodër, por si një grup i egër talebanësh, e tërhoqi vëmëndjen me denoncimin që i bëri ftesës për bashkëpunim me socialistët. Dhe menjëherë mercenarët kalemxhinj mbushën shtypin me 17 krerë të AK që në shenjë proteste, qënkan larguar partia e tyre. Që do ketë të tillë fenomene, as vihet në dyshim, ashtu siç ka patur edhe më parë, problemi është tek entusiazmi socialist i cili e amplifikon frikshëm këtë fenomen, si të mos jetë edhe vet ai pjesë përbërëse, për të mos thënë pjellore e këtij fenomeni. Kaq shpejt e harruan rastin e Islamit në derën e të cilit vazhdojnë të lehin si fakirë? Sigurisht që nuk jam me pozicionin skandaloz që zgjodhi Islami, por më ngjan makabër entusiazmi dhe vrulli socialist kundër AK. Akoma nuk e kanë kuptuar dhe s’duan ta kuptojnë se PS është thjesht një parti politike e cila mori revansh në periudha kohe të caktuara dhe e çgënjeu rëndë votuesin e vet? Nuk duan ta pranojnë faktin se janë vetëm një shifer, siç janë edhe 75 parti të tjera politike në vënd. Vrulli socialist është kaq agresiv dhe kobndjellës, sa duhet të ndalur qysh tani, që të mos çgënjehemi sërish nesër. Nuk jam dakort me faktin se për çdo gjë  gabojnë politikanët. Ata mund të gabojnë vetëm një herë. Për herët e tjera, gabon votuesi që ju jep prapë mundësinë të cicërojnë kaq ashpër ndër kohë që akoma nuk e kanë siguruar votën tonë.

PS është lodhur shumë nga periudha 8 vjeçare e lehjes në opozitë. Mbase duhej të lodhej edhe më tepër, pasi ajo i ka borxhe votuesit të majtë dhe jo votuesi, asaj. Ajo ka përgjegjësinë që s’bëri politikë brenda vetes, aherë kur votat e majta sollën në pushtet qeverrinë më rrënuese të vendit. Të plasnin kokën me Ilir Metën dhe Kastriot Islamin, të gjenin fjalën, siç e gjetën edhe tani që nuk kishte më rendësinë e dikurshëme, për të mos thënë, që tani ajo është vetëm një akt i shemtuar i komedisë që po luhet mbi kurriz të popullit. Jam i sigurt se janë vetëm probleme të rëndomta hunde edhe ato që e vërvitën Islamin në kampin e Berishës. Kjo është përgjegjësia që ndjenë politikanët tanë të majtë ndaj votës së popullit. Kjo duhet paguar patjetër në duam të mos na përsëritet. Dhe duhet ta paguajnë politikanët që e krijuan e jo populli që i besoi.

Si të jenë harruar të gjitha këto ngjarje të afërta, tani socialistët kanë filluar të kërcëllisin dhëmbët ndaj votuesit të tyre dhe akoma më tepër ndaj partive që s’e miratojnë pozicionin e tyre politik. Mirë bëjnë, se tregojnë hapur ç’mund të pres populli ndaj tyre. Po të ndodhë që t’ju shkojë kjo taktikë politike, hallall ta kenë. E po kështu, hallall ta ketë edhe populli që mezi hoqi nga kurrizi një samar, për të vënë një tjetër!

U zgjata pak si tepër me problemet e opozitës, e cila nuk e konsideron më veten të tillë, por pjesë të pushtetit, për faktin se më tmerron përsëritja e të njejtave gabime qeverrisëse. Këto janë paralajmërime ogurzeza për ndryshimet politike që priten në vendin tonë. Duke qënë që padashur u bëmë pjesë e kësaj loje për 20 e ca vjet, është koha ta shikojmë më me përgjegjësi problemin i cili qëllimisht është koklavitur kaq shumë, sa ju lë mundësinë manovruesve për të grabitur pushtete të pamerituara. Kjo nuk është më përgjegjësi e politikanëve. Ata ç’kishin për të bërë, e bënë në mënyrën më të shemtuar me hartimin e një kodi zgjedhor që përfaqëson psikologjinë e grabitjes.

Në pikën e hartimit të kodit zgjedhor, PS nuk është pa përgjegjësi, edhe pse autorja është PD të cilën s’mund ta ngarkojmë me përgjegjësi. Ajo donte pushtetin dhe këtë pushtet ja siguronin këto manovrime. Mirëpo të njejtën logjikë patën edhe socialistët të cilët nuk e volën dot produktin që kishin menduar sepse Çeçua kishte biçak dhe Mulërit e Fulërit do e çonin favorin në stanin e Berishës e jo të Nanos e Ramës. Ndaj dyshimi merr përmasa dhe veprimi fiton më tepër përgjegjësi tek fakti se cila forcë politike duhet sjellë në pushtet. Vendi është i vogël, i kërcënuar e varfëruar sa njerëzve s’ju shkon mëndja për revolucione dhe protesta të cilat në të tilla raste janë tërësisht të përligjura.

Njerëzit kanë zgjedhur rrugën më të lehtë e më paburrërore. Më mirë të vetvriten duke u hedhur nga kati i pestë a i gjashtë, se sa të gjakosen nga plumbat e shtetit, në sheshet e protestuesve.

Kjo psikologji që e ka shpjegimin tek varfëria dhe presioni i ushtruar mbi këtë popull të lodhur diktaturash. Këtu gjithashtu shpaloset e keqja më e madhe e besimit tek e nesërmja e ndryshimit. Ka kaq shumë çështje të hapura që duhen rigjykuar, sa, është papërgjegjësi e madhe e forcës që kërkon pushtetin, të deklarojë se do i gjykojë krerët e AK për korrupsion parazgjedhor. Këtë punë nuk e pengon askush për ta bërë, por gjerat kanë radhë. Para se të gjykohet AK, duhet të gjykohet Berisha për vrasje, korrupsion dhe tjetërsim territoresh të vëndit. Duhet të gjykohet Argita për korrupsion të paster me vulat shtetërore, Shkëlzeni e Fatnmir Mehdiu, për Gërdecin. Harasani socialist dhe shumë harasanër të tjerë që vodhën ç’gjetën përpara dhe nxituan t’i sigurojnë në bankat e Amerikës Latine. Gjykata e nesërme, ka kaq shumë tema të hapura për rigjykim, sa është tërësisht karagjozllëk zelli për gjykimin e krerëve të AK për korrupsion. Kjo shpreh qartë shinat në të cilat do zvarritet qeverria e nesërme nga e cila e vetmja e mirë që mund të pritet, është largimi i një horri gjakatar nga pushteti, por asgjë tjetër më e mirë.

Janë kaq të lexueshme veprimet politike të pozitës dhe opozitës së sotme, sa vetëm një i verbër s’mund t’i shikojë. Kjo ëshjtë arsye e mbledhjes urgjente të kuvendit shqiptar për të ndëshkuar autorët e veshit, ndër kohë që në prag të zgjedhjeve, Evropa dhe departamenti Amerikan i Shtetit, po këmbëngul për zbatimin e normave demokratike, kompletimin e KQZ së pavarur. Sa qesharak është termi “pavarsi” në gojën e politikanëve tanë!

Si votues mund të jemi të qetë dhe të sigurt me angazhimin e kryemafiozit tonë se do zbatojë zgjedhjet më të mira në vënd. Ai e ka serjozisht këtë angazhim dhe ne ndaj nuk e besojmë. Kur një skuzofren këmbënmgul për zbatimin e një ideje, mos e vur në dyshim faktin se ai nënkupton të kundërtën. Janë të qarta shenjat se sa të mira do jenë votimet e sivjetshme. Ato fillojnë me arrogancën shtetërore në shpërbërjen e KQZ, me qarkullimin e listave zgjedhore të mbushura me mijra shpirtëra të vdekur. Me plane te hartuara qeverritarë për shpërngjuljen e qyteteve të tëra veriore, për të rivotuar në Tiranë e qytete të tjera të vendit. Me mobilizimin e banditëve të Ministrisë së Brendëshme, për të dhunuar me çdo kusht votën e shqiptarit. Kjo është pavarsia që gëzojmë nën sistemin mafioz të Berishës. Fatkeqësisht e vetmja armë për t’i shpëtuar kësaj të keqe është PS e cila përditë e më tepër na çgënjen.

Si të mos mjaftojnë gjithë këto mysybete, tani na del edhe Xhozi me kthetra sqifteri e na kujton leshtë! Me shumë të drejtë stari ynë parlamentar, Xhozefina ka filluar të këndojë këngën e leshit, e cila është sa e paskrupullt aq edhe e pamoralshëme. Por a folëm kund për moral, deri tani? Ku ta gjejmë atë të shkretë moral. Folëm vetëm për ca karagjozllëqe që po bëjnë ata të eturit për pushtet, pas raskapitjes së gjatë 8 vjeçare në opozitë. Tej kësaj ka edhe një problem tjetër jo pa rëndësi. Leshi ka ustallarët e vet që nuk lejojnë të flitet kaq pa përgjegjësi për të. Ndaj Arben Duka këmbëngul për të mësuar se për ç’lloj leshi e ka llafin Xhozefina, pasi ky i uruar trup, është i mbushur gjithë lesh.

Ky është humori i dhimbur që do na dalë nga hundët nesër, kur edhe po të heqim nga skena një pushtet banditor, do shohim pikëllueshëm një tjetër, po aq të poshtër. Me këtë, kurrsesi nuk dua të them se s’do zbatuar rrotacioni, por jam i sigurt se me këtë normë demokratike nuk është dakort Berisha dhe klani i tij mafioz që ka mobilizuar skalionet e prapësisë.

 

GRID RROJI: KRIZA SI STRUMBULLARI I ZGJEDHJEVE

Njëra nga çështjet më pak të diskutuara dhe të debatuara megjithëse jemi në kulm të fushatës elektorale është kriza ekonomike e cila ka kapluar Shqipërinë dhe e cila pritet të thellohet edhe më mbas zgjedhjeve. Ndërsa qeveria pret shirita andej këndej dhe bën propagandë pa ndonjë analizë të qartë askush nuk dëshiron as t’a pranojë se duhen diskutuar parametrat dhe zgjidhjet e krizës. Duket e çuditshme, por edhe opozita nuk i mëshon shumë krizës përtej disa slloganeve sipërfaqësore por është përqëndruar tek marrja e pushtetit.

Pra, paria e Tiranës nuk dëshiron që kriza të diskutohet, mirëpo të gjitha lëvizjet e ndërmarra nga ajo tregojnë se kriza është strumbullari i këtyre zgjedhjeve. Paria ka frikë se po të diskutohet publikisht për krizën e thellë ekonomike shqiptarët do t’a shohin se kështjella e tyre oligarkike është prej rëre dhe do të zgjedhin t’i kundërvihen parisë.

Arsyeja që askush nuk guxon të flasë për krizën është pamundësia reale e palëve për t’ju përgjigjur problemeve ekonomike të vendit por edhe frika nga reagimi popullor. Sistemi politik është oligarki e pastër dhe politika nuk u përgjigjet qytetarëve por klaneve kriminale nga të cilat është e kapur. Në sytë e parisë, roli i popullit është të votojë si dele sepse zgjedhje tjetër nuk ka, anipse duke bërë këtë po firmos vendimin e ekzekutimit të vet. “Nuk u kemi borxh asgjë këtyre pisave”, është një shprehje shumë e përhapur në ambjentet e luksit kitsch ku I pëlqen të argëtohet parisë së Tiranës. Mirëpo situata ekonomike është tejet e rënduar dhe populli pret që paria të japë rrugëzgjidhje.

Raportet e fundit të Bankës së Shqipërisë-së pasqyrojnë një situatë ekonomike në rënie, një situatë financiare në limitet e zgripit dhe një deficit buxhetor që i tejkalon të gjitha parametrat e pranueshëm. Sipas BSH-së megjithëse rritja ekonomike ka qenë  2.7 përqind,“aktiviteti ekonomik mbetet nën nivelin potencial dhe burimet e rritjes nuk paraqiten të qëndrueshme”1. Po ashtu “të gjithë faktorët përcaktues të inflacionit kanë kontribuar në ruajtjen e tij në nivele të ulëta” sepse “shfrytëzimi jo i plotë i kapaciteteve prodhuese është shoqëruar me një kërkesë të ulët për punë nga bizneset, duke mos ushtruar presion për rritje të pagave dhe të kostove të punës”2. Ndërkohë një pjesë e konsiderueshme e rritjes duket se vjen nga rritja eksponenciale e bizneseve të bixhozit, të cilat janë të vetmet që realisht përfitojnë nga kriza. Mediat raportojnë se numri i linjave të bixhozit ka shkuar mbi tremijë në një vend ku ka zyrtarisht 2.9 milionë banorë!

Me pak fjalë, kërkesa për punësim është shumë e ulët, dhe numri i madh i pretendetëve për punë ul pagat dhe kostot e prodhimit, e megjithatë rritja ekonomike është minimale. Thënë thjesht, është rritur papunësia, është ulur prodhimi dhe efektiviteti i biznesit por edhe janë rritur kostot shoqërore që vijnë nga biznese të dyshimta si bixhozi të cilat rregullohen rreptë në gjithë botën.

Rreziku i defiçitit të lartë buxhetor është vënë në dukje edhe nga organizmat ndërkombëtarë si BB dhe FMN të cilat paralajmërojnë skenare të ngjashëm me falimentimin e shteteve europianë si Greqia dhe Portugalia.Shifrat e tyre të rritjes ekonomike janë edhe më të ulëta se sa ato që jep BSH-ja ndërsa po t’i referohemi faqes së CIA-s rritja ka qenë nën 1 përqind. Për krahasim, rritja ekonomike e tigrave aziatikë të cilët janë shndërruar në model të zhvillimit kapitalist neoliberal është mesatarisht mbi 7 përqind dhe në kulmin e vet Kina dhe Koreja e Jugut kanë patur rritje mbi 10 %.  Nuk duhet harruar se Shqipëria nuk ka as një strukturë shtetërore të konsoliduar, as industri të mirëfilltë, dhe as mundësinë për t’ju drejtuar BE-së siç bënë vendet anëtare të saj për të shpëtuar vendin nga katastrofa financiare. Sicc shprehej ish anëtari i Kryesisë së PD-së profesori i ekonomisë Omer Stringa “ekonomia shqiptare mbahet nga emigrantët dhe trafiqet”3.

Mirëpo, në këtë gjendje Sali Berisha flet ende për Shqipëri të zhvilluar, punësim masiv, dhe investime publike sikur të kish gjetur çelësin e Shllafarisë*. Me gjuhë tipike katundare ai flet per ngecje halash, futje ngjalash e sllogane të tjera të këtij lloji për të lëshuar sinjalin se është ende në majë të kalit. Halli është t’i mbajë militantët me ushqim shpirtëror deri në zgjedhje sepse po e kuptuan ata se ai e ka lëshuar pushtetin në tryezë rezultati mund të jetë Vaterloo për PD-në. Hallet e popullit nuk janë pjesë e agjendës integruese të Sali Berishës.

Më anë tjetër, Edi Rama kufizohet tek denoncimi i situatës, sepse siç dihet “fajin e ka Saliu”, por nuk ofron asnjë zgjidhje konkrete. Me gjuhë tipike propagandistike dhe pa asnjë substancë Rama kërkon të marrë pushtetin njëherë se pastaj “ka burime shteti”. Hallet e Edi Ramës janë të mbysë dhe kontrollojë zërat kundër në parti si për shembull Arta Daden,Erjon Braçen,Pandeli Majkon për të mos përmendur pretendentin për fron Ben Blushi. Ndaj atij i duhet të garantojë e konsolidojë fitoren që i ka lëshuar në tryezë Saliu dhe të parandalojë  forcimin e pozitave të Ilir Metës brenda të majtës. Ky i fundit është komod, sepse sido që të bjerë fyelli ai i ka hallet e zgjidhura. Pra, edhe opozita nuk shqetësohet se si do t’a përballojë krizën, mjaft që të vijë në pushtet.  Hallet e popullit nuk janë pjesë e agjendës integruese të Rametës.

Po t’i shtojmë kësaj edhe pasigurinë politike që përshkon Greqinë e  Italinë dhe kthimin e një numri të madh emigrantësh situata është vërtet dramatike. Kjo lloj situate do të kërkonte një angazhim të të gjitha energjive intelektuale për tejkalimin e krizës.

Në cilindo shtet normal interesi publik do të dikonte një bashkëbisedim me popullin për të gjetur zgjidhjet më të përshtashme por edhe për të shpjeguar se asgjë nuk zgjidhet me shkop magjik dhe se të gjithë duhet të përballojmë situata të vështira. Siç thotë shprehja popullore amerikane,“do të bëhet më keq përpara se të bëhet më mirë” po rrugën e mundimshme do t’a bëjmë të gjithë bashkë.

Mirëpo, parisë nuk i intereson kriza sepse ata i kanë zgjidhur hallet e veta. Disa janë siguruar duke kontribuar që 1.3 miliard euro të dalin jashtë vendit vetëm në 2012-ën. Të tjerë kanë investuar në apartamente luksoze në ccdo cep të botës. Të tjerë ende kanë besim se do t’a ruajnë pasurinë me anë të klaneve kriminale ku bëjnë pjesë. Pra halli i parisë është të ndajë pushtetin jo të zgjidhë problemet. Paria e Tiranës po vepron si kurdoherë në interes të vetvetes dhe në dëm të shqiptarëve.

Ndaj dhe pakti i ngjalave të 1 Prillit ishte një mjet garantues në sytë e parisë për sundimin e saj oligarkik në mënyrë që populli të mos ketë zgjidhje të tjera dhe rrugët të mbyllen. Satelitët e vegjël u kooptuan me kockën e zakonshme, partitë e reja u kornizuan ose si “vegla” të kundërshtarit ose si “të pafuqishme”, ndërsa vullneti i popullit u mjegullua me propagandë të pandalshme.

Por siç e kam shprehur edhe më parë këtë herë besoj se paria i ka bërë llogaritë pa hanxhinë. Megjithëse është kujdesur të mbyllë të gjitha shtigjet kriza e rënduar ekonomike e nxjerr projektin e parisë zbuluar. Projekti integrues fut ujë gjithandej dhe paria e di që uji kur hyn në themele me kohë rrëzon edhe rrokaqiellin më të lartë. Propaganda nuk jep bereqet. Me daljen në dritë të mungesës së zgjidhjeve nga paria, me rikthimin e emigrantëve, me rënien drastike të remitancave, shqiptarët do të ndërgjegjësohen se ccmimi që do të paguajnë është jo vetëm i lartë por edhe i papërballueshëm. Dhe kur të zgjohet ndërgjegja popullore parisë nuk i mbetet veccse përplasja me popullin e vet. Historikisht kjo është një betejë e humbur për parinë. Ndaj edhe ajo ja ka frikën përplasjes e po mundohet t’a mjegullojë vështrimin dhe kontrollojë situatën me çdo mjet.

 

*Shllafari-një ishull imagjinar I një utopie të mirnëjohur të viteve tetëdhjetë.

1) Banka e Shqipërisë, Raporti i Tremujorit të Katërt për vitin 2012, fq.8.

2) Ibid.

3) http://lajme.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/1047361075/titulli/Stringa-Ekonomia-shqiptare-mbahet-vetem-me-pu