Home » ANALISTE TE FTUAR » LEDJAN PRIFTI: SHEMBJA E IDHUJVE DHE DIALEKTIKA E NGJALAVE

LEDJAN PRIFTI: SHEMBJA E IDHUJVE DHE DIALEKTIKA E NGJALAVE

Shqiptarët i kanë dy ”borxhe” Ilir Metës; i pari, falë aleancës me Salën ne 2009-n shpëtuan prej dialektikës falso komunistë-antikomunistë dhe i dyti, falë paktit të ngjalave shpëtuan prej maskës së Ramës, Rilindja tashmë është vetëm një gjethe fiku. Ilir Meta brenda një 4 vjeçari arriti të çjerrë me shumë lehtësi maskën antikomuniste të Berishës dhe maskën edramiste të ndryshimit . Meta, si babai i mendësisë politike të ngjalave, ka ‘meritën’ qe mendësinë e pazarit, e cila gëlonte në gjithë prapaskenat e jetës publike, ta shpallte si mendësi politike hegjemone ose si kategori sunduese e të të menduarit politik.

Berishës nuk ia kish mbajtur deri në 2009-n ta bënte një shpallje të tillë, Ramës nuk ia mbajti deri në 1 prill. Deri në 1 prill, kishim të vepruarit politik me bazë tek pazaret e trafiqet, prej 1 prillit të menduarit politik iu nënshtrua të vepruarit, teoria iu nënshtrua praktikës, nuk mund të vazhdonte më tej kjo skizmë mes tyre, më në fund u puqën falë Metës, edhepse së prapthi. Tani që praktika politike e pazarit ka edhe mbrojtjen e teorisë politike, topi iu kalua mendësisë së asaj pakice votuesish, deri dje refraktare ndaj pazareve. Eshtë kjo mendësi që duhet të ndryshojë në mënyrë që regresi e degjenerimi i të menduarit politik të shpallet i plotësuar.

Pra, topi është në fushën tonë, duhet të zgjedhim si ta luajmë lojën. Kemi 3 mundësi:

1- Të votojmë për Berishën e Rametën, kështu ta shpallim, njëherë e përgjithmonë, regresin e degjenerimin politik si e ardhmja jonë

2- Do zgjedhim të votojmë FRD-në e AK-në që pavarësisht prapaskenave, nuk na kërkojnë publikisht të pranojmë politikën e ngjalave

3- Do të hedhim votën e bardhë, në dreq të shkojnë të gjithë, asnjëri s’është i denjë për t’i dhënë besimin tonë as për provë

Secili do të zgjedhë  në bazë të arsyetimit që do bëjë, kjo është në njëfarë mënyre edhe liria e pakicës refraktare ndaj pazareve, kjo pakicë ka ende lirinë e të menduarit racional, gjendet tek logosi, i ka shembur idhujt dhe të menduarit mitik e nuk pranon të kalojë tek të ngjalëmenduarit dhe dialektika e ngjalave, sikundër ka bërë shumica e shqiptarëve.

Të menduarit mitik (mythos) ka kushtëzuar për një kohë të gjatë zgjedhjet e shqiptarëve gjatë tranzicionit. Ai prodhoi idhuj, Sala si idhulli i të djathtëve antikomunistë dhe Rama si idhulli i të majtëve progresistë e antiberishistë ( përveç idhujtarisë si trashëgimtar i komunizmit). Ky lloj i menduari politik u vu në krizë nga vetë veprimtaritë politike të dy ‘dinozaurëve hyjnore’, Sala nuk bëri asgjë për të përsekutuarit e për ish-pronarët e vërtetë, por i dogji dhe i vodhi,  ndërsa Ramës i dolën në shesh prirjet autokratike dhe për pazare.

Kriza e idhujtarisë falë pakteve me Metën u shndërrua shpejt në shembje të idhujve; prej 4 vjetësh Sala nuk është më idhulli i antikomunizmit, përveç idhujtarisë si profesion i mirëpaguar apo produkt i vjedhjeve e përfitimeve gjatë qeverisjes së tij, ndërsa Rama prej 1 Prillit nuk ështe më idhulli i politikës së re dhe ndryshimit, përveç idhujtarisë si profesion i mirëpaguar apo produkt i përfitimeve të pritshme në rast të fitores së tij.

Mirëpo ndryshe nga vijueshmëria normale historike e kalimit nga ”mythos” tek ”logos”, e cila ka bërë të mundur lindjen e mendimit racional në Greqinë e lashtë dhe vetë lindjen e shkencës moderne në Perëndim (shkëeputja nga ‘mythos’ i Kishës), tek ne shembja e idhujve nuk po sjell triumfin e logosit, pra të të menduarit logjik. Kjo do të sillte shembjen e sistemit dhe bipolarizmit atavik e majtë-e djathtë.

Berisha e Rameta bashkë me lukuninë mediatike, e cila formëson opinionin publik, meqë nuk mund të lejonin shembjen e sistemit, ku të gjithë hanë bukë e vjedhin sa munden, duhet të gjenin një zgjidhje, një alternativë tjetër ndaj zbritjes triumfale në politikë të logosit të frikshëm. Zgjidhja e gjetur ishte ngjala, të ngjalëmenduarit si kategori e re që zëvendëson mythos-in. Tashmë të gjithë janë nën presion të vazhdueshëm, thonë mirë që na u hapën sytë, se as Berisha e as Rama nuk jane ndryshe, të dy në pazar me Metën për karriget e tyre, por tani si do t’ia bëjmë që këta kanë kapur jo vetëm shtetin, por edhe gjithë ekonomine private, si do hamë bukë ( jo si metaforë, por në kuptimin e parë).

Të ngjalëmenduarit u thonë lukunia mediatike, e ka gjetur zgjidhjen Meta e janë dakort publikisht edhe Berisha edhe Rama. Do të gjesh një punë që të hash bukë, shko voto e gjej vota të tjera për ta, përndryshe mbathja në emigracion e mos hap telashe. Do bësh pazar me votën teënde, me dinjitetin tënd, që ata të vjedhin taksat që ti paguan, hidrocentralet që kanë mbetur ende pa shitur dhe nëpërmjet borxhit publik edhe të ardhmen e familjes tënde.

Sipas tyre, të ngjalëmenduarit është proçes i pashmangshëm, është domosdoshmëria e historisë që e kërkon, pas shembjes së idhujve nuk na vika dialektika politike e sunduar nga logjika, por dialektika politike e ngjalave, një formë e pastër shantazhi për shqiptarët, ku o je me Salën o je me Edin, o do hash bukë duke brohoritur Berishën o do hash bukë duke brohoritur Rametën. Logjika në dialektikën e ngjalave nuk varet nga logosi, pavarësisht se logjikë vjen prej fjalës logos, por varet nga stomaku, i logjikshëm është ai që e mbush barkun me ngjala.

Me këtë shpërfytyrim të logjikës do t’i bëjmë hesapet mirë në të ardhmen. Shqiptarët herët a vonë do ta kuptojnë, se nuk ka asnjë të ardhme pa racionalitet, realiteti është në thelb i varur nga racionalja, prandaj nuk ka pasur të ardhme për asnjë popull, i cili përherë i ka thënë derrit daje. Prandaj edhe e tashmja jonë është kaq absurde, sepse në të shkuarën të parët tanë i kanë thënë më shumë se ç’duhet  derrit dajë, aq sa s’po dihet më kush është derri e kush është daja, prandaj edhe komunizmin që kishte vdekur me kohë ne e mbanim në këmbë e s’donim ta varrosnim.

One thought on “LEDJAN PRIFTI: SHEMBJA E IDHUJVE DHE DIALEKTIKA E NGJALAVE

  1. Rrugetimi historik drejt racionales eshte i pashmangshem, kjo eshte nje pike kyce e mendimit perparimtar shqiptar. Varet nga ne nese do te na marre edhe shume kohe per t’a rikthyer lavjerresin ne drejtim te racionalitetit apo do rrime ne llumnajen e madhe te parise si lapangjoze. Une them mjaft me derra, na ka ardhe ne maje te hundes. Urime per shkrimin Ledjan.

Comments are closed.