Home » NE NA NGORDHUR GOMARI ME KOHE... » MURAT ALIAJ: DITA E VESHIT DHE E LESHIT

MURAT ALIAJ: DITA E VESHIT DHE E LESHIT

Eshte i njohur fakti se para katastrofave më të mëdha që ka përjetuar njeriu, të paraprijnë disa çaste humori, si për ta bërë tragjedinë sa më të pranueshme. Duan të thonë se para përmbytjes së Titanikut, pati një skenë masive çmendurore e cilas po të ishte vlerësuar në kohën e duhur, mund të shmangej hataja. Një bast i madh ishte hedhë për të shtenë në dorë një virgjëreshë e cila kishte vendosur t’ja dorëzonte trupin e saj zotit, ashtu siç e kishte marrë prej tij. Mirëpo luajti një shumë kaq e madhe, sa të gjorës ju desh ta harronte betimin. Por ai betim kishte marrë shenjtërinë e zotit dhe në momentin kur plasi cipa, vigani Titanik, humbi drejtpeshimin, u përplas dhe… dihet vazhdimi.

Në këtë drejtim politika jonë nuk është se ;po bën ndonjë zbulim. Ne të gjithë tashmë e dimë mirë se ndodhemi buzë greminës, sado të përpiqen karagjozët tanë të na kthejnë humorin. Asnjëherë nuk ka patur kaq shumë humor ndjellakeqës vendi ynë. Humori paralajmëron. Kush nuk ja vë veshin, në qafë paste veten.

Problemi eshtë tepër i thjeshtë: një vënd që qeverriset prej 8 vjetësh nga karagjozë, nuk ka si të mos i ngrijë buzëqeshja në fytyrë. Duke qënë se këtë dhuratë të hidhur e kemi nga ajo forcë politike që sërish kërkon pushtet, pra nga LSI, nuk ka pse të çuditemi nga gjith ç’na pret më pas. Ajo që do ndodhë ndryshe nga herët e tjera, është fakti se këtë radhë nuk do kemi të drejtë të bëjmë shkaktar të fatkeqësive tona Berishën, as Ramën e Metën, por veten tonë që  që e vlerësuam kaq pak duke e lënë në duart e këtyre horrave.

Kjo është drama për të cilën nuk flet askush ose mërmërin si të ket frikë nga vetja, ndërkohë që maskarada e shkuljes së veshit, është në kulmin e amplifikimit, aq sa me urdhër të kryekaragjozit kryeminister u mblodh kuvendi dhe mori vendimin për ta përjetësuar në kalendarin humoristik të tij, duke krijuar një grup hetimor i cili do jetë thjesht shkruesi i çka do diktojë ustai.

Që ka ndodhur diçka humoristike, kjo s’vihet në dyshim. Ajo që vihet në dyshim është tjetër gjë. Vlerësimi suprem që ju bë kësaj skene, ndërkohë që parlamenti ynë ka edhe shumë momente të tjera që do ja kishte zili edhe Servantesi. Por jo. Kjo është e rëndësisë së veçantë, sepse është e regjizuar dhe ekspozuar nga një njeri që me ngulm po kërkon ta lërë emrin në histori. Këmbëngulje të marrësh, sepse edhe pa këto komedira, ai e ka siguruar këtë vënd ndjellakeq.

E kishim fjalën tek ndodhija. Dy karagjozë të rëndomtë politik u mbërthyen me njeri tjetrin dhe shkulën veshët. Që veshët e tyre nuk janë pasuri kombëtare, por përkundrazi marrëzi kombëtare, kjo s’ka dyshim. Por duke qënë se ata janë veshët e ca gomerëve të mëdhenj, u dashka ndalur dhe kombi të harrohjë listat e mëdha të borxheve, të harrojë dilemat që po e hedhin në vetvrasje nga dita në ditë, e të merret me ca veshë gomerësh.

Për mua nuk ka asnjë rëndësi kush pati a nuk pati të drejtë. E rëndësishme është që ata janë të dy përfaqësuesit e atyre që e lënë pushtetin dhe atyre që përgatiten ta marrin, e që fatkeqësisht nuk ndryshojnë shumë prej njeri tjetrit. Këta të dytët, pa e marrë akoma votën, kanë filluar ndarjet e kolltuqeve. Kjo është një shenjë kobzezë që na paralajmëron se edhe pas përmbhysjes së obskurantistit Berishë, pak gjera pritet që të ndryshojnë në vendin tonë fatkeq. Provat paralajmëruese, janë të shumta.

Po t’i vësh re me fare pak kujdes mund të diktosh ferrën se ku fle lepuri. Menjëherë pas skërmitjes së dhëmbeve të Berishës, socialistët tanë ju vërsulën Aleancës Kuq e Zi e cila nuk pranoi koalicion me një forcë të tillë të korruptuar. U tha e ç’nuk u tha për deri edhe të dhëna për korrupsion për çdo kandidat për deputet, për marrveshje të fshehta mes Spahiut dhe Berishës e plot e plot të tjera. Dikush që e sodit këtë marrëzi të madhe nga larg, siç jemi ne emigrantët, veç hutimit, bëjnë edhe një pyetje serjoze: I ka mbetur apo jo këtij vendi ndonjë njeri vizionar? Lind kjo pyetje pasi të gjithë i sherbejnë me ngulm kaosit. Socialistët mburren se kanë rrëmbyer tre apo katerqind mercenarë të frontit kundërshtar. Demokratët po të njejtën gjë. AK me që ishte në skaj, nuk ishte përzier shumë në këtë lodër, por si një grup i egër talebanësh, e tërhoqi vëmëndjen me denoncimin që i bëri ftesës për bashkëpunim me socialistët. Dhe menjëherë mercenarët kalemxhinj mbushën shtypin me 17 krerë të AK që në shenjë proteste, qënkan larguar partia e tyre. Që do ketë të tillë fenomene, as vihet në dyshim, ashtu siç ka patur edhe më parë, problemi është tek entusiazmi socialist i cili e amplifikon frikshëm këtë fenomen, si të mos jetë edhe vet ai pjesë përbërëse, për të mos thënë pjellore e këtij fenomeni. Kaq shpejt e harruan rastin e Islamit në derën e të cilit vazhdojnë të lehin si fakirë? Sigurisht që nuk jam me pozicionin skandaloz që zgjodhi Islami, por më ngjan makabër entusiazmi dhe vrulli socialist kundër AK. Akoma nuk e kanë kuptuar dhe s’duan ta kuptojnë se PS është thjesht një parti politike e cila mori revansh në periudha kohe të caktuara dhe e çgënjeu rëndë votuesin e vet? Nuk duan ta pranojnë faktin se janë vetëm një shifer, siç janë edhe 75 parti të tjera politike në vënd. Vrulli socialist është kaq agresiv dhe kobndjellës, sa duhet të ndalur qysh tani, që të mos çgënjehemi sërish nesër. Nuk jam dakort me faktin se për çdo gjë  gabojnë politikanët. Ata mund të gabojnë vetëm një herë. Për herët e tjera, gabon votuesi që ju jep prapë mundësinë të cicërojnë kaq ashpër ndër kohë që akoma nuk e kanë siguruar votën tonë.

PS është lodhur shumë nga periudha 8 vjeçare e lehjes në opozitë. Mbase duhej të lodhej edhe më tepër, pasi ajo i ka borxhe votuesit të majtë dhe jo votuesi, asaj. Ajo ka përgjegjësinë që s’bëri politikë brenda vetes, aherë kur votat e majta sollën në pushtet qeverrinë më rrënuese të vendit. Të plasnin kokën me Ilir Metën dhe Kastriot Islamin, të gjenin fjalën, siç e gjetën edhe tani që nuk kishte më rendësinë e dikurshëme, për të mos thënë, që tani ajo është vetëm një akt i shemtuar i komedisë që po luhet mbi kurriz të popullit. Jam i sigurt se janë vetëm probleme të rëndomta hunde edhe ato që e vërvitën Islamin në kampin e Berishës. Kjo është përgjegjësia që ndjenë politikanët tanë të majtë ndaj votës së popullit. Kjo duhet paguar patjetër në duam të mos na përsëritet. Dhe duhet ta paguajnë politikanët që e krijuan e jo populli që i besoi.

Si të jenë harruar të gjitha këto ngjarje të afërta, tani socialistët kanë filluar të kërcëllisin dhëmbët ndaj votuesit të tyre dhe akoma më tepër ndaj partive që s’e miratojnë pozicionin e tyre politik. Mirë bëjnë, se tregojnë hapur ç’mund të pres populli ndaj tyre. Po të ndodhë që t’ju shkojë kjo taktikë politike, hallall ta kenë. E po kështu, hallall ta ketë edhe populli që mezi hoqi nga kurrizi një samar, për të vënë një tjetër!

U zgjata pak si tepër me problemet e opozitës, e cila nuk e konsideron më veten të tillë, por pjesë të pushtetit, për faktin se më tmerron përsëritja e të njejtave gabime qeverrisëse. Këto janë paralajmërime ogurzeza për ndryshimet politike që priten në vendin tonë. Duke qënë që padashur u bëmë pjesë e kësaj loje për 20 e ca vjet, është koha ta shikojmë më me përgjegjësi problemin i cili qëllimisht është koklavitur kaq shumë, sa ju lë mundësinë manovruesve për të grabitur pushtete të pamerituara. Kjo nuk është më përgjegjësi e politikanëve. Ata ç’kishin për të bërë, e bënë në mënyrën më të shemtuar me hartimin e një kodi zgjedhor që përfaqëson psikologjinë e grabitjes.

Në pikën e hartimit të kodit zgjedhor, PS nuk është pa përgjegjësi, edhe pse autorja është PD të cilën s’mund ta ngarkojmë me përgjegjësi. Ajo donte pushtetin dhe këtë pushtet ja siguronin këto manovrime. Mirëpo të njejtën logjikë patën edhe socialistët të cilët nuk e volën dot produktin që kishin menduar sepse Çeçua kishte biçak dhe Mulërit e Fulërit do e çonin favorin në stanin e Berishës e jo të Nanos e Ramës. Ndaj dyshimi merr përmasa dhe veprimi fiton më tepër përgjegjësi tek fakti se cila forcë politike duhet sjellë në pushtet. Vendi është i vogël, i kërcënuar e varfëruar sa njerëzve s’ju shkon mëndja për revolucione dhe protesta të cilat në të tilla raste janë tërësisht të përligjura.

Njerëzit kanë zgjedhur rrugën më të lehtë e më paburrërore. Më mirë të vetvriten duke u hedhur nga kati i pestë a i gjashtë, se sa të gjakosen nga plumbat e shtetit, në sheshet e protestuesve.

Kjo psikologji që e ka shpjegimin tek varfëria dhe presioni i ushtruar mbi këtë popull të lodhur diktaturash. Këtu gjithashtu shpaloset e keqja më e madhe e besimit tek e nesërmja e ndryshimit. Ka kaq shumë çështje të hapura që duhen rigjykuar, sa, është papërgjegjësi e madhe e forcës që kërkon pushtetin, të deklarojë se do i gjykojë krerët e AK për korrupsion parazgjedhor. Këtë punë nuk e pengon askush për ta bërë, por gjerat kanë radhë. Para se të gjykohet AK, duhet të gjykohet Berisha për vrasje, korrupsion dhe tjetërsim territoresh të vëndit. Duhet të gjykohet Argita për korrupsion të paster me vulat shtetërore, Shkëlzeni e Fatnmir Mehdiu, për Gërdecin. Harasani socialist dhe shumë harasanër të tjerë që vodhën ç’gjetën përpara dhe nxituan t’i sigurojnë në bankat e Amerikës Latine. Gjykata e nesërme, ka kaq shumë tema të hapura për rigjykim, sa është tërësisht karagjozllëk zelli për gjykimin e krerëve të AK për korrupsion. Kjo shpreh qartë shinat në të cilat do zvarritet qeverria e nesërme nga e cila e vetmja e mirë që mund të pritet, është largimi i një horri gjakatar nga pushteti, por asgjë tjetër më e mirë.

Janë kaq të lexueshme veprimet politike të pozitës dhe opozitës së sotme, sa vetëm një i verbër s’mund t’i shikojë. Kjo ëshjtë arsye e mbledhjes urgjente të kuvendit shqiptar për të ndëshkuar autorët e veshit, ndër kohë që në prag të zgjedhjeve, Evropa dhe departamenti Amerikan i Shtetit, po këmbëngul për zbatimin e normave demokratike, kompletimin e KQZ së pavarur. Sa qesharak është termi “pavarsi” në gojën e politikanëve tanë!

Si votues mund të jemi të qetë dhe të sigurt me angazhimin e kryemafiozit tonë se do zbatojë zgjedhjet më të mira në vënd. Ai e ka serjozisht këtë angazhim dhe ne ndaj nuk e besojmë. Kur një skuzofren këmbënmgul për zbatimin e një ideje, mos e vur në dyshim faktin se ai nënkupton të kundërtën. Janë të qarta shenjat se sa të mira do jenë votimet e sivjetshme. Ato fillojnë me arrogancën shtetërore në shpërbërjen e KQZ, me qarkullimin e listave zgjedhore të mbushura me mijra shpirtëra të vdekur. Me plane te hartuara qeverritarë për shpërngjuljen e qyteteve të tëra veriore, për të rivotuar në Tiranë e qytete të tjera të vendit. Me mobilizimin e banditëve të Ministrisë së Brendëshme, për të dhunuar me çdo kusht votën e shqiptarit. Kjo është pavarsia që gëzojmë nën sistemin mafioz të Berishës. Fatkeqësisht e vetmja armë për t’i shpëtuar kësaj të keqe është PS e cila përditë e më tepër na çgënjen.

Si të mos mjaftojnë gjithë këto mysybete, tani na del edhe Xhozi me kthetra sqifteri e na kujton leshtë! Me shumë të drejtë stari ynë parlamentar, Xhozefina ka filluar të këndojë këngën e leshit, e cila është sa e paskrupullt aq edhe e pamoralshëme. Por a folëm kund për moral, deri tani? Ku ta gjejmë atë të shkretë moral. Folëm vetëm për ca karagjozllëqe që po bëjnë ata të eturit për pushtet, pas raskapitjes së gjatë 8 vjeçare në opozitë. Tej kësaj ka edhe një problem tjetër jo pa rëndësi. Leshi ka ustallarët e vet që nuk lejojnë të flitet kaq pa përgjegjësi për të. Ndaj Arben Duka këmbëngul për të mësuar se për ç’lloj leshi e ka llafin Xhozefina, pasi ky i uruar trup, është i mbushur gjithë lesh.

Ky është humori i dhimbur që do na dalë nga hundët nesër, kur edhe po të heqim nga skena një pushtet banditor, do shohim pikëllueshëm një tjetër, po aq të poshtër. Me këtë, kurrsesi nuk dua të them se s’do zbatuar rrotacioni, por jam i sigurt se me këtë normë demokratike nuk është dakort Berisha dhe klani i tij mafioz që ka mobilizuar skalionet e prapësisë.

 

One thought on “MURAT ALIAJ: DITA E VESHIT DHE E LESHIT

  1. Pergezime Murat Aliaj, shohim nje zberthim shume inteligjent e te detajuar te situates, nje pershkrim mjeshteror do thosha edhe artistikisht qe si nje prejektor filmik ndricon cohen e shfaqjes ku shqipetaret duhet te fokusohen dhe te maten mire ne zgjedhjen e te keqes me te vogel…

Comments are closed.