ILIR DEMALIA: PËRSËRI RRETHI VICIOZ I ZGJEDHJEVE PA ZGJIDHJE !!

Po të ndjekësh retorikën elektorale, që ka filluar jo zyrtarisht, pasi fushata zgjedhore formalisht fillon ditën që shpërndahet Kuvendi, do të kuptosh shumë gjëra. Mbi të gjitha do të kuptosh që shteti ka marrë daullet… e po bën fushatë.

Pra, do të kuptosh që shteti ka lënë punët për të cilat paguhet dhe për të cilat është paguar, por që kurrë nuk është marrë me to dhe po merret me fushatën elektorale. Me një fjalë, do të kuptosh që shteti po përdoret për interesat e dikujt. Po të kujt? Pasi në konceptin tonë si ‘popull-shtet’ dhe si ‘shtet-popull’, shteti është një BAJRAK dhe BAJRAKTARI është kryeministri. Pra, ky shtet po përdoret si pronë e bajraktarit ose në gjuhen “moderne” të Oligarkisë si SH. P. K. familjare dhe klanore. 


Nga ana e vet, Opozita ka fryrë bulcitë duke iu rënë burive të alarmit për rrezikun që po i kanoset Shqipërisë nga Bajraktari dhe Bajraku i tij. Anëtaret e Oligarkise, që janë “opozite,” edhe këta kanë lënë parlamentin për të fryrë boriat e Beut që do të marrë cifligun-shtet dhe do të kënaq cifligaret e tij në marrjen e shtetit Ciflig. 


Shikoni fjalimet hidh e prit nga të dy palët, pa asnjë program të qartë konkret, pa ide, pa koncepte politike, pa përballje me realitetin e zymtë, pa koncepte të qarta ekonomike, sociale, kombëtare. Më e rëndësishmja, këto fjalime janë pa asnjë lloj trasparence per luksin e madh të shpenzimeve për këtë fushatë në vendin më të varfër të Europës. 
Ana etike e fushatës të habit. Flitet me terma si  veshi, leshi, preshi, ngjalat, halat, fyti, gurmazi, Blloku, Lazari debili dhe militantët që mbushin sallat e bajraktarit kryeministër apo të beut që do të bëhet kryeminister. Flitet për koalicionet dhe diskutohen si marrja në aleancë e Rilindjes me Beun e pardjeshem që u kthye në Nën/Bajraktar me Bajraktarin e “Kohës për Ndryshim” për të rilindur si Allajbe o me së paku si Subash me Bllokun e 21 Janarit dhe shumë blloqe të tjera të abuzimit dhe krimit të 22 Vjetëve te Ram-Ti-Met-Lindja. Në këtë bashkim, kemi dhe prostitutat e vogla, partitë tip mikrobuzi që rrinë të gatshëm për të marrë shpërblimin e rradhës mbas 23 qershorit nga bajraktari apo beu i rradhës që do marrë fronin e ri.

Mirëpo, ky mentalitet bajraktaro-feudo-komunist i Oligarkisë post-komuniste tashmë është i diskredituar, i korruptuar, i inkriminuar dhe totalisht i degjeneruar e i zvetënuar…. Vetëm ai që është i lidhur ose i kapur nga kjo Oligarki do të pohonte ndryshe. 
Në këto 22-vjet Oligarkia sunduese e Tiranes në vend të shtetit të së drejtes ka ngritur shtetin e të fortit. 

Cfarë ka Ndodhur??

Për ta thënë me nje fjalë, ka ngritur një Shtet Cubash. Ja disa arsye pse them kështu:


Në vend të tregut të lire, ka ngritur kontrabandën e drogës, trafikun, prostitucionin, larjen e parave te pista.

Në vend të zhvillimit kombëtar ka ngritur shitjen e pasurive kombëtare që ishin e janë pronë e shqiptarëve. 

Në vend të ekonomisë ka nisur me hapjen e llogarive familjare për te vazhduar sundimin Oligarkiko-Mafioz. Dhe këto para i përdor për të shpenzuar për të ndenjur në fuqi duke paguar portavocet e mediave përkatëse dhe tullumbacet dhe boriat e fushatave për sundim.

Në vend të integrimit ka sjelle izolimin e vendit ku shihemi si Vdekja e zezë dhe pika më problematike e Europes. 

Në vend të ruajtjes se mjedisit, ka sjell denatyralizimin e natyrës 

Në vend të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore ka sjelle rrënimin dhe shkatarrimin e saj.

Në vend të profesionalizmit në administratën shtetrore ka sjelle SEJMENIZMIN injorant-mizantrop të individëve.

Në vend të edukimit, në vend të shkollimit, ka hapur universitete ku diploma blihet.

Me një fjale. . . . në vend e në vend. . . në shtetin shqiptar mnuk ka me VEND !! 
Kupa është jo vetëm e mbushur po edhe e derdhur për kete klasë politike që ka sjellë një dem në kufijtë e pariparueshëm për vendin dhe të ardhmen e tij.

Shkaku i gjendjes ku jemi


Përse ndodhi kështu?! Po faktori kryesor dallohet lehtësisht. 
Po të marrësh dhe të analizosh të gjithë aktorët e klasës politike-intelektuale që morën (apo më mirë që ua dhanë) në dore pluripartizmin në Dhjetor të vitit 90-të, pas revoltave të rinisë dhe studentëve, do të shohesh që të gjithë ishin të lidhur me sistemin komunist. Ata ishin anëtarë të PPSH-së, shërbyen si portavoce intelektuale, si bashkëpuntorë, si pjestarë të strukturave të krimit shtetëror, si të “persekutuar” të shërbimit, e si e si. . . . !!
   KËta ishin pjestarë të sistemit e vegla të tij.

Pse jemi këtu ku jemi?

Këta, veglat e sistemit, u pasuan nga të rinjtë me lidhje familjare, me lidhje farefisnore, e me lidhje krushqie qysh ne sistemin komunist që kanë mbushur skenën politike të pluripartizmit demo(n)kratik nëpërmjet sundimit Oligarkik. Për këtë arsye të mos ikjes nga këto kapje jemi këtu ku jemi. 
Sundimi Oligarkik i këtyre 23-vjetëve e ka shkatërruar vendin dhe varfëruar popullin, aq sa që votuesi me mendësi katundareske shitet për një thes miell. E kjo ndodh ndërsa prostitutat politike të tipit mikrobuz shkojnë sa në njerin krahë në tjetrin për të kryer shërbimin e rradhës.

I keni parë këta se si shkojnë herë të socialistet, herë të demokratet herë te LSI e Metë-Berishës, herë tek ajo e Ramë-Metës??? I keni parë  se si militantët i dëgjojnë dhe gëzojnë kur ata shkojnë “mirë” me njeri-tjetrin???

Mjerimi Kombëtar

Mjerimi kombëtar merr shumë fytyra. Gëzohen demokratët kur Ilir Meta bën kualicion me Sali Berishën dhe mallkojnë socialistët e Edi Ramës. Gëzohen socialistët e Edi Ramës kur vjen Ilir Meta tek socialistët dhe shpërthen furia e Bllokut tek demokratët që ndjekin Sasli Berishën.

Cka është kjo??? 
Ky, o njerëz, është mjerim kombëtar. Ky, o njerëz, është mjerim intelektual. Ky, o njerëz, është mjerim, atdhetar. Ky, o njerëz, është mjerim politik. Ky, o njerëz, është mjerim ekonomik. Ky, o njerëz, është mjerim, vërja emrin, mjerim është.

E ne, me këtë mjerim po shkojmë në zgjedhjet e 23 Qershorit. Jo për zgjidhje por për zgjedhje te Bajraktarit apo Beut, të Bashibozukut apo të Jenicerit. Jo për shëmbje apo c’rrënjosje të kësaj Oligarkie Ri-Liri-Ram-Lindje apo Per-Para, por për zgjatimin e jetës se saj dhe rrënimin e Shqipërise dhe Shqipëtarëve.


Cohuni o t’dekun. . . !! Se të gjallët i ka hangër dreqi!!

Advertisements

NAIL DRAGA: DISKRIMINIMI I SHQIPTARËVE PËRMES LIGJIT ZGJEDHOR NË MAL TË ZI

Ajo çka është paralamëruar më herët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Mal të Zi të cilat u mbajtën më 14 tetor 2012 u dëshmua në praktikë se ligji i  ri zgjedhor i miratuar në Parlamentin e Malit të Zi me 8 shtator 2011 përmes mbivotimit nga ana e shumicës së deputetëve është ligj diskriminues, ku shëmbull tipik janë shqiptarët të cilët nga katër deputet sa ishin të përfaqësuar në Parlament nga zgjedhjet e vitit 2009, tash janë të përfaqësuar vetëm me dy deputet, që del qartë manipulimi i pushtetit për të ulur ndikimin e deputetëve shqiptarë.

Ndrrrimi i Sistemeve Zgjedhore në Mal të Zi

Nga zgjedhjet e para pluraliste  më 9 dhjetor 1990, e deri më tash, në Mal të Zi  kanë ekzistuar tre sisteme të ndryshme zgjedhore. Ndërsa, nga viti i kaluar është në praktikë edhe modeli i katërt zgjedhor i ndryshëm nga këto të mëparshimit.  Nga ky ndrrim i shpeshtë i sistemeve zgjedhore del se në ketë mjedis nuk ka pasur  infrastrukturë stabile zgjedhore. Jo vetëm kaq, por mund të thuhet se ndrrimi i sistemeve zgjedhore është miratuar në parlament sipas interesave të pushtetit. Pikërisht nga një qasje e tillë utilitare e pushtetarëve, pjesëtarët e popujve pakicë në Mal të Zi vazhdimisht kanë qenë në pozitë të pabarabartë. Kjo ka të bëjë sidomos me shqiptarët, si e vetmja popullsi josllave në ketë mjedis. Pikërisht me datën 8 shtator 2011, Parlamenti i Malit të Zi, me shumicë votash (ku së bashku ishin edhe pozita, dhe opozita) votuan ligjin e ri zgjedhor për deputetët dhe këshilltarët. Edhe pse deputetet shqiptarë nga partitë nacionale shqiptare ishin unikë duke e refuzuar ketë ligj, sepse e cilësuan si diskriminues, çdo gjë ishte e kotë, sepse mbivotimi u realizua pa i marrë parasysh verejtjet e deputetëve shqiptarë. Një veprim i tillë dëshmoi në praktikë së shqiptarët po humbisnin të drejtat e arritura. Nga viti 1998, ekzistonte njësia e veçantë  e vendvotimeve shqiptare e cila jepte pesë deputetë, ku përveç partive nacionale shqiptare merrnin pjesë edhe subjekte te tjera politike, mirëpo kjo tani është e rrezikuar.

Deri në vitin 2009, në këtë njësi, partia në pushtet (DPS), siguronte pothuaj çdo herë nga dy deputetë dhe ishte në përparësi ndaj  partive të tjera sepse vetëm kjo arrinte të kishte këtë mundësi. Por, në zgjedhjet e fundit (mars 2009), nga pesë deputetë kjo parti arriti të marrë vetëm një deputet, ndërsa partitë shqiptare katër deputetë. Ishte pikërisht ky shkaku, që DPS-i inicoi proceduren e ndryshimit të ligjit zgjedhor, që kishte të bënte pikërisht me popujt pakicë, përkatësisht paraqitjen e praninë e tyre në parlamentin e Malit të Zi. Dhe në vend që të hapët një debat me përfaqësuesit e pakicave në lidhje me ketë çështje, ata vepruan ndryshe. Prfaqësuesit e pakicave u vunë para aktit të kryer, sepse nuk u konsultuan fare dhe u mbivotuan, duke pasur si rezultat miratimin e këtij ligji diskriminues, e jashtë vullnetit të tyre.

Metafora disfatiste e ish ministrit të pakicave

Më rastin e miratimit të këtij ligji në parlament deputetë shqiptarë nga partitë nacionale por  jo edhe ata në parti qytetare-malazeze, e lëshuan sallën e parlamentit, duke treguar kështu protesten e tyre ndaj një vendimi të tillë.Të gjithë ata deputetë (Bardhi, Sinishtaj, Nimanbegu si dhe Zenka, edhe pse partia e këtij të fundit ishte në Qeveri) paralajmëruan se një ligj i tillë është diskriminues për shqiptarët. Të gjithë thanë se një ligj i tillë po eliminonte të drejtat e arritura, dhe se nga një sjellje e tillë del qartë se pushteti i ka mashtruar shqiptarët.

Një veprim  i tillë nga ana e shumicës parlamentare edhe është pritur, sepse tash nuk iu nevojiten me votat e shqiptarëve të cilët kanë qenë vendimtare me rastin e referendumit për pavarësi të Malit të Zi me 21 maj 2006. Kujtojmë së pas këtij referendumi Ligji i pakicave pësoi ndryshime, sepse u hoqën dy nene (23,24), që kishin të bënin më përfaqësimin autentik të popujve pakicë. Pra, menjëherë u verejt se premtimet para referendumit ishin sa për të arritur qellimin e tyre e jo për barazinë praktike qytetare dhe nacionale të shqiptarëve ne ketë mjedis.

Në ditën kur u miratua ky ligj në parlament ka qenë e udhës që të marrë pjesë dhe të flasë edhe ministri i pakicave në atë kohë, z. Ferhat Dinosha, por ai nuk u duk fare në  parlament. Nga një verpim i tillë del se ai ka qenë në favor të DPS-it dhe të shumicës parlamentare. Një veprim i tillë skandaloz u dëshmua edhe me disa deklarata të  dhëna  pas miratimit të këtij ligji që dëshmon qendrimin e tij pro Qeverisë e jo popujve qe duhet ti mbrojë.

Duke marrë parasysh se tash ligji parasheh më së shumti tre deputetë shqiptarë në parlament (vlen për shqiptarët dhe boshnjakët), ai në deklaratën e tij metaforike tha se “gjithmonë do të jem më mirë për tre mercedesa se sa katër golfa”. Po ashtu ka mbetur për tu kujtuar edhe një thënie tjetër e tij  se “nuk mundet pa votimin e dytë në Kuvend  të vendoset për të drejtat e arritura, andaj edhe ligji nuk është definitivisht i miratuar”[1]

Një deklarim i tillë definitivisht dëshmoi se ndonse me pozitën e ministrit ky person nuk i ka pasur të qarta gjerat më elementare të këtij ligji zgjedhor. Por, sidoqoftë për këtë qendrim nga ana e Qeverisë ai u shpërblye me postin e ambasadorit të Malit të Zi në Shqipëri. Me këtë veprim ai personalisht fitoi por shqiptarët si popull në ketë mjedis e shtet humbën shumë.

Në Përfundim

Ndonëse ndikimi i shqiptarëve në parlament është minimal, është obligim i subjekteve politike nacionale të shqiptarëve të angazhohen për korrigjimin e ligjit ekzistues zgjedhor në Mal të Zi. Arsyeja është sepse, duke e ndryshuar atë shqiptarët do të kenë më shumë zë në jetën politike. Varianti i mëparshëm i vendvotimeve shqiptare ka qenë më i pranueshëm për shqiptarët në ketë shtet si dhe më afër normave të pranuara për përfaqësimin e pakicave edhe nga Bashkimi Europian nga shteti i Malit të Zi.

 

[1] Shih, Vijesti, 13.9.2012.