Home » ANALISTE TE FTUAR » NAIL DRAGA: DISKRIMINIMI I SHQIPTARËVE PËRMES LIGJIT ZGJEDHOR NË MAL TË ZI

NAIL DRAGA: DISKRIMINIMI I SHQIPTARËVE PËRMES LIGJIT ZGJEDHOR NË MAL TË ZI

Ajo çka është paralamëruar më herët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Mal të Zi të cilat u mbajtën më 14 tetor 2012 u dëshmua në praktikë se ligji i  ri zgjedhor i miratuar në Parlamentin e Malit të Zi me 8 shtator 2011 përmes mbivotimit nga ana e shumicës së deputetëve është ligj diskriminues, ku shëmbull tipik janë shqiptarët të cilët nga katër deputet sa ishin të përfaqësuar në Parlament nga zgjedhjet e vitit 2009, tash janë të përfaqësuar vetëm me dy deputet, që del qartë manipulimi i pushtetit për të ulur ndikimin e deputetëve shqiptarë.

Ndrrrimi i Sistemeve Zgjedhore në Mal të Zi

Nga zgjedhjet e para pluraliste  më 9 dhjetor 1990, e deri më tash, në Mal të Zi  kanë ekzistuar tre sisteme të ndryshme zgjedhore. Ndërsa, nga viti i kaluar është në praktikë edhe modeli i katërt zgjedhor i ndryshëm nga këto të mëparshimit.  Nga ky ndrrim i shpeshtë i sistemeve zgjedhore del se në ketë mjedis nuk ka pasur  infrastrukturë stabile zgjedhore. Jo vetëm kaq, por mund të thuhet se ndrrimi i sistemeve zgjedhore është miratuar në parlament sipas interesave të pushtetit. Pikërisht nga një qasje e tillë utilitare e pushtetarëve, pjesëtarët e popujve pakicë në Mal të Zi vazhdimisht kanë qenë në pozitë të pabarabartë. Kjo ka të bëjë sidomos me shqiptarët, si e vetmja popullsi josllave në ketë mjedis. Pikërisht me datën 8 shtator 2011, Parlamenti i Malit të Zi, me shumicë votash (ku së bashku ishin edhe pozita, dhe opozita) votuan ligjin e ri zgjedhor për deputetët dhe këshilltarët. Edhe pse deputetet shqiptarë nga partitë nacionale shqiptare ishin unikë duke e refuzuar ketë ligj, sepse e cilësuan si diskriminues, çdo gjë ishte e kotë, sepse mbivotimi u realizua pa i marrë parasysh verejtjet e deputetëve shqiptarë. Një veprim i tillë dëshmoi në praktikë së shqiptarët po humbisnin të drejtat e arritura. Nga viti 1998, ekzistonte njësia e veçantë  e vendvotimeve shqiptare e cila jepte pesë deputetë, ku përveç partive nacionale shqiptare merrnin pjesë edhe subjekte te tjera politike, mirëpo kjo tani është e rrezikuar.

Deri në vitin 2009, në këtë njësi, partia në pushtet (DPS), siguronte pothuaj çdo herë nga dy deputetë dhe ishte në përparësi ndaj  partive të tjera sepse vetëm kjo arrinte të kishte këtë mundësi. Por, në zgjedhjet e fundit (mars 2009), nga pesë deputetë kjo parti arriti të marrë vetëm një deputet, ndërsa partitë shqiptare katër deputetë. Ishte pikërisht ky shkaku, që DPS-i inicoi proceduren e ndryshimit të ligjit zgjedhor, që kishte të bënte pikërisht me popujt pakicë, përkatësisht paraqitjen e praninë e tyre në parlamentin e Malit të Zi. Dhe në vend që të hapët një debat me përfaqësuesit e pakicave në lidhje me ketë çështje, ata vepruan ndryshe. Prfaqësuesit e pakicave u vunë para aktit të kryer, sepse nuk u konsultuan fare dhe u mbivotuan, duke pasur si rezultat miratimin e këtij ligji diskriminues, e jashtë vullnetit të tyre.

Metafora disfatiste e ish ministrit të pakicave

Më rastin e miratimit të këtij ligji në parlament deputetë shqiptarë nga partitë nacionale por  jo edhe ata në parti qytetare-malazeze, e lëshuan sallën e parlamentit, duke treguar kështu protesten e tyre ndaj një vendimi të tillë.Të gjithë ata deputetë (Bardhi, Sinishtaj, Nimanbegu si dhe Zenka, edhe pse partia e këtij të fundit ishte në Qeveri) paralajmëruan se një ligj i tillë është diskriminues për shqiptarët. Të gjithë thanë se një ligj i tillë po eliminonte të drejtat e arritura, dhe se nga një sjellje e tillë del qartë se pushteti i ka mashtruar shqiptarët.

Një veprim  i tillë nga ana e shumicës parlamentare edhe është pritur, sepse tash nuk iu nevojiten me votat e shqiptarëve të cilët kanë qenë vendimtare me rastin e referendumit për pavarësi të Malit të Zi me 21 maj 2006. Kujtojmë së pas këtij referendumi Ligji i pakicave pësoi ndryshime, sepse u hoqën dy nene (23,24), që kishin të bënin më përfaqësimin autentik të popujve pakicë. Pra, menjëherë u verejt se premtimet para referendumit ishin sa për të arritur qellimin e tyre e jo për barazinë praktike qytetare dhe nacionale të shqiptarëve ne ketë mjedis.

Në ditën kur u miratua ky ligj në parlament ka qenë e udhës që të marrë pjesë dhe të flasë edhe ministri i pakicave në atë kohë, z. Ferhat Dinosha, por ai nuk u duk fare në  parlament. Nga një verpim i tillë del se ai ka qenë në favor të DPS-it dhe të shumicës parlamentare. Një veprim i tillë skandaloz u dëshmua edhe me disa deklarata të  dhëna  pas miratimit të këtij ligji që dëshmon qendrimin e tij pro Qeverisë e jo popujve qe duhet ti mbrojë.

Duke marrë parasysh se tash ligji parasheh më së shumti tre deputetë shqiptarë në parlament (vlen për shqiptarët dhe boshnjakët), ai në deklaratën e tij metaforike tha se “gjithmonë do të jem më mirë për tre mercedesa se sa katër golfa”. Po ashtu ka mbetur për tu kujtuar edhe një thënie tjetër e tij  se “nuk mundet pa votimin e dytë në Kuvend  të vendoset për të drejtat e arritura, andaj edhe ligji nuk është definitivisht i miratuar”[1]

Një deklarim i tillë definitivisht dëshmoi se ndonse me pozitën e ministrit ky person nuk i ka pasur të qarta gjerat më elementare të këtij ligji zgjedhor. Por, sidoqoftë për këtë qendrim nga ana e Qeverisë ai u shpërblye me postin e ambasadorit të Malit të Zi në Shqipëri. Me këtë veprim ai personalisht fitoi por shqiptarët si popull në ketë mjedis e shtet humbën shumë.

Në Përfundim

Ndonëse ndikimi i shqiptarëve në parlament është minimal, është obligim i subjekteve politike nacionale të shqiptarëve të angazhohen për korrigjimin e ligjit ekzistues zgjedhor në Mal të Zi. Arsyeja është sepse, duke e ndryshuar atë shqiptarët do të kenë më shumë zë në jetën politike. Varianti i mëparshëm i vendvotimeve shqiptare ka qenë më i pranueshëm për shqiptarët në ketë shtet si dhe më afër normave të pranuara për përfaqësimin e pakicave edhe nga Bashkimi Europian nga shteti i Malit të Zi.

 

[1] Shih, Vijesti, 13.9.2012.