MURAT ALIAJ: REQUIEM PER NJE MAJIN

Kush tha se nje maji na qenka festë?!

Mu kujtua nje moment humori prej një fshati i cili kishte në gjirin e tij edhe një të mangët nga mëndja. Ky, i mangëti i fshatit, çdo grumbullim njerëzish e lidhte me gëzimin dhe festën. Mirëpo në fshat kishte vdekur kryeplaku dhe u mblodhën të gjithë për ta përcjellë. Sigurisht s’mungoi as ai që ç’do grumbullim e konceptonte si festë. Dhe me të hyrë në turrmë, ja mori këngës.

Një Maji është tamam dita e tij. Ne jemi nga ata që në çdo maj jemi gati t’ja marrim kenges, sepse as dimë dhe as kemi qejf të mësojmë se ç’ditë gjakderdhje është NJЁ MAJI. Ndihemi më të lirshëm që s’e dimë dhe ndaj jemi gati t’ja marrim këngës e të përplasim gotat. Kjo më kujton një bisedë të para shumë vjetëve me mikun tim më të mirë, me të cilin u ndamë në moshën 16 vjeçare dhe u rilidhëm pas plot 50 vjetësh, duke mos e patur akoma fatin të takohemi nga afër me njeri tjetrin.

Ashtu me lehtësinë e të marrit që ja merr këngës në varrim, ashtu pa të keq, i bëra një pyetje naive? Si e kalove nje majin Miku im?

Përgjigja ishte befasuese dhe nga më të dhimburit që më mësoi shumë gjera, se ndaj ka thënë i moçmi që s’ka faj njeriu pse lind budallë, por ka faj pikërisht ai që vdes i tillë. Miku im, më përgjigjej. “Unë këtë festë e kam neveritur qysh në fëmijeri, aherë kur na merrnin në rresht të detyruar e na prishnin kënaqësitë fëmijnore. Por në burg e mohova e neverita edhe më tepër, tek shihja xhahilët e mi që festonin me mish të pjekur, sipër ferrit tim” Kjo bisedë jona është e gjatë dhe ka vënd për t’ju rikthyer, por unë e hapa kalimthi, se më lidhet me temën.

Këtë ditë të zezë, pikërisht sot, Greqia e shpalli ditë proteste të përgjithshëme. Ka shumë arsye të ngrihet e protestojë kundër rrënimit të shtetit të vet, kundër rrënimit ekonomik, padrejtësive shoqërore e plot thëgma të tjera. Shtypi ulurinë si rrallë ditë të tjera të vitit. Është në krah të njerëzve të dëshpëruar.

Madje shtypi, është edhe nxitës i revoltës, në kjuptimin më të mirë të fjalës. Pikërisht në këtë ditë, ai kujton mes  të tjerash: Një nga gazetaret më në zë të Evropës, Orjana Fallaci, në majin e vitit 1976, vjen në Athinë. Ishte koha kur vendi po terrorizohej prej juntës së kolonelëve dhe gjithë populli u ngrit në protesta.

Me një kurajo tronditëse që e kanë dhuratë vetëm gazetarët e këtij niveli, ajo çau turrmën dhe u ndal para gërmadhës së makinës me të cilën sa kishin vrarë heroin Aleksandër Panaguli. U vërsulën policët për ta ndalur, por ajo shpalli fuqishëm: “Tani që u vra Alekua, do të lind unë!” E kapën Orjanën, por nuk ja zunë dot fytin që ulurinte: “Do ju thyej hundët, në se do bëni prapë të tilla krime. Ju betohem në emër të Panagulit. Dëgjojeni mirë ju fashistët grekë!” (ELEFTEROTIPIA,30.4.2013)

Pas një majt erdhi 2 Maji, 3 Maji dhe jeta vazhdoi si të mos kishte ndodhur asgjë, por Orjana mbeti ajo që u betua në emër të heroit grek dher zeri i saj në gazetari e letërsi, tronditën botën.

Por ç’deshi Orjana në Greqi? Sikur në Italinë e saj, punët ishin më ndryshe?

Njeriu mësohet edhe me zymtësinë, po qe se atë e shikon për ditë. Ёshtë i nevojshëm solidaritet ndërkombëtar, i cili të mbush me energji e të kujton në çdo çast se në këtë botë mjerimesh, nuki je i vetëm. Prandaj kjo ditë është quajtur ditë e solidaritetit ndërkombëtar të puntorëve. Ku ka gjë më ideale se të shikosh njerëzit e djersës dhe mundeve, përkrah njeri tjetrit?

Po në Shqipërinë ka ndonjë problem për të cilin ja vlen të protestosh? Apo, ka mbetur a ‘ka mbetur kush për të protestuar?

Shqipëria jonë, si gjithnjë, mbetet rast i veçantë. Pasi poetët u lodhen duke tjerrë vargje të tipit “Herojtë e kanë lodhur shumë, vëndin tim!”, tani janë kthyer dhe po kërkojnë heroin. Ju duhet jo për t’i thurur lavde, por për të shkundur pak përgjumjen e njerëzve. S’ka kohë pa heronjtë e vet. Sigurisht që edhe tek ne ka të tillë. Por ata u poshtëruan kaq shumë, sa tani e ndjejnë të kotë çdo sakrificë për të shpëtuar masën zvarranike të njerëzve. Madje, për ta identifikuar edhe veten me këta zvarranikë, po bëjnë të njejtën gjë. Duke qënë që këtë lloj jete s’mund ta durojnë dot, preferojnë dhenien fund të jetës me mënyrat më të neveritura për një hero. Fjala vjen, ata hidhen nga kati i katërt. Plasin ndonjë tollumbace në rastet skandale të shitjes së mishit të bardhë, apo të tjera neverira që i kemi me bollek në aktualitetin tonë. Nuk është faji i tyre pse qëlloi që të jetojnë në kohën e perversiteteve më të mëdha, të vëndit të tyre. Kjo tablo është shumë e mjerë. Ku janë poetët që’ t’i këndojnë kësaj begatie mjerane, se për këtë u lodhën aq shumë?

Sa për protesta e kërkim rrugësh demokratike për të flakur zgjedhën e oligarkisë prej zverkut, as që bëhet fjalë. E para e punës është se këtu protestat nuk lejohen. Sepse ky popull barbar nuk di të protestojë dhe bën gabime. Kjo është arsye që kryeministri ynë po trondit botën me antiplumbet që i mban veshur edhe në pisk të vapës e me eskortat mbrojtëse që nuk i kanë patur as diktatorët më të egër të kontinenteve.

Kjo ditë është e puntorëve. Po a kanë mbetur më të tillë në vendin tonë që është mbushur me batakçinj, tregëtarë droge e shpirti njerëzor? Ata as dinë dhe as duan ta përkujtojnë këtë ditë që lëshon të tjera mesazhe shprese. Atyre ju intereson haosi.

E vetmja shkëndijë proteste u dëgjua këto ditë nga Kreshnik Spahiu i cili i bëri thirrje popullit të dilte në shesh e të rrëzonte mafien qeverritare. Nuk di sa e dëgjuan, sepse Spahiu tashmë nuk ka kundër vetëm Berishën, por ka akoma më tepër Ramën, të cilit i theu hundët me refuzimin e kërkesës për koalicion. Tashmë kundërshtarët e tij, janë dyfishuar. Janë të majtët më të egër, e po kështu edhe të djathtët. Sepse këto terma janë kot, për nostalgjinë e mbajtësve të pushteteve, pasi në Shqipërinë tonë nuk ka as të majtë e as të djathtë. Ka vetëm njerëz të etur për pushtet nga të gjithë krahët.

Veç kësaj, kjo ditë sjell edhe mesazhin e solidaritetit ndërkombëtar. I shkuam ndokujt për ngushëllim në këtë ditë gjakosjesh, apo pritëm ndokënd?

Paç gjumë të amëshuar populli ynë!

Advertisements

MOZA DEMIRI: PAFYTYRËSIA DHE MASHTRIMI I KËRKIMIT TË VOTËS DERË MË DERË…!!

Këto ditë më kanë bërë përshtypje deputetë nga të gjithë llojet e flamujve të partive të tyre si dhe ata që janë vënë si kandidatë të rinj, që janë shfaqur duke kërkuar votën derë më derë, në mënyrën më të përulur dhe të pa dinjitet.

Vetëm duke i parë nëpër ekrane të skuqet fytyra nga turpi se si e kërkojnë këtë votë, këta që tashmë, janë bërë aq qesharakë dhe të bezdisshëm. Cfarë i ofrojnë këtij populli që ia kërkojnë këtë votë dhe ku e gjejnë fytyrën për t’ju trokitur në derë? Dhe pyetja është pse sillen si lypsarët e rrugëve që kanë mbushur bulevardin e Tiranës. Sepse njëjtat teknika përdoren pikërisht nga këta hileqarë që vazhdojnë akoma me të njëjtat metoda mashtruese të kërkojnë votën.

Nuk mund të ketë pështirosje më të madhe, se sa kur sheh këta “politikanë” që për 4-vjet rresht,  pasi zënë karriget e tyre dhe i ngrohin mirë,  i sheh vetëm duke bërë hesapet e fitimeve të tyre dhe të atyre që iu shërbejnë. Harrojnë dhe bien në “vdekje klinike” totale për hallet e këtyre njerëve që i kanë zgjedhur dhe akoma më keq, për 4-vjet rresht,  bëjnë vetëm “paradën e modës” dhe asgje për njerëzit në nevojë. 
Për 4-vjet rresht” shërbimet karshi popullit ” janë të tipit:

– I bëjnë karshillëk me makinën luksoze

– I bëjnë karshillëk me veshjet e firmavë të mëdha e aksesore luksoze

– I bëjnë karshillëk me bërjen e pasurisë pa asnjë kontribut, por vetëm me rrjepje të popullit, të shtetit dhe me mashtrime

– I bëjnë karshillëk me darka e dreka, udhëtime shpenzime pa hesap ne kurriz të pensioneve të moshave të treta që marrin sa për të mbajt frymën gjallë.

– I bëjnë karshillëk me mbylljën e derës së zyrës dhe mos hapjen e telefonit për hallet e atyre që e kanë zgjedhur

– I bëjnë karshillëk me ngrënien e atyre premtimeve që si zagarë brodhën për ta marrë këtë votë.

I bëjnë karshillëk me shumë e shumë maskarallëqe që për 4 vitet e deputetllëkut të tyre janë të pafund, pa përmendur pazaret mes njëri-tjetrit, dhe sjelljen e bazuar vetëm e vetëm në interesat personale dhe për tarafin që u shërben.

Që të jesh i hapur dhe trasparent deri në fund, këta janë deputetët që unë do i quaja,  INDIVIDËT MË PARAZITË TË SHOQËRISË SONË.
 Këto ditë në ekranet televizive dhe pse fushata akoma nuk ka filluar, por që këtu nuk ka asnjë problem dhe regullat i bënë kushdo dhe si do vet,  shikon kandidatë të rinj pretendues për deputetë të propozuar nga partitë përkatëse. Edhe këta sillen si majmunër duke kopjuar cdo lëvizje dhe veprim të liderve të tyre, që nga veshja,  qëndrimi, mënyra e impostimit të nxjerrjes së fjalës, e deri te plastika e 
fytyrës, e te dhënies së dorës. Dhe kur  sheh  me një zgerdhirje të pështirë STAMPË në fytyrë sjellja e tyre të ngjall neveri. Kulmin e saj, hipokrizia e tyre e arrin në fund me një foto me fshatarët e gjorë,  që kushedi në ato momentë që kanë pritur me kaq entuziazëm “ëngjëllin e tyre deputet” nuk kanë patur as bukë të hanë. Por ama … të qeshurën dhe përcjelljen si zot shtëpie sipas traditës, pa diskutim e kanë të sinqertë.

Skandali më i madh është, kur sheh këta deputetë si gratë ashtu dhe burrat, qe na japin informacion te pa vërtetë se si janë pritur nëpër qytete e fshatra. Edhe pse në tubime mund të jenë 10 vetë, këta thonë se priten me të njëjtat urime, mashtrime, përgëzime e përqafime të neveritshme.

Gra deputete që pa pikën e turpit janë me fëmijë problematikë, me një histori krimesh, drogash, burgjesh, e vrasjesh, shkojnë nëpër shkolla dhe iu japin mend nënave të gjora që mezi ju mbushin fëmijëve barkun me bukë, por me fëmijë shembull në mësime.

Gra deputete qe pa pikën e fytyrës kërkojnë votën e shtresës së varfër kur vetë me fëmijë dhe tarafin e tyre gëzojnë pallate luksoze,  kanë makina të modeleve të fundit, I bëjnë qejfet nëpër lokalet e natës së Bllokut,  duke bërë bossin pa pikën e fytyrës.

Gra e burra deputetë që me falsitetin e tyre dhe imitacionin si majmunër të njëri-tjetrit, kush pozon më bukur dhe kush mashtron më besueshem, janë bërë bajat dhe të pa pranueshëm. Ka ardhur koha që, njëherë e mirë…. këtyre,  jo t’iu hapet dera, por në mënyrën më absolute te injorohen nga të gjithë.

Cfarë motivi kanë këta njerëz të thjeshtë, të dëgjojnë brockullat e tyre, premtimet e gënjeshtrat e tyre sa për të kaluar rradhën dhe më pas…. “Kalova lumin të menderofsha kalin??”

Asnjëherë nuk kemi parë gjatë 20 e ca vjetëve që një deputet të mendojë për njerëzit,  të sakrifikojë për ta, të luftojë për ta, të nxjerrë nga varfëria njerëzit që janë në nevojë emergjente, të cajë dyert e ministrive për të kërkuar të drejtën e tyre, apo të luftojë padrejtësitë që iu bëhen dita ditës…

Por JO!! Të gjorëve nuk denjohet tu hapet as celulari, sepse këta të “gjorë” nuk janë më ata që hapën derën e shtëpisë para zgjedhjeve.  por…. tashmë ata janë disa të mjerë hallexhinj, disa të mashtruar nga dyert e blinduara të makinave lluksoze ku brenda tyre mbajnë mafiozin,  që për 4-vjet rresht i lë pas dere, e duke mos ja u hapur kurrë atë.

Ky deputet-mashtrues-hajdut nuk është gjë tjetër, por një njeri parazit që dipllomën, titullin e flamurin e partisë e përdorë vetëm për një qëllim. Kjo bëhet për “zhgrapje vote.” Dhe e kanë gati justifikimin e tyre në fund të mandatit pse nuk i realizoi, jo të gjitha, por asnjë nga cfarë prëmtoi. Këtë sjellje ky dhe të gjithë deputetët, gra e burra, e justifikojnë me të njëjtën armë: më MASHTRIMIN.

Dhe historia votë-deputetë-premtime- mashtrime-zhgënjime…. nuk ka fund në këtë vend…!!

ARTIAN GJATAJ: 
FJALA E LIRË… OSE CENSURA MODERNE SHQIPTARE

Sot gazetarët shqiptarë janë të thirrur nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë për të protestuar ndaj gjendjes së rëndë financiare të gazetarëve shqiptarë pasi pronarët e tyre nuk i paguajnë rrogat. Protestën e zhvillojnë sot para Kuvendit të Shqipërisë. I bashkohem shqetësimit të madh të gazetarëve shqiptarë, i mbështes ata në çdo problem të tyrin që u del gjatë ushtrimit të detyrës. Sikur të ekzistonte mundësia që kësaj proteste t’i bashkohet dhe ai që e lexon apo e shikon median, do të ishte një hap i madh drejt ruajtjes së nivelit të demokracisë në vend, që fillon me fjalën e lirë. Por organizuesit e kësaj proteste janë skeptikë se këtë protestë do e bojkotojnë pikërisht gazetarët që e vuajnë mungesën reale të marrjes së rrogës, pasi edhe deklarata e këtij Unioni u transmetua në pak media, fare pak.

Kush janë organizatorët?

Organizatori i kësaj proteste është Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i cili ka për drejtues Aleksandër Çipën, shef i gazetës ‘Shqip’, është një nga shumë drejtues që kanë shoqatat e gazetarëve në Shqipëri. Ditën e martë zoteri Cipa lajmëroi se kishte realizuar një sondazh, që për të shpërndarë një formular prej 500 copësh, i është dashur ndihma financiare e OSBE-së dhe e Fondacionit Friedrich Ebert. Në deklaratën e tij, të paktën në atë që kishin pasqyruar mediat kushte disa mangesi. Nuk u tha se kur filloi sondazhi, por njoftoi se mbaroi në nëntor. Nuk u publikua formulari i plotë i dërguar gazetarëve për plotësim që të njiheshim me pyetjet, dha numrin e 350 formularëve të plotësuar, por nuk dha asnjë të dhënë se sa për qind e tyre i përkisnin mediave të përqendruara në Tiranë, sa në qytete, sa gazetave kryesore, sa televizioneve kryesore, etj. Por ajo që është më e rëndësishme, nuk dha një shifër të përafërt se sa kishte kushtuar një projekt i tillë.

Natyrisht do të ketë qenë i shtrenjtë, meqë paskan ndërhyrë dy institucione të huaja, me peshë në Tiranë për atë që ato pak media që e pasqyruan thanë që ishte një nga sondazhet më seriozë për problemin e pagesave të gazetarëve dhe të marrëdhënieve të tyre me punëdhënësin. Zoti Çipa pasi na njoftoi për motivin e protestës vuri në dukje se protesta do bëhej para Kuvendit të Shqipërisë, sepse, sipas tij, (nga fjala që u paraqit në media) një pjesë e fajit për mospagesën është që qeveria nuk është e rregullt me pagesat e reklamave qeveritare.

Sondazhi

Kreu i Unionit te Gazetarëve Shqiptarë njoftoi se sondazhi është bërë pa emra, pasi duhet të ruajtur anonimati i gazetarëve që kanë presione të fuqishme nga pronarët e tyre për të mos treguar të vërtetën. Zoti Çipa, pot e njoftoj se pa haxhuar dollarët e eurot e OSBE-së dhe të Fredrich Ebert, duke mbetur sërish në fushën e anonimatit, edhe unw bëra një sondazh të thjeshtë me miqtë e mi gazetarë që punojnë jo vetëm në rrethe, por edhe në qendrën e Shqipërisë, në Tiranë.

Pyetjet e Sondazhit pa ndihmen e fondacioneve

Gjatë sondazhit që u zhvillua, gazetarët, që gjithësesi duan të ruajnë anonimatin, ngritën disa pyetje, jo vetëm për zotin Çipa, por edhe për vëzhguesit ndërkombëtarë që paguajnë projektet jo vetëm të Unionit, por edhe shumë shoqatave të tjera për gazetarët. Meqë zoti Çipa ka bërë këtë sondazh, pyetjet gjithësesi i drejtohen edhe atij, më së shumti. 
Ja disa nga pyetjet:

Cili është raporti i rrogës së një drejtuesi mediatik, kryeredaktori, zëvendëskryeredaktori me gazetarin e thjeshtë, ai që del përditë në terren me ose pa makinë, me ose pa kameraman?
(Gazetarët thonë se janë të diskriminuar në këtë raport, pasi, sipas tyre, kryeredaktorët dhe zëvendëskryeredaktorët më së shumti kryejnë punën e censurantit, por edhe shpërndarjen e punës, gjithnjë duke pasur parasysh shijet e pronarit. Gjithnjë sipas tyre, që duan të rrinë po anonim, një kryeredaktor mund të marri një mesatare prej 300 mijë lekësh të reja, ndërsa një gazetar i thjeshtë, një mesatare e atyre që u pyetën, në më të mirën e rasteve merr 60 mijë lekë të reja).

Sa për qind e rrogës reale e gazetarit deklarohet në organet përkatëse të shtetit dhe a ka fshehje të rrogës reale të tij?
(Ata pohojnë, se kur t’u vijë koha të dalin në pension mund të përfitojnë një pension sa i një infermieres së thjeshtë, pasi shumë pronarë fshehin, gjithnjë në bashkëpunim e mbyllje goje, rrogën e vërtetë të secilit, përfshi edhe kryeredaktorët e zëvendëskryeredaktorët. Një shef i madh mediaje që sot po konkuron për deputet rilindas bëri bujë me pagën e tij prej 800 mijë lekësh që kërkoi për të drejtuar një emsion mediokër).

Sondazhi i Union tregon se 12.5 për qind e gazetarëve janë me eksperiencë 11-15 vjeçare. Pyetja që ngrenë gazetarët është, a mos këtë politikë ndjekin kryeredaktorët dhe zëvendëskryeredaktorët, politikë e imponuar nga pronarët, që gazetarët me eksperiencë të mos merren në punë sepse u duhet ta paguajnë më shumë se sa një student gazetarie, ose qoftë edhe një gazetar me një përvojë fare modeste në gazetari?
(Sipas gazetarëve, kjo është një politikë e shpeshtë që ndiqet në të gjitha mediat, edhe në atë që drejton zoti Çipa, pasi, sipas tyre, drejtuesve nuk u intereson cilësia, por pagesa sa më e vogël e gazetarëve të rinj, që gjithësesi një pjesë e mirë e tyre paguhen në të zezë e nuk deklarohen fare si të punësuar, ose deklarohen si gazetarë me kohë të pjesshme. Por ajo që është më problematike është që pronarët, të gjithë pa përjashtim, u bëjnë presion gazetarëve me eksperiencë që të mos kërkojnë rritje rroge, pasi ka një kontigjent të uritur studentësh që duan të bëhen gazetarë dhe janë lehtësisht të zëvendësueshëm).

Gazetarët me eksperiencë prej 11-15 vitesh, sa vite pune kanë të deklaruar?
(Në CV e gazetarëve mund të lexosh se ai ka 17 vite në gazetari, por po të kërkosh pranë sigurimeve shëndetësore dhe atyre shoqërore, ai ka vetëm 3 ose 4 vite të siguruara. Po marr një mesatare të përafërt të të anketuarve).
Cilat janë kushtet e kontratës së punës së një gazetari, kush i vendos kushtet dhe sa vjeçare bëhet ajo dhe ç’është më e rëndësishmja, a respektohet ajo?
(Gazetarët theksojnë se kontratën e bën pronari dhe kushtet janë ato rutinë, por pronari ka të gjitha të drejtat që ta prishë kontratën, të të hedhë në rrugë dhe atij të mos i hyjë gjëmbë në këmbë, ashtu siç në fakt e tregon dhe sondazhi i zotit Çipa).

Cili është sistemi i gjobave financiare që ushtrohet ndaj gazetarit në median e shkruar dhe atë televizive?
(Gazetarët pohojnë se sistemi i gjobave nuk është i parashikuar në kontratë kështu që pronari, kryeredaktori, zëvendëskryeredaktori mund të njoftojë, ose në rastin më të keq nuk e njofton fare, se gazetari për mungesë lajmi, për mungesë paraqitjeje, për mungesa të ndryshme si këto, i nënshtrohet një gjobe financiare, nuk e përcaktoj dot tani mesataren, pasi secili drejtues e ka sipas të rënit të lapsit, pa pasur mundësi të japë argumentin e tij për gjykimin që ka bërë drejtuesi).

Sa prej gazetave dhe televizioneve, qoftë lokale apo kombëtare e nxjerr vetveten nga ana financiare, cilat janë emrat e atyre gazetave dhe televizioneve që dalin me humbje?
(Gazetarët e të dy mediave, kryesisht e medias së shkruar, theksojnë se rrallë herë media e nxjerr shpenzimet që ka bërë për një numër gazete dhe difiçiti mbulohet kryesisht me ndonjë reklamë, qoftë shtetërore apo qoftë private, por asnjëherë nga shitjet nuk dalin dot rrogat e gazetarëve).

Në cilat media ka ende gazetarë që punojnë në të zezë?
(Gazetarët, kryesisht të rinjtë, pohojnë se ata punojnë në të zezë me një gjysëm premtimi, që pasi të kalojnë provën ata të sigurohen. Sipas tyre, në median e tyre janë të siguruar vetëm drejtori, financieri, një shofer dhe kryeredaktori, të tjerët jo).

A ka ndërhyrja nga politika, nga të gjitha palët, për të punësuar apo për të hequr nga puna gazetarët?
(Gazetarët pohojnë se ka raste që nuk duhet të pyesësh një politikan ashtu siç duhet pyetur, sepse ai mund të qëllojë miku apo bashkëpunëtori i pronarit, i cili me një telefon të heq nga puna. Por ka prej tyre që pohojnë që kanë pasur ndërhyrjen e ndonjë politikani, sigurisht të njohurin e tyre, që me një telefon bërë pronari të një filan gazete apo televizioni është punësuar menjëherë.)

Cila është për qindja e gazetarëve që kanë përfituar nga trajnimet ndërkombëtare dhe si është operuar me pagesën e tyre?
(Gazetarët pohojnë që kanë qenë të paktën në tre trajnime nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare që operojnë në vend. Institucionet kombëtare, ndryshe nga ato ndërkombëtaret kanë ulur ndjeshëm pagesën ndaj gazetarit që merr pjesë në trajnim. Në vitet e arta, sipas tyre, pas 1992 edhe pas 1997, një ditë trajnimi paguhej me dollarë, ose me euro, tani paguhet me lekë, një pjesë nënshkruajnë marrjen e kësaj shume, një pjesë nuk e nënshkruajnë).

Pyetjet janë të shumta në fakt, por përzgjodha këto të mësipërmet, që nuk besoj se do të gjejnë përgjigjen e duhur, pasi siç ishte skeptik dhe kreu i Unionit, zoti Çipa për pjesmarrjen e gazetarëve në protestë, ashtu janë skeptik edhe gazetarët se do të rregullohet gjendja e tyre.

Thirrja

Unioni i Gazetarëve bëri një thirrje për pjesmarrjen në protestë dhe në mes të saj lexojmë këtë frazë, e riprodhoj ashtu siç është nisur në rrjetet sociale: ‘Kjo proteste synon te jape alarmin per krizen financiare e cila ka mberthyer mediat e vendit dhe qe po rendon si asnjehere tjeter mbi aftesine e gazetareve per te perballuar jetesen dhe ruajtjen e integritetit profesional.’. 
Nuk e di nëse kjo protestë është përmbyllja e projektit të financuar nga ndërkombëtarët, të cilët duan të shohin të realizuar deri në fund projektin që ka marrë fondet, por vetë thirrja është tejet fyese për gazetarët. ‘Aftësia e gazetarëve për të përballuar jetesën’, kryesisht për gazetarët e thjeshtë, ata që nuk blihen dhe as nuk shiten, sipas gazetarëve, ka qenë gjithnjë e vështirë për t’u përballuar. Gazetarët e thjeshtë nuk do të marrin pjesë në një protestë së bashku me drejtuesit e tyre që marrin miliona rrogë mujore dhe që e kanë shtruar jetën e tyre me projekte, duke i shërbyer pronarëve deri në verbëri, duke i shërbyer politikanëve, biznesmenëve, për përfitime personale dhe pa kuptuar asnjëherë hallin e gazetarëve të tjerë, pikërisht të atyre që e bëjnë punën. 
Gazetarët pohojnë, se që kur fillon bisedën për të të punësuar kryeredaktori, zëvendëskryeredaktori, ose në shumë raste direkt pronari, gazetari e humb integritetin profesional, pasi i bëhet e qartë se cila thanë është e Zeqos dhe në cilën thanë duhet të hypë e ëma e tij, pra i tregohet politika dhe ideologjia që duhet të ndjekin, ndryshe, mund të marrësh ndonjë telefonatë ose lajmërim të thjeshtë se je i pushuar nga puna (në shumë raste, këto lloj shkrimesh, që nuk respektojnë politikën e pronarit, ose pronarit i është mbushur mendja në darkë të mos e sulmojë ose ta sulmojë një fenomen, person, politikan, biznesmen, i heqin kryeredaktorët apo zëvendëskryeredaktorët nga botimi. S’bëhet fjalë për politikë editoriale në asnjë media).

Përfundimi

Modeli i mospagesës së rrogës u shpik nga drejtuesit e gazetës Koha Jonë më pas vijoi me televizionin e kësaj kompanie dhe ky shembull u ndoq pa përjashtim nga të gjitha mediat në kryeqytet, por më rëndë situata paraqitet në median lokale. Kjo gazetë është konsideruar si shkolla e gazetarisë shqiptare, në të cilën kanë punuar një pjesë e mirë e drejtuesve të medias së shkruar dhe televizive në kryeqytet. Gazetari s’ka më asnjë të drejtë, ka vështirësi të paguajë qeranë mujore apo këstin mujor të shtëpisë së blerë me kredi, që këtu ai e humb dinjitetin, i cili më pas i merret nëpër këmbë nga pronarët, por edhe nga drejtuesit e shoqatave, që i thërrasin në protestë, vetëm e vetëm që të përmbyllin projektin disa mijëra eurosh.