Home » ANALISTE TE FTUAR » MOZA DEMIRI: PAFYTYRËSIA DHE MASHTRIMI I KËRKIMIT TË VOTËS DERË MË DERË…!!

MOZA DEMIRI: PAFYTYRËSIA DHE MASHTRIMI I KËRKIMIT TË VOTËS DERË MË DERË…!!

Këto ditë më kanë bërë përshtypje deputetë nga të gjithë llojet e flamujve të partive të tyre si dhe ata që janë vënë si kandidatë të rinj, që janë shfaqur duke kërkuar votën derë më derë, në mënyrën më të përulur dhe të pa dinjitet.

Vetëm duke i parë nëpër ekrane të skuqet fytyra nga turpi se si e kërkojnë këtë votë, këta që tashmë, janë bërë aq qesharakë dhe të bezdisshëm. Cfarë i ofrojnë këtij populli që ia kërkojnë këtë votë dhe ku e gjejnë fytyrën për t’ju trokitur në derë? Dhe pyetja është pse sillen si lypsarët e rrugëve që kanë mbushur bulevardin e Tiranës. Sepse njëjtat teknika përdoren pikërisht nga këta hileqarë që vazhdojnë akoma me të njëjtat metoda mashtruese të kërkojnë votën.

Nuk mund të ketë pështirosje më të madhe, se sa kur sheh këta “politikanë” që për 4-vjet rresht,  pasi zënë karriget e tyre dhe i ngrohin mirë,  i sheh vetëm duke bërë hesapet e fitimeve të tyre dhe të atyre që iu shërbejnë. Harrojnë dhe bien në “vdekje klinike” totale për hallet e këtyre njerëve që i kanë zgjedhur dhe akoma më keq, për 4-vjet rresht,  bëjnë vetëm “paradën e modës” dhe asgje për njerëzit në nevojë. 
Për 4-vjet rresht” shërbimet karshi popullit ” janë të tipit:

– I bëjnë karshillëk me makinën luksoze

– I bëjnë karshillëk me veshjet e firmavë të mëdha e aksesore luksoze

– I bëjnë karshillëk me bërjen e pasurisë pa asnjë kontribut, por vetëm me rrjepje të popullit, të shtetit dhe me mashtrime

– I bëjnë karshillëk me darka e dreka, udhëtime shpenzime pa hesap ne kurriz të pensioneve të moshave të treta që marrin sa për të mbajt frymën gjallë.

– I bëjnë karshillëk me mbylljën e derës së zyrës dhe mos hapjen e telefonit për hallet e atyre që e kanë zgjedhur

– I bëjnë karshillëk me ngrënien e atyre premtimeve që si zagarë brodhën për ta marrë këtë votë.

I bëjnë karshillëk me shumë e shumë maskarallëqe që për 4 vitet e deputetllëkut të tyre janë të pafund, pa përmendur pazaret mes njëri-tjetrit, dhe sjelljen e bazuar vetëm e vetëm në interesat personale dhe për tarafin që u shërben.

Që të jesh i hapur dhe trasparent deri në fund, këta janë deputetët që unë do i quaja,  INDIVIDËT MË PARAZITË TË SHOQËRISË SONË.
 Këto ditë në ekranet televizive dhe pse fushata akoma nuk ka filluar, por që këtu nuk ka asnjë problem dhe regullat i bënë kushdo dhe si do vet,  shikon kandidatë të rinj pretendues për deputetë të propozuar nga partitë përkatëse. Edhe këta sillen si majmunër duke kopjuar cdo lëvizje dhe veprim të liderve të tyre, që nga veshja,  qëndrimi, mënyra e impostimit të nxjerrjes së fjalës, e deri te plastika e 
fytyrës, e te dhënies së dorës. Dhe kur  sheh  me një zgerdhirje të pështirë STAMPË në fytyrë sjellja e tyre të ngjall neveri. Kulmin e saj, hipokrizia e tyre e arrin në fund me një foto me fshatarët e gjorë,  që kushedi në ato momentë që kanë pritur me kaq entuziazëm “ëngjëllin e tyre deputet” nuk kanë patur as bukë të hanë. Por ama … të qeshurën dhe përcjelljen si zot shtëpie sipas traditës, pa diskutim e kanë të sinqertë.

Skandali më i madh është, kur sheh këta deputetë si gratë ashtu dhe burrat, qe na japin informacion te pa vërtetë se si janë pritur nëpër qytete e fshatra. Edhe pse në tubime mund të jenë 10 vetë, këta thonë se priten me të njëjtat urime, mashtrime, përgëzime e përqafime të neveritshme.

Gra deputete që pa pikën e turpit janë me fëmijë problematikë, me një histori krimesh, drogash, burgjesh, e vrasjesh, shkojnë nëpër shkolla dhe iu japin mend nënave të gjora që mezi ju mbushin fëmijëve barkun me bukë, por me fëmijë shembull në mësime.

Gra deputete qe pa pikën e fytyrës kërkojnë votën e shtresës së varfër kur vetë me fëmijë dhe tarafin e tyre gëzojnë pallate luksoze,  kanë makina të modeleve të fundit, I bëjnë qejfet nëpër lokalet e natës së Bllokut,  duke bërë bossin pa pikën e fytyrës.

Gra e burra deputetë që me falsitetin e tyre dhe imitacionin si majmunër të njëri-tjetrit, kush pozon më bukur dhe kush mashtron më besueshem, janë bërë bajat dhe të pa pranueshëm. Ka ardhur koha që, njëherë e mirë…. këtyre,  jo t’iu hapet dera, por në mënyrën më absolute te injorohen nga të gjithë.

Cfarë motivi kanë këta njerëz të thjeshtë, të dëgjojnë brockullat e tyre, premtimet e gënjeshtrat e tyre sa për të kaluar rradhën dhe më pas…. “Kalova lumin të menderofsha kalin??”

Asnjëherë nuk kemi parë gjatë 20 e ca vjetëve që një deputet të mendojë për njerëzit,  të sakrifikojë për ta, të luftojë për ta, të nxjerrë nga varfëria njerëzit që janë në nevojë emergjente, të cajë dyert e ministrive për të kërkuar të drejtën e tyre, apo të luftojë padrejtësitë që iu bëhen dita ditës…

Por JO!! Të gjorëve nuk denjohet tu hapet as celulari, sepse këta të “gjorë” nuk janë më ata që hapën derën e shtëpisë para zgjedhjeve.  por…. tashmë ata janë disa të mjerë hallexhinj, disa të mashtruar nga dyert e blinduara të makinave lluksoze ku brenda tyre mbajnë mafiozin,  që për 4-vjet rresht i lë pas dere, e duke mos ja u hapur kurrë atë.

Ky deputet-mashtrues-hajdut nuk është gjë tjetër, por një njeri parazit që dipllomën, titullin e flamurin e partisë e përdorë vetëm për një qëllim. Kjo bëhet për “zhgrapje vote.” Dhe e kanë gati justifikimin e tyre në fund të mandatit pse nuk i realizoi, jo të gjitha, por asnjë nga cfarë prëmtoi. Këtë sjellje ky dhe të gjithë deputetët, gra e burra, e justifikojnë me të njëjtën armë: më MASHTRIMIN.

Dhe historia votë-deputetë-premtime- mashtrime-zhgënjime…. nuk ka fund në këtë vend…!!

4 thoughts on “MOZA DEMIRI: PAFYTYRËSIA DHE MASHTRIMI I KËRKIMIT TË VOTËS DERË MË DERË…!!

  1. Temë interesante dhe aktuale,Moza!Çdo katër vjet dhe e njëjta gjë….!Ok…!Mirë,ndryshimet kushtetuese janë një shkak…Por… ata që ne i zgjedhim me votë një herë në katër vjet…përse na ndryshojnë kaq shpejt surratin,xhanëm…?!Ky është problemi….?!

  2. Te lumte dora per kete shkrime dhe per ate cfare ke kapur,temen, shume interesante, ne cdo zgjedhje nuk i shohim dot keta deputete qe dalin dere me dere vetem ne prag te zgjedhjeve pastaj po tju kerkosh nje hall te mbyllin porten ne fytyre…E ke qare kete shkrime.

  3. Detyra e deputetit eshte te vjedhe me genjeshtra, mashtrime dhe ne sasira te medha pasurite pa zot qe nodhen sot per sot ne Arnavutistan, ndersa detyra e popullit eshte qe te vuaje dhe te zgjedhe per deuptete ata persona qe jo vetem do te vledhin me shume por edhe do te genjejne me mire. Meqenese gjerat jane ndare ne kete menyre, secila pale duhet te bje punen e vet. Deputet te vjedin dhe populli te vuaje.

    • ndersa detyra e popullit eshte qe te vuaje dhe te zgjedhe per deuptete ata persona qe jo vetem do te vledhin me shume por edhe do te genjejne me mire

      Jo zoti ustai, e keni gabim, që prej 2008 deputetët nuk i zgjedh më populli. Nëse nuk e keni marr vesh akoma në 2008 bajlozi Berisha me bajlozin Edi Rama bënë një pakt, pakt krokodilash, dhe realizuan disa ndryshime Kushtetuese, për interesat e veta, së bashku me ndryshimin e kodit zgjedhor. Kushtetuta i dha kr-ministrit ato pushtete që shikojmë sot, por kujdes jo Berishës por kryeministrit, pra kujtdo personi që ka atë pozicion, edhe Edi Ramës nesër. Ndryshimet e kodit u japin këtyre bajlozëve të drejtën të emërojnë si lakenj kë të duan, pra njerëzit më të besuar që nesër do të bëjnë pikërisht atë që urdhërojnë kryetarët.

Comments are closed.