Home » KUJTESE » MURAT ALIAJ: REQUIEM PER NJE MAJIN

MURAT ALIAJ: REQUIEM PER NJE MAJIN

Kush tha se nje maji na qenka festë?!

Mu kujtua nje moment humori prej një fshati i cili kishte në gjirin e tij edhe një të mangët nga mëndja. Ky, i mangëti i fshatit, çdo grumbullim njerëzish e lidhte me gëzimin dhe festën. Mirëpo në fshat kishte vdekur kryeplaku dhe u mblodhën të gjithë për ta përcjellë. Sigurisht s’mungoi as ai që ç’do grumbullim e konceptonte si festë. Dhe me të hyrë në turrmë, ja mori këngës.

Një Maji është tamam dita e tij. Ne jemi nga ata që në çdo maj jemi gati t’ja marrim kenges, sepse as dimë dhe as kemi qejf të mësojmë se ç’ditë gjakderdhje është NJЁ MAJI. Ndihemi më të lirshëm që s’e dimë dhe ndaj jemi gati t’ja marrim këngës e të përplasim gotat. Kjo më kujton një bisedë të para shumë vjetëve me mikun tim më të mirë, me të cilin u ndamë në moshën 16 vjeçare dhe u rilidhëm pas plot 50 vjetësh, duke mos e patur akoma fatin të takohemi nga afër me njeri tjetrin.

Ashtu me lehtësinë e të marrit që ja merr këngës në varrim, ashtu pa të keq, i bëra një pyetje naive? Si e kalove nje majin Miku im?

Përgjigja ishte befasuese dhe nga më të dhimburit që më mësoi shumë gjera, se ndaj ka thënë i moçmi që s’ka faj njeriu pse lind budallë, por ka faj pikërisht ai që vdes i tillë. Miku im, më përgjigjej. “Unë këtë festë e kam neveritur qysh në fëmijeri, aherë kur na merrnin në rresht të detyruar e na prishnin kënaqësitë fëmijnore. Por në burg e mohova e neverita edhe më tepër, tek shihja xhahilët e mi që festonin me mish të pjekur, sipër ferrit tim” Kjo bisedë jona është e gjatë dhe ka vënd për t’ju rikthyer, por unë e hapa kalimthi, se më lidhet me temën.

Këtë ditë të zezë, pikërisht sot, Greqia e shpalli ditë proteste të përgjithshëme. Ka shumë arsye të ngrihet e protestojë kundër rrënimit të shtetit të vet, kundër rrënimit ekonomik, padrejtësive shoqërore e plot thëgma të tjera. Shtypi ulurinë si rrallë ditë të tjera të vitit. Është në krah të njerëzve të dëshpëruar.

Madje shtypi, është edhe nxitës i revoltës, në kjuptimin më të mirë të fjalës. Pikërisht në këtë ditë, ai kujton mes  të tjerash: Një nga gazetaret më në zë të Evropës, Orjana Fallaci, në majin e vitit 1976, vjen në Athinë. Ishte koha kur vendi po terrorizohej prej juntës së kolonelëve dhe gjithë populli u ngrit në protesta.

Me një kurajo tronditëse që e kanë dhuratë vetëm gazetarët e këtij niveli, ajo çau turrmën dhe u ndal para gërmadhës së makinës me të cilën sa kishin vrarë heroin Aleksandër Panaguli. U vërsulën policët për ta ndalur, por ajo shpalli fuqishëm: “Tani që u vra Alekua, do të lind unë!” E kapën Orjanën, por nuk ja zunë dot fytin që ulurinte: “Do ju thyej hundët, në se do bëni prapë të tilla krime. Ju betohem në emër të Panagulit. Dëgjojeni mirë ju fashistët grekë!” (ELEFTEROTIPIA,30.4.2013)

Pas një majt erdhi 2 Maji, 3 Maji dhe jeta vazhdoi si të mos kishte ndodhur asgjë, por Orjana mbeti ajo që u betua në emër të heroit grek dher zeri i saj në gazetari e letërsi, tronditën botën.

Por ç’deshi Orjana në Greqi? Sikur në Italinë e saj, punët ishin më ndryshe?

Njeriu mësohet edhe me zymtësinë, po qe se atë e shikon për ditë. Ёshtë i nevojshëm solidaritet ndërkombëtar, i cili të mbush me energji e të kujton në çdo çast se në këtë botë mjerimesh, nuki je i vetëm. Prandaj kjo ditë është quajtur ditë e solidaritetit ndërkombëtar të puntorëve. Ku ka gjë më ideale se të shikosh njerëzit e djersës dhe mundeve, përkrah njeri tjetrit?

Po në Shqipërinë ka ndonjë problem për të cilin ja vlen të protestosh? Apo, ka mbetur a ‘ka mbetur kush për të protestuar?

Shqipëria jonë, si gjithnjë, mbetet rast i veçantë. Pasi poetët u lodhen duke tjerrë vargje të tipit “Herojtë e kanë lodhur shumë, vëndin tim!”, tani janë kthyer dhe po kërkojnë heroin. Ju duhet jo për t’i thurur lavde, por për të shkundur pak përgjumjen e njerëzve. S’ka kohë pa heronjtë e vet. Sigurisht që edhe tek ne ka të tillë. Por ata u poshtëruan kaq shumë, sa tani e ndjejnë të kotë çdo sakrificë për të shpëtuar masën zvarranike të njerëzve. Madje, për ta identifikuar edhe veten me këta zvarranikë, po bëjnë të njejtën gjë. Duke qënë që këtë lloj jete s’mund ta durojnë dot, preferojnë dhenien fund të jetës me mënyrat më të neveritura për një hero. Fjala vjen, ata hidhen nga kati i katërt. Plasin ndonjë tollumbace në rastet skandale të shitjes së mishit të bardhë, apo të tjera neverira që i kemi me bollek në aktualitetin tonë. Nuk është faji i tyre pse qëlloi që të jetojnë në kohën e perversiteteve më të mëdha, të vëndit të tyre. Kjo tablo është shumë e mjerë. Ku janë poetët që’ t’i këndojnë kësaj begatie mjerane, se për këtë u lodhën aq shumë?

Sa për protesta e kërkim rrugësh demokratike për të flakur zgjedhën e oligarkisë prej zverkut, as që bëhet fjalë. E para e punës është se këtu protestat nuk lejohen. Sepse ky popull barbar nuk di të protestojë dhe bën gabime. Kjo është arsye që kryeministri ynë po trondit botën me antiplumbet që i mban veshur edhe në pisk të vapës e me eskortat mbrojtëse që nuk i kanë patur as diktatorët më të egër të kontinenteve.

Kjo ditë është e puntorëve. Po a kanë mbetur më të tillë në vendin tonë që është mbushur me batakçinj, tregëtarë droge e shpirti njerëzor? Ata as dinë dhe as duan ta përkujtojnë këtë ditë që lëshon të tjera mesazhe shprese. Atyre ju intereson haosi.

E vetmja shkëndijë proteste u dëgjua këto ditë nga Kreshnik Spahiu i cili i bëri thirrje popullit të dilte në shesh e të rrëzonte mafien qeverritare. Nuk di sa e dëgjuan, sepse Spahiu tashmë nuk ka kundër vetëm Berishën, por ka akoma më tepër Ramën, të cilit i theu hundët me refuzimin e kërkesës për koalicion. Tashmë kundërshtarët e tij, janë dyfishuar. Janë të majtët më të egër, e po kështu edhe të djathtët. Sepse këto terma janë kot, për nostalgjinë e mbajtësve të pushteteve, pasi në Shqipërinë tonë nuk ka as të majtë e as të djathtë. Ka vetëm njerëz të etur për pushtet nga të gjithë krahët.

Veç kësaj, kjo ditë sjell edhe mesazhin e solidaritetit ndërkombëtar. I shkuam ndokujt për ngushëllim në këtë ditë gjakosjesh, apo pritëm ndokënd?

Paç gjumë të amëshuar populli ynë!