Home » ANALISTE TE FTUAR » ARTIAN GJATAJ: 3 MAJI I MEDIAS DHE SKLLAVOPRONARËT ME KRAVATË

ARTIAN GJATAJ: 3 MAJI I MEDIAS DHE SKLLAVOPRONARËT ME KRAVATË

Me 3 maj duhej të përkujtohej dita botërore e lirisë së medias, por media shqiptare u mbyt nga provincializmi i drejtuesve të shtypit, provincializmi i theksuar i drejtuesve të shoqatave të shtypit dhe në fund nga katundarizmi i politikanëve. 
Organizatori i një proteste, Aleksandër Çipa, të cilit i ka rënë për pjesë të drejtojë një Union Gazetarës Profesionistë, duhet ta kishte konsideruar të dështuar misionin e tij dhe punën e tij si kryetar, të jepte dorëheqje, ose të deklaronte atje në shesh shkrirjen e këtij Unioni, i cili nuk arrin dot të mbrojë të drejtën e gazetarëve, qoftë për të protestuar për pagat e tyre. Ky do ishte një përfundim i mirë i projektit të financuar nga OSBE dhe Fridrich Erbert dhe justifikim i plotë i financimeve të marra nga jashte.

Në gazetën Shqip Çipa, në një analizë të tij, flet në përgjithësi për kapje, dhe këtë e përdor në thonjëza, pra që nuk qenka kapje e vërtetë, të medias në Shqipëri nga kriza ekonomike. Foli në përgjithësi, pa asnjë shembull konkret, duke qenë se ai vetë ka qenë gjithnjë në rol drejtuesi në mediat shqiptare. Me guximin më të madh në analizën që i bën fenomenit ai flet për ngritjen e zërit të vetë medias, të vetë gazetarëve.

Po e përmend këtu fjalën guxim pa përdorur thonjëzat, se ai duke qenë drejtues mediash ua ka mësuar mirë gazetarëve se si duhet të sillen dhe nëse ngrenë zë ose kundërshtojnë për rroga, për politika, për ndërhyrje të politikës në gazetë, për ndërhyrje të bandave në gazetë, jo vetëm është i pushuar nga puna, por nuk gjen punë në asnjë media tjetër shqiptare. 
Në median shqiptare, qoftë ajo që mbështet opozitën, apo qoftë ajo që mbështet maxhorancën ekziston psikologjia e nënshtrimit, pronari është skllavopronar, kryeredaktori është një skllav i një niveli pak më të lartë, pra nuk punon me lakun në fyt, por me lakun të këmba, ndërsa gazetari e ka lakun në fyt dhe ia tëheq sipas qejfit skllavopronari, ose kur ky është i lodhur ia kërkon këtij skllavi-kryeredaktor që t’ia tërheqë pakëz litarin sa të pushojë te hija e pemës, se është lodhur shumë.

Në një pasazh të analizës së tij Çipa, përmend: ‘Janë disa milionë euro që entet publike, kompanitë e biznesit të madh, subjektet e fuqishme investuese, partnerët në publicitet në tregun e vendit dhe ata të huaj, etj., etj., të cilat janë vonuar së lëvruari dhe sipas të gjitha gjasave do të kalendohesi borxhe të pashlyera pranë sektorëve të marketingut dhe financave të të gjitha mediave të vendit’. Çipa nuk na bën një listë të këtyre borxhlinjëve se kush janë, që t’u çiret boja në publik, ashtu siç bëjnë mediat me politikanët që janë borxhlinj në taksa, tatime apo deri te pagimet mujore të dritave dhe të ujit. Këto lajme janë për faqe të parë dhe hapin edicionet e lajmeve, pse mos ta bëjë media për vete këtë nder? Duke qenë se ka qenë një drejtues mediash, ai e di shumë mirë stilin se si merren borxhet e papaguara, apo si merret reklama e kompanive të mëdha, më çfarë shkëmbehen këto reklama nëpër faqet e gazetave apo në minutazhet e televizioneve. Nëse ndonjë kompani celulare, pothuajse të gjitha të huaja në Shqipëri, gabon e nuk bën reklamë pranë mediave më kryesore të vendit, do shihnit në televizione dhe do lexoni në gazeta se Shqipëria është vendi ku grekët e turqit i rrjepin shqiptarët në komunikimin e tyre me telefoni të lëvizshme. Kjo ka ndodhur më herët, ndodh edhe tani, por në momentin që reklama botohet ose shfaqet, atëherë kemi marrëeshjen, që të mos i thuhet e vërteta e publikut në lidhje me faktin se sa shumë fitojnë këto kompani në kurriz të shqiptarëve dhe që gjithë këto fitime investohen jashtë kufirit të Shqipërisë. Dy vite më parë, ky farë ministri i telekomunikacioneve, Genc Pollo, i bëri sfidë gjithë gazetarëve, të të gjitha mediave pa përjashtim, të transmetonin konferencën e tij me të dhënat e fitimit të këtyre lloj kompanive në Shqipëri. Të gjithë këta gazetarë, ulën kokën, sepse skllavopronari atje i tërheq lakun e u thotë se nuk do të transmetohet apo nuk do të shkruhet asgjë nga ato që deklaroi ministri. Ky i kompanive celulare është një shembull, sa të tjerë si ky ka në Shqipëri? S’duhet të përdorim gjuhën e përgjithësimit që përdor zoti Çipa, por ky është tregu në Shqipëri. Është e rëndë fjala skllav, por janë këto shoqëri civile, si puna e këtij të Çipës, që me provincializmin dhe katundarizmin e tyre i shërbejnë skllavopronarit dhe japin leksione në auditore hotelesh dhe universitetesh se gazetari duhet të jetë skllav. Ky zotëri, apo shumë zotërinj të tjerë të rëndë, që pinë kafe 150 lekëshe, ose më shumë, nuk tregon se gazetarëve në Shqipëri tashmë u kërkohet normë faqesh, u kërkohet angazhim mbi këtë normë faqesh, u kërkohet angazhim mbi orarin e transmetimit, u kërkohet të dalin në punë jashtë orarit të punës, u kërkohet të bëjnë punë të dyta dhe të treta për median ku punojnë dhe e marrin pagën sa për një punë të bërë, ndërsa këta drejtues janë thjeshtë për të caktuar arën që kanë për të punuar se nëse nuk e punojnë s’do hanë. Është e njëjta situatë në të gjitha mediat, pa përjashtim. U mungon në mënyrë të theksuar respekti për njeriun. Kjo është ‘kulturë’, s’duket as në horizont ndonjë përpjekje tjetër, që përfaqësohet nga njerëz të tjerë, të edukuar ndryshe, pak më qytetarë se këto katundarë, që të fitojë mbi këtë të keqe që ka mbërthyer median shqiptare.

‘Mendjelogët’

Një analist, Andrea Stefani, u paraqit dje më një shprehje lapidar, biles nga ato lapidarët që tani po u rripet krejt suvaja dhe që të rinjtë kanë shkruar në to, fjalë të turpshme. Ja si foli Stefani:

“Mendoj se bashkë me rotacionin politik do të vijë dhe ditë më të mira për median shqiptare. Demokracia është shpikur që të realizohet rotacioni, zgjedhjet janë shpikur për këtë qëllim dhe bashkë me rotacionin mund të vijë dhe një ndryshim i raporteve të pushtetit me institucionet, një raport tepër i deformuar tani për tani”.

Duke qenë se Stefani e ka mendjen te rrota-cioni, nuk i vëmë faj atij që del në grevë për rrogat e gazetarëve të thjeshtë, nesër mund ta shohim në protestë për rrogat e pronarëve që i kanë mbajtur peng gazetarët. Sepse ky Stefani është tipiku i njeriut të ri të shoqërisë moderne, përdoret nga të gjithë, gjithnjë në emër të mbrojtjes së parimeve të lirisë dhe demokracisë. Është me Metën kundër Ramës, është me Berishën kundër Ramës, është me Ramën kundër Metës, është me Metën e Ramën kundër Berishës. Ky është stofi i njeriut që po mbronte dje të drejtën e gazetarëve për rrogat, kundër pronarëve, është stofi i njeriut që përdoret për kakofoni. Ftohet në televizione në mënyrë që të shpërthejë debati, sepse në shumë raste nuk justifikohet shpenzimi që bëhet për emisionin me shikueshmërinë që ka ai.

Titulli i opinionit të Mero Bazes afrohet me realitetin, ‘Nuk kemi fuqi të jemi të lirë’. Kjo është një e vërtetë që do të jetë e tillë dhe për disa vite. Por në momentin që ai merr pastaj shembujt konkret duke rrëzuar, me të drejtë, modelin e Klanit, por duke ngritur modelin e Top-Channel-it, që sipas tij është një biznes që mbahet në këmbë me forcat e veta dhe ka 8 vite që persekutohet nga qeveria duhet riparë e vërteta. Sigurisht revolucioni që solli televizioni i Tanit, do të mbetet në histori, por ashtu do të mbetet në histori, që të gjithë gazetarët, të iniciuar nga Çipa dhe Baze, nënshkruan një peticion kundër kryeministrit Berisha, sepse ky i fundit, duke e shfrytëzuar polikisht vdekjen e presidentit të këtij televizioni, përmendi emrin e vajzës që kishte vdekur së bashku me pronarin, Entela Hyskja. Gazetarët e së djathtës e keqpërdorën këtë fakt, duke i shkuar në shtëpi prindërve të moderatores, pasi gazetarët e majtë nga ana tyre, në mënyrë fanatike nuk donin ta nxirrnin atë emër dhe ende dhe sot mund të mos pranojnë ta përmendin. Sigurisht, të gjithë e marrin rrogën diku, skllavopronari të cakton gjellën që do hash dhe sa do e hash, se nuk duhet të shëndoshesh shumë, se të pret një punë raskapitëse edhe të nesërmen.

Ky është modeli që transmeton Topi, sado Big Brother-a të transmetojë, sado Fiks, apo Portokalli, duan s’duan pronarët e rinj apo të vjetër, do s’do Çipa, Baze a ndokush tjetër kjo është një histori turpi. Kur vdes s’ka kush ta vonon më rrogën dhe s’ke s’i bashkohesh nëpër protesta.
 Më pas Baze nënvizon se: ‘Nuk kam ndonjë recetë se si mund t’ia dalë gjithë kjo industri medie pa falimentuar. Thjesht duhet të falimentojë pa shumë dhimbje dhe duhet të riorganizohet me këmbë në tokë.’

Sigurisht një falimentim mediash është e rëndësishëm, por falimentimi duhet të vijë rrjedhshëm jo i detyruar. Gazetat që dalin pa fitim në Shqipëri, diku e kanë interesin që vazhdojnë e dalin sërish e përditë, pagesa qoftë edhe e një gazetari është barrë për ta, por ato dalin, ashtu siç del gazeta e vetë Bazes, që pranon që e ka të vështirë ta përballojë, por ajo më del, siç dalin shumë gazeta të tjera, qëndrimi në treg i secilës media kioskë, ose mejhane diku e ka interesin, askush s’e thotë këtë të vërtetë, as Baze, as Çipa dhe as Stefani. Shpresojmë që me pushtetin e ri të Ramës, që po na serviret si rrotacion të mos ketë ndonjë plan-ide, që për të paguar gazetarët e tyre dhe për të pasur më shumë financa, qeveria të iniciojë falimentimin e atyre gazetave të Berishës, që duan të rrinë në treg me pahir. E në këtë moment te kryesia e Kuvendit apo pranë kryeministrisë do të na shfaqet kreu i një shoqate tjetër, si p.sh. Fahri Balliut (gjithnjë nëse Meta nuk e ndihmon më) që të protestojë për vonesat në paga të gazetarëve.

Dhe e fundit fare, për ta mbyllur më me pander këtë shkrim për gazetarët, që në të vertëtë ashtu siç thotë Arben Muka, duhet të organizohen nëpër blogje dhe të shkruajnë të vërtetat e tyre, qoftë dhe duke ruajtur anonimatin, pra për ta mbyllur fare është opinioni i një drejtuese të gazetës Shqiptarja.com. Titulli ishte ‘Të jesh gazetar’, por duke qenë se kjo drejtuese s’ka respekt për jetën e një fëmije, i përdhunuar dhe i vrarë nga një pedofil, s’besoj se do të ketë respekt për gazetarët, e saj apo të mediave të tjera.