Home » ANALIZA » CILA MENDËSI A BOTËKUPTIM DO TA SJELLË NDRYSHIMIN NDËR SHQIPTARËT??

CILA MENDËSI A BOTËKUPTIM DO TA SJELLË NDRYSHIMIN NDËR SHQIPTARËT??

Gjatë tranzicionit, struktura shoqërore e shoqërisë shqiptare ka pësuar ndryshime të thella dhe vazhdon që të jetë duke ndryshuar me shpejtësi marramendëse. Si edhe në drejtime të tjera, edhe në drejtim të strukturës shoqërore, ne jemi një rast mjaft paradoksal. Paradoksi kryesor qëndron tek lidhjet shumë të forta personale, klanore dhe të interesave që nuk i lejojnë shtresat e ndryshme që të formësohen ashtu sic ka ndodhur në të gjithë rastet e tjera. Ngjitësja më e fortë është mendësia katundare që është sunduese në të gjithë shtresat e shoqërisë. Përmes lidhjeve farefisnore, traditës, origjinës, martesave, kulturës, vlerave që vijnë natyrshëm në shoqëri ne trashëgojmë një mendësi katundare të theksuar. Edhe ata që kanë kaluar në përvoja pasurimi, edukimi, formësimi institucional e burokratik, e gjejnë mënyrën që të tradhëtojnë shtratin e mendësisë katundare.

Sa për me shmangë keqkuptimet, edhe pse familja e ime është njëra nga ato katër familjet që e ka themeluar Podgoricën në fillimin e shekullit të 16-të, dhe që e ka një histori të njohur edhe para asaj periudhe, unë e numëroj veten me krenari e me nderim si katundar shqiptar e malësor. Unë nuk due me kenë tjetër. Jam krenar për fisin tim, për kombin tim, për njerëzit e mi. E megjithatë, unë mendoj se duhet me ndryshue rrugë. Unë mendoj e besoj se shpëtimi që na duhet, ashtu si edhe e keqja që na ka rënë mbi kokë, vjen nga i njejti burim mendësie.

Pse e them këtë? Sepse e mira dhe e keqja jetojnë bashkë. Tash e kemi harrue disi, e ndoshta ma shumë se duhet, por, ne, shqiptarët, jemi i vetmi popull në botë që rrënjët tona historike i kemi pikërisht në këtë sistem besimi që i sheh të mirën dhe të keqen si të ngërthyera në një lidhje të pazgjidhshme. E megjithatë sistemi i jonë i lashtë i besimit, dhe ajo përkrenarja e trashëguar prej Skënderbeut, në familjen e Skënderbeut që u shit për një copë buke një Arkiduke Austriak ka ma shumë vlerë se ia japim ne sot, e ka vënë njeriun në qendër të vendimmarrjes dhe ia ka dhënë atij vetë e vetëm atij mundësinë e zgjidhjes. Dhe zgjidhja kësaj here duhet ba me mend, sepse si themi ne malësorët, edhe ujë ba me pi ma shumë se duhet, plas njeriu, njëlloj si bagëtia që han bar ma shumë se mundet me blue. Mirëpo, puna e jonë është që të ndajmë të mirën nga e keqja të gjejmë masën e duhur dhe kufirin ku e mira dhe e keqja e lejojnë qënien me ekzistue. Pak kush e din se mikrobet e bakteriet që kemi në trup, që na ndihmojnë me tretë ushqimin, na bëjnë me vdekë dhe na hanë të gjallë, por edhe të vdekun. Me një shembull tjetër, ne duhet të përdorim helmin e gjarpërit për me shërue plagën. Sepse shpëtimi i jonë është pikërisht aty, nga na vjen e keqja, tek mendësia e jonë katundare shqiptare.

Ana e keqe e mendësisë katundare

Për të keqen e mendësisë katundare kam folë gjerësisht këtu në blogun tim “Rrethin e Ferrit” si dhe në librat e mi. Materializmi ekstrem, frika ndaj shtetit, përulja ndaj parisë sunduese, lidhja deri në skllavërim me pronën, izolimi, mendjengushtësia dhe nevoja e zgjidhjeve për mbijetesë në një kontekst të caktuar, e të tjera mënyra sjelljeje e vlera të dallueshme dhe unike janë pjesë e kësaj mendësie. Kjo është ana e jonë e zezë që ka dalë mbi ujë, ajo që po na vret e po na shuen. Untia e katundarëve dhe e malokëve tanë, se malokë e katundarë që na dallojnë një kilometër larg jemi Jug e Veri, Toskë e Gegë, Muslimanë e të Krishterë, të Majtë e të Djathtë, Hudhra dhe Qepë, na ka cue në këtë gjendje. Po ashtu mendësia e sheherliut, e atij që jeton në qytet, e borgjezit/dyqanxhiut të vogël që kënaqet me një dyqan/kioskë e me një të ardhur të vogël është po ashtu e përafërt dhe e ngjashme me mendësimë katundare. Në mos tjetër të dy nuk i shohin proceset se më larg se mëhalla/lagja/katundi i tyre. Prandaj nuk due me folë ma për të keqen. Atë e dinë të gjithë, e jetojnë të gjithë dhe prej saj janë të lodhur të gjithë.

Ana e mirë e mendësisë katundare

Ana e mirë e mendësisë katundare është ruajtja e dinjitetit, e nderit, e fytyrës, e respektit per veten dhe për familjen. Sepse kur vjen puna tek nderi e tek fytyra, katundari të zhduk nga fqja e dheut. Kur e prek ne fytyrë e në nder katundarin tonë, nuk ke vend ku mund te fshehësh.  Të gjen edhe në birë të miut. Cuditërisht, edhe në një kohë që shitet si moderne, këto parime sjellje që e shohin njeriun sit ë patjetërsueshëm dhe qëe e vënë nderin e dinjitetin e tij në qëndër të vëmendjes e të sjelljes politike janë pikërisht ajo që ne duhet të kultivojmë dhe të provojmë dhe mbi të cilën duhet të mbështesim të ardhmen tonë. Sepse tashmë ne shqiptarët e kemi një shans që nuk e ka kurrkush tjetër. Ne jemi një turmë katundarësh që mund të mendojmë si fisnikë dhe si banditë. Zgjidhja është e jona. PAria na drejtoi për 23 vjet që të mendojmë si banditë. A mudn të mendojmë ndryshe? A mund të ndërtojmë një shoqëri që të na lejojë që të jemi njerëz normalë, me nder me dinjitet ndërmjet vetes, pa dallimet që të tjerët na shtyjmë që ti kultivojmë.

Ne vend te perfundimit

Shkurt, bota e huaj është një xhungël, në të cilën ne nuk kemi arritur të cajmë. Këta kanë pasur perandori e koloni, zotërime e sundime pa numër e pa farë dhe ne ju dukemi si miza. Mirëpo, pyetja që ne duhet t’ja bëjmë vetes është se si kanë arritur të jetojnë edhe mizat??? Sepse ne nuk bëhemi dot anglezë që janë bërë të gjtihë me mendësi zotërie njëlloj për arsye të caktuara. Nuk behemi dot rusë, që janë bërë  njëlloj për arsye të caktara. Ne jemi këta që jemi. Ne jemi katundarë shqiptarë. Ne cmojmë nderin, fytyrën e pasurinë. Për fat këmi edhe një shtet. A mund të bëjmë këtë shtet që të naruajë fytyrën nderin e pasurinë, të na garantojë jetën e nderin? A mund të bëhemi normal e të mbijetojmë në këtë botë të vështirë? Sepse ne jemi lloji më i vecantë i popujve që mund të bëhet në fytyrë të dheut. Ne jemi ata që behemi krimba. Ne jemi krimbat që behemi flutura. Pyetja është cka duam të jemi? Zgjidhja është në kuptimin e duhur e të drejtë të mendësisë sonë katundare dhe në vlerat që na bëjnë të vecantë, ndryshe, që na kanë lejuar të mbijetojmë tash mijëra vjet dhe që ne i manifestojmë në mënyrë të pavetëdijshme në sjelljen tonë, kudo që jemi. Me një fjalë e shkurt, e ardhmja e jonë kalon nga kuptimi i saktë i vetvetes, i asaj që na bën të vecantë, dhe i përdorimit të atyre cilësive që ne na kanë lejuar të mbijetojmë e që do të na mundosojnë mbijetesën në të ardhmen. kesaj here duhet te dime te zgjedhim.