VALBONA KARANXHA: “KAPËRCIMI POLITIK” MUNGESË E THEKSUAR E ETIKËS POLITIKE

Kapërcimi politik shfaqet në shumë mënyra, disa nga këto mënyra janë braktisja e një partie politike për një parti tjetër; lidhja e aleancave me parti të kunderta në rrymë; faksionet partiake,  dhe gjithashtu dalja e deputetev të pavarur. Ky koncept nuk është i ri. Më poshtë do përpiqem të ilustroj me shëmbuj disa nga “party-swapping” d.m.th kapercimet partiake në Shqipëri gjatë 22 viteve të fundit.

Kur një politikan ndërron parti, ose grup politik të përcaktur ka disa arsye të forta të cilat e “detyrojnë” atë të marr vendim të tillë. Këto faktorë kanë të bëjnë me politikat e ndjekura nga liderët, drejtimi ose kursi i ri politik që ka marrë ose po ndërmerr partia dhe së fundi ndryshimi në qëndrimin e elektoratit ndaj partisë dhe politikanit.

Etika politike dhe obligimi ndaj elektoratit është një nga arsyet e kapërcimit  politik i cili  ndodh kur një politikan është i detyruar të ndërroj parti pasi partia aktuale nuk përfaqson me ideologjine e tij. Kjo është më se normale. Gjithashtu, politikani ndërron parti për të fituar vend ose post me influencë si për shëmbull; të behet kryetar i një komiteti ose organizate të caktuar etj. Poste të kësaj natyre  ky kandidat do mund t’i realizoj vetëm në partinë apo grupin e ri politik. Kandidatë të pakënaqur me politikën e partisë së tyre gjithashtu mund të divergjojnë nga rradhet dhe të krijojnë parti të re. Raste të tillë ka me duzina në Shqipëri dhe është bërë normative me instalimin e pluralizmit. Dhe e fundit, vlen për tu përmendur që  kapërcimi politik bëhet thjesht për të siguruar fitore elektorale pasi në dukshmëri elektorati prezent nuk i siguron kandidatit këtë fitore. Ne shumë raste  ky instabilitet ideo-politik i ka rrënjët të mungesën e një ideologjie të qartë.

Në jetën politike shqiptare kapercimi politik është kthyer në trend. Të gjitha  pikat që shtrova më lart  janë gjithashtu arsyet kryesore që shtyjnë dhe motivojnë  politikanët shqiptar të kapërcejnë nga njëra parti në tjetrën. Pavarësisht se keto lëvizje “hop këtu dhe hop atje” kanë ndodhur dhe më përpara, hedhja e cila filloi mbas 1 prillit duket se do të vazhdojë deri sa zgjedhjet të mbarojnë për të rifilluar të paktën mbas  katër vjeteve të ardhshme.

Le të shohim disa nga klasikët e kapercimit në politikën shqiptare dhe cili është motivimi i tyre. Vet fakti që Shqipëria ka të rregjistruara rreth 130 parti tregon se shqiptarët janë të pakënaqur dhe nuk bashkohen me politiken e dy partive kryesore të cilat kanë pasur pushtetin në 22 vitet e fundit. Disa nga këto parti janë faksione të krijuara nga gjiri i partive mëma, disa janë ideologji unike të formuara bazuar në një platformë të caktuar në përputhje me botkuptimin e lidërshipit. Faksionet në vetvete janë raste klasike të përleshjes se  ideve  dhe mosrenia dakord me lidërshipin aktual

Megjithatë, lufta në planin personal është më predominuese  dhe tipike në gjirin e partive në Shqipëri. Si rrjedhim, është më e përshtatshme për këta individë të krijojnë një rrymë te re se sa të pajtohem me politikën e ndjekur ne partitë mëmë. Kështu, FRD u shkëpt nga PD vitin e shkuar për mos pajtim me politikën e Berishës dhe Berishën vet si lidër. Kurse LSI u nda me PS për arsye të mospajtimit me Fatos Nanon në 2004.

Duke shtuar në vazhdim, krijimi i aleancave nëpërmjet  partive me pikpamje të ndryshme në spektrin politik behet për qëllime interesash. Kur një parti politike bën koalicion përpara zgjedhjeve, qëllimi i saj është të siguroj votat të kaloj pragun e lejueshëm për të fituar. Ndërsa aleanca mbas zgjedhjeve bëhet thjesht për te siguruar vënde në qeveri dhe për të forcuar poziten/opozitën me qëllim miratimi ose kundërshtimi ligjesh dhe  politikash publike. Konkretisht, LSI në 2009 bëri aleancë me PD për të siguruar  poste në qeveri. Gjithashtu pesë deputetët e LSI ishin vendimtar në miratim ligjishmërie apo politikash publike të cilat u interesonin atyre si parti.

Sot në 2013, LSI nënshkroi koalicionin me PS për të siguruar përsëri numrin e votave elektorale pasi PD eshte shkundur nga themelet, nga skandalet, nga  korrupsioni i përbashkët dhe mund të humbas zgjedhjet e ardhshme. Duke lënë PD për PS, Meta i cili nuk ka asnjë lloj etike si politikan apo si përfaqsues i popullit, kërkon me çdo kusht të siguroj vazhdimsinë e vet në politikë

“ Etika politike” ka të bëjë me gjykimin, ideologjinë e politikanit dhe detyrën që ka ai ndaj elektoralit të tij dhe rrjedhimisht ndaj popullit. Në rastin e Gjovalin Kadelit kemi jo vetëm përpjasje personale por edhe përplasje morale, gjykimi dhe etike. Kadeli u largua nga PS me arsyen se Partia Socialiste nuk mbështet më atë si deputet, ideologjinë dhe praktikat e tij. Kjo erdhi  si pasojë e mosmarrveshjeve ndërmjet tij dhe  Edi Ramës. Por këtu nuk mund të përjashtohet fakti  që Kadeli ishte venë i pesti në listën e deputetve, vënd i cili për Kadelin është humbje e sigurt dhe fyese për dikë qe ka kontribuar për PS. Në këto raste thyerja është e pashmangëshme.  Padyshim ka faktorë të tjerë të cilat kanë të bejnë me integritetin politik të PS dhe çështje të mospajtimit moral.  Midis të tjerave Kadeli  shprehu pakënaqsinë ndaj koalicionin me LSI. Kjo është mospërputhje me rrugën e PS për te siguruar fitore dhe shkelje e etikës politike në gjykimin e Kadelit.

Një rast klasik i kapërcimit politik është Agron Duka. Duka, sipas shtypit shqiptar është politikan/biznesmen. Pasi ka humbur garën elektorale në 2005, Duka në 2013 ka kapërcyer nga kandidat për deputet në rradhët e PS në rradhët e PR (Partia Republikane) për arsye se Fatmir Mediu i siguron vëndin e parë në listat e deputetëve të Durrësit. Pa asnjë lloj introduksioni, ky kapërcim është thjesht interes votash dhe aspak ndryshim ideologjie pasi një kapërcim i tillë është ndryshim i thellë ideologjik dhe botkuptim i cili nuk kultivohet brënda disa javësh kur mesohet se deputeti nuk është në pozicion të përshtatshëm për fitim. Pra, është më e qartë se dita që Agron Duka motivohet nga fitimi dhe jo ideologjia republikane.

Ne përfundim, politikat i njohin ndryshimet dhe kapërcimet partiake. Po ashtu dhe “bagazhin” që vjen me to. Duke konkluduar, nga rastet e sipërpërmendura politikanët shqiptar vijnë në pushtet për arsye fitimi. Deputet që ndërrojnë parti në Shqipëri janë të motivuar nga egoja për pushtet lavdi dhe para. Mirqënia e popullit nuk është as motivim por edhe as preokupim. Politikanët në Shqipëri janë të “pa-edukuar” përsa i përket etikës politike, dmth, nuk e kuptojnë detyrën dhe obligimin që kanë ndaj elektoratit dhe popullit. Pak rëndësi kanë masat për ta, detyra e politikanit në pushtet në Shqiperi limitohet thjesht në interesin e tij personal, interesin e klanit të tij, familjes imediate, familjes të zgjatuar dhe pjesmarrja në parti është instrumenti i cili do mundësoj këtë përfitim. “De-limitet” ose jashtë limitit të veprimit të poitikanëve shqiptar sidomos ata qe bejne kapercimet janë mirqënia e popullit, instalimi i kuturës demokratike, zbatimi në praktikë i ideologjisë që ata përqafsojnë, krijimi i shërbimeve sociale për popullin dhe elektoratin e tyre. Ajo që i dallon liderët autentikë nga ata të vetquajturit lidër politik është shtrirja e limiteve për t’i ardhur në shërbim popullit dhe jo ngushtimi i tyre për arsye personale.

 

Advertisements

DALJA E BOJËS DHE FUNDI I LOJËS

Me mbylljen e listave të kandidatë për deputetë, të cilat do të paraqiten nesër, po shihet qartë niveli i pafytyrësisë dhe i poshtërsisë së parisë së Tiranës. Me një shprehje popullore parisë së Tiranës “i ka dalë boja.” Tashmë paria e Tiranës nuk ka pretendimin më të vogël për ti shitur sherret falso si ndarje ideologjike. Paria e Tiranës nuk ka fytyrën për ti mobilizuar njerëzit as në bazë të ndarjeve të vjetra e të stërpërdorura si komunistë/antikomunistë. Parie tiranës ka treguar se ka vetëm interesa materiale. Klanet e tyre përplasen vetëm për të fituar kontrollin e shtetit dhe për ta vënë në shërbim të tyre.

Ata që e kanë kuptuar këtë sjellje kanë gjetur vërtetimi e asaj që kanë ditur. Ata që nuk e kanë pasë pranuar, nuk kanë më justifikime. Vetëm të poshtërit dhe budallenjtë nuk duan ta pranojnë këtë të vërtetë të pamohueshme. Këta janë banda katundarësh që duan të vjedhin shtetin dhe që nuk lodhen për ta fshehur fare, bile ta shesin si arritje, këtë sjellje të tyre. Një shprehje popullore thotë “iu plasi cipa” mirëpo cipa të plas kur ke fytyrë. Shprehja më e saktë është këtyre “iu ka dalë boja,” d.m.th. ajo shtresa e bojës është leskëruar dhe këta e kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë dhe kanë shkuar në origjinë. Huri i gardhit mbet hu gardhi, edhe po ta pikturojë Vangjush Mio apo Kole Idromeno.

Dalja e Bojës dhe Vazhdimi i Lojës

Dalja e bojës është një fenomen i rrezikshëm për vetë parinë. Edhe pse praktika e ndjekur nga paria e Tiranës për të mobilizuar njerëzit dhe për tu zhvilluar atë që quhet politikë simbolike duket sikur po funksionon mirë edhe në këto zgjedhje. E megjithatë, poshtë lustrës së vetësigurisë dhe të përpjekjes së bashkërenduar për të shitur rezultatin, cilido që të jetë, për të zhdukur alternativat dhe për të vazhduar me teknikën e dezinformimit e të c’orientimit të votuesve shihet dicka tjetër.

Dalja e bojës po e bën të tendosur shumë vazhdimin e lojës së sherrit fals e artificial ndërmjet palëve. Nga një anë paria i ka llogaritur mirë e bukur votat. Ata i kanë numëruar njerëzit si delet dhe e dinë se kush do të votojë për kë me një qartësi të madhe. Kjo punë është bërë shtëpi më shtëpi, derë më derë, me sekserë, me lista të punësuarish, me shantazhe të hapurë e të fshehta, me terror politik, me terror mendor, me terror hafijesh që janë shtuar në kufinjtë e shtetit policor dhe me propagandën e frikshme të kafeneve katudnare që janë emisionet si Opinioni, Top Shoë, apo ai gjirizi mediatik, që është emisioni i Arian Canos. Përpjekja e tyre për vazhdimin e lojës po duket shumë e suksesshme dhe luftohet ditë për ditë. Nga këndvështrimi i tyre loja po vazhdohet, po pranohet nga populli, edhe po fitohet ditë për ditë.

Mirëpo, nga ana tjetër, paria është tërësisht e pasigurtë se cka mund të ndodhë më popullin e se si do të sillen shqiptarët me 23 qershor por edhe mbrapa.

Sepse loja kishte kuptim sa kohë që ata ishin të organizuar në dy skuadra kundërshatre për vdekje. Tani po del se ata janë një skuadër që po bën praktikë dhe atë e shet si ndeshje.

Vazhdimi i lojës dhe pranimi i saj rrezikohet edhe sepse, në këtë pikë e mbas, paria i mban njerëzit haptazi të lidhur vetëm e vetëm për interesa materiale. Mirëpo edhe qeni më besnik don të hajë tre herë në ditë. Dhe kështu paria është në krizë dhe vazhdimi i lojës bëhet problematik. Paria përballet me shterrjen e burimeve materiale të shtetit, me mbylljen e rubinetës së punësimit, me mbrritjen e tavanit të marrjes së borxheve dhe të pagimit të tyre, me pamundësinë e dhënies së favoreve që nga doganat tek licenca, me shtimin e daljën jashtë kontrollit të strukturave kriminale, me fuqizimin e vetëdijes në shtresa të caktuara se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë më tej, me kthimin e emigranteve, me humbjen e qartë të legjitimitetit e të besnikërisë të masave dhe me përballjen e mundësisë së dështimit të marrëveshjes midis palëve në nivele poshtë prijatarëve në nivelin lokal. Këto janë disa nga aspektet e procesit që paria nuk i kontrollon dot më. Shqiptarët e pranuan lojën sepse vidhte paria, vidhnin dhe ata. Zinte toka paria, zinin toka edhe ata. E rripte shtetin shtetin paria, dromca dhe thërmija mblidhnin dhe ata. Paria bënte pakte me krimin, shqiptarëy shisnin droga, bënin trafiqe e pisllëqe edhe ata. Me një fjalë, ndërtonte Plazhin e Gjirit të Lalzit paria, dhe të gjithë katundarët u bënë me vila në Golem, Dhërmi e Divjakë.  Edi Rama dhe Saliu bënin pallate, njerëzit shtonin kate. Paria vidhte ne shtet, njerezit merrnin rrushfet. E kështu me radhë.

Dalja e bojës dhe fundi i lojës?

Kjo është edhe pika ku vazhdimi i lojës rrezikohet. Oligarkia funksionon sa kohë që njerëzit përfitojnë. Sepse në momentin që njerëzit, që janë mësuar me këtë kalkulimin e ftohtë e racional të tramit të votës për favoret që shkojnë nga thesi i miellit e gjeli i detit tek tenderi shumëmilionësh, nuk presin gjë, atëherë ndryshon loja. Njerëzit kthehen kundër parisë oligarkike dhe fillojnë t’i kundërvihen.

Është e qartë se, me mendjen e vet, paria e ka mbyllur rrethin edhe në këto zgjedhje. Diskreditimi i saj dhe frika se po vjen edhe fundi i lojës, e se mund të fillojë një lojë e re, shihen qartë tek listat e deputetëve. Cka nuk gjen! Trusti i Gështenjave, Orta e Jenicerëve, Klani i Zemunit, Ceta e Lavatriceve, hajde vërja emrin se ka dalë llumi mbi ujë e po bëhen deputetë. I gjithë pisllëku kombëtar është duke u kandiduar për deputetë. Këta janë paria. Si do që të shkojnë zgjedhjet, le të fitojë kush të dojë, Kuvendit do ja ndrrojmë emrin e do ja bëjmë Kupola. Sepse të gjithë këta janë banditë.

Por, edhe pse paria e Tiranës i ka fituar zgjedhjet, sepse kushdo që të fitojë do të bëjë të pamundurën që të respektojë marrëveshjen, ka shumë të panjohura në këtë lojë. Arsyeja është se ka shumë palë në këtë lojë dhe gjithkush po luan për vete.

Sindikatat e krimit funksionojnë sa kohë që ka për të gjithë mirëpo edhe paria vetë e din se nuk ka më për të gjithë. Se do të hyjë miu në thesarin e shtetit e do të thyejë turinjtë.

Edi Rama nuk do ta prekë Sali Berishën dhe Ilir Metën, për arsye të kuptueshme. Njërin e ka në koalicion e tjetrin nuk don ta bëjë ‘Martir  të Demokracisë.” Prandaj thotë “Saliu duhet të ikë me nder.” Po cfarë nderi ka ky??? Mirëpo edhe mafia e ka kodin e vet të ‘nderit’ që në Tiranë pak a shumë përkthehet kështu, “vodhe sa vodhe ti me të tutë, tani e kam radhën unë me të mitë.” Ik me të mirë se ndryshe do të bëjmë sherr dhe nga sherri humbim që të dy. Ik me nder o Sali, se nuk të bëj martir! Si nuk e bëre to Fatos Nanon, si nuktëbënë Fatos nano dhe Ilir Meta ty. Sepse shahemi nga nëna e nga motra, por jemi tanët, bre. Ti nuk me preke, unë nuk të prek. Më rrove të rrova brisku i berberit. Mirëpo, këtu janë në lojë shumë vetë me kobure plastike, me mushka droge, me trafiqe armësh, prostitucioni, e organesh. Se ne jemi parajsa e krimit dhe e llumit dhe nëse Saliu, Edi, Ilir, apo edhe dreqi dhe i biri mendojnë se këta iu janë besnikë atyre e kanë shumë gabim. Këta që nuk kanë lënë gjë pa bërë në faqe të dheut nuk iu besojnë as kanatjeres që veshin e jo më këtyre shefave që janë treguar të pabesë gjithë kohën.

Vazhdimi i Lojës?

Ajo që është shqetësuese edhe për parinë, është pikërisht ajo cka do të ndodhë mbas 23 Qershorit kur dalja e bojës të bëhet e qartë edhe për budallenjtë. Sepse po shihet qartë se Sali Berisha e ka një shans për të qënë pjesë e qeverisjes. Se miq jemi, por kuleta kuletë e numrat numra. Po qe se Saliu i mbledh edhe ca vetë rrugës si Agron Duka, edhe pot ë dojë t’ia lërë Edit, nuk ka c’u bën shefave të mafiave locale, deputetëve me kobure plastike apo Lefterit që ia futi me lezet dhe e mori vendin e deputetit me një katundarllëk të paparë! I mblodhi kushërinjtë dhe farefisin, e vuri Kozmain të këndonte: “o Sali t’u bëfsha ferrë!” hajde gjetje Lefteriane, sepse PD I mblodhi të gjithë ferrat e PS-së por, funksionoi, nuk dinte ku ti conte syte Saliu…  e siguroi vendin në listë Lefteri. E sa ka PD e PS si Lefteri, por nejse, do ta shohim se kush është ferrë e kush është trëndafil.

Për shkak të shefave të mafiave lokale, të gjithë policë e doganierë, shikas e trafikantë, ka ndryshuar ekuacioni në të dy anët. Se ikja e Asllanit nuk e ndryshon lojën në Kukës por e ndryshon në Bathore, ashtu si ikja e Kastriot Islamit sjell ca vetë që do të bëjnë ndryshimin për para në Tiranë. Por këto janë shenja se parisë i ka dalë boja dhe është … krejt e pasigurtë për atë që vjen mbrapa.

Në vend të Përfundimit

Shkurt, parisë i ka dalë boja, tashmë ka ndrruar edhe loja. Marrëveshja do të ruhet, por torta do të ndahet pak më ndryshe. Sepse Saliu po sheh se ka më shumë shanse që të ketë një copë të pushtetit. Edhe pse torta do të jetë e zvogëluar, këta që janë mësuar të hanë tortën me legenë, dhe të hanë tortën nga legenët e shtetit, do të ndjekin taktikën e njohur katundare të vjedhjes së votave si me vjedhjen e ujit nga vada natën. Tek vada e ujit hiqet lesa e këtu mbushet kutia. Mënyra të ndryshme por mendësi e njëjtë.

Prandaj edhe paria nuk është e sigurtë, nuk mundet me kenë e sigurtë se a është kjo dalje e bojës thjesht një dicka kalimtare apo është fundi i lojës dhe fillimi i një loje të re. Këtë do ta marrim vesh kur të formohet qeveria në Shtator. Deri atëherë, edhe pse nuk e kemi krejt për herë të parë, dhe jemi mësuar, na duhet me durue edhe marrëzitë, edhe poshtërsitë, edhe pafytyrësitë e parisë së Tiranës. Se ne na ka ngordhur gomari ke kohë, dhe nuk na prish punë se vjen Edi dhe i shkul veshët, vjen Sala bën Komision për veshët, vjen dreqi dhe i biri e merren me veshët e jo me gomarin tonë që ka ngordhur e nuk ngjallet me këto shkuljet e veshit.

 

MURAT ALIAJ: SHABLLONET E NDRYSHKUR DHE NEVOJA PER FRESKI

Paradokset e politikes shqiptare, sa vjen dhe plotesojne profilin. Po na shohin sytë mjaft karagjozlleqe qe vetëm sistemeve perverse ju shkojnë. Dhe të mendojmë se jemi në momentin, kur akoma nuk është çelur zyrtarisht fushata eletorale me mbylljen e punimeve të kuvendit i cili vazhdon të ngreje komisione hetimore e të luaj komedinë e nisur qysh 8 vjet më parë.

Pa dashur të paragjykojmë votuesin e ndërgjegjshëm të çdo partie, kanë dalë në dritë edhe një sërë partiakësh të cilët janë hedhur në agresivitet ndaj çdo mendimi të shpallur që s’ju vjen për shtat. Të tillë kanë të dyja partitë e mëdha mëkatare. Duke qënë se ndihet qartë frika e ndëshkimit prej votës, kanë ndez motorrët e gjithë arsenalit të tyre rrugaçëror. Votimet e sivjetme bëhen nën frikën e një krize shumë të thellë ekonomike që kërcënon direkt jetën e njerëzve. Shumë të vërteta të hidhura janë thënë akoma. Ato vetëm sa pëshpëriten, për t’ja plasur nesër harbutërisht votuesit i cili do akuzohet edhe si shkaktar i krizës, pasi me politikanë të tillë të pamorlashëm, priten të gjitha.

Veprimet e politikanëve nuk janë kaq të parëndësishme sa të kalohen pa ju kushtuar vëmëndje. Është situatë parazgjedhore dhe vota po kërkohet me shumë mënyra nga të cilat më skandalozja është tundja e këmbëve. Kjo gjë bëhet me shumë mënyra ku më dendur është ajo e kërrbaçit, por pa lënë pas dore edhe kulaçin. Nervozizmi i tyre sa vjen dhe rritet.

Është krijuar një situatë pasigurie për njerëzit, që politikanët militantë po përpiqen me gjith ç’kanë në dorë për ta bërë mbizotërues. Kaosi dhe pasiguria e qytetarit, janë aleatët më të mirë të rrufjanëve politik. Por është e pamundur që optimizmi i tyre të japë zgjidhje hamëndjeve të shumta, për të dalë nga ky kaos që ka mbuluar jetën e njerëzve. Debatet kanë përfshirë të gjitha forcat politike. Ato janë kaq të fuqishme sa po çojnë deri në krijime të reja partish të reja për të zvëndësuar partitë e korruptuara që janë mbërthyer me thonj e me dhëmbë pas mënyrës së tyre të vegjetimit. Është shpresëdhenëse që ja vlen të përshendetet, krijimi i partisë së çamëve, të cilët e shprehën hapur kundërshtinë e tyre me partinë e Idrizit. Një parti e degraduar kjo, që vetëm çamëve s’mund t’ju sherbente.

Por edhe krerët e partive nuk janë të papërgatitur për t’ju përgjigjur këtyre debateve, sigurisht sipas mënyrës së tyre militante, që nuk përmban brenda asgjë bindëse. Janë krijuar kornizat shablon për t’ju përgjigjur çdo mendimi kundërshtar. Janë korniza të tilla që mënyrën më të shëmtuar nuk kanë brenda argumentin e llogjikën, por akuzën dhe fyerjet. Thua se të vetmit njerëz të pamolepsur në këtë vënd, janë vetëm politikanët. Çdo debat me të majtët për mangësitë dhe skandalet e majta që nuk janë të pakta, të përplaset fytyrës akuza: Këto mendime i kanë njerëzit si puna jote që janë çgënjyer nga politika e Berishës. Po të guxosh të diskutosh me të djathtet e Berishës, kanë 20 vjet që po këndojnë këngën e antikomunizmit. E vetmja gjë që nuk mund të pranojnë të dyja këto forca, është fakti që ka edhe njerëz, madje jo të paktë, që s’ju kërcet fare as për njerin e as për tjetrin shabllon, por që e ngrënë zërin, vetëm për të bërë detyrën e tyre qytetare ndaj bashkëkombësve dhe vendit. I pëlqen apo jo forcave politike, kjo gjë nuk do rresht. Fatmirësisht kjo kategori është jashtë sferës së ndikimeve politike në vënd dhe nuk është e papërfillshme. Kjo ju prish shumë punë politikanëve, pasi kërkon kthjellim të gjëndjes, kërkon dhenien fund të kaosit dhe pasigurisë së qytetarit.

Sipas shablloneve të të dy krahëve, që të ngresh zerin sot për problemet politike të vendit, duhet të kesh vetëm dy motive: Ose të synosh ndonjë kolltuk në pushtetin që po vjen, ose të ruash kolltukun në pushtetin që po thyen qafën. Ndryshe ç’motiv tjetër mund të ketë një zë që shkund fort këtë myk drejtues që po varfëron vendin? Këta njerëz as mund ta imagjinojnë se kanë mbetur akoma në këtë vënd, njerëz që kanë besuar diku edhe pse çgënjehen çdo ditë ne besimin e tyre, prap këmbëngulin moralisht po aty. Dhe të tillë ka në të dy krahët. Jo. Ata i masin të tjerët me metrin e tyre. Të mësuar për t’i dredhë bythet andej nga çfletohen lepushkat, të dy mostrat qeverritare nuk mund ta pranojnë këtë pozicion konseguent. Për ta është bërë modë motua që politika të lejon ta kthesh surratin kudo që del paraja. Kush nuk është me këtë moto, ose është komunist, ose fashist i blerë prej Berishës. Se ku e gjejnë të drejtën të shantazhojnë kështu votuesin, kjo është pikë tjetër. Personalisht e konsideroj këtë gjë si tregues të rrezikshëm për gjith ç’presim në vijimësi.

Duke qënë që këto forca politike të korruptuara, me kaq arrogancë po marrin guximin të na diktojnë moralin e tyre të prapë, na takon neve t’ju mesojmë se ka edhe një mënyrë tjetër për ta qeverrisur këtë vënd të vogël e të pasur, duke siguruar së pari qetsinë e interesin e qytetarit dhe pastaj xhepat e mëdhenj të qeverritarëve të korruptuar.

Është lehtësisht e kuptueshme ndërtimi i kësaj psikologjie me të cilën dy partitë e mëdha sulmojnë njera tjetrën, ashtu siç ndjej se është mjaft normale, ngritja e zerit për të bërë zgjedhjen më të vështirë e cila është edhe më shpëtimtarja për vendin. Mënjanimi i të dyja këtyre forcave politike, nga fusha politike, është domosdoshmëri, për shkak se këto mbollën imoralitetin politik duke krijuar varjantin shqiptar të politikës perverse, atë varjant që duhet të varroset përfundimisht, në se duam të mos humbasim më kohë në proçeset e demokratizimit të vendit. Nesër do jetë shumë vonë. Lodrat me “ma le e ta lashë” nuk do i hajë më njeri. Për të gjithë do mbetet menyja e hidhur e çgenjimit.

Shqipëria nuk është keq për numur partish. Mendoj se një rigrupim i tyre do konfiguronte një tjetër pasqyrë politike në vënd. Jam i ndërgjegjshëm që kjo gjë nuk është e lehtë, por këmbëngul në këtë, duke e parë të mundur dhe të nevojshme për t’u bërë.

Funksionimi i shtetit në vëndin tonë, është kthyer tërësisht kundër mbrojtjes dhe interesit të qytetarit. Në këto kushte të rënda çgënjimi, mendoj se nuk ka më vënd provash. Boll ja u dhamë këtë mundësi qeverritarëve tanë të cilët e shpërdoruan në mënyrën më të shemtuar. Durimi ka arritur kulmin dhe po shkakton hatara në jetën sociale të njerëzve. Duke i fshirë të gjitha mëkatet e të dyja forcave që na qeverrisën këto 23 vjet, e që na shpunë deri në pragun e vrasjes me njeri tjetrin, do propozoja një rinisje nga e para. Një vendosje gurësh të mëdhenj që të paktën të ishim të sigurt se mostrat e zgjedhura me votën tonë, apo ata që na e grabitën këtë votë, do mbrrijnë një afat skadimi dhe do thyejnë qafën. Të paktën të jemi të sigurt se i përkasim një sistemi të mirëfillt demokratik. Kjo është alfa që në kushtet kur diktaturat tona, janë vënë në garë me njëra tjetren, se kush do shtyp e shfrytëzojë më shumë, vendin dhe popullin e vet, do ju priste rrugën dhe do vendoste tek këto mostra një tjetër mënyrë mendimi. Këmbëngul që respektimi i normës së rrotacionit qeverritar duhet të sanksionohet me kushtetutë. Madje të sanksionohet edhe mos kthimi në pushtet i mostrave që kanë djegur afatin qeverrisës. Politikanët tanë nuk e meritojnë nderin e përjetësimit në besimin tonë. Ata e kanë kthyer veten në rrënimtarët tanë më të mëdhenj. Ndryshe le të rrëmbejmë gajdet e çiftelitë dhe t’ju këndojmë himne drejtuesve tanë. Gjithë legjislacioni i miratuar këto 23 vjet, i sherben vetëm kohëgjatësisë së tyre në pushtet. Ai është një legjislacion rrufjanësh i cili duhet fshirë, bashkë me ata që e haruan.

Kjo gjë nuk ju intereson as atyre që e lënë pushtetin e që pretendojnë të jenë të përjetshëm dhe as atyre që kanë nxjerrë në treg lëkurën e ariut, pa e vrarë akoma. A nuk rrëfen pikërisht këtë gjë fakti, që në listat e kandidat deputetëve të majtë, mungojnë emrat më të shquar të opozitës? Sigurisht që nuk është rastësi. Këta emra janë duke u ruajtur për t’u emëruar dikastereve. Por vallë u fitua beteja e parë e heqjes së Berishës nga pushteti dhe i ka ardhur radha ndërtimit të kabinetit të ri. Padurimi socialist është më se skandaloz. Me sa duket, këtu janë ndarë djallëzisht detyrat. Rrëzimin e Berishës e ka detyrë Meta që ja njeh pikat e dobëta Berishës, ndërsa ndërtimi i kabinetit, është detyrë e Ramës. Këto veprime nuk mund të lexohen ndryshe.

Gabimet paraelektorale të së majtës janë shumë të mëdha. Kam frikë se këto do ndikojnë në rezultatin elektoral dhe aherë do dëgjojmë tjetër këngë opozitare me braktisje kuvendi (s’më pëlqen fare termi Parllament për këtë fole të molepsur). Aherë të jenë të sigurt se do kenë kundër edhe opinionin i cili s’po rresht së paralajmëruari. Ka një arrogancë skandaloze në politikën elektorale të opozitës, e cila e thjeshton problemin, duke ju drejtuar votuesit me dilemën :Po të pëlqeu Berisha, voto Berishën! Dihet mirë që Berisha me politikën e vet paranojake, është bërë i padurueshëm, por ai njëkohësisht është edhe vjedhës i votës së lirë. Është edhe agresiv në synimet e tij. Shtypi po paralajmëron për mobilizimin e Ministrisë së Brendëshme në proçesin masiv të grabitjes. Prapësitë që do përdorë Berisha për mbajtjen e pushtetit, do jenë nga më djavoliket, ku nuk përjashtohet edhe përgjakja. Kurse opozita i ka lënë të gjitha shpresat tek reagimet e ndërkombëtarëve që në fund të fundit mbeten vetëm vëzhguesit e komedisë shqiptare, aq sa të lind përshtypja se ajo nuk e ka fort për zemër pushtetin në këtë vënd të rrënuar ekonomikisht, të keqtrajtuar e grabitur barbarisht.

Këtu luhet me një fill shumë të hollë që duhet këputur qysh tani. Ka shumë opinionistë qe kanë mendimin se të dyja këto forca politike, duhen shmangur. Këtu bëj pjesë edhe unë. Që të jem më i qartë po shpjegohem. Heqja e kësaj të keqe përbën domosdoshmëri. Jam i sigurt se kjo nuk është detyrë e lehtë, pasi këto dy forca kanë në gjirin e tyre pjesën dërrmuese të kapaciteteve intelektual e kulturorë të vendit. Por gjithashtu jam i sigurt se këto kapacitete, do dinë ta gjejnë vëndin e tyre në forcat e reja që po konfigurohen në politikën tonë. Janë të mjafta dy parti përballë njera tjetres AK dhe FRD. Këto janë që të dyja parti të brishta që ju duhet mbështetja e simpatizantëve të tyre. Por të paktën ato rrëfyen konkretisht se fusha e ndotur e politikës sonë, ka nevojë për rikonfigurim, ato e morën përsipër rrezikun të përballen të vetme në zgjedhje duke e pështyrë dorën e zgjatur për koalicione. Fuqizimi i këtyre dy partive dhe dhenia krahë, do sjellë tjetër pamje freskie në jetën politike të vendit. Ato do kenë edhe kulturën edhe përmbajtjen për të zhvilluar një luftë më njerëzore e të kulturuar për pushtet. Do të shmanget kështu fakti që në çdo prag votimesh, Shqipëria jonë të ngjajë si shesh beteje.

Këtë rrezik e shohin dhe e vlerësojnë dyja forcat e mëdha, të cilat edhe këtu reagojnë në mënyra të ndryshme. Ndërsa Berisha ngjan si qëngj i pafajshëm në kërkesën që i bën Topit për koalicion, Rama i kërcet dhëmbët Spahiut dhe i lëshon anatemat, duke i kujtuar se pa të, s’ka të ardhme. Ai di ç’bën. Të tillë e kanë gatuar ligjin elektoral që ta manipulojnë sipas oreksit votën e qytetarit. Vetëm këtu mund të ndodhë që partitë të gjykojnë votuesin dhe jo e kundërta. Këtë veçanti të shemtuar që e solli kaosi i mbjellur me aq mund prej partive, duhet ta paguaj vet politika. Por jo vetëm këtë…